Tuesday 6 April 2021

ISHUJT E KSAMILIT

nga: Kristo KAURI

Sarandë 

Ishujt e Ksamilit kanë origjinë tektonike. Ato janë krijuar në përiudhën Jurasike, si rezultat i copëtimit të kontinentit. Sipërfaqja e përgjithshme e tyre është 7,1 ha. Janë shpallur Monument Natyre, me VKM-en Nr.676, datë 20.12.2002.

Është një mjedis me bukuri të rrallë natyrore. Peisazhi që krijon ngjyra e makjes mesdhëtare, kthjelltësia dhe ngjyra blu e detit, shkëmbinjtë e thepisur të kthyera në vepra të verteta skulpturore nga natyra, ngjyrat e larmishme që krijohen nga reflektimi i rrezeve të diellit në çdo moment të ditës, nga lindja deri në perendimin e tij, e bëjnë këtë Monument unik, madhështor dhe të veçantë, jo vetëm për vendin tone, por dhe me gjerë.

Lufta midis llojëve për mjedis, diell, ushqim, është shumë e ashpër. Luften e kanë fituar ato lloje që janë përshtatur me kushtet dhe janë rritur në menyrë të qëndrueshëm, llojet që nuk janë nxituar në zhvillimin e tyre qindravjecar.

Vizitori kur vjen në Ishuj përballet me teorinë Darviniane të evolucionit ( Çarl Darvini 1809-1859), “ Asgjë në natyrë nuk ka kuptim, veçse në dritën e evolucionit”. Kur del tëk Qafa e Mërtes, para teje të shfaqet një peisazh magjik, një hymn madhështor i natyres. Dhe siç thoshte i madhi L. Da Vinçi: "Finesa e njeriut, kurrë nuk do të deshmojë një shpikje më të bukur, më të thjeshtë, ose me të drejtperdrejt se sa Natyra, sepse në shpikjet e Saj, asgjë nuk mungon dhe asgjë nuk është e tepert".

Zoti nuk gaboi qe e krijoi këtë mrekulli dhe na i ofroi me aq dashuri. Ne gabuam në mbrojtjen, në menaxhimin dhe administrimin e tyre. Gjatë gjithë rrugëtimit të tyre, u kemi marrë shumë ishujve, i kemi shfrytëzuar në maksimum, jashtë kritereve, u dhamë shumë pakë investime, shumë pak kujdes dhe shumë pak dashuri.

Nga ndërhyrjet dhe babëzia e njeriut, nga presioni i vazhdushëm i tij për sa me shumë fitime në këto 25 vitet e fundit, ishujt janë dëmtuar rendë. Në këto 25 vite shkatërruam atë që natyra e krijoi për 500 milion vjet.
Me cdo sfide ishujt jane perballur me sukses ,me perjashtim te sfides me njeriun e babezitur. Ekosistemi i tyre tokësor dhe detar, është shumë i brishtë, i paqëndrueshëm dhe nga viti në vit ky Monument Natyror humbet vlerat e tij.

I kishim me të bukura para një viti, akoma me të bukura para dhjetë viteve, madhështore, hyjnore dhe krejt të virgjëra para 30 vitëve. Po vazhduam me këto mentalitete, me keto qëndrime, me këtë mungesë përgjegjësie, vlerat e Monumentit do të tjetërsohen.

Ksamili pa ekzistencën e këtyre Ishujve nuk do të kishte famen dhe emrin e mirë për pushime dhe turizëm. Bukuria e ishujve nuk mund të jetë e përjetëshme po nuk u mbrojten nga ne. Ato duhet të mbrohen për të miren tonë, për ekzistencën tonë, për një turizëm të qëndrueshëm, por dhe një pasuri që duhet t’u përcillët brezave që do të vijnë.

Sfida për të mbrojtur këtë mjedis, të bukur, të shëndetshëm, të qëndrueshëm, është domosdoshmëri. Kërkohet nga ne tolerancë zero dhe përgjegjësi maksimale për të vepruar menjëherë.

Ishujt fshehin thesare, histori, kulturë, biodiversitet dhe nuk mund të lihen në mëshirën e fatit.

Ishujt dhe deti na thonë : Na ndihmoni, t’ju ndihmojmë, na ndihmoni të jetojmë në harmoni, që të jetoni dhe gëzoni dhe ju madhështinë tonë.

Në përditësimin dhe vleresimin që u bë Monumentëve të Natyrës në vendin tonë, me VKM-në 303, datë 10.05.2019, sipërfaqja totale e Monumentit të Ishujve nga 6,2 ha që ishte në vitin 2002, është zgjeruar në 15 ha , ku 5 ha janë tokë dhe 10 ha janë det. 
Është një Monument unikal , me vlera shkencore, biologjike, natyrore, peisazhike, edukative, didaktike, shpirtërore, estetike, turistike etj. Ishujt janë një mjedis, ku forca e madhe jetësore e Natyrës shperthen me një poezi të rallë magjepsese. 
Monumentet natyrorë, sipas ligjeve në fuqi janë kategoria e tretë, por gëzojnë mbrojtjen e kategorisë se parë. Trajtohen si zona strikte për qellime shkencore, biologjike, kulturore, historike, didaktike.. Në realitet Ishujt e Ksamilit nuk mbrohen si të tillë, vazhdon dëmtimi dhe tjetërsimi i tyre.

Institucionët që kanë detyrë dhe paguhen për mbrojtjen e tyre, janë treguar të pa aftë dhe të papërgjegjshëm. Nëse vazhdohet kështu, ky Monument Natyror nga një laborator natyror me shumë vlera, që percjellë magjinë dhe madheshtine e natyres, do të humbas shume shpejt vlerat.

Për të mbrojtur natyrën, për të mbrojtur Ishujt, nuk mjaftojnë vetëm projektet, studimet, Ligjet, marrëveshjet, planet e veprimit, planet e menaxhimit. Ato egzistojnë dhe janë me nivele cilësore dhe europiane, por ato nuk zbatohen. Mbrojtja e natyrës, mbrojtja e Ishujve, kërkon dashuri, përkushtim, përgjegjësi, profesionalizem, që këto Plane dhe Ligje të gjejnë zbatim.

Pa njohur vlerat, pa njohur florën dhe faunën që kanë këta Ishuj, nuk mund t’i mbrosh. Kur i njeh i shikon me një sy tjeter, me syrin e shpirtit dhe te zemrës. Ky sy, ky këndëveshtrim, kjo dashuri u mungon sot ishujve.





10
   

No comments:

Post a Comment