Saturday 22 December 2018

Xha Muçua dhe të shkolluarit

nga Zija BASHA
Historian dhe Publicist
Çikago, SHBA


Zija BASHA
Në fillim të viteve 60-të në kooperativen e Lazaratit ndodhi një fenomen i pa parë deri atëhere. Në farishten e duhanit filizat rriteshin shpejtë dhe të bardha, pa klorofilë. Xha Muço Boci qe teknik i farishteve e frika e sabotimit e trembi shumë. Fshatarët para ngritjes së kooperatives mbillnin në farishte të vogla, por këto qenë të gjata 30 ose 40 metra. Plasmas nuk kishte dhe i mbulonin me lesa shelgu që i gjenin në brigjet e lumit Drino. Xha Muçua i shqetësuar lajmëroi bujqit me pervojë si Idriz Gerveshin, Saliko Pollin, Maksut Kazmën, Abaz Rabin, etj. Kryesia e kooperatives lajmëroi Komitetin Ekzekutiv. Erdhen urgjentisht agronomët e rinj Thoma Spiri e Spiro Gushi. Ata kuptuan që mungesa e klorofilës ishte, por nuk dhanë zgjidhjen praktike të problemit, e u larguan për të njoftuar Ministrinë e Bujqësisë.

Të nesërmen, pasi erdha nga shkolla pedagogjike ku vazhdoja mësimet, pashë në farishte shumë burra. Shtëpinë e kisha afër dhe shkova atje. Xha Muçua qe i zverdhur dhe i friksuar, por mu drejtua mua sikur edhe nga unë kërkonte shpetim.
-Mor djalë si i bëhet kësaj pune se ju mësuesit i dini të gjitha!?! e më shikoi në dritë të syrit. Mu dhims xha Muçua e i thashë përnjëherë
-Kjo është mungesa e klorofilës e agronomët do ta zgjidhin pa merak. Ata i dinë mirë këto punë.
-Erdhën ata e kështu çoç thanë po ikën të shqetësuar. -Tha xha Muçua. 

Xha Muçua, që kishte veshur me rrobat e gruas së tij Bule Naipin për ta nxjerrë nga qyteti kur e ndiqnin spiunët, që kishte qenë i burgosur nga Zogu për levizjen e Et'hem Totos, që e kishte nxjerë nga burgu vet Shefqet Peçi se nuk donte të pinte dollinë e Shefqetit në një dasmë e pashë të trembur. Operativi sigurimit, një djalë i ri me një çantë meshini që ndrinte nga dielli mbasdites sillej vërdallë si qifti për ndonjë zog. Askush nuk fliste. Qetësinë e prishi një xhip i zi sovjetik që erdhi aty. Nga makina zbritën dy agronomët e rinj që i njihja si dhe profesori ynë i teorisë bujqësore në pedagogjike, Sevo Dudi nga Dhoksati Lunxherisë. Ishte edhe një burrë i bëshëm me trup mesatar,     me xhup meshini të zi e me borselinë të zezë.Të tre agronomët këtë burrë e vunë në krye dhe e respektonin shumë, kur panë fenomenin e u tërhoqën për konsultë. Ai fliste me ngadalë e ata e miratonin. Ai theu heshjen e tha duke qeshur:
-Mos u dëshpëroni se problemin do ta zgjidhim se prandaj kemi bërë një barë shkollë de! Duam një sopatkë të vogël.Unë shkova shpejt në shtëpi e mora sopatkën. Rruges mendova se qe korçar se fliste si ca djem e vajza nga Kolonja që kishim në pedagogjike. Kur u shpura sopatën pyeta profesor Sevon se nga ishte ky agronom. Ai më tha se është vëllai Tefta Tashkos.
-Ka qenë ministër bujqësie.Tani është kryeagronom në Ministrinë e Bujqesisë.
-Gaqo Tashkua?! Kam lexuar nëpér gazetat artikujt e tij për bujqësinë - thashe.
-Ai i tëri. Ka mbaruar në Francë e është ajka e agronomëve shqiptarë. Erdhi sot urgjent nga Ministria.

Agronom Gaqua preu një shkop shelgu nga stiva dhe ja bëri majën si sopatë. Preu në mes me sopatë farishten dhe futi katër gishtrinjtë e dorës vertikalisht.
-Këtu është shumë nxehtë. -tha. Ju kini shtruar pak kashtë, kini hedhur shumë pleh pule, kini hedhur pleh deleje mbollët farën, e ujitët, e mbuluat me lese. Këtë kini bërrë ju. Bëtë vetëm gabim që i hodhët në fund shumë plehe pule. Po kjo regullohet me këtë shkopin e vogël dhe filloi ta shponte farishten në shumë vende. -Per çudi farishtja që ishte bërë si bukë e mbrujtur u ul.

Xha Muçua dhe bujqit u gëzuan dhe Profesor Gaqua u nda me ata duke marë gjithë falenderimet e tyre. Ata i përcollën me dashuri e respekt agronomët deri tek makina. Shumë u gezuan, por xha Muçua i lumturur tha
-Ah, more vellezër që nuk më dha zoti fëmijë se do të kisha shitur shtëpi e katandi e do t’i shkolloja ku të qe më mirë se dijetarët janë si shënjtorët që e kthejnë lumin lartë. Dituria është perëndia që futet tek njerëzit,  e tha vargjet e popullit:
Ato mende nga të erdhë?
Nga qielli e poshtë u derdhë.

Të tillë ishin ata burra të ndritur që kishin mbaruar në shkollat e konsoliduara evropiane në universitete me histori qindra vjeçare. Megjithëse të paktë në numur, por populli ynë i varfër i kishte përgatitur shkencëtarët e vet, xhevaire. Shumë edhe u vranë në luftë apo u vranë e u ménjanuan pas lufte, por ata djem te virtytshëm të popullit që mbijetuan vazhduan kontributin në zhvillimin e arsimit e shkencës shqiptare në agronomi, mjeksi, mikrobiologji, matematikë, kimi, gjuhësi, biologji, gjeologji, etj.

Profesori ynë Sevua qe shumë i reptë me ne pedagogjikasit, por e respektonim se ishte dietar e i përkushtuar, mjeshtër i profesionit të tij, ku qe diplomuar shkelqyer në Itali e specializuar për farnat.
-Duhet ta mësoni agronominë, jo vetëm në librat e çdo viti, por edhe literaturë plotësuese. Do të thoni që s'dalim agronomë. Po delni mësues e mësuesi duhet të mesojë ç'do gjë se është i rrethuar gjithmonë nga lulet. Mos u çuditni de! Lulet janë edhe nxënësit që mësoni, edhe lulet e shtëpisë e shkollës, edhe lulet e livadheve kur delni me nxënësit, edhe lulet e drufrutorëve, të malit e të pyjeve dhe té arave. A nuk qe Petro Nini mësues, nxenes i Koto Hoxhit që la Amerikén e erdhi për të ngritur shkollat shqip. Pa rogë ishte dhe punonte në arë e në lemë si fshatarët.

Një ditë na foli për kulturën e ullirit dhe rëndësinë qe ka krasitja e tij.
-Një agronom nga Himara vuri jetën në rrezik për krasitjen e ullirit në 1947-tën. Ishte shoku im i fakultetit që u specializua për ullirin. Pas lufte e caktuan agronom të ullishtave të Vlorës e Kaninës. Mijra rënjë ullinj ishin të paprera që nga lufta. Qené harlisur, por kokra s'kishin. Mblodhi punëtorë dhe i krasiti. E denuan me pushkatim. I kërkuan fjalën e fundit. Ai u tha: -Pse më pushkatoni,varmëni, po me një kusht, pas 6 muajve. Gjat verës ullinjtë u zhvilluan shumë mirë. Me hekura në duar e shpinin të mësonte punetorët si t’i harrnin. Në shtator e liruan nga burgu e sot është drejtor. Fajin e kishte Koçi Xoxe.

Kuptohej se ky qe spjegim i kohës, por sidoqoftë këta agronomë do té béheshin shtylla mbrojtése e botës bimore të vendit e baza e pëgatitjes së kuadrove të reja në vend, krahas me ata që u shkolluan ne vendet e Evropës Lindore. Agronomi i parë i shkolluar në Universitetin e Lionit në Francë prej Gjirokastre është Petro Laboviti, vëllai Vasil Labovitit. Ishte agronom e specializuar edhe për bletët. Në Gjirokastër i thoshin me respekt Doktori i tokës e i bletëve. Sevo Dudi qe i përgjithshëm dhe i farërave. 

Pastaj ne vitet 50 dolën agronomet e shquar Nuri Kokalari, Ali Sino, Genci Kutra,Thoma Spiri, Spiro Gushi, Ziver Selimi. Në vitet 60 e 70 dolën specjalista të pergatitur që me mbeshtetjen e agronomëve më të vjetër do të jepnin rezultate të larta në mbrojtjen e bimeve, bimët e areve, drufrutorëve, perimeve për rritjen e rendimenteve në të gjitha llojet e bimëve si: Thanas Xhumba, Koço Moskua, Resul Erindi, Mihal Leka, Besnik Ismailati, Thanas Hanxhara, Memo Xhaferi e shumë të tjerë që jepnin mësim edhe në 9 Shkollat e agronomisë së mesme të Rrethit Gjirokastër. 

Respekte per agronomët e Gjirokastrës që janë dijetarë e kanë bërë shkencë dhe me të drejtë janë kurorë dafine për rrethin tonë. U preht në paqe Xha Muço Boci që i donte e respektonte të shkolluarit e vërtetë në shkolla e univeritete!

_____________________________________________________________

Një foto e rallë: Gaqo Tashko me emrat e mëdhenj të botës së artit dhe të letrave shqipe në vitin 1938, dalë para  Kafes së Madhe në Shkodër. (burimi nga VOAL) b.b
Nga e majta: Gaqo Tashko, Lola Gjoka, Ernest Koliqi, Dom Nikoll Koliqi, Tefta Tashko, Asdreni, Lasgushi (Poradeci), Gjergji Canco, Koço Tashko
Nje grup agronomesh dhe punonjes bujqesie te Rrethit Gjirokastrës ne vitet 1970

No comments:

Post a Comment