Monday 20 October 2014

Lofata (Cercis siliquastrum L.)


Lofata në Shqipëri
“Tundu shkundu moj lofatë
të dalin të bukuratë..”
                                    (Populli)


            Ndër bimët drunore të cilat janë rritur trandicjonalisht në ledhet e arave, kopshtet, oborret e shtëpive apo në rrugët e fshatrave, lofata zë një vënd të rëndësishëm. Njeriu që në lashtësi për nevojat ushqimore të tij ose, për ushqimin e kafshëve që mbarështronte, këtë bimë e ka afruar rreth vendbanimeve. Është një bimë pa pretendime për tokë, lagështi, si dhe nuk kërkon ndonjë përkujdesje të veçantë. Ka nje koefiçent të lartë shumëzimi si dhe rritje të shpejtë, prandaj ka dhe përhapje spontane kryesisht si shkurre rreth vendeve ku dora e njeriut e ka selitur.           
Studjuesit thonë se lofata në brigjet e Detit Mesdhe është selitur që në lashtësi. Ilirët, ndoshta dhe më herët, duhet të jenë marë e përkujdesur për këtë bimë, sepse mijëra vjet në këto treva duhet të ketë patur një spektër më të gjerë përdorimi nga sa shfrytëzohet sot. Në Shqipëri duke filluar nga mesi i shekullit të kaluar është lënë pas dore kjo bimë, janë çfrytëzuar bimët që kanë mbjellë të parët pa u menduar për brezat që do të vinë më pas. Këtë traditë të lashtë bujqësore mbartur deri në kohën tonë, mendoj se duhet ta zhvillojmë mbi kritere teknike, të kërkesave e njohurive qe kemi sot, të praktikave bashkohore, si dhe në përputhje me nevojat dhe zhvillimet që e karakterizojnë fshatin evropjan dhe zhvillimet urbane të shekullit që sapo kemi hyrë.
            Lofata në zonën rurale paramalore dhe malore, siç kanë treguar praktikat e deritanishme, është një bimë tepër e nevojëshme, një nga bimët drunore e çfrytëzuar për nevojat ushqimore të blegtorisë. Gjethet e saj pëlqehen të freskëta nga bagëtia sidomos kur janë reja por, edhe kur fillojnë zverdhjen gjithashtu, degëza me gjethe duke i bërë "vandakë"ruhen për periudhën e dimërit në kasolle ose hipi  të cilat pëlqehen nga të gjitha kategoritë e kafshëve shtëpijake si: dhitë, dhëntë dhe kafshët e trasha. Për nga përdorimi, në fshatrat tona në analogji emërtimin “pemë frutore”, lofata mund të quhet një “pemë blegtorale”. Kjo është pjesa e dukëshme por, lofata bëhet e dobishme jo vetëm për fshatrat e zonës rurale por, edhe zonën urbane për shumë probleme të tjera që njerëzimi ka sot e mund të vinë duke u thelluar në të arthmen.

            Lofata në Shqipëri tradicjonalisht nga bletarët është përcaktuar si një bimë mjaltëse e mirë. Lulet e lofatës përmbajnë sasira të mëdha të nektarit. Mjalti nga këto lule ka një aromë të veçantë e joshës. Zgjojeve të bletëve, pasi kanë kaluar periudhën e vështirë të dimrit e kanë një “ushtri” të pakët, herët në pranverë, lofata u vjen në ndihmë sepse e kanë një kullotë të afërt natyrale e të pastër nga kimikatet. Bletëritësit bimën e lofatës, gjethet dhe lulet e saj, i kanë si tregues(bimë monitore) për të kontrolluar e parashikuar sasinë e mjaltit që përmbajnë edhe bimët e tjera. Fëmijet shpesh thithnin nga lulet e lofatës një lëng të ëmbël pas ndonje vese ose shiu. Lulet dhe gjethet e reja të lofatës shpesh fëmijët edhe i hanin. Nuk kanë ndonjë shije të lakmueshme, janë të ëmbla por ta bënin gojën të athët si shija e një hurme. Ato pëlqeheshin nga fëmijet sepse në kohën që çelin nuk kish gjë tjetër. Lulet, bishtajat dhe gjethet e lofatës, kur janë të reja, janë gatuar në formë sallatash ose turshi ushqim për  njerëzit.
           Druri i lofatës si trungjet dhe degët e njoma digjen mirë në zjarr, ndaj ka patur një çfrytëzim pa kriter e që ka shkaktuar pasoja. Me thuprat e lofatës bëheshin gardhet e ndryshme ndarës të brendshëm ose të jashtëm. Herët në pranverë kur bima është në lëngëzim, fëmijët me lëvoren e lastarëve bënin pipëza serialë, ose një paisje për trumpetat që e quanim “xunxur”, gjithashtu dhe birbila me tingëllim të larmishëm duke formuar “orkestrat frymore” të fëmijëve, që nuk pushonin nga mëngjezi e deri sa binte muzgu. Kjo pëlqehej nga fëmijët sepse lëvorja e lofatës ështe e hollë dhe jepte një tingull melodjoz të veçantë.

            Shqiptarët e kanë mbjellë lofatën edhe kundra erozionit. Shkon mirë në rrëpirat, tokat e pjerrëta, të varfëra dhe shkëmbore.  Mbillej aty tek skarpatat e ledheve ose afër murreve mbajtës për të krijuar një qëndrushmëri të tokës. Në këto vende e gjejmë dhe sot si pemë e madhe aty ku u ka shpëtuar prerjeve pa kriter. Praktika ka treguar se është një nga bimët më të mira për këtë qëllim sepse, ka një kurorë jo shumë të madhe dhe nuk krijon hije në arat e kopshtet. Kjo mënyrë mbjellje u jipte edhe një bukuri kopshteve e arave gjat pranverës kur ajo lulëzonte.

Shtëpia e Zekatëve në Gjirokastër rrethuar nga bukuria e luleve të lofatës

Gojdhana, mite, krijimtari
Lulet në trung
Në mitologjitë e popujve evropianë lofata përshkruhet si druri ku Juda varri veten. Sipas mitologjisë thuhet se: prej asaj kohe lofata lulet e bardha i bëri të kuqe, madje lulet filloi t’i nxjerri edhe në trungun e degët e saj, që janë lotët apo gjaku i Krishtit. Autorë të tjerë mendojne se është shtogu(Sambucus) ku Juda u varr. Shumica mendojnë se nuk është as bima e lofatës as ajo e shtogut ku Juda varri veten, “në qoftë se është varrur në të vërtetë” – kumton James A. Duke në librin e tij: “Duke’s Hendbook of Medicinal Plants of the Bible” (Fl, 2008).
            Pema e lofatës quhet edhe dru i dashurisë( Love Tree). Kështu ka emërin në disa vende evropiane, nga lulet e kuqe që nxjer dhe gjethet pak a shumë në formën e një zemre. Casiopea që përfaqëson bukurinë femërore në mitet e grekëve të lashtë, në disa vizatime aludohet sikur në njerën dorë mban një degë që i ngjan lofatës.
            Poeti lirik Persjan Hafez(1315-1390), i përkthyer në gjuhët kryesore të botës, lofatën e ka përmendur në  poezitë e tij  diku si metaforë për të bukurën dhe diku lulet e saj i ka krahasuar me verën e kuqe.
            Në vitin 1978 Dr. Ruth Etchells shkroi balladën “Lofata” (The Judas Tree), ku thuhet se Krishti e fali Judën gjithashtu dhe pemën ku ai u varr. “Lofta”(The Judas Tree) mban titullin episodi 27 i dramës suksesëshme të skenografit bashkëkohor anglez David Renwicik, të çfaqur nga BBC në prill të vitit 2010, ku përshkruhen misteret që rrethojnë një grua, si dhe zhdukja e një punëdhënësi në një shtëpi.


Etimologji

            Gjuhëtarët për emërin “lofatë” në gjuhën shqip nuk kanë ndonjë përcaktim etimologjik të veçantë. Në gjuhën shqipe janë shumë forma dialektore të kësaj fjale. Shumica e tyre përfundojnë me mbaresën  thatë”. Veçori karakteristike e bimës së lofatës është rritja e bujëshme në toka të thata pa ujë e të varfëra. Ndoshta dhe emëri në shqip rrjedh nga kjo veçori. Mundet të jetë një emërtim i vjetër pasi, dhe e mbillnin në këto toka. Bima e lofatës në Trojet Shqiptare është shumë e lashtë.
            Emëri shkencor “Cercis”  rrjedh nga gjuha greke(
κερκις) që quhet një paisje në avlëmend e cila bëhesh nga druri i lofatës për të endur pëlhurën e anijeve. Këtë emër përmend Theofrsati për lofatën. Ndërsa fjala siliquastrum rrjedh nga latinishtja që do të thotë bishtajë pasi, farërat e lofatës janë brenda një bishtaje ashtu si tek të gjitha bishtajoret e tjera. Këtë emër ja ka vendosur K. Line.
           
Origjina dhe përhapja
                              Në gjininë Ceracis ku bën pjesë lofata përfshihen dhe 11 specie të tjera të përhapura në pjesë të ndryshme të rruzullit si: C. canadensis L.  gjëndet në Amerikën e Veriut, C. chinensis Bunge. gjëndet në Azinë Lindore, C. griffithii Boiss. në Azinë Qëndrore, etj. Sipas studimeve të fundit të shkencëtarëve amerikanë të gjitha specjet e lofatës kanë rrjedhur nga një vatër e përbashkët dhe janë përhapur dhjetra mijëra vjet më parë e kanë formuar ekotipet dhe rrjedhimisht këto specie të ndryshme. Lofata kanadeze(C. canadensis) në vitin 1937 u konfirmua si specje e veçantë.
            Vend-origjina e lofatës(C. siliquastrum L.) mendohet të jetë Azia Perëndimore. Rreth Detit Mesdhe, nuk dihet se sa e lashtë është në këto territore por, nga studjuesit konsiderohet vendase si në: Iran, Irak, Siri, Izrael, Liban, Shqipëri, Greqi, Bullgari, Francë, Itali, Turqi, Kroaci, Mal të Zi.
            Në kopshtet apo parqet e pjesës tjetër të Evropës, lofata është çfaqur në shekullin XVI kryesisht si bimë zbukuruese. Në vitin 2002 në Angli morri çmimin e “Meritës për kopshtet dhe parqet”.
                  
            Në Kontinentin Amerikan, lofata amerikane vendase, por dhe lofata evropiane filloi të selitej që në vitin 1641. Presidenti parë amerikan Xhorxh Uashington(G. Washington, 1732-1799) e admironte shumë bimën e lofatës, ai në pronat e tij një pjesë të mirë të kohës ja kushtoi selitjes dhe kujdesimit për këtë bimë. Një tjetër President amerikan Tomas Xheferson(Th. Jeferson, 1743-1826), ishte gjithashtu admirues i bimës lofatës, ai udhezoi që në kodrat “Monticello” në shtetin Virgjinia të mbillej midis bimëve endemike dhe lofata. Rreth shtëpisë së tij në katër cepat ai dëshironte të kish këtë bimë. Në disa shkrime thuhet se këta dy Presidentë ja ndryshuan dhe emërin nga “Pema e Judës” që thirej më parë, në pema “Gonxhe Kuqja”(Redbud). Në vitin 1930, pas shumë debateve, lofata kanadeze u bë bima symbol për shtetin e Oklahomës në SHBA. Sot në botë po punohet e janë krijuar shumë varjetet të reja si bimë zbukuruese për kopshtet dhe parqet.

Dobitë e lofatës
            Lofata është bimë që rritet në çfardo lloj tokash e terrenesh. Veçanërisht është e përshtatëshme për tokat e pjerrëta, rrëpirat, ledhet e arave, anës rrugëve, ose në tokat e rrezikuara nga erozioni, të varfëra nga përmbajtja e lëndëve ushqyese dhe të vështira për t’u mbjellë me bimë të tjera. Eshtë një nga bimët më të mira për të gjelbëruar tokat e xhveshura dhe të varfëra, për të frenuar erozionin, për të krijuar në to freski ajërore e lagështi tokësore, si dhe për t’i zbukuruar këto mjedise. Lofata u jep jetë e gjallëri këtyre vendeve sepse shquhet dhe si tërheqëse(antraktive) e kafshëve të egra. Bima e lofatë është vërejtur se është dhe një bimë që u rreziston edhe zjarreve spontanë ose të qëllimshëm të cilët vitet e fundit janë shumë dëmprurëse në kullotat dhe pyjet(A. M Papadopullos etj 2011). Në kushtet e sotme rezulton një nga bimët më të mira për kurorat rreth qëndrave të mëdha të banimit. Bima e lofatës nuk çfaqet alegjike gjat lulëzimit ose ndotëse.
            Lofata siç kemi përmendur më lart është një bimë mjaltëse e mirë dhe jo vetëm lulet e saj që janë shumë të pasura në nektar dhe polen por, dhe gjethet në mot të lagët me shira dhe të ngrohta përmbajnë sasira të larta që bletët mund t’i çfrytëzojnë me lehtësi. Është një nga bimët që e mbështet më së miri zhvillimin me sukses të biznesit të bletarisë veçanërisht në zonat e thata.

            Në trevën tonë lofata tradicjonalisht e ka mbështetur edhe zhvillimin e blegtorisë, mund të cilësohet një bimë shpëtimtare në kushtet e rritjes shtëpijake të bagëtisë dhe është një ushqim bio për to, duke ndikuar në rritjen e cilësisë së produkteve blegtorale dhe i bën ato të lakmueshme e të pa konkurueshme në tregjet ndërkombëtarë. Gjethet rezultojne të pasura me viataminën C, si të freskëta por dhe kur ruhen si ushqim i thatë për dimër.
            Siç tregojnë praktikat dhe studimet bashkëkohore, lofata është gjithashtu e vyer edhe për zonën urbane, ajo është çfaqur duruese ndaj ndotjeve të tokës dhe mjedisit, si dhe përmirëson parametrat e ndotjes urbane, është një pastruese e mirë ndotësve. Në parqet, rrugët apo mjediset e tjera rreth zonave industriale të qyteteve të mëdha, kjo bimë rezulton të jetë një “punëtore” e madhe dhe pa pretendime. Në qytetin e Stambollit, një nga qytetet më të mëdhej e të vjetër në botë, me një popullsi së bashku me rrethinat rreth  22 milion banorë, ku zhvillohet një industri intensive bashkëkohore, ndër bimët që popullojnë parqet dhe kopshtet e shumta për të përmiresuar parametrat ndotës mjedisorë, është dhe bima “veterane”  e lofatës. Studimet e kryera kohët e fundit nga ekologët dhe biologët e Universiteteve “Bartin”  dhe “Marmara”, kanë vertetuar dobitë e saj në këto drejtime. Sipas një studimi gjethet e lofatës janë edhe akumulatore të metaleve të rënda, të cilat siç dihet, sillen tepër toksike në mjedis. Studimet e ̈Ulkühan Yaşar, etj. të kryera në zonën urbane të Stambollit në brigjet e detit Marmara, publikuar nga Universiteti Bukureshtit (2009); vërtetojnë se gjethet e lofatës mund të shërbejë si biomonitor për metalet e rënda, siç janë Cr. dhe Ni.
            Lulëzon herët në pranverë, në këtë periudhë ajo i jep bukuri fshatrave tona. Sot kudo në botë, lofata e cilësuar si “bimë e së arthmes”, gjen një përdorim të gjerë  në rrugët, kopshtet dhe parqet e qyteteve. Interesimi për selitjen e kësaj bime si bime zbukuruese ka ardhur në rritje. Gjat këtyre 20 viteve të fundit në  SHBA, Evropë e veçanërisht në Angli, është vërejtur një përhapje e madhe si rezultat i dimërave të butë. Vendet e zhvilluara perëndimore po e përhapin duke investuar punë e para, ne, na e ka dhuruar natyra, apo të parët tanë; ta mbrojmë e ta shfrytezojmë këtë resues për të zbukuruar fshatrat e qytetet tona, për të përmirësuar parametrat jetësorë e rjedhimisht jetën e banorëve. Mendoj se duhet që ta kemi në parqet dhe kopshtet, pasi vërehet se nuk po tregohet interes për këtë bimë. Në Izrael thuhet se kjo bimë është e mbrojtur nga shteti.
Lofata si bimë zbukuruese ne parqet dhe rrugët
            Druri i lofatës është mjaft i mirë si dru zjarri, digjet i njomë dhe i thatë. Lastarët një dhe dy-vjeçarë gjejnë një përdorim të gjithanshëm si shufra për të thurur gardhet apo për të bërë objekte të ndryshme artizanale. Nga lofata nxiren shule për shtretërit e hardhive apo gardhet. Me drurin e lofatës mund të bëhen edhe orenditë shtëpijake e objekte të tjera zbukurimi, si dhe fitohet rimeso cilësore. Me vijat, rozat dhe shkëlqimin që e karakterizojnë drurin e saj, u jep bukuri këtyre objekteve. Druri lofatës nuk duhet të përdoret për ndërtime pasi preket lehtë nga dru-biruesit.
            Dobitë e bimës lofatës në mjekësinë bashkëkohore, madje dhe në mjekësinë popullore, nuk janë të stjudjuara mirë. Nuk ka të dhëna të mjaftueshme se lofata është përdorur tradicjonalisht në mjekësinë popullore. Megjithatë kemi gjetur disa fakte se ekstrakte të nxjera nga gjethet dhe rrënjët e lofatës janë përdorur në mjekësinë popullore kundra dizanterisë, leuçemisë, arteriosklerozës, diaresë kronike dhe se fundi po ndërmiren  studime për përdorime kundra malarjes. Farërat e lofatës kanë ngjallur interes për lëndët vajore që ato përmbajnë.

Veçori Biologjike e Botanike
            Lofata është një bimë shkure e zonave të ngrohta, rritet rreth Detit Mesdhe, në zonën e makies buzë pyjeve, 300- 800 m lartësi detare. Shkon mirë në tokat e thata, në zonat me mbeturina e ndotje urbane, duron temperaturat -15o C; parapëlqen tokat e lehta dhe shkëmbore, me ph. neutral, anon nga baziku. Nuk duron tokat moçalore, kërkon vendet me diell. Rrënjët e saj kanë bakterje azoto-fiksuese si gjithë bimët e familjes bishtajore. Shpesh është një pemë 10-12 m e lartë, por gjëndet dhe si kaçube kur dëmtohet nga bagëtia që në fillimet e rritjes së saj. Zakonisht ka trung të shtrembër me roza të shumta, trungu i bimëve me moshë të madhe zgavërohet, siç thuhet bëhet  “kufall”.
                  Lofata lulëzon në prill-maj, lulet i ngjajnë një veshke, çelin para gjethimit në trung, degë, lastarë ose në sqetullat e gjetheve. Lulet, janë dy-seksore, kanë ngjyrë trandafili të purpurtë, janë në tufëza 6-8 lule. Bleta dhe insektet e tjera janë polenizueset.
            Gjethet janë në formë rrethore, 6-9 x 7-12 cm,  të plota e të lëmuara.  Frutat çfaqen në korrik, piqen në shtator, kanë formën e bishtajave 10 cm të gjata, një bishtajë ka 6-12 farëra. Bishtajat në tufa disa mbeten të varura në trungun dhe degët deri në dimër. Farërat që ndodhen brenda bishtajës janë të lëmuara dhe në formën e veshkës.

Veçoritë Agroteknike
                  Lofata selitet kryesisht me farë në fidanishte, lulëzon në vitin e pestë nga mbjellja e farës. Mund të selitet dhe në mënyrë vegjetative por kjo mënyrë nuk ka rezultuar shumë e frytëshme. Në Shqipëri si praktikë ka qenë prerja e bimëve të plakura dhe lënia e një filizi për ta zëvendësuar ose, kujdesja për filizat e rinj që mbinin spontanisht. Farërat mbillen në fidanishte ose sera, sa më herët në pranverë, për një zhvillim sa me te mirë të bimës për dimërim. Fidani pasi mbillet ne vijen e fidanishtes është i gatshëm për mbjellje ne vendin e perhershem në vitin e tretë. Gjat mbjelljes në vendin e përhershëm, për një ritje e zhvillim të mirë, duhet të përdoren plehra organike.
            Me lofatën është punar edhe për hibridizimin e saj. Janë krijuar ose janë veçuar kultivarë me karakteristika të dëshiruara nga njerëzit. Më shumë është punuar në drejtim të krijimit të varjeteteve me lule në nuanca të ndryshme ngjyrash. Këto kultivarë sot zenë një pjesë të mirë të mbjelljeve të reja në Evropë, Amerikën e Veriut dhe Australi. Kultivarët më të lakmueshëm për mbjellje e reja janë disa, mund të permendim: “Alba” – me lule të bardha; “Bodnant”- me lulet ngjyrë vjollce; “Rubra” – me lulet ngjyrë rozë, etj.



Përgatiti:
K. Mosko
Boston, MA –Dhjetor, 2011

Literatura:
1. “Flora eskursioniste e Shqipërisë” M. Demiri, Tiranë - 1981
2. “Bimët e Egra të Dobishme e të Dëmshme të Vendit Tonë” M. Demiri, Tiranë - 1979.
3.  "Taxon: Cercis siliquastrum L.". Germplasm Resources Information Network (GRIN). United States Department of Agriculture, Agricultural Research Service, Beltsville Area. Retrieved  September 2011

4. “Systematic Botany” (2002), by the American Society of Plant Taxonomists
5. “
Eastern Red Bud: Pea Pods Tree”  by Green Deane, 2011
6
. “Plants profile, Cercis siliquastrum L.” – USDA, 2011
7. “Wild Flowers of Israel, Cericis siliquastrum ” by Erga Aloni, 2011
8. “
Judas tree (Cercis siliquastrum L. subsp. siliquastrum) as a possible biomonitor for Cr, Fe and Ni in Istanbul (Turkey)”  Ulkühan Yaşar et al, Romanian Biotechnological Letters, 2010
9. “ Drugs and medicine of North America” by John U. Lloid et al  1884
10. “Biotechnoloogy in Agriculture and Forestry 16” Prof. Dr. Y.P.S. Bajaj  New Delhi India.
11. “Landsscape Architecture Blog” by Davis Landscape Architecture, 2011
12. BackyardGarden.com -  Plants of the Week, Cericis Siliquastrum, 2011
13. “Cultivars of Woody Plants” by Laurance C. Hatch N. Carolina 2007
14. “Burke’s Backyard” Published in 2005 by Murdoch Books, Australia. Printed in China
15. “Riparian tree and shrub propagation handbook” by M. A. Prada&D. Arizpe Valencia, Espana – 2008(English edition)
16. “ Dendronymica Albanica,
a survey of Albanian tree and shrub names” by R. Elsie. Published in: Zeitschrift für Balkanologie, Wiesbaden, 34, 2 (1998), p. 163-200.




No comments:

Post a Comment