Thursday 29 April 2021

ISMAIL BEKA, GJERMAN PËR PUNËN DHE KORREKTESËN

  - Disa “copëza” kujtimesh, në vend të buqete me lule-

                                                       nga  Fuat MEMELLI

Boston, MA

 

Ismail BEKA

Është bërë zakon që kur njerzit ndahen nga jeta, fliten fjalë të mira, edhe për ndonjë që nuk i ka merituar. Për Ismailin, është krejt ndryshe. I diplomuar si inxhinier mekanik,  për 42 vjet punë në  ndërmarje të sistemit të bujqësië, në ministri dhe së fundi menaxher i projektiy të  GTZ-së gjermane në Shqipëri, që më pas u quajt GIS ( këtu punoi 22 vjet), la pas emrin e tij të nderuar. La pas një mori punësh dhe projektesh të realizuar në zona të ndryshme të Shqipërisë. Diku kam lexuar se një pasion i vërtetë, është ai që digjet brenda shpirtit tend e nuk shuhet. I tillë ishte pasioni i Ismailit për punën. Me shpirtin e tij fisnik, me dëshirën për të ndihmuar,  la pas  dashurinë për njerzit. Sejcili që e ka njohur nga afër, ruan plot kujtime të bukura  për të. Disa “copëza” kujtimesh, do shpalos edhe unë.

E njoha Ismailin para afro 40 vjetësh. E mbaj mend të qeshur dhe që nxitonte kur ecte, për të mbaruar sa më shumë punë. Ai kishte bërë të vetën traditën e punës dhe korektesës gjermane, vend të cilin pas Shqipërisë  e deshte aq shumë. Jo se u bë i tillë nga që punoi me gjermanët. Këto cilësi i ka patur edhe më parë, i ka patur në shpirtin e tij. Si gazetar i fushës së bujqësisë, e kisha intervistuar disa herë Ismailin. Fliste qartë dhe me kopetencë, pasi i njihte mirë problemet. Ai më përgjigjej në çdo kohë që e kërkoja. Kjo ka ndodhur jo vetëm me mua, por edhe me shumë gazetarë të tjerë që kanë trokitur në zyrën e tij. Më ka ndihmuar edhe në raste të tjera. 

Në ministri kishte ardhur një ftesë për të marrë pjesë në një festival filmi dokumentar në Berlin, në kuadrin e "Javës“së gjelbër” që zhvillohet aty çdo vit në janar. Përgjegjësi i këtij sektori në ato vite, njeriu poliglot për gjuhët e huaja, Sali Metani si dhe Ismaili, ishin dakort që të shkoja, por duhej paguar bileta e avionit si dhe hoteli, që  nuk përfshiheshin në ftesë. Në ato vite të para të tranzicionit, ishim të etur pë të parë botën. Ismaili u interesua më shumë se do interesohej për veten e tij. Bisedoi në gjermanisht( ishte ndoshta i vetmi në ato vite në ministri që e zotëronte gjuhën gjermane) me organizatorin e festivalit. Duke i shpjeguar kushtet e vështira të Shqipërisë në ato vite të para të tranzicionit, gjermani u bind. Me ndihmën e Ismailit,  për here të parë në jetën time mora pjesë  me një dokumentar në një festival ndërkombëtar.

Një rast tjetër i  mbështetjes së Ismailit, ishte për realizimin e filmit dokumentar para 20 e ca vjetësh, me titull  “Në rrjedhën e Bunës”. U drejtova te ai  dhe e miratoi menjëherë kërkesën. Së bashku me Ilir Buçpapën që ishte me kamera, u nisëm drejt Shkodrës ku na priste Ahmet Osja. Me një varkë të vogël, që drejtohej nga një peshkatar i njohur i zonës, xhiruam që te liqeni i Shkodrës ku e ka burimin Buna, në fshatrat për rreth Bunës, deri në derdhjen e saj në Adriatik. Doli një dokumentar i bukur, për të cilin gjithashtu i jam mirënjohës Ismailit. Sa shumë specialistë, fshatarë, biznesmenë, etj, i janë atij mirënjohës për mbështetjen që i ka dhënë! Ai i mbylli vitet e punës me një projekte të rëndësishëm për zhvillimin e turizmit malor në zonat veriore të vendit. Nuk po flas gjatë për këtë, pasi më mirë se unë e njohin këtë kontribut banorët e atyre zonave, të cilët i janë thellësisht mirënjohës. Ai është nga të parët që ka mbështetur zhvillimin e turizmit në zonat malore.  Në kujtimet e tij për vitet e punës, Ismaili veçon ndihmën që i ka dhënë banorëve të Thethit për zhvillimin e turizmit si dhe vlerësimin  me dëshmi “Mirënjohje” nga komuna e Shalës.

Nga një ngjitje në male

Për herë të fundit e takova Ismailin para dy vjetësh kur ndodhesha në Tiranë. Ishte me bashkëshorten e tij, Besën  si dhe me Shpresa Shkallën, prodhuesen e njohur te vajit të ullirit. Pimë kafe dhe biseduam gjatë te lulishtja “ Një Maji”. Besa më dhuroi librin e saj me poezi. Bëmë edhe fotografi, e cila ishte e fundit me Ismailin.

 Ai ndrroi jetë në një spital të Berlinit, ku kishte shkuar për kurim nga një sëmundje e pashërueshme, por nuk ia doli, megjithëse deri në fund ishte optimist, siç ka qënë gjithë jetën. Ikja e tij e parakohëshme në moshën 66 vjeçare, la pas dhimbjen e thellë te gruaja e tij, Besa, te dy fëmijët, Ada dhe Andi që ecën në gjurmët e prindërve dhe u bënë njëri më i mire  se tjetri. La pas dhimbjen te të afëmit, te shokët dhe miqtë e tij të shumtë, shqiptarë dhe gjermanë. 

Besa, shoqja e tij e jetës, duke folur për Ismailin ( theksoj se ata ishin një çift model), thotë se ai nuk ishte sëmurur kurrë. Nuk kishte pirë as edhe një aspirinë dhe s’kishte munguar një ditë në punë. Kishte qef ngjitjen në male. Edhe para se të diagnostikohej me sëmundjen e rëndë, ishte në malin e Korabit me një grup miqsh. Nuk kishte marë as rrogën e parë pasi doli në pension vitin e kaluar. Kishte në dorë një projekt të rëndësishëm për Tiranën. Kishin në plan të bënin disa udhëtime me Besën.  Së shpejti do të festonin edhe përvjetorin e njohjes , por ja që Zoti e mori pranë. 

Ai u varros në Tiranë. Megjithëse ishte kohë virusi, në përcjelljen e tij morën pjesë shumë njerëz. Po kështu edhe në shtëpi nuk rreshtin vizitat. Janë këto shprehje të dashurisë e respektit të njerëzve, që ai i deshte dhe e donin. Ka shumë për të folur për të. Më vjen keq që televizionet tona, nuk thanë pak fjalë për Ismail Bekën, për këtë “gjerman” të punës dhe korektesës. Por ja, më kërkoi të shkruaj diçka për gazetën “Agrobiznes” gazetraja e njohur, Etleva Xhajanka dhe unë shkrova disa rradhë, por ai meriton shumë më tepër. Le të jenë këto “copëza” kujtimesh, si një buqetë me lule për Ismailin , të cilën nuk munda ta vendos aty ku  prehet.

Me familjen në Gjermani

Nga veprimtaritë me GTZ

Vlerësime nga GTZ-ja


Thursday 8 April 2021

NUK ME BESOHET BACA FEJZI ZAGANJORI ….

nga: dr. Selman MËZIU

Firence, Itali




Të shikonim me ngulm në sy. Përpiqeshim të përthithnim gjithëçka nga ato që shpjegoje. Lëvizja e mimikës së fytyrës ishin të ndryshme kur flisje për organet rrënjore të rrapit. Ndërsa kur shpjegoje lulet e manjolës e trëndafilave, qeshje e sytë të ndrisnin. Përmendje ahet e Cukalit e të luginës së Vermoshit masivet me pisha të zeza të Razmës e shprehje seriozitet e një krenari stoike. 

 

Teoria dhe praktika ishin abetarja e njohjes së drurëve e shkurreve, te pyllit si ekosistem natyror. Për punën tuaj plotë kulturë e pasion si mësues pas 43 vjetësh do të shkruaja: ‘’Profesor Fejziu flet për ato që morëm nga librat dhe nga mësusit. Sigurisht që i përcollëm në pyjet e pafundme shekullor, duke lënë gjurmë historike në lëgushën e pyjeve shqipëtare. Pse jo edhe në udhët e jetës.,, në takimin pas dyzetë vjetësh më 15.08.2016. 

 

Vërtet ti ishe i teorisë e i praktikës. Ishe mësuesi që shkriheshe me neve në bankat e koridoret e shkollës, në zboret ushtarake e praktikat mësimore. Flisje me neve edhe si edukator plotë kultutrë e mirësjellje, edhe si mësues i shkencave pyjore edhe si prind. Komunikonim lirshëm me juve sikur të ishim në të njëjtën moshë e arsimim. Mbete modeli i mesuesit, edukatorit në Teknikumin Pyjor Shkodër. Vyrytet tuaja u plazmuan në jetën tonë profesionale. Ndërsa juve mbetët luftëtari i paepur i së gjelbërtës. Juve llamburitët drita me rreze të gjelbërta që depërtonin te njerëzit e punës dhe të fshatarit që i duheshin dru me pre, zjarr me ndez, shtëpi me mbulue, bishta për kazma, lopata e shatinjsh për të punuar. 

 

Malsitë e shkodrës i njohe me pashë, duke u lodhur, djersitur, me e pa bukë e buze të rreshkura nga etja për ujë. Juve hartuat projekte pyllëzimesh që gjelbërojn shpate, kurrize e kodra ku kurorat e tyre nusërojn. Edhe nga ato për përmirësime, ricungime dushku e ripërtritje pyjesh ahu e pishe me fara. Damkuat me çekiçin tuaj duke zbatuar ligjet e silvikulturës e ndjerë kënaqësinë e rezulltateve të ripërtritjes me filizëri e hedhur shtatin ahu e pisha. Se ishit inxhinier e shërbetor i pyllit.

 

U largove si mësues e fillove përsëri në ndërmarrjen pyjore Shkodër. Ku takove, bashkëpunove me ish nxënësit tuaj inxhiniera apo teknik pyjesh. Respekti, mirënjohja ishin shtatoret e gjelbërta qe ju Profesor Fejziu kishit ngritur për dhjetë vjeçar në shpirtin e zemrat e Teknikumasve. Ishit krenar, e ndjenit juve këtë në shpirt e zemër e nga aty gjente mjedis rriteje pema e dashurisë për njeriun, kolegun profesionin romantik të pylltarit. 

 

Pas viteve ’90 bashkë me ndërrimin e sistemit politik e ekonomik edhe juve gjetët veten duke luftuar shthurjet e pa drejtësitë në pyje. Ju u bëtë shumë më veprues, energjik, më i vendosur në luftën kundër padrejtësive në organizimin e administratës pyjore e padrejtësitë shoqerore. Dhe ja një pjesë nga ajo kohe: Koha ma e artë e pyjeve në këto 27 vite ka qenë viti 1994, kur doli ligji i ri dhe pylltarët e panë veten të fuqishëm në zbatimin e ligjit. 

Në vitin1994 kam kenë Shef i Policise Pyjore në Vaun e Dejës. Me ekipin dolëm në Qafë të Komanit të pyllzuem me pishë. Iu afrita një pishe dhe e godita me grusht. tri herë. Anëtarët e ekipit më pyetën: Çka po' ban me këtë veprim. Unë ju pergjgja: Po e pyes pishën në çfarë partie je? Pisha më tha: Unë jam me ato që më shërbejnë.,, 

 

Mendimi i lirë, lëvizja e lirë, demokracia në zhvillimin e hovshëm e solli që mësuesi im, inxhinieri i pyjeve, baca siç e thirrnim neve jashtë mureve të shkollës, të kaloi në shërbim të fesë Muslimane, si imam në xhaminë e Rusit në qytetin e Shkodrës. Dhe ja se si e filloi: ‘’Ishim ndër organizatorët e parë të hapjes së xhamisë së Plumbit, së bashku me vëllezërit Myftija, Pllum Sallkun, Baç Bilalin, Gani Kryeziun etj, ku un isha më i riu e merresha me dekorimin e ambienteve.,, Shkruan sot 08.04.2021 Rezart Dani.

 

 Do të bjerë në sy një shpërthim i vrullshëm i mësuesit tim, si shërbetor i zotit, i besimtarëve, i edukimit të njerëzve nëpërmjet emisioneve të ndryshme në ‘’Radio Shkodrën,, si pjesmarrës aktiv në seminare, konferenca, simpoziume e data përkujtimore brenda dhe jashtë shkodrës. Ndërsa në revistën“Drita Islame”, “Udha Islame” ai do të shkruaj në çdo numur një kronikë, një vështrim a analizë. Duke u bërë një edukator mjaft i pëlqyeshëm i lexueshëm e rezultativ. Pikërisht kjo veprimtari e zjarrmishme, plotë pasion e vrulle djaloshare do të vlerësohet nga Keshillin Bashkiak i Shkodrës e kishte ndëruar me titullin ‘’Mirënjoha e qytetit,, me motivacionin ‘’Aktivist i zellshëm i frymës dhe i harmonisë Kombëtare,,. 

 

Për të formuar një ide se me sa kompetencë filozofike edukative i konceptonte ish mësuesi im Feiziu disa dukuri negative shqoqërore. Po shkëpusimm disa prej tyre. Në shkrimin ‘’Hipokrizia sëmundje që shkatërron shoqërinë,,: ‘’Hipokritët i çrregullojne mardhaniet ndërmjet njerëzve, bajnë intriga, bajnë veprime të këqija, dhe të shiten sikur asht i mirë. Hipokrizi në shqip don me thanë dyfytyrësi, të lahet e të lyhet në nji anë, ndërsa në anën tjetër, nuk të len gja pa ba kundër teje, pra të mashtron.,, 

 

Një analizë vërtet e një psikologu, që njeh në thellësi disiplinën e psikologjise, por që e plazmon atë me dukuritë e realitetit shqipëtar. Tani le të ndalemi se sa rëndesi ka misioni i mësuesit, ku Fejzi Zaganjori e ushtroi pothuajse për një dhjetë vjeçar. Le ta lexojm nga një urim për 7 marsin ditën e mësuesit: ‘’Fjala e juaj, asht e pastër ,e drejtë dhe e sinqertë. Kjo ndikon tek rinia. Lumtunija apo shkatërrimi i popullit e ka rranjën tek shkolla e tek ju mësuese e mësues, mbasi ju keni çelësat.,, 

 

Unë të urova mësues i dashur me rastin e ditëlindjes më 24 Mars 2021 duke të shkruar: ‘’Edhe njëqind vite të lumtura plotë shëndet e jete, mesuesi im i dashur, kështu siç jeni i vrullshëm në të gjitha fushat. U gëzofshi e lumturofshi në pafundesi.,, Sepse juve mësuesi im, edhe pse kishit veshur veladonin e bardheë, ai më ngjante, më dukesh, më shembëllente me të gjelbërtën, për nga ngjyra, sepse juve e rujatët thellë në shpirt dashurine për mjedisin e gjelbërt, për pyllin si mjedis ekologjikë me rëndësi të madhe, dhe ja si shkruanit: ‘’ Duhet shkunde shteti për pyjet. As bahet inventarizim, as mbarështrim, silvkultura nuk zbatohet, nuk dihet sa ashte rritja vjetore për ha etj.,, Por vjen nje minutë, një orë, një ditë dhe filli i jetës këputet, e kështu ndodhe dhe me juve shërbetori i pyllit dhe i perëndisë inxhinieri i pyjeve e mësuesi i qindra Teknik pyjesh që në mëgjezin 8 prillit të këtij viti me plotë dhimbje e humbje jetësh. Juve latë pas veprën tuaj të shejt në pigmentin e gjelbërt, që është motori i jetëve mbi tokë, e si shërbetor i zotit me shkrimet tuaja plotë moral hoje dijesh, edukimi, kulture, kështu që meritoni përjetësinë. 

 

 Dr. Selman Meziu


Firence 09. 04. 2021

Tuesday 6 April 2021

ISHUJT E KSAMILIT

nga: Kristo KAURI

Sarandë 

Ishujt e Ksamilit kanë origjinë tektonike. Ato janë krijuar në përiudhën Jurasike, si rezultat i copëtimit të kontinentit. Sipërfaqja e përgjithshme e tyre është 7,1 ha. Janë shpallur Monument Natyre, me VKM-en Nr.676, datë 20.12.2002.

Është një mjedis me bukuri të rrallë natyrore. Peisazhi që krijon ngjyra e makjes mesdhëtare, kthjelltësia dhe ngjyra blu e detit, shkëmbinjtë e thepisur të kthyera në vepra të verteta skulpturore nga natyra, ngjyrat e larmishme që krijohen nga reflektimi i rrezeve të diellit në çdo moment të ditës, nga lindja deri në perendimin e tij, e bëjnë këtë Monument unik, madhështor dhe të veçantë, jo vetëm për vendin tone, por dhe me gjerë.

Lufta midis llojëve për mjedis, diell, ushqim, është shumë e ashpër. Luften e kanë fituar ato lloje që janë përshtatur me kushtet dhe janë rritur në menyrë të qëndrueshëm, llojet që nuk janë nxituar në zhvillimin e tyre qindravjecar.

Vizitori kur vjen në Ishuj përballet me teorinë Darviniane të evolucionit ( Çarl Darvini 1809-1859), “ Asgjë në natyrë nuk ka kuptim, veçse në dritën e evolucionit”. Kur del tëk Qafa e Mërtes, para teje të shfaqet një peisazh magjik, një hymn madhështor i natyres. Dhe siç thoshte i madhi L. Da Vinçi: "Finesa e njeriut, kurrë nuk do të deshmojë një shpikje më të bukur, më të thjeshtë, ose me të drejtperdrejt se sa Natyra, sepse në shpikjet e Saj, asgjë nuk mungon dhe asgjë nuk është e tepert".

Zoti nuk gaboi qe e krijoi këtë mrekulli dhe na i ofroi me aq dashuri. Ne gabuam në mbrojtjen, në menaxhimin dhe administrimin e tyre. Gjatë gjithë rrugëtimit të tyre, u kemi marrë shumë ishujve, i kemi shfrytëzuar në maksimum, jashtë kritereve, u dhamë shumë pakë investime, shumë pak kujdes dhe shumë pak dashuri.

Nga ndërhyrjet dhe babëzia e njeriut, nga presioni i vazhdushëm i tij për sa me shumë fitime në këto 25 vitet e fundit, ishujt janë dëmtuar rendë. Në këto 25 vite shkatërruam atë që natyra e krijoi për 500 milion vjet.
Me cdo sfide ishujt jane perballur me sukses ,me perjashtim te sfides me njeriun e babezitur. Ekosistemi i tyre tokësor dhe detar, është shumë i brishtë, i paqëndrueshëm dhe nga viti në vit ky Monument Natyror humbet vlerat e tij.

I kishim me të bukura para një viti, akoma me të bukura para dhjetë viteve, madhështore, hyjnore dhe krejt të virgjëra para 30 vitëve. Po vazhduam me këto mentalitete, me keto qëndrime, me këtë mungesë përgjegjësie, vlerat e Monumentit do të tjetërsohen.

Ksamili pa ekzistencën e këtyre Ishujve nuk do të kishte famen dhe emrin e mirë për pushime dhe turizëm. Bukuria e ishujve nuk mund të jetë e përjetëshme po nuk u mbrojten nga ne. Ato duhet të mbrohen për të miren tonë, për ekzistencën tonë, për një turizëm të qëndrueshëm, por dhe një pasuri që duhet t’u përcillët brezave që do të vijnë.

Sfida për të mbrojtur këtë mjedis, të bukur, të shëndetshëm, të qëndrueshëm, është domosdoshmëri. Kërkohet nga ne tolerancë zero dhe përgjegjësi maksimale për të vepruar menjëherë.

Ishujt fshehin thesare, histori, kulturë, biodiversitet dhe nuk mund të lihen në mëshirën e fatit.

Ishujt dhe deti na thonë : Na ndihmoni, t’ju ndihmojmë, na ndihmoni të jetojmë në harmoni, që të jetoni dhe gëzoni dhe ju madhështinë tonë.

Në përditësimin dhe vleresimin që u bë Monumentëve të Natyrës në vendin tonë, me VKM-në 303, datë 10.05.2019, sipërfaqja totale e Monumentit të Ishujve nga 6,2 ha që ishte në vitin 2002, është zgjeruar në 15 ha , ku 5 ha janë tokë dhe 10 ha janë det. 
Është një Monument unikal , me vlera shkencore, biologjike, natyrore, peisazhike, edukative, didaktike, shpirtërore, estetike, turistike etj. Ishujt janë një mjedis, ku forca e madhe jetësore e Natyrës shperthen me një poezi të rallë magjepsese. 
Monumentet natyrorë, sipas ligjeve në fuqi janë kategoria e tretë, por gëzojnë mbrojtjen e kategorisë se parë. Trajtohen si zona strikte për qellime shkencore, biologjike, kulturore, historike, didaktike.. Në realitet Ishujt e Ksamilit nuk mbrohen si të tillë, vazhdon dëmtimi dhe tjetërsimi i tyre.

Institucionët që kanë detyrë dhe paguhen për mbrojtjen e tyre, janë treguar të pa aftë dhe të papërgjegjshëm. Nëse vazhdohet kështu, ky Monument Natyror nga një laborator natyror me shumë vlera, që percjellë magjinë dhe madheshtine e natyres, do të humbas shume shpejt vlerat.

Për të mbrojtur natyrën, për të mbrojtur Ishujt, nuk mjaftojnë vetëm projektet, studimet, Ligjet, marrëveshjet, planet e veprimit, planet e menaxhimit. Ato egzistojnë dhe janë me nivele cilësore dhe europiane, por ato nuk zbatohen. Mbrojtja e natyrës, mbrojtja e Ishujve, kërkon dashuri, përkushtim, përgjegjësi, profesionalizem, që këto Plane dhe Ligje të gjejnë zbatim.

Pa njohur vlerat, pa njohur florën dhe faunën që kanë këta Ishuj, nuk mund t’i mbrosh. Kur i njeh i shikon me një sy tjeter, me syrin e shpirtit dhe te zemrës. Ky sy, ky këndëveshtrim, kjo dashuri u mungon sot ishujve.





10