Thursday 28 March 2019

Trëndelina (Trigonella corniculata L.)


Në kujtimet e mia
“Trëndelina vargje, vargje
Trëndelina moj…”
(Popullore)

Nga kujtimet e mia personale akoma më gjëmon në vesh kënga lunxhiote “Trëndelina vargje, vargje trëndelina moj…”. E mbaj mend që nga fëmijëria ime në fshat dhe nuk më ndahet nga kujtesa edhe këtu në Amerikë ku jam prej disa vjetësh. Këngëtari i drejtohet lules sikur të jetë njeri dhe jo bimë. Realisht ajo është një bimë barishtore që rritet në formë të egër, ose hyn në ato bimë që gabimisht i quajmë “barishte të këqia”. 

Për herë të parë këtë emër e kam dëgjuar në këngët popullore dhe në erëzat që mbante nëna ime në kuzhinë për gatimet e saj. Gjatë fëmijërisë më ishte bërë si mit kjo bimë, sepse si nga familjarët, ashtu edhe nga bashkëfshatarët, kur flitej për të, merrte vlerën si diçka e rallë, e nevojshme, gjithmonë e bukur, erëmirë, e brishtë e cila zbukuronte luadhet e lëndinat tona. Një lëndinë ishte e bukur dhe mbresëlënëse po qe se kishte bar, e sidomos trëndelinë. Ajo lëndinë që kishte më shumë trëndelinë ishte më e mira, përrallore, si për kullotë, ashtu edhe për bukuri... 

Nëna ime, ashtu si gjithë të tjerët në fshat, kur vinte koha e lulëzimit të plotë, bënte çmos që të siguronte 4-5 dorëza të vogla për shtëpinë tonë. I lidhte varg dhe i varte për t’u tharë. I mbante në një vend pa lagështi, të thatë, të hapur e me ajërosje dhe kur i duheshin, i shkoqte e i hidhte në një vazo të vogël qelqi. Ajo që më kujtohet më mirë: Nëna kurrë nuk bënte shkrirjen e gjalpit pa përdorur trëndelinë, dhe në s’kishte do ta huazonte tek gjitonët. 
- Gjalpi i shkrirë duhet të kundërmojë erë trëndelinë, - përsëriste shpesh ajo. 
Nuk harronte asnjëherë t’i vendoste edhe në sëndukun ku mbante rrobat e mira disa degëza për të luftuar molën e rrobave si dhe për t’u dhënë atyre erë të mirë. Trëndelina si erëz për përmirësimin e shijeve në kuzhinë përdorej gjithashtu në gatimet si: birjan ne saç, qofte, trahana, ruajtjen e djathit në voza, patate të furrës, qollopita, byrek, pepek, etj. Ne përgjithësi te gjitha gatimet në guzhinë që piqen në saç ose furrë mund ta përdorësh trëndelinën si erëz.

Një tufë trëndeline lunxhërie
e freskët.
Trëndelina rritej kudo, por me shumicë në disa lëndina të caktuara ose në ledhet e arave. Si bimë e rrallë rritej edhe në arat e mbjella e kudo rreth fshatit. Një vend ishte i veçantë në fshatin tonë, ai quhej “Thekrisht”. Ishte me të vërtetë një lëndinë e bukur, por gurishtore, aty shkonin pothuajse i gjithë fshati për të marrë aq sa u nevojitej për familjet e tyre ose edhe për të afërmit që ishin nëpër qytete të ndryshme dhe nuk e siguronin dot gjetkë. Miku im I kafeve këtu në Boston, Gligor Çaro, gjithashtu dhe kolegu im, tregon për femijërinë e tij se në fshatin Suhë kishin “ditëtë e trëndelinës”. Mblidheshin 4-5 veta dhe shkonin për të mbledhur trëndelinë diku ndënë fshatin Stegopul në vëndin e quajtur “Shkoza”. Ndersa Jani Çobi veteriner, nga fshati Dhoksat tregon se në çdo fshat në Lunxhëri Ishin vende të caktuara ku rritesh trëndelina. Ishin caktuar ditët e trëndelinës, që mezi i prisnim, dhe me gëzim fëmijët shkonin për të mbledhur duke bërë edhe gara se kush të mblidhte më shumë.
Një gjë tjetër ku gati hyjnëzohej trëndelina ishin këngët popullore që këndoheshin në dasma, ziafete apo sebepe. Në këto këngë trëndelina krahasohej ose personifikohej, herë si një vajzë shumë e bukur që i shprehte një dashuri ekstreme, herë tjetër shfaqej si një nuse e pamshme si dhe përfytyrohej në një vend a një mal përallor sepse aty rritej edhe trëndelina. Një nga këngët emocionuese popullore këndohej atëherë, por edhe sot është:

“Trëndelina në radhua, 
trëdelina moj
Ç’ke që mban mëri me mua,
trëndelina moj, 
Të kam dashur dhe të dua,
trendelina moj…”.

Në një këngë tjetër që u këndohej nuseve në dasma thuhej: 

Trendelina kseriko
Në rrëzë të malit-o
Mbulo mesën e ballit-o
Mesin e ballit e mbulova 
Po kam vetullat e holla.. etj.

Në fjalorin e përditshëm popullit janë dhe disa shprehje të çuditëshme si: “ është bërë trëndelinë.”, që do të thotë se është dobësuar sa mezi mbahet në këmbë, ose “kishte mbetur trëndelinë”, që do të thotë se kishte mbetur pa asnjë lekë në xhep. Ndoshta këto shprehje kanë  ardhur, sepse trëndelina si bimë paraqitet skeletike, pa gjelbërim të bujshëm, për t’i rezistuar kushteve tokësore në të cilat ajo ritet. Në vite me thatësirë të zgjatur i bien edhe gjethet.  Diçka e shpreh dhe kjo këngë:

“Trëndelina vergje, vergje,
Tëndelina moj,
Unë të flas e ti s’përgjigje,
Trëndelina moj,
Mos je gjë sëmurë e dergje,
Trëndelina moj...”.

Nje këngë tjetër që këndohet dhe kjo shpesh është:

“Çkanë me mua me tinë,
 trëndelin, moj trëndelinë
Duan të prishin krushqinë,
trëndelin, moj trëndelinë..”

Nuk ka shqiptar që nuk i ka dëgjuar vargjet e këngës së bukur qytetare vlonjate, të kënduar nga trioja e famshme. Unë jam rritur me këtë këngë, po ua rikujtoj:

“Në një arë në një lëndinë, 
trëndelinë, moj trëndelinë, 
janë dy vajza që po rrijnë… 
trëndelinë, moj trëndelinë….”, etj.

Aq e dëshiruar është kjo bimë në rrethin e Gjirokastrës, ose në Shqipërinë e Jugut sa vendosnin edhe emra njerëzish. Në krahinën e Lunxhërisë kjo bimë ishte gjithçka, sa dhe emrin e kësaj krahine ishin gati që ta këmbenin po t’u thuhej ta quanin “Trendelina”. Një këngë e vjetër e shpreh mjaft mirë këtë: 

“Haj dalëm në lëmë e rrimë
Moj lule beharit-o, Trëndafil i majit-o
Të bëjmë sehir Lunxhërinë 
Moj lule beharit-o, Trëndafil i majit-o
Lunxhiotet ngarkuar vijnë, 
Moj lule beharit-o, Trëndafil i majit-o
Me bar e me trëndelinë, 
Moj lule beharit-o, Trëndafil i majit-o,
As vemi dhe unë e tinë,
Moj lule beharit-o, Trëndafil i majit-o,
Ta bëjme jetën të mirë, 
Moj lule beharit-o,Ttrëndafil i majit-o,…” 

Jo vetëm kaq, por edhe shkrimtarët e poetët në krijimet e tyre artistike, për t’i zbukuruar e për t’i dhënë pak romantizëm krijimeve të tyre, e përmendnin shpesh trëndelinën, gjithmonë si një lule e bukur, erëmirë, delikate, etj. Poeti brilant’ Jorgo Bllaci, me origjinë nga Lunxheria, i këndon krahinës së dashur të tij me mall e nostalgji: 
………..
“Ku gur mbi gur guguçja rri këndon,
Dhe këng’ e saj jehon nëpër lugina,
Mbi gjoks të shkëmbit t’egër lulëzon,
E kundërmon me erë trëndelina,
 … 
Përbri një pyll me fletë gjelbëron,
Më tej rudina, ara dhe lëndina,
Pastaj…gremin’ e hon ku lulëzon,
Mbi gjoks të shkëmbit t’egër trëndelina…”. 

Poeti tjetër lunxhiot, Spiro Xhavara, sa i zë në gojë trëndelinën ai të thotë: 
“Trëndelina është një lule me një aromë karakteristike. Në Lunxhëri ajo është një lule-simbol, çel natyrshëm në kodra e lëndina, kudo ku ka diell, se diellin e ka të dashurin e saj. Nëse do të thoshnim tri fjalë për natyrën e Lunxhërisë, ato do të ishin: 
E para;krahina e thëllëzave, të cilat, kur ngjitesh drejt malit, brofin nëpër këmbët e tua nga rrëzat e kaçubeve, gurëve e shpellave, ku bëjnë foletë dhe ngrihen fluturim. 
E dyta;krahina e bukurisë dhe e këngës, që është ngritur gjer në hymnin e saj “Lunxhëri plot lezete, ç’bukuri ke mbi vete” dhe që është qëndisur në kostumin e artë të nuses lunxhiote, kostumit më të bukur në botë. 
Dhe së treti;krahina e trëndelinës, e luleve, e aromës dhe ajrit të pastër, që së bashku me ujët e kulluar të burimeve që rrjedhin nga mali, jo vetëm inspirojnë jetë e gëzim, por edhe shërojnë shumë lloj sëmundjesh. Ja si endet në vargjet popullore ajo:

“Ku veron milorja siskë
Në male të Lunxhërisë
Atje ku rri çoban trimi
Ku vjen dallgë-dallgë trifili
Ku vjen era trëndelinë
Arom’ që shëron mushkërinë.” 

Era e trëndelinës është dehëse e për mua, edhe frymëzuese. Me një tufë trëndelinë të freskëta gjithmonë mbi tryezën e punës, shkruajta poemën, që e dua më shumë se gjithë fëmijët e tjerë (poemat e tjera) “Trëndelinë lunxhërie”. Çuditërisht, sa herë shfletoj vargjet e saj, edhe sot, fletët më vijnë erë trëndelinë. Si të thuash, është tretur vërtetë në to!”. 

Gazetari dhe shkrimtari Avdulla Kënaçi me origjinë nga Golëmi i Labërisë, më shkruan: “TRËNDELINË! Thuajse jam rritur me emrin e kësaj bime barishtore erëmirë. Trëndelinë - në tingëllimin e kësaj fjale katër rrokshe ndjen muzikë, shplodhje dhe bukuri sepse kur kujton atë, pa tjetër do të shfaqet në përfytyrim një lule e vockël me pesë petale të verdha në ngjyrën e arit që shquan kudo ku ka mbirë; në mes të lëndinave, rrëzë gurëve apo në anë të shtigjeve malorë. Ajo ka thithur shumë rreze dielli, ndaj ka ngjyrën e tij kozmike. Ajo ësht nazike dhe qibare. Nuk mund të mbijë aty ku ka zhul e pisllëk, por majë malesh ku rreh veriu dhe nga ku diku vjen era e detit e mbushur me jod. Nuk gjëndet kot vetëm në Jug të Shqipërisë. E kam ndjerë aromën e saj në malet e Kurveleshit qysh në vegjëli kur mëma më merrte pas vetiu në t’harrjen e grurit. Duhet të ishte fund prilli apo mes maji. Ndërsa mëma t’harrte, mua do më vinte të mblidhja trëndelina për t’i bërë vergje, apo kurora siç i thonë gjetiu. Ndersa im at, bari, nëse djathi ishte i mirë apo i keq, do të thoshte; “Mban era trëndelinë, ose nuk ka aromën e trëndelinës” që do të thoshte se delet nuk kanë kullotur në çaire malore ku gjëndet kjo lule si e rënë nga kozmosi”. 

Ndërsa Zija Basha, gjeograf dhe historian, tregon se trëndelina në rrethin e Gjirokastrës rritet në malin e Lunxhërisë mbi Saraqinishtë e mbi Erind, në Kallabar mbi Labovën e Kryqit, në Revani mbi Libohovë, në fushat e Dropullit të Sipërm, në Malin e Gjerë në toka zhavorishte karshi diellit, në Qafën e Muzinës, në Leftokare, në Ravenjë mbi Goranxi, në Makerxhimë të Sopotit, mbi Gjirokastër e Mashkullorë në toka skeletike, në malet e Golëmit e Picarit, në Tepelenë në fushën e Luzatit, pranë rrugës kombëtare. Lulëzon në muajtë maj-qershor. Këto kullota janë nga më të mirat dhe lakmohen nga ata që mirren me blegtori. 

Trëndelina është dhe një ushqim i mirë për bagëtinë dhe si rjedhojë përmireson cilësinë dhe shijen e produkteve blegtorale. Kush nuk e dëshiron dhe lakmon të blejë djathë gjirokastre në Shqipëri. Shumë subjekte tregtare sot spekullojnë me emërin e mirë të djathit të Gjirokastrës. Para Luftës së Dytë Botërore, djathi i Gjirokastres eksportohej në Amerikë me shumicë. Në vitet 1990, me rrëzimin e sistemit komunist, në Gjirokastër u dukën përsëri pinjollët e atyre që e tërhiqnin. Po kohët tani kishin ndryshuar, amerikanët e kishin të vështirë të uleshin në tavolinë e të bisedonin me dikë. Shqipëria në ato vite ishte e pa përgatitur për të bërë këtë biznes për t’ju përgjigjur me cilësi si dikur partnerëve amerikanë. Duhej një teknollogji e re, e kohës. Kohët e fundit flitet se “Argjiro farm” ka filluar të eksportojë në New Jork sasira të konsiderueshme. Nuk e di në se janë të njëjtit klientë të para luftës. 

Kam vizituar dy herë fabrikën e prodhimit të djathit dhe produkteve të tjera blegtorale “Dhodhoni” në Janinë, Greqi. Një investim modern me ndihmën e BE-së. Kur po kaloja në sektorin ku paketohej djathi, gjalpi, gjiza, etj. vërejta se etiketat ishin në gjuhë të huaj, jo greqisht. E pyetëm shoqëruesin: 
- Eksportoni ju nga këto produkte? 
- Po, pjesa me e madhe është për eksport. – u përgjigj ai. 
- Po ku e eksportoni? – e pyeta unë menjëherë. 
- Në Kanada, SHBA, Australi, Gjermani, Hollandë…, - e vazhdoi një listë të gjatë. Unë u habita, u duk gati e pabesueshme për mua në atë kohë. 
- Këto vende që përmendët ju të mbytin me qumësht e produkte blektorale, janë eksportuesit më te mëdhej në botë. Si ka mundesi!? 
- Ka mundësi se produktet tona blegtorale janë nga më të mirat në botë. 
Këtë që më tha shoqëruesi ynë tek “Dhodhoni” e besova kur erdha në Amerikë sepse djathin origjinal “Dhodhoni” e blej edhe vetë për familjen time, këtu në Boston, pavarësisht se çmimi tij është dyfish më i lartë se djathi tjetër në treg. Kjo më bëri të besoj fort dhe ato që kisha lexuar shpesh nëpër libra, ku Mollosia përmendesh në shkrimet e lashtësisë “si tokë e begatë” dhe mollosët si mbarështruesit më të mirë të bagëtisë dhe bujq të zotë. 

E tregova të gjithë këtë histori sepse teknollogjia e bërjes së djathit është e njëjtë, linjat teknollogjike nga perndimi janë. Racat pothuajse aty, aty. Por çfarë ndryshon atëherë? Ndryshojnë vendet, kullotat, ushqimi që hanë bagëtia. E kur flitet për ushqimin në kullota, një meritë të veçantë duhet të ketë dhe trëndelina për këto zona. Nuk e di në se ka studime për këtë. Shqetësues është fakti se kjo bimë përmirësuese e shijes dhe vlerave ushqimore të produkteve blegtorale, madje dhe me dobi mjekësore, siç thuhet nga barinjtë, sapo vjen e pakësohet. 

Trëndelina është një bimë vetpllenuese. Nga burime anonime thuhet se  bletëritësit e ndjekin periudhën e lulëzimit të saj, duke bërë edhe shtegëtimin e bletëve në ato vende ku gjëndet me shumicë. Babai im gjat gjithë jetës së tij është marrë me rritjen e bletëve. Më kujtohet se kur dilte mjaltë cilësore ai thoshte: Kjo mjaltë është edhe nga trëndelina. 

Veç kujtimeve të mija, citova këtu më lart poetë, shkrimtarë e historianë të njohur. U entusiazmova kur miqtë e mi m’u përgjigjën me dëshirë duke ma përmirësuar e plotësuar ekspozimin dhe publikimin në mediat elekronike të barit të egër apo më mirë të asaj që ne e quajmë me shumë dashuri: Lule-Trëndelinë. I falenderoj.

Nuk besoj se ka një popull tjetër të ketë kaq shumë këngë për këtë bimë. A i dinin të parët tanë  vlerat e larta të kësaj bime? Në të vërtetë nuk e kam kuptuar qartazi se pse kjo bimë ishte kaq e dashur e veçohej nga gjithë bimët e tjera, të cilat janë po kaq të bukura, po kaq erëmirë. Kjo ishte edhe një shtysë për mua për të bërë një monografi të shkurtër të kësaj bime që më ka tërhequr vëmendjen që në agimet e jetës, por jo vetëm mua. Le të vazhdojmë të mësojmë më shumë për historinë, shpërndarjen, dobitë që i sjell njerëzimit kjo bimë, do të thoja magjike. 

Historia, origjina dhe përhapja

Trëndelina është nga bimët që është kultivuar shumë herët prej njeriut. Ajo është përdorur për qëllime mjeksore, erëza në gatime si dhe ushqim për kafshët shtëpijake. Gjurmë të kësaj bime janë gjetur nga arkeologët në disa vende të botës dhe ato datojnë 6 mijë vjet më parë si në Tel Halal, Irak, etj. Fara të thara të saj janë zbuluar edhe tek varri i Tutankhamenit në Egjipt. Është vërtetuar se egjiptianët e lashtë e kanë përdorur për qëllime mjekësore. Ka të dhëna se ata e përdornin për stimulimin e lindjeve, për trajtimin e djegieve të ndryshme si dhe për mumifikimin e trupave njerëzorë. Gjithashtu gjethet e trëndelinës janë përdorur nga egjiptianët për të përgatitur temjamin e famshëm. 

Në Greqinë e lashtë, babai i mjeksisë, Hipokrati, e përmend si një barishte qetësuese. Të tjerë e përmendin si një kurë qetësuese ndaj stresit apo ankthit. Akoma më i hershëm është përdorimi i saj në kuzhina si një nga erëzat që rregullon shijet, etj. Hebrejtë gjatë luftës së parë romako-hebreje (67-73 er.) trëndelinën me vaj të nxehtë e përdornin për te lyer muret e portës së qytetit për t’u mbrojtur nga sulmet romake. Farërat po të trajtohem me vaj té nxehtë bëhen si nje lloj mastiçi ngjitës. 

Një fakt interesant është se në haremet e osmanëve, përfaqësuesit e shtresës së pasur muslimane, preferonin femrat me linja të plota dhe për t’i ruajtur këto linja, konkubinat i ushqenin vazhdimisht me një përzierje të tillë: sheqer, vaj ulliri dhe trëndelinë. Sot është vërtetuar se trëndelina rit qumështin dhe përmasat e gjirit si në kafshe dhe njerëz. Romakët e përdornin trëndelinën për të trajtuar ethet, problemet e frymëmarjes dhe sëmundjet e zorrëve. Fakte për kultivimin e trëndelinës në lashtësi janë zbuluar edhe në pjesën veriore të Indisë. Për disa shekuj, kjo bimë, është përdorur tradicionalisht, që nga lashtësia, për medikamente ayurvedike indiane, ose efekte magjikë si dhe për barna shëruese tradicionale tibetjane apo kineze. 

Trëndelina konsiderohet autoktone në juglindje të kontinentit europian, Azinë Perëndimore dhe në veri të kontinentit afrikan. Vend-origjina e trëndelinës ende nuk është përcaktuar qartë nga shkenca sepse nuk është zbuluar paraardhësi i saj me rritje të egër. Sipas De Candolle, etj, trëndelina është një bimë e kultivuar qysh në lashtësi. Në gjendje të egër sot ajo rritet në Kashmir, në shkretëtirat e Mesopotamisë, Persisë, në Azinë e Vogël dhe në disa vende të Europës jugore në brigjet e detit Mesdhe (Turqi, Greqi, Shqipëri, Itali dhe Spanjë). Nga studjuesit besohet se vendorigjina e trëndelinës është Azia Qendrore dhe jugore, Persia. Në brigjet europiane të Mesdheut ajo ka mbërritur më vonë, 4-5 mijë vjet më parë, besohet nga faktorët njerëzorë. Unë mendoj, ashtu si dhe disa studjues të tjerë, se trëndelina në Shqipëri nuk është rrjedhojë e difuzionit (shpërndarjes), por ka ardhur nga faktorë njerëzorë prej Azisë së Vogël. 

Tëndelina u përhap prej brigjeve të Mesdheut në Europën qendrore gjatë shekullit të 9-të. Romakët e përdornin për qëllime tregtare, komerciale. Thuhet se murgjit benediktë kanë luajtur një rol të veçantë për shpërndarien e kësaj bimë në gjithë Europën qendrore. Në shekullin e XVI-të përmendet si bimë edhe në Angli.

Sot trëndelina është e shpërndarë në të gjithë botën. Janë rreth 20 vende që e kultivojnë, duke filluar nga Europa, Azia, Amerika dhe Australia. Gjinia Trigonella ku bën pjesë trëndelina përbëhet nga 260 specie, nga këto rreth 23 Genotipe janë të pranishme dhe kultivohen nga njeriu. Ne Azi shënohen 6 specie, Afrike një specie, Australi një specie. Në Europë janë përshkruar pesë specie, (Petropullos, viti 2002), ndërsa ne Shqipëri janë përshkruar tri specie në rritje të egër, jo të kultivuar nga njeriu. Ato janë: trëndelina yzerlike (T. foenum-graecum L.), trëndelina e Monpelisë (T. monspeliaca L.) dhe trëndelina (T. corniculata L.), sipas prof. M. Demiri, viti 1981. Pjesa tjetër e llojeve të specjeve jane shpërndare kudo por gjënden më rrallë. Në Ballkan jane regjistruar 15 lloje (Polunin 1988). Dy lloje kane rëndësi ekonomike dhe kultivohen T. foenum-graecum dhe T. corniculata. Sot pér efekte kultivimi janë krijuar hibride të shumta. 

Trëndelina është raportuar si kulturë e kultivuar në Portugali, Spanjë, Mbretërinë e Bashkuar, Gjermani, Austri, Zvicër, Greqi, Turqi, Egjipt, Sudan, Etiopi, Kenia, Tanzani, Izrael, Liban, Marok, Tunizi, Pakistan, Kinë, Japoni, Rusi, Argjentinë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipërfaqia e mbjellë në botë raportohet rreth 57.000 ha. dhe prodhimi i farës 68.000 ton në vit. Pothuajse gjysmën e këtij prodhimi e jep India ( Petropullos, viti 2002). Këto statistika janë vetëm për specien T. foenum-graecum. Mendimi im se dhe për Shqiperinë kjo bimë duhet të kultivohet sepse është e vlerësuar ekonomikisht. Kemi ekotipin tonë qé tashmë ështe e vërtetuar  se ka veti të larta për përmirësimin e produkteve blegtorale dhe si erëz në kuzhina. Mund të kultivohet edhe per prodhim fare sepes rezulton nje nga ekotipet më të mira të kësaj bime. Favorizohemi ose kemi kushte shumë të përshatëshme klimateriko-tokëore

Sot trëndelina kultivohet për qëllime komerciale, kozmetike, mjekësore, farmaceutike, si erëz në kuzhina, etj. Në Egjipt me farërat e saj përgatitet një lloj buke. Mbillet dhe konsumohet si perime në Indi dhe Pakistan. Në disa vende të Afrikës përdoret si kafe. Në disa vende të tjera përdoret si repellent (frikësues) kundër dëmtonjësve të depove. Mbillet edhe për përmirësimin e tokave apo si bimë foragjere, etj. 

Nga burime anonime thuhet se trëndelina rritet vetëm në malet e jugut të Shqipërisë. Kjo paraqitet edhe në hartën e mëposhtëme të Euro-Azisë e përgatitur nga studjuesi M. Kordrostam (viti 2017). Gjithashtu në këtë hartë paraqiten vendet ku gjendet kjo bimë, ngjyrosur në gri. Vendet ku mund të përhapet janë të ngjyrosura me bojë të zezë...


Dobitë e trëndelinës.

Trendelina është përdorur dhe po përdoret nga njerëzimi në shumë drejtime dhe shikohet si një bimë që në të arthmen do të ketë dhe një shtrirje më të gjërë.

Pasuron tokën: Si bimë e familjes legominoze, bishtajore,  rrënjët e trëndelinës kanë mardhënje simbiotike me disa bakterie të tokës të cilat kanë aftësinë të fiksojnë azotin e atmosferës, ashtu si bimët e tjera të kësaj familje: jonxha, tërfili etj.  Trëndelina ka aftësinë të përshtatet dhe të rritet në toka gurishtore të varfëra edhe pa ujë, ku jonxha, tërfili dhe bimët e tjera azotofiksuese nuk rriten ose rriten me vështirësi. Në këtë drejtim kjo bimë merr një rëndësi të veçantë për këto toka, për t’i pasuruar me azot, e të kenë një zhvillim normal edhe bimët e tjera. Pra mund të jetë një bimë efikase e pazëvendësueshme për atë që në agronomi e quajmë rrotacion në qarkullimet bujqësore në tokat skeletike duke i përmirësuar. Me mjaft efikasitet rezulton edhe në sipërfaqe të kufizuara, të vogla si në kopshtet e zonave kodrinore e malore dhe me toka të varfëra e skeletike..

Ushqim për bagëtinë(forazh): Trëndelina që në lashtësi është mbjellë si ushqim për bagëtinë. Por dalëngadalë është hequr dorë dhe e kanë zëvendësuar bimë të tjera foragjere me prodhimtari më të lartë. Sot në botë mbillet shume pak për këtë qellim. Trëndelina është një ushqim i mirë për bagëtinë, ajo rrit cilësinë e ushqimit si dhe është vërtetuar se shton prodhimin e qumështit. Prodhimet blektorale të kafsheve me ushqime të kombinuara me trëndelinë janë nga më të shijëshmet dhe pëlqehen nga njerezit. 

Ushqim për njerëzit. Trëndelina në disa vende të botës kultivohet edhe për ushqim për njerezit. Gjethet e trëndelinës(T. foenum-graecum L.), edhe në Shqipëri është përdorur apo ende përdoret në gatime te ndryshme. Kështu në Indi dhe Pakistan mbillet e konsumohet si perime. Në Egjypt me farërat e saj përgatitet një lloj buke. Në disa vende të Afrikës farërat e saj konsumohen si kafe, etj. 

Si erëz në gatimet e ndryshme. Tëndelina e tharë dhe e ruajtur gjen një perdorim të gjërë në gatimet në kuzhinat shqiptare. Për këtë qëllim trëndelina është përdorur qysh në lashtësi. Ajo u jep një aromë e shije të veçantë këtyre gatimeve. Për këtë qellim sot në botë përdoren sasira jo të vogla. Në guzhininën shqiptare përdoret për gjalpin e shkrirë, djathë, birjan në saç, qofte, trahana, ruajtjen e djathit në voza, patate të furrës, qollopita, byrek, pepek, etj. Si erëz për djathin e përdorin edhe zviceranët.

Si repelent(frikësues): Trëndelina si repelent, frikësues përdoret né shumë vende të botës.

Në mjekësinë popullore. Si një nga bimët e hereshme, më të lashta, që ka përdorur njeriu për këte qëllim për trëndelinén është një listë e gjatë por më të përmendurat sipas T. Hudson janë: Për të  kryer abortet(ndaluar shtatzaninë), si stimulante e oreksit, stimulant të flokëve, infeksioneve të ndryshme të lëkurës, për të rritur përmasat e gjoksit, kundra bronkiteve, celuliteve, kapsllëkut, kollës, egzemave, diarreve, fryrjes të barkut nga gazrat, për të rritur qumështin në kafshë dhe njerëz, sëmundjet hepatike, hernies, kundra dhimbjeve të stomakut që rjedhin nga mostretja e disa ushqimeve, ulçrat e këmbëve, kontrollin e monopauzës tek femrat dhe pas monopauzës, kundra dhimbjes së muskujve, diabetit, për shërimin e plagëve, etj.

Në mjekësinë moderne: Si bimë me vlera të veçata mjekësore për përmirësimin e shëndetit të njeriut dhe kafshëve që në lashtësi, trëndelina sot është berë objekt i shumë studimeve  e Kërkimeve shkencore të mjekësisë moderne. Kërkimet e shumta klinike dhe farmaceutike janë shtrirë në ato të dhëna që na vijnë nga mjekësia e lashtë popullore. Sipas këtyre kërkimeve të shtrira edhe në njerëz, kura me ekstrakte nga gjethet ose  farërave kanë dhënë rezultate pozitive për shërimin e disa sëmundjeve.

Kundra diabetit: Pacientët qe vuanin nga diabeti të trajtuar me pluhur nga farëra trëndeline kanë përmirësuar duke shmangur edhe trajtimin me insulinë.
Kundra kolesterolit: Prova janë kryer ndaj të sëmurëve me kolesterol të lartë.
Rrit laktacionin: në njerëz dhe kafshë. Qysh në lashtësi është vërtetuar se trendelina rrit prodhimin e qumështit në njerëz dhe kafshë. Studimet e kohëve të fundit me prova të kryera në njerëz dhe kafshë e kanë vërtetuar këtë. Madje edhe të vegjëlit paslindjes kanë rezultuar me një zhvillim më të mirë. Në njerez janë bërë studime me çajra me esenca të farërave të trëndelinës.

vazhdon

K. MOSKO

Boston-Mars, 2019

Sunday 24 March 2019

Molla e lejueme, shitja me zinxhir të shkurtër

nga:  Fatos FICO

Tiranë


Fatos FICO
“De Agri Cultura” është libri i parë në prozë latinisht, i cili ka mundur të mbërrijë te ne. I shkruar rreth 2200 vjet më parë, shumë nga ato që na mëson Cato vlejnë shumë edhe sot. Të tjera i takojnë kohës, por nuk është qëllimi ynë për të thënë këtu mësoni latinisht. E çuditshme, megjithatë, që recetat nga mjeku dhe për bujqit të shkruhen latinisht, apo jo? Jemi çfarë hamë apo jemi çfarë dimë? Bujqësia, në atë kohë, si dhe për 2000 vjet të tjera që pasojnë është aktiviteti kryesor prodhues në Europë.

Cato e hap librin duke u përpjekur t’iu mbushë mendjen lexuesve se investimi në bujqësi është më i ndershëm e më i vlefshëm se tregtia dhe dhënia e parave me fajde. “Nëse do të lavdërosh një njeri që ia vlen, ateherë për të thuhet fermer i mirë, burrë i mirë i dheut dhe kjo konsiderohet nderimi më i madh”.

Grua a burrë i mirë, sado të jesh e të të vlerësojnë, paratë nuk fitohen me lavdërime – ekonomia e sotme jo vetëm nuk bazohet më tek bujqësia, por n.q.s. doni nga skllevërit e bujkrobërit ka kaluar tek robotët e Inteligjenca Artificiale. Revolucioni industrial përmbylli atë që kishte nisur me lindjen e qyteteve të para në Mesopotami në Egjipt, në Mesdhe, Greqi, Perandorinë Romake. Bujqësia nuk ishte më baza e zhvillimit ekonomik e shoqëror, por ia la vendin industrive, financës, tregtisë e shërbimeve.

Holanda sot konsiderohet një superfuqi bujqësore nga fermerë e specialistë bujqësorë kudo në botë, e si shembull që duhet ndjekur, por pesha e bujqësisë në GDP kombëtare është më pak se 2%, e po kështu Italia, Franca, vende me prodhim bujqësor edhe më të madh. Greqia, aq e ngjashme në klimë, gjeografi e mentalitet, e ka 3.5%. Në vendet fqinjë, Maqedonia e ka 9.5%, Serbia 6% pjesën e bujqësisë.

Në vitin 1970, pesha e bujqësisë në GDP e Turqisë ishte 40%, në Korenë e Jugut 27%, në vitin 2017 janë bërë Turqia 6%, Koreja e Jugut 2%.
Mesatarja botërore e kontributit të bujqësisë në GDP në vitin 2017 është 11.25%. Shqipëria peshën e bujqësisë në GDP, sipas Bankës Botërore në vitin 2017, e ka 19%. Me mesataren botërore duhet të kthehemi në vitin 1980 për të gjetur këtë nivel, pra dyzet vite më mbrapa. N.q.s do të shikojmë import-eksportet bujqësore të Shqipërisë me vendet e tjera, do të shikojmë se 99% e importeve vijnë nga vende që e kanë peshën e bujqësisë në GDP më pak se 10%, madje më shumë se 90% e totalit nga vende që e kanë peshën e bujqësisë më pak se 5%.

Si të zhvillohet bujqësia

Zhvillimi vetëm i bujqësisë në një vend si Shqipëria nuk do të sjellë zhvillimin e pritur ekonomik dhe social për vendin. Zhvillimi i gjithë ekonomisë, në radhë të parë i industrive, tregtisë, shërbimeve e infrastrukturës do të sjellë zhvillimin edhe të bujqësisë. Aq më tepër në një vend të vogël e kryesisht malor si Shqipëria, pa histori konkurruese bujqësore, është më e lehtë të rritet kapitali në industri, në shërbime, të rritet kapitali human, kapitali i njohurive, ai teknologjik, i infrastrukturës, i natyrës, por është shumë e vështirë të rritet kapitali bujqësor.

Toka bujqësore e cilësisë së mirë është e pakët në total, por edhe e copëtuar në ferma të vogla. Tokat që ia vlejnë të përmirësohen për prodhim konkurrues kërkojnë shpenzime direkte dhe indirekte të larta në një kohë që tregu është pothuaj i ngopur me prodhime vendi. Konsumi i brendshëm është ende i vogël dhe rritja e tij e kufizuar. Eksporti duhet të konkurrojë me bujqësinë e vendeve të tjera të cilat kanë investuar me kohë, dekada e shekuj më parë, kapitale, njohuri dhe politika për prodhimin bujqësor dhe përsëri kanë më shumë kapitale e njohuri për të riinvestuar aty n.q.s është e nevojshme.

Por çfarë mund të bëjmë ndërsa zhvillohet ekonomia jo bujqësore, në mënyrë që edhe bujqësia të zhvillohet po aq shpejt e të mos kthehet në “pengesë” për zhvillimin ekonomik e social. Importojmë rreth 1 miliard USD ushqime dhe pothuaj çdo input bujqësor, biologjik, kimik, energjetik e mekanik që duhet për prodhimin bujqësor. Pra edhe një pjesë e madhe e eksportit bujqësor aktual është vlerë e importuar më parë si inpute dhe shkon deri në 40% të vlerës së prodhimit të eksportuar.

Fermat e vogla nuk janë aq problem

Fermat e vogla nuk janë problem në vetvete, ka shumë vende dhe rajone me ferma të vogla që kanë bujqësi e ekonomi të zhvilluar, por nuk mund të zgjidhen problematikat e fermave të vogla në tërësinë e tyre, duke kërkuar për t’i bërë ato të mëdha me çdo kusht dhe mbi të gjitha, jo me të njëjtat politika e masa që ndiqen për fermat që prodhojnë “commodities” për tregjet globale.

Në Bashkimin Europian, fermat e vogla u rikthyen në vëmendje pas vitit 2007, edhe si pasojë e presionit nga vendet e reja nga ish- blloku lindor, me shumë ferma të vogla si Rumania, Bullgaria, Polonia etj. Por, edhe vendet e “vjetra” të Bashkimit Europian si Greqia e rajone të mëdha në Francë, Itali etj., kanë shumë ferma të vogla të krahasueshme si sipërfaqe e vlera prodhimi me ato shqiptare. Nga 12,2 milionë ferma që ka në Bashkimin Europian, 6 milionë janë më të vogla se 2 hektarë. 5.5 milionë ferma kanë të ardhura bujqësore standarde më pak se 2000 euro. Politikat e tanishme të CAP (Common Agriculture Policy) dhe ato që po planifikohen për mbas vitit 2020 parashikojnë dhe kanë masa për fermat e vogla.

Në kushtet e Shqipërisë, me ferma të vogla, ato duhet së pari të futen në treg, të jenë të qëndrueshme aty, të shesin dhe të rritin kapitalin e investimeve, punës dhe njohurive. Zinxhiri i shkurtër i tregtimit të ushqimit është një politikë që e mundëson këtë.

Tregtim direkt, i lirë, i mbështetur i prodhimit vendas të fermerëve të vegjël e të mesëm

Ndërsa ka pika karburanti e lavazhi poshtë pallateve në zemër të çdo qyteti, në Shqipëri mungojnë tregjet bujqësore e pikat e shitjes urbane të fermerëve, ku ata të mund të shesin direkt. Ato rurale janë në gjendje të mjeruar. Shumë episode tregojnë se në shumë qytete të Shqipërisë, fermerët nuk lejohen e madje gjobiten po të shesin në trotuare, sepse nuk ka vend të caktuar në qytet për ata.

Është ndoshta shpejt për të krahasuar të dhënat e periudhave të mëparshme, kur fermerët shisnin në një mënyrë apo tjetër direkt në qytet me para në dore, por së fundmi kemi rritje të madhe të çmimeve të prodhimit bujqësor, ulje të sasive të prodhimit për disa produkte e kërkesë në rritje për ndihmë nga shteti në shitjen e produkteve të tjera.
Klima e krijuar e ndalimit të shitjeve direkte, për arsye të mungesës së tregut fizik dhe për arsye fiskale, nuk duket aspak e përshtatshme për fermerët, që sipas disa të dhënave kanë ulur prodhimin dhe interesin për investim. Tregjet fermere, ose të fshatarëve, janë jo vetëm traditë, janë një mënyrë jetese, kulture, të menduari, të prodhuari. Tregjet fermere bëjnë të mundur shitjen direkte ose zinxhirin e shkurtër të tregtimit të ushqimit. Pas një periudhe harrese, në Bashkimin Europian, në SHBA e në shumë vende ato janë rikthyer me forcë të kërkuara së pari nga qytetarët e konsumatorët.

Zinxhiri i shkurtër i të tregtuarit të prodhimit bujqësor, u rivlerësua dhe u rikonsiderua si një mënyrë e cila rrit mundësitë e shitjes dhe fitimit për fermerët dhe ul çmimin për konsumatorët. Ai konsiderohet edhe si një mënyrë për të shmangur monopolin e rrjeteve të mëdha tregtare, të cilat shesin përgjithësisht prodhime commodities që sigurojnë marzh fitimi të lartë, kanë volume shitje konstante dhe që kanë marketim të fortë nga prodhuesi, pavarësisht origjinës.

Bashkimi Europian e njeh, përcakton dhe mbështet me politikat e Zhvillimit Rural në CAP zinxhirin e shkurtër të ushqimit. Në Francë, zinxhiri i shkurtër është përcaktuar nga Ministria e Bujqësisë “si një mënyrë shitje direkte te konsumatori ose shitje indirekte vetëm me një ndërmjetës”. Mesatarisht, 15% e fermave të Bashkimit Europian e shesin më shumë se gjysmën e prodhimit të tyre direkt.
Këto janë ferma të cilat kanë të ardhura bruto nga 1200 deri në 10 mijë euro në vit. Nga fermat me të ardhura më shumë se 120 mijë euro në vit, vetëm 3% shesin direkt.

Në Greqi, 25% e fermave shesin direkt, 19% në Sllovaki, 18% në Hungari e Rumani. Në Francë, 21% e fermerëve shesin direkt si dhe gjysma e atyre që prodhojnë perime e mjaltë shesin direkt.

Shitjet direkte

Në Shqipëri, duke parë mungesën pothuaj totale, shitjet direkte të fermerëve janë domosdoshmëri. Vlera dhe sasia e ulët e prodhimit për tregtim të shumicës së fermave, mungesa “e standardeve” për tregtim në rrjete dyqanesh, infrastruktura e transportit dhe e vetë tregtisë nuk e bëjnë të kërkuar nga rrjetet e mëdha tregtare prodhimin e fermave të vogla shqiptare. Alternativa janë që fermerët të shesin te ndërmjetësit tregtarë, ose të prodhojnë vetëm për vetë konsum.

Ndërmjetësit kanë të njëjtat kërkesa si dyqanet, madje do të ofrojnë për prodhuesit çmim edhe më të ulët n.q.s. ata gjejnë mundësi rishitje brenda apo jashtë vendit. Rreziku në rishitje, “vlera e shtuar” e ndërmjetësit, p.sh., vendosja në arka, transporti, magazinimi, kostot administrative do ta dy-trefishojnë vlerën e shitjes fillestare të produktit bujqësor, i cili shpesh përsëri do të kalojë edhe një hallka tjetër me po aq “vlerë të shtuar” për të arritur te konsumatori final.
Por, meqenëse flasim për prodhime “commodities”, çmimi i shitjes nga ndërmjetësi do të jetë i njëjtë ose më i ulët se ai bursës për atë mall, por përgjithësisht më i ulët për të kompensuar kostot shtesë të transportit nga Shqipëria, n.q.s. është për eksport.

Në shitje direkte te konsumatori final, prodhuesit kanë mundësi të kërkojnë çmim më të lartë se sa ai që do të merrnin nga ndërmjetësit ose “dyqanet”. Kjo diferencë ju mundëson një fitim shumë më të lartë kundrejt shitjes në një zinxhir të gjatë. Për orë “pune” si proces shitje edhe për sasi të vogla të tregtuara, duke konsideruar fitimin e ulët që ka puna në bujqësi, fermerët do të përfitojnë shumë më shumë nga tregtimi direkt.

Përveç fitimit në para, një anë tjetër e mirë është lidhja direkte me konsumatorin, ndërveprimi, krijimi i besueshmërisë, lidhja ofertë -kërkesë, që i japin vlera jo monetare edhe më të forta shitjes direkte. Sipas dy anketimeve të Eurobarometër në vitin 2011 dhe 2016, 9 në 10 qytetarë europianë bien dakord se ka përfitime të blesh direkt nga një fermë lokale, 4 nga 5 qytetarë e konsiderojnë se të forcosh rolin e fermerëve në zinxhirin ushqimor është e duhur ose shumë e rëndësishme. Konsumatorët europianë i lidhin produktet lokale me standarde cilësore më të larta, të freskëta, vlera ushqyese, ushqim i shëndetshëm, mënyrë prodhimi më miqësore me mjedisin. Ata vlerësojnë mundësinë për të pasur një kontakt direkt me prodhuesit, të dinë nga vjen ushqimi që blejnë dhe të mbështesin bujqësinë e ekonominë lokale, duke blerë prodhime me një çmim të drejtë.

Infrastruktura

Fermerët shqiptarë kanë nevojë për infrastrukturën e nevojshme fizike, administrative e fiskale që të shesin direkt në qytete, tregje rajonale, vende ku ka lëvizje dhe në fermën e tyre. Fermerët mund të paguajnë vetë një pjesë të kostove për tregun fizik. Një pjesë mund të subvencionohet nga bashkitë, të cilat tani mbulojnë edhe fshatin, si dhe nga Ministria e Bujqësisë, ashtu siç u subvencionuan pikat e grumbullimit. Shanset dhe mundësitë në një ekonomi tregu duhet të jenë të barabarta për të gjithë.

Lidhur me anën fiskale, TVSH, fatura, kasë, është një vendim “politik” se a duhet të “mbledhin” fermerët TVSH e në çfarë niveli, por fermat në Shqipëri kanë mesatarisht më pak se 4 mijë euro të ardhura bruto në vit. Fermerët në shitje direkte duhet të shesin me para në dorë, me çmime të ekspozuara, me identifikim si fermerë, pa TVSH, pa kasë fiskale. Asnjë dëm nuk ka buxheti i shtetit sepse këto para cash do të rifuten në qarkullim përsëri nga fermerët dhe sipas studimeve disa herë në ekonominë lokale. TVSH e tatimfitimi për këto para do të paguhet nga bizneset e shërbimet kur fermerët të blejnë mbrapsht shërbimet e mallrat e tyre. Janë sidoqoftë para që mbeten, qarkullojnë e rrisin sadopak ekonominë lokale dhe nuk shkojnë direkt nga xhepi i konsumatorit shqiptar te hudhrat në Kinë, krahët e pulës në Brazil apo qepë në Turqi.

Shitja direkte është gjithashtu një mënyrë që të rifitohet besimi i konsumatorit, i cili aktualisht për prodhimet vendase nuk duket të jetë shumë i lartë. Një prodhues shitës direkt dhe i rregullt e ka më të vështirë të abuzojë me cilësinë se sa në kushtet e një tregtie me zinxhir të gjatë e anonim. Abuzuesit potencialë mbeten të lokalizuar e nuk ka pse të vuajnë prodhuesit e një vendi, rajoni, fshati, ferme, n.q.s. diku është abuzuar dhe konsumatorët refuzojnë të blejnë të gjithë prodhimin vendas të atij produkti sepse nuk e dinë origjinën e prodhimit.
AKU (Agjencia Kombëtare e Ushqimit) duhet të luajë një rol shumë më të madh pro aktiv se sa ai aktual dhe jo të shfaqet pasi konsumatorët kanë konstatuar probleme.

Modelet

Forma të zinxhirit të shkurtër ekzistojnë në Shqipëri, p.sh., për vajin e ullirit, një pjesë e madhe e tij realizohet me shitje direkte. Ajo fillon nga blerja e ullirit kokërr, te nxjerrja e vajit direkt nën kujdesin e konsumatorit, duke bërë të mundur së pari të marrin një vaj me standarde e duke shmangur frikën e abuzimit nga prodhues të pandershëm që e përziejnë atë me vajra të tjerë.

Së dyti, një çmim të arsyeshëm. Në të njëjtën kohë, edhe shitje të shpejtë nga prodhuesit e marrëdhënie besimi afatgjatë mes prodhuesve e konsumatorëve. Gjithashtu, një pjesë e mjaltit, verës, rakisë shitet direkt në raporte direkte e besimi.

Atëherë lind pyetja, po kur ekziston, pse duhet rikrijuar e nxitur? Sepse, në formën si më sipër, është më shumë si një hobi i të pasurve të rinj në qytet, tregon mosbesim te tregtimi klasik dhe është kosto në kohë dhe transport për blerësit. Jo të gjithë kanë makina për të shkuar në fshat, jo të gjithë kanë para në dorë të blejnë e as nuk mund të ruajnë 30 litra vaj ulliri menjëherë. Një mënyrë tjetër e shitjeve direkte janë ato online direkt nga fermat. Në Shqipëri, shtrirja e internetit, demografia e fshatit, infrastruktura e pagesave, e rrugëve, postës i bëjnë të vështira shitjet online, prandaj modeli i thirrjes me telefon te fermeri që duam për porosi të ndryshme nuk është ende jashtë kohe.

Restorantet mund të bëhen pjesë e zinxhirit të shkurtër, sidomos për produktet tipike e tradicionale. Ata frekuentohen nga turistë vendas e të huaj, por vendet e punës që krijojnë direkt e indirekt e ndikimi që kanë në ekonominë lokale, thjeshtësimi i procedurave të blerje-shitjeve dhe heqja e TVSH në blerjet nga fermerët e vegjël do të ndihmonte për të pasur çmime të arsyeshme në menu e qëndrueshmëri të tyre.

Një aktor shumë më i madh që mund të ndikojë në shitjet me zinxhir të shkurtër është vetë “shteti”, me anë të tenderëve e blerjeve që bëhen për produktet ushqimore nga institucionet e ndryshme të tij lokale apo qendrore. Bashkimi Europian e rekomandon si aksion dhe do të duhet një vullnet politik që tenderët të mos vendosen vetëm nga çmimi më i ulët, por një pjesë e blerjeve e sa më shumë e mundur të jenë prodhime vendase, lokale, të siguruara direkt nga fermerët ose me zinxhir të shkurtër.

Përvoja europiane

Pra nisur nga tradita shekullore “e pazarit”, përvoja europiane, politikat që ndjek e propozon CAP, në kushtet e Shqipërisë me ferma të vogla, shitjet direkte janë një mundësi për të rritur ekonominë bujqësore dhe atë rurale. Fermerët mund të përfitojnë një pjesë më të madhe të çmimit final. Konsumatorët mund të paguajnë më pak. Mund të zhvillohen shumë prodhime “niche”, tipike e lokale për të cilat ka kërkesë tregu lokal e kombëtar, por jo ai i “commodities”, prodhime të cilat e kanë vështirë të futen në zinxhirin tregtar aktual. Do të nxisë diversitetin e prodhimit, tipicitetin dhe qëndrueshmërinë.

Në kushtet kur fermerët kanë përvoja të tregtimit direkt dhe janë të sigurt në vazhdimësinë e saj, kjo sigurisht do të çojë në specializim të mëtejshëm dhe në nxitjen e bashkëpunimit midis prodhuesve për të pasur standarde të njëjta, për të shkëmbyer përvoja, për të organizuar së bashku transportin, marketimin, etj. Pra do të vijë e natyrshme ajo që ju kërkohet nga “lart” fermerëve – të organizohen. Sigurisht tregjet direkte i bëjnë më të gjalla qytetet, do të mund të ringjallin produktet e gatimet lokale, festat, panairet, si dhe turizmin lokal e rural.

Sidoqoftë edhe me shitje direkte është e vështirë të konkurrosh me produktet “commodities”. P.sh., një rrjet supermarketi i shet pa fitim ose me fare pak fitim produktet bujqësore, sepse ka volume të tjera të mëdha jo bujqësore dhe tërheq me çmime ushqimore “të ulura” sa më shumë klientë. Në Francë, edhe si pasojë e protestës së “jelek verdhëee”, qeveria ju ka kërkuar rrjeteve tregtare të rrisin marzhin e fitimit me të cilin shesin produktet bujqësore, në mënyrë që të ofrojnë një çmim më të lartë për prodhuesit. Në një mënyrë apo tjetër, të gjithë bien dakord se fermerëve, të mëdhenj apo i vegjël, ju imponohet një çmim i ulët blerjeje, shpesh nën kosto, nga rrjetet e mëdha, në mungesë të alternativave të tjera të shitjes për fermerët.

Por potencialet ekzistojnë dhe n.q.s. janë të suksesshme, shitjet direkte do të bëjnë të mundur që fermerët të kenë më shumë të ardhura, pra të kenë më tepër mundësi investimi në fermat e tyre dhe kjo do të mund të çojë drejt specializimit të fermerëve e rritjes së efektvititetit të biznesit të tyre. Në kohë, fermerët do të ndahen në prodhues për tregje lokale me zinxhir të shkurtër dhe prodhues të tjerë, jo shitës direkt, për tregje më të mëdha kombëtare e eksport që shesin me ndërmjetës, kontrata, etj.

Po të rikthehemi pak mbrapa, çerekshekulli në kohë e të kalojmë detin në ishullin e Brexit, Adam Smith e shikon si problem që ligjet e kohës në Britaninë e Madhe i detyrojnë fermerët të shesin direkt. Njerëzit janë të frikësuar se tregtarët apo “spekulantët” do të blejnë lirë drithërat nga fermerët kur prodhimi të dalë në treg e fermerët kanë nevojë të shesin sa më shpejt me para në dorë, dhe do ta rishesin atë shumë më shtrenjtë pak kohë më vonë, e kjo sidomos në vitet kur ka pak prodhim, çfarë do t’i çojë njerëzit drejt urisë e shtrëngesave.

Mbreti me ligj thotë – “Jo!”, nuk ka ndërmjetës që rrit çmimin dhe spekulon. Blerjet janë vetëm direkte, të lira, tek fermerët e ndershëm. Problem tjetër për Smith është që prodhuesve industrialë ju ndalohet shitja direkte, sepse justifikimi është që do të mbeten dyqanxhinjtë pa punë n.q.s. fabrikat shesin direkt dhe jo nëpërmjet dyqaneve. Mbreti thotë – “Po!” duhet të ketë ndërmjetës nga prodhuesi te konsumatori për fabrikat. Po deshët, blini mall fabrike në dyqan.

Në thelb, Smith e shikon këtë të lidhur me kapitalin tregtar dhe efektivitetin, një fermer nuk ka kapital tregtar dhe kohë të shesë, pra vështirë të konkurrojë në mënyrë efektive me një tregtar për shitjet, ndërsa fabrika ka kapital edhe tregtar dhe potencialet të konkurrojë tregtarët në shitjet direkt. Pra të dyja ligjet mbretërore pengojnë zhvillimin normal dhe eficient të ekonomisë, kur mbreti vendos në emër të popullit dhe dyqanxhinjve se si të bëhen shitjet.

Për kompanitë jo bujqësore nuk ia vlen shpjegimi, sepse është e ditur, që ato të shesin sa më shumë të munden direkt, p.sh., Apple, Google, Tesla, Austrian, etj. N.q.s. do të blesh shtëpi, kalo njëherë te ndërtuesi, pastaj te Real Estate.
Lidhur me fermerët, mentaliteti i konsumatorëve nuk ka ndryshuar sidoqoftë në mënyrë radikale lidhur me prodhimin bujqësor, vërtet nuk ka spekulantë tregtarë që të çojnë popullsinë drejt urisë me çmime të larta, në vendet me tregti të lirë globale, ndërsa në Britaninë e Madhe atëherë nuk lejohej importi, por shumë njerëz ende mendojnë se tregtarët/ndërmjetësit fitojnë më shumë sa ju takon në kurriz të prodhuesve e konsumatorëve, të parëve duke ju dhënë çmime sa më të ulëta e të dytëve sa më të larta, abuzojnë me cilësinë, krijojnë monopole, kufizojnë zgjedhjen e prodhimeve, etj.

Pra ekziston ende mentaliteti i rrënjosur se është më mirë të blesh direkt te fermeri. Nga ana tjetër, nuk është fermeri i 250 viteve më parë që nuk dinte shkrim e këndim dhe sa më shumë punë në arë, aq më mirë. Fermerët në përgjithësi janë të shkolluar e të ditur, edhe për tregti e marketim, ose i mësojnë shpejt. Puna në fermë, për shkak të teknologjisë e makinerive, merr shumë më pak kohë, pra kanë kohë të lirë jo bujqësore edhe për aktivitet tregtar dhe nuk duhet shumë kapital tregtar për të shitur, ose mund të sigurohet lehtë.

Të gjithë udhëtojmë sot.

Më e lodhshme dhe më i gjatë se sa rrugëtimi është planifikimi, gjetja e mënyrës për të mbërritur sa më lirë, në kohën që duam, nga pika A në pikën B. Mund të shkojmë me aeroplan, mund të shkojmë me autobus, me traget, me makinën tonë apo me qira. Nganjëherë, për të shkuar nga A tek B, më lirë të bie të kalosh nga pika C, të dalësh jashtë skeme. E rëndësishme është që askush nuk vendos për ne, e as na pyet pse duam të shkojmë, e si duam të shkojmë dhe pse zgjodhëm njërën apo tjetrën dhe është në interesin tonë më të mirë ajo rrugë që zgjodhëm.

Po kështu, nuk mund t’i detyrojmë fermerët që për të realizuar rrugëtimin e prodhimit të tyre nga ara në tavolinën tonë apo kudo në botë ta çojnë atë për shitje vetëm në pika grumbullimi. As vetëm me shitje direkte, e as vetëm për eksport. Ne nuk duam që për udhëtimin tonë të vendosë një “komitet”, sado shtetëror e “kompetent”. Ne kërkojmë që realiteti ekonomik e social ku jetojmë të na ofrojë sa më shumë mundësi zgjedhje.

E këtë të drejtë zgjedhje, por jo vetëm, edhe infrastrukturën fizike e fiskale të domosdoshme, nuk mundemi t’jua mohojmë atyre që prodhojnë ushqimin tonë. Interesi i tyre nuk është i ndryshëm dhe nuk bie ndesh me interesin tonë. Sa më shumë liri, mundësi, mënyra shitje direkte apo indirekte, të ketë çdo biznes, fermë, individ bujqësor e jo bujqësor, në mënyrë që të gjejë atë që i përshtatet më mirë e të realizojë interesin e vet më të mirë. Kjo do të thotë më shumë të ardhura, më shumë kapital, më shumë efektivitet, mirëqenie e rritje ekonomike për vendin.

Si përfundim, jo vetëm 100 fshatra turistikë, por edhe “një mijë tregje” fermerësh në të gjithë Shqipërinë në vitin 2020. Tregje në çdo qytet, i madh a i vogël, Tiranë, Durrës, Vlorë, Sarandë, Shkodër, Korçë, Fier, Kukës, etj.

Fermerët të regjistruar dhe me aktivitet prodhues të lejohen të shesin me para në dorë, pa kasë fiskale, pa TVSH, prodhime të freskëta e të përpunuara. Kontroll nga AKU proaktiv. Kontroll nga Bashkitë, nga Tatimet. Kontroll nga vetë fermerët. Të gjitha këto kontrolle (jo ai fermer) bëhen aktualisht ose presupozohet që duhet të bëhen.

Tregje e shitje direkte, të cilat mbështeten nga Bashkitë, Ministria e Bujqësisë e Zhvillimit Rural, e vetë fermerët. Pamë më sipër që qytetarët i duan shitjet direkte nga fermerët. Mund të ngrihen e mbështeten me fonde nga Bashkimi Europian, si nga ato të zhvillimit rural, ashtu dhe nga linja të tjera. Me kalimin e kohës, menaxhimi i tyre mund t’u jepet organizmave të fermerëve, p.sh., shoqatave prodhuese, por pa krijuar “monopole” të reja e kosto shtesë.

Është momenti që politikanët, pushteti qendror e lokal të diskutojnë me fermerët se si të rikrijojnë shitjet direkte. Ashtu si noti mësohet vetëm në ujë dhe më shpejt kur je fëmijë, edhe ekonomia e tregut mësohet më shpejt, duke prodhuar e duke shitur vetë prodhimin në treg, aq më mirë kur e nis i vogël.

Botoi gazeta "Monitor"

Thursday 21 March 2019

Marije Shkjau - Frymëzim për Gratë përmes Agro-Turizmit


Marije Shkjau është një rast i veçantë, një grua që me shembullin e saj hap horizonte të reja për gratë e tjera në Shqipëri. Ajo është agronome, fermere, nënë e pesë vajzave. Jeton në Pukë, në një komunitet të vogël rural, dhe puna e saj është e jashtëzakonshme.
Te Marija të bën përshtypje diçka që shkon përtej shkollimit e profesionit të saj: të bën përshtypje pasioni dhe vendosmëria e palëkundur për të mbështetur gratë e tjera që të zhvillojnë biznese të vogla.
"Pasioni im vjen nga dëshira për të ndihmuar gjendjen ekonomike të grave në komunitet. Është një nga qëllimet dhe objektivat e mia personale të ndihmoj gratë të emancipohen, të zhvillohen, të ndërgjegjësohen për mbrojtjen e të drejtave dhe të respektojnë vetveten. Dëshiroj që gratë të jenë të afta të drejtojnë dhe të ndërtojnë vetë të ardhmen e tyre ", thotë Marija.
Marija është bashkëthemeluese dhe anëtare e Bordit Ekzekutiv të OJQ-së së grave “AgroPuka”, krijuar në vitin 2000. Në vitin 2003, ajo mori nismën dhe kontribuoi financiarisht për krijimin e “Grupit të Grave në Qerret (Pukë) - Grup Vendor Veprimi”. I krijuar fillimisht për të plotësuar nevojat familjare të anëtarëve dhe për të ulur varfërinë, veprimtaria e Grupit sot është zgjeruar me kultivim, prodhim dhe përpunim frutash. Produktet nuk janë vetëm për tregun vendas, por edhe për tregjet e Shkodrës dhe të Tiranës.
Marija është pronare e një ferme perimesh e frutash të shumta si: kumbulla, arra, gështenja dhe fruta të ndryshme pylli, me të cilat prodhon reçelra e likere për konsum familjar. Ka në pronësi edhe vreshta. "Të qenit agronome dhe anëtare aktive e OJQ-së “AgroPuka” më ka ndihmuar të sigurojmë mbështetje dhe fonde shtesë nga Ambasada Zvicerane dhe ajo Suedeze, për të realizuar projekte të vogla të Grupit. Gjithashtu, përmes takimeve ndërgjegjësuese dhe tryezave të rrumbullakëta, kam arritur të mobilizoj shumë gra”, thotë ajo. Ky fakt është gjithashtu një shembull i asistencës së USAID-it, i cili bashkërendon me ndihmën financiare të donatorëve të tjerë, për të zhvilluar më tej projektet e filluara me mbështetjen e tij, të USAID-it.
Me ndihmën e projektit të USAID-it për Agro-Turizmin, Marija e ka kthyer pronën e vet në një fermë agro-turistike plotësisht funksionale, ferma "DEVIN", duke rritur kështu të ardhurat dhe duke tërhequr turistë në këtë zonë të largët.
"Bashkëpunimi me USAID-in filloi para 10 vjetësh, përmes OJQ-ve të zonës. USAID na ka organizuar dhe ndihmuar të marrim pjesë në panaire dhe veprimtari të ndryshme bujqësore për të promovuar produktet tona. Kohët e fundit, USAID më ka ndihmuar të zgjeroj biznesin tim në një dimension të ri: në agro-turizëm, duke shndërruar një pjesë të shtëpisë sime në bujtinë", thotë Marija. Komponentë të ndihmës së USAID-it kanë qenë dhe trainimet për agro-turizëm, gastronomi, punime artizanale, mikpritjen sipas traditave të zonës, marketing dhe aftësi për biznes.
Natyrisht, kjo mund të dukej si “një shans i artë” personalisht për Marijen, por ajo e konsideron këtë si “një shans biznesi”, një mundësi për të shërbyer si model për gratë e tjera. "Unë i konsideroj gratë në komunitetin tonë aleate të biznesit tim. Janë ato që më furnizojnë me prodhimet bio që unë nuk i kam në fermën time. I konsideroj ato biznesmene të ardhshme në agro-turizëm, që është një sektor në rritje në Shqipëri. Shpresoj t’u përçoj atyre njohuritë, përvojën dhe ekspertizën time, me qëllim që edhe ato të kenë bujtina në ferma agro-turistike, dhe të bashkëpunojmë si partnere në të ardhmen e afërt,", thotë Marija.
Mesazhi i Marijes për gratë është: "Mos ndalni kurrë rritjen tuaj shoqërore e kulturore. Duke u ndërgjegjësuar me shumë dhe duke marrë pjesë në veprimtari të ndryshme, ju mund të përdorni fuqinë dhe aftësitë tuaja për t’u zhvilluar vetë dhe për të pasur familje të shëndetshme. Gratë janë shpirti për një familje të shëndetshme dhe themeli për një shoqëri të suksesshme."
USAID/Shqipëri është krenar për partneritetin me gra të tilla frymëzuese si Marija dhe për punën Marijes kundër pabarazisë gjinore përmes Agro-Turizmit.



nga USAID/Albania fb. Mars, 21-2019

Tuesday 12 March 2019

K O K O SH Ë T


       nga : Thanas HODA

Çikago - SHBA


   
         
Thanas HODA
 Gjyshen time e quanin Kërsulla, por në fshat i flisnin Kiso. Edhe gjitonen e saj, Kërsulla e quanin, por i flisnin Lule Goxhaj. Lulja kishte një kokosh të madh e të fortë, ndërsa i Kisos, ishte i vogël dhe i pafuqishëm! 

          Kokoshi i Lules vinte shpesh në oborrin e Kisos, i vërsulej kokoshit të saj, e pickonte me sqep, ia griste lafshén e ia bënte gjak! Pastaj bëhej -mbret- mbi pulat! Kisos i vinte keq, se e kishte kokosh të zgjedhur, si më të mirin, që t'a rriste për -damaz- . Kur e shikonte të preferuarin e saj në até gjëndje të mjerueshme, i lyer tërë gjak, i pikonte në zemër, por ç'të bënte?!

          Një ditë s'ju durua, doli tek sheshi i Qilisë, e i foli Lules! 
- Lule,moter! Eja të shikosh si ma ka bërë kokmoshi tënd timin?! Mblidhe, të keqen, se ma ngordhi fare! 
- Kiso ! Je në vete apo jo?! Pse kokoshët do ruaj une! Mblidh pulat, atë të besh! Ato e ndjellin të vijë aty! 
          Ia mbajtën kokën mënjanë njera-tjetrës, por pas ca kohësh, ky incident kokoshësh çapkënë, u harrua! Kaloi po thuaj një vit a me tepër. Kokoshi i Lules, bënte poshtë, plakej, ligej e dobësohej, i Kisos bënte lartë, rritej, forcohej e zbukurohej! Dhe, ashtu si pakuptuar, ishte ai që tani fluturonte gjithë zhurmë e shkonte në oborrin e Lules, sulmonte e bënte gjithë gjak "rivalin" e dikurshëm! 

          Kokoshi i Kisos, kapardisej, u vinte rrotull pulave, trashte zërin, hapte njerin krahë e mbretëronte i lumtur! Kokoshi tjetër binte si i plangosur, ashtu i pafuqishëm e në dëshperim ...... 
Ishte Lule Goxhaj, tani, që dilte tek Sheshi i Qilisë e i bërtiste Kisos: 
- Kiso! Ç'më rri aty, moj! Nuk vjen të shikosh si ma ka bërë kokoshi yt timin!? Foli e mblidhe se ma ngordhi fare!

          Dolën gjitonët në dyer e dritare! Jo ti, po unë, u trash muhabeti! Gratë e mëhallës, si dashur pa dashur, u ngatëruan në "sherrin" e kaposhëve bandillë, që në ato momente të nxehta "gjezdisnin" kush e di se ku nëpër fshat! Pas gjithë kësaj "zallamahie " zëri i Polite Gjikes, i mbuloi të gjitha:

 - "Moj Kërsulla, moj Kërsulla, llafe për kokosh e pula!! " 
- Motra! Ejani se sa e poqa kafenë, që ma dërgoi Nikua nga Vlora! - Ejani ta pimë nje -fresko-! 

          Të dy kërsullat u nisën për te Politja! Ndërsa kafeja po ziente sakaq ia mbritën edhe gjitonet: Vitja e Mihaj, Mama Narja, Urani Musaraj, Ollga Voda, Zoga Stefani .... 

-Ti Veno ( Pesha ) si nuse e re që je, na i mbush filxhanet! 
Si pinë kafetë, kthyen e panë filxhanët, bëne një dorë muhabet dhe i lanë pulat e kokoshët, në punët, qejfet e hallet e tyre. 

Marre nga libri: "Labova e Zhapës" 
Thanas Hoda - 2005.