Saturday 26 December 2020

MOS MA KUJTO SHTATËDHJETËN!

nga: Kastriot MALO

Puglja, ITALI



----------------------------------------------

 Kastriot MALO

          Ishte fillim Dhjetori. Kishte më shumë se tre ditë që binte një shi litarë - litarë, i shoqëruar me vetëtima të forta zhurma e të cilave mbetej pas për disa kohë. Lumi kishte ardhë degë më degë, e pa mundur ti afroheshe, jo më ta kaloje. Ai kishte tre netë që nuk flinte nga meraku, ndërsa ëndrrat e shoqëronin një pas një. Vetëm ditën e katërt kur filloi të shtrohej lumi, zbriti me pelerinën në krah dhe ashtu si e priste pa që lumi e kishte vënë përpara mullinë. Për momentin u kthye në shtëpi, gjatë rrugës sillte ndërmend gjithë vite jetese me mullirin të ndërtuar dhjetra vjet më parë nga babai i tij. U ul në qoshe dhe tha: Më dolën ëndërrat! 

 

           Gjyshja filloi ta qetësonte duke i sjellë një godë raki, ndërsa shtynte urët e zjarrit të bënin më shumë dritë. Vetëm mbas një jave qindra metra më poshtë u shfaqën dy gurët e rëndë që therrmonin grurin dhe asnjë nishan tjetër. Nuk mund ta harroj kurrë vitin e mallkuar shtatëdhjetë thoshte shpesh gjyshi në biseda. Por nuk ke ç'farë të bësh, thotë një fjalë "Ja dha gurit dhe plasi, ja dha njeriut dhe e mbajti" kështu ngushëllohesh dhe ngushëllonte miqtë shpesh.

 

           Babai i gjyshit ishte njeri i pasur, kaçak, burrë i zgjuar, i rrahur nga llohërat e kohës, me shumë miq në zonën e Zagories. Por miku i tij për kokë ishte Leonidha Kano (Nidhi). Ai trashegonte pasuri nga babai i vet që ishte kurbeçi prej vitesh në Stamboll. Sheshin e mullirit e punonte, duke e mbjellë me perime të stinës, ndërsa e vadiste nga një burim që nuk shteronte as në Gusht. Me pas aty nga viti nëndëqind e nëntëmbëdhjetë i lindi ideja për të ndertuar një mulli aty pranë. 

 

          Ustallaret u gjetën nga Korça, ndërsa gurët e mullirit prej një rrembi të veçantë u morën nga Jorgucati. Për disa muaj mulliri filloi punë. Keshtu mbas vdekjes së babait, tregonte gjyshi, më mbeti mua çdo gjë mbi supe, si djalë i vetëm i asaj shtëpie, nuk bëra as ushtri në kohën e Zogut, se ashtu ishte ligji në fuqi. 

 

         Brenda kishte ambjent dhe për të fjetur, ata që bluanin gjatë natës, si dhe për të ngrënë bukë në dritën e zjarrit por edhe të disa llambave me fitil. Zakonisht vinin nga e gjithë zona, ishin dhe disa mullinj të tjerë, por çdo gjë varej nga cilësia e bluarjes, si dhe vjedhja që mund të bëhej në zigj. Me kalimin e viteve zanatin ua dha djemve dhe nuseve të tyre, pasi e prisnin dhe punë të tjera të tokës së shumtë që i kishte lënë babai, sidomos Pecofaja që ishte e mbushur me pemë frutore. Aty mësoi gjyshi zanatin e muratorit, dhe të zduktarit. Që të mos mbetesh kurrë pa bukë më thoshte, duhet të kesh të paktën tre zanate. Por mbi të gjitha nuk duhet të kesh dorë, nuk e duhet të genjesh. Aty ku s'ke lënë gjë mos zgjat duart të marrësh. Këto postulate më ndjekin pas deri sot.




Friday 4 December 2020

Dr. VASFI SAMIMI - FIGURE IMPONUESE

nga: Fiqri SHAHINLLARI

Gazetar&Shkrimtar

Washington DC.

 

Miku im edhe i letrave Shyqyri Fejzo më propozon të shkruaj diçka për Dr. Vasfi Samimin. Unë po ia plotësoj dëshiren duke marrë shkrimin, Portret nga libri im “Kushtrimi i gjakut” ...

 

Kontakti im i parë me Dr. Vasfi Samimin ka qënë në vitet 1963-1968. Isha student në institut dhe doktori ishte profesori im i nderuar. Më bëri pershtypje sa e pashë. Figurë imponuese. Kishim dëgjuar edhe nga studentët që ishin para nesh për personalitetin e tij të spikatur, por kush e njeh vetë njeriun, të ngulitet më thellë pamja e jashtëme dhe bota e brëndëshme shpirtërore e tij. Si tani më kujtohet ajo ditë: Hapet dera e auditorit dhe hyn brënda me buzën në gaz Dr. Samimi. Me trup mbi mesataren e gjatësisë së njeriut, veshur me bluzën e bardhë, si ato të mjekëve humanë, me leshra paksa të gjatë të “spërkatur” me argjendin e moshës, me fytyrë rrumbullake e me sy bojëqielli, të mëdhenj, stolisur me rrudha anash tyre. Sytë e tij reflektonin dituri, ata të jepnin përshtypjen se “fshihnin” brënda tyre një botë të tërë të njeriut që ka parë shumë, që ka vuajtur shumë, që beson e shpreson shumë, sy që reflektonin kureshtje për t’u futur më thellë në të fshehtat e Universit… 

 

Unë, ndërkohë,vazhdoja edhe një kurs dy-vjeçar në fakultetin juridik, dega gazetari në Universitetin e Tiranës. Praktikën e bënja te gazeta “ Bashkimi” ku më ishte dhënë rasti të shfletoja koleksionet e kësaj gazete nga viti 1944 deri më 1948 e me radhë. Kisha lexuar edhe kronika për gjyqet që zhvilloheshin në ato kohë. Një prej të akuzuarve ishte edhe Vasfi Samimi, djali nga Visoka e Mallakastrës, (dikur fshati ishte nën juridiksionin e Beratit), një specialist i arsimuar në fillim në Turqi e, pastaj, në vitet ’30 të shekullit të kaluar u specializua për zootekni në universitetin e Berlinit. 

 

Dhe ja, pikërisht Dr. Samimin e kisha përpara, si mal me erudicionin dhe dinjitetin e tij që të impononte respekt. Shpesh, pas leksioneve, ai nuk do të shkonte në shtëpi. Si një psikolog klasi ai vinte re se studentët e dashuronin sportin, sidomos futbollin. Ai vetë kishte qënë në të rit’ e tij portier i skuadres “Fenerbahçe” të Stambollit. 

 

Auditori mbushej plot pas dite me studentë të të gjithë fakulteteve të Institutit. Fliste Dr. Samimi!! Ai merte shkumbësin dhe vizatonte portën, fushën e futbollit, shënonte pozicionet e lojtarëve në fushë. Mbaj mënd që një herë tha: “Portieri duhet të jetë i gjatë në trup. Mikel Janku, për mua është hero, bën perjashtim. Me trup të vogël e me një elasticitet fantastik ai i hidhet topit si një ketër”.

 


E ndiej veten shumë ngushtë kur rasti kërkon të shkruaj shkurt ndonjë detaj për personalitetin e Dr. Samimit, këtij pedagogu, specialisti, gazetari, letrari, sportisti, filozofi, pasi figura e tij do volume të tëra dhe “jallah” të plotësohet. Prandaj po përpiqem të nxjerr nga kujtesa ndonjë fakt a ndodhi. Fati e solli që doktori i nderuar të vinte shpesh, në moshën pensionit, te gazeta “Bashkimi” e të sillte ndonjë shkrim për rubrikën që mbulonte ish studenti iij, i cili e priste në krye të shkalleve të godinës katër katëshe. Pasi merte frymë një hop në koridor ku ndodheshin dy kolltukë, ai tërë xhentilencë vinte në zyrë dhe fliste me pasion për blegtorinë shqiptare që aq shumë e ka dashur. Një herë unë i kujtova një veprim të tij që më kishte bërë përshtypje kur isha student. Doktor Samimi, “rebelimit” të qeve të stallës në Fermën e Kamzës i përgjigjej duke i përkëdhelur e u fliste kafshëve sikur të ishin njerëz. Specialisti i shquar i blegtorisë nuk e mbante mënd këtë hollësi pasi veprimet e kësaj natyre ishin të përherëshme për doktorin…

 

Në një moment, gjatë bisedës, m’u drejtua:

-E di ti, zotni gazetar, se çdo të thotë në turqisht emri Fiqiri? Vazhdimisht ai në vënd të fjalës shok dhe shoqe bashkëbiseduesve u drejtohej me fjalët zotni, zonjë, gjë e pazakontë në kohën e diktaturës.

- E di-iu përgjigja dhe vura buzën në gaz.

-Po mbiemri Shahinllari e di ç’do të thotë?-vazhdoi pyetjen.

-Jo, nuk e di- iu përgjigja si i zënë në faj.

-Me këtë emër thërrasin në Turqi shpendin që bën pjesë në familjen e shqiponjave por që nuk është grabitqar- përfundoi ai bisdën e nisur.

Në një vizitë pune në Adana të Turqisë në vitin 1995, mikpritësit turq ma theksuan domethënien në turqisht të mbiemrit dhe mua m’u kujtua Dr. Vasfi Samimi.

 

Vizitat e tij në gazetën “Bashkimi” nuk ishin të rralla. Në një prej këtyre vizitave në zyrën time u ndodh edhe kolegu im Murat Gecaj. Në bisedë edhe me tropojanin Murat, Dr. Samimi shpalosi erudicionin e tij. Kur u largua nga zyra më porositi: “Ftesën që ta bëra pak më parë për të më vizituar bibliotekën e shtëpise, po ia bëj edhe zotni Muratit. Nëse pranon kolegu jot, hajdeni të dy. Ne nuk e bëmë të gjatë. Ditën që do të vizitonim shtëpinë e Dr. Samimit, e lajmëruam në telefon. Shtëpia nuk ishte larg redaksisë. Ai na priti me bujari me gjithë bashkëshorten e vet, Saxhidenë. Biblioteka ishte në shtëpi. E jashtëzakonëshme për nga përmasat. Mund të shprehem pa frikë se shtëpia ishte në bibliotekë. Një sallon i madh ku raftet plot me libra teknike,shkencore e artistike, revista të llojeve të ndryshme e të kohëve të ndryshme nuk ishin vetëm në katër muret por rafte ishin edhe në brendësi të sallonit. Kishte vetëm rrugë kalimi për të ecur sa nga një raft në tjetrin. Nuk di pse,ai, një e dy dhe merrte revista të ilustruara për të na treguar fotografi fine të lopës dhe sidomos të kalit. Përqëndrohej si i dalldisur te portreti i kësaj kafshe fisnike sikur të ishte qënia më e dashur e tij. Na tregonte me durim admirues flegrat e hundës së kalit, jelet e tij, venat në fytyrë e në bark, këmbët, tendinet dhe sidomos thundrat e kalit. Tek fliste ai për kalin e rracës arabe të dukej sikur mbështilleshe me jehonën e poemës së famshme “Eneida” të Virgjilit të cilën një miku im e reciton aq mire në latinisht sa ti ndjen ritmin e trokut të thundave të kalit që vrapon kupthi : Cuatro puntate..(kua- tro, punta-te…) 

Dr. Samimi nuk ngopej së pari foton e kalit dhe na thoshte: “Shikoni flegrat e hundës.Duken sikur hapen e mbyllen pas një vrapimi të gjatë. Ky kalë këtu po flet! Pastaj kaloi në një temë tjetër. Ai e pëlqente monumentin e Skënderbeut në qëndër të Tiranës. Pëlqente në përgjithësi edhe kalin e tij në monument, por kishte një vrejtje të vogël pasi, sipas tij, testikulat e kalit nuk përqasen në mënyrë të natyrëshme me organet gjenitale të kalit…

 

Bisedës po i vinte fundi. Mua nuk m’u durua dhe i kërkova të më tregonte librin e tij: “ Nëna Kosovë”, një vepër e rrallë kjo për kohën dhe e dallueshme për nervin patriotik, politik dhe ekonomik. Dhe ai na i tregoi. Shikoja here librin, herë autorin e tij. Të njëjten gjë bënte edhe Murati.

 

Shënim:

Në shtator 2010 pata dy takime të veçanta.

Së pari: Rasti më takoi me Prof. Dr. Ergjin Samimin në Tiranë.Është djali i Dr. Vasfi Samimit, tashmë edhe ky pensionist. Duke pirë kafen e mëngjesit në “Qëndrën Stefan”, fare pranë shtëpisë së tij, ai më tregoi, me gëzim të veçantë, botimin e kolanës “Jeta e Vepra” për Dr. Samimin, në 28 vëllime. Përmes tyre lexuesi njihet me veprimtarinë e Doktor Vasfi Samimitnë fushën e Publiçistikës-Artit-Sportit, në shkencat Blegtorale: Zootekni e Veterinari, në shkencat Shoqërore e të tjera. Kur Ergjini flet për t’anë, shpesh nuk e përmënd me emër por me titullin: Doktor. 

 

Vdekja e Doktorit në moshën 76 vjeçare(1905-1981) pezmatoi gjithë familjen dhe miqtë e vërtetë, por sidomos bashkëshorten e tij Saxhidenë. Kjo ishte mësuese e arsimuar në shkollën amerikane të Kavajës. Origjina e saj ishte nga Melçani i Korçës por fëmijëria dhe rinia e saj e hershme kishte kaluar në Stamboll, te prindërit e saj.Vdiq në vitin 2004 në moshën 89-vjeçare.


Së dyti: Për mua ishte me vlerë edhe takimi që pata me agronomin e lashtë, shekullorin, Dhori Laci. Ky, siç thotë vetë, ka lindur në kohën e perandorisë osmane në vitin 1911. “Po të jesh në Shqipëri-më thotë-do të të ftoj në 100 vjetorin e lindjes sime, në prill 2011”. E falenderova. Fillimisht, me nxitjen time, DhoriLaci, flet për shëndetin. Ai ishte duke ngrënë mëngjezin në një nga lokalet rreth Shtëpisë Qëndrore të Ushtrisë. Me dy salçiçe, me bukë të thekur, djathë e një gotë verë përpara ai nuk u mërzit me mua: Ha e bisedo, pi verë e përgjigju pyetjeve të mija të kujdesëshme. U habita me oreksin e tij. Pas ndonjë ore ai do të hante tok me mua dhe një mikun tonë, të përbashkët, Idriz Xhomarën edhe racionin e picës. U kënaqa kur më tregoi se tensionin e kishte 7 me 12 deri 13, me oreks të mirë dhe me tre kafe ditën. 


Është diplomuar shumë vite më parë për agronomi në Universitetin e Selanikut dhe ka jetuar e punuar për 13 vjet rrjesht në Thrakën Perëndimore të Greqisë ku ka patur jo vetëm greke, po e po por edhe turq. Për këtë shkak ai e di mirë edhe gjuhën turke. Për të më bindur mua më përkthen fjalët: Allah bin bereqar versen. Që do të thotë, përafërsisht, se i falënderohen zotit për 1000 të mirat materiale që u dha. Gjatë bisedës erdhi llafi edhe te Dr. Vasfi Samimi.

- E njihja, si nuk e njihja doktorin!?-i përgjigjet ai pyetjes sime. Më 1939, Dr. Samimi ka qënë shef i veterinarisë dhe zooteknisë në Ministrinë e Bujqësisë. Merrej me punë shkencore, kryesisht me lopën e Kuqe(grekët i thonë lopa ilirike), me kalin Sardo-Arab që shërben për ushtrinë. (Këtë rracë e solli në Shqipëri Dr. Bilal Golemi), me delen Rude dhe me pulat Leghorn dhe Plismuth. Në këtë fushë Dr. Samimi ka dhënë kontribut të madh.

 

- Ju punonit në minisrti në atë kohë?-e pyeta përsëri.

-Jo, unë isha agronom në Institutin Kombëtar Zooteknik në Xhafzotaj, në atë kohë ku drejtor ishte Dr. Medar Shtylla. Samimi e Medari ishin promotorët e zbatimit të metodës së ndërzimit artificial të deles dhe lopës, për herë të parë në Shqipëri po edhe në Ballkan. Me Dr. Samimin kam qënë edhe në Kosovë për të blerë qe’ pune.Ishim shokë, shkonim mirë me njëri tjetrin. Kam edhe një fotografi me Samimin ku kemi dalë me rroba banje në Deçan. Ai ishte vazhdues i punës së Bilal Golemit. Kishte dëshirë të bënte debate shkencore frytdhënëse për të mirën e punës. Më kujtohet një debat i tillë, në një mbledhje, midis tij dhe Isuf Allamanit, zooteknik i dipolomuar në Firence të Italisë”.


Dhe Dhori vazhdon: “Të vjen keq për specialistë të tillë, të zotë, të talentuar, siç ishte Dr. Samimi që veç zanatit të tyre bazë për të cilin ishin diplomuar, ata dashuronin edhe artin, kulturën, sportin, publicistikën e shkencat shoqërore por që edhe e pësuan më pas nga diktatura. Unë mendoj se shkak për dënimin e Dr. Samimit kanë qënë disa artikuj në gazetën e atëherëshme: “Tomorri”....


Pas çlirimit të vendit unë isha kryeagronom i ministrisë së Bujqësisë me ministër Hysni Kapon. Ky më thërret një ditë e më thotë:”More Dhori, kemi disa specialistë të zotë nëpër burgje. Dy prej tyre besoj se i njeh. Njëri është Jakov Milaj dhe tjetri Vasfi Samimi. A nuk do të jetë më mirë që ata të kontribuojnë në punën për zhvillimin e blegtorisë e të bujqësisë sonë?” Unë dhashë mendimin që duhej, pozitiv. Mbaj mënd që Dr. Samimi, pas daljes nga burgu u mor me mbarështimin e rracës së lopës “Xhersej” që na kishin ardhur si ndihmë nga UNRA dhe Jakov Milaj, punoi me devocion në Fier.


FIQRI SHAHINLLARI

 

Saturday 31 October 2020

ADMIRIM DHE RESPEKT PËR NJERËZIT PASIONANT TË NATYRËS

nga: Kristo KAURI

Sarandë

Në rrugëtimin e jetës, janë disa tregues të pagabueshëm që përcaktojnë karakterin, edukaten, kulturen e një njeriu. Siç thoshte i madhi Mark Avrilio : “ Çdo njeri ka vlerë aq sa kanë vlerë gjërat me të cilat ai merret në jetë”.

 

Në shoqërinë dhe miqësinë time reale dhe virtuale, njoh shumë njërëz pasionant të natyrës.

Jam i privilegjuar që njoha njerëz të tillë të veçantë, plot pasion dhe përkushtim ndaj natyrës dhe mjedisit. Ata janë të profesioneve të ndryshme, pylltarë, artistë, poetë, studjues, inxhinier, mësues…..,por i bashkon një emërrues i përbashkët, dashuria dhe respekti ndaj natyrës.……

 

Me çfarë merresh, ku investon kohën, energjinë, ku investon shpirtin, çfarë lexon, çfarë përgjegjësie ke ndaj familjes, kombit, si sillesh me njerëzit, me natyrën, me mjedisin, janë këto që pasqyrojnë dhe jo fjalet, se çfarë njerëzish jemi.

 

Këta njerëz të veçantë, kanë ndjesi, mirësi, fisnikëri , tërhiqen nga bukuritë e natyrës, nga vlerat e saj, nga bukuritë e jetës dhe shkojnë t’i shijojnë. Shkojnë në natyrë, se duan të ikin nga zhurma e qytetit, nga kaosi urban, nga pluhurat, nga vapa, vrapojnë dhe ikin larg kafeneve, larg çimentos dhe hekurit, stresit, thashethemeve, halleve, mediokrëve, me një synim të vetëm, të eksplorojnë botën magjike të natyrës, të mos humbasin kurrë komunikimin me të.

 

Organizojnë në natyrë ekspedita, ekskursione, shëtitje, vëzhgojnë, reagojnë dhe perceptojnë saktë dhe drejt, vlerat, forcën dhe energjinë e saj.

 

Shetitjet, ekspeditat, vëzhgimi i tyre nuk është i njëllojtë me të tjerët. Eshtë një vëzhgim profesional, pasionant, i thellë, që vlerëson me kujdes çdo gjë, çdo zhurmë, çdo cicërimë, klithmë, çdo habitat. Një vëzhgim që di të vlerësojë çdo dru, çdo shkurre, përrua, përroskë çdo fije bari, çdo hapësirë, por qe di të lexojë dhe çmoj ekuilibrat dhe problematikat e ekosistemit, apo habitatit që shtrihet para tij.

Për këta njerëz pasionant, të veçantë, natyra përfaqëson më së miri simbolin e jetës. Atje ruhen ekuilibrat midis jetes dhe vdekjes, ekuilibrat midis organizmave, qënieve, drurëve, shkurreve, luleve, kafshëve.. Atje ne mësojmë të vlerësojmë dhe çmojmë jetën, rregullin, bashkësinë, harmoninë. Këtu ne prezantohemi me ritmin dhe enërgjinë e natyrës, me vitalitetin e saj.

 

Në këtë mbretëri, njeriu komunikon jo vetëm me natyrën, me mjedisin, me vetën, por dhe me vetë Zotin.

 

Këta janë njerëz të veçantë që mbrojnë natyrën, që i përulën asaj me respekt, që me aparatin fotografik përjetësojnë bukuritë dhe madhështinë e saj dhe me shumë bujari na i përcjellin dhe neve këto emocione.

 

Jo vetëm për pasionin ndaj natyrës, por edhe në komunitet, midis nesh, ata veçojnë nga të tjerët, janë njerëz të mirë, të çiltër, zemërgjerë, plot mirësi dhe fisnikëri, plot humor, gjallëri, mençuri dhe të gatshëm të bëjnë çdo sakrificë, që natyra të jetojë e qetë.

 

Admirim dhe respekt për këta njerëz të veçantë!





Thursday 29 October 2020

“LIBOHOVA – KULTURË DHE AGROTURIZËM”


Në datën  23 Tetor 2020, bashkia Libohovë në bashkëpunim me  fermerë dhe specialistë nga fusha e bujqësisë , për të promovuar vlerat agroturistike së krahinës të saj, organizoi në lagjen “ TEQE FUSHË ” në natyrë të hapur  te  mekami i  “DEMIR BABAIT” aktivitetin: “LIBOHOVA, KULTURË DHE AGROTURIZËM ”

Libohova si një qytet i lashtë i krijuar mbi 2500 vjet më parë, ka nxjerrë një sërë figurash të shquara në fusha të ndryshme, duke u bërë pjesë e rëndësishme e kombit me kontribut të çmuar dhe një gjerdan vlerash historike, patriotike e kulturore.  

Në këtë aktivitet, ku simbolizohet dashuria dhe harmonia shumëshekullore e popullit të Libohovës për jetën, traditat popullore, kulturën, shkencën, arsimin, punën dhe shoqërinë, u promovua edhe libri “AGRONOMËT DHE ZOOTEKNIKËT E KRAHINËS SË LIBOHOVËS NË VITE – NGA ABEDIN ÇIÇI TE BREZI  RI” të bashkëautorëve agronomë libohovitë z.Besnik Ismailati dhe z.Jani Rafti, të cilët pas një pune të gjatë arritën që t’i dhurojnë lexuesit libohovit e më gjerë këtë vepër me vlera  të zhvillimit së bujqësisë të Libohovës  dhe të specialistëve agronomë e zooteknikë  nga Libohova, Nepravishta, Labova, Suha, Selcka e Zagoria, të cilët me punën e tyre kanë lënë gjurmët e tyre në bujqësinë mbarëshqiptare.

Pjesmarrës në këtë aktivitet ishin edhe Ministri i Bujqësisë dhe ushqimit z. Bledi Çuçi, deputetja e zonës znj. Mirela Kumbaro, emisioni “Hapësirë e Blertë” i RTVSH, si dhe breza specialistësh të fushës së bujqësisë nga krahina e Libohovës, fermerë, përfaqësues të medias lokale, etj.

Aktivitetin e prezantoi znj. Fatime Buzo e cila ja dha fjalën kryetares së bashkisë zonjës Luiza Mandi për të bërë përshëndetjen e rastit, e cila u shpreh:

“Të nderuar pjesëmarrës, i nderuar Ministër i Bujqësisë dhe Ushqimit, z. Bledi Çuçi, e nderuara deputete, znj. Mirela Kumbaro, miq e të ftuar!

Është kënaqësi e veçantë për mua që t’ju përshëndes dhe t’ju uroj mirëseardhjen në këtë aktivitet për zhvillimin e agroturizmit të zonës, të organizuar nga bashkia Libohovë!

Siç dihet, Bashkia Libohovë është një ndër më të voglat në rang vendi, por me mundësi të shumta për zhvillimin e bujqësisë e sidomos të blektorisë. Mbi 3 mijë ha tokë bujqësor që ne kemi në përdorim, janë një aset i çmueshëm për mbjelljen e drithrave, vreshtave, fruta-perimeve, etj. Kullotat e pasura malore e kodrinore krijojnë gjithashtu kushte të përshtatshme për mbarështimin e të imtave, por edhe gjedhit e derrave, pa lënë mënjanë bletarinë dhe shpendët. Aktualisht ne kemi disa ferma të vogla në Libohovë, por edhe sipërmarrje të tjera më të mëdha në sektorin bujqësor, që jo vetëm prodhojnë, por edhe krijojnë vlerë të shtuar në ekonomi.

Bujqësia është një sektor i vështirë dhe jo të gjithë mund ta bëjnë edhe pse jetojmë në një vend me kushte të mira klimaterike e resurse të shumta natyrore. Përgjegjësia jonë është të krijojmë ato lehtësi dhe të hartojmë ato politika që ndihmojnë këtë sektor. Bashkia Libohovë ka investuar në drejtim të infrastrukturës së ujitje-kullimit të tokave. Kemi bërë një punë inkurajuese që po jep rezultate, por natyrisht nuk është gjithçka që duhet për të krijuar një zhvillim të qëndrueshëm rural. 

Botimin e librit “Agronomët dhe zooteknikët e krahinës së Libohovës – Nga Abedin Çiçi te brezi i ri” , të përgatitur nga agronomët Besnik Ismailati dhe Jani Rafti, të cilin e kemi pjesë të veçantë promovuese të këtij aktiviteti, unë e gjej një prurje me shumë vlerë, jo thjesht sepse evokon një pjesë të së shkuarës së largët e të afërt kur vjen fjala tek specialistët e sektorit të bujqësisë në Libohovë, por edhe sepse është një kontribut më vete në ditët e sotme kur ne kemi nevojë më shumë se kurrë për të bërë bashkë gjithë përvojën e së shkuarës dhe për ta vënë në funksion të sfidave që kanë sot njerëzit që punojnë tokën e mbarështojnë bagëtinë. 

Njësoj si në fushën e arsimit, kur është fjala për bujqësinë, blektorinë, veterinarinë apo edhe agropërpunimin, Libohova ka patur një aradhë specialistësh, që jo vetëm duhen kujtuar për kontributin e tyre ndër vite, por ata që janë ende në jetë  duhet të ofrojnë edhe sot përvojën e vyer që kanë. Unë si kryebashkiake i mirëpres dhe jam e gatshme të bashkëpunoj me ta për t’i dhënë sektorit bujqësor në Libohovë mbështetjen e duhur. 

Mbrotja dhe administrimi i tokës, përmirësimi i infrastrukturës ujitëse e kulluese, përzgjedhja e kultivarëve më të mirë, teknikat dhe mekinizimi në bujqësi, janë disa prej sfidave me të cilat përballen sot fermerët tanë. Adresimi i tyre nuk mund të bëhet kurrsesi vetëm nga pushteti vendor, prandaj është i domosdoshëm mendimi dhe dora e specialistëve tanë.

Kam fjalët më të mira për botimin e këtij libri, që besoj se do të jetë një udhërrëfyes shumë i mirë për këdo që do të punojë në bujqësi, por edhe për ne që bëjmë politika për këtë sektor.  Përgëzime!”

Pastaj autorët e botimit të librit “AGRONOMËT DHE ZOOTEKNIKËT E KRAHINËS SË LIBOHOVËS NË VITE – Nga Abedin Çiçi te brezi i ri “, z. Besnik Ismailati Jani Rafti dhe redaktori letrar i tij z. Zaim Hysa, bënë prezantimin e tij.  Në fjalën e vet, autori i librit Agr. Besnik Ismailati theksoi:

“Të nderuar pjesëmarrës, kolegë, miq e të ftuar!

Është nder, kënaqësi dhe privilegj i veçantë për ne  që sot në këtë aktivitet të organizuar nga bashkia Libohovë në këtë vend të bukur e të paqtë, por  edhe sintetizues i traditës dhe përvojës qindravjeçare të zhvillimit të bujqësisë të saj, të prezantojmë para jush librin “AGRONOMËT DHE ZOOTEKNIKËT E KRAHINËS SË LIBOHOVËS NË VITE Nga Abedin Çiçi te brezi i ri”.

Është karakteristikë dalluese dhe shumë e veçantë jo vetëm për Libohovën, por  për të gjithë krahinën e saj, që në shekuj me rradhë i ka dhënë shoqërisë shqiptare ajkën e diturisë në shumë fusha të zhvillimit social –ekonomik, politik, kulturor e më gjerë, të njohura e të shkruara nga autorë të ndryshëm.

 Por për bujqësinë, për njerëzit e  punës e të sakrificave të paimagjinueshme, të këtij sektori vendimtar të jetës ku në 12 muaj numërohen 13 fushata, nuk është shkruar, ose është folur shumë pak. Si pjesë e pandarë e saj, të lindur e të rritur në familjen e madhe bujqësore libohovite,  e ndjemë detyrë dhe përgjegjësi që të evidentojmë e të pasqyrojmë me modesti punën, mundin, djersën e derdhur dhe sakrificat e panumërta disa shekullore të armatës të madhe të njerëzve të kazmës e të kërrabës, me qëllim që brezat e sotëm e të ardhshëm të njohin e të frymëzohen nga dashuria e tyre për bimët dhe kafshët.

Është privilegj dhe krenari për të gjithë ne që ajka e specialistëve të bujqësisë shqiptare është nga Libohova, apo edhe me gjak libohove, ku padyshim Abedin Çiçi mbetet simboli, timonieri dhe frymëzuesi për të gjithë brezat e sotëm e të ardhshëm të ekonomisë dhe shkencës bujqësore mbarëshqiptare. 

Ishte pikërisht ky motiv që na frymëzoi dhe na shtyu të shkruajmë këtë libër e ta pagëzonim me këtë titull domethënës e plotësisht të merituar. 

Për ne ishte një punë sa e vështirë, po aq edhe me përgjegjësi, sepse duheshin gjetur burimet e të dhënave dhe mjaft tregues të tjerë. Dhe këto nuk na munguan nga askush që u kërkuam ndihmë, të gjithë na u përgjigjën me dashamirësi, dhe për këtë u jemi shumë mirënjohës.

Nuk mund të lemë pa përmendur dhe pa i falënderuar nga zemra  të gjithë ata njerëz të mirë e dashamirës që me kontributin e tyre financiar mundësuan botimin e tij, siç janë : Kryetarja e Bashkisë Libohovë, znj. Luiza Mandi; ferma bujqësore “Agro Beqari”- Nepravishtë me president z. Kadri Beqari, “Albanian Herb” Sh.a  me përfaqësues  të saj në Libohovë z. Hektor Shehu,  Bar Restorant  Sedat Ismailati – Libohovë , “Prodhime Natyrale Bulmeti Libohovë” (F.A.M.)   me president  z. Fredi Mahmutaj, karburant “Libohova” me president z. Muhamet Kumbaro, Artikuj Bujqësorë -  Gjirokastër me pronar Harallamb Kuti, z. Pandeli Rafti – zooteknik nga Libohova  me banim në SH.B.A, Znj. Erena Çuçi Çobani- mësuese,  z. Ismail Shehu –faramacist nga Libohova, z. Avdi Bilibashi – pensionist nga Libohova, znj. Besiana Jaho Ismailati- mësuese në Delvinë , znj.Lale Çomo – pensioniste - emigrante në Greqi, z. Alkis Qiriazos - mjek stomatolog - Greqi, z. Xhevahir Sinani- nëpunës Bashkia Libohovë, z. Arben Ismailati- nëpunës Bashkia Libohovë, z. Arqile Hila- zooteknik nga Zagoria, z. Kleanthi Mandi – president  i “Lule Mandi” – Gjirokastër , z. Ylli Muho – nëpunës në Bashkinë Gjirokastër- sot zv.kryetar bashkie, etj.

Një falënderim të veçantë meriton edhe realizuesi i kopertinës së librit, djali i talentuar nga Nepravishta Elio Bufi dhe të gjithë protagonistët e tjerë  si :Begë Musta, Illo Foto, Enver Tome, Koço Mosko, etj.,  që me mbresat dhe kujtimet e tyre , plotësuan dhe zbukuruan edhe më mirë jetën dhe veprimtarinë e mjaft protagistëve të librit.

Në libër është folur me hollësi për veprimtarinë e specialistëve agronomë dhe zooteknikë nga Libohova dhe në mënyrë të përmbledhur edhe për specialistët e tjerë nga fshatrat e kësaj bashkie, nga Nepravishta e deri në Zagorie. 

Po kështu ne kemi pasqyruar edhe listat e plota të të gjithë specialistëve të mesëm që kanë mbaruar arsimin e mesëm bujqësor në Libohovë në këta 50 vjet, por edhe të specialistëve e kuadrove nga zona të tjera që kanë dhënë kontributin e tyre në ekonomitë e ndryshme  bujqësore të saj.

Jemi të ndërgjegjshëm se nuk kemi bërë gjithçka. Me dashamirësi ftojmë lexuesit e librit që pasi ta kenë lexuar, me vërejtjet dhe sugjerimet e tyre, në rastin më të parë,  ne ose edhe të tjerë pas nesh, të bëjmë plotësimet e nevojshme. 

Në rast se kemi harruar pa dashje dikë pa e përmendur, kjo ka ndodhur nga mungesa e informacionit, pavarësisht se kemi bërë përpjekje të vazhdueshme për të pasqyruar gjithçka.

Duhet  përmendur fakti se nga  Libohova  për një periudhë mbi 100 vjeçare kanë dalë  shumë kuadro me arsim të lartë si : 70 agronomë ; 13 zooteknikë ; ndërsa me arsim të mesëm profesional bujqësor  janë 164 agronomë dhe 130 zooteknikë.

Për ne si autorë të librit të gjithë pa përjashtim meritojnë respektin dhe vlerësimin më të lartë për gjithçka i kanë dhënë shoqërisë dhe ekonomisë bujqësore.

 Falënderojmë bashkinë si organizatore e këtij aktiviteti dhe njëkohësisht i urojmë suksese dhe mirënjohje atyre specialistëve që sot vlerësohen nga Këshilli Bashkiak me titujt e nderit!

Fakti që sot bashkia Libohovë ka 1760 ekonomi bujqësore private dhe 2702 ha tokë nga e cila: 780 ha tokë bujqësore, 570 ha pyje dhe 598 ha kullota, e bën më se të domosdoshme nevojën e përgatitjes të specilalistëve të rinj të bujqësisë në kushtet e ekonomisë së tregut.

 Si zonë e veçantë ekoturistike me të gjitha resurset e nevojshme, ringritja e një sistemi arsimor bujqësor agroturistik bashkëkohor në qytetin e Libohovës, mbetet kërkesë e domosdoshme për organet e larta rajonale e vendore shtetërore, sepse ajo e meriton plotësisht këtë kërkesë. 

Ju faleminderit për pjesëmarrjen dhe vëmendjen!”

 Ndërsa agronomi Jani Rafti premtoi se në të ardhmen lexuesit do ti japim edhe botime të tjera të kësaj natyre.

Redaktori i librit, mësuesi veteran i letërsisë, zoti Zaim Hysa theksoi: ” Promovimi i këtij libri më jep kënaqësi, jo vetëm për faktin, që unë e kam redaktuar duke e kaluar më shumë se një herë në duar, por edhe për atë se tanimë ky libër do t'i shtohet gjoksit të historikut të Libohovës, duke e pasuruar me një pasqyrim të sistemuar të jetës dhe të punës së njerëzve plot dëshirë e pasion për atë profesion sa të vështirë dhe aq madhështor që kishin zgjedhur për ta ushtruar në jetë. Tanimë brezat që e morën në dorë këtë libër do t'i referohen zgjimit të kujtesës së largët dhe do kapen edhe nga nostalgjia për shumë vlera të punës dhe njerëzve që lanë gjurmë në shpirtrat e tyre. Brezat që do të vinë, mund të krenohen me veprat dhe punën e lavdërueshme të të afërmve apo bashkëqytetarëve të tyre, që ishin shumë për një qytet si Libohova, apo rrethinat e saj që punuan anembanë Shqipërisë. Libri i Besnikut dhe Janit dëfton për një punë të palodhur dhe këmbëngulëse të tyre plot mund e djersë. Dhe si për ta shpërblyer Besnikun dhe Janin, sot gjenden dëshmitarë të këtij promovimi shumë EMRA me emër, të cilët me kënaqësi, si libohovit, i falënderoj për pjesmarrjen. Besniku, autori i disa librave me vlerë, i shtoi listës së tyre edhe një pasuri tjetër. Të dy autorët, që janë bashkëqytetarët tanë, por edhe miqtë e mi, me një punë këmbëngulëse , me shumë kujdes mblodhën materialet dhe i sistemuan në këtë vëllim , duke sjellë një pasuri , një vlerë, një medaljon për Libohovën dhe krahinën tonë që përfshin Zagorinë, Labovën e Kryqit, Suhën, Bulon dhe Nepravishtën, pse jo edhe Selckën. Ky promovim dëfton se këtu në Libohovën tonë ka jetë, ka punë e njerëz që punojnë, por dhe që meritojnë të vlerësohen edhe pse përjetojmë Convid-19 -ën me gjithë kufizimet e sjella prej tij. Faleminderit, ju që vlerësuat Besnikun dhe Janin! Përgëzime Besnik e Jani, shkrofshi dhe promovovshi edhe libra të tjerë!”

Besnik Ismailati, Jani Rafti dhe Zaim Hysa gjatë prezantimit të librit

Besnik Ismailati u dhuron librin Ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural z. Bledi Çuçi dhe deputetes së Kuvendit të Shqipërisë znj. Mirela Kumbaro

Në armatën e madhe të specialistëve dhe fermerëve të bujqësisë nga e gjithë krahina, ku të gjithë së bashku për dekada të tëra, me mund, djersë e sakrifica kanë dhënë kontributin e tyre të çmuar, Bashkia Libohovë ka vlerësuar me tituj “Qytetar Nderi” dhe çertifikata “Mirënjohja e Qytetit” disa prej tyre.  Kryetarja e Bashkisë, znj. Luiza Mandi dhe kryetari i Këshillit Bashkiak z. Kujtim Mushi bënë shpërndarjen e tyre: 

“MIRËNJOHJA E QYTETIT”, Bajazit Hamit Habibi (pas vdekjes)

me motivacionin: “ Për  kontribut  të  veçantë  në  zhvillimin  dhe  përparimin  e  shkencës dhe  ekonomisë  bujqësore  shqiptare.”

 

 “MIRËNJOHJA E QYTETIT”, Idriz Naiz Çomo (pas vdekjes)

Me motivacionin:

“Për  kontribut  të  veçantë  në  zhvillimin  dhe  përparimin  e  shkencës  dhe  ekonomisë  bujqësore  shqiptare.”

“MIRËNJOHJA  E  QYTETIT”, Dhimitër  Vangjel  Malita(pas  vdekjes)               Me motivacionin: "Për  kontribut  të  veçantë  në  zhvillimin  dhe  përparimin  e  shkencës  dhe  ekonomisë  bujqësore  shqiptare.”

 

“MIRËNJOHJA E QYTETIT”, Z. Bashkim Alizot Peça

Me motivacionin:

"Për  kontribut  të  veçantë  në  zhvillimin  dhe  përparimin  e  ekonomisë  bujqësore  dhe aftësimin  praktik  të  nxënësve  të  shkollës  së  mesme  “11  Shkurti”  Libohovë.”

 

 “MIRËNJOHJA E QYTETIT”, Z. Jani Vasil Rafti

Me motivacionin:

"Për kontribut  të  veçantë  në  zhvillimin  dhe  përparimin  e  ekonomisë          bujqësore  në sektorin  e  perimtarisë   të  rrethit  Gjirokastër  .”

 “MIRËNJOHJA E QYTETIT”, Z. Endrit Skënder Kullaj –nipi i Abedin Çiçit, Shef Departamenti i Hortikulturës në fakultetin e Agronomisë në UBT 

Me motivacionin:

"Intelektual i shquar me origjinë nga Libohova.  Pedagog  me  kontribute  të  veçanta  në  zhvillimin  dhe  përparimin  e  shkencës  bujqësore  shqiptare  dhe  përgatitjen  e  specilaistëve të  rinj  në  fushën  e  bujqësisë.”

 


Endrit Kullaj duke përshëndetur të pranishmit në aktivitet

 

 Në fjalën e tij përshëndetëse gjatë dhënies së titullit, Endrit Kullaj tha: 

“E nderuara Kryetare dhe drejtues të tjerë të Bashkisë Libohovë! I nderuar Ministri Çuçi dhe deputetja Kumbaro! Të nderuarit Besnik dhe Jani! Të respektuar pjesmarrës!

Është një privilegj i veçantë për mua, dhe këtu flas edhe në emër te dajës tim, Ilirit, që Libohova dhe njerëzit e spikatur të saj na nderuan me çertifikatën “Mirënjohja e Qytetit”. Nuk ka se si të mos përjetosh një ndjenjë të fortë kur sheh pasionin dhe përkushtimin tek autorët e librit Besnik Ismailati dhe Jani Rafti, por edhe mbështetjen e Bashkisë, në mënyrë të veçantë të znj, Luiza, si dhe të gjithë atyre që kontribuan për përgatitjen dhe botimin e këtij libri, shumë prej të cilëve, sipërmarrës të vegjël madje edhe pensionistë.

Emocioni shtohet kur t’i e ndjen veten të përfshirë në një KOMUNITET që përpiqet parreshtur të promovojë gjithshka që përfaqëson denjësisht Libohovën dhe libohovitët, kudo ku ata jetojnë ...ashtu si sot, në këtë aktivitet për Kulturën dhe Agroturizimin e Libohovës. Një komunitet arsim- dhe kulturë-dashës me të cilin pata mundësinë të njihem pjesërisht, disa muaj më parë, duke lexuar monografinë e Besnikut “50 VJET ARSIM të Shkollës së Mesme “11 Shkurti”. Por më pas përcolla shqetësimin dhe thirrjen publike të tij që kjo shkollë të mos mbyllet; por ndoshta të ri-orientohet në drejtim të agroturizmit. Ndaj edhe shfrytëzoj rastin t’i drejtoj një apel Ministrisë së Arsimit dhe strukturave vendore që të rishikojnë këtë vendim. Në fakt, i gjithë arsimi bujqësor parauniversitar dhe universitar po përballet me të njëjtën sfidë – sfida e tregut të punës, e kërkesës dhe interesit të ulët për të studiuar për bujqësi, pra, për të studiuar se si të prodhojmë ushqimin tonë. 

Gjithnjë e më shumë vendim-marrja është e ftohtë, sasiore, fjala vjen, nuk justifikohet ndërtimi i një rruge sepse fshati ka shumë pak banorë; duhet mbyllur një shkollë se ka rënë numri i nxënësve; nuk e mbajmë dot hapur një program studimi në agronomi apo zootekni sepse nuk ka kërkesa të mjaftueshme – dhe kështu hyjmë në një rreth vicioz ku mungesa e infrastrukturës, shërbimi arsimor apo shëndetesor, çon në braktisje gjithnjë e më të madhe të qyteteve të vogla apo zonave rurale. Kjo çështja e kërkesës së tregut më kujton fillimin e viteve ’90 ku u braktisën tërësisht shumë kultivarë autoktonë ose të përshtatur, veçanërisht në perime, pemë frutore dhe drithëra sepse tregu u hap dhe vërshuan kultivarë superiorë nga e gjithë bota. 

Abedin Çiçi dhe brezi i atyre që ngritën blloqe të mëdha me pemë frutore, ullishte e vreshta anembanë vendit, shfrytëzonte kurdoherë që ishte e mundur, kultivarët apo ekotipet vendase – mjafton të kujtojmë shembuj të spikatur janë “Sheshet” në vreshtari, kumbulla Tropojane (e njohur edhe si kumbulla e Hasit), lajthia “Visoka”, etj. Puna seleksionuese e Institutit të Perim-Patates nën drejtimin e Prof. Hysen Çobanit u la në harresë në emër të kërkesës së tregu. Sot, pas 30 vitesh, kur kanë shpërthyer inisiativat e agroturizmit, tregu ka nisur të kujtohet me nostalgji për kultivarët e vendit për të gjitha vlerat që ato mbartin. Por ato nuk gjenden lehtë në treg, të gatshme, njësoj si materiali mbjellës që vjen nga jashtë. Ato mund t’i gjesh vetëm tek njerëzit që i kanë mbledhur, ruajtur dhe ripërtërirë falë pasionit të tyre. Ata  nuk i zëvendësuan apo prenë të nxitur nga interesi për rendimente dhe fitime të larta por qëndruan tek tradia, tek historia, tek vlerat.

Vërtetë në disa raste frutat e këtyre varieteteve mund të mos jenë të përsosura por ato kanë një histori për të cilën mund të flasësh dhe t’i lësh mbresa konsumatorit, vizitorit apo turistit që ushqehet me të. E njëjta gjë vlen edhe për racat autoktone të kafshëve të fermës. Prandaj, ne duhet të bëjmë çdo përpjekje që të mos ja lëmë arsimin bujqësor forcave të përkohshme të tregut, që sot i orientojnë 6000 djem dhe vajza nga zonat rurale të dynden drejt programit të infermierisë për të emigruar jashtë dhe nuk kemi 10 apo 20 studentë që vijnë të studiojnë agronominë, zootekninë, hortikulturën. 

Pra, përpara se sot të marrim vendime nisur ngushtësisht nga tregues statistikorë për të mbyllur programe dhe shkolla profesionale bujqësore, duhet të mendohemi se po afron shumë shpejt koha kur do ta kemi të vështirë të gjejmë agronomë dhe zooteknikë të kualifikuar që do të çojnë para sektorin e bujqësisë në Shqipëri. Nevojiten politika nxitëse që nxënësit e talentuar që vijnë nga zonat rurale t’i ofrojmë të gjitha lehtësitë dhe mundësitë për t’u orientuar drejt këtyre programeve. 

Ndaj e vlerësoj jashtëzakonisht shumë librin që promovojmë sot, si pjesë e historisë së shkëlqyer të bujqësisë dhe specialistëve të krahinës së Libohovës, veçanërisht para viteve 1990. Autorët kanë ndërthurur shumë mirë jetëshkrimet e specialistëve me historikun dhe zhvillimin aktual të bujqësisë së Libohovës duke vendosur theksin tek lashtësia, tradita, agroturizmi dhe produktet biologjike. 

Për mua, vlera e këtij libri qëndron më shumë tek ndërgjegjësimi i të rinjëve që ta shohin modelin jo vetëm tek pak profesione të mbivlerësuara. Veçanërisht sot, kur e ardhmja jonë dhe sigurimi i ushqimit kërcënohet nga pandemia dhe ndryshimet klimatike, etj., arsimimi në bujqësi garanton mbijetesën dhe mirëqenien tonë. Kjo krizë e ka origjinën tek mospërfillja jonë se nga vjen ushqimi që konsumojmë, kur nuk njohim dhe interesohemi për problemet që kanë ata që e prodhojnë këtë ushqim, kur i besojmë tregtarëve që nxiten nga interesa të mirëfillta fitimi dhe nuk mbrojnë prodhimin vendas. Është e vështirë të kuptosh se si brezi ynë, ndryshe nga një brez përpara nesh, është shkëputur kaq shumë nga ajo që është esenca e qënies sonë. Tani është momenti që ne të ri-lidhemi sërisht me bujqësinë. 

Libri që promovojmë sot na ndihmon pikërisht për këtë. Unë jam i lidhur me bujqësinë por kisha nevojë të lidhesha me Libohovën, ndaj edhe falënderoj autorët e librit dhe drejtuesit e Bashkisë që e bënë këtë. Që këtej e tutje, Libohovën do ta kem jo vetëm në mendje por edhe në zemër.”

“MIRËNJOHJA E QYTETIT”, Qerim Demir Bejleri (pas vdekjes)

Me motivacionin:

"Për  kontribut  të  veçantë  në  zhvillimin  dhe  përparimin  e  ekonomisë                          bujqësore   shqiptare  në  rrethet  Vlorë  e  Sarandë  dhe  aftësimin  praktik                                     të  nxënësve  në shkollën  e  mesme  bujqësore  Delvinë.”

Pas marrjes së çertifikatës, vajza e tij Pranvera Bejleri Brinja u shpreh: “ Në këto momente ndjehem e lumtur, e emocionuar, por edhe me shumë mall për babanë tim. Kanë kaluar shumë vite që im atë është larguar nga kjo jetë, dhe unë jam e prekur, por edhe krenare për punën dhe kontributin e tij. Për vlerësimin me mirënjohje dhe respekt që i bëhet kontributit të tim eti në fushën e zhvillimit të bujqësisë, falënderoj Këshillin Bashkiak dhe Bashkinë e Libohovës! POR në mënyrë të veçantë, sepse sigurisht që e meriton, falënderoj Besnikun për botimin e librit, por edhe si një ish nxënës i babait tim. Besniku për gati një vit të tërë më futi në emocionet e librit duke kërkuar materiale për babain tim, përpos atyre që ai i dinte. Falënderoj edhe bashkëautorin zotin Jani Rafti! Një falënderim për të gjithë ju pjesmarrës në këtë aktivitet! Unë u preka shumë kur dëgjova emrin e babait. Kjo më ndodh gjithmonë. Mu mblodh një lëmsh në gjoks dhe zëri mu drodh. Ja që s'do të thotë gjë që të kesh një jetë në skenë dhe ta zotërosh atë kur bëhet fjalë për mallin e njeriut që të solli në jetë dhe ai të mungon prej vitesh! Faleminderit të gjithëve!”

Pranvera Bejleri Brinja duke përshëndetur të pranishmit

“MIRËNJOHJA E QYTETIT”, Jate Selami Shehu (pas vdekjes)

Me motivacionin:

"Për kontribut  të  veçantë  në  zhvillimin  dhe  përparimin  e  ekonomisë  bujqësore dhe  asaj  pyjore  të  zonës  së  Libohovës .”

 

Djali i tij Ismail Shehu u shpreh: “ Si djali i Jate Shehut që për pak ditë ka 100 vjetorin e ditëlindjes,  falënderoj Këshillin Bashkiak  për vlerësimin që i bëri babait tim.  Në këtë vend ku jemi mbledhur sot, dua të them se babai im është me gjak Ismailati dhe unë ndjehem krenar për këtë. Sakrificat dhe vuajtjet  e tij në jetë janë të shumta. Kam shumë kujtime nga ky vend! Faleminderit Besnik dhe Jani për gjithçka keni bërë!”

 

“MIRËNJOHJA  E  QYTETIT”, Koço  Panajot  Bukuvalla (pas  vdekjes)

Me motivacionin:

"Për  kontribut  të  veçantë  në  zhvillimin  dhe  përparimin  e  ekonomisë        bujqësore dhe  asaj  pyjore  të  zonës  së  Libohovës.”

 

“MIRËNJOHJA  E  QYTETIT”, Stefan  Niko  Gogo(pas  vdekjes)

Me motivacionin:

" Për  kontribut  të  veçantë  në  zhvillimin  dhe  përparimin  e  ekonomisë bujqësore  të  zonës  së  Libohovës .”

 

“MIRËNJOHJA  E  QYTETIT”, Z.Vladimir  Sibe  Kulla

Me motivacionin:" 

Për  kontribut  të  veçantë  në  zhvillimin  dhe  përparimin  e  ekonomisë bujqësore  të  zonës  së  Libohovës .”

 

“MIRËNJOHJA  E  QYTETIT”, Koço  Petro  Mandi(pas  vdekjes)

Me motivacionin:

" Për  kontribut  të  veçantë  në  zhvillimin  dhe  përparimin  e  ekonomisë  bujqësore  të  krahinës  së  Zagories .”

 

“MIRËNJOHJA  E  QYTETIT”, Z.Qerim  Avdul  Vedra

Me motivacionin:" 

Për  kontribut  të  veçantë  në  zhvillimin  dhe  përparimin  e  ekonomisë bujqësore  në krahinën  e  Libohovës .”

 

 “MIRËNJOHJA  E  QYTETIT”, Z.Arqile  Perikli  Hila

Me motivacionin:

" Për  kontribut  të  veçantë  në  zhvillimin  dhe  përparimin  e  ekonomisë  bujqësore  në   krahinës  e  Zagories .”

 

Në përshëndetjen e vet, Arqile Hila tha: ” Falënderoj autorët e librit Besnikun dhe Janin për punën e bërë si dhe bashkinë Libohovë për vlerësimin që na bëri. Me kalimin e moshës njeriut i vjen mirë të vlerësohet qoftë dhe kur s'meriton. Meqënëse kam para Ministrin e Bujqësisë, desha ti them për të rritur përpjekjet për më shumë mbështetje për bujqësinë, pasi ajo zë një përqindje të lartë në ekonominë shqiptare.”

“MIRËNJOHJA  E  QYTETIT”, Z.Kadri  Avni  Beqari  

Me motivacionin:

" Për  kontribut  të  veçantë  në  krijimin,  zhvillimin  dhe  organizimin  e  ekonomisë  bujqësore  private  për  kultivimin  dhe  përpunimin  e drithrave  të  bukës  në  krahinën  e  Libohovës,  shembull  i  veçantë  për  ekonominë  e  sotme  bujqësore  shqiptare.”

 

“MIRËNJOHJA  E  QYTETIT”, Z.Fredi  Afrat  Mahmutaj 

Me motivacionin:

" Për  kontribut  të  veçantë  në  zhvillimin  dhe  përparimin  e  ekonomisë bujqësore private  në përpunimin  tradicional  të  bulmetit  në  krahinën  e  Libohovës .”

 

 “MIRËNJOHJA  E  QYTETIT”, Z.Asim  Hysni  Banushi 

Me motivacionin:

" Për  kontribut  të  veçantë  në  zhvillimin  dhe  përparimin  e  ekonomisë  bujqësore  private  në  krahinën  e  Libohovës  në  kushtet  e  ekonomisë  së  tregut .”

 

“MIRËNJOHJA  E  QYTETIT”, Z.Hektor  Jakup  Shehu

Me motivacionin:

" Për  kontribut  të  veçantë  në  grumbullimin,  promovimin dhe  tregëtimin  e  bimëve  mjekësore  të  krahinës  së  Libohovës  në  kushtet  e  ekonomisë  së  tregut . ” 

 

“MIRËNJOHJA  E  QYTETIT”, Z.Firuzan  Arshi  Peça

Me motivacionin:

" Për  kontribut  të  veçantë  në  krijimin,  zhvillimin  dhe  përparimin  e  ekonomisë bujqësore  private  në  pemtari,  blektori  dhe  në  ruajtjen  e  pasurimin  e mjedisit  në  kushtet  e  ekonomisë  së  tregut  në  zonën  e  Libohovës .”

 

“MIRËNJOHJA  E  QYTETIT”, Mersin  Bejtash  Xhaxho(pas  vdekjes)

Me motivacionin:

" Për  kontribut  të  veçantë   në  krijimin,  zhvillimin  dhe  përparimin  e  ekonomisë bujqësore  private  në  vreshtari,  pjesmarrës  aktiv  në  veprimtaritë promovuese  bujqësore  në  krahinën  e  Libohovës .”

 

“MIRËNJOHJA  E  QYTETIT”, Z.Sedat  Izudin  Ismailati

Me motivacionin:

" Për  kontribut  të  veçantë  në  promovimin,  zhvillimin  dhe  pasurimin  e  kuzhinës    tradicionale  libohovite,  pjesmarrës  në  të gjitha  veprimtaritë  promovuese  lokale  e  kombëtare  në  fushën  e  kulinarisë.”

Sedat Ismailati duke përshendetur aktivitetin

 

Ministri i Bujqësisë dhe i Ushqimit, z. Bledi Çuçi,  i dorëzoi  vajzës së Prof. Dr. Hysen Çobani  “QYTETAR NDERI  LIBOHOVËS” (pas vdekjesme motivacionin: “Për  kontribut  të  shquar në  zhvillimin  dhe  përparimin  e  shkencës  bujqësore  shqiptare. Profesor  novator  dhe  pasurues  i  fjalorit  enciklopedik  shqiptar  në  fushën  e  perimtarisë  dhe  fruti-kulturës .” Duke përshëndetur të pranishmit në këtë aktivitet ai u shpreh se : “Libohova Kulturë dhe Agroturizëm”, një organizim që na bëri bashkë për të nderuar disa personalitete në fushën e bujqësisë dhe zhvillimit rural ndër vite, por edhe një moment tjetër për t’u njohur me prodhimet fantastike të kësaj zone. Falë politikave tona mbështetëse dhe një pakete të veçantë stimuluese dedikuar agroturizmit, sot kemi mbi 100 pika agroturizmi në të gjithë vendin. Së shpejti ne do të prezantojmë një aplikacion, i cili do të shërbejë si udhërrëfyes online për këdo që kërkon të provojë shijen e vërtetë shqiptare. Agroturizmi është një formë e re biznesi, por e domosdoshme për të patur zhvillim të qëndrueshëm në zonat rurale dhe sidomos për vende që nuk bëjnë dot bujqësi intensive.”

 

Në fjalën e saj përshëndetëse, vajza e tij, avokatja e mirënjohur  Eni Çobani u shpreh: “  Është kënaqësi  që sa herë ndodhem  në  Libohovë dhe jam mes jush, jam mes njerëzve të mi , ndjehem si në familjen time, por sigurisht sot kam një emocion të dyfishtë sepse sot marr edhe një titull për babain tim të ndjerë, i cili prej 5 vitesh i mungon familjes, i mungon shoqërisë, por i mungon edhe shkencës shqiptare.  Falënderoj shumë Këshillin Bashkiak që me pak vonesë, por më mirë vonë se kurrë nderoi figurën e Hysen Çobanit. Këtë e them jo si vajza e tij , por  them se ai ka qenë një figurë që besoj  se brezat do të flasin më shumë se ne fëmijët, edhe se vetë kolegët, se ndonjëherë na merret sikur lavdërojmë ata që na bënë, por në fakt jo vetëm kaq, sepse ata nuk ishin thjesht baballarët tanë, ata ishin baballarët e shkencës ,atdhedashurisë, miqësisë, të të gjendurit afër, sepse ka patur disa vlera të veçanta brezi i baballarëve, të vjen keq që sot fillojnë e po veniten , prandaj një falënderim të veçantë zonjës Luiza, Këshillit Bashkiak, por mbi të gjitha të dy autorëve, zotit Besnik dhe zotit Jani, të cilët  është e vërtetë, sikundër tha edhe një zonjë për babain e saj, ju keni një vit në fakt që na telefononi, na telefononi vazhdimisht për të marë foto, për të marë dëshmi, për të marë emocione nga ne. Të them të drejtën, sa herë telefonoje, më emocionoje. Tani doja ti thoja zotit Çuçi që , në fakt ju e njihni si ministër, unë e kam një mik të vjetër dhe një koleg të nderuar, se jam shumë e lumtur që ai sot është në krye të një fushe e cila është shumë e gjerë dhe e madhe, ashtu sikundër  edhe ai e përkroi, por dua ti them një gjë , që sakrifica e një agronomi është e jashtëzakonshme . Mendoni si mund të mbushen këto fusha pa dashurinë e atyre njerëzve! Ne ndoshta na ka munguar shumë babai jonë, pikërisht sepse ai ka dashur fushat, ka dashur varietetet, ka dashur perimet, ka dashur të ushqejë popullin e tij , dhe ndoshta për ne, jo se nuk gjente kohë, por vinte shumë vonë dhe ikte shumë herët. Mbaj mend gjithnjë një baba të madh fizikisht, por edhe në mëndje, që vetëm ora pesë e mëngjesit e gjente jashtë dhe ora tetë ose nëntë në darkë e sillte në shtëpi. Dhe shprehja më e mirë e kësaj sakrifice është gjysma e tij më e mirë, që unë jam e lumtur bashkë me vëllanë tim që e kemi akoma në jetë. Mamaja ime është shumë e emocionuar në fakt dhe nuk arriti dot të ngrihej e të vinte deri te mikrofoni dhe ma la mua sërish këtë barrë, që në fakt është kënaqësi, por do doja të fliste ajo si një mësuese e vjetër, por sot nuk ka fjalë, ka vetëm lot, ka emocion, sepse  Hyseni, më lejoni ti them kështu,  sot ai nderohet për emrin e tij, jo sepse  është babai apo bashkëshorti. Hyseni ishte një figurë e madhe me shumë përmasa dhe besoj që Besniku me Janin e njohin shumë mirë, por ka edhe një lidhje shumë të veçantë me Abedinin. Abedini i ktheu rrugën e jetës. Im atë si një student i shkëlqyer mbasi mbaroi gjimnazin, takon dajën e tij dhe ai e pyet se çfarë shkolle do vazhdosh? Im atë kishte ato dëshirat e një të riu, ndërkohë që Abedini i tha-jo, Hysen, ti do bëhesh agronom! Dhe im atë, sigurisht i papërgatitur për këtë ofertë të dajos së tij i tha – po si? - Po, - thotë Abedini- ti do bëhesh agronom! Dhe unë jam rritur mes dy figurave, me Abedin Çiçin dhe Hysen Çobanin. Tani mendoni se si mund të jetë një njeri i rritur midis dy figurave të bujqësisë, por edhe të shkencës. Vetëm varietet, që tani e dëgjova nga  Bledi ,që paska një Bankë  të ruajtjes së tyre, një pjesë të madhe  e atyre varieteteve janë të bëra nga Hyseni, dhe ndoshta po të ishim ne ata të interesit, do të kërkonim që ne të merrnim autorësinë e atyre gjërave, por ai i bëri për njerëzit, i bëri për popullin, e ka dashur këtë fushë më shumë se çdo gjë tjetër. I dha gjithçka, iku pa bujë, dhe mua për këtë më dhëmb pa fund, sepse një njeri i madh si ai nuk mund të ikte ashtu. Megjithatë ai preferoi të ikte pa bujë.  Sot jemi 5 vjet pas ikjes së tij dhe pas një jave është ditëlindja e tij, më 5 nëntor të vitit 1932, pra im atë pas një jave do të ishte 88 vjeç. Do isha shumë e lumtur që këtë titull ta tërhiqte ai, por dhe vendi që ka zgjedhur Luiza bashkë me këshillin bashkiak më kënaq, sepse është dhe  si nderim dhe bekim për shpirtrat e atyre që   ndoshta nuk janë me ne, por sot i lidh ky vend, kjo qetësi dhe kjo paqe që ju keni zgjedhur në nderim të tyre. Për ta mbyllur fjalën time, është sigurisht privilegj të vish në jetë, sepse jo të tërë vijnë në jetë e jetojnë mirë, por mbi të gjitha është krenari të jesh libohovit. Unë e them në çdo ditë të jetës time, pavarësisht që jam rritur në Tiranë në një ambient shoqëror shumë të mirë, por çuditërisht me shumë libohovitë. Edhe në Tiranë jam rritur mes libohovitëve, kështu që prandaj e them me krenari që e dua Libohovën, do të jem pranë libohovitëve, ju keni një shtëpinë tuaj tek ne, por edhe ne tek ju. Faleminderit edhe një herë për respektin, mbështetje dhe mirënjohje për gjithësecilin nga ju! Faleminderit!”

Znj. Eni Çobani në fjalën e saj përshëndetëse

 

 Titullin “QYTETAR NDERI”, Zj. Anastasia Zaho Dushi,  me motivacionin:

"Si aktiviste e shquar  shoqërore, si drejtuese shëmbullore në ekonominë bujqësore, në arsim si dhe në pushtetin lokal që gjithë jetën punoi me Zagoritët dhe për Zagoritët", e dorëzoi deputetja Mirela Kumbaro, e cila në fjalën e saj përshëndetëse u shpreh se : “Libohova është vendi i gjellëve më të mira dhe i vajzave më të bukura” shkruante Lord Byron tek përshkruante udhëtimin e tij në vendin e ujrave të Zhepës dhe të rrepeve të lashtë, ku Ali Pashai i ndërtoi kalanë së motrës Shanisha, e cila u martua në Libohovë. 

Prandaj “Libohova - kulturë e agroturizëm” ishte një ngjarje e duhur për të nderuar e falënderuar të gjithë ato personalitete si Abedin Çiçi e Hysen Çobani, e profesionistë si Sedat Ismailati, që në breza kanë punuar e punojnë për të mbajtur gjallë e kultivuar thesaret e tokës libohovite, bimët, pemëtarinë, bujqësinë e blegtorinë, artin e gatimit dhe ruajtjen e bimëve mjekësore me të cilat Libohova është aq e pasur. 

Libri i Besnik Ismailatit dhe Jani Raftit, ishte enciklopedia që i prezanton këto figura për sot e për trashëgiminë.

E gjitha kjo na mblodhi në një nga vendet më të bekuara të Libohovës siç është Teqeja e Baba Demirit, ku natyra dhe besimi janë në harmoni të përsosur me prodhimet e duarartëve të Libohoves.

Krenare Për Libohovën Time!” 

 

Deputetja Mirela Kumbaro i dorëzon titullin “Qytetar Nderi” bashkëshortit të znj. Anastasi Dushi

Në këtë aktivitet u organizua edhe panairi ku u bë prezantimi i prodhimeve  bujqësore e blektorale, atyre medicinale dhe gatimeve më  tradicionale të krahinës,  në të cilin u përfaqësuan mjaft fermerë . 

 


Aspekte nga panairi

Pjesmarrës në këtë aktivitet ishte edhe RTVSH me emisionin e vet për bujqësinë “Hapësirë e Blertë”, ku gazetari Marash Mirashi dhe operatori Erin Teliti  me mjaft dëshirë e përkushtim pasqyruan si zhvillimin e aktivitetit, por edhe punën dhe aaritjet e disa fermerëve të Libohovës, si dhe RTVSH Gjirokastra, i cili e trasmetoi  me një kronikë të zgjeruar  zhvillimin e tij.

 


Me gazetarin Marash Mirashi dhe operatorin Erin Teliti në Libohovë

Përkushtimi i treguar nga përgjegjësi i kulturës së bashkisë z. Arjan Çano për organizimin e kësaj veprimtarie, por edhe i punonjësve të sektorit të pastrim gjelbërimit të qytetit me përgjegjës Edmond Sala dhe në mënyrë të veçantë i zotit Fredi Mahmutaj që me dëshirë dhe preokupim të veçantë përgatiti këtë vend të mrekullueshëm, krijuan mundësinë e zhvillimit të një aktiviteti model dhe mjaft domethënës për vlerat e Libohovës në sektorin e agroturizmit.



Doli nga shtypi libri “AGRONOMËT DHE ZOOTEKNIKËT E KRAHINËS SË LIBOHOVËS NË VITE -  Nga Abedin Çiçi te brezi i ri “

Pas një pune mbi një vjeçare, sapo doli nga shtypi libri i ri “AGRONOMËT DHE ZOOTEKNIKËT E KRAHINËS SË LIBOHOVËS NË VITE -  Nga Abedin Çiçi te brezi i ri”. Autorë të tij janë Agr. Besnik Ismailati dhe Agr. Jani Rafti . Redaktor i librit është mësuesi libohovit i letërsisë Zaim Hysa , ndërsa kopertina e tij u realizua me mjaft profesionalizëm nga Elio Bufi nga Nepravishta, student i universitetit “Marin Barleti”. Është  shtëpia botuese “ARGJIRO”  ajo që e realizoi me mjaft profesionalizëm dhe cilësi botimin e tij. 

Parathënia e librit është përgatitur me mjaft profesionalizëm dhe saktësi nga intelektuali libohovit Ing. Thanas Verdhi, i cili që në fillim të saj shprehet se : “Çdo gjë e shkruar për Libohovën, qoftë  për sektorë të veçantë të ekonomisë, ka brenda saj edhe një pjesë të historisë së qytetit tonë. Libri “AGRONOMËT DHE ZOOTEKNIKËT E ZONËS SË LIBOHOVËS NË VITE”, përgatitur nga  zotërinjtë Besnik Ismailati dhe Jani Rafti, është një dritare e hapur që hedh dritë mbi një sektor të rëndësishëm e jetik siç është bujqësia. Materiali paraqet në vija të përgjithshme zhvillimin e bujqësisë të zonës tonë, si dhe jetëshkrimet e agronomëve dhe zooteknikëve libohovitë të shekullit të shkuar e në vazhdim, që fillon me një nga “pionierët” e agronomisë shqiptare, Abedin Çiçi dhe deri te specialistët më të rinj libohovitë.

Libri në përmbajtjen e vet nis me një parathënie mbi profesionin e agronomit të paraprirë me citatin: “Vetëm arti i bujqësisë, i cili padyshim është shumë i afërt me diturinë , ose  më mirë, natyra e tij , nuk ka as dishepuj  dhe  as mësues.”  , Lucio Giunio  i njohur me emrin  Columella (Kolumela) – shkrimtar romak i agronomisë. Më tej ajo vazhdon me pyetjen : “Por  ç’do të thotë të jesh agronom?”, ku midis të tjerave citohet se : “Libohova si një qytet i  lashtë i krijuar mbi 2500 vjet më parë, është padyshim një prej zonave me histori e traditë shumë të pasur në histori, art, kulturë , ashtu edhe në  bujqësi në të gjitha trevat shqiptare dhe me thënien e  Xhorxh Gordon Bajronit  kur vizitoi  shumë zona të Shqipërisë në vitin 1809, i cili është shprehur se: "Libohova është një vend i bukur natyror. Këtu kam provuar gjellët më të shijshme dhe kam parë vajzat më të bukura".

Mjaft studiues apo specialistë të fushave të ndryshme kanë shkruar dhe kanë prezantuar aspekte të caktuara të zhvillimit social – ekonomik të Libohovës. Qëllimi ynë me këtë botim është që ta njohim lexuesin me veçoritë natyrore dhe resurset e zhvillimit të bujqësisë të Libohovës, dhe njëkohësisht të evidentojmë rolin e veçantë të mjaft specialistëve agronomë të lindur apo edhe me origjinë nga Libohova, të cilët me punën dhe aftësitë e tyre profesionale kanë lënë gjurmët e tyre kudo në bujqësinë mbarëshqiptare, pse jo edhe më gjerë.  Një pjesë e veçantë e tyre padyshim që përbëjnë edhe ajkën e shkencës shqiptare të bujqësisë dhe qëndrojnë në majat e saj, siç janë mjeshtrat e mëdhenj të pemtarisë, perimtarisë dhe shkencave të tjera bujqësore Abedin Çiçi, Hysen Çobani, etj. 

Më tej libri vazhdon me materiale të ndryshme, si : “DISA PROBLEMATIKA TË ZHVILLIMIT AKTUAL TË BUJQËSISË NË BASHKINË LIBOHOVË’,  përgatitur nga kryetarja e bashkisë Libohovë, znj. Luiza Mandi; si dhe shkrimi: VLERËSIM PËR LIBRIN “AGRONOMËT DHE ZOOTEKNIKËT E KRAHINËS SË LIBOHOVËS NË VITE - NGA ABEDIN ÇIÇI TE BREZI I RI”, përgatitur nga prefekti i qarkut Gjirokastër, z. Astrit Aliaj.

Në brendësi të librit lexuesi do të njihet me shkrimin: “RËNDËSIA E ZHVILLIMIT TË BUJQËSISË NË DITËT E SOTME”; LIBOHOVA GJATË VITEVE 1900 – 1945- Sipas materialit të shkëputur nga gazeta “Libohova” nr. 11, gusht 2004- Studim nga Agr. Abedin Çiçi dhe Agr. Selaudin Çomo, me titull: “Libohova gjatë viteve 1900 – 1945”; ZHVILLIMI I EKONOMISË BUJQËSORE NË LIBOHOVË PAS ÇLIRIMIT TË VENDIT; PEMTARIA DHE VRESHTARIA TRADICIONALE E ZONËS TË LIBOHOVËS, VLERË E VEÇANTË NË ZHVILLIMIN E EKOTURIZMIT; “KULTIVIMI I VRESHTAVE NË LIBOHOVË QË NGA KOHA E LASHTËSISË.”, përgatitur nga Sulejman Jusufati, në bazë të materialit studimor të z. Abedin Çiçi dhe Selaudin Çomo; “Tradita libohovite në pemtari e vreshtari, shembull  tipik i prodhimeve shqitare biologjikisht të pastra e cilësore.”; EKOTURIZMI NË LIBOHOVË - LIBOHOVA  ME  KUSHTE  TË FAVORSHME EKOTURISTIKE -përgatitur nga z. Vladimir Hide; PORTA TË HAPURA BASHKËPUNIMI - (konferencë për bashkëpunimet europiane dhe turizmin, organizuar në qytetin e Libohovës nga Rajoni i Gjirokastrës dhe ai i Epirit Zagori-Janinë-Greqi.; SEDAT ISMAILATI, HEKTOR SHEHU DHE FREDI MAHMUTAJ, SHEMBUJ TIPIKË TË RUAJTJES DHE PËRHAPJES  SË VLERAVE EKOTURISTIKE SPECIFIKE  TË LIBOHOVËS, FERMA “AGRO BEQARI” NË NEPRAVISHTË - KONKURENTE E DENJË NË EKONOMINË E SOTME BUJQËSORE SHQIPTARE.

Më tej libri vazhdon me një shkrim studimor “DISA KONSIDERATA TË PËRGJITHSHME PËR ZONËN  E LIBOHOVËS”; “ULLIRI NË LIBOHOVË”  dhe  “DISA TREGUES  STATISTIKORË PËR BUJQËSINË, QYTETI LIBOHOVË (PERIUDHA KOHORE 2016- 2019)”.

Në pjesën e veçantë të librit, një hapësirë mjaft të gjerë zënë shkrimet  me titull “KONTRIBUTE TË  AGRONOMËVE LIBOHOVITË “, ku midis të tjerave citohet se : “Me kontribute të tilla janë edhe agronomët  libohovitë  kudo nëpër Shqipëri, puna dhe veprimtaria e të cilëve ka lënë gjurmët e veta  të pashlyera  kudo nëpër arat, kodrat , sektorët e ndryshëm të ekonomisë bujqësore, si edhe në auditoret e shkollave të mesme e të larta bujqësore, apo edhe në laboratorët e ndryshmëm të kërkimit shkencor. Një pjesë e tyre përbëjnë edhe ajkën e shkencës së agronomisë shqiptare të njohur e të respektuar brenda e jashtë kufijve shtetërorë, siç mund të përmendim : korifejtë e mëdhenj Abedin Çiçi dhe Hysen Çobani, të pasuar nga Miço Malita, Bajazit Habipi, Idriz Çomo, Selaudin Çomo, Maksut Çomo, Petrit Kalakula,  e duke vazhduar me brezin pasardhës si Ilir Çiçi, Miço Budri, Bashkim Peça, Jani Rafti, Dervish Çaushi, Besnik Ismailati,  Vasil Pano, Vasil Boçi, Parashqevi Bane,  Kristaq Begzo, Endrit Kullaj, Vasil Boçi,   Muzafer Idrizi, Mefa Idrizi,  sikurse edhe brezin aktual  të   agronomëve  të rinj si  Elvis Tusuni,  Ledion Beqo dhe Levend Tusuni. Edhe  brezi   i   agronomëve të vjetër  libohovitë   të shkollës   teknike  “ Harry Fultz” si Baftjar Ruli, Jate Shehu, Qerim Bejleri, Xhafer Goxha dhe Fildus Bukali, i pasuar nga brezi pasardhës i agronomëve të mesëm të përgatitur në shkollat e  mesme bujqësore të Libohovës , Delvinës e gjetkë , ka dhënë kontributet e veta në zhvillimin dhe përparimin e ekonomisë bujqësore në periudha të ndryshme.”

Jetëshkrimi dhe kontributi i specialistëve agronomë në libër  fillon me ABEDIN DERVISH ÇIÇI - SIMBOL I FRUTIKULTURËS DHE PERSONALITET I AGRONOMISË SHQIPTARE- MJESHTËR I MADH - QYTETAR NDERI  I LIBOHOVES , vazhdon me jetën dhe veprimtarinë e Prof. Dr. HYSEN HAJDAR ÇOBANI -MJESHTËR I MADH,  BAJAZIT   HAMIT   HABIBI, PETRIT KALAKULA- nip nga Libohova, IDRIZ  NIAZ  ÇOMO – AGROPEDOLOG, MAKSUT FEJZI ÇOMO, SELAUDIN ÇOMO, DHIMITËR VANGJEL MALITA, MIÇO  GAQE  BUDRI, BASHKIM ALIZOT PEÇA, JANI VASIL RAFTI, ILIR ABEDIN ÇIÇI, DERVISH MANXHAR ÇAUSHI, BESNIK HAJREDIN ISMAILATI, VASIL FILIP PANO, PARASHQEVI MIHAL  BANE (PRIFTI), VASIL DHIMITËR BOÇI, KRISTAQ  VASIL  BEGZO, MUZAFER RAMIZ IDRIZI, MEFA IDRIZI, ENDRIT  SKËNDER KULLAJ - NIP NGA LIBOHOVA, ELVIS VILSON TUSUNI, SHERIF ZIVER RUÇI - Ing. Teknologji Ushqimore, LEDION HAXHI BEQO dhe LEVEND MENTOR TUSUNI.

 Një kapitull më vete  në faqet e librit zënë edhe shkrimet me titull  “AGRONOMË TË SHQUAR  LIBOHOVITË ME ARSIM TË MESËM BUJQËSOR, TË DIPLOMUAR PARA VITEVE 1944”, si : QERIM DEMIR BEJLERI, JATE  SELAMI  SHEHU, BAFTJAR  DILAVER  RULI, FILDUS REXHO  BUKALI, XHAFER BAJO GOXHA dhe  KOÇO BUKUVALLA.

Po kështu në libër  shkrimi me titull  KOPSHTI  BOTANIK  -  SHKOLLA  8   VJEÇARE “AVNI RUSTEMI”  LIBOHOVË’ dhe “BAZA  PRODHUESE  E  SHKOLLËS SË MESME  BUJQËSORE LIBOHOVË”,  pasqyron veprimtarinë  dhe përpjekjet e mësuesve, nxënësve  dhe punonjësve të dyja shkollave në aftësimin praktik dhe përgatitjen e kuadrove të rinj të bujqësisë.

Vëmendje e posaçme në libër i është kushtuar edhe kontributit dhe rolit të mjeshtarve të shquar libohovitë të frutikulturës si Hiqmet Meçani, Titin Kumbaro dhe Nihat Arapi.

Me sugjerimin dhe kërkesën e mjaft kolegëve tanë, në libër në mënyrë të përmbledhur përshkruhet edhe veprimtaria e specialistëve agronomë të fshatrave Nepravishtë, Bulo, Labovë, Suhë, Selckë dhe Zagorie.

Po kështu në faqet e tij gjendet edhe lista emërore e specialistëve të ndryshëm agronomë që kanë dhënë kontributin e tyre në ekonomitë bujqësore të Libohovës dhe në shkollën e mesme bujqësore “11 shkurti” Libohovë.

Në libër është përfshirë edhe lista emërore e të gjithë specialistëve të mesëm agronomë, zooteknikë, zooveterinerë, veterinerë, agrozooteknikë, teknikë bujqësie me arsim 2 vjeçar, ekonomistë agrarë dhe teknikë pyjesh   që kanë mbaruar shkollën e mesme bujqësore Libohovë me dhe pa shkëputje nga puna.

Në një kapitull më vete në libër përshkruhet edhe veprimtaria  dhe kontributi i zooteknikëve të lartë të krahinës së Libohovës, si aleatë dhe bashkëpunëtorë të pandarë me specialistët agronomë, siç janë  PANDELI VASIL RAFTI, GËZIM SKËNDER HUNDA, QERIM AVDUL VEDRA, ERENA   BARDHO ÇUÇI (ÇOBANI), SPIRO GAQO SPIRO, AGO RAMIZ TAHIRAJ, KOÇO VANGJEL MEÇI, ARQILE PERIKLI HILA, ANDRONIQI KIÇO HILA (GJINI), RAHIM  LUTFI SKËNDERI, PETRO KIÇO KUSHTI, BESNIK NELO MEÇI dhe BUKURI BRAHO ÇEPO ( HODAJ). Meqënëse për mjekët dhe specialistët veterinerë të Libohovës ka shkruar Prof. Dr. Uran Asllani, sqarojmë se në faqet e këtij libri nuk është përfshirë veprimtaria e tyre.

Libri përfundon me kapitullin “MBRESA E KUJTIME PËR AGRONOMËT E LIBOHOVËS DHE ZONËS SË SAJ”, ku një ndihmesë me vlerë kanë dhënë shkrimet e  mjaft kolegëve dhe miqve tanë si : BEGË MUSTA- Profesor i Assiocuar, Doktor i Shkencave; Jorgo Dhimpali, ish drejtor shkolle në Teknikumin Bujqësor të Delvinës; Kosta Kuruni,  ish drejtor i parë  në Shkollën e Mesme Bujqësore, “11 Shkurti”,  Libohovë; Thanas Xhumba, ish drejtor i shkollës së mesme bujqësore Libohovë; Prof.Ass.Dr.Enver TOME – kërkues shkencor ; Hetem Bidaj- specialist bujqësie,Fier; Luan Kaceli – Universiteti Politeknik i Tiranës; Gjon Fierza - Specialist në Drejtorinë e Pyjeve në Agjencia Kombëtare e Mjedisit; Lale Çomo, etj. etj.

 Në fund të librit lexuesi do të gjejë një album fotografik si dhe literaturën e përdorur.

Qëllimi ynë me përgatitjen dhe botimin e këtij libri ishte dhe mbetet njohja nga ana e lexuesit për rolin dhe kontributin e specialistëve të bujqësisë nga e gjithë krahina e Libohovës për shumë e shumë dekada, me idenë që ky burim informacioni do t’u shërbejë sadopak brezit të specilaistëve të sotëm të kësaj fushe në veprimtarinë e tyre prodhuese dhe studimore. 

Jemi të bindur dhe të ndërgjegjshëm se nuk kemi bërë idealen dhe gjithçka në këtë libër, por njëkohësisht me dashamirësi mirëpresim vërejtjet, sugjerimet dhe mendimet e lexuesit, në mënyrë që çdo pasaktësi apo mangësi të korregjohet në rastin më të parë të ribotimit të tij.  Të gjithë protagonistët e përmendur me jetëshkrimet e tyre, por edhe ata që përmenden me listat emërore në faqet e këtij  libri, për ne  si autorë meritojnë respektin dhe vlerësimin më të madh për gjithçka ata i kanë dhënë Libohovës, shoqërisë, ekonomisë, shkollës dhe shkencës bujqësore mbarëshqiptare. 

Përgatitën materialin:

Besnik Ismailati; Jani Rafti; Zaim Hysa