Sunday 3 June 2018

GJELBËRIMI NË QYTETE

nga Prof. As. Dr. Zef GJETA 

 Tiranë

Zef GJETA 

Prej kohësh më shqetëson një fenomen për të cilin organet kompetente, ato që në fakt merren me këtë punë, ose nuk dijnë sa duhet, ose nuk duan, ose që të dyja. Bëhet fjalë për gjerbërimin në qytete, por edhe më gjerë, në rrugët tona locale apo kombëtare.

Fillimisht, drejtuesit e njësive vendore dhe ato të qeverive, nuk janë interesuar për çështje të gjelbërimit, ose janë marrë fare pak me to. Me një fjalë, gjelbërimi, hapësirat e blerta publike vazhdimisht kanë përberë një “dhimbje koke” më shumë, për drejtuesit e strukturave të ndryshme të pushtetit. Me kalimin e kohës, disa shoqata dhe organizata, kryesisht me nxitjen dhe mbështetjen e donatorëve të ndryshëm filluan të lobojnë për çështje që lidhen me gjelbërimin. Ato u përqëndruan në sensibilizim të publikut dhe të organeve kompetente, në gritje kapacitetesh, etj. dhe bënë shumë pak e deri në aspak në lidhje me investime konkrete në fushë të përmirësimit të situatës së gjelbërimit.

Më pas, ishin edhe vetë organet e pushtetit vendor, kryesisht bashkitë e mëdha që filluan të kushtojnë më shumë punë e para në drejtim të gjelbërimit të ambjejteve publike. Për pasojë edhe situate ndryshoi e po ndryshon përditë, duke u shtuar sipërfaqja e gjelbëruar në ambjente të brendëshme të qyteteve dhe në rrugë ndërqytetëse.

Në pamje të parë, por edhe në përgjithësi, kjo është një përmirësim i situatës, është një lëvizje positive. Por, duke e parë më në thellësi problemin ka edhe mjaft probleme. Tre nga problematikat më të rëndësishme mund të veçohen:
• Rendja pas sasisë duke mos u kujdesur për cilësinë;
• Mungesa e një plani për qëndrueshmëri të investimit;
• Tendenca për të mbjellë bimë të huaja (që nuk janë tipike të arealit shqiptar);
• Kopjimi i një iniciative a modeli (kryesisht që shfaqet së pari në Tiranë dhe e kopjojnë zonat e tjera).
Që të trija këto kanë dëmtuar e po dëmtojnë gjithnjë e më shumë shtimin e sipërfaqes së gjelbërt në vend, e bashkë me të edhe cilësinë e jetesës së popullatës. Por, ajo që është më shqetësuese (sëpaku këeshtu më duket mua), është se po vazhdojmë me “galop” në këtë drejtim, pa u shqetësuar “qytetarët”, pa u shqetësuar organet kompetente dhe pa u shqetësuar as specialistët e fushës përkatëse.

Tendenca e parë është një karakteristikë tipike e jona, sidomos në këto tri dekadat e fundit, ndikuar edhe nga psikologjia e kaluar kur shqetësoheshim më shumë për “letrat” sesa për atë se sa “bereqet” kanë veprimet dhe veprimtaritë e zhvilluara. Një shfqje tipike e “rendjes pas sasisë” ishte iniciativa e fundit e kryebashkiakut të kryeqytetit, kur rëndësi parësore kishte një numër i caktuar prej tij, sesa llojshmëria e pemëve të mbjella, cilësia e mbjelljes (përfshi këtu gropën, plehun e përdorur, përdorimin e ujit, ëtj.). rezultat i kësaj janë dështimet e shumta në pemët e mbjella.
  
Pikërisht këtu lidhet edhe pika e dytë e dobët që shfaqet në aktivitetin tonë referuar shtimit të sipërfaqeve të gjelbëra në ambjentet publike. Për shkak edhe të terrenit ku janë mbjellë pemët (bimët zbukuruese dhe gjelbëruese), por edhe për shkak të mos planifikimit si duhet të veprimtarive të nevojshme lidhur me ndjekjen e mbirjeve dhe shëndetin e mirë të bimëve të mbjella, ka mundësi që një pjesë e mirë e pemëve të mos i “zërë motmoti”. Kjo do të thotë se shumë nga përpjekjet e bëra për mbjelljen por edhe për mediatizimin e këtij “aksioni”, do të shkojnë kot. Ndaj kërkohet që karhas më planifikimin dhe ndërmarrjen e aktiviteteve me rëndësi, të ndërtohet edhe një plan i qartë që duhet të zbatohet në lidhje me qëndrueshmërinë e punës së kryer.

Pika e tretë e dobët është e lidhur me tendencën për të mbjellë bimë të huaja (që nuk janë tipike të arealit shqiptar). Rasti më flagrant ishin palmat e mbjella në rrugën e Durrësit, deri tek mbikalimi i Kasharit. Por, ka edhe raste të tjera të shumta që shfaqet kjo tendencë. Le ta sqarojmë: shumë bimë që përdoren në ambjentet e lulushteve të qyteteve, kanë një mënyrë të lehtë të shtimit të tyre, kanë zënie të lehtë dhe durojnë krasitje dhe dhënie të formave sipas dëshirës. Por nuk janë vetëm këto bimë që i kanë këto karakteristika, janë edhe bimë të tjera që i shfaqin këto karakteristika, por shfaqin edhe avantazhe të tjera: siç është prodhimi i luleve dhe frutave të dobishëm. Pra, pyetja që shtroj është: pse të mos mbjellim shegë e dafinë, levandul dhe sherebelë, rozmarinë dhe trumzë në lulishtet e qyteteve tona? Pse të mos mbjellim kumbull e frashër, panjë e gështenjë (në ato raste kur edhe mikroklima e favorizon)?! E këto të jenë në vend të palmave, oleandros, ligustave, e të tjerave që janë shumë bajate ti shikosh në lulishtet tona. 

Ndërsa pika e katërt shumë në dëm të një diversifikimi të bimëve të mbjella dhe krijimit e ruajtjes së identiteti të qyteteve tona është kopjimi i një iniciative a modeli (kryesisht që shfaqet së pari në Tiranë dhe e kopjojnë zonat e tjera). Kështu, kudo janë shtruar pllaka të kuqe (si ato të shëmtuarat në Bulëvardin e Tiranës), kudo po mbillen palma, kudo po mbillen rrapa apo rrapenj (në Shkodër njihen me emrin çinar). Që të dyja këto bimë kanë specifikat e veta dhe duhet të mos teprohet me përhapjen e tyre. Fillimisht, palmat përveçse nuk janë tip[ike të vendit tonë (janë simbol i shkretëtirës),nuk kanë ndonjë pamje për tu patur zili, nuk lëshojnë ndonjë hije të konsiderueshme, e për më tepër kushtojnë shtrenjtë dhe dëmtohen lehtë një një dëmtues që ka gjetur shumë përhapje këto kohë. Ndërsa rrapat, janë të bukur në vitet e para, më pas bëhen shumë të rrezikshëm: thithin shumë ujë, kanë sistem rrënjor shumë të fuqishëm dhe çojnë trotuaret dhe rrugët, duke sjellë shpenzime marramendëse për riparimin dhe mirëmbajtjen e këtyre rrugëve. 

Habitem pse specialitet e vendit tonë, nuk rekomandojnë në shtimin e bimëve të vendit si: frashëri, krekza, thana, panja, e shumë të tjera (duke i përshattur për ato qytete që kanë mikroklimë të përshtatëshme për to, megjithëse shumica e tyre bëhen kudo). Nga ana tjetër, në anë të rrugëve nacionale duhet me patjetër të ndërhyjmë në mbjelljen e bimëve prodhuese (pemë me fruta), të tilla si: shega, ulliri, gështenja, lajthia, arra, etj. Kjo duhet të bëhet sipas specifikave që kanë zonat. Psh. Sugjeroj që rruga Shkodër Tiranë të mbillet më nga tre rrreshta me shëge. Një bimë e bekuar nga Perëndia, shumë e lehtë në zënie, pa kërkesa të ekzagjeruara për ujë apo shërbime, që duron çdo lloj krasitje, që shfaq 2-3 muaj një lule të mrekullueshme, që shfaq për 2-3 muaj një frut shumë interesant (pra që përmirëson shumë pamjen e dy anëve të rrugës), por që jep në fund një frut që është i pakëtuar për bukuri dhe që ka vlera shumë, shumë të larta për shëndetin e njeriut. Nga ana tjetër, bima e shegës, vetë trungu i saj nuk është i rrezikshëm në rast të daljes së makinës nga rruga, përgjithësisht mund të ndalojë makinën, por nuk ka atë forcë sa të mbysë pasagjerët.
Në këtë logjikë, duke marrë edhe masat e duhur për distancën nga rruga, duhet të vazhdohet edhe me bimët e tjera frutëdhënëse të paraqitura më lart, sipas tipicitetit të zoonës ku do të mbillën: në Tropojë gështenja, e në Vlorë ulliri, e kështu në vijim.

Jam me shpresë se dikush dhe dikur do ti bjerë në mend që të reflektojë në lidhje me këtë shqetësim i cili nëse do të adresohet do të shtojë shumë bukurinë e vendit, por nga ana tjetër do të kursente para dhe do të shtonte shumë cilësinë pozitive të parametrave të shëndetit të popullatës. 

Prof. As. Dr. Zef GJETA



Rruget e Bostonit, SHBA gjelberuar me lisa ( foto nga K. Mosko)