Friday 28 August 2020

TOKȄ FORMIMI I SHTRATIT TȄ DRINIT TȄ ZI DHE GJALLESAT

  Studim

nga: dr. Selman MËZIU

Firence, ITALI

Selman MËZIU

Formimi i tokës në të gjithe shtrirjen vertikale e horizontale në shtratin e Drinit, është një proqes lëvizje masash gurësh, zhavori rëre, dherash e dukurish fiziko-kimik miliona vjeçar, tokë formuese në krijim e zhdukje të vazhdueshme në pjesët më të zgjeruara të tij. Ndërhyrjet e njeriut mund e duhet te kufizojn këto dukuri shkatrrimtare në shtratin e brigjet e tija me relieve të ndryshme.

Do të përpiqemi të trajtojm formimin dhe shkatërrimin e tokave në shtratin e rrjedhjes të lumit të Drinit të Zi nga Gryka e Hoteshit ku ndodhet ura mbi Drin në Kantundin e Ri të Luznisë deri aty ku mendohet t’i behet prit atij, për ta ndaluar, në Skavicë, ngushticë e cila është ononim i fshatit në krahun Prendimor.

 

I. Dukuritë e formimit të tokës

Kalimi i ujrave të Drinit të Zi në këto hapsira shtratësore me gjërsi të ndryshme nuk ndjekin gjithmon të njëjtën udhëkalim. Gjarpërimi i tyre, ndryshimi i shtrat rrjedhjeve, varet nga sasia rreshjeve atmosferike (990 mm në vit), intensiteti I tyre, stinët e vitit, bashkë me dukurinë e shkrirjes së borës në vargmalet e coptuara në të dy anët e luginës së Dirinit të Zi. Gjithashtu nga pengesat bimore e prurjet e ngurta shume dimensonshe të shtresezuara që ka sjellur rryma e ujit në vitet e mëparshme kur kërkonte të ndryshoi shtratin. Këto ndryshime ndodhin jo rrallë, ku prurjet mesatare te Drinit të zi jane 116 m³/sek. ndërsa vërshimet me prurje kulmore përsëriten jo rrallë herë. Pra përgjatë shtratit të gjërë ai ‘’hedh vallen,, si të dojë. Duke ndryshuar shtrat kalimin e ujrave me shumë përdredhje, nga një vit në tjetrin, lidhur ngushtë me parametrat klimatik mbi të gjitha të sasisë e intensitetit të rënjes së shirave e sasisë së borës në vargmalet në të dy anët e pellgut të Drinit të Zi.

 

Në qendrën e vërshimit, forcës potenciale të tij, janë prurje të trasha, më pas duke u larguar nga rryma qëndrore drejt bregut ato shtresëzohen në zhavorre, rëra, lymëra, aluvione e formacione argjilore e humusore në pjesët më të skajshme. Kjo përfytyrohet lehtësisht, po të kryejm një prerje tërthore të shtratit ku kalojn ujrat. Ȅshtë me rëndësi të madhe kuptimi, perceptimi i formimit të zhavorishteve, tokave ranore, apo primitive, kuptim formimi i tyre. Kjo për arsye të dinamikës së formimit të tyre dhe studimi i mundësisë së shfrytëzimit të tyre ne dobi të fshatrave buzë drinasve. Për të kuptuar më mire mekanizmin e formimit të këtyre tokave, shfrytëzimin e tyre ne jemi konsultuar me një burim shkencor për lumenjt kryesor të shqipërisë, doktoraturën e Dr. Parim Çarçanit.

 

Dhe ja lexojm se si e koncepton ai dukurin e shtresëzimeve në shtretërit e lumenjëve:‘’Depozitimet janë zall, zhavorr e rërë, por në një pjesë të mire formohen edhe toka me pjellori të mirë të cilat shfrytëzohen për kultivimin e shelgut për thupër.,,(P. Çarçani f. 54) Ne shtratin e Drinit të zi lëvizin nga forca e ujrave të shumta,15.410.000 ton/vit material të ngurta, duke e llogaritur në ton për kilometra katëror ai arrin në shifrën 1160 ton/km2 në vit. Ndërsa në hapsirat e gjëra të shtratit të Drinit të Zi në krahun e fshatit të Katundit të Ri, në këto toka janë formuar shelgjishte të përziera me verri, marinë etj. Ato fillojn 372 m posht Urës së Drinit. Pylli natyral i krijuar ka ardhur si rrjedhojë edhe i pritës artificiale me gurë e çimento. Ndërtuar pothuajse pranë urës së Drinit, duke mos lejuar prurjet e shumte e plotë vrull të Drinit t’i shkatërrojn këto zallishte në përpjekje për të ndryshuar rrjedhjen e tij. Një dukuri e till pyll formues është shfaqur edhe në tokat zallishte në bregun e fshatit Ushtelenxë, në anën Lindore të shtratit të Drinit të Zi.

 

Shelgjishte në masive të mëdha prej 103 ha. perimetri i saj në forme eliptike 5 222,53m, janë krijuar në Çapën e Brezhdanit. Ato kanë dhjetëra vjeçarësh që kanë kurorë dendësinë një dhe një rritje të fuqishme me rrënjë në prurjet lymore që kanë depozituar ujrat e Drinit, por edhe si rrjedhojë e ndërtimit të një prite të madhe ngjitur me brylin e një kodre si dhëmballë në bregun e fshatit Ushtelenxë, rindërtuar në vitet 2018-2019 me gjatësi më shumë se 596 m. e përforcuar me 6 dhëmbë me gjatësi sejcila 25 m, lartësia mbi nivelin e detit 400m. E cila ka bërë të mundur mbrojtjen e këtyre pyjeve natyral me shelg nga rrëmbimi me forcë i prurjeve të mëdha me force të egërsueme grryerje të drinit. Këtu pranë ndodhet grykëderdhja e Prroit të Ushtelenxës me prurje të shumta materialesh të ngurta duke formuar deltën e tij.

 

Këto kanë krijuar kushte për një tokë formim me sipërfaqe të madhe, me shtresa biologjike të përshtashme për zhvillimin e jetës bimore edhe shtazore. Ky proces në këtë zonë është vënë në dukje edhe nga studiuesi P. Çarçani kur shkruan: ‘’Këto toka I ndeshim në mikrostacione në grumbullime të mëdha alivionale sidomos zallishtore. I gjejme të përhapura gjatë Drinit të Zi( Ushtelenxe)…,, (P. Çarçani f. 55) Bimësia është përzierje e shelgut të kuq dhe të bute (të Zi sipas gjuhës vendase, S.M) me verriun në njolla, me madhësi të ndryshme. Duke krijuaj një mjedis ekologjik të veçantë e peizazhe mjaft tërheqëse.

Kjo gjendje është e njëjta në siperfaqe me modeste përgjatë shtratit të Drinit të Zi në fshatin Fushë-Muhur. Dhe ja si shprehet studiuesi:‘’Depozitimet e aluvioneve janë të imta dhe kriojn kushte shumë të mira për krijimin e shelgjishteve si në rrjedhjen e Vjosës…Drini i Zi, Fushë-Muhër me gjërsi vendoseje 150-400 m. (P. Çarçani f. 54)

 

Në shelgjishtet e krijuara natyralisht nga prurjet e materialeve të ngurta me struktura e përmasa të ndryshme sollën edhe masa vegjetative (copëra rrënjësh dhe degësh, fidana, fara, cungje të njoma etj.) të cilat të mbuluar pak nga lymrat rifilluan jetën e tyre duke vegjetuar e kryre funksionet fiziologjike nën ndikimin tokës lymore e ranore, pranisë së ujrave freatike (nëntoksore), klimës, diellëzimit etj. Me kalimin e viteve filluan të mbulojn sipërfaqet e xhveshura duke krijuar shelgjishte të thjeshta ose të përziera me verrinin, marinën etj.

 

Kjo bimësi me lloje shelgjesh e të tjera, në rrokullisjen e viteve krijuan tokën me shtresat morfologjike të ndryshme dhe ja se si shprehet studiuesi: ’’Në horizontin siperfaqesor të ketyre tokave materiali vegjetativ i vdekur gjendet në sasira më të mëdha se në të parat kështu edhe humuesi në këto toka ka vlera me të larta. Ai i jep shteresës së siperme një ngjyrë të çelur, kafejtë të çelur nën këtë shtresë janë vendosur depozitimet alivionale me ngjyre jo uniforme dhe me tekstur gjithashtu jo uniforme.,, (P. Çarçani f. 56)

 

1-    Shelgjishtet e Katundit të Ri.

   Fshat me zhvillime mjaft të vonshme ekonomiko shoqërore dhe urbanistik. Banorët e parë i vendosën trojet e tyre, mbështetur në brinjat e kodrës së Lugje. Më pas ato u rrjeshtuan me vendbanime nga Palluçët deri tek fisi Dedja. Poshtë tyre tokat bujqësore  të krijuara prej tyre në aluvionet e sjelluna nga prurjet e Drinit të Zi, ku me kohën filloi të grryej shtratin duke lanun sipërfaqet e tokës lymore në forme taracash të gjëra. Mjaft prodhimtare e me një struktur mekanike të shkrifët e të punueshme lehtësisht. 

 

Shelgjishtja e Kaundit të Ri të krahinës së Luznisë në Dibrën e Poshtme shtrihet nën urën e Drinit të zi  372 m gjatësi në drejtim të rrjedhjes së ujrave, aty ku fillon edhe zgjerimi i shtratit të lumit. Në fillimet e saja në forme rrypi, pastaj zgjerohet duke iu afruar brigjeve lindore të Drinit pranë fshatit Çetush e Ushtelenxë.  Arrin në një sipërfaqe prej 75 ha. Lartësia mbi nivelin e detit në qendër të saj eshtë 401 m. Rryma e ujit duke u përplasur në shelgjishte të cilat me sa duket e kanë humbur pritën nga shktarrimet e pas viteve ‘’90 dhe ka çarë atë në disa pjesë. Shtrati i lumit pas kafshimeve të shumta e udhëtimit me shumë dredha, përplaset te Kodra e Poliçe, 422 m. lartësi mbi det, (Emërtim i marrë nga fisi që ka trojet mbi atë. S.M)  e cila është shkëmbore e shiste argjilore,  udhëton me lakore në shtratin e ri drejt Shelgjishtes së Çapës së Brezhdanit.

 

   Sipas të dhënave të përafërta, prita ishte ndërtuar në vitet 1969-1973. Ajo u pyllëzua në anën e brendëshme me plepa kanades dhe shelgje. Më pas u vazhdua me projekte pyllëzimi i gjithë ranishtes. Projektet e pyllëzimit  rekomandonin për zbatim, skemën 4x4 m, ku për një  hektar mbilleshin 624 plepa, me gropa, përmasat e të cilave ishin, 80 cm x 80 x 80 cm. Kur kishte munges  lymi, në gropa hidheshin dhè i sjell me kafshë barre ose me makina. Punimet kanë filluar ne vitin 1971 nga pylltari Xhetan Prençi më pas nga viti 1974 janë ndjekur nga tekniku i pyjeve Shefki Rama. Punimeet u intensifikuan me  kalimin e viteve ku nga 7 punëtor arritën në 35 të tillë. Në një vit mbilleshin 10-12 ha me plepa kanades. Fidanat e të cilit merreshin nga fidanishtja e Zallit të Sinës. Vetëm unë me brigadën e punëtorëve - më shkruan Tekniku Shefki Rama- kam arritur të mbjell 45 ha. plepishte. Tanima ato sëbashku me pritën me gurë e çimento janë shkatërruara plotësisht, pas veprimeve barbare të vetë vendasve pas viteve ’90 kur hyri demoshkretimi i Shqipërisë.

 

  Atyre iu kryheshin shërbimet kulturale dhe mbroheshin nga kullotja. Ato u zhvilluan mjaft mirë ne disa njolla, sa që ndodhi që ‘’Shumë herë mbi sipërfaqet me shelg janë mbjell drurë plepi duke krijuar kështu një pyll të përzier plep + shelg, por duke u trajtuar shelgu si cungishte ndër plepishte e duke qenë lloje me temprament të theksuar dritë dashëse ai është zhvilluar dobët ose zhdukur, plepishtet në Shkumbin, Drini e   Zi etj..,, (P. Çarçani po aty f. 18)   Në shelgjishtet natyrore  punëtorët që merreshin me pyllëzime grumbullonin thupra shelgu të qëruara ku fillimisht plani ishte 20 kv në vit, pastaj me kalimin e viteve u arrit që të grumbullohesh deri në 100 kv thupra shelgu për tregun e brendshëm e të jashtëm.

 

 Le të shqyrtojm tokëformimin e këtyre ranishte-zallishteve që në gjuhën e pedologëve quhen ‘’toka primitive,,  në shtratin e zgjeruar ngjitur me tokat bujqësore të Katundit të Ri.


     ‘’Ȅshtë formuar nga depozitimet alivionale ranore ose zallishtore. Për çdo vit në këto zona të shtratit të lumit depozitohn materiale në shtresa të trasha që variojnë në disa centimetra. Në pranverë ujrat e lumenjëve në këto zona depozitojnë sasira më të mëdha rëre, llumrash e zajesh duke formuar një rryp anësor ose sope të vegjël që të japin përshtypjen e  tokave të formuara.  Kjo dukuri shprehet mirë në lumin e Vjosës…….në Luznie në Peshkopi. Gjërsia e këtij shtrati shkon nga 300-1500 m. në Vjose e Devoll deri ne 150 -750 m në Drinin e Zi.(P.Çarçani po aty f. 54)  Dukuri e shprehur mjaft qartë edhe në tokëformimin e shtratit të Drinit të Zi në shelgjishtet pranë fshatit Katund i Ri të krahinës së Luznisë edhe në pamjet hartografike te Google earth të vitit 2020. 

 

   Shoqërimet bimore të ketij pylli natyral përbëhet nga Shelgu i kuq, Shelgu i butë ose i Zi në gjuhën vendase, Marina, shumë rrallë fidana të plepit të zi, ferrmana etj. Dhe ja se si na e përcakton studiuesi tipin e vegjetacionit të kësaj shelgjishteje natyrale. ‘’… kemi shelgjishte të thjeshta ose të përziera, komponentët kryesorë të të cilave janë të përbëra nga Salix purpurea, susp. lambertiana (Shelgu i kuq S. M), Salix amplexicaulis dhe Salix eleagnus subsp. Angustifolia (Shelgu I bute, ose i Zi. Dialekt Di. S.M) Në zonën qëndrore të rrjedhjeve të këtyre lumenjëve si në Cerrik –Elbasan….Luzni (Drini i Zi) ky tip vegjetacioni është dominuar nga Salix amplexicaulis.,, (Sinonim: Salix purpurea, subsp. amplexicaulis (Boly).  S.M). (P.Çarçani po aty f. 69) 

 

  Komuna e Luznisë duhet të rindërtoi pritën ose argjinaturën siç thuhet ndryshe aty ku kanë mbetur dhëmbët e së vjetrës. Të mbrojë e shfrytëzoi për thupra shelgjet, për turizëm verës në vende ku formohen mbledhës ujrash (hurdha dial. Dibrane S.M). Kjo do të kriojoi kushte per shumim gjallesash të ndryshme duke u strehuar në shelgjishtet e rritura. Trajtimi të kryhet me turne ku disa hektar të trajtohen si cungishte të tjera si trungishte ku lartësia e të cilave arrin 6-7 metra. 

 

2-    Shelgjishtet Ushtelenxë e ngjitur me Çapën e Brezhdanit

      Shelgjishtja e Ushtelenxës shtrihet midis  grykëderdhjes së përroit të Çetushit dhe atij të Ushtelenxës me gjatesi 1.5 kilometra, sipërfaqe 14 ha, perimetër 2. 4 km. E shkatërruar pjesë pjesë nga vërshimet e Drinit por me mbulesë të plotë të tokës nga kurorat e shelgjeve me një të gjelbërt të thellë. Tregues i cili fletë qartë për ujra të bollshme nëntoksore dhe toke lymore ushqyese për veprimtari biologjike mjaft të mire dhe për rezultat prodhime të bollshme, thupre ose drurë për djegje.

Perërbri tokave bujqësore të Çapës së Brezhdanit shtrihet një shelgjishte prej 103 hektar, por mjerisht e shkatërruar pjsërisht nga çarjet e prurjeve të vrullshme e plotë egërsi të ujrave të Drinit të Zi. Rezultat edhe i  shkatërrimit të pritës (arxhinaturës S.M) përball përroit të Ushtelenxës. Ku edhe kjo e ndërtuar rreth viteve 1970 si dhe e pyllezuar me shelgje e plepa para mureve të  saja po në këto vite. Fatkeqësisht nuk kemi të dhëna të marra nga dokumetat e kohës, (nga Ndërmarrja Pyjore Peshkopi dhe Ndërmarrja e ujrave Peshkopi S.M). Në vitet 2018- 2019 u ndërtua një argjinatur e re me gjatësi 596 m dhe me gjashte dhëmbëza me gjatësi sejcila  25m me çimento dhe gur.  Nga vëzhgimi i shelgjishtes është  dallohen pjesë të shkretuara në disa njolla, por pjesët e tjera po të vegjetojn mrekullisht sepse prurjet e shumta të Drinit të Zi kanë sjellur lymra duke e shperndarë në pyllin natyral të shelgjishteve. Gjithashtu prania e ujrave nëntoksore nga afrimi i rrjedhjes se ujrave të Drinit ngjitur me atë. Tani le të kuptojm këtë dukuri që ndodh në prurjet normale dhe në vite të caktuara e stinëra me rreshje. ‘’ Në format e relievit të formuar nga depozitimet aliviuonale është i lidhur ngushtë edhe me nivelin e ujrave nëntoksore i cili ka një ndikim të fuqishëm mbi përbërjen e llojeve dhe prodhimmtarinë e shelgjishtes. Niveli i shtresës së ujrave nëntoksore ndikohet fuqishëm nga niveli i ujit të lumit dhe në distancë të madhe nga shtrati dhe në një masë të vogël nga ujrat nëntoksore të pjerrësive.,, (P.Çarçani po aty f. 57)   Dukuria e mësipërme ndihmon në formimet natyrale të shegjishteve, verrishteve dhe plepishteve kryesisht nga copra degësh, rrënjësh, trungjesh me rrënjë, fara, fidana të vegjel të cilat të ndaluar në këto toka me formime të reja fillojne te vegjetojn duke krijuar fitocenoza të reja në  tokë formime  me shtresa biologjike. Kjo shpejgohet me aftësite biologjike  shumuese të këtyre llojeve me copra vegjetative në kushte klimatike e toksore të përshtatshme të ndihmuar nga vetë rrjedhjet e shtratit të lumit Drin.

  Pranë e pranë ketij plantacioni natyral  shtrihen 7 ha tokë bujqësore të hapura pas viteve 1970 përkundruall kodrës së Gjarecës në anën Jugore të saj. Ku u ngrit edhe një sektor i Ndërmarrje Grumbullimit e cila mbarështonte lopë me baze ushqimore foragjere të prodhuara nga këto toka lymore të sjellura nga vërshimet e lumit Drin. Ndërsa në vitin 1968 ishin pyll me verrinj që shkonin deri në 12 metra lartësi, shelgje dhe plepa të  zinj. Tanima ka mbetur vetëm toka e copëzuar në  kuadrate, ndërsa tre stallave nuk ju gjenden gjurmët. Të dokumentuara i gjejme në hartën fizike K-34-77-D-c (Fushë –Muhuri) botuar  më 1985. 

   Edhe emri Çap duhet të shpejgohet nga që ujët e Drinit këto toka me bimësi shkurrore e drunore  herë i linte për disa  dhjetë vjeçar, herë i shkatërronte ku ai ndërtonte shtratine tij të udhëtimit të ujrave. Në këto hapsira të gjelbërta e të gjëra,  mund të prodhohen thupra shelgu për tregun e brendshëm e të jashtëm. Mund të zhvillohet turizmi, fusha për kamper(Makina te banueshme brenda për familje S.M), pista vrapimi, vendrritje të shpendëve etj. Mjafton të ruhen mjediset e të hartohen programe e projekte zhvillimi sipas pronësive private ose të komunave. Ndërsa peizazhe të tilla ku shkrihet në një e gjelbërta me gjarpërimet e ujrave të kaltra dhe bardhësia e zhureve me gurë të bardhë  të lëmuar formë  e madhësi ndryshme, ngjallin kënaqësine vizitorëve  të kategorive të ndryshme.

3-    Shelgjishtet dhe verritë e Fushë-Muhurit

 

    Pasi godet me vrull shelgjishten ngjitur me tokën bujqësore të Çapës së Brezhdanit, të cilës i shkëput një pjesë toke e vegjetacioni, harkohet duke iu  drejtuar fundit të malit të Mollës. Atje energjia e tij potencilale shkëput masa dheu dhe për çudi ndjek fundin e këtij mali nga përroi i Kacane, ara e Vesel Miklit e pastaj përplaset egërsisht me Kodrën e Madhe e cila e mposht atë duke i ndërruar drejtim, pikërisht drejt Kepit të Gjatë ( të Shpajës S.M), ngjitur me kodrën e Gjarecës, duke bërë  disa lakore.

   Ky devijim ka sjellur formimin e tokave zhurishtore, ranore dhe lymore, të cilat natyralisht kanë berë të mundur rritjen e vegjetacionit të shelgjishteve e verrishteve prej 10.6 ha. me perimetër të kesaj sipërfaqeje eliptike  1894m, dhe  654 m lartësi mbi nivelin e detit.

 

Në udhëtimin e tij ka formuar toka primitive të reja me ndonjë shkurre shelgu të sjelluna nga pjesët e shkatërruara. Rryma e lumit Drin godet prurjet zhavorrishte të përroit Murra duke i dhanun një drejtim drejtvizor, duke u përplasur me Kepin e Kaleshit. Fatmirësisht ka lanun në gjirin e tij tokformime të reja, rëra e zhvorishte jo uniforme.  Po kështu një shelgjishte prej 1,5 ha me gjëndje vegjatacioni të mirë. Llojet vazhdojn të jenë Shelgu i butë( i zi dial. Dibran S.M) i cili mbizotron  në përbërje shelgun e kuq ose industrial.

 

  Pas kesaj shtrati i ri me ujin e prurjet e ngurta godet shelgjishten ngjitur me fushën e Çurke, duke e shkatërruar deri te kufiri i tokës bujqësore.  Pas disa dhjetra metrash merr nje hark sepse pengohet nga vegjetacioni i shelgjeve me rrënjët e tyre xhufkore mjaft të fuqishme. Përplaset në bregun e tokave te Hoxheve në Rreth Kale. Sipërfaqja e shelgjishteve ngjitur me fushën e Çurke në lindje ka një sipërfaqe prej 10 ha  me perimetër 1320 m dhe lartësi mbi nivelin e detit 382m me mbulesë të plote, ku takojm edhe verrinj. 

 

 Aty ku takon pritën e re, në një hundë përpara ranave të Rrethit të Kale me sipërfaqe 16 ha. toke buke, e gjitha tokë  lymore,  prodhimtare  rendiment larta e misrit shoqëruar me fasulen. Ngjitur me atë që ishërben si mur mbrojtës i gjallë vegjetacioni, shtrihet një shelgjishte prej 20 ha. Mbrojtja e saj është realizuar nga nje prit e cila u ndërtua rreth viteve 1970, fati i së ciles  ishte zhdukja nga tajfunet shkatrrimtare pas viteve ’90. U ndërtua një prit e re me gurë të marruna nga mbeturinat e ish minierës së Mermerit në Grykën e Murrës, dhe çimento, me gjatësi 117 m. dhe me tre dhëmbë me gjatesi , 18m, 12 m dhe 5m të cila fatmirësisht është ruajtur vegjetacioni i shelgjishteve. Në këto shelgjishte nga vërshimet e viti 2017 kemi parë një shtresë lymi brenda sipërfaqes së shelgjishtes natyrale. Le ta kuptojm më mirë këtë dukuri tokë formuese të shtresës  biologjike e cila ndodh shpesh në shelgjishtet natyrala të shtratit të Drinit të Zi.

 

  ‘’Në zonat e shtretërve të lumenjëve, fenomenet e tokëformiomit përveç proçeseve të përgjithëshme, karakterizohen nga ndërhyrja e një faktori tjetër të quajtur  mbathjet periodike të lumit   me aluvione të freskëta. Mënyra si vepron ky proçes i tokëformimit është sidomos në funksion të sasive, natyrës dhe periodicitetit të aluvioneve të depozituara.,, (P. Çarçani po aty, f. 56)

 

  Duke   analizuar me kujdes  tokë formimet e reja, sipërfaqet e shelgjishteve egzistuese, njohja e natyrës së tyre biologjike, teknologjite e njohura të kultivimit, studiuesi jep rekomandimin e tij: ‘’Në pjesën e siperme të rrjedhjes së Drinit shelgjishtet kryesore janë vendosur në zonën Shupenze- Muhur. Egzistojnë mundësi për krijimin e shelgjishteve të reja në 30 ha…,,(P. Çarçani po aty, f. 132)

 

  Te Kepi i Kodrës së Pasmarit ( i Mane fis në Rreth Kale S.M) rrjedhja e Drinit takon një hundë të fort e cila e drejton  rrjedhjen e Drinit drejt perënidmit, ku edhe këtu ka uji  ka hyrë disa metra duke ‘’ngrënë ,, ‘’rrëmbyer,, tokat bujqesore. Këtu shtrihet verrishtja e pastër, rreth tridhjetë vjeçare, me lartësi 15 m. e diametër 10 cm  prej 9 ha me lartësi mbi det 380m, pranë lgjes Lace e Sine të Fushë Muhurit. E cila vazhdon deri në përroin që zbret nga vargmali i Runjës ku emërtohet në afërsi të grykëderdhjes Perroi i Losnës.

 

  Përmasat dentrometrike shkojne nga 10 cm diametri deri ne 12 m. Lartësi. I cili per arsye moshe duhen filluar prerjet   kopshtore, për të mos  humbur  vegjetacionin dhe përballuar pa u shkatrruar vegjetacioni egzistues, kërcënimet shkatrrimtare të vërshimit të Drinit.

 

 Shtrati i drinit të Zi, bën një kthes me hark shumë të vogël e godet tokat në hyrje të fshatit Vajmdhej në grykëderdhjen e përroit të Jone që vjen nga faqja e Shorokanit. I cili bën një kthesë me hark të gjërë duke vazhdur përbri tokave bujqësore të fshatit në fjalë në krahun prendimor.

  Në anën Lindore ngjitur me Kodrat e Pasmarit ka lanun të vegjetoi një shelgjishte ndonëse e re prej 13 ha. Duke qenë shtrati i gjërë ka formuar edhe në krehun Prendimor posht lagjes Dode e Pire një shelgjishte prej 13 ha, ku nuk mungojn sipërfaqe  verrini të shpërndara në sipërfaqe  në mënyrë të parregullt. Vegjetacioni është i bujshëm. Shoqerimet bimore janë po ato të përshkruara në shelgjishtet e tjera.

 

4-    Zalle- Sine - Zbinezci  tokat dhe shelgjishtet.

 

    Shtrati i Drinit përplaset me deltën e zhavorrishteve të përroit të Gjelagjoshit, merr një kthes të vogel duke goditur grykëderdhjen e përroit të Shehut në perëndim.  Aty merr me vete prurjet e gurta të tij, takon shkambin në trajt hunde, rikthehet në shelgjishten nën kodrat e Kishavecit, të cilat nuk mund t’i  shkatërroi pjesërisht, pastaj godet si një lubi e vërtet shelgjishtet dhe shkaterron plotësisht edhe 4 ha tokë bujqësore lymore, lartësia mbi nivelin e detit këtu është veç 375 m.

  Pas grykëderdhjes poshtë hundës shkembore ngjitur me përroin e Shehut, disa qindra metra, ka qenë një prit  gjigande në lartësi e gjersi,  e ndërtuar pas viteve 1965. Unë e kujtoi mirë këtë dhe pyllëzimin  me plepa kanadez, me diameter 4 cm dhe lartësi rreth 3,5 m. me vegjetacion të bujshëm të mbjellura vetëm në boshllëqe, djerrinat e shtratit të lumit. Fatkeqësisht nuk kemi të dhëna të tjera. Por pritën e gjejmë të dokumentuar në hartën fizike K-34-77-D-c (Fushë –Muhuri) botuar  më 1985. Epidemia shkatrrimtare e pas viteve ’90 i bëri pluhur e hi, pra kanë humbur pa nam e nishan gjithëçka.

 

     Ndërsa më tej ka qenë një fidanishte pyjore, për te cilën inxhinieri i pyjeve Zyber Kaba shkruan: ‘’ Fidanishtja në Zall të Sinës ishte 15 dynym, nga e cila 8 dynim akacie dhe 7 dynim fidana plepi kanadez. Çdo vit prodhoheshin: 30 000 copë fidana akacie dhe 10 000  fidana plepi kanadez. Për të arritur standartin nevojiteshin dy ose tre vite, sepse toka ishte e varfër dhe plehu organik na mungonte. ,,  Vemë në dukje se  edhe shkruesi i këtij studimi ka punuar nën drejtimin e teknikut të pyjeve Haxhi Kulla në këtë fidanishte.

 

  Në gjirin e përrroit të Shkalles ishin stallat e grumbullimit ku mbarështroheshin lopë për prodhim qumështi të cilat ushqeheshin me panxharin e bimët foragjere të prodhuara në fushën me toka lymore e ranore,  ku sot ka një sipërfaqe prej 18 ha. Punonin disa punëtor me zetora, traktora etj. një ndër të cilët ka qenë edhe Mexhit Matrici. Stallat i gjejmë të dokumentuara në hartën fizike K-34-77-D-c (Fushë –Muhuri) botuar  më 1985.

  Ngjitur me tokën bujqësore, në krahun prendimor vegjetojn shelgje në  një sipërfaqe prej 12, 5 ha dhe një tjetër e futur në mes dy degeve  të shtratit të lumit të drinit të Zi ndodhen edhe 4 ha të tjera me vegjetacion bimor të ri kryesisht,  shelgjishte. Ndërsa në rrazën( fundin, në nivelin me shtratin e Drinit S.M) e kodrave të Kishavecit krahu lindor prurjet e fuqishme grryrëse kane lanun  28 ha shelgjishte me vegjetacion të fuqishëm, ku prej shumë dhjetë vjeçarësh i kane përballuar gllabërimit të prurjeve ujore të Drinit, në sajë vegjetacionit të bujshëm e zhvillimit të tyre rrënjor xhufkor të fuqishme.

 

  Të vazhdojm udhetimin tonë studimor në shelgjishten ndër me të mëdhat të luginës se Drinit të Zi në krahinën e Dibrës me atë të Zbinecit prej 44 ha. Bimësia e mëparshëme natyrale, kur janë hapur për toka buke, ose si trajtim me ricungime të   shelgjishtes për prodhim thupëre  na shkruan Inxhinieri i Pyjeve Munir Hoxha ishte: ‘’Pylli natyral ka patur për vegjatacion bimor,  Plepin e bardhe (Populus alba), Plepin e zi (Populus nigra) si dhe Zbineci ka patur edhe drurë verrini,  shkurre shelgu të bardhe e të zi (Shelgu i bute në literaturën profesionale S.M) marina e lumenjeve, ferra etj.,, 

 

   Ne vizitën time në gusht 1976, ku ishte teknik pyjesh Adem Përgjegji, unë kam parë një shtëpi pritje në mes pyllit shelgjishte e verri, me hanale uji  me një fazaneri, fidanishten, per të cilën  inxhinier Z. Kaba shkruan: ‘‘Në Zbinec ishte një fidanishte me sipërfaqe prej 5 dynym dhe prodhoheshin fidana akacie çdo vit 30 000 copë dhe fidana plepi kanadez 10 000 copë për arësye se toka ishte më e mirë dhe arrinin standartin brenda vitit, pra prodhonte 3 fishin e asaj të Zallit të Sinës dhe më cilësorë.,,   Duke vazhduar udhëtimin tone duhet të shenojm se prurjet e egërsuara të Lumit Drin në këmbët e Sukes se Arrasit ka lanun të vegjetojn  5  ha shelgjishte. Në krahun tjetër ku hapsira , ose largesia nga bregu në breg është vetëm 220 m. ndodhet një rryp toke me verri e shelgje me vegjetacion të mirë.  Gjithashtu jane mbjellur edhe plepa Kanadez ne boshllëqet e ranishtes.

  Grabitësi katundar pas viteve ’90 e shkatërroi pritën gjigande, preu  e dogji plepishte e shelgje, duk e lanun vërshimet e Drint, këtë forcë të madhe të natyrës të ‘’hedh valle,, në pasurinë bimore e tokat prodhuese, duke i nxjerrun ato jashtë dobiprurjes për fshatarsinë përqark apo pronarëve të ligjshem. Dhe lexojmë se si  e mendon studiuesi:

‘’ Në shtrirjen e shelgjishteve në drejtim vertikal dhe horizontal, ka patur ndërhyrja e njeriut. Duke nënvlerësuar rolin e shelgjishteve në prodhimin e biomasës, lëndë drusore e mbrojtëse e fuqishme e ambjentit, si faktor ekologjik i dorës së pare, i mbrojtjes së tokës nga gërryerjet në vendosje në një ekuilibër të qëndrueshëm të tyre e mbushjes së lumenjëve rolit aktiv të bimësisë si dhe të një nënvlerësimi të prodhimeve të tij të dyta aq të  çmueshme për prodhime vendi e për eksport, sipërfaqe, me shelg janë shkatërruar.,, (P.Çarçani po aty f. f. 18)

 Në dy anët e Drinit të Zi, vlonte puna, prodhohesh e jetohesh për bukuri, gjallëronte kjo luginë nga veprimtari të ndryshme. Mundësitë duhen shfrytëzuar edhe pse jemi në vitin 2020; me projekte, studime, me një udhëheqje në Bashki e Komuna, më kërkimtare e në bashkëpunim me specialistët e fushave të ndryshme ku Dibrës se  Poshtme nuk i mungojn. Mjafton dëshira e mirë dhe inisiativat private e  kolektive, burimet prodhuese, të hapjes së fronteve të punës  të punësimit gjenden e janë fare pranë nesh, mjafton organizimi, shfrytëzimi i pervojes e kujdesi për veprat natyrore dhe ato  njerëzore.  

 

5-    Shelgjishtet e Fushë – Çidhnës- Zallë Dardhës.

 

Në udhëtimin tonë përgjatë luginës së Drinit të Zi kemi ndryshime të peizazheve, shtresave të tokëformimeve të cilat të shtyjnë të kërkosh, të studiosh mënyrat e organizimit të tyre, përbërjen e vegjetacionit dhe shtresëzimet që krijojn prurjet e vrullshme të Drinit në tkurrjet e zgjerimin e shtratit të tij. 

   Ndërsa përroi i Blliçes që ka një sipërfaqe ujëmbledhëse mjaft të madhe dhe rrjedhje që nga bjeshkët e Gramës rrëzë Korabit, ka krijuar një grykëderdhje mjaftë të gjërë e shumë të ngarkuar me materiale të ngurta duke e mbushur ish gjirin e Drinit me ato. Ndërhyrja me vepra hidroteknike do të krijonte kushte në pengimin e prurjeve të ngurta dhe thellimin e metejshëm të shtratit. Keto materiale tokëformuese e kane shtyre shtrat kalimin  e ujrave të Drinit shume pranë grykë derdhjes të përroit tjetër përballë, të Setës (Artatus ne kohen e Penesteve S.M).

 

  Në deltën e saj e në ngjitje kemi prurje te ngurta me gurë shumë më të mëdhenj, e në përqindje gurishtesh shumë më shume se Përroi i Blliçes. Megjithatë edhe përgjatë saj duke u ngjitur vegjetojnë shelgje kryesisht i Ziu. Dhe ja çfarë venë në dukje studiuesi, lidhur me formimin e këtyre popullateve: ‘’Shelgjet në sajë të kapacitet të tyre të dalluar për kolonizime të shpejta të tokave të sapoformuara më tepër tentojnë të krijojn popullata pionere. Lumenjt e përrenjtë e katit kodrinor e malor të zonës së sipërme të rrjedhjes së Drinit të zi,….,, (P.Çarçani po aty f. f. 68) E vërtetuar plotësisht mbi përroin e Setës, të Gjelagjoshit, të Murrës, të Ushtelenxës, Çetushit, Veleshicës, Mallës së Lurës e ndonjë tjetër.

 

  Buzë Drinit nën kodrën e Leshe kemi një sipërfaqep prej 15 ha me vegjetacion shelgjesh mjaft të mirë. Ndërsa nën fshatin Fushë Çidhën kemi një njollë prej 6  ha, më e rrallë, ndërsa Drini vazhdon me shtratin rrjedhës të ujrave buzë tokave bujqësore prej disa kilometra pa kurrëfare brezi mbrojtës, gjë e cila është nën kërcënimet serioze të rrëmbimit , zhdukjes nga forca potenciale e prurjeve të Drinit në stinët e vitit me rreshje më të shumta.

 

    Dy shpatet me proska,  përrenj, shpate, lugina e kurrize afrohen mjaft, ku gjërsia  e shtratit shkon deri në 362m nga kodër Leshe nën fshatin Mustafe duke na i lanun sipërfaqet eliptike me shelgjishte prej 38 ha në krahun prendimor, ndërsa shtrati i Drinit mbetet ngjitur me kodrat e  Fushë Çidhnës dhe Shumbatit.   

     Shelgjishtet nuk e mbulojn plotësisht sipërfaqen, por vegjetacioni është i fuqishëm, për arsye të ujrave nëntoksore shume afër, lidhur kja  me ngushtësinë e shtratit dhe prurjet lymore që  mbathin çdo vit pothuajse me prurje të reja ujrat e Drinit të zi.

 

Shtrati përsëri ngushtohet ndërsa në fshatin Lugjes kemi një zgjerim me një shelgjishte në anën prendimore prej 16 ha me gjatësi lineare për gjatë Drinit prej 1, 2 km. Deri në brigjet që zbresin nga vendndodhja e fshatit Skavice përgjatë shtratit  kemi njolla të vogla shelgjesh e verrinj shumë të vogla në sipërfaqe  gadi të pa perfillshme, por që ruajn pavarsinë e tyre vegjetative duke përballuar vërshimet e rrëmbyeshme të Drinit, ku në këto anë  rritet pjerrësia e shtratit të rrjedhjes së ujrave të Drinit të zi..


 

III Përshkrimi dhe rëndësia e shelgjeve etj.

 

1.    Shelgu i kuq ( Salix purpurea L. subsp.Lambertiana(Sm)

       Rritet si shkurre 2-3 m. lartësi me levore të trungut e degëve të vjetra të kuqërremta.   Thuprat përdoren një vjeçare për thurje shportash tavash etj. Dy e tre vjeçaret për rrath shekash e vozash të vegjël. Mbillet buzë  përrenjëve me kalema ose shpatuulla përtë  mbrojtur  skrapatat nga grryerejt me rrënjët e tyre të fuqishme xhufkore.

 

2.    Shelgu i butë, i zi (Dibër e Poshtme S.M)  

      Vegjeton si dru trupë shkurtër deri në 12 metra. Gjethet i ka shume te gjata eliptike, me dhëmbëza. Degëzimet e vitit të parë e të dytë e kanë lëvoren me ngjyrë  të zezë të çelur. ‘’Per shkak të thuprave të shumta e te mira qe prodhon vlen te  ultivohet në shkalle të gjërë gjate lumenjëve, perrenjëve e rrëkeve dhe me qen se rrenjët i rriten shpejt mbi ç’ka sjellin ujrat mund te perdoret per të lidhur zejet si dhe tokat qe  grryhen dhe rrëshqasin. Aty këtu mbillet buze ujrave si dru zbukurues.,, (I. Mitrushi, ‘’Dru. dhe shkurret e shqip.,, f. 477 Tiranë 1955)

 

3- Verrini I zi (Alnus vulgaris)  

         Arrin deri në 8-12 m. lartësi.  Rritet në pellgjet e lumenjëve dhe të përrenjëve. Druri përdoret për djegje, shtylla në galeritë e minierave.  ‘’Degët përdoren për të thurur kosha e shporta si dhe për të pregatitur rrathë të drunjtë. Levorja e verrijve, që përmbanme tepër taninë se ajo e dushqeve, përdoret e zier në uje për të ngjyer në të verdhë sende të leshta të linjta e të mëndafshta e përzier me sulfat hekuri përdoret si ngjyrë e zeze.,, (I. Mitrush, ‘’Dru. dhe shkurret e shqip.,, f. 344, Tirane 1955)

 

3.    Marina e zeze (Tamarix tetrandra Pali)  

     Rritet deri në  4.5 m lartësi. Preferon shtretërit e lumenjëve. Gjëndet e rrallë,  e veçuar ose e shoqëruar me shelgjet në shtratin e Drinit të Zi në Dibrën e Poshtme. Lëvorja e degëve është e murrme në të zezë. Përdoret si material djegës në soba e oxhak. Eshtë mjaft i thyeshëm ( i ashpër).

 

4.     Rëndësia e shelgjishteve 

      Të analizojm  vlerat që kanë shelgjet si shkurre në vegjetacion dhe si material i prerë apo i shfrytëzuar të pjesëve të tij. Dhe ja: ‘’..mund të thueht se çereku i vlerave ekonomike te pyllit rrjedh nga prodhimet që ai jep (lëndë druri etj.) dhe ¾ e vleres përbëhet nga të ardhurat ekonomike në shërbim të mbrojtjes së tokës, të ambientit dhe në lidhje me përshtatshmërine e vendeve te pyllëzuara, në regjimin e ujrave, në faunen që popullon atë dhe i shton, me funksionin turistik të rikrijimit, funksionet kulturale në bonifikimin e atmosferës e të ujrave.,, (P.Çarçani po aty, f. 5) 

 

     Të ndalemi tek një produkt mjaft i randësishëm dhe që ka gjetur përdorime të shumta në sherbim të njeriut, për prodhime të cilat ka shumë kërkesa tregu kombëtar e ndërkombëtar.  Dhe ja të paraqesim ato që mendon studiuesi i shelgjishteve: ‘’Me thupër shelgu prodhohen shporta të llojeve të ndryshme, figurina artistike dhe dekorative, abazhure, etazhere, poltrone, karrike e tavolina me dimensione e forma nga ma të ndryshme, të mbështetura mbi motive popullore, veshje orendish të mëdha si rafte e bufera, shtretër fëmijësh, zbukurime muresh e tavane etj. Shporteri për qëllime të ndryshme si mbajtëse buke, abazhure çanta grash, djepe fëmijësh, mobilje të shtëpive të pushimit, paisje të vendeve turistike etj. të punuara prej lëndëve sintetike janë shumë larg nga artikujt e punuara prej thupre shelgu. Artikujt prej thupre shelgu gjithnjë e më shumë po gjejnë  nje përdorim të madh në jetën shtëpiake, në bujqësi, industri.,, (P.Çarçani po aty, f. 10)

 

  Një fushë tjetër ku thupra e shelgut po hynë me plotë dinjitet dhe krenari është fusha e amabllazhimeve të mallrave me dobitë e tyre të veçanta dhe ja: ‘’Amballazhet prej thupre shelgu… përbëjnë  një material  të fortë, të qëndrueshëm, higjenik dhe pak të kushtueshëm.,, (P.Çarçani po aty, f. 18)

  Si përfundim rëndësia e shelgjishteve të Drinit të Zi në sipërfaqe mjaft të lëvisëshme në kohë e hapsirë për shkak të shtratit të gjërë e të pa bonifikuar është ekonomike, ekologjike, peizazhistike, turistike, strategjike.

 

  PȄRFUNDIME.

1-      Dinamika e tokëformimit të tokave primitive të shtratit të Drinit të Zi ku objekt I studimit tonë ishte nga gryka e Hoteshit te ura e Drinit ne Katund të Ri, Luzni deri ne Skavic ështe e rëndësishme njohja, studimi, për të mbrojtur këto nga zhdukja dhe shfrytëzimi i kësaj pasuri vegjetale për prodhime të ndryshme në dobi të jetës së buzë drinasve.

 

2-    Njohja e shtresave bimore, ndjekja e zhvillimeve të formimit të tyre, shtimi natyral e artificial, funksionet bioekologjike, dobitë ekonomike në sherbim të jetës së fshatarëve buzë drinasve duhet të jetë në qendrën e studimeve.

3-    Gërshetimi i ndërhyrjeve hidrologjike, pritave(argjinaturave)  të gërshetuara me masa biologjike, pyllëzime etj. duhet te zbatohet me rigorozitet.  Si  domozdoshmëri për jetëgjatësi të veprave hidrologjike  mbrojtjen e vegjetacionit dhe e veprimtarive të ndryshme të njeriut në këto mjedise.

4-    Studimi duhet të çohet më tej me llogaritjen e prurjeve të Drint, rreshjet vjetore, shumë vjeçare, me historikun e ndërhyrjeve të njeriut me pyllëzime ndërtime pritash etj. Vetëm kështu përforcohen argumemntet, rritet besueshmëria, gjënden udhë të reja shfrytëzimi të pasurive të pellgut të Drinit të Zi duke marrë në konsiderat shtratin e tij me toka zhavorishte- ranore- lymore gjithmone dinamike.

5-     Gjithashtu njohja me kafshët e egra si lepuri i egër, dhelpra, vjetulla, shpendët shtegëtar si lejlekët,  zogjtë e ndryshëm autokton, që  shtojn hijeshin e natyrës, por edhe përbëjnë burime jetese për fshatarët buzë drinas.

6-    Literaturës se florës shqiptare, librave të ndryshme, të pylltarisë, botanikës, ekologjisë, ju mungon theksimi i përhapjes së Shelgu i kuq, ibute ( i zi. Dial. Dibr), Verrini i Zi, Marina e Zeze në luginën e Drinit të Zi, ku ato vetëm nga Gryka e Hoteshit te ura e Katundit të Ri e deri në Skavicë,  shtrihen në 438 ha. sipërfaqe.  Kjo padyshim duhet te jetë e pasqyruar në inventarizimet  më kryesore të viteve 1968, 1985.

7-     Për të mbrojtur tokat bujqësore, në shtretërit e lumenjëve krahas ndërtimit të argjinaturave, duhet të lihet vegjetacioni i këtyre shkurreve në një brez deri në tre m. gjërsi. Kujdesi për këtë vegjetacion është ruajtja nga kullotja në 4 vitet e para, më pas nga prerjet pa leje dhe ndërhyrja me prerje kopshtore ku mosha e tyre kulmore është vetëm 60 vjet. Duhet të kemi në këtë brez vazhdimësi vegjetacioni të fuqishëm për të përballuar forcat e prurjes se ujrave te Drinit.

Studimi i mësipërm ka hedhur vetëm themelet për studime të mevonshme, më të thella e detajuara të cilat duhet të vazhdohen me studime bioekologjike, me të dhëna të ndërhyrjes së njeriut në shtratin e Drinit të zi, duke shfrytëzuar dokumentacionin e bollshëm të ish Ndërmarrjes Pyjore dhe asaj të Ujrave te Peshkopisë dhe hartimi i projekteve  më komplekse në shtratin e Drinit të Zi në Dibrën e Poshtëme.

  

10.08.2020                                               Dr. Selman Meziu






 

Literatura

1-    Parim Çarçani, ‘’Studim I shelgjishteve industriale dhe masat për rritjen e prog dhimtarisë së tyre për thupër,,  Disertacion.  Tiranë 1989

2-     Ilia Mitrushi ‘’Drurët dhe shkurret e shqiperise.,, Tirane 1955

3-     Harta fizike  K-34-77-D-c ( Fushe Muhurr) Përtëritur  1982.  Un pregatit për botim dhe u shtyp 1985

4-    https://earth.google.com/web/@41.78061766,20.35639313,454.34498516a,4146.84522126d,35y,1.25781905h,0t,0r   Ku u morën të dhënat e ndryshme topografike.

 

 

 

 

 

 

 

 

Wednesday 19 August 2020

PËR LIBRIN: " AGRONOMËT DHE ZOOTEKNIKËT E KRAHINËS SË LIBOHOVËS NË VITE"

- Nga Abedin Çiçi te brezi i ri- 

nga:  Thanas VERDHI

Publicist

TIRANË


PARATHËNIE


Çdo gjë e shkruar për Libohovën, qoftë për sektorë të veçantë të ekonomisë, ka brenda saj edhe një pjesë të historisë së qytetit tonë. Libri “AGRONOMËT DHE ZOOTEKNIKËT E KRAHINËS SË LIBOHOVËS NË VITE”, përgatitur nga zotërinjtë Besnik Ismailati dhe Jani Rafti, është një dritare e hapur që hedh dritë mbi një sektor të rëndësishëm e jetik siç është bujqësia. Materiali paraqet në vija të përgjithshme zhvillimin e bujqësisë të krahinës tonë, si dhe jetëshkrimet e agronomëve dhe zooteknikëve libohovitë të shekullit të shkuar e në vazhdim, që fillon me një nga “ pionierët” e agronomisë shqiptare, Abedin Çiçi dhe deri te specialistët më të rinj libohovitë.


Në hapësirën historike, një shekull është pak, shumë pak. Siç dihet, kemi një terr informativ, jo vetëm për zhvillimin e bujqësisë në shekuj, por edhe mungesë të plotë informacioni historik për krahinën dhe gjithë trojet e banuara nga shqiptarët. Në këtë kontekst, meqë m’u dha rrasti për të shkruar këtë parathënie, dua të jap disa konsiderata, kujtime dhe refleksione për këtë botim që është i pari në llojin e vet.


Ne që lindëm e u rritëm në Libohovë, e shohim qytetin tone ashtu siç e njohim dhe e “ prekim” çdo ditë, pa e ditur mirë të shkuarën e largët dhe të afërt të vendlindjes tonë. Nga të dhënat e pakta që humbasin në thellësi të shekujve, Libohova filloi të banohej pak shekuj para Krishtit; por , nga kanë ardhur të parët tanë dhe si kanë jetuar ata, ka plot pasaktësi dhe enigma që askush s’u përgjigjet dot, se, asnjë nga libohovitët e lashtë apo të mëvonshëm nuk kanë lënë diçka të shkruar për historikun e zhvillimit të zonës. Natyrisht me hamendje mendojmë se dhe në të shkuarën e largët, baza e zhvillimit ekonomik në Libohovë ka qënë bujqësia, blektoria, gjuetia etj., që siguronin bazën ekonomike të ekzistencës. Kjo mungesë informacioni nuk është vetëm për Libohovën, po për të gjitha trojet në të cilat banonin shqiptarët. 

Vetë Historia e Shqipërisë del nëpërmjet prehistorisë së Ballkanit nga të dhënat e para të Ilirisë në historiografinë grekoromake. Territoret e banuara nga të parët tanë ishin gjithmonë të  pushtuara dhe nën juridiksionin romak, bizantin, serb, bullgar, venecian dhe, në shekullin e XV kaloi nën Perandorinë Osmane që mbeti nën kontrollin Osman si pjesë e Rumelisë ( Ballkanit) deri në vitin 1912 kur u themelua shteti i pavarur shqiptar. Në këtë kontekst, të dhënat më të mundshme edhe për bujqësinë duhet të kërkohen në arkivat e Perandorisë Osmane, të cilat hedhin dritë, të paktën për një periudhë afro gjashtë shekullore. Disa të dhëna të pakta, për të mos thënë asgjë, janë shkruar nga kalimtarë dhe vizitorë të rastit që, në udhëtimet e tyre kanë përmendur edhe Libohovën si : Evlija Çelebiu që vizitoi trevat shqiptare në vitin 1670 dhe, më pas Lord Bajroni në vitin 1809. Të dhëna më të sakta dhe bindëse janë shkruar nga libohoviti Zija Gjata, një burrë i ditur e i shkolluar që ka shfrytëzuar të dhënat arkivore që me pushtimin Osman, si dhe kujtimet e të parëve të tij që përfshijnë një periudhë gati dy shekullore. Të dhënat e paraqitura nga autori në fjalë, si dhe kujtimet e shkruara nga Ajet bej Libohova “BREZNITË LIBOHOVA NË SHEKUJ”, janë një bazë për të shkruar një historiografi më të plotë për Libohovën.


Duke shfrytëzuar këto të dhëna, me pushtimin e trojeve shqiptare nga Perandoria Osmane në fillimet e shekullit të XV, turqit bënë regjistrimin e trojeve në vitet 1431-1432, regjistrime që u përsëritën edhe tre herë të tjera ( më 1467, 1519 dhe 1585 ) që u regjistruan edhe kryefamiljarët. Me regjistrimin e tokave që i përket kësaj periudhe ( shekulli XV - XVI ), populli i Libohovës u pakësua për shkak të luftrave dhe taksave të larta, gjë që solli emigrimin e libohovitëve në Korfuz e Itali. Perandoria Osmane vendosi taksa të shumta dhe të rënda si: taksë në të holla, takes për familjet jo muslimane ; taksë 10 përqind për prodhimin e grurit, elbit e thekrës; taksë 50 përqind të prodhimit të ullirit e vajit të ullirit, taksë gjyqësore, taksa e rrushit, taksa e pazarit, taksa doganore dhe taksa të tjera. Në këto kushte, për shkak të taksave të papërballueshme dhe plaçkitjeve, u shkatërruan sektorët jetikë si artizanati, vreshtaria si dhe kultivimi i krimbit të mëndafshit, që siguronin bazën e të ardhurave për familjet libohovite. Si rezultat i kësaj gjendjeje, shumë libohovitë emigruan në vënde të ndryshme të  Perandorisë, jo vetëm nga rrënimi i ekonomisë, por edhe për të shkolluar fëmijët, apo t’u jepnin atyre mjeshtëri të ndryshme artizanati që t’i ushtronin kur të ktheheshin në Libohovë.


Gjithsesi, nga mesi i shekullit të XVIII dhe deri nga fundi i shekullit të XIX, Libohova mori një zhvillim të veçantë në të gjitha drejtimet. Bujqësia dhe kryesisht sipërfaqet e mbjella me vreshta arritën në rreth 1000 hektarë, po ashtu u shtua kultivimi i krimbit të mëndafshit, ku shumë familje libohovite kishin edhe tezgjah për prodhimin e mëndafshit. Sektori i ndërtimit mori një hov të paparë, periudhë kur libohovitët, kryesisht ata të kamur ( kadilerë, ushtarakë dhe punonjës të administratës ) ndërtuan shtëpi 2-3 dhe 4 katëshe dhe, infrastruktura e qytetit u përmirësua me shtrimin me kalldrëm të rrugëve të lagjeve më të pasura dhe sistemime e prita në gjithë qytetin. Kjo periudhë koinçidon apo përputhet edhe me disa ndërtime të rëndësishme që i dhanë një konfiguracion të veçantë Libohovës si, ndërtimi i Kalasë me sarajet brënda saj, Kulla e Sahatit, Sarajet e Myfit bej Libohovës, etj. Të gjitha këto arritje, krijuan një qytet me mbi 1000 shtëpi me rreth 4000 banorë, gjë që solli që shumë qytetarë të pasur gjirokastritë t’i kalonin pushimet e verës në Libohovë, pranë familjeve libohovite që jepnin dhoma me qira për bujtësit, traditë që vazhdoi deri në fund të viteve ‘30 të shekullit që lame pas. Kushtet e favorshme klimaterike, prodhimet e veçanta bujqësore dhe blektorale, tradita e veçantë e mikpritjes libohovite dhe gatimet speciale dhe gjithë shije, e bënë Libohovën një qytet të lakmueshëm për gjithë zonën.


Në këto kushte e gjeti Libohovën fillimi i shekullit të XX. Nga regjistrimet e bëra nga Qeveria Shqiptare në vitin 1927, Përmeti, Libohova dhe Delvina, kishin respektivisht rreth 2400 banorë secila, kur Tepelena dhe Saranda kishin respektivisht 800 dhe 900 banorë.


Në fillimin e shekullit të shkuar, e nisin rrëfimin e tyre zotërinjtë Besnik Ismailati dhe Jani Rafti, që me kujtimet dhe faktet e grumbulluara po u japin libohovitëve dhe më gjerë një pasqyrë të plotë të ecurisë dhe zhvillimeve të bujqësisë pas krijimit të shtetit shqiptar pas shpalljes së Pavarësisë. 

Autorët na njohin me veçoritë natyrore dhe resurset e zhvillimit të bujqësisë të zonës, kulturat kryesore bazë, drithërat e bukës si dhe sektorëve që tradicionalisht i kanë sjellë të ardhura familjeve libohovite si pemtaria, vreshtaria, kultivimi i perimeve, si edhe blektorisë që kanë plotësuar jo vetëm nevojat familjare, por edhe për shitje. Për këtë periudhë flet edhe një studim i kryer nga Abedin Çiçi dhe Selaudin Çomo, të dy libohovitë, të dy specialistë bujqësie, të dy bashkëkohës, që përfshin gjysmën e parë të shekullit të shkuar.


Pas vitit 1944 për shkak të ndryshimeve politike në Shqipëri, me reformën agrare që u krye në vitin 1946, vazhdoi tradita e kahershme e punëve në bujqësi dhe blektori deri në vitin 1956, vit që u krijua Kooperativa Bujqësore e Libohovës, që u përfshi në ekonominë e centralizuar. Ndryshimi më vonë si sektor në Ndërmarrjen Bujqësore Gjirokastër, nuk solli asnjë ndryshim të dukshëm. Bujqit libohovitë, 
pavarësisht nga ato pak të holla që

merrnin nga puna në fermë, kompensonin të ardhurat e familjeve nga puna në ekonomitë e tyre private dhe blektoria, deri nga fundi i viteve ‘70 të shekullit të shkuar, kohë kur u krye dhe dorëzimi i plotë i blektorisë, periudhë që solli edhe rënien më të madhe të të ardhurave familjare. Dhjetë-vjeçari i fundit, pra vitet 1980-1990 ishin vitet më të vështira dhe, populli i Libohovës si gjithë populli shqiptar kaloi periudhën më të vështirë të ekzistencës së saj. 

Gjithsesi, gjatë afro 50 vjetëve të sundimit komunist, libohovitët shfrytëzuan çdo mundësi për të shtuar të ardhurat familjare duke shfrytëzuar edhe bimët medicinale të zonës si sherebela, çaji i malit, rigoni, kamomili, salepi etj. Në këtë gjëndje katastrofike dhe fukarallëku e gjeti Libohovën  fillimi i viteve ‘90. Me ndryshimin e sistemit politik, u happen edhe rrugët për emigracion. Shumë të rinj libohovitë shkuan në Greqi, Itali e gjetkë dhe , me kursimet filluan të rindërtonin shtëpitë dhe të dërgonin të holla për të ndihmuar familjet. Gradualisht Libohova ndryshoi “ faqe”, ndërsa pushteti vendor, me fondet e akorduara përmirësoi deri diku infrastrukturën rrugore brënda qytetit, që akoma ka mangësi. Gjithsesi, Libohova pas gati 30 vjetësh , ka marrë tjetër pamje dhe është bërë një qytet i këndshëm e i banueshëm, por larg asaj që kërkohet. Libohova duhet t’u rikthehet traditave të kohëve më të mira të saj, që ajo të bëhet një qytet, ku veç drejtimeve tradicionale që theksuam më lart, të zhvillohet edhe turizmi familjar. Gjithsesi, hapat e para janë hedhur dhe, grupe të vogla turistësh të huaj e vendas e vizitojnë Libohovën, ku u bëjnë përshtypje shtrirja e qytetit dhe krejt zonës, kushtet klimaterike dhe gjelbërimi, qetësia që u ofron vendi, gatimet tradicionale, si dhe vizitat në monumentet e zonës, si Kalaja, Kulla e Sahatit, Rrapi madhështor në qendër të qytetit, varret pagane, Sarajet e Myfit bej Libohovës, Teqeja e Melanit, Kisha e Labovës së Kryqit , etj.


Jetëshkrimet e agronomëve dhe zooteknikëve libohovitë zënë një vënd të veçantë në këtë volum, aqsa përligj edhe titullin e librit. Jeta dhe veprimtaria e secilit prej tyre është një histori më vete, mbasi ata dhe gjithë specialistët e tjerë të bujqësisë janë njerëz të sakrificave. Shumë prej tyre nuk e kanë zgjedhur me dëshirë profesionin, mbasi dihej që, me mbarimin e studimeve, ata do punonin në ekonomitë bujqësore dhe, si të tillë do punonin në frontet më të vështira të ekonomisë, në një front me bujqit, në dimër e në verë, në kushte të vështira klimaterike, me orar e pa orar, mbasi bujqësia ishte në fushata gjatë gjithë vitit. Rrjedhimisht, shumica e tyre janë njerëz të vuajtur e të sakrificës, por edhe të sjellshëm e të arsyeshëm.

Ata, studentët e fakulteteve të bujqësisë ishin pa miq dhe pranonin ato degë që s’i preferonin të tjerët si e vetmja mundësi shkollimi. Nga leximi i jetëshkrimeve, pashë që shumica e tyre kanë punuar  direkt në prodhim dhe rrallë, ndonjerit që i ka ecur fati, por jo vetëm fati, ka punuar në administratë. Nga rradhët e agronomëve dhe specialistëve të tjerë të bujqësisë, janë zgjedhur kryesisht dhe drejtuesit e ekonomive bujqësore dhe drejtuesit kryesorë në rrethe, mbasi ishin njerëz të sakrificës dhe me eksperiencë se, edhe ekonomia kombëtare i realizonte të ardhurat kryesisht nga ky sektor.


Ndryshimi i sistemit dhe çmontimi i ekonomisë së centralizuar, nxori pa punë një numur të konsiderueshëm kuadrosh të sektorëve të ndryshëm të bujqësisë, pjesa më e madhe e të cilëve mbijetuan duke bërë punë të ndryshme, kryesisht në sektorë të ndryshëm të ekonomisë së tregut dhe, pak specialistë, ata që banonin në fshat dhe zonat rurale dhe që morën tokë bujqësore sipas ligjit, krijuan ekonomitë e tyre private. Natyrisht, me ndryshimin e sistemit dhe mbylljen e një sërë ndërmarrjesh e repartesh jorentabël, mbetën pa punë edhe mjaft specialistë e kuadro të aftë të mjaft sektorëve të tjerë si gjeologët, naftëtarët, ushtarakët dhe plot të tjerë që e gjetën veten në sektorë të ndryshëm të ekonomisë dhe në emigracion.


Ky botim, i pari në llojin e vet, do plotësojë një boshllëk për një sektor aq të rëndësishëm siç është bujqësia, duke kontribuar edhe në plotësimin e historikut të Libohovës, mbasi, pa dyshim, të gjithë libohovitët, kush më pak e kush më shumë janë të përfshirë dhe të lidhur me bujqësinë dhe blektorinë, mbasi ka qënë baza e ekzistencës dhe zhvillimit të tyre në shekuj. Në këtë kontekst, shumica e familjeve libohovite kanë shfrytëzuar me nikoqirllëk ambientet rreth e rrotull shtëpive, ku kanë mbjellë dhe kultivuar pemë, hardhi, zarzavate, bimë medicinale; duke mbarështruar edhe bagëti të trasha dhe të imta si dhe kafshë pune që kanë realizuar punimin e tokës e transportin e prodhimeve duke shtuar të ardhurat e familjeve.


Përfundimisht, ky është një libër që gjithkush do ta gjejë veten  brenda këtyre rradhëve dhe, si i tillë ky botim duhet të jetë prezent si referencë në të gjitha familjet libohovite kudo që jetojnë. Edhe një herë i falenderoj dy zotërinjtë Besnik Ismailati dhe Jani Rafti për këtë dhuratë të çmuar që u dhanë bashkëqytetarëve të tyre libohovitë dhe më gjerë.
Thanas Verdhi