- Nga Abedin Çiçi te brezi i ri-
nga: Thanas VERDHI
Publicist
TIRANË
PARATHËNIE
Çdo gjë e shkruar për Libohovën, qoftë për sektorë të veçantë të ekonomisë, ka brenda saj edhe një pjesë të historisë së qytetit tonë. Libri “AGRONOMËT DHE ZOOTEKNIKËT E KRAHINËS SË LIBOHOVËS NË VITE”, përgatitur nga zotërinjtë Besnik Ismailati dhe Jani Rafti, është një dritare e hapur që hedh dritë mbi një sektor të rëndësishëm e jetik siç është bujqësia. Materiali paraqet në vija të përgjithshme zhvillimin e bujqësisë të krahinës tonë, si dhe jetëshkrimet e agronomëve dhe zooteknikëve libohovitë të shekullit të shkuar e në vazhdim, që fillon me një nga “ pionierët” e agronomisë shqiptare, Abedin Çiçi dhe deri te specialistët më të rinj libohovitë.
Në hapësirën historike, një shekull është pak, shumë pak. Siç dihet, kemi një terr informativ, jo vetëm për zhvillimin e bujqësisë në shekuj, por edhe mungesë të plotë informacioni historik për krahinën dhe gjithë trojet e banuara nga shqiptarët. Në këtë kontekst, meqë m’u dha rrasti për të shkruar këtë parathënie, dua të jap disa konsiderata, kujtime dhe refleksione për këtë botim që është i pari në llojin e vet.
Ne që lindëm e u rritëm në Libohovë, e shohim qytetin tone ashtu siç e njohim dhe e “ prekim” çdo ditë, pa e ditur mirë të shkuarën e largët dhe të afërt të vendlindjes tonë. Nga të dhënat e pakta që humbasin në thellësi të shekujve, Libohova filloi të banohej pak shekuj para Krishtit; por , nga kanë ardhur të parët tanë dhe si kanë jetuar ata, ka plot pasaktësi dhe enigma që askush s’u përgjigjet dot, se, asnjë nga libohovitët e lashtë apo të mëvonshëm nuk kanë lënë diçka të shkruar për historikun e zhvillimit të zonës. Natyrisht me hamendje mendojmë se dhe në të shkuarën e largët, baza e zhvillimit ekonomik në Libohovë ka qënë bujqësia, blektoria, gjuetia etj., që siguronin bazën ekonomike të ekzistencës. Kjo mungesë informacioni nuk është vetëm për Libohovën, po për të gjitha trojet në të cilat banonin shqiptarët.
Vetë Historia e Shqipërisë del nëpërmjet prehistorisë së Ballkanit nga të dhënat e para të Ilirisë në historiografinë grekoromake. Territoret e banuara nga të parët tanë ishin gjithmonë të pushtuara dhe nën juridiksionin romak, bizantin, serb, bullgar, venecian dhe, në shekullin e XV kaloi nën Perandorinë Osmane që mbeti nën kontrollin Osman si pjesë e Rumelisë ( Ballkanit) deri në vitin 1912 kur u themelua shteti i pavarur shqiptar. Në këtë kontekst, të dhënat më të mundshme edhe për bujqësinë duhet të kërkohen në arkivat e Perandorisë Osmane, të cilat hedhin dritë, të paktën për një periudhë afro gjashtë shekullore. Disa të dhëna të pakta, për të mos thënë asgjë, janë shkruar nga kalimtarë dhe vizitorë të rastit që, në udhëtimet e tyre kanë përmendur edhe Libohovën si : Evlija Çelebiu që vizitoi trevat shqiptare në vitin 1670 dhe, më pas Lord Bajroni në vitin 1809. Të dhëna më të sakta dhe bindëse janë shkruar nga libohoviti Zija Gjata, një burrë i ditur e i shkolluar që ka shfrytëzuar të dhënat arkivore që me pushtimin Osman, si dhe kujtimet e të parëve të tij që përfshijnë një periudhë gati dy shekullore. Të dhënat e paraqitura nga autori në fjalë, si dhe kujtimet e shkruara nga Ajet bej Libohova “BREZNITË LIBOHOVA NË SHEKUJ”, janë një bazë për të shkruar një historiografi më të plotë për Libohovën.
Duke shfrytëzuar këto të dhëna, me pushtimin e trojeve shqiptare nga Perandoria Osmane në fillimet e shekullit të XV, turqit bënë regjistrimin e trojeve në vitet 1431-1432, regjistrime që u përsëritën edhe tre herë të tjera ( më 1467, 1519 dhe 1585 ) që u regjistruan edhe kryefamiljarët. Me regjistrimin e tokave që i përket kësaj periudhe ( shekulli XV - XVI ), populli i Libohovës u pakësua për shkak të luftrave dhe taksave të larta, gjë që solli emigrimin e libohovitëve në Korfuz e Itali. Perandoria Osmane vendosi taksa të shumta dhe të rënda si: taksë në të holla, takes për familjet jo muslimane ; taksë 10 përqind për prodhimin e grurit, elbit e thekrës; taksë 50 përqind të prodhimit të ullirit e vajit të ullirit, taksë gjyqësore, taksa e rrushit, taksa e pazarit, taksa doganore dhe taksa të tjera. Në këto kushte, për shkak të taksave të papërballueshme dhe plaçkitjeve, u shkatërruan sektorët jetikë si artizanati, vreshtaria si dhe kultivimi i krimbit të mëndafshit, që siguronin bazën e të ardhurave për familjet libohovite. Si rezultat i kësaj gjendjeje, shumë libohovitë emigruan në vënde të ndryshme të Perandorisë, jo vetëm nga rrënimi i ekonomisë, por edhe për të shkolluar fëmijët, apo t’u jepnin atyre mjeshtëri të ndryshme artizanati që t’i ushtronin kur të ktheheshin në Libohovë.
Gjithsesi, nga mesi i shekullit të XVIII dhe deri nga fundi i shekullit të XIX, Libohova mori një zhvillim të veçantë në të gjitha drejtimet. Bujqësia dhe kryesisht sipërfaqet e mbjella me vreshta arritën në rreth 1000 hektarë, po ashtu u shtua kultivimi i krimbit të mëndafshit, ku shumë familje libohovite kishin edhe tezgjah për prodhimin e mëndafshit. Sektori i ndërtimit mori një hov të paparë, periudhë kur libohovitët, kryesisht ata të kamur ( kadilerë, ushtarakë dhe punonjës të administratës ) ndërtuan shtëpi 2-3 dhe 4 katëshe dhe, infrastruktura e qytetit u përmirësua me shtrimin me kalldrëm të rrugëve të lagjeve më të pasura dhe sistemime e prita në gjithë qytetin. Kjo periudhë koinçidon apo përputhet edhe me disa ndërtime të rëndësishme që i dhanë një konfiguracion të veçantë Libohovës si, ndërtimi i Kalasë me sarajet brënda saj, Kulla e Sahatit, Sarajet e Myfit bej Libohovës, etj. Të gjitha këto arritje, krijuan një qytet me mbi 1000 shtëpi me rreth 4000 banorë, gjë që solli që shumë qytetarë të pasur gjirokastritë t’i kalonin pushimet e verës në Libohovë, pranë familjeve libohovite që jepnin dhoma me qira për bujtësit, traditë që vazhdoi deri në fund të viteve ‘30 të shekullit që lame pas. Kushtet e favorshme klimaterike, prodhimet e veçanta bujqësore dhe blektorale, tradita e veçantë e mikpritjes libohovite dhe gatimet speciale dhe gjithë shije, e bënë Libohovën një qytet të lakmueshëm për gjithë zonën.
Në këto kushte e gjeti Libohovën fillimi i shekullit të XX. Nga regjistrimet e bëra nga Qeveria Shqiptare në vitin 1927, Përmeti, Libohova dhe Delvina, kishin respektivisht rreth 2400 banorë secila, kur Tepelena dhe Saranda kishin respektivisht 800 dhe 900 banorë.
Në fillimin e shekullit të shkuar, e nisin rrëfimin e tyre zotërinjtë Besnik Ismailati dhe Jani Rafti, që me kujtimet dhe faktet e grumbulluara po u japin libohovitëve dhe më gjerë një pasqyrë të plotë të ecurisë dhe zhvillimeve të bujqësisë pas krijimit të shtetit shqiptar pas shpalljes së Pavarësisë.
Autorët na njohin me veçoritë natyrore dhe resurset e zhvillimit të bujqësisë të zonës, kulturat kryesore bazë, drithërat e bukës si dhe sektorëve që tradicionalisht i kanë sjellë të ardhura familjeve libohovite si pemtaria, vreshtaria, kultivimi i perimeve, si edhe blektorisë që kanë plotësuar jo vetëm nevojat familjare, por edhe për shitje. Për këtë periudhë flet edhe një studim i kryer nga Abedin Çiçi dhe Selaudin Çomo, të dy libohovitë, të dy specialistë bujqësie, të dy bashkëkohës, që përfshin gjysmën e parë të shekullit të shkuar.
Pas vitit 1944 për shkak të ndryshimeve politike në Shqipëri, me reformën agrare që u krye në vitin 1946, vazhdoi tradita e kahershme e punëve në bujqësi dhe blektori deri në vitin 1956, vit që u krijua Kooperativa Bujqësore e Libohovës, që u përfshi në ekonominë e centralizuar. Ndryshimi më vonë si sektor në Ndërmarrjen Bujqësore Gjirokastër, nuk solli asnjë ndryshim të dukshëm. Bujqit libohovitë, pavarësisht nga ato pak të holla që
merrnin nga puna në fermë, kompensonin të ardhurat e familjeve nga puna në ekonomitë e tyre private dhe blektoria, deri nga fundi i viteve ‘70 të shekullit të shkuar, kohë kur u krye dhe dorëzimi i plotë i blektorisë, periudhë që solli edhe rënien më të madhe të të ardhurave familjare. Dhjetë-vjeçari i fundit, pra vitet 1980-1990 ishin vitet më të vështira dhe, populli i Libohovës si gjithë populli shqiptar kaloi periudhën më të vështirë të ekzistencës së saj.
Gjithsesi, gjatë afro 50 vjetëve të sundimit komunist, libohovitët shfrytëzuan çdo mundësi për të shtuar të ardhurat familjare duke shfrytëzuar edhe bimët medicinale të zonës si sherebela, çaji i malit, rigoni, kamomili, salepi etj. Në këtë gjëndje katastrofike dhe fukarallëku e gjeti Libohovën fillimi i viteve ‘90. Me ndryshimin e sistemit politik, u happen edhe rrugët për emigracion. Shumë të rinj libohovitë shkuan në Greqi, Itali e gjetkë dhe , me kursimet filluan të rindërtonin shtëpitë dhe të dërgonin të holla për të ndihmuar familjet. Gradualisht Libohova ndryshoi “ faqe”, ndërsa pushteti vendor, me fondet e akorduara përmirësoi deri diku infrastrukturën rrugore brënda qytetit, që akoma ka mangësi. Gjithsesi, Libohova pas gati 30 vjetësh , ka marrë tjetër pamje dhe është bërë një qytet i këndshëm e i banueshëm, por larg asaj që kërkohet. Libohova duhet t’u rikthehet traditave të kohëve më të mira të saj, që ajo të bëhet një qytet, ku veç drejtimeve tradicionale që theksuam më lart, të zhvillohet edhe turizmi familjar. Gjithsesi, hapat e para janë hedhur dhe, grupe të vogla turistësh të huaj e vendas e vizitojnë Libohovën, ku u bëjnë përshtypje shtrirja e qytetit dhe krejt zonës, kushtet klimaterike dhe gjelbërimi, qetësia që u ofron vendi, gatimet tradicionale, si dhe vizitat në monumentet e zonës, si Kalaja, Kulla e Sahatit, Rrapi madhështor në qendër të qytetit, varret pagane, Sarajet e Myfit bej Libohovës, Teqeja e Melanit, Kisha e Labovës së Kryqit , etj.
Jetëshkrimet e agronomëve dhe zooteknikëve libohovitë zënë një vënd të veçantë në këtë volum, aqsa përligj edhe titullin e librit. Jeta dhe veprimtaria e secilit prej tyre është një histori më vete, mbasi ata dhe gjithë specialistët e tjerë të bujqësisë janë njerëz të sakrificave. Shumë prej tyre nuk e kanë zgjedhur me dëshirë profesionin, mbasi dihej që, me mbarimin e studimeve, ata do punonin në ekonomitë bujqësore dhe, si të tillë do punonin në frontet më të vështira të ekonomisë, në një front me bujqit, në dimër e në verë, në kushte të vështira klimaterike, me orar e pa orar, mbasi bujqësia ishte në fushata gjatë gjithë vitit. Rrjedhimisht, shumica e tyre janë njerëz të vuajtur e të sakrificës, por edhe të sjellshëm e të arsyeshëm.
Ata, studentët e fakulteteve të bujqësisë ishin pa miq dhe pranonin ato degë që s’i preferonin të tjerët si e vetmja mundësi shkollimi. Nga leximi i jetëshkrimeve, pashë që shumica e tyre kanë punuar direkt në prodhim dhe rrallë, ndonjerit që i ka ecur fati, por jo vetëm fati, ka punuar në administratë. Nga rradhët e agronomëve dhe specialistëve të tjerë të bujqësisë, janë zgjedhur kryesisht dhe drejtuesit e ekonomive bujqësore dhe drejtuesit kryesorë në rrethe, mbasi ishin njerëz të sakrificës dhe me eksperiencë se, edhe ekonomia kombëtare i realizonte të ardhurat kryesisht nga ky sektor.
Ndryshimi i sistemit dhe çmontimi i ekonomisë së centralizuar, nxori pa punë një numur të konsiderueshëm kuadrosh të sektorëve të ndryshëm të bujqësisë, pjesa më e madhe e të cilëve mbijetuan duke bërë punë të ndryshme, kryesisht në sektorë të ndryshëm të ekonomisë së tregut dhe, pak specialistë, ata që banonin në fshat dhe zonat rurale dhe që morën tokë bujqësore sipas ligjit, krijuan ekonomitë e tyre private. Natyrisht, me ndryshimin e sistemit dhe mbylljen e një sërë ndërmarrjesh e repartesh jorentabël, mbetën pa punë edhe mjaft specialistë e kuadro të aftë të mjaft sektorëve të tjerë si gjeologët, naftëtarët, ushtarakët dhe plot të tjerë që e gjetën veten në sektorë të ndryshëm të ekonomisë dhe në emigracion.
Ky botim, i pari në llojin e vet, do plotësojë një boshllëk për një sektor aq të rëndësishëm siç është bujqësia, duke kontribuar edhe në plotësimin e historikut të Libohovës, mbasi, pa dyshim, të gjithë libohovitët, kush më pak e kush më shumë janë të përfshirë dhe të lidhur me bujqësinë dhe blektorinë, mbasi ka qënë baza e ekzistencës dhe zhvillimit të tyre në shekuj. Në këtë kontekst, shumica e familjeve libohovite kanë shfrytëzuar me nikoqirllëk ambientet rreth e rrotull shtëpive, ku kanë mbjellë dhe kultivuar pemë, hardhi, zarzavate, bimë medicinale; duke mbarështruar edhe bagëti të trasha dhe të imta si dhe kafshë pune që kanë realizuar punimin e tokës e transportin e prodhimeve duke shtuar të ardhurat e familjeve.
Përfundimisht, ky është një libër që gjithkush do ta gjejë veten brenda këtyre rradhëve dhe, si i tillë ky botim duhet të jetë prezent si referencë në të gjitha familjet libohovite kudo që jetojnë. Edhe një herë i falenderoj dy zotërinjtë Besnik Ismailati dhe Jani Rafti për këtë dhuratë të çmuar që u dhanë bashkëqytetarëve të tyre libohovitë dhe më gjerë.
Thanas Verdhi
No comments:
Post a Comment