Sunday 22 June 2014

Vendet ku shqiptarët i mbillnin pemët.

Për një periudhë rreth 30 vjeçare që kam kryer punën e agronomit, më është dhënë mundësia të kqyr nga afër shumë fshatra të rrethit Gjirokastrës. Që në fillimet e punës time më ka bërë përshtypje rregullsia dhe mënyra origjinale e mbjelljes së pemëve rreth shtëpive të banimit, në kopshtet dhe arat. Këtë rregullsi e bukuri  e kam ndeshur edhe në rrethe të tjerë që kam pasur mundësinë t’i kem vizituar apo të kem banuar për një periudhë të shkurtër kohe, si në: Skrapar, Elbasan, Tiranë, Tepelenë, Përmet, Krujë, etj. Në një seminar 3-ditor për drithrat në vitet 80-të të shekullit që kaloi në rrethin e Dibrës, ku isha së bashku me agronomin, mikun tim të ndjerë Ali Sino, duke parë rregullsinë e kopshteve dhe pemët e mbjella në rrethinat e qytetit të Peshkopisë, që ishin vërtet të bukura, ai nuk e përmbajti dot gëzimin e një specjalisti të vjetër dhe të apasjonuar, mu drejtua duke më thëne:
- “Nga këta duhet të mësojmë”. Gjithashtu rrasti më është dhënë të vizitoj edhe disa fshatra të Janinës në Greqi. Kudo kam konstatuar të njëjtin bukuri, stil ndërtimi e konceptimi. Le t’i  marrim me rradhë në shqyrtim vendet ku dhe si shqiptarët i mbillnin pemët që nga lashtësitë e deri në ditët tona.
Fshati Labovë e Kryqit
            1. Rreth shtëpive: Fillimisht njeriu prehistorik pemën e parë e mbolli afër vendit ku banonte. Pema e parë që ka mbjellë njeriu afër banesës së tij thuhet se është fiku, rreth 11, 5 vjet më parë në Lindjen e Mesme, ku dhe u çfaqën fshatrat e parë. Me zhvillimin e jetës urbane njerëzit të nxitur nga dashuria për bimët dhe gjelbërimin, e zhvilluan këtë praktikë edhe në këto zona. Si për zonat urbane dhe ato rurale kjo praktikë e njerëzve të lashtë ka ardhur deri në ditët e sotme duke u përmirësuar e prefeksjonuar gjat mijëra vjeçarëve. Të gjitha zbulimet arkeologjike të kryera në Shqipëri tregojnë se rreth shtëpive të lashta ka një hapësirë për të cilën arkeologët mendojnë se mbilleshin me pemë. Zakonisht në gjuhën popullore atje ku bëheshin 2-3 pemë quhesh kopsht. Për mendimin tim duhet bërë dallimi midis pemëve që mbillen rreth shtëpisë në copa tokash të vogla dhe një kopshti të mirfilltë. Pemët rreth shtëpive në zonat e pjerrëta shpesh mbilleshin në brezare të ngritura me mur guri e të mbushura me dhe, ose çdo pemë apo hardhi mbillej në një rrethim të veçantë ku aty mund të mbilleshin dhe bimë të tjera si perime, erëza ose lule.
            Bimët që mbilleshin rreth një shtëpie në Gjirokastër ndryshonin nga ato të një shtëpie bregdetare si psh., në Durrës apo në Vlorë. Bimët e një banese rurale bujqësore ndryshonin nga ato të zonave urbane. Në zonat rurale kodrinore e malore pemët që mbilleshin shërbenin për të përballuar jetesën, si ushqim për njeriun dhe kafshët, bimë medicinale dhe zbukuruese. Këto bimë mund të ishin: mani, caraci, molla, lofata, thana, arra, shtogu, trandafilat, etj. Ndërsa në zonën bregdetare ishin: agrumet, ulliri, hurma, fiku, etj. Në zonën bregdetare ato mbilleshin krysisht për të patur shtëpia një pamje të bukur e të hijëshme, për ushqim si dhe për të krijuar një mjedis me freski ajërore. Sot në botë ka një specialitet që mirret me dizenjimin e një shtëpie me gjelbërim që quhet Arqitekurë Peisazhi(Landscape architecture).
             Gjelbërimi rreth shtëpive në Shqipëri mendoj se ka patur një specifikë të veçantë, sidomos në zonat rurale bujqësore dhe duhet të jetë një bazë orjentuese edhe në të arthmen, sepse përbën një eksperiencë mijëra vjeçare. Pemët që mbilleshin kishin qëllim të dyfishtë ose të shumfishtë, siç është psh. mani që shfrytëzohej si ushqim për njerëzit dhe kafshët, si bimë zbukuruese, rritjen e krymbit të mëndafshit, për të bërë veglat e mjetet e punës, objekte artistike e artizanale, si dhe shërbente njëkohësisht kundra erozionit dhe për hije e freski. Mbjellja e pemëve bëhej në përshtatje me rrethanat dhe kushtet socjale, kushtet e terrenit, klima, reljevi, mënyra e ndërtimit të banesave, etj. Në hyrjet kryesore të shtëpive ose siç quhet, portat e jashtëme ose porta e madhe, shpesh dhe jashtë rrethimit të banesave, mbilleshin pemë me kurorë të lartë si: mani, qershia, bajamja, caraci, lofata, arra, etj. Krijimtaria shpirtërore popullore, folklori, që e pasqyron të plotë historinë, sjell një informacjon edhe për rritjen e bimëve që ishin pjesë e jetës njerëzore. Këngët popullore, na “tregojnë” jo vetëm se cilat ishin pemët por, edhe ku mbilleshin ato. Në krahinën e Lunxhërisë në një këngë popullore thuhet:
Mu tek portë e madhe[1], kish mbirë qershia
Në degët e saja, një zog vija-vija
Sa bukur ja thoshte, kur vinte qindia[2]
            Për thanën populli shqiptar ka një thënie: “Ja vuri kufirin tek thana” ose “tek shtogu”, që do të thotë se thana dhe shtogu mbilleshin në vijën e kufizimit të truallit të banesave ose kopshteve me fqinjin. Mbrapa shtëpisë ose anash saj mund të gjeje fikun, kumbulla, mollë, lisin, etj. Është një këngë tjetër që na tregon:
Prapa shtëpisë tek fiku,
Dil mike se të do miku….
            Në ballinën e shtëpisë, që pjesën më të madhe e zinte oborri, aty e kishte vendin hardhia, zakonisht në shtretër të lartë por, dhe erekë, si dhe mbilleshin lule e trandafila dhe ndonjë pemë me kurorë të vogël si ftoi, shega, pjeshka, etj. Këngëtari popullor e thotë kështu:
Tek pjergulla në avlli,
Ç’u plagoç i varfëri,
Te mikia shpimëni,
Ajo di e bën jatri[3]
            Kjo mënyrë dizenjimi për gjelbërimin e shtëpive të banimit bëhej kur trualli i shtëpive kish një sipërfaqe të vogël e të kufizuar, ndërsa për prodhime bujqësore të nevojëshme për ushqim ose për tregëti, ndërtoheshin kopshtet.
           
            2. Kopshtet: Për të patur një ide të qartë se çfar kuptojmë me fjalën “kopsht ose bahçe” në fjalorin e gjuhës shqipe thuhet: “Kopsht quhet një copë toke e thurur, zakonisht pranë shtëpisë, që e mbjellin me pemë të ndryshme, me perime ose me lule”, ndërsa në gjuhën angleze për fjalën kopsht(garden) thuhet: “Një pjesë toke zakonisht afër shtëpisë për të kultivuar lule, pemë frutore dhe perime”.
            Kopshtet afër shtëpive të banimit janë më të herëshmit e kultivimit të bimëve dhe fillimisht kanë patur si qëllim kryesor prodhimin e ushqimeve për njerëzit. Njeriu prehistorik në afërsi të banesës së tij zhduku të gjitha pemët ose bimët që nuk i nevoiteshin dhe aty fillojë e të mbjellë apo të kultivojë ato për të cilat kishte nevojë. Kjo praktikë krijoi kopshtet e para. Të tillë ishin ndërtuar që para 5000 vjetësh në Mesopotaminë e Lashtë madje të përshtatura edhe për një jetesë të zhvilluar urbane, siç janë përshkruar kopshti Edenit, kopshtet e varura Babilonase, të ndërtuara me një teknikë të lartë agronomike. Në to mbilleshin hurma, bajame, ullinj, lisa, pisha, arrë, shegë, dardhë, ftonj, fiq, vreshta, etj., si dhe bimë mjekësore, perime e lule. Me daljen në skenë të civilizimeve të para, njerëzit e pasur filluan të krijojnë kopshte estetikë ose dekorativë, thjeshtë për të patur një mjedis e pamje të bukur shumëngjyrëshe. Kopshte të tillë janë çfaqur në Egjytin dhe Greqinë e Lashtë dhe u prefeksjonuan më tej nga romakët e më pas nga evropianët. Në Mesjetë gjat shekujve të  XVI- XIX u krijuan parqet, kopshtet botanikë apo kopshtet mbretërorë, por kjo mënyrë dizenjimi e kopshteve nuk është objekt i shkrimeve të mia.
            Në të vërtetë në kopshtarinë prodhuese që nga lashtësia shumë pak gjëra kanë ndryshuar. Kopshtaria është një traditë shumë e lashtë e shqiptarëve, të cilët shquhen ndër të tjerë për origjinalitetin dhe janë ndër të parët në Evropë, pavarësisht se historia botërore e kultivimit të bimëve e anashkalon këtë fakt. Kopshtet e arbërve kanë habitur udhëtarët e huaj gjat Mesjetës. Ndër shumë të tjerë, një udhëtar anonim austriak, që pretendon se e ka shkelur çdo cep të Trojeve Shqiptare në vitin 1869, shkruan në gazatën “Die Debate” se:
“Në rajonet e ashpra shtrihen me kujdes frutat e malit dhe ato të egra, në ultësira dhe rajonet bregdetare rriten agrume të mrekullueshme, madje has tek-tuk edhe palma[4].
            Në Perandorinë Otomane bahçevanët më të shquar në Stamboll ishin shqiptarë. Për këtë traditë shqiptarët janë shquar edhe gjat Perandorisë Bizantine, por fillesën e saj e ka thellë në lashtësi. Sipas arkeologut Neritan Ceka, tradita e ndërtimit të kopshteve me pemë rreth shtëpive të banimit në trojet shqiptare shkon përtej periudhës Ilire. Kur flet për Butrintin e shekujve te V-VI ai kumton:
“Edhe Buthrotum mungon në listën e Prokopit të Cezaresë, pavarësisht se në kohën e tij u ndërtua një mur rrethues që dyfishoi sipërfaqen e mbrojtur në krahasim me periudhën antike. Por, ashtu si në Bylis, ai rrethonte më shumë kopshte se sa shtëpi dhe shërbente për të krijuar një hapësirë strehimi në raste sulmesh barbare”[5]
            Zakonisht kopshtet gjat mesjetës rrethoheshin me murre guri ose gardhe të lartë, të thurur me gjëmba ose mbilleshin ferra(Rubus), qoftë edhe për të çfrytëzuar frutat e tyre si ushqim. Në zonën kodrinore-malore kopshtet e fshatrave atje ku trualli shtëpive ishte i mjaftueshëm behej afër shtëpisë në të kundërt ndërtoheshin të grupuara rreth fshatrave ku çdo familje kishte kopshtin e saj dhe zakonisht ishin nën ujë. Shtriheshin në faqet e kodrave ose maleve, në formë brezaresh të hijëshme e me mure mbajtës. Udhëtari turk Evelie Çelebiu kur flet për kopshtet në qytetin e Gjirokastres në vitet 1660 shkruan: ” Muret dhe shtëpitë janë të gjitha të herëshme, që datojnë që nga koha e të pafeve[6].  Muret janë kaq të gjatë dhe solidë sa as edhe një harabel nuk mundet të kapet me thonj e të qëndrojë”. 
           Kopshtet me peme dhe perime shpesh ngriheshin edhe nëpër  pyje buze lumenjeve, përenjeve, por edhe ne pjesen fushore aty ku kishte pak uje ose kishte kushte të përshtatëshme afer vendeve ku kultivonin edhe drithrat, etj. Aty gjeje dardhën, kumbullën, arrën, fikun, qershinë, trandafila, lisa dhe perime të shumllojëshme.
             Në periudhën bizantine kopshte unike u ndërtuan nga murgjit rreth kishave, manastireve, teqeve e vakëfeve. Të njohura në rrethin e Gjirokastërs kanë qenë kopshtet e manastirit të Cepos, Pepelit, të teqesë Melanit, etj. Gjithashtu origjinalë e të bukur kanë qenë kopshti i Myfit Beut në Libohovë, kopshti Xhemali Shtinos në Gjirokastër, etj.. me pemë, trandafila, lule dhe perime të zgjedhura, të  cilat edhe sot i mbajnë këta emra edhe pse u prishën gjat diktaturës. Të shumta janë toponimet që ende ruhen nëpër fshatra “Bahçe”, madja një lagje në qytetin e Shkodrës ka marrë emrin “Baçallëk” për bahçet e bukura që kishin ndërtuar banorët. Po kështu shumë të shpeshtë ndeshen mbiemrat si “Baçevani”,  “Baçe”, “Baçaj”, “Baçi”, “Kopshtari”, etj.  Në përgjithësi kopshtet e popullatës të shtresave të varfëra e të  mesme mbilleshin me perime, pemë frutore, bimë medicinale e lule, por kishte edhe kopshte thjesht me pemë frutore. Në zonat kodrinore-malore pemët që mbilleshin zakonisht ishin dardha, molla, ftoi, fiku, etj. Në një këngë të këtyre zonave thuhet:
Në baçenë tënde moj,
Dyzet rrënjë mollë,
Se ç’u rrit kjo çupa,
dhe ma bën me dorë…
            Kurse në zonën bregdetare në kopshtet apo bahçetë mbilleshin ullinj, portokallet, limonat, mandarinat, etj, në një këngë të kësaj zone thuhet:
Një baçe-o me portokalle,
Se ç’po lozin-o dy sorkadhe….

Ndërsa Polo Mihali i pershkruan kështu bahçet apo kopshtet ne krahinen e tij Lunxhëri
"Baçet plot me gjelbërime
Rrethuar nga pemët janë
Midis tyre plot perime
Nga të gjitha llojet kanë".
            Gjat periudhës së Diktaturës u zbeh kjo traditë, nuk flitesh më për këtë dukuri të kopshtarëve duarartë shqiptarë, traditë e përfituar me mundim nga shumë breza shqiptarësh. Në këtë periudhë flitesh e punohesh vetëm për pemtore të mëdhaja industriale, prona të ish-kooperativave apo NB-ve.  Mund të kishe disa pemë apo hardhi rreth shtëpsë por, kur bëhej fjalë për një kopësht apo bahçe të vërtetë, pronari shifej jo me sy të mirë nga Partia shtet. Menjëherë pas vendosjes së Diktaturës ata që kishin një prodhim të shquar bujqësor e të lakmueshëm në fshat, u goditën, u shpallën kulakë dhe dihet kalvari vuajtjeve. Në vitet që pasuan, kur ndonjëri me pasion e me djersë krijonte ndonjë kopsht të mirë kërcënohesh nga Organizata e Partisë duke i thënë:  “Ti e ke mendjen tek prona private, ke mbeturina mikroborgjeze”.  Nuk janë të pakta rrastet vetëm për këtë fakt janë diskriminuar e persekutuar shumë njerëz.
            Pas viteve 90-të të shekullit që kaloi shqiptarët ju rikthyen këtij zanati të vjetër fisnik, për të fituar kohën e humbur, madje shumë njerëz që banojnë në qytete kanë ndërtuar shtëpi në fshatra apo rrethinat e qyteteve dhe me pasjon i janë futur punës për të prodhuar fruta dhe perime nga kopshtet e tyre. Këtë dukuri shqiptarët po e përhapin edhe ne vendet ku kanë emigruar, këtu në SHBA, e kudo ku banojnë. Menjëherë sapo marrin një shtëpi, organizojnë kopshtet e tyre që janë origjinalë, të veçantë e bëjnë dallim nga kopshtet e banorëve të tjerë. Një pjesë mirë e emigrantëve po punojnë për ngritjen dhe dizenjimin e tyre, punë e cila pëlqehet nga banorët vendas dhe u ka sjellë të ardhura të kënaqëshme.

Shtepia e Misto Sevit ne Boston, MA - SHBA
           3. Arat: Sipas fjalorit shqip, arë quhet një tokë qe punohet dhe mbillet, tokë buke. Arat që kanë ndërtuar arëbërsit shqiptarë në zonat malore e kodrinore nuk janë ndërtuar për një ditë, apo për një vit, zanafillën e tyre e kanë që nga lashtesitë e kanë punuar për to shumë breza shqiptarësh. Kohët e fundit arkeologët kanë zbuluar në Butrint një parmedë 2700 vjeçare, më e vjetra në Ballkan.[7] Këto 20 shekujt e fundit për shqiptarët ka qenë një periudhë e vështirë luftrash e sundimesh të egra. Historia përshkruan shkatërimet, djegiet, vrasjet dhe shpërnguljen masive sforcërisht të banorëve. Por, përmidis luftrash të egëra, të gjata e cfilitëse, shqiptarët ditën si t’a prodhojnë ushqimin e tyre e të mbijetojnë. Gjat okupimeve të gjata, një pjesë emigroi, një pjesë ju përshtatën kushteve të rënda të sundimtarëve të huaj, por mbajtën të pa shuar ndjenjat liridashese e indetitetin e tyre. Një pjesë u rudhën nëper male dhe me shumë durim e punë të mundimëshme, falë aftësive diturake të tyre, ndërtuan arat për të siguruar bukën e përditëshme. Kjo periudhë ishte masive në të gjitha Trojet Shqiptare pas dydjeve shkatëruese e skallavëruese të romakëve e sllavëve, por edhe për të përballuar pushtimin e egër e të gjatë osman.
             Të habit mjeshtëria, thjeshtësia, finesa dhe prakticiteti i bërjes këtyre arave, format e tyre të përshtatura bukur me mjedisin. Të parët tanë ashtu siç janë shquar në ndërtimin e banesave, objekteve fortifikuese, ndërtimeve socjale si urat dhe ujësjellësat, po aq të talentuar e krijues çfaqen edhe për bërjen e arave. Kjo përvojë, e lënë në hije deri më tani, duhet të tërheqi vëmendjen e specjalistave për kohën që jetojmë dhe më tutje.
            Banorët e lashtë ndërtimin e arave e kanë filluar nga më të thjeshtat, nga lëndinat, me fitimin e  përvojës dhe rritjes nevojave janë zgjeruar drejt më të vështirave. Për bërjen e këtyre arave brez pas brerzi janë zbatuar me finesë e krijimtari elementët e brezarimit të tokave: si sistemi punimit, sistemimet sipërfaqësore, muret mbajtës, të cilët për nga teknika e ndërtimit janë të lakmueshëm, pasi disa kanë qindra vjet që kryejnë këtë funksjon.  Nivelimet, mbushjet me dhe aty-këtu, pastrimi i gurëve, shkureve, plehërimet, kanë qenë punë të përviteshme të banorëve për të krijuar arat që ne sot shohim. Krijimi i ledheve në përshtatje me terrenin, i ndonjë lëndine të bukur për midis, rrugët dytësore përshatur natyrshëm brenda parcelimeve, përbejnë së toku elementë të rëndësishëm funksjonalë të bërjes këtyre arave, për të krijuar  asamble e peisazhe të bukura arash që ende e ruajnë bukurinë e tyre dhe erozioni është zero.
Peisazhe arash në Dibër e Mat

            Kjo formë sistemimi e tokave bujqësore në zonat kodrinore e malore u ka rezistuar shekujve. Në shekullin e kaluar me koletivizimin e bujqësisë u kryen shumë sistemimime e bashkime arash për të lejuar punimin e tokës me mjete mekanike. Diku u kryen të studjuara, por diku tjetër u bënë edhe gabime e nxitën erozjonin.
            Fillimisht arat u krijuan për të mbjellë drithëra, të sigurohesh “buka e gojës”, por nevojat në rritje i detyruan bujqit që ato të zgjeroheshin me mezhdat apo ledhet për të cilat tregohesh i njëjti kujdes. Në qofte se toka e punuar në këto zona ishte e pakët dhe e pa mjaftueshme për nevojat që paraqiteshin, me ledhet rreth arave, toka bujqësore që e mbarështronin u dyfishua e trefishua. Ledhet shfrytëzoheshin për barin e thatë për bagëtinë, ose kullotë, dhe njëkohësisht mbilleshin pemë e shkure për qellime të ndryshme si: arra, lisa, dardhë, lofata, gorica, caracë, thanë, qershi, lajthi, hardhi në formën e pjergullës, madje dhe bimë zbukuruese e medicinale si trandafila, zambak, etj. Pra, në vet-vehte ara përbënte një njësi prodhuese komplekse bujqësore nga e cila siguroheshin ushqimet për vehten e tyre dhe bagëtinë që mbanin, drutë e zjarrit, lëndën drunore për ndërtimin e banesave, etj. Njëkohesisht bimët drunore kishin dhe funksjone të tjera të rëndësishme për ta si: për të mënjanuar erozionin, krijonin një freski ajrore e tokësore si dhe rrënjët e tyre ishin ujëmbajtëse e përmirësonin bilançin e lagështisë tokësore për zonat e thata. Që nga banorët e lashtë e deri në shek. XX, bujqit shqiptarë me kodet e tyre agroteknikë të transmetuara brez pas brezi kanë menaxhuar në mënyrën më të mirë arat e tyre.
            Ledhet arave ishin edhe vend qëndrimi i disa kafshëve të egra si: lepuj, kunave, dhelpra, thëllëza, mëllenja, iriqi, breshka, kërmij, etj. që dhe këto shfrytëzoheshin si ushqim. Kjo mënyrë kultivimi e bimëve kishte krijuar një simbiozë natyrale dhe tepër miqësore të njeriut me natyrën që meriton vëmendje, pasi sot është e lakmueshme nga të gjithë, për të zhvilluar bujqësinë dhe ekoniminë në tëresi, si dhe për të nxitur e organizuar agroturizmin bio në këto zona. Atë që mund të kërkojnë banorët e këtyre zonave për t’i ndihmuar me financime në rimëkëmbjen e bujqësisë është investimet në drejtim të përmirësimit të ujitjes, infrastrukturës rrugore si dhe krijimi lehtësirave bankare për të pasur mekanizmat e duhura e të kohës.

           
            4. Në blloqe: Një bllok me pemë quhet i tillë kur madhësia e tij shtrihet nga më pak se një dylim deri dhjetra hektarë e më shumë. Për këtë mënyrë kultivimi të pemëve frutore është krijuar mëndësia se në Shqipëri u çfaq apo u zhvillua pas Luftës së Dytë Botërore, por pa folur për të tjerët, edhe kjo mënyrë kultivimi e pemëve për shqiptarët është e njohur dhe shumë e lashtë. Masive me thanë, lisa, arrë, etj., që shtrihen dhe sot në zonat kodrinore e malore, zanafillën e tyre mund t’a kanë nga faktorë njerëzorë. Natyrisht për t’a vërtetuar këtë duhen studime të cilat nuk i kemi deri tani. Disa masive me arrë që kanë qenë në rrethin e Gjirokastrës si në Sopot të Lazaratit, Harko Fole në Labovë të Kryqit, Satakone në fshatin Selckë, në komunën Cepo, etj., sipas vrojtimeve fillesën e tyre mund t’a kenë shumë të lashtë. Po kështu mund të themi për disa masive me lisa në fshatrat Poliçan, Sheper, Skore, etj. Blloqe të mirfilltë shumë të herëshme me agrume e ullinj ka patur gjat gjithë kohërave në bregdetit shqiptar. Po të flasësh se kur shqiptarët kanë filluar t’i mbjellin pemët në blloqe, gjurmimet të shpien në lashtësi. Ndoshta ka ardhur koha që me studime të veçanta nga kominitetet qe i kanë në pronesi, qeverisë dhe ndihmën e organizmave zhvillimore të Komunitetet Evropian të ripërtrihen e të mirmbahen.
Një bllok me lisa në fshatin Poliçan, Gjirokastër.

            Gjat shekullit që lamë pas në të gjithë territorin shqiptar u bë një punë e madhe dhe u ngritën masive të shumta me pemë frutore si: përgjat bregdetit me agrume e ullinj, në Dvoran të Korçës me mollë, në Roshnik të Beratit me Fiq, në Tropojë me kubulla, në Peshkopi, etj. Në rrethin e Gjirokastrës të përmendura ishin: Fidanishtja Frutore në Mashkullorë, blloqet me pemë në Lunxhëri, Odrie, Dropullin e Sipërm, etj. Pas vitit 1990 këto masive me pemë nuk i rrezituan dot ndryshimeve politike dhe tranzucjonit të gjatë e të vështirë, pjesa më e madhe e tyre u lanë pas dore dhe u shkatëruan. Kjo ndodhi si rjedhojë e braktisjes fshatrave nga banorët por, edhe të gabimeve në ndërtimin e tyre dhe shkaqe të tjera. Sot banorët e këtyre zonave, një pjesë të kthyer nga emigrimi, po ringrejnë pemtoret e tyre.
Blloqe me agrume e ullinj në brgdet

            5. Vreshtat: Një tokë mbjellë me hardhi quhet vreshtë.  Fillimisht hardhia është kultivuar nëpër pemë dhe më pas kanë lindur vreshtat. Tradita e kultivimit të hardhisë nëpër pemë ka ardhur deri në ditët e sotme. Shumë e njohur është bërë kjo traditë në rrethin e Skraparit, Përmetit, Gjirokastrës, etj., kryesisht nëpër lisa, vidhe apo caracë. Populli e ka thënë nëpër këngë:
“Pjergulla në lis të thatë,
Ngjitet lart e më të lartë,
Ngjitet lart dhe në ca vidhë…”
            Vreshtat janë të njohura qysh në Egjyptin e lashtë. Shqiptarët dhe para-ardhesit e tyre Ilirët, sipas shumë autorëve janë shquar për kultivimin e rrushit në vreshta dhe prodhimin e verës që para Periudhes Antike. Sipas Prof.  P. Sotirit, arkeologjisë dhe historianëve, hov të madh ka marë vreshtaria gjat periudhës antike ku ilirët shquheshin si prodhuesit dhe eksportuesit e verës në Mesdhe.  Edhe gjat Mesjetës tokat e arbërve përshkruheshin si toka me vreshta të shumta. Këte e dëshmojnë fakte të shkruara, gërmimet arkeologjike si dhe toponimet e shumta rreth qendrave të banuara edhe pse nuk janë ose të mbahen mend të mbjella me hardhi. Në disa vende janë diktuar dhe impiante që shërbenin për prodhimit e verës. Në rrethin e Gjirokastrës në vendin e quajtur Revani të Libohovës janë diktuar tubacjone balte për transportin e mushtit të rrushit në Libohovë. Edhe mali Bureto ku shtrihet Libohova, në gjuhët sllave do të thote “Kade”, ndoshta sllavët ja kanë vendosur këtë emër sepse rëzë këtij mali gjetën kade të mëdhaja të verës të pa para prej tyre. Në Shqipëri ka gjashtë fshatra që mbajnë emrin Vreshtaz ose Hardhishtë si në rrethet: Krujë, Fier, Elbasan, Gramsh, Korçë etj., të tille ka edhe në Kosovë, arbëreshët e italisë si dhe në Çamëri apo  tek arvanitët në Peloponez të Greqisë.
            Në vitet e para të pushtimit osman vreshtaria e arbërve mori nje goditje të rëndë, u shkateruan shumë vreshta nga ushtritë turke, por më pas duke ndjerë perfitimet e këtij aktiviteti bujqësor nga taksat që vilnin, okupatorët nuk e penguan. Goditjen më të rëndë vreshtaria shqiptare e mori pas viteve 1860 nga dëmtimet e dëmtuesit të rrezikshëm të sistemit rrënjor Filloksera(Ph. vastratix), dhe pas vitit 1880 edhe nga çfaqia e sëmundjs vrugut, patogjenë të rrezikshëm këta të ardhur nga Kontineti Amerikan. Kur evropianët përpiqeshin për të shpëtuar vreshtat e tyre nga këto epifiti, shqiptarët ishin në zjarrin e luftës për pavarësi nga Turqia dhe më pas u përfshinë në luftrat Ballkaniike e ato botërore, e nuk kishin kohë të mirreshin me këtë armik të vreshtave të tyre. Masat e para ndaj këtyre dëmtimeve shqiptarët i morrën pas vitit 1930 dhe pas Luftë së Dytë Botërore. Deri atëherë ishin shkatëruar pothuajse gjithçka, mijëra hektar vreshta në të gjithë vendin.
            Në vreshta krahas kultivimit të llojeve të rrushit, në mezhdat apo ledhet e tyre mbilleshin dhe pemë për prodhim frutash, kundra erozionit, për hije dhe për të prodhuar elementë të sistemit mbeshtetës për hardhinë. Të tilla kanë qenë lisat, vidhi, caraci, lofata por dhe pemë frutore si qershia, ftoi, dardha, molla, thana, fiku, arra, lajtia, etj. Në një kënge popullore nga rrethi Skraparit dhe Mallakastrës thuhet:
Mbolla një vreshtë në mal,
Mbolla dhe pemët rradhë-radhë
Ca m’u zunë, e ca s’mu zunë…
            Gjat periudhës së Diktaturës komuniste ju kushtua vëmendje mbjelljes së vreshtave, u ngritën blloqe të mëdhaja me vreshta gjat bregdetit, në Shtoj të Shkodrës, rreth qyteteve si në: Tiranë, Berat, Fier, Lezhë, Lushnjë e kudo.  Në rrethin e Gjirokastrës blloqe me vreshta u ngritën në fidanishten e Mashkullorës, Lunxhëri, Dropull i Sipërm, etj., por edhe këto fatkeqësisht pësuan një shkatërim gjat viteve 90-të. Pas vitit 2002 vreshtaria dhe prodhimi i verës në Shqipëri po merr një hov e zhvillim të ri.
Vreshta të reja  
        
             6. Anës rrugëve, dekorative. Në qytete dhe fshatrat shqiptare, në rrugët dhe qendrat e tyre, ka qenë traditë e lashtë mbjellja e pemëve për hije dhe për zbukurim. Në qendra të fshatrave mbilleshin zakonisht rrepe ose lisa ku krijohej një mjedis i freskët çlodhës si dhe shfrytëzohej për arena festive e kuvende. Në rrugët zakonisht mbilleshin caracët, lofata, lisa, fiq, etj.
            Një traditë e lashtë e shqiptarëve për mbjelljen e pemëve ka qenë mbjellja e tyre rreth kishave, teqeve ose varrezave. Në këto mjedise zakonisht mbilleshin qipariza, dafina, shelgje, lisa, trandafila  a ndonjë pemë tjetër dekorative.
 Rrapi mbi 500 vjeçar në qender të qytetit Libohoves, Gjirokastër. Një vend tepër antraktiv për shumë turiste vendas e të huaj.
            Në botë janë të njohura mbi 1000 lloje të pemëve frutore, në Shqipëri numurohen rreth 100 lloje nga të cilat sot kultivohen afërsisht 40 lloje por, rreth 15 lloje janë të zakoneshme, e kanë një rëndesi ekonomike, të cilat kanë një përhapje e përshtatshmëri të ndryshme në zonat e veçanta gjeografike e klimaterike. Në rrethana dhe kushtet që ju krijuan shqiptarëve për shkak të luftrave pambarim gjat shekujve, ju duhesh që t’i racionalizonin punet e tyre. Të përfitonin sa më shumë nga toka e pakët që kishin nën kulturë. Pemët që bujqit shqiptarë kultivonin në arat, kopshtet madje dhe rreth shtëpive të tyre ishte një përzgjedhje specifike sipas një kodi të trashëguar brez pas brezi për të përballuar sa më mirë nevojat që kishin, prandaj krahas pemëve frutore të zakonëshme në përzgjedhjen e tyre ishin dhe bimët e egra ose gjysëm të egra si: lisi, thana, lofata, bliri, gorica, etj.




[1] Portë e madhe- porta e jashtëme e oborrit, zakonisht ishte e madhe me qemer e sofa(pezule) ku rinin pasditeve e darkave.
[2] Qindia- mbasditja
[3] jatri, (greq.)- ilaç
[4] Gazeta “Shekulli”, 18.10. 2013-(shih: “Die Völker des Orients-Die Albanesen”, Feuilleton der „Debatte”, 27 mars 1869, Nr. 86. Viti VI, fq. 1
[5] N. Ceka - Ilirët e antikitetit të vonë, një jetë të varfër, me pak art dhe shumë verë( Gazeta “Mapo” 3 mars, 2013)
[6] Të pafe - kështu i quante autori të krishterët.
[7] Gazeta “Shqiptarja. com” 22 Qershor, 2012 – Zbulohet në Butrint parmenda 2700 vjeçare.

No comments:

Post a Comment