Mani (Morus alba L. & Morus nigra L.)


Kujtime të vegjëlisë
- Mani Kako-Dhoqinës

    "Po s'u vesh me gjethe mani,
asnjëherë s'zhvishet insani[1]"                                                                                Populli

            Poshtë banesës tonë, ishte një shtëpi gërmadhë e rrethuar me kopshte ku rriteshin disa pemë frutore nga më të mirat në fshat. Ky vend e kishte emrin Kako-Dhoqinë. Dikur aty ka gëluar jeta me njerëz punëtorë, të gjezdisur, të kamur e të ditur. Me sa kuptohet, e fundit e kësaj shtëpie duhet të ketë qenë një plakë me emërin Dhoqinë. Të afërmit e saj thuhej se kishin ikur nga fshati e jetonin në Stamboll. Atje kishin bërë emër dhe pasuri të madhe. Siç duket për Dhoqinën nuk erdhi ndonjë Kostandin për t’a marrë e bashkuar me njerrëzit e tjerë të familjes, si në legjandë: ose kjo Dhoqinë ka qenë një “kokë mushkë” dhe nuk dëshironte të largohej nga vendi e kopshtet e saj të begatë, por ndenji aty derisa vdiq. Njerëzia në fshat për t’a rrespektuar i bashkëngjitën “titullin” e pleqërisë “Kako”  dhe kështu këtij vendi i ka mbetur dhe sot emri Kako-Dhoqinë. Kjo histori duhet të ketë ndodhur pesëdhjetë apo njëqind vjet më parë se unë të lindja dhe ishte harruar e askush nuk fliste për ‘të.
     Në fshat as nuk kishte njeri që të kujdesej për këtë truall siç ndothte rëndom me trojet e tjera. Ne bëheshim 3-4 fëmijë në lagje dhe këto kopshte bashkë me gërmadhat i kishim “pronat” tona. Luanim gjithë ditën si dhe shijonim frutat e ndryshme: kumbullat mashqino, bajamet, fiqtë, shegët, etj. Midis tyre ishte dhe një man i bardhë qindra-vjeçar, më i madhi dhe nga më të mirët në fshat. Për t’a kapur trungun e tij, duheshin tre burra, ndërsa kurora ishte mbi 25 metra e lartë. Ishim të vegjël dhe nuk hipnim dot që t’a shkundnim por, kënaqeshim me ato pak fruta që binin duke hedhur ndonjë gur.  Kështu bënin edhe udhëtarët  e rrastit që u binte rruga të kalonin andej.
           
Zakonisht në mëngjeset e ditëve të pushimit, një i rritur nga lagjia bënte shkundjen e tij. Ne të vegjelit por, edhe më të mëdhejtë mirnin një kupë në dorë, dikush ndonjë mushama për t’i pritur frutat, hanin për vete si dhe mblidhnin për pjestarët e tjerë të familjes. Ishte fruti i pare, bëhej aty nga fundi muajit maj dhe ishte shumë i shijshëm. Pas nesh, rradhën e kishin pulat e mëhallës të cilat qëmtonin frutat e prishura, të tharat e të mbetura përdhe. Për bashkëlagjasit ky man shërbente dhe si ushqim për bagëtinë, herë pas here gjatë verës prisnin degë gjethore pa e dëmtuar prodhimin e tij.  Kështu bënte edhe ndonjëri që kultivonte krymbin e mëndafshit. Ky man ishte bërë si të thuash një bamirës ose filantrop për të gjitha familjet për-rreth. Por, gjërat ndryshojnë, ka dhe të pa pritura.
            Ishte ditë e një dimri të egër. Malet oshëtinin nga erërat e forta sikur do shëmbeshin. Shiu me suferinë dukej se do të përbyste gjithçka të ngritur mbi tokë. Njerëzit sapo ra muzgu u strukën nëpër shtëpiat e tyre rreth zjarrit me veshë të ngritur për të dëgjuar rënien e ndonjë muri rrethues ose të dërrasave që mirrte era nga çatitë e shtëpive.  Ne së bashku me nënën rreth zjarrit, prisnin babanë që ende nuk ishte kthyer. Më në fund ai erdhi dhe sapo futi këmbët brenda tha:
- Era ka shkulur manin e Kako-Dhoqinës. Me fantazinë time, nuk e përfytyroja dot se si gjithë ai man të ishte rrëzuar për tokë. Mezi prisja të vinte mëngjesi për të parë atë çfarë kishte ndodhur në atë natë të llahtarëshme.
            Në mëgjes stuhia kishte pushuar, të gjithë njerëzit ishin grumbulluar rreth manit si në një ceremoni mortore për t’i dhënë “lamtumirën” e fundit. Flisnin  me njëri-tjetrin si e kishin përjetuar stuhinë që kaloi por, dhe për manin që nuk e kishte shokun në fshat, për madhësinë e frutave, ëmbëlsinë e shijen. Rrënjet e kishin ngritur tokën sa dy bojë njeriu. Trupi i tij i shtrirë gjërë e gjatë përdhe, kishte bllokuar rrugën kryesore të mëhallës dhe asnjeri nuk po ndërhynte për të prerë diçka që të hapej rruga e të kalonin të paktën bagëtia.
            Pak më von, aty u shfaq një pinjoll i familjes së Dedajve nga lagjia matanë dhe i doli për zot manit. Thuhej se kishte lidhje krushqie dhe askush nuk e kundërshtoi. Në ditët që pasuan, erdhën 4-5 sharrëxhinj me sharra të mëdhaja që nuk i kisha parë ndonjëherë. Disa thoshnin se ishin përmetarë e disa të tjerë korçarë. Ata filluan t’a prisnin manin e t’i vinin vërdallë sikur të kishin rrënë në një gjah të majmë.  Nuk dihet se çfarë marveshje kishin bërë me pronarin e manit por, ai kishte vreshta dhe dëshironte të bënte bute[2] për rrushin. Fillimisht trungjet i prenë në formë paralelopipedi se duhej që druri të stazhionohej. Degët e holla që mbetën përdhe, i muarrën amvisat për saç, se u erdhi e mira në derë. Kështu pak e nga pak nga mani nuk mbeti asgjë, pasi dhe rrënjët e trasha filluan t’i presin. Pas një viti, sharrëxhitë u dukën përsëri në fshat për të bërë butet e verës për të zotin e manit. Atë vit të gjithë fshatarët rregulluan apo i bënë të reja bucelat e ujit, taleret e qumështit, vozat e djathit, butet e rrushit, plloskat apo dikush bëri edhe ndonjë mandolinë e çfardo që u nevoitej.
 Manat e Sotirajve
            Këta mana ishin aty, një i bardhë dhe një larash por, e kishin një të zot që kujdesej, së bashku me një man të bardhë të tij. I zoti manave, Basho Notua, bënte pekëmez me frutat e tyre.  Jo pa xhelozi nga shpotitësit e fshatit thuhej, se pulat e tij i bëjnë vezët me dy të verdha, se i ushqente me mana. Në të vërtetë Basho Notua nga pulat e tij prodhonte më shumë vezë nga të gjithë të tjerët dhe i shiste. Ky nam i mirë ishte përhapur dhe në fshatërat fqinje. Kur kërkohej nga tregu, ai  mirej dhe me rritjen e krymbit të mëndafshit. Sidoqoftë lagjia tani u kthye tërësisht nga këta mana. Ishin dhe këta qindra vjeçarë. I binte t’i kish mbjellë babai ose gjyshi Pandeli Sotirit, drejtorit të parë të shkollës shqipe në Korçë, që si familje e kishin lënë fshatin rreth viteve 1850.  Tani ato mana nuk janë më, sepse i prenë. Sa do të dëshiroja të shijoja edhe një herë këto fruta ashtu si në vitet e fëmijërisë dhe rinisë time!

            Përshkrova manat që kam shijuar gjatë viteve të vegjëlisë por, mana të tillë kishin pothuajse të gjitha familjet në fshat si: Telajt, Lekajt, Mollajt, etj. Me sa duket në shekullin e 17-18-të, ky dru frutor vlerësohej nga shqiptarët e kultivohej kudo. Nuk mund të them me saktësi për qëllimin e mbjelljes së tyre: ishte thjesht për frutat  dhe gjethet ushqim për bagëtinë, për rritjen e krymbit të mëndafshit që ishte i zhvilluar në Shqipëri në atë periudhë, apo për të tria bashkë. Edith Durham në librin "The Blaze in the Balkans" kumton se: "Më herët një sasi e madhe e mëndafshit është kultivuar në Shqipëri dhe për këtë blerësit vinin nga Italia në Shkodër. Por, një sëmundje e krimbit të mëndafshit që e përfshiu Evropën jugore në shekullin XIX, e ka dëmtuar aq rëndë Shqipërinë sa që tashti punohet vetëm një sasi e vogël."
 Mani i zi        
Manat e zinj, ishin edhe këta jo të paktë në fshat. Mbaj mend manin e Dukajve, Baçajve, Bitajve, etj. I pëlqenim si fruta, hanim dhe lyenim fytyrën e trupin, bënim tatuazhe si tifozat e futbollit në stadium me ngjyrën e uniformës së skuadrës se tyre, pastaj laheshim në lumë. Frutat ishin më pak të ëmbël se manat e bardhë, kishin dhe një shije pak të athët. Gjethet e këtij mani, ishin më të mëdhaja dhe bënin një hije të “rëndë”[3]. Manat që binin përdhe, e ndotnin rrugën dhe aty  mblidheshin shumë insekte e miza. Edhe këta mana ishin të vjetër, qindra-vjeçarë. Të zotët e tyre frutat i mblidhnin për të bërë raki me cilësi të veçantë. Thuhej se kishte veti shëruese për disa sëmundje.

Mani i kuq
            Shpesh ngatërohet me manin e zi, por midis tyre ka ndryshime. Në Shqipëri sipas studjesave e botanistëve, nuk ka të dhëna se ka mana të kuq(Demiri, 1981; Xhuveli, 2012; A. Xhoxhi, 1980). Mani i kuq (Morus rubra) është autokton(endemik) në Amerikën e Veriut. Për herë të parë është diktuar nga kolonët evropianë në vitin 1607. Me frutat e tyre ushqeheshin fiset indigjene vendase. Për origjinën e manit të kuq, ka dhe zëra kundër, mbrojnë tezën se në Amerikë ka ardhur shumë herët, edhe ky nga Azia Qëndrore.
Origjina dhe përhapja
            Mani zi dhe mani bardhë, pavarësisht se bëjnë pjesë në të njëtën gjini (Morus) origjinën dhe historinë e përhapjes së tyre, e kanë të ndryshme. Mani i zi origjinën e ka nga rajonet e Kaukazit Jugor, Armenia e deri në pjesën veriore të Azisë së Vogël, ku dhe sot rritet në formë të egër.  Shumica e autorëve kumtojnë se në Persi ka qenë i kultivuar që në kohëra shumë të lashta dhe prej andej u përhap në brigjet e Mesdheut e më pas në gjithë Evropën nga  grekët e lashtë dhe romakët. Në një legjendë greke e pëshkruar nga Ovidi[4], thuhet se dy të dashuruar( Pyramus dhe Thisbe) kanë vrarë veten nën hijen e tij dhe gjaku tyre i ka bërë të kuq frutat e manit.  Përmendet  në Bibël dhe në shumë shkrime nga autorë të lashtë grekë e romakë. Në Shqipëri duhet të jetë kultivuar para 2400 vjetësh. Sot mani i zi është i përhapur dhe kultivohet në të gjithë botën.
            Mani i bardhë e ka origjinën e tij nga Kina, ku rritet në gjendje natyrale dhe është shfrytëzuar nga kinezët për rritjen e krymbit të mëndafshit më shumë se 4000 vjet më parë (Wang Zichun,1987).  Për më se 2000 vjet, kinezët e mbajtën sekret nga pjesa tjetër e botës prodhimin e mëndafshit. Ishte Iliro-Dardani, perandori i Bizantit, Justiniani Madh, që siç thuhet ka ndërtuar dhe Kalanë e Petrelës, i cili e mori këtë sekret të kinezëve, e së bashku me ‘të, edhe manin e bardhë, gjatë shekullit të 5-të .  Rreth 200 vjet më parë se bizantinët, këtë sekret të kinezëve e muar koreanët dhe indjanët e pak më von, japonezët.
Justiniani i Madh(Justinin i I)
(482-565)

            Sipas historianit Prokop, Justiniani i Madh dërgoi në Kinë dy murgj si misionarë të krishterë por, me misonin e fshehtë për të marrë sekretet e prodhimit të mëndafshit. Pas disa peripecive, murgjit u kthyen në Konstadinopojë me vezët e krymbit Bombyx[5] dhe bimën e manit të bardhë të fshehura në shkopinj bambuje. Në mbështetje të prodhimit të mëndafshit, kultivimi i manit të bardhë u përhap me shpejtësi në brigjet e Mesdheut të Perandorisë Bizantine, ku Bursa në Azinë e Vogël dhe gadishulli Peloponezit në Greqi, bëhen qendra të mëdha të prodhimit të tij. Gadishulli i Peloponezit më parë quhej “More”, ashtu siç i thonë grekët manit (μουριάς), ndërsa gadishulli i mesit në Peloponez, ruan edhe sot emrin në shqip “Mani”. Prej këtej krymbi, mëndafshi bashkë me manin e bardhë u përhap edhe në brigjet jugore e veriore të Mesdheut, gjatë invazioneve arabe në Ballkan në shekullin e 8-të si në: Egjypt, Palestinë, Spanjë, Sicili, etj. Monopolin e prodhimit të mëndafshit kinezët e humbën dhe tani lufta e egër do të bëhej midis evropianëve për të zotëruar tregjet fitimprurëse të tij.
            Mbreti Norman i Sicilisë, Roxher II, në ekspeditat e tij në Ballkan në viti 1147, ka sulmuar Korinthin dhe Thivën, dy qendra të mëdha të prodhimit të mëndafshit duke shkatëruar çdo gjë e duke marrë me vete punëtorë skllevër për të patur supermaci në prodhim. Kështu në Itali,  duke filluar nga shekujt e 11-12-të, pati një bum të prodhimit të mëndafshit për tregjet evropianë, së bashku me kultivimin e manit të bardhë. Këtë e dëshmon edhe kënga arbëreshe "Moj e bukura More" 
MOJ E BUKURA MORE

            Mani i bardhë nga shqiptarët është kultivuar që në fillimet e tij në siujdhesën e Ballkanit. Ata janë nga të parët në Evropë ( A. Xhoxhi, 1980). Në shekullin e XII në Shkodër vërtetohet nga taksat që paguheshin se rritej krymbi i mëndafshit si dhe prodhohej mëndafsh(A. Luka, 2012). Eksporti i mëndafshit nga Shqipëria drejt brigjeve italiane, konfirmohet nga shumë burime që nga shekulli XIV e deri në shekullin e XVIII. (Xhuveli, 2012). Në Evropë gjat kësaj periudhe prodhimet shqiptare të mëndafshit njiheshin me emrin "Seta Skutarina"Në udhëtimet e tij në trevat shqiptare, Evlia Çelepiu, gjatë viteve 1660-të, vëren se në Kavajë, Elbasan e gjetkë, kultivimi i manave ishte një traditë e shqiptarëve, ndërsa për Beratin ai ka shkruar: Tregu i mëndafsh-punuesve, i cili gjithashtu është i rregullt e i pastër, të del përpara me një bukuri të jashtëzakonshme me gjithë ata të rinj të hijshëm, që punojnë atje”.[6] Ndësa etnologia A. Gjergji kumton: Në Shqipëri, pëlhurat e mëndafshta janë punuar e përdorur më shumë se në vende të tjera të Ballkanit,..”[7]
            Dëshmi te kultivimit te hershëm të manit, janë dhe toponimet e shumta nëpër fshatra. Në 10 rrethe, gjënden 13 fshatra të cilat e kanë marrë emrin nga mani si: Koman në Shkodër, Mënik në Tiranë, Manzë në Durrës, Manëz në Kukës, Manik në Librazhd, Manëz në Korçë, Dërmenas në Fier, Manesh në Dibër, Manati në Lezhë, etj. (Xhuveli, 2012). Gjithashtu në Shqipëri “Mani” përdoret dhe si antroponim, mbiemër familjesh. Gjithashtu edhe mbiemëri “Kazazi” i përhapur tek shqiptarët në turqisht do të thotë përpunues mëndafshi.
            Gjatë shekullit të kaluar, në Shqipëri ka patur zhvillime të kultivimit të manit dhe krymbit të mëndafshit si gjatë periudhës së Mbretërisë, edhe gjatë diktaturës. Në gjithë vendin, nga fermat dhe disa kooperativa bujqësore, u mbollën blloqe me mana si dhe kultivohej krymbi i mëndafshit, por këto rrezultuan me humbje si rrjedhojë e konkurencës në tregun botëror të fijeve sintetike, por edhe nga keq menaxhimi e shkaqe të tjera. Si pasojë u ndërpre kultivimi i krymbit të mëndafshit dhe në fund të viteve 80-të,  blloqet me mana ju dhanë Ndërmarjeve Pyjore për administrim. Në vitet  90-të, një  pjesë e tyre mjerisht u prenë dhe u shkatëruan. Në hartë pasqyrohen vendet ku rriteshin manat si dhe kultivimi i krymbit të mëndafshit në shekullin që lamë pas. Ajo çka mbetur nga kjo pasuri, duhet ta ruajmë e ta zhvillojmë për pasardhësit, ashtu siç bënë para-ardhësit tanë.

            Mani i zi dhe mani bardhë në kontinentin Amerikan dhe Australi, janë futur nga kolonët evropianë, që në shekullin e XVI. Në vitin 1624 në shtetin Virxhinia, kërkohej nga çdo mashkull të mbillte 4 mane të bardhë për industrinë e mëndafshit. Me që u përhap gjërësisht, u quajt “mulberri mania”(man mania). Presidenti i parë i Amerikës, Xh. Ushington dhe Presidenti T. Xheferson, e kanë nxitur e përkrahur mbjelljen e manave të ardhur nga Evropa. Në vitin 1830, drurët e manit të bardhë në verilindje të SHBA-ve, u dëmtuan nga të ftohtit ndërsa në jugë u dëtmuan nga sëmundjet. Në Amerikën e Jugut, Brazili është  një nga prodhuesit më të mëdhej të krymbit të mëndafshit.
            Mani i bardhë sot kultivohet kryesisht në vendet ku kultivohet edhe krymbi i mëndafshit. Pas Luftës së Dytë Botërore, ka pësuar rënie të prodhimit të tij për shkak të konkurimit nga fijet sintetike. Sot në botë, zë 0,2 % të prodhimit të përgjithshëm të pëlhurave. Më tepër kultivohet në vendet në zhvillim por edhe në vendet si Kina, India, Japonia, Spanja, Italia, etj. Rënia e prodhimit të fijeve natyrore në botë, është në vëmendjen e organizatave të ndryshme zhvillimore. Viti 2009 u shpall nga FAO, Viti Ndërkombëtar i Fijeve Natyrale.

Dobitë e manave
            Kultivimi i bimës së manit, ka pasur dhe do të vazhdojë të ketë një impakt të veçantë në veprimtarinë e përditëshme të njeriut, sidomos në zonat rurale. Druri i manit ka një rritje të shpejtë por, edhe jetëgjatësi. Përshtatet mirë në zonat e thata dhe krijon një freski ajërore e lagështi tokësore, duke zbukuruar e përmirësuar parametrat jetësorë të fshatrave e mjediset rreth shtëpive të banimit. Në disa vende manat (bimët mashkullore për të mos ndotur mjedisin me frutat) mbillen dhe si bimë dekorative në anët e rrugëve urbane dhe parqet.
            Frutat e tij futen në kategorinë e ushqimeve bio dhe janë shumë më të shijeshme e të ushqyeshme, se ato të bimëve të tjera manore. Shqipëria ka kushte të mira për rritjen e manave. Ky frut, shijohet vetëm i freskët e nuk transportohet, (e vetmja lëvizje që mund t’i bëjmë frutit të manit është nga dega tek goja), prandaj mund të jetë një frut antraktiv për turistat e huaj nga Evropa Veriore, duke rritur kështu edhe një resurs në zona të ndryshme. Një praktikë e njohur edhe në Shqipëri është tharja e frutave në diell për t’i konsumuar në dimër. Ato mund të haen si stafidhet e rrushit ose për të përmirësuar shijen e ushqimeve të tjera si në çokollata, akullore, pasta, etj, si dhe për eksport.  Frutat e freskët dhe ato të thara mund të bëhen verë e raki shumë e mirë si dhe nje sërë lëngjesh e pijesh komercjale, veçanërisht frutat e manit të zi. Ne fshatin Drenove te Korçës thuhej se nje familje në qoftë se kishte 15-20 rrënjë mane përballonte jetesën. 


            Frutat e manit, ndikojnë në përmirësimin e shëndetit të njeriut. Ato përmbajnë antioksidantin resveratrol, që sipas  hulumtimeve të  studjuesve jep efekte pozitive për moshën dhe jetgjatësi. Parandalon kancerin dhe sëmundjet neurologjike. Manat përmbajnë alkaloide të cilat aktivizojnë qelizat e bardha të gjakut, për të qenë më aktive ndaj veprimit të agjentëve të jashtëm që kërcënojnë shëndetin, pra rritet imuniteti. Ndikojnë për mbajtjen e një niveli të balancuar të sheqerit, etj.
            Frutat dhe gjethet e manit, kanë gjetur një përdorim të gjerë edhe në mjekësinë popullore në formë lëngjesh ose çajrash, për të luftuar: parazitët e zorrëve, sëmundjet e gojës dhe të fytit, sëmundjet e rrugëve urinare, presionin e lartë të gjakut dhe diabetin, diarenë, kancerin ovarian e të gjirit, epilepsinë, dobësinë, gripin, kollën, të ftohtit, gjakderdhjet nga hunda e goja, dhimbjet e kokës, nervozizmin, pagjumësinë, kafshimit nga gjarpëri, inflamacjoneve të ndryshme, etj. (Duke&Wain, 1981)
            Gjethet e manit,  janë një ushqim i mirë për të gjitha kategoritë e bagëtive. Në fshatrat ku ato mbahen për nevojat e veta familjare, bëhet një burim i mirë ushqimi, gjithashtu dhe për ato që mbahen në rregjim stallor. Ushqimi me gjethe mani, rrit rendimentin e qumështit tek lopët. Frutat e manit janë një ushqim i mirë për pulat dhe derrat. Për fermat familjare, mund të jetë një ushqim bazë i leverdisëshëm pasi sigurohen lehtësisht e me pak shpenzime. Ushqimi me mana, ul koston e përdorimit të koncetratave 25 % (F.U. Trujillo, 2000). FAO nga 1 maji deri 31 qershor 2000, organizoi një koferencë elektronike mbi përdorimin e manit si ushqim për blektorinë. Gjithashtu mani është një burim ushqimi për zogjtë dhe disa gjitarë të vegjël, duke u bërë kështu një faktor jetësor i fuqishëm edhe per zhvillimim e faunës së dobishme. Në disa vende, gjethet e manit janë gatuar ushqim për njerëzit, ashtu si perimet.
            Për rritjen e krymbit të mëndafshit, mund të ringrihet ky aktivitet ashtu si në shekujt e kaluar. Shqiptarët janë marrë për 15 shekuj me rradhë me këtë punë. Do të jetë me leverdi ekonomike e faktor zhvillimi për disa zona rurale të veçanta. Kur kultivohet me sukses nga Italia e Spanja që kanë të njëjtat kushte, s’ka pse mos të jetë fitimprurës edhe në Shqipëri. Mendoj se duhet të paraprijnë studimet, të bëhet  edhe një riorganizim i punëve në kushtet e reja të bujqësisë së privatizuar duke menduar në perspektivë, ndoshta duke ngritur edhe një fabrikë modeste për prodhimin e mëndafshit shqiptar.
            Druri i manit është i butë dhe mund të punohet me lehtësi. Ka një përdorim të gjerë në torneri për industrinë e armëve, bobinave e tubave të ndryshme, ndërtimin e anijeve, etj.  Ka elasticitet e mund të përkulet lehtësisht, prandaj ka gjetur përdorim tradicional të gjerë, për të bërë enët prej druri si kadet, butet, bucelat, talerat dhe  veglat e punës në bujqësi, si samarët, tevlikët[8], etj. I përshtatshëm është edhe për artikujt mësimorë e sportivë si kabinetet, shkopinjtë e hokeit dhe bejsbollit, raketat e tenisit, etj. Lastarët e rinj ( kërkon krasitje speciale) përdoren edhe për të bërë kosha e shporta artistike. Në Kinë dhe në Evropë, një lloj mani përdoret edhe për prodhimin e letrës së shkrimit. Mjaft mirë ka gjetur përdorim në ndërtimin e banesave dhe urave, në mobileri, parkete, kompesato, etj. Si dru zjarri, mani ka fuqi të mesme kalorifike.
            Siç del qartazi nga ky përshkrim, bima e manit ka një përdorim të gjithanshëm e produktiv. Një eksperiencë bujqësore mijëra vjeçare e shkëlqyer nga të parët tanë, që duhet t’a kenë në vëmendjen e tyre bizneset dhe organizmat shtetërore përgjegjëse, për zhvillimin e zonave rurale. Le ta lidhim fillin fort, atje ku është këputur.



Etimologjia e fjalës “Man”
            Mani i zi ka ardhur në Shqipëri ose në Siujdhesën e Ballkanit, shumë kohë më parë se mani i bardhë, kështu që fjala “man” në shqip, ka egzistuar dhe më parë, e është e lashtë. Përmendet si manemjedhëratë edhe nga Buzuku(1555). Sipas Prof. Çabej, kjo fjalë rrjedh nga gjuha shqipe, nga fjala “mand”, mëllëzë. Gjënden forma dialektore të ngjashme si: mën (Berat); mand (Shkodër); murikë (Kosovë); morenkë (Strugë), etj.[9] Ka dhe ndonjë që mendon se rrjedh nga gjuha e vjetër Dake, por duhet menduar se mani ka ardhur së pari në Ballkan.
            Toponimi “Mani” ne gadishullin e Peloponezit në Greqi, duhet të ketë lidhje me drurin e manit. Ky territor ka qenë i banuar nga shqiptarët.
Disa prej tyre janë përmendur në histori si sundues e prijsa të maniotëve dhe të Moresë. Një i tillë ka qenë dhe Kollokotroni[10], hero i Revolucjonit Grek, i cili ka lindur në Mesenia dhe u vra në fshatin Thanë të Moresë.

Veçoritë botanike dhe biologjike
            Bima e manit bën pjesë në familjen Moraceae dhe gjininë Morus, e cila përmbledh16 specie me mbi 100 kultivarë. Mani është një bimë dy-seksore (monoike), që do të thotë lulet në një bimë janë të veçanta, mashkullore dhe femërore por, ka dhe lloje që lulet ndodhen në bimë të ndryshme(dioike). Në botë janë të njohur rreth 12 kultivarë të ndryshëm. Lulet janë të grumbulluara si tek rrushi në vila të vogla. Vilat me lule mashkullore, janë më të mëdhaja, më të shumta e më të shkrifëta. Lulëzon në prill-maj, sipas zonave dhe fruti piqet në maj-qershor, deri në gusht. Mani lulëzon pasi është “siguruar” se nuk do të ketë më  ngrica dhe për disa javë na jep frutin.
"Po s'u vesh me gjethe mani,
asnjëherë s'zhvishet isani", është një shprehje e popullit. Pllenimi bëhet me anë të erës, por ka dhe lloje pa pllenim (partenocarpikë). Fara ështe e imët(1-2,5 mm.) ovale me njgjyrë të verdhë.  Frutat kanë ngjyrime të ndryshme dhe me bisht të gjatë. Gjethet zakonisht kanë formën e zemrës por ndryshojnë në llojet e ndryshme.
            Mani është një pemë me kurorë konike e arrin deri mbi 25 metra i lartë.        Mani zi ka kurorë më të vogël. Trungu dhe degët, janë të drejta. Rrënjët boshtore kanë veti të shkojnë në thellësi, çka do të thotë se nuk bëhet pengesë për kulturat e tjera bujqësore, që rrënjët i zhvillojnë afër sipërfaqes së tokës. Mani është një pemë jetëgjatë, ka prej tyre që jetojnë mbi 200 vjet, në rrastet kur kultivohet vetëm për frutat. Duron të ftohtit – 25 deri -28o C. Mani i zi e duron më shumë të ftohtit. Në Shqipëri ai rritet edhe në zonat malore deri në lartësitë 1500 m, ndërsa mani i bardhë rritet në zonën fushore-kodrinore të ngrohta bregdetare, në zonën e fikut. Shkon mirë deri në lartësitë 700-800 m. nga niveli i detit. Ka një rritje vjetore të shpejë, 2 m. gjatësi në vit, sidomos në moshë të re. Frutifikon çdo vit.

Veçoritë agroteknike
            Parapëlqen tokat e lehta deri në të mesme, të thella dhe duron në toka të thata e pak të rënda e pak të kripura, ndërsa në tokat moçalore, nuk reziston. Tokat me pH 6-7.5.  Shtimi i manit mund të bëhet me copa, me përpaja dhe me farë. Në fidanishte, ose për të përmirësuar e për të ndëruar destinacjonin e prodhimit, bëhen dhe shartime. Manat mbillen në blloqe 3-6 m larg nga njëri-tjetri. Përgatitja dhe mbjellja e fidanave, bëhet si në të gjithë drufrutorët e tjerë. Druri i manit e duron krasitjen dhe kjo bëhet sipas qëllimit të kultivimit të tij: për fruta, për gjethe për blektorinë, për gjethe për krymbin e mëndafshit, për thupra për punë artizanale apo si bimë dekorative. Në vitet e parë të jetës së tij, manit duhet t’i bëhen krasitje formuese. Preket edhe nga sëmundje e  dëmtues ndaj të cilave duhet të mirren masa të rrepta parandaluese e mekanike. Trajtimet kimike janë të vështira e të kushtueshme, mund të aplikohen vetëm në situata të veçanta e të stjuduara mirë, sepse lenë mbetje.
K. Mosko
Boston MA
Korrik, 2013.

Kazazi- Perpunues i mendafshit
Literatura.
1). “Bimë e egra të dobishme te vendit tonë” M. Demiri Tiranë 1979
2). “Bimët Mjekësore në Familje” P. Kokalari, etj, Tiranë, 1980
3) USDA – Natural Resources Conservation Service
http://plants.usda.gov/
4. “Bimët dhe Shqiptarët” L. Xhuveli. Tiranë 2012
5. “Mani dhe krymbi i mëndafshit” A. Xhoxhi. Tiranë 1980
6. GHC Natural Health&Organic Living
http://www.globalhealingcenter.com/natural-health/6-health-benefits-of-mulberries/
7. Pemtaria 2 – Tekst mësimor,
Shtëpia Botuese e Librit Universitar, Tiranë, 2012.
8. James A. Duke. 1983. Handbook of Energy Crops.
9. M. Gieve - Morus nigra - Botanical.com
10. P. Malcoln “History of Mulberry Tres, Morus alba, Morus rubrum, Morus nigra”.
11. “Morus alba L.” by J.M. Suttie, according to FAO
Links:
Mulberry electronic conference
Morus alba L.
Pictures
!2. World Agroforestry Center, Morus alba
http://www.worldagroforestrycentre.org/sea/Products/AFDbases/AF/asp/SpeciesInfo.asp?SpID=1170






[1] Insani- këtu në kuptimin njeriu me mend(turqisht) noksan, njeri që bën lëshime
[2] But- vozë e madhe ku hidhett mushti i rrushit për t’u fermentuar.
[3]Hije e rëndë” – Një hije ku nuk depërton dielli dhe është shumë e freskët.
[4] Ovidi(Lindi ne vitin 43 para Krishtit dhe vdiq në vitin 17 pas Krishtit) Poet romak.
[5] Bombyx mori-Emëri latinisht i krymbit që prodhon fijen e mëndafshit.
[6] R. Elsie “Evliya Chelebi:
Seyahatname - a Journey to Berat and Elbasan”
[7] “Kultura Tradicjonale në Shqipëri” Prof. Dr. A. Gjergji
[8] tevlik- u vihet në qafë qeve të punës për të tërhequr qerret, parmendën ose në lëminj.
[9] R. Elsie – “Dendronymica Albanica, a Survey of Albanian Tree and Shrub Names”
[10] A. Llalla – “Plaku i Moresë – Teodor Kollokotroni”

2 comments:

  1. Ju lumtë dhe faleminderit per kete artikull edukativ

    ReplyDelete
  2. Kam marr nga vendlindja nje Man,Dude ne Gjermani.Zhvillohet si duhet.Nje mik me kerkon nje fidan dege thyse apo nje rrenje.Nuk di si ta shumezoj qe ti jap edhe mikut tim.Ju lutem me tregoni se si ta shumezoj.Flm

    ReplyDelete