Saturday, 25 March 2023

MANASTIRI I UNGJILLËZIMIT VANISTËR, GJIROKASTËR, VITI 1582

..."Sipas mbishkrimit kuptojmë se narteksi i kishës është pikturuar fillimisht prej ikonograf Janit nga katundi Qestorat në vitin 1758."...


nga  Andre LLUKANI 
Tiranë 

Andre LLUKANI
Manastiri i Ungjillëzimit është rreth një orë mbi fshatin Vanistër të Dropullit. Në qendër të manastirit është kisha e Ungjillëzimit, ndërsa konakët janë në anën jugore. Manastiri është i rrethuar me mure. Kisha e manastirit i është kushtuar Ungjillëzimit të Hyjlindëses dhe kremton më 25 mars. Të ardhurat vjetore të manastirit kanë qenë 100 lira. Sipas Porf. Pirro Thomos kisha përbëhet nga naosi dhe narteksi. Naosi është i tipit në formë kryqi me kupolë triapsidal, me përmasa të brendshme 6.60x3.70 m. Kisha është ndërtuar me gurë shtresorë, me vendosje të rregullt. Në anën perëndimore është hajati pa tavan, i cili mbulohet me çati druri. Tamburi i kishës është tetëfaqësh dhe i zbukuruar. Muratura e tamburit është me radhë gurësh të alternuar me radhë tullash. Ajo përfundon me një kornizë prej katër radhë tullash, të vendosura në formë dhëmbësh sharre. Altari ka apsidën e madhe, dy nike rrethore për protezisin dhe një nike tjetër për diakonikonin. Apsida kryesore është trefaqëshe, me nike me harqe tullash. 


Kisha e Ungjillëzimit është ndërtuar: επ έτους Ζ y (7090=1582) “në vitin 1582”. Këtë e vërteton mbishkrimi i gdhendur mbi një tullë të murosur në apsidë jashtë kishës. Mbi portën perëndimore, në narteksin e kishës është ky mbishkrim: + Ανιστορί(θη) καί έκαλλοπίσθη ό θοίος καί πάνσεπτος ούτος / οίκος τής οίπεραγίας ένδόξου καί αηπαρθένου μαρίας δη έ/ξόδου τού κηρ Μιχάλη Δημητρήου έκ πόλεος Αργιροκάστρου, άρχηπετατεύ/ον οίπο τού θεοφηλες(τ)άτου έπησκόπου Δρ(υ)ινο(υ)πόλεος Κηρ Μητροφάνους οίγουμενευ/ον Οίοάκημ οίερομοναχ(ου) κ(αί) Νικδήμου οιέρομονάχου, Δανιήλ οιερομονάχ(ου), νικιφόρου ίερο/δηάκόνου, δηά χιρός καμού τού άμαρτολού Ιω(άννου) έν χόρας κεστοράτες – 1758 29 μηνί.......“U pikturua dhe u stolis kjo shtëpi e hyjshme dhe e gjithënderuar e së Mbishenjtës, së lavdëruar dhe gjithmonë virgjëreshës Mari, me shpenzimet e zotit Mihal Dhimitri nga qyteti Gjirokastër në kohën e peshkopatit të peshkopit shumë perëndidashës të Drinopojës, zotit Mitrofan, kur ishte igumen jeromonak Joakimi dhe jeromonak Nikodhimi, jeromonak Danieli, jerodhiakon Niqifori. Me dorën time, të mëkatar Janit në katundin Qestorat-1758”. 


Sipas mbishkrimit kuptojmë se narteksi i kishës është pikturuar fillimisht prej ikonograf Janit nga katundi Qestorat në vitin 1758. Por afresket e tij nuk shquhen për cilësi të lartë artistike. Afresket e dy zonave të para të narteksit i ka pikturuar Mihaili nga Linotopi në vitin 1617. Ky fakt vërtetohet nga një mbishkrim që gjendet mbi portën e narteksit të kishës: .....άρχιερατεύοντος τού θεοφειλεστάτου έπισκόπυ κύρ Ματθέου Ιωανήνον ίστορήθη δε διά χειρός καμού τού άμαρτολού Μιχαήλ έκ τής κώμης Λυνοτοπίου τής καστορίας – έτη Ζ Ρ Κ Ε (7125=1617). Ιωαννικιος Δακον. “….në kohën e peshkopatit shumë perëndidashësit Mattheut të Janinës. Pikturuar me dorën time të mëkatarit Mihail nga Linotopi i Kosturit, viti 7125 (=1617), Janiqi Dhakon”.


Mihail Lintopi ka realizuar skenën "Gjyqi i fundit" në murin lindor të pjesës së eksonarteksit. Në kthinën këndore ai ka relizuar me mjeshtëri skenën "Tallja", ku figura kryesore është Krishti, i veshur me mantel dhe me një kurorë me gjemba mbi krye. Pranë tij janë çifutët duke e tallur. Përbri Krishtit paraqitet një ndërtesë me ballinë, e cila tregon pallatin e Pilatit. Gjashtë muzikantë të ndarë tre e nga tre luajnë në daulle, lahutë, llautë, zumare dhe llullak. Përballë Krishtit qëndrojnë dy djem, të cilët i përulen Atij në shenjë nderimi, ndërsa dy valltarë kërcejnë duke tundur shamitë. Sipas studiuesit Konstandinos Giakumis në pikturimin e kishës së manastirit të Vanishtës, Mihail Linotopi ka përdorur karakteristikat e shkollës epirote. 


Sipas Porf. Pirro Thomos në anën veriore gjenden ndërtimet ndihmëse të manastirit: kulla dhe stera e ujit. Kati përdhes i konakëve përdorej si katua. Në katin e dytë ishin qelitë ku banonin murgjit. Mbi portën shtjellohet një çardak në formë ballkoni, prej të cilit shihet e gjithë lugina e Dropullit. Stera e ujit është në ndërtesën në formë kulle. Në pjesën e poshtme të sterës është një çezmë, e cila shërbente për furnizimin me ujë. Mbi sterën është ndërtuar një kat i dalë me konsol në anën ballore. Kati i sipërm ka dritare të mëdha. Ndërtesa tjetër është përdhese. Ajo përdorej për kuzhinë. Kisha e manastirit të Ungjillëzimit është shpallur monument kulture në vitin 1963.

 


No comments:

Post a Comment