Tuesday 5 July 2022

PYLLËZIMI I KODRËS TE LIQENI

Kujtime

        "Netëve me hënë, kur shkonim andej me shokët e klasës, na mahniste duke shndritur si argjend një bimë barishtore me shtëllungë në majë, e përhapur në të gjithë sipërfaqen e kodrës."


nga: Frederik  STAMATI

Tiranë  


Frederik STAMATI

Ende pa nisur punimet për ndërtimin e digës së liqenit artificial të Tiranës, filloi pyllëzimi i kodrës në fund të bulevardit. Kodra pas Universitetit ka qenë fare e zhveshur nga drurët, vetëm bar dhe shkurre. Por bar dhe shkurre ka qenë edhe në majën e saj. Netëve me hënë, kur shkonim andej me shokët e klasës, na mahniste duke shndritur si argjend një bimë barishtore me shtëllungë në majë, e përhapur në të gjithë sipërfaqen e kodrës. Kurse lugina mbrapa, ku ecnin nja dy përrenj të mekur, kishte një fushë të vogël, ku shkonim herë- herë e luanim futboll...

 

Kam qenë nxënës në shkollën "10 Korriku", kur për herë të parë shkuam për të hapur gropa për mbjelljen e drurëve. Ishte e dielë, paradite. Nuk u zhvillua asnjë ceremoni. Morëm kazmat dhe lopatat. Normën e kishim dy gropa për shoq. Por për ne, si nxënës të fillimit të shkollës unike, - kështu quhej atëherë shkolla shtatvjeçare, -ishte shumë. Natyrisht që nuk e arritëm, por askush nuk tha ndonjë fjalë. Aksioni vazhdoi disa vjet. Në nëntor të vitit 1957, kur isha nxënës i klasës së nëntë, shkuam disa herë per të vazhduar pyllëzimin e kodrës. Normën e kishim dhjetë gropa për person, por mezi hapëm nga pesë.

 

Drurët e mbjellë zunë dhe u rritën shpejt. Ata ishin pisha, akacie...Në hijen e tyre edhe shkoja ndonjëherë gjatë studimeve universitare, për të mësuar i qetë. Madje, një herë gdhenda në trungun e një druri emrin tim. E kam kërkuar vite më vonë, por natyra kishte bërë të vetën, duke e shëruar atë si një plagë. 



Sa herë që kaloj andej, më kujtohen ato ditë, për të cilat brezi i sotëm nuk di asgjë. Dhe atje nuk ka as edhe një lapidar përkujtimor për punën që bëmë ne për pyllëzimin e parkut dhe për ndërtimin e digës së liqenit. A është kjo një shpërfillje, frikë, apo mohim i qëllimshëm ?



marrë nga fb, 5 korrik, 2022






 

No comments:

Post a Comment