Saturday 20 August 2022

NJË JETË ME DASHURI PËR FAMILJEN, PËR PUNËN, PËR VENDLINDJEN, PËR MIQTË DHE SHOKËT

nga Kristo KAURI 

SARANDË


Dr. Selman MËZIU
Sot është 20 gushti 2022! Eshtë ditëlindja e Selman Mëziut, e Selës siç e thërrasim ne, e mikut dhe kolegut tonë të mirë. Kam disa vite që e njoh dhe komunikoj me mikun dhe kolegun Selman Mëziu! Këto vite komunikimi më krijuan mundësinë dhe privilegjin që të lexoj një copëz të “ librit” për rrugëtimin e tij 66 vjeçar. Që në fillim e them, se është një “libër” i bukur, që ja vlen t'a lexosh, një “libër” që mëson shumë gjëra me vlerë, nje “liber” që të ngjall emocione..  Një rrugëtim plot beteja, sfida, plot gëzime, suksese, dhimbje, zhgënjime,..

 

Në këtë rrugëtim, ajo që veçon më shumë është dashuria dhe përkushtimi ndaj familjes. Lufta, sakrificat për krijimin e një familjeje të mrekullueshme, të arsimuar, me edukatë, me mirësi, fisnikëri, janë nga faqet me të bukura te “librit” që të bëjnë ta admirosh këtë njeri. Rivalja e vërtetë dhe shumë e fortë e dashurisë së Tij ndaj familjes, është dashuria dhe pergjegjesia ndaj profesionit. Kjo dashuri e shoqëron gjatë gjithë jetës, gjatë gjithë këtij rrugëtimi . Kjo dashuri, kjo ndjeshmeri, i përpiu moshën me të mirë, por nga ana tjetër kjo e mbajti të gjallë, te ri, energjik, midis njerëzve, midis shokëve dhe miqve, midis kolegëve.

 

Nuk është vështirë për ne kolegët e Tij, të dallojmë dashurinë dhe respektin e Selës, mirësinë në shpirtin e tij. Ai nuk i do njerëzit, kolegët sipas nevojave, interesave. Ai i do më mënyrën e tij, ndjenja pa interesa materiale, ndjenja që lindin nga thellësia e shpirtit të tij të madh, ndjenja dhe interesa që lindin në luftën dhe përballjen me sfidat, mbrojtjen e natyrës, të jetës, të së vërtetes…

 

Me mjeshtëri u jep guxim, zemër dhe shpresë miqve, shokëve, pylltarëve. Pak njerëz dhe kolegë i kanë në natyrën e tyre këto cilësi, që vlerësojnë dhe respektojnë pa zili, pa cmirë, pa egoizëm. Sela është një njeri që ka dëshirë për të promovuar sukseset e kolegëve, një njeri që të vjen afër, kur të tjerët të braktisin, një pylltar që të ngacmon me debatet dhe diskutimet që hap. I pa tolerueshèm me qeveritarët, me politikanët dhe me çdo njeri që shkatërron mjedisin e mrekullueshëm të Natyrës së vendit, por shumë i dashur me kolegët dhe njerëzit që punojnë me pasion, me përkushtim, për të mbrojtur këtë mjedis. Kur shikon që Parqet, lumenjtë, pyjet, mjedisi shkatërrohet, digjet…,”digat” e shpirtit të Tij shpërthejnë nga zemërimi dhe revolta. Kjo ndjeshmeri, kjo pergjegjesi e perditshme , i krijoi dhe probleme serioze per shendetin kohet e fundit Kur shikon kolegët që me pasion dhe këmbëngulje përpiqen të sjellin risi, modele të qëndrueshme në administrimin e pyjeve, ai nxiton është në krah, në mbështetjen dhe promovimin e tyre.

 

Gjatë rrugëtimit përjetoi dhe shijoi, si shume nga ne, varfërinë e xhepit, por kurrë, në asnjë moment nuk përjetoi varfërinë e shpirtit. Sytë e tij kanë parë shumë qytete të bukura ne Europe, befasuese, me disiplinë urbane, të pastra, me gjelbërim, por si vëndlindja, si Fushë-Muhurri i Tijj i dashur, nuk ka të dytë në botë. Vetëm ajo e emocionon, i shkërmoq shpirtin, e përmallon dhe nuk mund t’i ndal lotët. Çdo vit ai kthehej në vëndlindje, ku takonte njerëzit e tij te dashur, takonte njerëzit e shtrenjtë, ata që janë gjallë dhe ata që kanë ikur, takon fëmijërinë, shtëpinë, sokakët, rrugicat……

 

Sivjet nuk mundi te kthehej. Problemi serioz shëndetsor e pengoi dhe nuk ja mundesoi kete deshirë. Por me mendje dhe me zemër Sela është midis nesh. Sela me ndihmën e mjekëve, por dhe me vullnetin dhe kembenguljen e Tij, çdo dite përmiresohet dhe ka filluar komunikimin me ne. Sa shpejt ikën jeta! Vështirësitë na burrërojnë, gëzimet dhe sukseset na lumturojnë, problemet shëndetsore na shqetësojnë dhe na lene pa gjumë.

 

Vitet fluturojnë dhe sot Sela mbushi 66 pranvera. Nuk ka lumturi më të madhe, se ato ikin pa i kuptuar, mes përplasjeve, sfidave, vështirësive të jetës. Nuk ka lumturi me të madhe per Selen, se këto gëzime, këto vështirësi, i kalon, i përjeton me njerëzit e Tij të dashur, me familjen, me të afërmit, gjithmone i rrethuar nga miq, shokë dhe kolegë të mirë. Për Selen mund të shkruhen shumë gjëra.

 

Këto ndjesi shpërthyen nga shpirti im, duke lexuar vetëm një fragment të “ librit” të jetës së Tij. Ky “ libër” vazhdon te shkruhet, ky rrugëtim vazhdon plot energji dhe përkushtim nga Sela.

 

Unë i uroj që të vazhdoj dhe 100 vite të tjera, plot mbarësi dhe suksese.

 

GËZUAR DITËLINDJEN MIK I NDERUAR ! EDHE 100 VITE TË LUMTURA ME FAMILJEN TUAJ TË SHTRENJTË .

 

Shërim sa më të shpejtë dhe te presim me shumë dashuri dhe respekt midis nesh!



















No comments:

Post a Comment