Monday, 1 November 2021

CAP, FERMA DYSON DHE BUJQESIA SHQIPTARE

     CAP është krijuar 60 vjet më parë në vitin 1962 dhe është një partneritet midis bujqësisë e shoqërisë, midis Europës dhe fermerëvë të saj. CAP është një politikë e përbashkët për të gjitha vendet e EU

Përgatiti: Fatos FICO
 Ing. i Inovacionit dhe Zhvillimit Rural
 Londër








(Pjesa e dytë)



Fatos FICO



Në prag të festave të nëntorit shoku Xhemal, sekretari i Partisë shikon në një lulishte në Shkodër disa njerëz që po hanin bar. Po ju, cfarë po bëni, merrni nga një njëqind leksh e ikni-ju thotë, se vjen shoku Mehmet, e dini si është ai. Mehmeti vjen, i gjen po aty.  O shokë -ju thote, e bëtë këtë tani, po na merrni nga një pesëqind leksh, e ikni, shpërndahuni se do të vijë Enveri e po ju gjeti do ju pijë e zeza. Enveri kur shkon, kërkon të shikojë lulishten si vepër e re e partisë, në qytetin e vjetër. Shikon disa njerëz si njolla të zeza që po hanin bar. I mbledh në grup të tmerruar. Eh, mor Mehmet, ju thotë, prapë gënjeve me pllanet. (Mehmeti ishte kryeministër). Rrini në grup shokë ju thotë- jo të shpërndarë, në grup e me rregull, hani një pjesë sot, e nesër një pjesë tjetër, mos e shpërdoroni barin e jepini kohë të rritet. Është një dimër i gjatë përpara, çfarë do hani pastaj? –Anonime.

 Gjithmonë duhet një plan. Plani më i mirë është kur ja hedh fajin atyre që duhet të përfitonin nga plani pse nuk u realizua plani. Mund të flasim për sistemet demokratike, diktatoriale, ato hibride si sillen kur nuk realizohen politikat, premtimet, kujt i hidhet faji, kush mbart pasojat e si mund të ecet përpara. Mund te flasim për Brexit, ku të gjitha këto u kthyen në një shembull klasik, por jemi duke parë bujqësinë e ushqimin e do të mbetemi tek EU e CAP (Politika e Përbashkët Bujqësore).


CAP

CAP është krijuar 60 vjet më parë në vitin 1962 dhe është një partneritet midis bujqësisë e shoqërisë, midis Europës dhe fermerëvë të saj. CAP është një politikë e përbashkët për të gjitha vendet e EU. Menaxhohet dhe financohet në nivel europian nga fondet e buxhetit të EU. EU i ka mbështetur fermerët me gati 60 miliard Euro në vitin 2019. Kjo përtej fondeve të rajoneve të cilat direkt ose indirekt shkojnë shumica në zonat rurale më të varfra të EU.

Qëllimet e saj janë:


      të mbështesë fermerët e të përmirësojë prodhimin bujqësor duke siguruar një furnizim të qëndrueshëm më ushqim të përballueshëm.
      të mbrojë fermerët e EU që të kenë një jetesë të arsyeshme

      të ndihmojë kundrejt ndryshimeve klimatike dhe për nje menaxhim të qëndrueshëm të burimeve natyrore

      të ruaje zonat rurale dhe peisazhin në të gjithë EU

       të ruajë ekonominë rurale të gjallë duke promovuar punë në fermë, industritë agropërpunuese e sektorët e lidhur me të.

Këto janë themelet mbi të cilat ndërtohet CAP. Ndërsa Shqipëria aktualisht ka si objektiv e plan madhor të arrijë një eksport prodhimesh bujqësore prej 1 miliard Euro. Objektiva të tjerë janë pikat e grumbullimit, rritja e madhësise së fermave, rritja e subvencioneve. Sidoqoftë edhe të gjitha këto të fundit duket të jenë në shërbim të eksportit.


EU është një nga eksportuesit kryesorë të prodhimeve bujqësore në botë. CAP është akuzuar se me subvencionet e bujqësisë kanë shtrembëruar tregun e kanë çuar drejt falimentimit fermerët e vendeve të varfra, kostoja e prodhimit të të cilëvë është më e lartë se në EU.

 

 Fondet e CAP nuk bazohen në një taksë specifike, madje shumë vende të EU e kanë ushqimin me tvsh zero ose të reduktuar, ato vijnë nga tarifat e importeve të ushqimeve nga vende të treta si dhe kontributi nga vendet anëtare në bazë të GDP. Në këto kushte fermerët jashtë EU paguajne tarifa kur eksportojnë atje e konkurojnë me çmimet e subvencionura të eksporteve europiane drejt tyre, qartësisht konkurenca “e ndershme” është e pamundur. Vetë europianët duhet të paguajnë çmime më të larta për prodhime të cilat ndryshe mund të gjenden më lirë në tregjet botërore. Realisht shumë vende kanë marrëveshje bilaterale tregtie e kuota për tregti të lirë pa tarifa me EU. Qytetarët europiane kanë bërë shumë presion të ndihmohen fermerët e vendeve të varfra, e shumë nga praktikat e CAP kanë ndryshuar. Psh që nga viti 2010 janë hequr subvencionet direkte për eksport. Por jo vetëm ekonomitë e zhvilluara si EU e USA dhe vendet e varfëra e subvencionojë prodhimin bujqesor, pjesa më e madhe për të bërë të mundur eksportet.


Sherebelë dhe CAP

Një qytetar europian paguan afërsisht pak më shumë se 100 Eur në vit per CAP direkt nga taksat, e indirekt nga tarifat e importeve të ushqimeve. Në Shqipëri buxheti i vitit 2021 për bujqësinë është rreth 90 milion Euro, nga të cilat gjysma fonde të EU e të tjera të huaja.  Që Shqipëria e sotme të mbërrijë në të njëjta nivele financimi si CAP duhet të mbështesë direkt bujqësinë me rreth 300 milion Euro.


Bujqësia në Shqipëri mbështetet edhe indirekt nga heqja e tvsh për inputet, së pari plehrat kimike, pesticidet, farërat. Afërsisht llogaritet në rreth 150 milionë Eur vlera e tregut të tyre, pra rreth 30 milion tvsh e “përfituar”. Mbështetje tjetër direkte është pagesa e tvsh tek fermerët kur shesin me Nipt e faturë tek pikat e grumbullimit ose dyqane, e tvsh-ja e rimbursuar për firmat e eksportit. Kur eksportohet, psh pika e grumbullimit ka paguar tvsh tek prodhuesi për blerjen, e merr mbrapsht nga shteti 20 % të vlerës me të cilën eksporton mallin, që kuptohet është më e lartë se çmimi i blerjes e përfshin shpenzime të tjera me tvsh që ka bërë tregtari. Në 100 milion Euro eksporte perimesh ose frutash, jane 20 milion Eur të rimbursuara për kompanitë. Këtu nuk është momenti për vonesat a problemet në rimbursimin e Tvsh, apo sa tvsh reale ka psh një kg domate kur eksportohet, ndërsa nuk paguhet tvsh për farën, plehërat, pesticidet, të cilat kanë peshë të lartë në kosto e nuk kanë tvsh fillestare të paguar nga fermeri apo prodhuesi. Në tregun vendas kur dyqani shet një kg domate paguajmë 20 % tvsh, nga e cila një pjesë i shkon fermerit sipas çmimit të tij tek dyqani, dhe mqs cmimi i dyqanit eshte me i lartë se i fermerit, pjesa tjeter në shtet duke supozuar që dyqani çdo aktivitet e ka subjekt të tvsh. A duhet të jetë fermeri “grumbullues” fundor i Tvsh kjo është përsëri një pikë tjetër. Së fundmi dhe karburant është shpërndarë falas ose me çmim simbolik për disa fermerë.


Nga ana teorike sipas ligjësive të çmimit mqs ndër të gjitha kostot e prodhimit të një fermeri, ai paguan tvsh për energjinë, ujin, vegla, investime të tjera, por jo për inputet, e sepse merr rimbursimin të tvsh ai/ajo ka gjithë interesin të ulë çdo shpenzim ku paguan direkt tvsh dhe të rrisë ato pa tvsh, si plehërat kimike e pesticidet. Kjo do të çojë në rritje të kërkesës e në kushtet e një tregu oligopol pa konkurrencë reale, në rritje çmimi të tyre e jo në një ulje reale. Ndërsa kemi dhe rritje të çmimit në tregjet ndërkombëtare të inputeve kuptohet që aq më tepër zhduken efektet e heqjes së tvsh. Për të patur një çmim konkurues e të arsyeshëm të inputeve duhen tashmë masa të tjera përveç shmangies së oligopolit.  Nuk po flasim për efektet e përdorimit jo të drejtë te kimikateve, e as për kontrollet si për tregtarët e për fermerët 

  

Por, kjo është një anë e medaljes, përsa kohë jemi tek pagesat “direkte”. Fermerët janë një pjesë shumë vogël e popullsisë në vendet e CAP.  Nqs teorikisht 17 milion holandezë paguajnë rreth 100 Euro secili ose 1.7 miliardë subvencione, për 50 mijë fermerë, ndahen teorikisht në 34 mijë Eur për fermë; Në Shqiperi edhe sikur të paguhen 100 Eur për person drejt subvencioneve, për 300 mijë ferma i takon 1 mijë Euro për fermë. Në fakt në EU jane rreth 10 milion ferma nga të cilat 75 % janë më pak se 5 ha. 80 % e fondeve prej 40 miliard në pagesa direkte ju shkon vetëm 20 % të fermave që janë të mëdha ose mesatarisht 16 mijë Euro, e mbeten 1000 Euro për fermat e tjera. Kjo vetem për pagesat direkte enë terma mesatare.

 

Shifrat na lejojnë të kuptojmë së pari është shumë e vështirë të konkurosh me të njëjtin produkt me fermat e mëdha në Hollandë, Spanjë, Francë, por dhe Greqi. Na lejon të kuptojmë se pse Shqiperia eksporton aq shumë sherebelë ose bimë mjekësore, jo se janë objekt krenarie, por sepse rriten vetë e kërkojnë pak kapital, e shumë punë.

Së dyti duhet ulur numri i fermave, jo sepse fermat e vogla janë të këqia në vetvete. CAP po përpiqet të ruajë fermat sidomos ato të vogla, me ritmin aktual të një mijë fermave që zhduken çdo ditë në EU, “nuk është e lehtë një ditë te jesh fermer e ditën tjetër shofer taksie” sipas fjaleve Komisionerit Wojciechowski.

 

Shqiperia që të jetë në një nivel të përafërt me EU e kur mund të fillojë në terma konkrete diskutimin e anëtaresimit, duhet të ketë ferma me një mesatare prej rreth 5 ha e të sigurojë mbështetje me pagesa direkte minimalisht 1000 Eur. Jo se 1000 Eur mjaftojnë po ashtu si në vendet e Europës lindore ish socialiste, tani anëtarë të EU, CAP do duhet të kontribuojë me pjesën tjetër.


Ndryshimi vjen nga jashtë

Ndryshimi në bujqësi nuk do të vijë nga bujqësia vetë por nga jashtë saj. Rritja ekonomike e punësimi në sektorë jo bujqësore, kërkohen të shpejta në mënyrë që të rritet edhe bujqësia. Sepse subvencionet për bujqësinë vijnë nga jashtë bujqësisë. Sepse bujqësia është ushqim, kostoja “e lirë” e të cilit na lejon “të kursejmë” e të investojmë më shumë në sektorët e tjerë jo bujqësore, e një pjesë të fitimeve të tyre t’a rikthejmë si subvencion përsëri në bujqësi. Subvencion, për të mbrojtur natyrën e mjedisin, për ndryshimet klimatike.

 

Madhësia e fermës ndryshon kur fitimi nga një punë jo bujqësore është më i larte se ai i punës në fermë. Në këtë moment kur po ndodh ndryshimi me dekarbonizimin e rritjen e kërkesës për shërbime Shqiperia ka shanse nqs do t’i përdorë ato për të shkolluar e trainuar të rinjtë ruralë të mos mbeten vetëm brenda fermës. Kjo në një kohë kur është trendy e thuhet që “bujqësia është prioritare, romantike, prodho ushqimin tënd, u kthye nga emigrimi e ngriti një fermë”. Po, nqs ke aq kapital sa të konkurrosh ose gjen aq punë sa të kompensojë kapitalin bëje fermerin. Por, për ata që nuk i kanë, tregu i punës, së paku në botë, për shoferë të mjeteve të mëdha ështe në rritje e me kërkesë të lartë, tregu i atyre që shpërndajnë mallra në adresë me makina, tregu për kujdesin social e shëndetësor, nqs shikojmë afatshkurtër. Energjitë e rinovueshme në vend të atyre fosile, era, uji, dielli, masa e gjelber, infrastruktura e tyre drejt makinave elektrike e përdorimit eficient industrial e shtëpiak është një treg i ri i afërt, por dhe i shtrirë në kohë e i qëndrueshëm.


Nqs mbas luftës njerëzit iknin nga fshatrat drejt industrive, është një mundësi e re kjo sot e cila deri pak kohë më parë dukej e pamundur, lëvizje të reja masive të qëndrueshme nga fshati drejt punëve jo bujqësore, sidomos për një vend me 50 % popullësi rurale si Shqipëria.  E kuptueshme që nuk do të jetë e lehtë, sepse vetë qytetet kanë probleme me punësimin, por është alternativa e vetme që duhet kapur e duhet krijuar. 


Nqs duam të ndihmojmë fermat të jenë kompetitive përsëri masa jo bujqësore do të vlejnë më shumë se ato direkt bujqësore, për të cilat vepron tregu.


Infrastruktura e internetit kudo, e lirë në zonat rurale, trainimi për një përdorim të sigurt të rrjetit e kompiuterave, janë vende pune, por janë informacion, njohuri e akses në subvencione e politika për fermerët. Kjo edhe sepse aksesi në subvencione, psh pagesa për dikë që të përgatitë një kërkesë është më e shtrenjtë se vetë subvencioni. Masa sociale, si shkollimi e sigurimi i pensioneve për fermerët me moshë të shumë vjetër e zevendësimi i tyre me fermerë të rinj të shkolluar. Në Francë nuk konsiderohesh fermer e as nuk merr dot subvencione nqs nuk ke arsimin e duhur si fermer. 


Ferma Dyson

Janë 15 mijë ha dhe 169 të punësuar. Per krahasim në gjithë Shqipërinë do të kishte vetëm 20 të tilla me rreth 3300 të punësuar. Mosha mesatare e të punësuarve në fermën Dyson është 38 vjeç kundrejt 59 të fermerëve në UK e pothuja po aq në Shqipëri.


Kompania Dyson eksperiencën e kapitalin nga shitjet e elektroshtëpiakeve për të cilat është e njohur botërisht i ka transferuar në fermë.  Por, Sir James Dyson thotë se “…megjithë investimet, e megjithë se ferma është shume efiçiente, bujqësia britanike është larguar nga konsumatorët, çka do të thotë se ata dhe fermerët po humbin të dy bashkë. Eshtë tregtari në mes ai që fiton. Për çdo pound të shpenzuar për një kg patate a bizele dyqani merr 70 penny ndërsa fermeri që ka gjithë rrezikun me motin, me investimin në teknologji merr vetëm 8 penny. Tregu është i shtrembëruar në themel, kështu që ne po e kthejmë vëmendjen drejt shitjeve direkte tek konsumatorët edhe për të ulur varësinë tonë nga subvencionet. Ne po përdorim gjurmueshmërinë duke përdorur teknologjinë e dixhitalizimin që konsumatorët t’a dinë nga vjen prodhimi… “ 


Më qartë e thjesht nuk mundet, pra sado e madhe dhe teknologjike një fermë, tregu bujqesor është i shtrembëruar në themel nga subvencionet e mënyra e tregtimit. Prodhimet bujqesore janë të lira në fushë, por çmimin final e vendosin tregtarët të cilët përfitojnë nga konsumatorët e prodhuesit kur nuk ka konkurencë në shitje. Kur kjo konstatohet si problem në UK me rrjetet tregtare nga më eficientet e kompetitivet në botë, imagjinohet lehtë në vende me infrastrukturë tregtare të mbyllur kundrejt konkurencës.


Nqs në Shqiperi nuk do të ketë mekanizma të shitjeve direkte, që të konkurojnë ata pak tregtarë ose struktura oligopoliste, të krijura me dashje ose pa dashje, e që kanë kontroll absolut mbi shitjet, e ardhmja është e errët sado të mëdha të jenë fermat sepse dhe ato rrezikojnë të zhduken pa subvencionet në rritje ashtu si çmimet për blerësit.


Për t’u rikthyer tek zgjedhja e zgjidhja, e vetmja rrugë është “bujqësia çështje e të gjithë popullit”, aq e ndryshme dhe e njëjtë me filozofinë e CAP. CAP në pak fjalë ka si qëllim sigurimin e ushqimit për shoqërinë, sigurimin e jetesës të fermerëve, mbrojtjen e tokës, natyrës, kjo falë një ekonomie, shoqërie të zhvilluar e demokratike. Nqs një miliard Euro eksporte bujqësore na çojnë drejt këtyre objektivave, do të bëhemi shembull. 

No comments:

Post a Comment