Friday, 19 November 2021

TAKIM ME AGRONOMIN SHQIPTARO-AMERIKAN KOÇO MOSKO



Koço MOSKO



Në Vashtëmi, Korçë ndodhet një nga “fermat” e para në Europë ku njerëzit u morën me bujqësi, 8500 vjet më parë. Pak shqiptarë e dinë këtë sepse bujqësia nuk është pjesë e psikës shqiptare.

Agraniarismi sipas encikopedisë britanike është ajo perspektivë apo rrymë që në filozofinë politike e sociale i jep rëndësi bujqësisë familjare, pronësisë mbi tokën e decentralizimin politik.

 

Ai i ka rrënjët në Romën e Greqinë lashtë duke filluar me Hesiodin që e lidhte moralin e mirë me punën në bujqesi, me romakun Cato që na la manualin e parë bujqësor e që thoshte “burrë i mirë është vetëm ai që merret me bujqësi e jo me tregti e fajde”, e duke vazhduar me Virgjilin i cili me veprën tij Georgics frymëzoi dhe rilindasit si Naimin. Ai e shikonte bujqësinë si rruga që Shqipëria të dilte nga errësira otomane. 

 

Presidenti Jefferson ishte i pikëpamjes së bujqësia, e jo industria formon karakterin e njerëzve të lirë. Përveç tij kemi dhe shumë presidentë të tjerë të lidhur me bujqësinë si Lincoln, fermerin e kikirikëve Jimmy Carter, deri te Clinton, e Bush i cili e kishte kthyer ranch-in e tij në një “Shtëpi të Bardhë në perëndim”

 

Agronomi Koço Mosko është ndoshta agrianaristi i fundit shqiptar. Ai jeton tani prej shumë vitesh në Amerikë pasi ka dalë në pension në Shqipëri si agronom në vitin 2002, e pas një jete të tëre me punë e studime në bujqësi. Në kohen e tik tokut, instagramit ai ka ndërtuar një blog të sukseshem, “bota-bujqesore”, një mini enciklopedi për bujqësinë shqiptare, por dhe për traditat, natyrën, kulturën. Por, këto janë pjesë e pandarë e agrianarizmit.

 

Ndoshta kjo vjen si shtysë nga fakti që jo vetëm ajo dëshira e rilindasve u realizua përgjysëm me Shqipërinë e pavarur, sepse ajo mbeti shumë e varfër e veçanërisht fshati. Edhe sistemi socialist nuk arriti të ndërtojë një bujqësi moderne për të mbyllur fazën agrare të Shqipërisë. As periudha e tranzicionit e cila ka si themel socializmin nuk po arrin të ndërtojë një sistem të qëndrueshëm në bujqësi, ushqim e natyrë. Ne sot quajmë investitorë atë që ka para e nderton një pallat ngjitur me një pallat tjetër, ndërsa për njerëzit të cilët kanë investuar punën, njohuritë, kohën dhe shpirtin për një jetë më të mirë të tyren dhe të tjerëve si i quajmë?

 

Na ndihmon të shkëmbejmë me pak fjalë me agr. Mosko . 

           Ju keni përjetuar dy sisteme ekonomike, e tani jetoni në Amerikë. Keni punuar rreth 35 vite agronom në Shqipëri, 1975 – 2002. Sikur të ishit 25 vjeç, e të kishit një fermë tuajën në Shqipëri, çfarë do të bënit ?

 

K.M. Të kesh një fermë, është dëshirë e çdo agronomi. Kemi punuar e sakrifikuar shumë në sistemin e ashtuquajtur socialist. Brezi ynë ka kontribute të veçanta për ushqimin e shqiptarëve. Kemi luftuar me mish e shpirt për të mposhtur urinë e tejskajshme të viteve 1950-1960. Nga 7-10 kv/ ha grurë që e gjetëm bujqësinë e katër-pesëfishuam rendimentin. Arritëm të marrim mbi 30 kv/ha, në misër; nga 12-16 kv/ha që e gjetëm e çuam rendimentin në mbi 60 kv/ha. etj. Kjo me një punë shumë të madhe, sepse kishim vështirësi e mungesa në: mekanikë, ujë, plehra, infrastrukturë, sistemime, etj. Planet diktoheshin nga lart të pastudjuara, të pambështetura, shto këtu dhe direktivat e pakuptimta të Ministrisë së Bujqesisë e Partisë shtet: si kubikët, mbledhja e fekaleve, përqendrim-specializimi i perimeve, etj. Një vështirësi të jashtëzakonshme na krijonte edhe plani i hapjes së tokave të reja i cili vinte shumë i lartë. 


Rezultatet e mira i arritëm sepse ishim të mirëformuar me dije dhe me shkencën agronomike, falë pedagogëve tanë fisnikë e diturakë, të diplomuar në shkollat më të mira të Europë. Diploma jonë e fakultetit të agronomisë në IBK njihet edhe këtu në Amerikë, shumë rallë ndodh në Shqipëri me diplomat e profesioneve të tjera dhe rallë në Ballkan të diplomuarit nga universitetet bujqësore.
Drejtimi që ferma ime do të merrte, nëse do ta kisha, do ishte në përputhje me kushtet klimateriko-tokësore. Kam eksperiencë të gjatë, sigurisht në mbrotjen e bimëve, drithrave, pemëve frutore, vreshtave dhe perimeve, tani, këtu në SHBA edhe për lulet.

 

Nga përvoja juaj si mund të jetë një fermë ideale në Shqipëri sa e madhe, çfarë kulturash, sa punonjës, mjetet, etj?

 

K.M. Nga vetë origjina ime prej fshati malor, qysh në fëmijëri kam qenë i përkushtuar i gjithi ndaj Natyrës, kështu dëshiroj të kontribuoj në përmirësimin e parametrave jetësorë të saj për t’ua lënë brezave të pacënuar, pse jo edhe të përmirësuar. 


Kanë qenë dy kopshte me rreth 4-5 ha secili, në qytetin e Gjirokastres: Alizani nga ana e veriut dhe Xhemaliu nga jugu. Ishin kopshtije me pemë, perime e gjithë llojet e bimeve, mbanin edhe disa bagëti. Kishin një organizim të përsosur shumë modern për kohën e bëhen të lakmueshem edhe për kohën tonë të sotme. Në atë periudhë shumë i lakmuar, i stolisur bukur ka qenë edhe “Kopshti i Beut” në Libohovë. 
Dëshira ime do të ishte të kisha një fermë komplekse sipas kësaj tradite. Madhësia e fermës mendoj se mund të ishte 15-30 ha. Do të kultivoja llojet e pemëve vendase, të trashëguara dhe do të përzgjidhja farërat më të mira të traditës të bujqëve autoktonë. Do të mbillja edhe pemë të egra ose gjysmë të egra si thanë, mana, ndonjë lis a lofate për ushqim kafshësh, etj. Mendoj se do të nevojiteshin rreth 30 punëtorë gjatë gjithë vitit. Një park me mjete mekanike e agregatë bujqësorë, të paktën dy-tre traktorë, makina transporti, pirun ngarkese, etj. Do të kishte një pikë shitje të produkteve, një restorant dhe guidën turistike, veçanërisht për fëmijë, etj, Nuk do të mungonin edhe bletët.

 

Një fermer në SHBA mjafton të ketë tokë dhe çdo gjë ia ofron tregu, duke filluar nga farërat, shërbimet, punimet me mekanikë, spërkatjet, plehrimet, etj, mendoni se kjo është mirë apo keq? A lidhet kjo me fitime më të ulëta nga ferma?


K.M. Nuk është tamam kështu, por të jesh një fermer në SHBA, aq sa di unë ke ndihmën e vazhdueshme të shtetit, që nga krijimi i fermës e në çdo situatë që kalon ferma, duke filluar me programe, këshillime, financime e subvecione. Çdo vit organizohen falas për fermerët nga universitete e specializuara seminare e biseda disa ditore për problemet që janë shfaqur si dhe për aplikimin e teknikave dhe teknologjive të reja. Subvecionohen një pjesë e mirë e kulturave bujqësore në bazë prodhimi. Mbulohen humbjet nga lëvizja e çmimeve në treg si dhe mosarritjen e rendimenteve të planifikuara për shkaqe të ndryshme. Tregu i shitjes së prodhimeve është pothuajse i garantuar me rregullimet e ndërhyrjet që bën edhe shteti në disa raste. Fermerët janë të organizuar në kooperativa të cilat ndihmojnë për çmimet e blerjes së imputeve bujqësore, ekziston ndihma me mjete mekanike, operimi në treg, etj. Sigurisht të gjitha këto ndikojnë ndjeshëm në rritjen e fitimeve të fermave dhe bëjnë që ato të kenë një qëndrueshmëri financiare të shëndoshë.

 

Si mendoni se ku ndryshon një fermer shqiptar nga sa ju parashtruat më sipër?

 

K.M. Me keqardhje po përgjigjem se ndryshimi është shumë i madh. Fermeri shqiptar është i braktisur totalisht, i pambrojtur nga shteti. Nuk ka pothuajse asnjë lloj ndihme nga këto mundësi që përmendëm më lart dhe nuk duket as ne horizont përmiresimi e gjendjes si: subvecionet, të ketë të paktën këshilla, programe e udhëzime prej specialistëve.

 

 Fermerët atje nuk ndihmohen në tregtimin dhe evadimin e prodhimeve bujqësore. Fermeri atje nuk është i mbrojtur nga spekullantët e tregtimit të imputeve bujqësore, farërave, apo infeksioneve nga objektet karantinore dëmtuese të bimëve. Këto mund të vijnë kryesisht nga jashtë vendit, por edhe nga brenda territorit. Jo rrallë ndodh të jenë edhe të qëllimshme si rrjedhojë e konkurencës ose keqdashjes. Kjo u kostatua qartë kohët e fundit nga fara e gabuar e domates qe u ishte shitur fermerëve dhe askush nuk mbajti përgjegjësi. Shteti në këtë rast u fsheh dhe bëri të paditurin. Shembuj të tillë negativë ka patur edhe më parë. Këto fakte flasin qartë sesa i braktisur e i pambrojtur është fermeri në Shqiperi. Për të mos përmendur vjedhjet, siç ndodhi disa ditë më parë në një stallë lopësh.

 

Çfarë është qarkullimi bujqësor dhe pse duhet bërë? Shembuj të mirë dhe të këqinj ?

 

K.M. Qarkullimi bujqësor është një hallkë shumë e rëndësishme e agroteknikës së kultivimit të bimëve bujqësore. Ka të bëjë ose ndikon në rendimentet e kulturave bujqësore, pjellorinë e tokës. Praktika bujqësore tregon se kur toka mbillej për shumë vite me të njëjtën kulturë (monokulturë), veçanërisht me drithëra, pakësohen ndjeshëm lëndët ushqyese në tokë si dhe shfaqen sëmundje e dëmtues të rrezikshëm të bimëve, si rrjedhojë rendimenti dhe prodhimi binte. “Toka është e lodhur” thuhej në këto raste, e që ishin jo të pakta në atë kohë. Për disa vite këto toka liheshin djerë. Gjatë punës time kam hasur plot shëmbuj të tillë. Meqë plani i drithrave, kryesisht gruri, vinte i lartë, disa toka i mbillnin vazhdimisht me drithra, merrnim një rendiment shumë të ulët, megjithëse përdornim edhe plehra kimike, ndonjëherë edhe organike, hidhje 3kv/ha farë e merrje 5-7 kv/ha. Këto toka i shkatërronte edhe erozioni se plugoheshin çdo vit, bëhej një masakër e paparë ndaj mjedisit. Shembull i mirë është lugina e Drinos që në strukturën e mbjelljeve të kësaj lugine, jonxha si një përmiresuese shembullore e pjellorisë së tokës, zinte një sipërfaqe të konsiderueshme në qarkullimin e kulturave.

 

Pse e si duhet ruajtur toka? A rikthehemi dot mbrapsht kur toka është e mbushur me kimikate dhe e bëjnë atë shterpë?

 

K.M. Një specialist bujqësie e di mirë se çfarë rëndësie ka menaxhimi i drejtë i tokës bujqësore si një organizëm i gjallë. Kur je duke ngritur një fermë me bimët e arave, së pari duhet të mendosh se si të ruash pjellorinë e tokës. Ndodh sot që fermeri i joshur nga fitimet e çastit ose dhe nga padija, e shfrytëzon shumë egër tokën, duke përdorur kimikate të shumta. Këto toka për disa vite dalin jashtë përdorimit. Mbetjet kimike në tokë bëhen shumë të rrezikshme për organizmin e njeriut dhe vetë bimën kur toka mbingarkohet me plehra e trajtime kimike të shumta. Ndoten edhe ujrat, burimet e lumenjtë. Është e vështirë të kthehen këto toka në gjendjen e tyre natyrale, duhet shumë kohë e shpenzime. Në socializëm kishim një Institut të Tokave dhe laboratorët e tokave nëpër rrethe ku kryheshin analizat e tokës. Nuk e di nëse ka ende ndonjë bërthamë të tij? Kjo për mendimin tim është më se e domosdoshme, madje duhen kryer sondazhe si dhe analizat e prodhimeve bujqësore që shkojnë në treg për të ruajtur shëndetin e popullit. Për të ruajtur pjellorinë e tokës duke përdorur sasira të kontrolluara të plehrave kimike, duhet të futim në qarkullim bimët azotofiksuese si jonxha, tërfili, fasule e bishtajoret e tjera, kurse në zonat mbi ujë një bimë e mirë është trëndelina.

 

Si ka qenë më parë bujqesia, përpara socializmit, e sot ?

 

K. M. Shpendët, dhitë, lopët dhentë kanë qenë një burim i rëndësishëm ushqimi dhe të ardhurash për fshatin. Dhitë dhe lopët në traditën Molose janë pa shpenzime, si u thotë populli “të uruara”, përmenden që në Lashtësi. U hap derën e vathës në mëngjez e i lëshon të kullosin malit dhe në darkë kthehen e të mbushin kusinë me qumësht bio. Gjithashtu janë dhe burim mishi. Një minifermë familjare para socializmit, kishte mesatarisht: 1-3 ha tokë, 10-15 kokë dhi, 10-15 kokë dhen, 1-2 lopë, një kafshë ngarkese, 15-20 pula, një derr dhe dy qe të punës. Këtë gjendje le ta kishim edhe tani për fshatin. Familjet që jetojnë sot në fshat po të kishin këto bagëti, sa do te ishte numri i tyre? Me një minifermë të tillë dhe ndonjë aktivitet ndihmës e përballoje jetesën e nuk kish nevojë të emigroje. Qeveria Rama mendon se bujqësia mund të zhvillohet vetëm me ferma të mëdha, të përqëndruara, ose nisma si ajo me 100 fshatra turistike, por kjo është kryekëput gabim e me pasoja që tani po i vuan fshati dhe bujqësia po kalon një periudhë të keqe, rrudhje. Sot për sot kullotat nëpër fshatra mbeten të pashfrytezuara. Gjithashtu qeveria duhet te krijojë rend e qetësi se siç kemi dëgjuar të vjedhin lopën ose viçin nga oborri shtëpisë. Pjesa më e madhe e banoreve në fshat sot janë të moshës së tretë dhe e kanë të vështirë të merren me hajdutët.

 

Të drejtosh bujqësinë duhet një agronom a veteriner i mirë, apo një menaxher i mirë?

 

K.M. Të drejtosh një fermë bujqësore ose blegtorale duhet të jesh doemos specialist i fushës përkatëse. Këtë e kam vërejtur kudo, këtu në fermat që kam shkelur ose kam punuar. Pronarët e fermave kujdesen se kujt do t’ia besojnë fermën bujqësore prej një nga pasardhëve e tyre. Atë e pajisin me kulturë agronomie dhe e ndihmojnë të vazhdojë shkollat bujqësore për agronomi. Këtë e bëjnë edhe kur duan të fillojnë një biznes të ri bujqësor. Në Shqipëri kasta drejtuese nuk do që dhe një ministër bujqësie të jetë agronom, sepse më e rëndësishme është partia se ushqimi i popullit. Për ironi të fatit qeveria Rama i vendosi të gjithë prefektët oficerë, kur pjesa më e madhe e qarqeve kanë drejtim bujqësor. Agronomët nuk i duan as në Parlament e as në qeveri. Ky është nënvleftësim që i bëhet bujqësisë, ushqimit të popullit për sot e për të ardhmen. Njëkohësisht ferma kërkon edhe një menaxher të mirë, zakonisht kompanitë e kanë të punësuar, sepse është i rëndësishëm edhe pse prodhimi e gjen më lehtë tregun.

 

Çfarë lule, peme keni në oborr? Çfarë mund të mbjellin më shumë në Shqipëri? Pse është ideja se bimët aromatike rriten vetëm në mal ose për shitje, ndërkohë që oborret e shtëpive në USA, Europë janë të mbushura me lavande, rozmarinë, rigon, shkurre e peme?

 

K. M. Unë në shtëpi kam mbjellë sherebel, madje dhe çaj mali. Çdo mëngjes kur dal, kënaqem kur i shoh dhe u marr erë. Një vit në kopshtin tim kisha mbjellë edhe rigon. Pëlqej shumë trëndafilat, karafilin, zambak, barbarozin, shpatoren, geraniumet, etj. Këtu në SHBA kam vërejtur se kopshtet ose peisazhet rreth shtëpisë, mbillen më shumë me pemë drunore e shkurre dekorative dhe tapet me bar jeshil. Unë pëlqej eksperiencën dhe traditën e shqiptarëve për kopshtet, veçanërisht në zonën rurale. Rreth shtëpisë mbillen bimë për zbukurim, por që kanë përdorim të shumëfishtë. Të marrim psh manin. Krijon gjelbërim, bukuri e freski rreth shtëpisë. Me gjethet e tij ushqehen bagëtitë, mund të rritim krymbin e mëndafshit, fruti është ushqim i freskët për njerëzit dhe pulat, mund përpunohet duke u tharë për stafidhe, të prodhohen lëngje e shurupe, deri edhe mund të distilohet për raki, bëhet pekmez, përdoret për ngrohje, lëndë drusore, etj. Pra, kopshti në zonat rurale duhet që t’i shërbejë minifermës që përmendëm më lart. Bimet që mbillen rrotull shtëpisë, për mendimin tim, duhet të kenë sa më shumë përdorime.

 

Ju publikoni prej kohësh në rrjetet sociale një blog bujqësor me shumë lexues e të suksesshëm, çfarë i tërheq më shumë ndjeksit aty? Çfarë do të donit që ky blog të ishte edhe më i goditur?

 

KM. Shqipëria ndodhet në udhëkryq midis lindjes dhe perëndimit. Gadishulli Ballkanit që në agim të historisë ka shërbyer si urë lidhëse. Këtej kanë kaluar pothuajse të gjitha bimët e kafshët bujqësore të ardhura nga Azia për në Europë. Natyrisht shqiptarët kanë patur eksperiencën dhe ndikimin e tyre. Mirëpo në historigrafinë bimore populli shqiptar anashkalohet. Kjo nuk thuhet as në tekstet mësimore në Shqipëri. Nëpërmjet studjuesave seriozë të vendit e të huaj, ne blog me fakte shkencore e historike përpiqem të evidentoj rolin e shqiptarëve. Nëpërmjet historisë bimore, miteve, legjendave, folkut, etimologjisë, të të dhënave arkologjike, etj. sjell fakte të pakundërshtuese dhe të pashkruara e të evidentuara më parë. Në përshkrimin e bimëve të ndryshme sjell dobitë mjekësore e ushqimore të tyre. Kam përshkruar mbi 20 bimë që janë studime të mirëfillta të mijat. Ndjekësit e blogut tim e pëlqejnë këtë, gjithashtu dhe shkrimet e tjera bujqësore shumë interesante të kolegëve të mi të cilat i kam publikuar herë pas here.

SHBA, Kanada prodhojnë grurë me kosto deri katër herë më të lirë sesa në Shqipëri? A duhet që vendi ynë të prodhojë grurë?. Mendoni se prodhimi duhet të lidhet me tregun?

 

K.M. Trojet shqiptare kanë kushte të përshtatshme për kultivimin e grurit dhe drithrave në përgjithësi, ka një eksperiencë dhe traditë mijravjeçare. Ka fusha pjellore si: Fusha e Kosovës, Myzeqeja, Fusha e Korçës, Ultësira e Veriut, etj. Sot në Shqipëri importohen mbi 200 mijë ton drithëra, të cilat mund të prodhohen pa vështirësi në vendin tonë. Sigurimi i kësaj sasie në vend, do të bëjë të zihen më shumë njerëz në punë, të zhvillohen e të popullohen zonat rurale, të rriten të ardhurat e banorëve dhe të shtetit. Do të rritet cilësia e ushqimeve e nuk do të detyrohemi të marrim të fshirat e hambarëve të botës. Si specialist i mbrojtjes së bimëve e njoh mirë rrezikun toksik të sëmundjeve e dëmtuesve të grurit në fushë dhe gjatë ruajtjes në depo si dhe të kimikateve që përdoren në drithrat e bukës. Eshtë e vështirë, për të mos thënë e pamundur që karantina bimore dhe laboratorët në Shqipëri të kenë garanci për këto.

 

Gruri ështe një prodhim bujqësor strategjik, qeveria shqiptare dhe kosovare duhet të bëjnë një marrëveshje që bukën e përditshme të popullit ta prodhojnë vetë si komb, ashtu siç bejnë të gjitha shtetet e kombet që mendojnë për shëndetin e popullin e tyre. Nuk është punë kostoje. Të dy shtetet tona duhet të krijojnë kushte e të ndihmojë fermerët me mjete mekanike e agregatë bujqësorë, të ulet çmimi i naftës, të përjashtohen nga taksat tregtimi i farërave dhe i imputeve bujqësore, të rritet puna kërkimore shkencore me farërat, etj, Të ketë subvecione si dhe tregu i grurit të jetë i sigurtë për prodhuesit e grurit duke ndërhyrë edhe shteti me politika fiskale e grumbullimin i tepricave që nuk shkojnë në treg, etj. Gruri ka mundësi të ruhet në depo për një periudhë të caktuar kohore.

 

Një fermeri nqs do t’i jepnit vetëm një këshillë; ajo do të ishte agronomike apo këshillë biznesi? Cila është ajo?

K.M. Për fermerët do të kisha këtë thënie të poetit kanadez Brian Brett:
“Bujqësia është një profesion i shpresës.”

 

Po kështu një politikani nqs do t’i jepnit vetëm një këshillë, ajo do të ishte agronomike apo këshillë biznesi? Cila është ajo?

 

K.M. Këshilla ime për shtetarët dhe politikanët shqiptarë do të ishte thënia e shkencëtarit amerikan në fushën e kimisë dhe të bujqësisë James Mapes:
“Bujqësia ëshë burimi themelor i prosperitetit kombëtar.”

 

Ju mungon një ecje në malet e Lunxherisë? Pse nuk arrijmë ta bëjmë turizmin rural një alternativë me sa keni parë kur jeni rikthyer herë pas here në Atdhe?

 

K.M. Sigurisht që më mungon shumë. Që kur isha fëmijë e derisa kreva shkollën e lartë, me moshatarët e mi, i ngjitasha çdo vit malit të Lunxhërisë në majën e Marotasë në periudhën kur lulëzonte çaji i malit. Dëshiroj ta bëj edhe tani këtë ngjitje. Turizmi rural është i lidhur shumë edhe me vendet historike si dhe objektet kulturore të traditës. Por ne i kemi shkatëruar dhe nuk po i ribëjmë ato siç i bëjnë shtetet e tjera. Në malin e Lunxherisë është një rrugë dhish që mendohet se e kanë ndjekur antigonasit kur qyteti i tyre u dogj nga romakët. Kjo rrugë mund të bëhet një rrugë pelegrinazhi për të rinjte dhe turistët. Ose një diçka tjeter: në fshatim tim të lindjes, Selckë, është Kisha e Shënepremtes, monument kulture. Ishte një vepër kulti që do t’i linte turistët nga e gjithë bota shumë të habitur. Por gjatë periudhës së ashtuquajtur socialiste i “grabitën” 28 ikonat më të mira. Njëra thuhet se është në Muzeun Kombëtar, të tjerat nuk dihen ku janë. Gjithashtu kësaj kishe, në kohë trazirash, i vodhën edhe ikonostasin që kishte vlera të veçanta. Çfarë do të shikojë turisti tani këtu?! 

                Çfarë materialesh keni tani në dorë për blogun tuaj?


K.M. Po përgatis një shkrim të plotë për sherebelën, ashtu siç kam përshkruar edhe bimët të tjera si dafinën, bajamen, trëndelinën, çajin, etj. Gjithashtu kam në duar edhe një shkrim mbi historinë e fshatit tim të lindjes, këngë dasme, këngë dashurie, të dhëna gojore, arkeologjike, historike, legjenda, përralla, portrete, fjalë të rralla, këngë djepi, këngë trimash, tregime të lashta, etj.

 

Falemnderit për intervistën dhe bashkëpunimin!

 

Përgatiti: Fatos Fico, Londër

 

 

4 comments:

  1. Me pelqeu shkrimi per specialistin e mirefillte agronomin e talentuar e studjoz Koco Mosko.I lexoj me vemendje e kersheri shkrimet e tija tek blogu vet.

    ReplyDelete
  2. Koment nga ILLO FOTO

    U kenaqa pa mase , per intervisten , qe kishe dhene , per bujqesine ne te gjithe dinamiken kohore . Gjithcka e argumentuar , dhe e dokumentuar . Asgje jasht llogjikes teknike , per te kaluaren dhe te arthmen . E kaluara , nuk shkelqente , por ishte zhvilluar , simbas kerkesave te regjimit . Zhvillimi shkencor i bujqesise u perket specialisteve , qe perballuan veshtiresi te medha , jo vetem nga prapambetja e trasheguar , por dhe nga direktivat partiake , sidomos nga direktiva cmedurake , qe jetoi gjithe kohen dhe percaketonte Industrine , madje te rende , udheheqese te ekonomise . Bujqesia , ne keto 31 vjet nuk e justifikon , detyren , qe ka ndaj ekonomise , nga fakti se jemi vend , qe importojme ushqimin e popullit . Kur je importus , je i eksopozuar ndaj te gjitha krizave . Propozimet e agronomit veteran , Koco Mosko , parashofin nje zhvillim vertikal dhe nje toke bujqesore te paster nga pesticidet helmuse . Instituti i ketyre preparateve , duhet te ringrihet , me urgjence . Intervista e Kocos , mund te quhet program pune , per bujqesine e tashme dhe te arthme . Kritika , per Qeverrite Rama , per mos aktivizimin e agronomeve , qendron pjeserisht se aktivizimi duhet te filloi nga vete agronomet , nga vete Universiteti bujqesor . I vetmi agronom , Agron Duka , drejton nje parti politike gjoja mjedisore , por pa elemente te shquar me emer dhe vepra praktike si bujqesore dhe mjedisore . Nje investim i rendesishem , duhet te realizohet ne shtypin bujqesor aktiv, ku do te pasqyrohet bujqesia dhe elementet e shquar te prodhimit bujqesor dhe mjedisor , ku kam parasysh bimet me vlera etero-mjekesore . E falnderoj Kocon , qe na ka perfaqesuar , ne brezat e vjeter , me kete interviste dinjitoze

    Illo Foto - NY - 20 Nendor 2021 .

    ReplyDelete
  3. Koment nga: Thanas L. Gjika says:
    nga gazeta "Illyria" dat. 11/19/2021 - 8:53 PM

    Kjo intervistë që i ka marrë Zoti Fatos Fico nga Londra studjuesit të pasionuar të bimëve bujqësore dhe pemëve frutore Agr. Koco Moskos që jeton prej dy dekadash në zonën e Bostonit, është dëshmi e dashurisë së shqiptarëve të diasporës për gjendjen e bujqësisë në Shqipëri e Kosovë. Nuk është vetëm përgatitja e shumanshme e këtyre dy kuadrove të bujqësisë që ngrejnë e trajtojnë probleme të rëndësishme të jetës në atdhe, por edhe guximi qytetar që i shtyn të bëjnë kritika e të japin këshilla për përmirësimin e kushteve të bujqësisë në dy shtetet shqiptare. Agr. Mosko është një studjues i mirënjohur në fushën e agrokulturës Prej tij kam lexuar me përfitim të madh një sërë artikujsh të publikuar në blogun e ti dhe në gazetat e këtushme. Përgatitja e tij është e një niveli akademik. Kjo bie në sy në trajtimet e tij ku gjenden sqarime të shumanshme për bimët dhe pemët që trajton duke nisur nga historia e tyre e lashtë, zbërthimi i etimologjisë së emrave të bimëve dhe pemvve prutore. Ai të mahnit me njohuritë e shumta që sjell nga përvoja popullore shqiptare të njohur gjatë jetës e punës së tij, dhe nga përvoja botërore që ai sjell nga studimet e ndryshme të profesorëve amerikanë etj. Njohuritë dhe guximi i tij shpalosem me maturi e kurajë në sugjerimet konkrete për përmirësimin e prodhimit bujqësor e blegtoral në Shqipëri, në kritika drejtuar qeverisë shqiptare që nuk e mbështet financiarisht prodhimin bujqësot, ngritjen e fermave, kultivimin e erëzave, si dhe të blegtorisë, e cila siguron plehrat organike dhe prodhimet e ndryshme të qumshtit, mishit, leshit, etj. Ai i bie këmbanës së alarmit kur shkruan për shkatërrimin e tokave gjatë viteve të sistemit socialist kur u varfëruan tokat me plugimet e thella cdo vit, hapjen e tokave të reja, etj dhe sot me mungesën e Institutit të Studimit të Tokave, me plehrimet e tepruara me kimikate që po helmojnë tokat bujqësore të atdheut.
    Kjo intervistë mendoj se do të jetë me përfitim të botohet edhe në disa organe shtypi në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni të Veriut.

    ReplyDelete