Tuesday 14 November 2017

DERVISH ÇAUSHI, AGRONOM DHE MËSUES I DALLUAR NË SHËRBIM TË BUJQËSISË DHE ARSIMIT






Dervish ÇAUSHI
Libohova  është  vendlindja dhe vendbanimi i Dervish Çaushit, njerit prej intelektualëve dhe specialistëve të shumtë që ka nxjerrë ky qytet gjatë gjithë historisë së tij shumëshekullore. Në kujtesën time si shok, mik dhe bashkëpunëtor i pandarë   në të gjithë rrugëtimin tonë të përbashkët mbi 50 vjeçar, por edhe të shumë shokëve, miqve,  kolegëve dhe nxënësve me të cilët ai ka bashkëpunuar dhe vazhdon  akoma të ketë marrëdhënie  të forta miqësie dhe pune  me të gjithë spektrin shoqëror dhe familjar brenda e jashtë Libohovës, Dervish Çaushi mbetet një njeri me vlera dhe kontribute të veçanta njerëzore,intelektuale, profesionale dhe frymëzuese në çdo aspekt të jetës, punës e shoqërisë.

Modeli i sjelljes  dhe punës së i tij në fushën e bujqësisë dhe arsimit, janë dhe mbeten  për këdo shembull për krijimin e një fryme dhe strategjie bashkëkohore në shërbim të një realiteti të qëndrueshëm të zhvillimit shkencës së bujqësisë, të arsimit, të  jetës  social-kulturore dhe intelektuale jo vetëm  në Libohovë, por edhe më gjerë. Në Libohovë, për shumë dekada me radhë, kanë funksionuar dhe vazhdojnë akoma të japin kontributin e tyre në jetën social-ekonomike të qytetit dhe zonës përreth, mjaft institucione dhe degë të ekonomisë, arsimit dhe kultures, ku në kontributin dhe veprimtarinë e qindra specialistëve dhe kuadrove, padyshim që emri dhe veprimtaria aktive dhe frytdhënëse e specialistit agronom dhe mësuesit të devotshëm Dervish Çaushi, mbeten një pasuri dhe një burim frymëzimi edhe për brezin e ri.

Jeta, puna  dhe veprimtaria shoqërore e Dervishit është përshkuar nga një rrugë e gjatë e mbushur me përpjekje dhe kontribute të vazhdueshme. Të gjithë ne shokët, kolegët, bashkëpunëtorët e tij  që së bashku kemi punuar dhe që akoma vazhdojmë të kontribuojmë sadopak në jetën social-ekonomike të qytetit tonë,  natyrisht që kemi  përjetuar dhe vazhdojmë të ruajmë  respektin e dashurinë për këtë njeri dhe intelektual të veçantë. Të flasësh për cilësitë njerëzore të Dervish Çaushit, nuk mund të lesh pa cituar idenë se ai përbën  një  njeri model të veçantë të komunikimit me masën e nxënësve, kolegët e shumtë  dhe bashkëqytetarët e vet.

Në ceremoninë e çeljes së vitit të ri shkollor në Gjimnazin “11 Shkurti”
Puna dhe bashkëpunimi i tij me këdo  që ka patur mundësinë të jetë pranë Dervish Çaushit, mbetet një përvojë e rëndësishme në lidhje me artin e drejtimit dhe komunikimit. Si drejtues dhe  mësues i biokimisë me një përvojë mbi 25 vjeçare në të dy shkollat e Libohovës, Dervish Çaushi është dalluar për formimin e tij të plotë  kulturor e shkencor, i cili ka ndikuar shumë në personalitetin e tij intelektual. Mënyra e sjelljes si mësues e Dervishit  vazhdimisht është  shprehur me fjalë dhe veprime.  Një nga problemet kryesore të tij në punën e drejtuesit dhe mësuesit, ka qenë disiplina e punës, të cilën ai gjithnjë e ka vlerësuar si një nga faktorët kryesorë të drejtimit të shkollës dhe klasës. Parimi i Dervishit në punën e vet mësimore-edukative ka qenë dhe është udhëhequr nga koncepti se  një mësues i mirë duhet t’u mësojë nxënësve që ata të marrin përgjegjësinë për të mësuarit dhe të arrijnë t’i realizojnë objektivat që i vënë vetes.
Dervish Çaushi, çast pune duke dhënë
përvojën e vet mësimore e edukative

Si mësues dhe edukator Dervish Çaushi  vazhdimisht është dalluar për inteligjencë, njohje të profesionit, kryerje të punës me ndërgjegje e dashuri për nxënësin, durim, qëndrim të drejtë dhe sinqeritet. 
Te personaliteti i  tij si kuadro dhe mësues  përfshihen bindjet, niveli shkencor e kulturor, figura morale, psikologjike e pedagogjike, aftësia didaktike,  ku ai gjithnjë i ka dashur  nxënësit dhe shkollën,  duke punuar me këmbëngulje e durim për mbarëvajtjen e tyre.

Dervishi gjithnjë është dalluar për  një qëndrim sa emocional dhe tolerant para shakave të ndryshme të nxënësve, duke e kuptuar  dhe duke e  ndjerë mire  botën e tyre emocionale. 
Si  mësues dhe mësimdhënës Dervish Çaushi vazhdimisht ka bërë përpjekje  që ta jape sa më mire atë, pa e bërë  mësimdhënien gogol. Në orën  e mësimit Dervishi gjithnjë është  karakterizuar nga një organizim i plotë  me veprimtari të përbashkët e të dyanshme mësues-nxënës. Nisur nga këto aftësi dhe cilësi të tij të gjithë kolegët dhe nxënësit  ruajnë akoma të gjallë  respektin ndaj tij si mësues, por edhe vetë ai vazhdon t’i ketë të freskëta e të gjalla  respektin dhe personalitetin ndaj çdo  nxënësi. Si mësues  dhe edukator Dervishi gjithnjë e ka konsideruar veten  shok, prind zëvendësues dhe mbështetës i egos së nxënësve  të vet.

Shumë  nxënës që  janë  edukuar dhe mësuar  nga “dora” e tij, janë dalluar dhe vazhdojnë të dallohen për  vullnetin e mirë për të mësuar sistematikisht. 
Vlerësimin e punës dhe dijeve të nxënësve Dervish Çaushi e ka patur si busull orientuese duke e cilësuar atë si  fuqi individuale mjaft të rëndësishme në suksesin e përbashkët të procesit mësimor dhe edukativ. Në këtë drejtim ai gjithnjë është nisur nga këto tipare: t’i vlerësojë paanësisht nxënësit,  të jetë i drejtë,  të jetë njerëzor,  të jetë kompetent.

Dervish Çaushi i sapodiplomuar në degën e agronomisë, ILB Kamëz, 1975
Ja cili është  rrugëtimi 65 vjeçar i jetës, punës dhe veprimtarisë së tij.

Dervish Çaushi lindi në Libohovë më  6 shkurt të viti 1952.Arsimin 8 vjeçar e përfundoi në Shkollën 8 Vjeçare “Avni Rustemi” në Libohovë në vitet 1960-1967 me rezultate shumë të larta. Në vitet 1967-1971 mbaroi shkollën e Mesme Bujqësore të Delvinë , dega agronomi me rezultate të larta. Filloi studimet e larta  në vitin 1971 dhe i mbaroi në  vitin 1976 në Universitetin Shtetëror të Bujqësisë Kamëz,Tiranë në fakultetin e Agronomisë, dega Horti-Frutikulturë me rezultate shumë të mira.


Besnik Ismailati dhe Dervish Çaushi, nxënës në Shkollën e Mesme Bujqësore Delvinë, viti 1969
Në vitin 1992-1995 mbaron studimet pa shkëputje nga puna pranë Universitetit “Eqerem Çabej” Gjirokastër, në fakultetin e Shkencave të Natyrës, dega biokimi me rezultate të mira. Pasi u diplomua filloi punë në N.B.”Muzafer Asqeri” Gjirokastër ,në sektorin e Odries, me detyrë agronom frutikulture,ku punoi një vit. Pastaj transferohet në sektorin e Nepravishtës me detyrë agronom sektori për katër vite rradhazi (1977-1981. Prej këtekj transferohet me detyrën e përgjegjësit të sektorin në sektorin e  Bulos, ku punoi prej vitit 1981-1985.Prej këtej transferohet përsëri në sektorin e Nepravishtës me detyrë agronom sektori, ku punoi deri në marsin e  vitit 1990.. Në periudhën mars 1990 e deri në nëntor 1992, punoi agronon në degën e bujqësisë pranë N.B.Libohova, të sapokrijuar. Në dhjetor të vitit 1991 transferohet në sektorin e arsimit, pranë Shkollës së Mesme Bujqësore “11 Shkurti” Libohovë me detyrë zëvendësdrejtor deri në shtator 1992, ndërsa nga shtatori i vitit 1992-shtator 1995 emërohet drejtor pranë kësaj shkolle. Për periudhën kohore shtator 1995-shtator 2010 punon mësues biokimie në shkollën 9 vjeçare “Avni Rustemi” Libohovë. Nga maji i vitit 2010-shtator 2014  punon  zëvendësdrejtor pranë kësaj shkolle, ndërsa në periudhën shtator 2014-shkurt 2017 punon mësues biokimie po në këtë shkollë, derisa del në pension.
Gjimnazi "11 Shkurti" Libohovë
Gjatë periudhës që punoi në sektorin e bujjqësisë, në vitin 1988  dekorohet nga Presidiumi i Kuvendit Popullor të RPSSH me Urdhërin e Klasit të III-të “Për punë të shquar në ekonominë bujqësore”, me motivacionin :“Për organizim të mirë të punës në plotësimin e detyrave të planit në kulturat bujqësore,veçanërisht në prodhimin e grurit, duke u bërë shembull edhe për kuadrot e tjerë.”

Gjatë viteve 1991-217, pra për një periudhë kohore për më shumë se 25 vjet punoi në arsim,ku për punën e tij mësimore-edukative, në 7.03.2007 është vlerësuar me fletë lavdërimi  nga DAR Gjirokastër me motivacionin:”Për punë të shquar në fushën e arsimit dhe edukimit.”. Në vitin 2011 Këshilli I Bashkisë Libohovë i jep titullin “Mirënjohja e qytetit” me motivacion:”Organizator dhe drejtues i aftë,activist i shquar dhe i përkushtuar në edukimin dhe arsimimin e brezit të ri.”. Në vitin 2016 ,drejtoria e shkollës 9 Vjeçare “A.Rustemi “Libohovë e vlerëson me certificate me motivacion:”Për kontribut të shquar në fushën e arsimit, në kuadrin e javës së Arsimit pranë institucionit arsimor “Avni Rustemi” Libohovë.

Në tërë veprimtarinë e tij prodhuese dhe arsimore,Dervishi është dalluar edhe në studimin dhe botimin e një sere artikujve shkencorë,si:

1. Studimi agrokimik dhe pedologjik I tokave bujqësore në zonën e Odries në vitin 1976,studim ky që kryhet për here të pare dhe hedh themelet e trajtimit shkencor të punimit dhe ushqimit të tokës, në shërbim të rritjes së rendimentit të kulturave bujqësore.

2. Aplikon për here të pare në rrethin e Gjirokastrës në vitin 1982 në sektorin e Nepravishtës teknologjinë e re të kultivimit të misrit me fole, duke e rritur rendimentinm e tij në këto sipërfaqe deri në 140 kv/ha.

3. Përdorimi I lokalizuar I superfosfatit në kulturën e grurit,në kohën e mbjelljes së tij në vitin 1986 në sektorin e Nepravishtës, duke mare një rendiment prej 60 kv/ha.
4.Pjesmarrja dhe aktivizimi I nxënësve në përmirësimin e kushteve të mjedisit në shkollë e në qytet,për  periudhën kohore  2007-2010.

5. Grumbullimi,evidentimi dhe përshkrimi shkencor me pjesmarrjen dhe aktivizimin e nxënësve,  i bimëve mjekësore endemike të zonës së Libohovës (çaj mali, sherebelë, salep, bliri i kuq i Labovës së Kryqit).

Ky është pak a shumë portreti  i Dervish Çaushit si specialist dhe si  mësues, puna e të cilit që meriton  nga kushdo respekt e mirënjohje.

Përgatiti: Besnik Ismailati
Libohovë, gusht  2017


No comments:

Post a Comment