- Këtë qytet e kanë kapëluar tri “hemoragji”-
nga Engjëll SERJANI
Gjirokastër
Engjëll SERJANI |
Arratisjeje të tipit nga “sytë –
këmbët”. Edhe pse konsiderohet si qytet me prespektivë turistike, banorët e saj
po largohen me shpejtësi në tri drejtime: Drejt “kurbeteve” jashtë vëndit,
drejt kryeqytetit dhe drejt vetvetes.
Dy “arratisjet” e para, janë të tipit
“No coment!”. Sepse bëjnë pjesë në epidemine e gjatë të tranzicionit demografik
kombëtar. Drejtimi i tretë, ai “drejt vetvetes”, ja vlen të analizohet
posaçërisht. Emigrimi “drejt vetvetes” i gjirokastritëve, është unikal dhe
paradoksal njëkohësisht.
Ky lloj emigrimi nuk gjendet në asnjë
nen e status të Organizatës Botërore të Migracionit. Mandej, nuk gjendet në
asnjë fokus a vëmëndje të disa OJF-ve që kanë zyra me salltanete të mëdha në
Gjirokastër. OJF, që përgjërohen e betohen se mendojnë, punojnë dhe treten,
vetëm për Gjirokastrën.
Ky lloj i rrallë emigrimi specifik,
ka të bëjë me largimet masive të famijleve nga zona historike drejt zonës së re
urbane. Familje të tëra, edhe pse kanë në pronësi shtëpi “monument kulture”,
preferojnë të largohen për të jetuar në një apartament në lagjet periferike.
Shkaku? Thjesht, sepse kanë frikë se u gremisen shtëpitë “monument” mbi kokë.
Shqetësim, i madh dhe real. Ndërtesa
me histori të madhe, por në gjëndje mjaft të keqe. Ndërtuar 200 e 300 vjet më
parë. Vendosur në një terren të aksidentur. Rrethuar nga dhjetra përrenj
malorë. “Dhe ç’të ishin ato të shkreta shtëpi”, thonë gjirokastritët, për ato
që janë listuar “monument kulture”.
“Dakort, monument! Po unë ku të
jetoj!? Dua dritë, dritare normale, ngrohje, kushte higjeno-sanitare, komuditet
të kohës. Nga të gjitha këto jam i privuar.
Nuk mund të jetoj sin ë kohët e “Baba
Qenos”. Nuk mund të ndërhyj të bëj përshtatje në shtëpinë time. Pse, se është
monument!?”, thotë D.K. banor e pronar në një shtëpi monument kulture i
kategorisë së parë.
Për ta bërë më të qartë situatën, ja
vlen të fokusohemi në disa shifra. Pas vitit 1991, statistikat dhe
përllogaritjet flasin kështu: Popullsia në pjesën historike të qytetit të
Gjirokastrës largohet me ritmin 20 % në çdo 5 vjet. Kjo shifër, është gati dy
herë më e madhe se largimet nga lagjet e tjera të qytetit.
Në pallate e apartamente që nuk bëjnë
pjesë në “zonën e mbrojtur” nga shteti dhe UNESCO. Zona e mbrojtur, ofron pak
mundësi për punë, qarkullim, parkim, ngrohje, ndriçim natyror, standart jetese
dhe komoditet të kohës.
“Vetëm për dy muaj aktivitet turisti,
nuk mund të sakrifikojmë jetën tonë dhe perspektivën e fëmijëve”, shprehet
Sokol Karaulli, një tjetër banor e pronar i një banese “monument” i kategorisë
së parë.
“Shteti, a e ka shpallur zonë të
mbrojtur? Dakort!: – thotë Sokoli. “Shteti duhet të mendojë. si për monumentet
“ca gurë të dheut”, edhe për njerzit që jetojnë në to” – vazhon ai. Aq më
tepër, që këta njerëz janë banorë dhe pronarë të ligjshëm të tyre.
Argumenti i përsëritur shpesh si
zgjidhje, që me të ardhurat turistike të nxiten dhe financohen restaurimet,
çalon shumë. “Një fjalë goje! Ku janë këto të ardhura? – pyet Sokol Karaulli.
Kushedi sa “plane menaxhimi”
egzistojnë në letëra.
Asnjë nuk u zbatua. Lekët për
asistencën teknike u lëvruan. Për sensibilizin, po! Por jo, nuk u bë “hajër”.
Keqmenaxhimi, mungesa e vizionit dhe mungesa e planifikimit, që ka sjellë
situatën absurd, që më shumë rënohen, se sa të restaurohen. Më shumë bien, më
pak ngrihen.
Kujtojmë se restaurimi i një shtëpie,
duke ruajtur vlerat arkitekturore dhe historike të integritetit të këtyre
monumenteve, kushton sa pesëfishi i restaurimit të një shtëpie normale.
Në dy raportet më të fundit të
monitorimit të UNESCO-s janë bërë rekomandime të qarta dhe të sakta.
Mandej në këto dokumete janë
parashikuar edhe ritmet e rënimit. Tre bien, nje ngrihet. “I thanë, por kujt ja
thanë? – përmbyll bisedën Sokoli.
Sipas raporteve të UNESCO-s, norma e
pronës së braktisur, është duke u rritur ndjeshëm. Të jeshë shpallur
“Trashëgimi Botërore”, duhet menduar dhe u munduar shumë për ta ruajtur dhe
merituar.
Ndërtimet e pakontrolluara e të
paligjshme, janë një problem tjetër.
Ndërtesat të reja që nuk përmbajnë asnjë
integritet historik dhe arkitektonik, janë shtuar si kërpudhat pas shiut. DRKK
ka të raportuara rreth 290 ndërtime, jashtë ligjit dhe Kartës së Restaurimeve.
Çështjet ndërlikohet edhe më, sepse
90 për qind e pronave të destinuara për restaurim, kanë edhe një një
problematikë tjetër.
Ato janë të ngatëruara në labirinthet
ligjore e pronësore për shkak të ligjit të trashëgimisë. Në ndonjë rast, në
listën e pronësisë së një banese-monument, lista e trashëgimtarëve pronarë
është me 3 dhe 4 shifra.
Sipas ekspertëve të monumenteve, 200
ndërtesa të dy kategorive më të larta kanë nevojë për ndërhytje emergjente
restauruese. Disa prej tyre janë në rrezik të lartë kolapsi për shkak të
mungesës së investimeve, si nga pronarët, ashtu edhe nga shtetit.
Duke u dhënë status ligjor “monument kulture”, shteti një lloj
mënyrë është një bashkëpronar i pashpallur.
Prej kohësh janë më së paku 10
familje të lagjes Cfakë që gdhihen dhe ngrysen me frikën e shëmbjes së banesave
mbi kokat e pjestaëve të tyre. Njëra prej tyre, u shëmb në tokë në fillim të
dhjetorit të 2017. U gremis, vetëm disa orë pasi u larguan banorët që jetonin
aty.
Të tjerat, janë aty, me mure, me
çati, me dysheme, me trarë, të çarë dhe të dëmtuara. Banorët bashkëjetojnë ditë
e natë me tmerrin. Banesat mund të përfundojnë nga çasti në çast, në përroin më
të afërt.
Drejtoria Rajonale e Kulturës
Kombëtare ende nuk ka një studim, apo një zgjidhje konkrete për këto banesa që
ndodhen brenda zonës së mbrojtur. Për këta banorë dhe pronarë nuk ka asnjë
rekomandim nga ata që e mënaxhojnë zonën e mbrojtur historike.
Ka vetëm një rekomandim nga bashkia.
“Bazuar në shkresën e shërbimit Gjeologjik Shqiptar, ju informojmë se në zonën
ku ju banoni është prishur ekuilibri konstruktiv i shtresave gjeologjike të
tokës”, thotë njoftimi i bashkisë.
Rekomandimet e ardhura nga ky
institucion, kërkojnë largimin urgjent nga këto banesa deri në rikonstruksionin
dhe përforcimin e shpatit të kodrës. Por deri atëherë? Bashkia mund të ofrojë
vetëm një strehim, apo evakuuim të përkohshëm. DRKK. institucioni që ka për
detyre ligjore, nuk ka asnjë zgjidhje për këtë situatë absurdi.
Për Lajm-shqip
Engjëll Serjani
No comments:
Post a Comment