Friday, 5 January 2018

“PO NDAHEMI NGA GJËJA E GJALLË...”

nga Simon VRUSHO
Berat


Në shkurt të ’79-ës, kur sa kishte kaluar të 70-atë, im atë, i veshur me shajak të zi, më kthehet:
Toku Miti VRUSHO
(1908-1983)
-Po iki! Po largohem! Po largohem nga fshati, nga lagjia, nga komshinjtë, nga kushërinjtë... Po largohem nga mali e po shkoj në Urë, po shkoj tek pluhuri, tymi, bloza... Po ndahem nga ajri i lehtë dhe po zbres tek ajri i rëndë, po ndahem nga uji i lehtë e i ftohtë për të zbritur tek uji i rëndë, pa shije, bajat... 

Po ndahem nga gjëja e gjallë që po lë... Ca dele, disa dhën nëpër kushërinj... Po të lë shtëpinë dhe një pulë të veme, pulën e zezë që të sheh si njeri, se mos e ther, po të lë një mace, edhe ajo të sheh si njeri dhe, në fund, po të lë qenin, Balikun e Madh që të sheh si njeri i madh... Ke odën, binxën, kasollen... Ke edhe fiqtë, rrushin, mollët, kumbullat, qershinë, por mos harro pulën e zezë, macen dhe Balikun e Madh... Do pyesin për mua, do më kërkojnë dhe u thuaj se do vijë, unë do pyes për këta tre, do interesohem dhe kjo do t’i qetësojë disi, por prapë do hidhërohen për mua se nuk do më shohin më me sy...


Kur zbrisja herë pas here në Urë, babai pyeste me radhë për pulën e zezë, macen gri dhe Balikun e Zi... Kur i thoshja se ishin mirë, vija re se një hije gjallërie i kalonte në sy... Por kjo nuk do të vazhdonte gjatë... Në një nga zbritjet e mia i dhashë babait mandatën e parë: Pula e zezë ishte zhdukur pa nam e nishan, duke e lënë qymezin shkretë plotësisht, sepse gjysma shkretë ai ishte qëkur kishte mbetur me një pulë të zezë... 
Gjithë ai qymez!...

Babai u pre... Ndonjë dhelpër, dhelpër ishte futur deri brenda lagjes!..

-E, po, shiko macen e qenin, Balikun tani. U bëj të fala!...
 Shkuan javë, muaj... qeni e macja mbaheshin mirë.... Për në një zbritjet e tjera, më vonë, më pas, zbrita në Urë bashkë me lajmin se edhe macja ishte zhdukur pa nam e nishan! ... Mandata e dytë, kjo... Babai nuk u besonte veshëve...


-Nuk ka mundësi, -thoshte. 
-Ishte mace edhe e fortë, edhe e zgjuar... Mbase të ka ndjekur, por ti nuk e ke vënë re, duke hipur nëpër makina e autobusë dhe atë e ke lënë në këmbë.... Por mbase vjen këtu, në Urë, tek mua... Dhe babai ngrihej herët dhe shihte ndanë rrugëve të Urës se mos shihte macen tonë, macen e tij, me kujdesin se mos ia shtypte ndonjë makinë... E priti gjatë... 


Të falat tani shkonin vetëm për qenin, për Balikun e Zi... Dhe do të kalonte, pothuaj, një vit... Baliku i Zi po refuzonte ushqimin, bukën, dhallën, kosin, qumështin... Dhe mbylli sytë...

Kur ia dhashë mandatin e tretë tim eti, ai ngriu... Mandatin e tretë, për Balikun e Zi, që dikur ai e kishte pasur qen të kopesë, nuk e përtypte dot...

-Tani, vërtetë, ne u ndamë nga gjëja e gjallë... Edhe ti ke për të ikur tani... por unë do të iki akoma më përpara, akoma më larg...
Dhe nuk do të zgjaste shumë... Kur zbrisja unë, babai ishte ngjitur shumë lart...


No comments:

Post a Comment