Saturday, 17 January 2015

Homazh për agronomin Kastriot Panariti

                                                                              nga Fuat MEMELI          
Agronomi Kastriot Panariti
 

Këto ditë në Boston, u nda nga jeta në moshën 85 vjeçare, specialist i shquar i bujqësisë shqiptare, Kastriot Panariti. Ata që e kanë njohur dhe kanë punuar me ‘të, e rendisin ndër figurat më të shquara të kësaj fushe. Megjithë “njollat” e biografisë së keqe që i rënduan mbi supe gjatë gjithë viteve të punës, ai i shërbeu bujqësisë me një pasion e dashuri të veçantë, i shërbeu popullit të vet, i shërbeu fshatarëve që i deshte dhe e deshin. Punoi me përkushtim për të rritur të ardhurat e tyre, megjithëse sistemi kolektiv, e kishte varfërinë në “rrënjët” e tij.
            Në këtë shkrim-homazh për Kastriotin, do të bëjmë një vështrim të shkurtër të jetës dhe kontributit të tij. Për këtë më ndihmon edhe një intervistë e bërë me Kastriotin 5 vjet më parë.
            Kastriot Panariti, është një nga agronomët e parë të dipllomuar në Shqipëri në vitin 1955. Pas mbarimit të institutit, veshi çizmet e agronomit, të cilat nuk i hoqi deri sa doli në pension. Punoi në sa e sa ekonomi bujqësore. E filloi udhëtimin e tij agronomik në ish SMT-në e Urës Vajgurore , në rrethin e Beratit. U shqua aty jo vetëm si organizator por edhe si mekanizator novator, duke drejtuar edhe kurset e agronomëve e mekanizatorëve për problem të mekanikës bujqësore.
            Një ekonomi tjetër ku ai la gjurmët e tij, ishte Ndërmarja Bujqësore e Roskovecit. Në këtë ndërmarje, u shqua për punën e tij në kordinimin e bonifikimit me sistemimin sipërfaqësor të ngastrës, në funksion të ujitjes, kullimit dhe mekanizimit. Duke patur rezultate të larta kudo ku punonte, e lëviznin shpesh, duke e çuar në ekonomi të dobëta e që kishin probleme.
            Pas Roskovecit, e dërguan kryeagronom ne NB-në “Çlirimi”. Kjo ekonomi kishte probleme, si rezultat i përmbytjeve të viteve 1962-1963, bashkimit të saj më atë të Libofshës si dhe zgjerimin me toka të reja të kripura të kënetës së Karavastasë. Edhe në këtë ekonomi Kastrioti la gjurmët e punës së tij. NB-ja doli na situata e vështirë dhe u rendit ndër më të mirat e vendit. Në sektorin e Sheqit, u morrën 83 kv grurë për ha, një rendiment i rrallë për atë kohë.
            Në vitet 1970-74 punon në një nga ekonomitë më të mëdha të rethit të Fierit, në kooperativën e Cakranit, e cila kishte 4000 ha tokë dhe një popullsi prej 15.000 banorësh. Në pak vite, kjo ekonomi arriti të bëjë kthese të dukëshme. Kooperativa kaloi ne atë të tipit të lartë dhe më vonë u shpall nga më të mirat në Republikë. Në këto arritje, krahas punës së madhe të fshatarëve, një vend të veçantë ze edhe puna e përkushtimi i Kastriotit.
            Transferimet e tij, vazhdojnë. E dërgojnë në Kooperativën e Grecallisë, ku punon nga vitet 1976 deri më 1989, kur doli në pension. Një ndër arritjet e veçantat të tij në këtë ekonomi,ishte modifikimi iplugjeve hidraulikë për hapjen e vijave kulluese, gjë që dha rezultate. Edhe këtu nuk munguan rezultatet ,ashtu si në ekonomitë e tjera. Edhe sot po të pyesësh fshatarët dhe specialistët që kanë punuar më ‘të,e kujtojnë me respekt dhe e çmojnë shumë punën e Kastriotit. Kjo mirënjohje, është shpërblimi më i mirë për njeriun e punës.
            Por, në “udhëtimin” e tij agronomik, Kastriotit nuk iu nda hija e biografisë së keqe , e cila e ndiqte hap pas hapi. Kjo hije e kishte fillin te babai i tij, Liçoja , i cili kishte qënë në Amerikë për 35 vjet. Ai u kthye në Shqipëri, ndërtoi një shtëpi të mirë në Korçë dhe bleu toka në fshatin Malavec, për të bërë aty një fermë model, siç kishte parë në Amerikë. Me vendosjen e regjimit komunist në Shqipëri, filloi rokullisja e tij. Shëpinë ia sekuestruan dhe e shpallën kulak. Nga i jati, e pësoi edhe vëllai i Kastriotit, Samiu, të cilin e dënuan me 20 vjet burg, gjoja se do aratisej. E pësoi edhe vëllai tjetër, Drini, i cili kishte mbaruar studimet në Austri, por kishte emigruar në Amerikë, në vendin e “imperializmit amerikan”. Kastrioti nuk u burgos por hija e sigurimsave , e ndiqte pas. Për “njollat” që kishte, dy herë e kishin nxjerë jashtë nga mbledhjet e zgjeruara që bëheshin në rreth në raste festash, etj. Duke biseduar rreth kësaj teme, mbaj mend që Kastrioti më ka thënë:-I tillë ishte regjimi. Na qëlloj fati të rriteshim e të punonim në atë sistem.
Gjat një interviste në Boston, me autorin e shkrimit
            Krahas dhimbjes për ndarjen nga jeta të shokut e mikut të tyre, tre specialistë të shquar të nbujqësisë shqiptare, shprehen:
Prof. Andrea Shundi: E kam njohur Ksatriotin qysh në vitin 1955. Kudo ku ai punoi, la gjurmë të pashlyera si specialist dhe organizator i zoti. Rrallë mund të gjesh njerëz si Kastrioti qe të kenë punuar aq shumë. Ai ishte një specialist dhe gojëtar i zoti dhe mund të ishte bërë një petagog shumë i mirë. Ishte një shqiptar i ndershëm, i shkëlqyer do të thosha. “Njollat” në biografi, nuk e linin rehat por ai i sfidoi gjithë pengesat, me punë, përkushtim e ndershmëri.
Hasan Halili, ish ministër bujqësie: Në vitin 1968 kur fillova punë në në Kutë- Çorush-Drizar të rrethit të Fierit, njoha disa specialistë të shquar bujqësie, ku midis tyre spikaste Kastriot Panarti. Fjala e tij zinte vend, jo vetëm në ekonomitë ku punonte por edhe në takimet e zgjeruara për bujqësinë, që zhvilloheshin në shkallë rrethi e më gjerë. Më kujtohet një rast. Në vitin 1983, pati një të ftohtë të madh, i cili dëmtoi grurin. U ngrit një grup pune ku ishin Kastrioti, unë, Burhan Çelua dhe Aleksa Dulaj. Mendimet e këtij grupi për të mos u korrur gruri( ku një zë i veçantë ishte ai i Kastriotit) në krahasim me zërat që thoshin të korret , pasi nuk ia vlen të lihet, dhanë rezultate pozitive.
Ahmet Osja, ish ministër bujqësie: Pa dyshim, Kastriot Panariti, bën pjesë në rradhët e sapecialistëve më të shquar të bujqësisë shqiptare të viteve të pas Çlirimit. Ai punoi në ekonomi me peshë të madhe jo vetëm në rrethin e Fierit por edhe në shkallë republike.Vilte mendime nga fshatarët e specialistët e tjerë dhe i kthente në veprime. Në vitet e shumta të punës, ai pati mbështetje dhe krah të djathtë, familjen e tij. Puna e madhe e Kastriot Panaritit dhe brezit të tij, eksperienca e tyre e çmuar, nuk mund të mohoen. Ato janë një llampë ndriçimi për brezat e rinj të specialistëve të bujqësisë.
            Në mbyllje të këtij shkrimi homazh për Kastriot Panaritin, do të thosha se nëqoftëse ndonjë ditë, do të ngrihet në Shqipëri një muze për bujqësinë ( dhe mendoj se duhet të ngrihet, pasi jemi vend bujqësor dhe kemi një trashëgimi të pasur në këtë fushë) një ndër emrat që duhet të zerë vend aty për periudhën e viteve të sistemit monist, pa dyshim është edhe ai i Kastriotit.
Familja e Kastriotit në Boston

Botoi Gazeta "ILLYRIA"

1 comment:

  1. nga Illo Foto
    Kastriot Panariti eshte agronomi i shquar, qe u vu ne krye te bujqeve te Myzeqese dhe u hoqi nga dora parmenden, per ta zevendesuar me traktorin dhe kombajnen. Agronomi Panariti, eshte nga agro-mekanizatoret e pakte, qe ka pasur vendi. Vepra e tij, eshte faqe e ndritur ne historine e bujqesise te kohve te reja.
    I. Foto

    ReplyDelete