Sunday 26 February 2023

KISHA E “SHËN MËRISË” NË LABOVËN E KRYQIT


nga  Andre LLUKANI 
Tiranë 

 

Kisha e "Shën Mërisë" është në mes të fshatit Labovë. Sipas një mbishkrimi që gjendet i shkruar rreth pjesës së poshtme të timbanit të kubesë, kisha mendohet se është ndërtuar në vitin 551. Ktitor i kishës ka qenë perandori bizantin, Justiniani I (527-565). Këtë e vërteton mbishkrimi i shkruar rreth pjesës së poshtme të timbanit të kubesë së kishës: Ετος 55α ησοδημα ηγε Ιουστινιανου του μεγαλου βασιλεο ηπερ σιν-δρομης επητροπου Κονσταντινου Λαδοβου της χορας ταυτης εκτισθη ο πανσεπτος θηος ναος...(της υπεραγίας Θεοτόκου καί) αηπαρθενου Μαριας. 1806 Μαρτηο.....“Ky tempull i gjithnderuar dhe hyjnor i së mbishenjtës Hyjlindëse dhe gjithmonë virgjëreshës Mari u ndërtua (në) vitin 551 me shpenzimet e Justinianit, mbretit të madh dhe (u meremetua) me kontributin e epitrop Kostandinit të këtij katundi, Labovë (në vitin) 1806, mars”. 


Ky fakt përmendet edhe në Kronikën e Dropullit (Το χρονικο της Δροπολης), e cila ka pasur disa botime. Kronika e Dropullit është botuar së pari në vitin 1821 nga Pukëvili; në vitin 1871 është botuar nga Athanasios Petridhi, më 1906 nga Nikolaos Mistiakidhis dhe në vitin 1913 nga Dh. Evangjelidhis. Gjithnjë sipas burimeve të traditës, thuhet se kryemjeshtri që ndërtoi kishën ishte nga Pirsojani i Konicës. Kisha është ndërtuar ndërmjet viteve 527-565, pra për 38 vjet. 

 

Në lidhje me datimin e saktë të kishës, studiuesit kanë mendime të ndryshme. Në vitin 1916, kisha e Shën Mërisë është vizituar nga Frederikos Versakis, i cili ka bërë një planimetri hipotetike të gjendjes fillestare. Peter Megav, Moutsopoulos dhe Guntram Koch mendojnë se kisha daton në shek. X. F. Versakis e daton kishën në shek. XII. Velenis propozon fundin e shek. XII dhe fillimin e shek. XIII. Meksi dhe Pallas e datojnë kishën në shek. XIII. Duke u nisur nga forma e narteksit, Panayotis Vokotopulos është i mendimit se kisha daton në gjysmën e parë të shek. XI. Sipas Aleksandër Meksit, e parë në aspektin e vlerave arkitektonike, kisha është monument i arrirë. Duke gjykuar në tërësi vlerat arkitekturore të këtij monumenti, si ato të brendësisë, ashtu dhe të anës së jashtme, kisha bart vlera arkitektonike të dorës së parë.

 

Kisha është e tipit në formë kryqi me një kube cilindrike. Nga ana e jashtme është e zbukuruar me dekoracione tullash. Në anën jugore të kishës, mbi dritaren bifore gjenden dy tulla të mëdha. Në pjesën e sipërme kanë vrima katrore. Këto janë koshere bletësh. Përdorimi i kësaj simbolike paleokristiane është një gjetje e përkryer e arkitektit që ka ndërtuar kishën. Besimtarët futen në kishë ashtu si bletët në koshere. Bleta përfaqëson Shpirtin e Shenjtë, ndërsa mjalti evokon zemërgjerësinë dhe pasionin e Krishtit. Bletët janë përdorur gjithashtu në kishën e hershme si simbol i ringjalljes. Etërit e kishës e krahasonin kishën me bletërritësin dhe komunitetin e krishterë me bletët. 

 

Motivin e bletëve e hasim edhe në teknikën strukturore të kishës; Ndërmjet gurëve të baraslarguar nga njëri-tjetri është aplikuar një motiv paleokristian >I<. Një tullë është e vendosur vertikalisht, ndërsa katër copa tullash sa gjysma e saj drejtohen diagonal për në qendër, duke simbolizuar monogramën paleokristiane >I<. Përdorimi i motivit të bletëve në teknikën strukturore ka kuptim simbolik paleokristian. Kisha përfaqëson kosheren, ndërsa besimtarët si bletët vijnë rrotull saj. Si përfundim, mund të themi se prania e një koshereje bletësh në hyrjen e vjetër të kishës “Lindja e Hyjlindëses” në Labovën e Kryqit, na shtyn të mendojmë se dekori strukturor >I<, që zbukuron muret e kishës, është një përfytyrim figurativ i bletëve, të cilat futen në koshere, ashtu siç futen besimtarët në kishë.

Në qendër të kupolës së kishës është pikturuar "Pandokratori" dhe poshtë tij, skena me "Liturgjinë e engjëjve". Në harkadën perëndimore, përballë me ikonostasin gjendet skena "Deisis", e cila daton në shek. XII. Në harqet e brendshme të harkadave janë skenat: "Zbritja nga Kryqi", "Krishti para Pilatit", "Fjetja e Hyjlindëses", "Vënia e kurorës me gjemba" etj. Të gjitha skenat e sipërpërmendura datojnë në shek. XIII. Të gjitha janë të dëmtuara nga lagështira. Në qendër të harkadës veriore është skena e "Trinisë së Shenjtë", ndërsa në apsidën e kishës, "Platitera", e cila paraqitet me krahët e hapur dhe Krishin në prehër. 

 

Kisha e "Shën Mërisë" në Labovën e Kryqit është meremetuar disa herë. Një restaurim është bërë në vitin 1776 nga papa Zoto. Apsida qendrore dhe apsidat anësore të kishës janë rrënuar dhe janë rindërtuar në vitin 1776. Ky fakt vërtetohet nga mbishkrim, që gjendet i gdhendur në mesin e apsidës jashtë kishës: Ι(ησου)σ Χ(ριστό)σ Νικα. Ετους 1776. Παπα Ζωτω. “Jezu Krishti fiton, viti 1776, papa Zoto”. Bamirësi Vangjel Zhapa në testamentin e tij ka lënë shumën e 1700 florinjve, me të cilën do të paguheshin epitropët e kishës, dy priftërinjtë dhe dy psaltët. Kisha e "Shën Mërisë" është shpallur monument kulture.

 


IKONOSTASI I KISHËS SË “SHËN MËRISË” NË LABOVË E KRYQIT

 

Mjedisi i altarit ndahet nga naosi me anën e një ikonostasi prej druri të gdhendur. Ikonostasi të krijon përshtypjen e një pjergulle të harlisur. Në të janë skalitur pjergulla dhe bistakë rrushi dhe zogjtë që çukisin mbi to. Ikonostasi është gdhendur prej Kostë Tunit nga Meçova në vitin 1805. Ky fakt vërtetohet nga një mbishkrim i gdhendur në dru mbi portën jugore të ikonostasit: + Ετος 1805 αυγουστος 26 (ε)πυτροπευοντας Παπακυρυτζις χριστου δυα / χυρως Κωστα Τουνου Μετζωβυτης. “Viti 1805, gusht 26, në kohën e epitripit Kristo Papaqirisit, me dorën e Kostë Tunit Meçovitit”. 

Në qendër të ikonostasit madhështor janë dyert e bukura dhe sipër tyre është gdhendur një shqiponjë dykrenore. Mbi dyert e bukura të ikonostasit gjendet skena "Darka mistike". Ikonat e mëdha të ikonostasit janë: "Krishti", "Shën Mëria me Krishtin", "Joan Pagëzori", "Lindja e Hyjlindëses", "Tre hierarkët", "Shën Parashqevia", "Shën Kolli" etj. Në pjesën e sipërme të ikonostasit janë 12 ikonat e vogla: 

"Pagëzimi", "Krishtlindja", "Mandili i shenjtë", "Hyrja e Krishtit në Tempull", "Hyrja e Hyjlindëses në tempull", "Lindja e Hyjlindëses", "Trinia e Shenjtë", "Ngjallja e Llazarit", "Shërimi i të verbrit", "Shpërfytyrimi", "Pendikostia" dhe "Kryqi i Shenjtë". Ikona e fundit tregon si u gjet kryqi, ku u kryqëzua Krishti prej Elenës, nënës së Kostandinit të Madh. Kjo ikonë është vendosur jashtë programit standard ikonografik të paraqitjes së festave kryesore. Vendosja e ikonës ka për qëllim të kujtojë se në këtë kishë ekziston një pjesë nga Kryqi i Shenjtë, mbi të cilin është kryqëzuar Krishti.

 

Ikonat e vogla të ikonostasit janë pikturuar nga Joan Athanasi dhe datojnë në shek. XIX. Fatkeqësisht, ato janë grabitur në vitin 2002, menjëherë pas restaurimit të kishës. Në këtë kishë gjendet një ikonë e "Krishtit Pandokrator", anash së cilës janë 12 skena që paraqesin udhën e kryqit: "Në malin e ullinjve", "Vizioni i Abrahamit", "Larja e këmbëve", "Puthja e Judës", "Krishti përpara Kajafës", "Krishti para Pilatit", "Larja e duarve të Pilatit", "Vendosja e kurorës me gjemba", "Etja e Krishtit", "Mbajtja e kryqit", "Kryqëzimi" dhe "Zbritja nga kryqi". Disa ikona nga kjo kishë janë në fondet e Muzeut Historik Kombëtar, Tiranë.





PANAIRI NË LABOVËN E KRYQIT


Perandori Justinian i pati dhuruar kishës së Shën Mërisë në Labovën e Kryqit një copëz druri nga kryqi i Krishtit, e cila peshonte afro 60 derhem. Ajo është sjellë në vitin 559 prej Kostandinit nga Labova, i cili ishte bashkëpunëtor i ngushtë i perandorit Justinian. Në momentin që Druri i Shenjtë mbërriti në Labovë, episkopi i Drinopojës, Kostandini celebroi një liturgji, gjatë së cilës u bë edhe shenjtërimi i kishës. 

 


Copëza prej kryqit të shenjtë peshonte rreth 152 gramë dhe ishte vendosur brenda një kutie druri të punuar hollë. Të dyja anët mbylleshin me tetë kapëse prej argjendi. Kryqi i Labovës përfaqëson një relikuar të shenjtë, që mban brenda tij kutinë me një copëz druri nga kryqi i kryqëzimit të Krishtit. Ai është punuar me argjend dhe në të dy anët paraqet skena ikonografike të gdhendura. Në njerën anë paraqitet skena e "Pagëzimit", ndërsa në anën tjetër skena e "Kryqëzimit". Në katër anët e kësaj skene janë punuar me mjeshtëri imazhet simbolike të katër ungjillorëve. Sipër kryqit paraqitet ungjillor Joani, nëpërmjet figurës së shqiponjës. Djathtas paraqitet ungjillor Marku, nëpërmjet figurës së luanit, ndërsa majtas ungjillor Matheu, me simbolin e njeriut. Figura e fundit është ajo e ungjillor Llukës, e cila paraqitet me simbolikën e kaut. 

 

Në vitin 1981, kur u çel Muzeu Historik Kombëtar u kërkua që kryqi i Labovës të përfshihej në eksponatet e tij, por labovitët nuk pranuan. Fatkeqësisht, në vitin 1989, kryqi është grabitur nga persona, të cilët dëshironin të fshinin nga kujtesa historike kishën, ku gjendej copëza prej kryqit të shenjtë mbi të cilin u kryqëzua Krishti. 

 

Justiniani urdhëroi që më 8 shtator, ditën që kremtonte kisha, në Lunxhat të bëhej një panair i madh, në të cilin mblidheshin rreth 10-12 mijë njerëz. Panairi vazhdoi të bëhej në Lunxhat deri në vitet e mbretërimit të Kostandinit IV Pogonatit (668-685). Ky perandor vendosi që panairi i madh që bëhej në Pelakos (Lunxhat), të zhvendosej në pjesën e Kaonisë në vendin e quajtur Pogon (që përkonte me emrin e perandorit). Në këtë panair, që zgjaste një muaj, grumbulloheshin shumë njerëz.

 

Në ditën që kremtonte kisha në Labovë zhvillohej një panair i madh me pjesëmarrjen e mijëra njerëzve, të cilët vinin nga Lunxhëria, Libohova, Dropulli, Zagoria, Pogoni, Gjirokastra etj. Pasi zhvillohej ceremonia në kishë, të pranishmit shkonin në Lëmin e Valleve, ku shtrohej gostia e madhe. Panairi i Shën Mërisë zgjaste tri ditë. Në ditët e panairit pleqësia e fshatit merrte masa për pritjen e pelegrinëve. Sipas numrit të pelegrinëve caktohej sasia e mishrave, që do të piqeshin dhe çdo gjë që nevojitej për panairin. Pleqësia caktonte burra dhe djem nga fshati, që të mbanin rregullin dhe qetësinë gjatë zhvillimit të panairit. Një ditë para panairit vinin tregtarët ambulantë nga Gjirokastra dhe Libohova, të cilët tregtonin artikuj industrialë dhe ushqimorë te Lëmi i Valleve. Gjatë natës shumë besimtarë flinin brenda në kishë, duke u lutur për problemet e tyre familjare

 








No comments:

Post a Comment