Wednesday 14 May 2014

Këmbimi plloskës me verë

( Rit nga dita e dasmës në Lunxhëri)
Në krahinën e Lunxhërisë këmbimi i plloskës me verë ditën e dasmës, midis familjes së dhëndrit dhe asaj të nuses, përbën një rit popullor të veçantë dhe unik nga përmbajtja që meriton vëmendje. Ky rit i çuditëshëm, domethënës  e kuptimplotë nuk dihet me saktësi ku zë fill, por duhet të jetë një rit pagan i ardhur nga lashtësitë e i transmetuar me besnikëri ndërmjet shumë breza shqiptarësh, deri në ditët tona. Në gjysmën e parë të shekullit XX, nuk kishte dasmë lunxhiote ku të mos zhvillohej ky rit i veçantë. Gjatë periudhës së Diktaturës, shumë zakone e tradita popullore u lanë pas dore, ose për disa u quajtën “zakone prapanike”, prandaj përdorej edhe më rrallë. Në ditët tona në fshatrat e Lunxhërisë, në disa dasma, ky rit vazhdon të kryhet ende me solemnitet. Plloska në fshatin tonë thirresh “fllackë” ndërsa në disa fshatra të tjera të Lunxhërisë “cicë”.

            Plloskat e verës bëheshin me dru të veçantë si lis, arrë, bli, panjë, etj. dhe punoheshin me kujdes e me finesë nga mjeshtrat popullorë të krahinës ose dhe të zonave për rreth. Në to, shpesh gdhëndeshin  zbukurime, ku dallohej shqiponja dykrenore, vilet e rrushit, fruta pemësh, lule, etj. Rrypi mbajtës i saj mund të ishte prej meshini specjal, ose një rryp apo gajtan i trashe mëndafshi shumgjyrësh. Nuk mund të them se çdo familje e kishte një plloskë të tillë, por çdo fshat kishte disa të tilla dhe ata që nuk kishin e huazonin për ditën e dasmës. Këto plloskat mbaheshin nga të zotët në shtëpi të varura në mur në  vende të dukshëme, rëndom nuk shërbenin për përdorim të përditshëm. Kur afronte dita e dasmës, plloska lahej e pastrohej me kujdes, sepse duhej të shkëlqente, të ishte vërtet e mirë.
            Rëndësi të veçantë i kushtohej cilësisë së verës. Kur vera prodhohej në familje, zgjidhej më e mira,  “për sebep” thuhej, dhe ruhej me kujdes në qilar apo thollo[1], së bashku me verën tjetër për ta pirë në dasëm. Shpesh ky rit në dasma shërbente, ose ishte një rast për të ekspozuar mjeshtërinë e bërjes së verës. Kur familjet dasmore nuk bënin verë, e blinin, por gjithmonë verë të cilësisë së mirë, “brusko”, të kuqe dhe të trashë”. Kjo verë është ta përsheshësh me bukë”, thuhej për verën që zgjidhnin, duke mos lënë pa përmendur edhe emërin e vlerat mjeshtërore të verëbërsit nga ku e blinin, ose pse jo dhe atë që e kish dhuruar, shpesh të afërmit. Në dasmat lunxhiote të afërmit çonin si dhurata për dasëmën: dru zjarri, bukë bogaçe, ndonje bagëti për ta therur, por dhe një kanë ose plloskë me verë cilësore, nga të cilat zgjidhej më e mira.
            Plloskat për ditën e dasmës zbukuroheshin me kordele mëndafshi shumëngjyrëshe, ku mbizotëronte ngjyra e kuqe të cilat lidheshin në mbajtësen, rrypin. Përgatitja e plloskës së verës ishte një nga punët e dasmës dhe kryhej në kujdesin e të zotit të shtëpisë ose nga vëllezërit e tij, ditën e dasmës ose disa ditë më parë.
            Ndërrimi i plloskës me verë bëhej nga vëllamërit ditën e dasmës, të cilët mund të ishin një nga vëllezërit e nuses dhe të dhëndrit, por nuk përjashtohej edhe ndonjë kushëri ose i afërm. Zgjidhej më i shkathëti, më trimi, më besniku, i cili duhej të zgjidhte në dasmë situata të vështira, të ishte edhe kalorës i mirë. Vëllamërit ishin mbrojtësit deri në vdekje të nuses apo të dhëndrit. Flitej, se ata  mund të vriteshin midis tyre, kur gjërat nuk shkonin mirë gjatë dasmës. Një situatë të vështirë të cilën e zgjidhi vëllami, në këtë rast ishte vëllai i madh i dhëndrit, e ka pershkruar Koço Vasili në librin e tij “Dasma Lunxhote”, ai e përshkruan kështu:
Zakoni e do që para se nusja të dali nga shtëpia e saj, vëllami duhet ti veshi nuses një palë këpucë të reja, dhuratë nga dhëndri. Në rastin në fjalë kohët ishin të vështira,  kohë luftrash e skamjesh, familja e dhëndrit qe e varfër dhe këpucet i kish marrë hua. Njerëzit e nuses e kuptuan dhe nuk dëshironin që nusja të vishte ato këpucë, po bëhej një zhurmë e madhe. Vëllami u ndodh në një situatë të keqe. Të gjithë ishin të nevrikosur. Çfar të bënte!? I erdhi në mendje se ishin rritur jetim, dhe ja mori këngës:
“Pashmaqet[2] që të dërgova
Vishi moj për hatrin tim”.
U vendos një qetësi e madhe. Njerzit e nuses u habitën, por vëllami vazhdoi:
“Vishi moj për hatrin tim
Se jam rriturë jetim…”
U tund divani nga kënga e vëllamit, po këndonin të dy palët, dasma vazhdoi.[3]
            Vëllamin e palës së dhëndrit e quanin dhe “Siariar”, sillte sihariqin-lajmin se dasma po vazhdon mirë. Ndërsa partneri me të cilin ndërronte plloskën me verë nga ana e vajzës, quhej vëllam. Në një dasmë më kujtohet se, kur erdhi siariari në sheshin afër shtëpisë së nuses, bëri “shfaqje” me kalin e tij., duke kryer disa rrotullime dhe hedhje përpjetë, për të na treguar se kalëronte mirë.
            Ditën e diel, që në mëngjes herët, në shtëpinë e nuses dhe të dhëndrit, krahas përgatitjeve të tjera për dasmën, bëheshin gati edhe siariari e vëllami. Visheshin me rrobat më të mira, jo rrallë edhe me veshje popullore dhe të mbanin armë me vete. Po kështu, behej gati edhe kali; vendosej shala, freri, yzengjitë, kashaisej e pastrohej, vendoseshin velenxa të bukura me flokë mbi shalën, etj. Në qafën e kalit vendosej një rrip i gjerë me karkale, zile të vogla, që kur tundëte kokën, bënin një lloj tringëllimi të veçantë. Kujdes tregohej edhe për ushqimin e kalit, me tagji të zgjedhur dhe bar të thatë. Nga disa thuhet se ndërmin e plloskës me verë vëllamërit e kryenin në të hyrë të fshatit hipur mbi kalë, ose në mesin e rrugës ndërmjet dy shtëpive, kur dy familjet në krushqi ishin brenda fshatit. Por le të përshkruajmë kur këto ndëroheshin tek porta e shtëpisë së nuses, ashtu siç e kam përjetuar si dhe kryhet ende sot.
            Në shtëpinë e nuses, kur afronte ora e paracaktuar, siariari pritej nga çasti në çast. Fëmijët, nën drejtimin e ndonjë të rrituri, dilnin tek porta dhe vrojtonin. Me ta diktuar që po afrohej, shkonin brenda në shtëpi me vrap duke thirrur:
- "erdhi, erdhi, erdhi". Shpesh me të marrë këtë lajm një i autorizuar nga i zoti shtëpisë gjuante dhe me pushkë, që donte të thoshte të trashëgohet çifti, ashtu siç bëhej edhe gjat fejesës. Ndërsa grupi këngëtarëve të fisit “mirrënin zjarr” nga që punët e dasmës po shkonin mirë. Aty ku ishin: në divan, çardak apo oborr, mblidheshin e ja fillonin këngës:
Këndon një birbil në portë,
Mbani vesh se ç’këngë thotë:
I zoti shtëpisë rroftë
Dhe vajza ju trashëgoftë.
I zoti kësaj shtëpie
Bën dasmë siç i ka hije
Mu si dielli kur bie…
            Për të pritur siariarin, nga ana e vajzës, tek porta e jashtëme e shtëpisë, dilnin vëllezërit apo disa kushëri si dhe vëllami i nuses me plloskën e verës. Siariari, në disa raste zbriste nga kali përpara portës dhe i binte derës me çokun që kishte porta. – Urdhëroni, urdhëroni- përgjigjeshin njëzëri njerëzit e nuses që kishin dalë për ta pritur. Por, zakonisht siariari këmbimin e plloskës me verë e bënte hipur mbi kalë.
Vëllami i nuses, i shoqëruar edhe nga të tjerë; mbasi përshëndeteshin, këmbenin një shami shumëngjyrëshe, që duhej ta dorëzonin të dy në të njëjtën kohe. Po ta mirrte njëri më përpara, do të thuhej se "i a hodhi", ose “fisi ynë është më i zoti". Flitet se për këtë janë bërë edhe grindje, deri në prishjen e dasmës. Duhej bërë çmos, që shamitë të këmbeheshin në të njëjtën kohë. Në disa raste shamia këmbehej së toku, e lidhur tek plloska, pra ndërrohej në të njëjtën kohë, shamia dhe plloska. Kur është martuar motra, rreth viteve 1960, unë e kam kryer këtë rol. Atëherë isha 10 vjeç dhe me porositnin "se mos ta merr"; isha i përqëndruar i gjithi në atë veprim, që të dilte mirë.
            Në disa raste, si në fshatin Labove e Kryqit, shamia dhe plloska nuk ndërrohej tek porta e shtëpisë, por vjehrra e dhëndrit ose gjyshja e nuses, më e madhja në moshë, kur siariari hynte në shtëpinë e vajzës dhe gostitej, i vinte një shami në qafë. Plloska e verës zbazesh  dhe në të hidhesh vera e familjes së nuses. Tani, siariarit i bëheshin dy shami sepse një të tillë rreth qafës, e kishte qysh kur ishte nisur nga shtëpia e dhëndrit.
            Siariari mbas ndërrimit të plloskes së verës mund të hynte ose jo në shtëpinë e nuses, varej nga koha ne dispozicjon. Në qoftë se do të vendoste të bënte një vizitë, në shoqërimin e vëllamit të nuses dhe dasmorëve të tjerë, siariari hynte në shtëpinë e nuses ku e presin me nderime e respekt të madh. Ne rastet kur ishe i armatosur, njëri nga familjarët i merrte armën, për ta vendosur në vend të sigurt, një tjetër merrte kalin për ta strehuar dhe ushqyer. Siariari gostitej me gliko, raki, etj.
            Në rrastet e krushqive me fshatra të tjerë, kur krushqit afroheshin afër fshatit të nuses, në një hije pranë ndonjë burimi bënin një pushim, ndërkohë siarjari nisesh për në shtëpinë e nuses. Krushqit kryenin sherbimet e rrastit si ndonje pastrim e tualetet e rrastit dhe me padurim prisnin siariarin. Në çdo rast, siariari duhet të programonte kohën për të shkuar në afatin e paracaktuar tek pala e nuses, të kthehej e të lajmëronte krushqit që ishin nisur për të marrë nusen se gjithçka është në rregull, se plloskat me verë u ndërruan, se dasma vazhdon më së miri. Shpesh, krushqit që ishin nisur për të marrë nusen, plloskën me verë që sillte siariari, e kalonin buzë më buzë duke bërë ngjërimin e verës dhe në këto raste nuk mungonin lëvdatat për verën cilësore.  Krushqit, ku i printe siarjari vazhdonin pjesën e rrugës së mbetur deri tek shtëpia e nuses, sepse duhet të ishin atje në orën e paracaktuar. Çdo gjë ishte programuar deri në detaj sepse nusja duhet të hynte në shtëpinë e dhëndrit para perëndimit të diellit.
            Çfarë na paraqet ky rit i veçantë në dasmat tona? Ndoshta përbën një objekt studimi per antropologët dhe etnografët. Diku thuhet e shkruhet se ndërrimi i shamisë nënkupton shenjat e fisit, ndërsa ndërrimi i verës nënkupton se "u përzie gjaku, për të fuqizuar krushqinë". Lidhur me këtë, dëshiroj të plotësoj nga pikëpamja agronomike. Këmbimi i plloskës me verë përbën një rit të lashtë shqiptar që dëshmon më së miri se selitja e hardhive dhe mjeshtëria e bërjes së verës, kanë qenë veprimtari të rëndësishme dhe jetësore për të parët tanë.


Dasma e Gaqe Mihalit nga Krina në vitin 1931. Vargun e krushqëve e prijnë sazexhinjtë dhe hipur në kalë siarjari, Siko Qurku, i veshur me kostumin popullor të krahinës dhe nuni(me kapele republikë) Tolo Londi.



Përgatitur nga:

K. Mosko  Boston, SHBA



[1] Thollo-Kështu e quanim qilarin ku ruanin verërat. Një pjesëz e shtëpisë pothuajse ndënë sipërfaqen e tokës.  Mendoj se vjen nga fjala shqip “e thellë”
[2] Pashmaqe – sandale ose shapka
[3] “Dasma Lunxhote” , Koço Vasili – “Ärgjiro”  Gjirokastër, 2013

No comments:

Post a Comment