Wednesday 14 May 2014

Dobitë e manave.

            Kultivimi i bimës së manit, ka pasur dhe do të vazhdojë të ketë një impakt të veçantë në veprimtarinë e përditëshme të njeriut, sidomos në zonat rurale. Druri i manit ka një rritje të shpejtë por, edhe jetëgjatësi. Përshtatet mirë në zonat e thata dhe krijon një freski ajërore e lagështi tokësore, duke zbukuruar e përmirësuar parametrat jetësorë të fshatrave e mjediset rreth shtëpive të banimit. Në disa vende manat (bimët mashkullore për të mos ndotur mjedisin me frutat) mbillen dhe si bimë dekorative në anët e rrugëve urbane dhe parqet.
            Frutat e tij futen në kategorinë e ushqimeve bio dhe janë shumë më të shijeshme e të ushqyeshme, se ato të bimëve të tjera manore. Shqipëria ka kushte të mira për rritjen e manave. Ky frut, shijohet vetëm i freskët e nuk transportohet, (e vetmja lëvizje që mund t’i bëjmë frutit të manit është nga dega tek goja), prandaj mund të jetë një frut antraktiv për turistat e huaj nga Evropa Veriore, duke rritur kështu edhe një resurs në zona të ndryshme. Një praktikë e njohur edhe në Shqipëri është tharja e frutave në diell për t’i konsumuar në dimër. Ato mund të haen si stafidhet e rrushit ose për të përmirësuar shijen e ushqimeve të tjera si në çokollata, akullore, pasta, etj, si dhe për eksport.  Frutat e freskët dhe ato të thara mund të bëhen verë e raki shumë e mirë si dhe nje sërë lëngjesh e pijesh komercjale, veçanërisht frutat e manit të zi.
            Frutat e manit, ndikojnë në përmirësimin e shëndetit të njeriut. Ato përmbajnë antioksidantin resveratrol, që sipas  hulumtimeve të  studjuesve jep efekte pozitive për moshën dhe jetgjatësi. Parandalon kancerin dhe sëmundjet neurologjike. Manat përmbajnë alkaloide të cilat aktivizojnë qelizat e bardha të gjakut, për të qenë më aktive ndaj veprimit të agjentëve të jashtëm që kërcënojnë shëndetin, pra rritet imuniteti. Ndikojnë për mbajtjen e një niveli të balancuar të sheqerit, etj.
            Frutat dhe gjethet e manit, kanë gjetur një përdorim të gjerë edhe në mjekësinë popullore në formë lëngjesh ose çajrash, për të luftuar: parazitët e zorrëve, sëmundjet e gojës dhe të fytit, sëmundjet e rrugëve urinare, presionin e lartë të gjakut dhe diabetin, diarenë, kancerin ovarian e të gjirit, epilepsinë, dobësinë, gripin, kollën, të ftohtit, gjakderdhjet nga hunda e goja, dhimbjet e kokës, nervozizmin, pagjumësinë, kafshimit nga gjarpëri, inflamacjoneve të ndryshme, etj. (Duke&Wain, 1981)
            Gjethet e manit,  janë një ushqim i mirë për të gjitha kategoritë e bagëtive. Në fshatrat ku ato mbahen për nevojat e veta familjare, bëhet një burim i mirë ushqimi, gjithashtu dhe për ato që mbahen në rregjim stallor. Ushqimi me gjethe mani, rrit rendimentin e qumështit tek lopët. Frutat e manit janë një ushqim i mirë për pulat dhe derrat. Për fermat familjare, mund të jetë një ushqim bazë i leverdisëshëm pasi sigurohen lehtësisht e me pak shpenzime. Ushqimi me mana, ul koston e përdorimit të koncetratave 25 % (F.U. Trujillo, 2000). FAO nga 1 maji deri 31 qershor 2000, organizoi një koferencë elektronike mbi përdorimin e manit si ushqim për blektorinë. Gjithashtu mani është një burim ushqimi për zogjtë dhe disa gjitarë të vegjël, duke u bërë kështu një faktor jetësor i fuqishëm edhe per zhvillimim e faunës së dobishme. Në disa vende, gjethet e manit janë gatuar ushqim për njerëzit, ashtu si perimet.
            Për rritjen e krymbit të mëndafshit, mund të ringrihet ky aktivitet ashtu si në shekujt e kaluar. Shqiptarët janë marrë për 15 shekuj me rradhë me këtë punë. Do të jetë me leverdi ekonomike e faktor zhvillimi për disa zona rurale të veçanta. Kur kultivohet me sukses nga Italia e Spanja që kanë të njëjtat kushte, s’ka pse mos të jetë fitimprurës edhe në Shqipëri. Mendoj se duhet të paraprijnë studimet, të bëhet  edhe një riorganizim i punëve në kushtet e reja të bujqësisë së privatizuar duke menduar në perspektivë, ndoshta duke ngritur edhe një fabrikë modeste për prodhimin e mëndafshit shqiptar.
            Druri i manit është i butë dhe mund të punohet me lehtësi. Ka një përdorim të gjerë në torneri për industrinë e armëve, bobinave e tubave të ndryshme, ndërtimin e anijeve, etj.  Ka elasticitet e mund të përkulet lehtësisht, prandaj ka gjetur përdorim tradicional të gjerë, për të bërë enët prej druri si kadet, butet, bucelat, talerat dhe  veglat e punës në bujqësi, si samarët, tevlikët[1], etj. I përshtatshëm është edhe për artikujt mësimorë e sportivë si kabinetet, shkopinjtë e hokeit dhe bejsbollit, raketat e tenisit, etj. Lastarët e rinj ( kërkon krasitje speciale) përdoren edhe për të bërë kosha e shporta artistike. Në Kinë dhe në Evropë, një lloj mani përdoret edhe për prodhimin e letrës së shkrimit. Mjaft mirë ka gjetur përdorim në ndërtimin e banesave dhe urave, në mobileri, parkete, kompesato, etj. Si dru zjarri, mani ka fuqi të mesme kalorifike.
            Siç del qartazi nga ky përshkrim, bima e manit ka një përdorim të gjithanshëm e produktiv. Një eksperiencë bujqësore mijëra vjeçare e shkëlqyer nga të parët tanë, që duhet t’a kenë në vëmendjen e tyre bizneset dhe organizmat shtetërore përgjegjëse, për zhvillimin e zonave rurale. Le ta lidhim fillin fort, atje ku është këputur.
Etimologjia e fjalës “Man”
            Mani i zi ka ardhur në Shqipëri ose në Siujdhesën e Ballkanit, shumë kohë më parë se mani i bardhë, kështu që fjala “man” në shqip, ka egzistuar dhe më parë, e është e lashtë. Përmendet si manemjedhëratë edhe nga Buzuku(1555). Sipas Prof. Çabej, kjo fjalë rrjedh nga gjuha shqipe, nga fjala “mand”, mëllëzë. Gjënden forma dialektore të ngjashme si: mën (Berat); mand (Shkodër); murikë (Kosovë); morenkë (Strugë), etj.[2] Ka dhe ndonjë që mendon se rrjedh nga gjuha e vjetër Dake, por duhet menduar se mani ka ardhur së pari në Ballkan.
            Toponimi “Mani” ne gadishullin e Peloponezit në Greqi, duhet të ketë lidhje me drurin e manit. Ky territor ka qenë i banuar nga shqiptarët.
Disa prej tyre janë përmendur në histori si sundues e prijsa të maniotëve dhe të Moresë. Një i tillë ka qenë dhe Kollokotroni[3], hero i Revolucjonit Grek, i cili ka lindur në Mesenia dhe u vra në fshatin Thanë të Moresë.

Veçoritë botanike dhe biologjike
            Bima e manit bën pjesë në familjen Moraceae dhe gjininë Morus, e cila përmbledh16 specie me mbi 100 kultivarë. Mani është një bimë dy-seksore (monoike), që do të thotë lulet në një bimë janë të veçanta, mashkullore dhe femërore por, ka dhe lloje që lulet ndodhen në bimë të ndryshme(dioike). Në botë janë të njohur rreth 12 kultivarë të ndryshëm. Lulet janë të grumbulluara si tek rrushi në vila të vogla. Vilat me lule mashkullore, janë më të mëdhaja, më të shumta e më të shkrifëta. Lulëzon në prill-maj, sipas zonave dhe fruti piqet në maj-qershor, deri në gusht. Mani lulëzon pasi është “siguruar” se nuk do të ketë më  ngrica dhe për disa javë na jep frutin.
"Po s'u vesh me gjethe mani,
asnjëherë s'zhvishet isani", është një shprehje e popullit. Pllenimi bëhet me anë të erës, por ka dhe lloje pa pllenim (partenocarpikë). Fara ështe e imët(1-2,5 mm.) ovale me njgjyrë të verdhë.  Frutat kanë ngjyrime të ndryshme dhe me bisht të gjatë. Gjethet zakonisht kanë formën e zemrës por ndryshojnë në llojet e ndryshme.
            Mani është një pemë me kurorë konike e arrin deri mbi 25 metra i lartë.        Mani zi ka kurorë më të vogël. Trungu dhe degët, janë të drejta. Rrënjët boshtore kanë veti të shkojnë në thellësi, çka do të thotë se nuk bëhet pengesë për kulturat e tjera bujqësore, që rrënjët i zhvillojnë afër sipërfaqes së tokës. Mani është një pemë jetëgjatë, ka prej tyre që jetojnë mbi 200 vjet, në rrastet kur kultivohet vetëm për frutat. Duron të ftohtit – 25 deri -28o C. Mani i zi e duron më shumë të ftohtit. Në Shqipëri ai rritet edhe në zonat malore deri në lartësitë 1500 m, ndërsa mani i bardhë rritet në zonën fushore-kodrinore të ngrohta bregdetare, në zonën e fikut. Shkon mirë deri në lartësitë 700-800 m. nga niveli i detit. Ka një rritje vjetore të shpejë, 2 m. gjatësi në vit, sidomos në moshë të re. Frutifikon çdo vit.
Veçoritë agroteknike
            Parapëlqen tokat e lehta deri në të mesme, të thella dhe duron në toka të thata e pak të rënda e pak të kripura, ndërsa në tokat moçalore, nuk reziston. Tokat me pH 6-7.5.  Shtimi i manit mund të bëhet me copa, me përpaja dhe me farë. Në fidanishte, ose për të përmirësuar e për të ndëruar destinacjonin e prodhimit, bëhen dhe shartime. Manat mbillen në blloqe 3-6 m larg nga njëri-tjetri. Përgatitja dhe mbjellja e fidanave, bëhet si në të gjithë drufrutorët e tjerë. Druri i manit e duron krasitjen dhe kjo bëhet sipas qëllimit të kultivimit të tij: për fruta, për gjethe për blektorinë, për gjethe për krymbin e mëndafshit, për thupra për punë artizanale apo si bimë dekorative. Në vitet e parë të jetës së tij, manit duhet t’i bëhen krasitje formuese. Preket edhe nga sëmundje e  dëmtues ndaj të cilave duhet të mirren masa të rrepta parandaluese e mekanike. Trajtimet kimike janë të vështira e të kushtueshme, mund të aplikohen vetëm në situata të veçanta e të stjuduara mirë, sepse lenë mbetje.
Boston MA
Korrik, 2013.




[1] tevlik- u vihet në qafë qeve të punës për të tërhequr qerret, parmendën ose në lëminj.
[2] R. Elsie – “Dendronymica Albanica, a Survey of Albanian Tree and Shrub Names”
[3] A. Llalla – “Plaku i Moresë – Teodor Kollokotroni”

No comments:

Post a Comment