Nga Prof.
Dr. Resmi Osmani
Specialist frutikulture, shkrimtar dhe publiçist.
Prof. Dr. Resmi Osmani |
Në Mazrek, mbi kodër, shtëpia ime e rrënuar, e djegur
e perveluar, murana dhe gur mbi gur, gri nga myshku i kohës jeshiluar, oborri
nga ferrat e bari mbuluar. Avllia e vidhisur, me portë të kalbur e shkallmuar.
Gjurmë barbarie. Shkretim e shkrumbim, braktisje e shurdhëri, trishtim për jetën
e munguar.
Aty në oborr janë bajamet, pemë të bukura e të dashura
dhe ca rrënjë ullinj stërgjyshorë, të lashtë e të shënjtëruar.Sëpata e përgjakur
që shoi jetë dhe ura e zjarit që ndezi flakët, i kursyen ato. Lulëzojnë për çdo
stinë.
Kanë lulëzuar
edhe sivjet. Kanë mall bajamet. Më kot presin që të shkojnë e ti gëzojnë sytë e
atyre që i kanë mbjellë. Ata treten nën dhe, me nga një plagë plumbi apo
goditje hanxhari. Të tjerët, të lemerisur, nga llahtaria e jetëve të shuara, e
gjakut që derdhej lumë morën arratinë duke mërmëritur siç shkroi poeti: ”Lamtumirë
Çamëri”[1].
Mbetët të vetmuara, të braktisura. Fluturojnë mbi ju
bletet, fluturat e bardha, që s’janë tjetër veç shpirtëra, vijnë e u thonë fjalë
të përmalluara. Më kot ne vegimin e bardhë më presin tu shfaqem unë, që luaja
e ngazëllehesha nën kurorën e tyre. Paçka se i thinjur , me lulet e bardha të pleqërisë mbi krye, me nje dëshirë përvëluese,
do të doja të isha aty, në atë oborr, që sido i shkretë është vendlindja ime! Të merrja një gur nga
themeli i shtëpise, një grusht dhe të shënjtëruar.
Në këtë Europë të kombeve dhe kohë të globalizmit,
mund të shkoj gjithandej si qytetar i lirë, por jo aty, në Çamërinë time!
Krahinë e ndaluar e tokës shqiptare. Nuk mund ta shkel dheun e saj të ëmbël,
nuk mund të vë lule në varret e të parëve të mi, tu them një lutje që të prehen
në paqe. Syve të mi nuk u mundësohet të shohin festivalin e lulebajameve, frymëmarrjes sime nuk i lejohet të nginjet me
ermirimin e luleve, ngaqë në pasaportë
shkruhet që kam lindur aty në Çamëri, në vendin e gabuar!Por a mund ta zgjedhë
njeriu vendlindjen?. Për shtetin fqinj kjo është si të qe blasfemi!
Ne të përmalluarite të brengosurit, jemi të dënuar të
vuajmë nga përmallimi ynë, mos qoftë e thënë gjer në ditën e mbrame kur
përjetësisht të mbyllim sytë!
O lulebajamet e Çamërisë! Që më
shfaqeni në ëndërr, gëzim për sytë, brengë për zemrën, kujtesë e shpresë për
mendjen, amanet për brezat.
Tiranë, 18 shkurt 2015
No comments:
Post a Comment