Friday, 15 August 2014

Illo Foto dhe publiçistika e tij bujqësore.

ILLO FOTO
            U lind në fshatin Tërbuq, Gjirokastër, në 13 Shtator 1937. Shkollën fillore e kreu në vend lindje. Shkollën 7-vjeçare(Uniken) e ndoqi në qytetin e Gjirokastrës. Po aty në vitin 1954 përfundojti dhe Gjimnazin "A. Zeneli ", me deftesë të shkelqyer. Vijoi Institutin Bujqësor(sot Universiteti Bujqësor i Tiranës), fakultetin e Veterinarisë, Dega Zootekni, të cilën e përfundojti në vitin 1958. Pas kësaj u emërua K/ Zooteknik në fermën e Levanit, Fier, deri në shkurt të vitit 1962. Kthehet në rrethin e tij dhe nga viti 1962-1966 punoi si specjalist  në sektorin Valare të  fermës “Goranxi” dhe më pas në Koop. bujq. "Odrie ", Gjirokastër.
            Në shkurt të vitit 1966 transferohet përsëri në rrethin e Fierit, fillimisht si specjalist blegtorie në Koop. Bujq. Libofshë  dhe më pas në Lushnjë në Sektorin “Çermë” të Fermës Lushnjë. Nga viti 1970 deri në vitin 1976 punoi Kryezooteknik i Fermës Lushnjë. Në vitet 1976-1980 punoi si Pergjegjes i Sektorit "Pluk" dhe nga viti 1980 deri në vitin 1983 punoi specjalist në sektorin “Çermë” të kësaj ferme.
            Nga viti 1983 deri në vitin 1989 punoi si specjalist blegtorie në Drejtorinë e Fermave të Ministrisë së Bujqësisë dhe me pas deri në vitin 1992 specjalist në Sektorin e Gjedhit të Institutit të Kerkimeve Shkencore Zooteknike në Tiranë, nga ku doli dhe në pension të parakohshëm. Në Qershor të vitit 1995 u shpërngul familjarisht në Nju Jork të SHBA-ve, ku banon aktualisht.
            Illo Foto mbi 30 vjet si specjalist blegtorie dhe si drejtues ka shërbyer me përkushtim në 4 rrethe dhe 10 ekonomi bujqësore e institucione shkencore, ku ka dhënë kontributin e tij maksimal. Gjithmonë në punën e tij është karakterizuar nga zbatimi me një përgjegjshmëri të lartë të shkencës dhe arritjeve të praktikave më të mira në mbarështrimin e blegtorisë. Akademik Teki Tartari me rastin e botimit të një nga librat e tij do të shprehej: “Natyrisht ti je nga ata studentë, që të mbaj mend më shumë se të tjerët dhe për më mirë se të tjerët. Mendoj se ke pasur një eksperiencë të pasur profesjonale, të cilën është mirë ta transmetosh.”
            Illos i dhimbsen fshatarët dhe specjalistat e bujqësisë që punuan për një gjysmë shekulli në një shoqëri të mbyllur hermetikisht me botën. Duke filluar nga vitet 60-të të shekullit kaluar, në shtypin dhe botimet shkencore të kohës ka shkruar më se 200 artikuj shkencorë e kritikë. Ndërsa në vitet 70-të ka botuar dhe 4 broshura të cilat nuk e kanë humbur vlerën dhe mendon që t’i ribotojë. Mbas vitit 2000 ka shkruar e botuar 13 libra për zhvillimin e përmirësimin e jetesës në zonën rurale. Në këto botime ka sjellë gjithë përvojën e tij si specjalist me një begraund të pasur në bujqësi me aftësi vëzhguese, analizuese e kritike të një autori veteran, me përgjegjshmëri dhe me kopetencë.
            Illo edhe në moshën 77 vjeçare, vazhdon te kontriboje intesivisht me dijet dhe eksperiencën e tij me shkrime problematikë e kritike në shtypin shqiptar, atë të diasporës dhe në internet. Ka përgatitur për botim, ose janë në proçes botimi edhe disa libra të tjerë që me gjithe broshurat, numuri i librave të tij harrin në 23.

Disa nga librat e tij janë:

-       “Flas me fermerët” - Tiranë, 2005
-       “Çelnikët që shtrydhën malet” - Tiranë 2008
-       Mëma e njerëzimit”
-       “E nesërmja e dhisë shqiptare”
-       “Derri euro-amerikan i Roskovecit”
-       “Nga Harri Fultz tek Ilia Pali” - Tiranë 2007
-       “Fshatarësia e tradhëtuar” - Tiranë, 2008
-       “Toka, Bujku, Shteti”
-       15 Shkencëtarët e vërtetë të bujqësisë shqiptare” - Tiranë, 2007
-       “Miqtë e mi të deklasuar”
-       “Bujqësia dhe Mjedisi në Tranzicjon” - Tiranë 2011
                                                                        Përgatiti K. Mosko






































No comments:

Post a Comment