Prof. dr Skënder Xhiku (1928-2011) |
Prof. Dr. Skënder Xhiku u lind më 16 janar 1928 në Gjirokastër ne nje familje patriotike dhe vdiq më 28 Mars 2011 në Tiranë. Shkollën e mesme e përfundoi në gjimnazin e Gjirokastrës, ndërsa studimet e larta i kryeu në fakultetin e agronomisë në Budapest, Hungari.
Nga viti 1951-1957 punoi si kryeagronom në NB Kuçovë dhe NB Sukth. Në vitin 1957 deri në 1961 ishte pedagog dhe dekan i Fakultetit të Agronomisë në Institutin e Lartë Bujqësor (sot, Universiteti Bujqësor i Tiranës). Prej vitit 1961 deri më 1966 punon në Ambasadën shqiptare në Romë, Itali, i ngarkuar me problemet e bujqësisë. Në vitin 1966 kthehet në atdhe dhe punon si përgjegjes i Katedrës së Bujqësisë së Përgjithshme dhe si Dekan i Fakultetit të Agronomisë.
Në maj 1981 u akuzua për mungesë vigjilence dhe pikpamje armiqsore në bujqësinë socialiste. Shkarkohet nga detyrat e sipërpërmendura dhe emërohet si agronom në kooperativën bujqësore të Zall-Bastarit, ku punoi deri në pension. Gjatë periudhës së punës se tij si dekan, Fakulteti i Agronomisë shënoi disa arritje. Kështu, u vijëzuan dhe strukturuan hap pas hapi elementet e drejtimit dhe të organizimit të punës mësimore-shkencore dhe u modeluan karakteristikat e specialistëve të ardhshëm. Në këtë kohë u hapën dhe u promovuan me sukses degë të reja specializimi, si p.sh. dega e Perimtarisë, Pemtarisë dhe e Mbrotjes së bimëve. Rëndësi të veçante merr edhe kualifikimi shkencor i pedagogëve. Përmirësimi i nivelit shkencor të tyre solli si rrjedhojë në mënyre të natyrshme edhe rritjen e cilësisë së punës mësimore. Si pedagog dhe themelues i Katedrës së Bujqësisë së Përgjithshme ai përgatiti breza të tërë agronomësh duke kontribuar në formimin e gjithanshëm të tyre.
Hulumtimet, kërkimet dhe puna e tij si agronom u përqëndruan në lidhjen e përgjithësimin e njohurive për tokën me teknikat e kultivimit dhe rritjen e rendimenteve të kulturave bujqësore. Për rreth 10 vjet ai punoi intensivisht për qarkullimet bujqësore. Skema të ndryshme qarkullimi u rekomanduan dhe zbatuan në disa ekonomi bujqësore atë kohë dhe janë bazë edhe për kohën e sotme. Dr. Xhiku zotëronte gjuhët hungarisht, italisht, frëngjisht dhe rusisht. Veprën e tij e vijojnë me qindra agronomë shqiptarë që punojnë mbarë Shqipërisë si edhe në vende të ndryshme të botës. Skënder Xhiku mban titullin Profesor (1995), Doktor i shkencave agronomike (1992) dhe Docent (1970). Për veprimtari të shquar si pedagog, shkencëtar dhe drejtues në fushën e arsimit të lartë bujqësor është dekoruar me Urdhrin "Naim Frashëri" i Klasit të II (1971) dhe Urdhrin "Naim Frashëri" i Artë (2001). Prof. Xhiku ka udhehequr 68 diploma studentësh dhe disertacione për shkallën e parë të kualifikimit. Nën drejtimin dhe me pjesmarrjen e tij janë kryer disa studime të emërtesës së qeverisë, dikasterit etj..
Ai ka mbajtur disa referate e kumtesa shkencore në aktivitete kombëtare, e ndërkombëtare. Ka botuar 5 tekste mësimore për shkollat e larta, 4 monografi, 21 artikuj shkencore e 114 artikuj problematike. Disa prej tyre janë: Tekste e monografi 1966 – Bujqësia e përgjithshme. Tiranë, 320 faqe (S. Xhiku) 1979 – Bujqësia e përgjithshme. Tiranë, 384 faqe (S. Xhiku, S. Hysi, A. Deljallisi) 1971 – Ujitja e bimëve bujqësore. Tiranë, 45 faqe (S. Xhiku) 1971 – Manual mbi përdorimin e herbicideve. Tiranë, 116 faqe (S. Xhiku, E. Konomi) 1972 – Sistemi i tokave bujqësore. Tiranë, 110 faqe (S. Xhiku) 1973 – Renditja e kulturave bujqësore: studime e konsiderata. Tiranë, 130 faqe (S. Xhiku, J. Thanati) 1973 – Mbi disa probleme organizative dhe ekonomike të ekonomive bujqësore. Tiranë, 98 faqe (S. Xhiku, A. Kallapolli) 1975 – Manual i bujqësisë së përgjithshme. Tiranë, 141 faqe (S. Xhiku) 1977 – Praktikumi i Bujqësisë së përgjithshme. Tiranë, 187 faqe (S. Xhiku, A. Deljallisi) 1980 – Problemet teorike dhe praktike të ndërtimit dhe përvetësimit të qarkullimeve bujqësore. Tiranë, 415 faqe (S. Xhiku)
Nga fb. Kronika Gjirokastër