Filantropi, që ngriti 127 shkollat shqipe
nga Thanas Meksi, etnolog.
-Një
shkrim studimor e ka zanafillën ndonjëherë nga ndonjë shkak apo vlerësim që
bëhet nga të tjerët. Ashtu edhe ky shkrim u nis nga çmimi, që partnerët në
Shqipëri, Rockefeller dhe Qendra për Ndryshim dhe Menaxhim Konflikti, Tiranë, i
bëri Filantropit Shqiptar Vangjel Zhapa, nga Labova e Madhe, Odrie,
Gjirokastër. Ata e nderuan Vangjel Zhapën me Çmimin e Filantropisë 2012
“Pionier i Filantropisë” (Kategoria Ndërkombëtare). ...Një vlerësim i vonuar,
por plotësisht i merituar!... Mosnjohja sa duhet e kësaj figure karizmatike të
shekullit XIX, mos studimi arkivor kombëtar dhe ndërkombëtare, nga studiues,
historianë, shkrimtarë, ka bërë që vepra e Vangjel Zhapës të kalojë si “hije”,
pa kërkuar thelbin e saj dhe kontributin e merituar të tij, në të mirë të
njerëzimit. Është vështruar si e huaj lëvizja filantropike, shpesh dhe jo e
kohës, për shkak të varfërisë së tejskajshme të Shqiptarëve. Ajo është mbuluar
nga figura e ndritshme botërore e Nënë Terezës! Por edhe nga kuptimi i ngushtë
i bërjes së çdo të mire dhe etiketimi me fjalët: bamirësi, mirëbërësi,
sponsorizim, financim…
Është
mbiquajtur Vangjel Zhapa shpesh rumun, grek, vllah, bullgar… por asnjëherë
shqiptar!... I janë vënë epitetet “pasanik”, “reaksionar”…“s’ka bërë gjë për
Shqipërinë”…duke harruar qëllimisht të thuhet vendlindja e tij: Labova e Madhe,
Tepelenë (dikur është varur nga rrethi i Tepelenës); deri në vitet 1970, është
quajtur Labovë e Zhapës; ditëlindja e tij 1800, i biri i Vasilit dhe i Sotirës,
nga fisi i dëgjuar Meksi. Në Labovë të Zhapës janë shtëpitë e Vangjel Zhapës,
krojet e ndërtuara nga ai, kisha e Papandisë, ku ai është pagëzuar, shkolla –
gjimnaz e ndërtuar nga ai në vitin 1860, varret e familjes, por dhe i tij! Pra,
çdo gjë në Labovë mban emrin e tij. Është i vetmi fshat, në Shqipëri që mban
për mbiemër emrin e një filantropisti. Vangjel Zhapa është puro labovit. Nga
vendlindja e Vangjel Meksit, përkthyesit të “Dhiatës së Re”; i Dr. Apostol
Meksit; i mësuesve patriotë Nane Panajoti, Meksi dhe Vasil Konomi, hapjes së të
parës shkollë shqipe në Labovë; të akademikut Foto Çami; i kryeministrit të
parë të demokracisë Prof.dr. Aleksandër Meksi dhe profesorëve të dëgjuar Anesti
Kondili, Minella Karajani, Foto Toti, Fedhon Meksi, Sokrat Meksi; i regjisorit
të talentuar Andrea Malo; poetit kombëtar Arben Duka, i biznesmenit të
sukseshëm Andrea J.Dilo… Është nga Labova që i ka dhënë atdheut 210 arsimtarë,
55 mjekë, 40 shkencëtarë, 7 drejtues të seksioneve të arsimit të qarqeve, si
dhe shumë laureatë, poetë e shkrimtarë, këngëtarë e sportistë, ekonomistë e
ushtarakë. Vështirë që gjen në botë “qytezë” të tillë!... Pse atëherë ky
“ngurrim” dhe “heshtje” vlerësimi, për njohjen e veprës madhore të Vangjel
Zhapës, në dobi të njerëzimit?... Unë mendoj se ka disa shkaqe!... Së pari,
njohja e veprimtarisë së Vangjel Zhapës ka qenë dizinformuese. Së dyti, mos
sqarimi i konceptit filantropi dhe bamirësi dhe trajtimi i tyre në aspektin
funksional. Së treti, “heshtja”, për të qenë “brenda”, mos studimi dhe mos
veprimi duke lënë qëllimisht në pluhurin e harresës kombëtare, prej më shumë se
100 vjetësh, figurën filantropike të Vangjel Zhapës!...
Është
në të mirën të opinionit shqiptar dhe më gjerë, që disa çaste kulmore të veprës
së Vangjel Zhapës, të thuhen përsëri, me “TH” të madhe, në dritën e studimeve
të fundit…
Arsimi
i të gjithëve, dukuri evropiane e Vangjel Zhapës
E
lënë disi në heshtje, Vepra e Vangjel Zhapës, nis në vitet 1835 me arsimin e të
gjithëve, që është një nocion i të ardhmes Evropiane. Akademiku rumun, Nicola
Postolake, në librin e tij “Lavdi Vangjel Zhapës” (Kap. i 1, botim në Rumani,
viti 1996) shkruan…Vangjel Zhapa i takon lindjes Ballkanike, ndërsa nga
kultura, mentaliteti, iniciativa i takon shpirtit evropian”. Ndërsa Vangjel
Zhapa do të shprehej: “Unë jam jo i një kombi, por i të gjithëve dhe për të
gjithë”. Vetë Vangjel Zhapa ishte i arsimuar në Gjimnazin “Zosimea” të Janinës
dhe arsimin e lartë, për agronomi e kreu në Paris. Kishte marrë mësime edhe për
mjekësinë popullore nga mjekët e Ali Pashë Tepelenës: Vangjel Meksi dhe Petro
Panajoti, me të cilët ishte edhe kushëri. Njihte shumë mirë bimët mjekësore të
zonës së Odrijes, të cilat ia kishte mësuar e ëma, Sotira. Më vonë arriti të
botojë edhe libra bujqësore, si dhe përgatiti një projekt alfabet. Në Rumani,
falë njohurive që kishte për bujqësinë intensive, arriti hierarkinë e
këshilltarit ekonomik të mbretit. Vangjel Zhapa ka meritë në ndërtimin e 127
shkollave në Shqipërinë e Jugut: nga Himara, Përmeti, në Tepelenë e
Gjirokastër, Delvinë e Sarandë, në zonën e Çamërisë: në Filat e Igumenicë. Në
këto shkolla, krahas gjuhës zyrtare që ishte turqishtja apo greqishtja, vuri
edhe gjuhën shqipe, që në fakt ishte gjuha e parë. Ajo ndihmonte për mësimin e
gjuhëve të para, që dilnin të dyta. Kjo edhe arsyeja që në shumë nga këto
shkolla, gjuha shqipe i rezistoi kohës, flitet e pastër edhe sot e kësaj dite.
Vangjel Zhapa ka meritën e madhe, që ishte ndër të parët që vlerësoi arsimin
femëror, duke ngritur tre gjimnaze në Labovë, Kostandinopojë dhe Adrianopojë,
me program evropian, mësues të huaj dhe mësime praktike të kohës si: qëndisje,
ekonomi, etj. Në të gjitha këto shkolla gjuha shqipe u bë gjuhë primare dhe
ndihmonte për mësimin e gjuhëve të huaja.
Në
shkolla kishte biblioteka të pasura me libra të iluministëve. Kështu shumë e
pasur ishte biblioteka e Labovës, por edhe e Bronshteinit në Rumani. Shoqata
“Odria” e Labovës tani, në gjurmët e Vangjel Zhapës ka marrë nismën të krijojë
bibliotekën e zonës “Odrie”, duke kontribuar të gjithë anëtarët e saj, brenda
dhe jashtë shtetit. …Në Rumani Vangjel Zhapa financoi abetaren e parë Shqipe të
Naun Veqilharxhit dhe tre evetore të tij, me shumën 25.000 franga ari, dhe
botimin e të parës gazetë shqip në Lamia: Pellazgos (Vitet 1859 – 1861).
Veprimtar aktiv dhe gjithmonë i gatshëm për arsimin e shqiptarëve, ai kishte
ngarkuar Anastas Bykun nga Lekli në postin e drejtor – inspektimit të rrjetit
arsimor të ngritur në Shqipëri. Dha shumë bursa për arsimimin e te rinjve dhe
të rejave, jo vetëm nga Labova, por edhe nga krahina e Lunxhërisë dhe
Dropullit, për studime të larta në vende të ndryshme të botës. Në testamentin e
tij flitet shumë për arsimimin shqip dhe shkollat shqipe duke lënë shuma të
mëdha financiare për mbarëvajtjen e tyre. Kjo vepër e Vangjel Zhapës e bënte
atë pararendës të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, duke u treguar edhe një ideolog
e veprimtar praktik në problemet e arsimit shqiptar, në të mësuarit të gjuhës
shqipe, të alfabetit të shkruar dhe të organizimit të shkollave shqipe. Rruga e
hapur nga Vangjel Zhapa ka lënë gjurmë arsimore në krahinën e Odrijes,
Lunxhërisë, Dropullit, Çamërisë… për krijimin e një traditë të shkëlqyer
arsimore dhe të dashurisë për shkollën dhe të nxënit shqip. Deri në këtë fazë
të veprimtarisë së tij, Vangjel Zhapa me bamirësitë e tij, më të shumta në
vendlindje dhe krahinat përreth dhe ndonjë shtet fqinj, kalon nga bamirësia në
një fazë më të rëndësishme, në atë të filantropit, që është një shkallë
sipërore, drejt përmirësimit të shoqërisë njerëzore… Këtë e tregojnë veprat e
tij në të mirë të njerëzimit.
Olimpizmi,
vepër monumentale e tij
Vepra
filantropike e Vangjel Zhapës është bindëse në rilindjen e Lojërave Olimpike të
lashtësisë, që nga viti 1859 e vazhdim. Shumë studiues e vendosin Olimpizmin në
punën kryesore të veprës së Vangjel Zhapës, por nuk është plotësisht kështu!...
Është e vërtetë, që ai i rilindi këto lojëra mbas 1500 vjetësh dhe i
subvencionoi ato edhe mbas vdekjes e në vazhdim (flet testamenti i tij). Njihen
tre themelues të Lojërave Olimpike moderne -Vangjel Zhapa shqiptari, është
quajtur themeluesi i Olimpizmit… -Englezi Dr. Brookes konsiderohet përkrahës i
Zhapës dhe -Francezi baron Pjer de Kuberte pasues i denjë i Vangjel
Zhapës, por jo themeluesi kryesor i tyre, siç e paraqitin!... Megjithëse
jetonte në Rumani, ku vuri dhe pasurinë e tij, Vangjel Zhapa i organizoi
lojërat olimpike në Greqi, në vazhdë të traditës historike. Ai shfrytëzoi
“heshtjen” që ekzistonte për këto lojëra në Greqi, shkëndija e dhëna nga shkrimtarët
e poetët: “Ku janë Lojërat Olimpike”?...dhe veçanërisht thirrjen e poetit
Soutras drejtuar Mbretit Othon, me origjinë gjermane. Ai lëshoi thirrjen
“Lërini Lojërat Olimpike të rifillojnë”!... Por të gjitha këto thirrje ranë në
vesh të shurdhët, po të mos ishte kërkesa e Vangjel Zhapës në 13 Korrik 1856,
që merrte përsipër pagesën e të gjitha shpenzimeve për rilindjen e olimpizmit.
Ai propozoi edhe datën e fillimit të këtyre lojërave: 15 Nëntor 1859. Vuri në
dispozicion të organizatorëve 400 aksione të shoqërisë së lundrimit të Rumanisë
dhe 3000 napolona flori. Me gjithë dobësitë në organizimin e parë, Zhapa kërkoi
organizimin e lojërave të dyta Olimpike. Grekët e quajtën Zhapën – Themeluesin
e Olimpizmit. Cili ishte qëllimi final i Vangjel Zhapës që synonte organizimin
e këtyre Lojërave Olimpike?... Së pari, të realizonte kultivimin dhe forcimin e
miqësisë midis popujve të botës. Kësaj do ti përgjigjej jo vetëm miqësia, por
edhe bashkëjetesa e rivaliteti i vlerave. Së dyti, sipas grekëve, Zhapa
përfytyronte bashkimin e Evropës përmes ringjalljes së Lojërave Olimpike. Në
këtë bashkim do të sundojnë fjalët dashuri, paqe dhe miqësi, si dhe mirëqenie.
Së treti, dy shekuj përpara Zhapa bëhet misionar i paqes dhe miqësisë ndërmjet
popujve. Motoja e tij ishte “Për të gjithë unë jam i përbashkët si një ditë e
ndritshme”. Me organizimin dhe financimin e Lojërave Olimpike botërore, Vangjel
Zhapa hodhi parullën e bashkimit dhe dashurisë së njerëzimit, kundra luftërave
shfarosëse, pro një Evrope të bashkuar, si ajo që jetojmë sot. Përse të heshtet
për këtë figure botërore të Filantropisë?... Prof.dr. Meri Lalaj shkruante për
Vangjel Zhapën: “Midis intelektualëve lartësohet Vangjel Zhapa, një
personalitet kompleks, me vizion të jashtëzakonshëm për kohën, i njëkohësishëm në
Rumani, Greqi, dhe Shqipëri, punëtor, i mençur, trim, bujar dhe krenar”.
(F.Meksi Labova e Madhe dhe labovitet, f.6. Migjeni 2010). Ndërsa ambasadori
amerikan Aleksandër Arvizu i përshëndeti dhe i falënderoi labovitët, bëri
fotografi me ta dhe i premtoi se shumë shpejt do të vizitojë Labovën e Zhapës.
Pak
biografi
Vangjel
Zhapa lindi me 23 gusht të vitit 1800 në Labovë të Madhe, Odrie, Gjirokastër.
Deri në moshën 15 vjeçare qëndroi në fshat, mbaroi shkollën fillore dhe mësoi
nga e ëma Sotira, nga fisi Meksi, bimët mjekësore të zonës dhe u mor me punë
bujqësore. V.Zhapa deri në moshën 30 vjeçare qëndroi në Janinë, duke mbaruar
gjimnazin “Zosimea”, mori pjesë në ushtrinë e Ali Pashë Tepelenës dhe luftoi me
heroizëm në Revolucionin Grek, për pavarësinë e shtetit helen. Të gjitha këto
luftëra e përgatitën V.Zhapën si luftëtar trim, organizator të fuqishëm dhe
komandant të zotin. I pakënaqur nga vlerësimet në ushtrinë greke, ku mori edhe
pesë plagë, u detyrua të largohet në Rumani, ku fillimisht zë punë në një
mulli. Ushtron mjekësinë popullore, fiton emër, shëron gangrenën e vajzës së
mbretit të Rumanisë, ku përfiton shumë toka e pyje. Rreth viteve 1835 Vangjel
Zhapa studion në Paris për agronomi, shton sipërfaqet e tokave në Broshtein dhe
krijon një fermë model. Bëhet aksioner me një shoqëri anglo – siriane, që
zbulon naftë në tokat e tij dhe më vonë aksioner në shoqëritë e lundrimit të
Rumanisë. I gjithë ky aktivitet, i siguroi pasuri të mëdha dhe i dha mundësi të
bëhet një filantrop i dëgjuar në dobi të njerëzimit. Vdiq në moshën 65 vjeçare,
në vitin 1865 në Broshtein të Rumanisë.
Testamenti
i Vangjel Zhapës mirësi e veçantë botërore
Është
shumë domethënëse ligjërata e Vangjel Zhapës “Zoti na fali kaq pasuri, ku dhe
bamirësi mund të bëjmë, edhe fëmijë mund të edukojmë me respekt ndaj zotit, si
dhe patriotë. Unë si më i madhi që jam, vendosa të mos martohem dhe të bëj më
shumë bamirësi.” Këtë mendim kishte edhe Kostandini, pasardhësi i tij! Të dy
mbeten beqare të përjetshëm… Pasuria e madhe që krijuan ata, veçanërisht në
Rumani, u bë bazë e fuqishme e veprave të bamirësisë së tyre. Kjo erdhi si fryt
i mendimit krijues, i metodave përparimtare që përdoren dhe veprimtarisë
energjike të tyre. Këtu duket edhe përgatitja e lartë profesionale e Vangjel
Zhapës mençuria e tij, që vinte nga geni i mëmës së tij, që ishte nga fisi i
dëgjuar Meksi. Vangjeli karakterizohej nga një botë e pasur shpirtërore dhe
fisnike ndjenjash. Labovitët e trashëgojnë këtë karakteristikë brez pas brezi.
Ato e bënë Vangjel Zhapën ideator në fushën ekonomike. Ai ndihmoi shtetin rumun
që të forcohet, edhe me donacionet e dhëna nga ai, dhe nga idetë e këshillat.
Shpesh i shprehte princit rumun Jan Kuza, që e vizitonte herë pas here në
fermën e tij, ide dhe mendime për realizimin më mirë të reformës agrare, për
përmirësimin e ligjeve ekonomike. Sipas Vangjel Zhapës aplikimi i një
agrokulture intensive në sipërfaqe të vogla fshatare, në kushte të ekzistencës
së mungesës së mekanizmit e të një teknike të dobët dhe të konsumuar, e kishte
të domosdoshme reformën dhe zhvillimin modern të zonave rurale. Ai e shpërndau
1/3 e sipërfaqes së tokës fermerëve, duke marrë prodhime të bollshme. Pra,
Vangjel Zhapa që në vitet 1840 ishte për rrugën kapitaliste të prodhimit, ndaj
dhe iu akordua titulli i lartë “Këshilltar Oborrit të Mbretit të Rumanisë”. Kjo
rrugë e pasuroi Vangjel Zhapën. Rruga tjetër e pasurimit ishte ajo e kurimit
popullor, që ai, si dhe shumë bashkëfshatarë të tij e kishin në gen. Ai shëroi
vajzën e mbretit rumun, duke përfituar sipërfaqe të mëdha tokash dhe pyjesh.
Krijimi i një pasurie të tillë i dha mundësinë V. Zhapës të përpilojë një
testament të pastër në moshën 60 vjeçare, të kategorizuar në pjesë të veçanta,
duke përbërë një mirësi botërore origjinale.
Tradita
filantropike “Zhapa”
Është
shumë interesant “Testamenti Zhapa” i kategorizuar dhe shpërndarë sipas
problemeve dhe veprimtarive njerëzore. Që në parathënie kupton fisnikërinë e
Vangjel Zhapës dhe qëllimin e tij për mirësi botërore, krejtësisht të veçantë,
një filantropi të lartë në dobi të njerëzimit. Mirëbërsia e tij në “Testamentin
Zhapa” vazhdon në financimin e veprave sociale të vendlindjes Labovë, të
bashkëfshatarëve të tij labovitë dhe të banorëve të fshatrave të Lunxhërisë,
Tepelenës, Delvinës, Dropullit, Çamërisë e të tjerë. Sipas të moshuarit –
studiues Vasil Pjetri, vetëm nga krahina e Lunxhërisë kanë përfituar bursa
studimi 60 nxënës, nga Testamenti Zhapa; ndërsa nga Labova pothuajse të gjithë
nxënësit që mbaronin shkollat në fshat. Deri në vitin 1940 këto fonde kanë ekzistuar,
pastaj u ndërprenë. Këto ndihma janë shpërndarë si më poshtë:
•Shkolla
“Zappion” Stamboll – 30.000 fr.ari (vazhdojnë)
•Shkolla
e Leklit, Tepelenë – 3000 fr.ari
•Shkolla
e Derviçanit, Dropull – 1200 fr.ari
•Shkolla
e Qeparoit, Himarë – 1000 fr.ari
•Shkolla
e Delvinës - 1200 fr.ari
•Shkolla
e Nivanit, Zagori - 1200 fr.ari
•Shkolla
e Condekutis - 1400 fr.ari
•Shkolla
e Filatit, Çamëri- 1400 fr.ari, etj.
nga Gazeta "Shekulli"