Monday, 27 July 2020

KATËR BREZA SHQIPTARËSH TË SUKSESSHËM

Një vizitë në fermën “Kane”, Danvers Massachusetts, SHBA

Ralph dhe Jeff Kane (foto: K. Mosko)

Isha në kërkim të një biznesi bujqësor nga një shqiptar këtu në Amerikë. Më erdhi në ndihmë miku im, Vasil Koçi, patriot lunxhiot, i cili më njoftoi se aty afër shtëpisë së tij ku banonte, kishte një biznes që drejtohej nga një shqiptar i vjetër në moshë. Pa u zgjatur, vendosa ta vizitoj dhe në se do të pranonte bosi, do ta intervistoja për të mësuar më shumë mbi rrugët dhe përpjekjet e tij për të ngritur këtë biznes bujqësor, që në kushtet e shtetit tonë Massachusetts këtu në Amerikë, nuk është e lehtë.
          Në vështrimin tim, shqiptarët janë njerëz druidë, i duan pemët, bimët dhe natyrën. Dijnë si të ndërtojnë një jetesë paqësore me to, si të ruajnë biodiversitetin për të jetuar shëndetshëm.  Gjithmonë në shkrimet e mia e kam vënë në dukje këtë dhunti, do ta quaja të shqiptarëve dhe vazhdimisht kërkoj të zbuloj fakte e praktika të reja. Më vijnë në kujtesë kopshtarët më të mirë e të përkushtuar në Kostandinopojën ose Stambollin e sotëm gjatë periudhës bizantine e osmane, ata kanë qenë përmetarët. Një kopshtar dhe njohës i mirë i bimëve ishte edhe bamirësi filantrop në katër shtete, me i madhi i të gjitha kohërave në Ballkan ndoshta dhe në Europë, Vangjel Zhapa, nga Labova e Zhapës, i cili kishte përfunduar dhe shkollën e lartë për agronomi në Paris, Francë.

Rruga për tek biznesi

       Ditët e korrikut janë të nxehta edhe në Boston, por kjo e vizitës ishte një ditë e mirë, e freskët e me fllad të vazhdueshëm. Dukej sikur kishim rilindur nga që qëndrimi i gjatë në shtëpi dhe izolimi për shkak të COVID-19 na kishte lodhur. Së bashku më bashkëshorten time, këtë udhëtim e morëm si një shëtitje. U nisëm të pajisur e të “armatosur” me maska, doreza e dezinfektantë.
         Ja ku më në fund u duk qyteti industrial Peabodi me rreth 53 mijë banorë. Është larg rreth 45 km në veri të Bostonit. Atje banojnë shumë shqiptarë, më të shumtit janë me origjinë nga Elbasani, por ka dhe nga Gjirokastra, kryesisht nga fshatrat Labovë e Kryqit dhe fshati Suhë. Aty afër është edhe qyteti i Salemit, i dëgjuar si vendndodhja e gjyqeve famkeqe të Shtrigave të Salemit, në vitin 1692, të njohura edhe në Shqipëri nëpërmjet një filmi të shfaqur në kinematë, me sa më kujtohet ishin vitet 1970 e më pas.

           Në Peabody takuam Vason dhe të shoqëruar prej tij, u nisëm drejt biznesit bujqësor të shqiptarëve.  Ishte jo më shumë se 7-8 minuta larg nga qendra, në një qytet tjeter Danvers, me rreth 23 mijë banorë që shquhet në këtë rajon për kultivimin e bimëvë bujqësore.

Sa arritëm, na ra në sy një tabelë e madhe e cila paralajmëronte se ishim afër një biznesi që shquhej midis si vëllezërve të tjerë rrotull. Para syve tanë u shfaq korpusi kryesor dhe serrat e shumta në vazhdim. Njerëz të shumtë, të gjithë me maska, ata që blenin si dhe punëtorët. Jashtë në oborr kishte një zyrë informacioni ku mund të mirrje të dhëna të hollësishme. U drejtuam tek kjo zyrë dhe kërkuam bosin, kështu i thamë punonjësit, që me sa kuptuam ishte latino-amerikan. Ai na u përgjigj se bosi ishte ende në shtëpi dhe pas pak do të mbërrinte. “Po ju mund të takoni motrën e tij, shtoi ai, edhe ajo mund t’ju ndihmojë”. Nuk na u desh shumë të prisnim. Pas pak vumë re se drejt nesh ishte drejtuar një grua e qeshur, me sa duket punonjësi i shërbimit e kishte lajmëruar në telefon.  U përshëndetëm dhe biseda jonë rrodhi natyrshëm në shqip dhe për Shqipërinë. Ajo na tha se kishte lindur në Amerikë por origjinën e kishin nga fshati Frashër i Përmetit dhe nënën Persofoni nga qyteti i Përmetit. Kishte qenë në Shqipëri 12 herë, herën e fundit e kishin ftuar në një dasëm, familja Vorpsi në Tiranë. Na tregoi me gëzim për disa lidhje në Përmet dhe në Tiranë. 
-  Kam vizituar Përmetin dhe Gjirokastrën dhe gjithë Shqipërinë, po nuk jam ngopur, dua të shkoj përsëri - na tha ajo plot gëzim e vendosmëri. Mësuam se ishte plot 74 vjeçe, por nuk dukej e tillë.
-       Edhe nëna ime shkonte shpesh në Shqipëri, ndjesë pastë, e donte shumë atë vend, - e mbylli ajo bisedën duke psherëtirë.


            Ja ku u duk edhe bosi, ose pronari i gjithë kësaj pasurie siç i thonë në shqip. Ishte trupmadh, muskuloz, dukej i mbajtur mirë, megjithese siç na tha kishte hyrë tek 77 vjeç. Për një çast m’u kujtua jeta e babait tim. Në pamje të parë ky njeri kurajoz të ngjallte përshtypjen se nuk e mposhtin dot çastet e vështira të jetës, dinte si t’u dilte punëve në anë.  U përshëndetëm sikur të ishim të njohur prej  kohësh dhe bisedën e vazhduam në zyrën e tij. Emri i tij ishte Ralph Kane. I takonte brezit të tretë të shqiptarëve në Amerikë. Njëkohësisht edhe motra Ruth nuk na u nda për asnjë çast gjatë gjithë vizitës tonë.

Nje jetë e tërë perpjekjesh të mëdha mes luleve

Tashmë dihet, kur flitet për qytetin e Përmetit, ai përshkruhet si qyteti i luleve, apo i trëndafilave dhe i njerëzve diturakë, të mirë e punëtorë. Këtë ndjesi e përjetuam gjatë gjithë kohës së vizitës tonë edhe në këtë fermë bujqësore. Biseda jonë ishte e përzemërt e miqësore, sikur ishim njohur prej kohësh, shqiptarçe, nga ato bisedat karakteristike që bëhen këtu në Amerikë kur takohen shqiptarët.

Ralph Kane në zyrën e tij të punës

Historia e kësaj familje në Amerikë zë fill në vitin e largët dhe shumë të trazuar për shqiptarët, në vitin 1913. Gjyshi i Ralphit, Thimjo Karçini me familjen e tij lë fshatin malor Frashër të Përmetit dhe vjen në tokën e premtuar, Amerikën e largët. Me vete kishte marrë edhe babain e Ralphit, Arthurin(Thanasin), në moshën tre vjeçare. Gjyshi u vu ne krye të punëve e përpjekjeve për të siguruar jetesën e familjes. Fillimisht bënte çfardolloj punësh. Më vonë, pasi ishin stabilizuar mirë, i vuri syrin një dyqani lulesh në qendër të Bostonit (Faneuil Hall Marketplace). Mbasi punoi për pak kohë, ai kontraktoi në atë vend një dyqan dhe filloi të bënte tregëtinë e luleve. Punët ecnin mirë për gjysh Thimjon. Ky lloj biznesi ishte me fitim. Në vitin 1930 mori kredi nga banka dhe bleu një serë në Dedham per t’i prodhuar vetë lulet. Por punët u vështirësuan, ishte në prag të luftës së dytë botërore dhe nuk ishte në gjendje të paguante kredinë që kishte marrë, kështu serrën ia sekuestroi banka në vitin 1937.

            Puna në dyqanin në qendër te Bostonit vazhdonte. Ishte kohë lufte, ushqimet po paksoheshin në treg. Gjyshi, tregon Ralph, me dy djemtë e tij, gjatë asaj periudhe të Luftës së Dytë Botërore, filloi të tregëtonte patate, kjo i dha një dorë të mirë biznesit të tij, sepse kishte furnizim të mirë, trenat i shkarkonin mallrat në qendër të Bostonit, aty ku ai kishte dyqanin, çmimet nuk kontrolloheshin edhe aq shumë. Gjyshi Thimjo e peshkoi me guxim situatën. Ishte punë me fitim të shpejtë.  

         Babai i Ralphit, në vitin 1940, martohet me Persofonin nga qyteti i Përmetit. Ajo ishte një emigrante e ardhur në ato vite. Me dollarët që bënë nga tregëtia e patateve blenë një serrë tjetër ku punët fillimisht ecnin mirë. Kultivonin lule dhe i shisnin në dyqanin në qendër të Bostonit. Në atë kohë jetonin shtatë veta në një shtëpi në Roxbury, lagje e Bostonit, gjyshërit, dy vëllezërit dhe tri motra. Drejtimin e këtij biznesi, në këto vite, tashmë e kishte marrë në dorë babai i Ralphit, Arthuri me të vëllanë e tij, Vasilin.

Dyqani në qender të Bostonit (Faneuil Hall Marketplace}
        
             Ralph lindi në vitin 1943, vazhdoi  një pas një shkollat dhe në vitin 1960 u diplomua për agronom nga UMass. Ahmerst, në atë kohë, “Massachusetts Agricultural College”. Ralph tregon se kur shkoi në klasën e parë nuk fliste anglisht, sepse në familjen e tyre të madhe flisnin vetëm shqip. Gjatë kësaj periudhe Ralph edhe studionte por edhe punonte e ndihmonte në biznesin e babait të tij. Në serrën, pas kësaj periudhe, me xhaxhanë filluan të shfaqen mosmarrëveshje, kështu u ndanë, gjithsekush në bizneset e vet. Edhe xhaxhai e vazhdoi biznesin me lulet, por diku tjetër. Babai i Ralphit me një hua që mori në vitin 1964, bëri një investim të guximshëm, bleu tokën ku është ngritur sot biznesi. Në atë kohë nuk kishte asgjë në këtë vend, pyll dhe shkurre, por me kalimin e kohës, hap pas hapi, filluan të ngrihen biznese të tjera tregëtare si dhe të ndërtohen shtëpi e apartamente banimi.

Biznesi sot

Pamje përgjithëshme e biznesit "Kanes FLOWER WORLD"

Në tokën që ata blenë me hua në Danvers, filluan të ndërtojnë serrat e para dhe të tregëtojnë fidanë lulesh, perimesh, fidanë frutore, farëra të ndryshme, etj. Tani përveç përvojës familjare, Ralph ishte edhe i shkolluar e i specializuar në këtë lloj sektori. Biznesi po ecte mirë në saje të punës së palodhur dhe zbatimit të njohurive shkencore që Ralphit kishte marrë në universitetin e agrikulturës. Ai edhe sot, pavarësisht që është në një moshë të thyer, që nga mëngjesi e deri në darkë kujdeset për biznesin dhe përpiqet që çdo gjë të shkojë mirë. Në vitin 1994, babai i Ralphit vdiq dhe të gjitha punët e shërbimet agroteknike i mbetën atij. Punët mekanike që nevojiten në serra, Ralph i kryen vetë. Ne vumë re një ofiçinë të kompletuar në shërbim të agregatëve që i përkiste këtij bisnezi. Shumë shpejt, si familje, në vitin 1970, e shlyen edhe huanë që kishin marrë dhe filluan të punojnë për vete. Nuk kishin më borxhe. Tani ata, çdo fitim e investojnë duke rritur sipërfaqen e serrave, përmirësimin e teknollogjisë së kultivimit të fidanave, etj. Ngrohja dhe ujitja e serrave është automatike, e kompjuterizuar për të 17 serrat ku mbillen fidanat. Biznesi është shtuar dhe konsoliduar mjaft mirë. Në çdo vit vjen duke u rritur. Ata shesin të gjitha llojet e produkteve që nevojiten në bujqësi nga a-ja tek zh-ja. Konsumatori që futet në dyqanin e tyre gjen çfardo që i lypset për të tilla lloje biznesi si fidana perimesh, lulesh, pemësh frutore, shkurre, farëra, plehra, pesticide, paisje, mjetet e punës, etj. 
Kur e pyeta Ralphin në se kishte ndonjë ndihmë nga shteti, ai me tha se çdo investim ishte kryer nga kursimet e familjes së tij. 
-       Shtetit, qytetit të Danversit, i paguaj rregullisht taksat, për çdo vit rreth 80 mijë dollarë, - tha ai -, shteti na ka krijuar një lehtësi vetëm në taksën e tokës, është me e ulët duke e kategorizuar si tokë bujqësore. Kam të punësuar rreth vitit 30-35 punëtorë.  Gjat periudhës së COVID-19 humbëm rreth 250 mijë dollarë, biznesin e kishim të hapur por nuk kishim blerje.  

Mbi tavolinën e punës së tij vumë re një tufë me revista të kompanive të ndryshme të prodhimit të farërave, plehrave, pesticideve me të cilat ishte lidhur. Unë e pyeta
-       A ke marrë ndonjë farë nga Shqipëria?
-       Po dhe kam marrë, tha shkurt, po nuk përshtaten këtu, është klimë tjetër. 
Si një specialist i mbrojtjes së bimeve, e kuptova çfarë më tha Ralphi. 
-       Po me trajtimet kimike? 
-       Jemi të liçensuar për pesticide, po kam dhe djalin specialist. Problemet tepër të vështira i zgjidhim me UMass Boston. Shpesh na mbledhin dhe bëjmë trajnime të veçanta për teknologji, sëmundje, dëmtues, etj.
         
Ralph është i martuar me suedezen Karen, kanë një djalë dhe një vajzë, Jeff dhe vajza Tina. Drejtimet e punëve në biznes dalëngadalë po kalojnë në dorën e Jeff, i cili ka përfunduar studimet për agronomi, katër vjet në Universitetin Bujqësor Maine (Agricultural – University of Maine). Për mendimin tim Jeff tashmë e drejtonte atë fermë. Kështu Ralph, ashtu si babai i tij, kishte siguruar vazhdimësinë e biznesit të luleve në brezninë e katërt të përmetarëve frashallinj në Amerikë. Në përfundim të vizitës tonë tek ferma “Kane”në Danvers takuam dhe perfaqesuesen e breznisë së pestë  me origjinë përmetare në SHBA. Ishte vajza e Jeff gjimnaziste, ai kishte dhe një djalë. Me siguri edhe këta do të ecin në gjurmët e paraardhësve të tyre, shqiptarë të dashuruar me tokën bujqësore, me perimet, lulen dhe gjithçka të mirë materiale që prodhon toka e bekuar amerikane.

U larguam nga Danvers të gëzuar që u njohëm me një histori të gjatë të biznesit shqiptar, u lumturuam që u miqësuam me njerëz të origjinës dhe të gjakut shqiptar. Ata, me përkushtimin, dituritë dhe punën e palodhur, na bëjnë krenarë. Janë shumë pak kaq sa munda të shkruaj për ta dhe historinë e tyre, por me siguri që aty do të kthehemi përsëri e përsëri do t’ju tregojmë.


Koço MOSKO
Agronom i Mbrojtjes Bimeve

Boston, MA - SHBA
Korrik 2020


Thursday, 16 July 2020

SYMIR GORANI, KOLEGU SHQIPTARO - AMERIKAN QË NA BËN KRENAR.

                             nga: Gjon FIERZA
Agjencia Kombetare e Mjedisit
TIRANË

"Përpikëria është sekreti i të gjithë njerëzve të suksesshëm në jetë. 
Kjo e bën rrugën shumë të qartë për të shkuar përpara 
dhe për të marrë sukses dhe famë.
Të suksesshëmit e dinë shumë mirë vlerën e kohës, 
si dhe se si të shfrytëzojnë kohën 
në mënyrë të duhur në jetën e tyre."
 (Anonim)

Ing. Symir GORANI
Përzgjodha datëlindjen e tij (19 korrik) për të shkruar më shumë se një mesazh urimi për një njeri që mbart shumë vlera dhe është model suksesi. Për  të shkruar për inxhinierin Symir Gorani, aq sa ndjeva kënaqësi, pata disi dhe veshtirësi. Pse?.. Nuk di nëse do të arrija të përmbledh jetën e një njeriu të suksesshëm në veprimtari profesionale dhe jo vetëm, që gati po i afrohet gjysëm shekulli tek sa ai po mbush 68 vite jetë. Tek sheh qindra foto të tij, me njerëz dhe mjedise të ndryshme nga Korça në Detroit, e takon e bisedon me të,  tek ai spikat menjëherë një cilësi të veçantë e për t’u admiruar, ai gjithnjë është buzëgaz, thua që ky njeri e ndjenë kënaqësinë e atyre që ka arritur në jetë me punë e sakrifica, por ai transmeton, rrezaton pozitivitet tek ata që njohin, komunikojnë dhe puna i lidh me të. Njerëz të tillë nuk janë të shpeshtë në shoqërinë tonë jo vetëm, por dhe në USA.  Edhe emri, jo i zakonshëm “Symir” që në shqip është;  “Sy i mirë”, pra gjithmonë të shohë të mira tek vetja dhe tek të tjerët, duket se është gjetur për njeriun e përshtatshëm  që e jetëson dhe ku ai merr kuptim të vertetë.

Pas komunikimeve në fb gadi në 10 vite na dukej se njiheshim mirë me njeri tjetrin prej shumë vitesh, në tetor 2018 ne u takuam dhe fizikisht. Ai pas një vizite të gjatë në Korçën e tij me njerëz të dashur, kishte planifikuar dhe një takim me kolegët e tij, sudentë në Fakultetin e Pyjeve në vitet 1971-1976 në Tiranë, midis këtyre isha dhe unë si i ftuar i veçantë. Për atë takim pas vitesh me kolegët bashkohës, mund të shkruhet gjatë, për kujtimet që u sollën, për vitet e punës, emigrimin, familjet dhe fëmijtë dhe ku së shumti prej tyre, ishin bërë gjyshë… Ai deshiroj dhe realizoj të nesërmën një vizitë në Fakultetin e Shkencave Pyjore. Aty u prit nga dekani dhe stafi akedemik. Ai u njoh hapat dhe zhvillimet e reja në fakultet, me programet,  nivelin e diplomave që jepeshin në degën e mobilerisë, etj. 



Ai pa nga afër paisjet dhe laboratorët e përpunimit të drurit. Ai midis të tjerave u tha kolegëve pedagogë se:
-       Diplomat dhe afëtësitë profesionale që fitojnë në fakultet(kjo sipas pervojes time) ju mundësojnë që secili student i juaj mund të punësohet në USA dhe diplomat mund të bëhën të barabarta me pak procedura, me ato të nivelit amerikan. 
-       Inxhinier Symiri u tha: Unë jam i gatshëm të mbështes çdo të diplomuar nga ju, nese i mundësohet ardhja në Amerikë, të punësohet mirë në profesion. Me këtë takim u mbyll ajo vizitë që është e fundit në Shqipëri. E presim të vijë sa më parë, në takimin tjetër, që na i premtoj kur u ndamë.

Në formë kronike po përshkruaj veprimtarinë e tij nga ajo tanishme në USA, për të arritur tek rinia e tij. Këto sipas bisedës më të, kujtimeve të bashkohësve  dhe referuar botimit monografik “Shqiptarët në Detroit” me autor Pjetër Jakun. Në këtë botim zë një vënd të rëndësishëm midis intelektualve me emer dhe inxhinier Symir Gorani.

Ai u vendos për të jetuar e punuar në USA në janar 2001 pasi u shpall fitues me llotarinë amerikane (Green  Cart) me nr. 299 si një numër i vecantë. Është një periudhë  e shkurtër e fillimit që paraqet veshtirësi por shpejt ai u integrua në jetën si një amerikan. Ambicja,  këmbëngulja , shfrytëzimi i mundesive, i informacionit që të ofron Amerika, ai nga punët e thjeshta do të arrinte shumë shpejt të punonte në profesionin e inxhinierit mobilier. Ai së pari, arriti që në tetor të vitit 2003 të bëjë evauluimin e diplomës universitare shqiptare në diplomë të nivelit amerikan.

Përvoja, përkushtimi dhë aftësia profesionale i mundësuan punësim tek Kompania “Vogue Furniture”   e cila merret me prodhim  mobiljesh luksi me porosi, me kërkesa të larta estetike e fuksionale nga konsumatorë të veçantë. Keto mobilie prodhohen vetëm një herë sipas projekteve të arkitekteve të përzgjedhur nga porositesi. Symiri punoi në këtë kompani 7 vjet ne proceset përfundimtare të finisimit e kolaudimit cilësor e teknik  para se mobiliet të niseshin për instalim ne ambientet e porositesit..

Nga eksperienca e fituar në vazhdim  fillon punë në Kompanine e fuqishme  “Gardner White Furniture” e cila është kompania me e madhe e shitjes të mobilieve dhe plotesimit të nevojave të konsumatoreve në Detroit e më gjërë në gjith qytetet kryesore të shtetit të Michiganit, duke arritur një nivel të lartë menaxhimi  shitjesh falë aftësive profesionale, komunikuese, pse jo dhe asaj buzëqeshjes së lindur që ju falë njerëzve. Ai vit pas viti nderohet me çertifikata të ndryshme dhe stimuj material nga kompania duke qënë në elitën e asaj kompanie.  

Symiri  ka rekordet e sukseseve te tij në këtë kompani. Qendra e madhe e shitjes ne qytetin Warren Southfield  ka gati 100 vjet e hapur nga Gardner white Furniture  por vetem Symiri ka arritur rekordin historik të shpallet “Member President Club Super Elite” për herë të parë nga shumë punonjes që kane kryer këtë pune në keto 100 vite. Aritja e ketij titulli është rezultat i aritjes te niveleve të larta të realizimit e menaxhimit  të shitjeve e kuotave te caktuara në regulloren e kompanisë  e bazuar ne punën e rezultatet e kontratave të shtjeve në çdo vit kalendarik. Për 10 vite, Symiri punon për Gardner White Furniture 9 herë me radhë është shpallur Member President Club duke qëndruar në elitën e kmpanisë... edhe pse ka 2 vite që ka dalë në pension e merr pensionon amerikan, kmpania ka nevojë per të, e ai ndjehet plot energji të vazhdoje të japë kontributin e tij me tej.

Në fillimet e jetës  në USA do të investonte kohën, perpjekjet e interesimin, po ku? Ai e konsideronte si investimin më të domosdoshëm, më të rëndësishmin, që do mundësonte në biznese të mëvonshme, shkollimin e dy vajzave; Yllka dhe Besa. Ai, tashmë këtë investim themelor e ka realizuar me sukses, ku vajzat e tij tashmë janë diplomuar dhe ushtrojnë profesione në fusha të rëndësishme; në ekonomi biznes dhe inxhinieri informatike e kompjuterike. Symiri shprehë kënaqësi, ndjehet i lumtur, që dhe bashkëshortja Lida është integruar  në profesionin e sajë të dentisterisë, përvoja e gjatë në profesion dhe përkushtimi në përvetësimin e teknikave dhe tekologjive të reja e bëjnë atë një specialiste me emer në profesion në komunitetin ku jetojmë. Dhe diçka tjetër nga jeta familjare, erdha me statusin e babait dhe tashmë në USA kam një shkallë më lartë - atë të gjyshit me dy mbesat e mija te mrekullueshme Klaudia e Vanessa e nipin e dashur Xander. - thotë me kënaqësi Symiri..
 
Majtas: me bashkëshorten Lida dhe dy vajzat Yllka e Besa.
Djathtas: me mbesat Klaudia e Vanessa dhe nipin  Xander.
Symir Gorani, aktiv jetën shoqërore që në rini dhe me vonë në punë, një qytetar korçar i kulturuar dhe ambicioz, nuk mund të qëndronte dhe larg jetës intelektuale e kamunitare në Detroit.  E vlerësoj si një domosdoshmeri dhe të lidhur ngusht me jetën profesionale; si detyrë parësore për një intelektual, të bashkohet me jetën e komunitetit ku jeton. “Të japë kontributin në kultivimin, afrimin, ruajtjen e trashëgimnisë kulturore dhe identitetin shqiptar”. Ai ishte nder intelektualët e parë, që u afrua në Lidhjen e Intelektualve Shqiptare – Amerikane të Michiganit, si pjesëmarrës që në kongresin e parë, nderkohë që në kongresin e dytë u zgjodh në kryesinë e kesaj organizate. 
Pasionet e rinisë për gazetarinë e shkruar, vizive dhe radifonike vazhdojnë të jenë bashkohëse në jetën e tij. Ai të përmend se ka koleksione të gazetave me skrime te tij kryesisht dhe jo vetem që në vitin 1970 të shekullit të kaluar, pra 50 vite nuk janë pak.  Symiri shton: “Në Amerikë, na krijohën mundësi të pafundëme të çlodhemi në mënyrë të kulturuar, duke marrë pjesë aktive në shumë veprimtari që organizon komuniteti i shqiptarëve në Detroit dhe jo vetëm”. Ai ka mbajtur fjalen e rastit ne mbledhje te  Festes te Flamurit 28 Nendorit te organizuar nga  Televizioni Shqiptar i Michiganit para se Kosova te shpallej shtet i pavarur e ai e parashikoi dhe theksoi shume në fjalen e tij kete prespektve të Kosovës, është pjesëmarrës në emisione të ndryshme në tv. dhe radio, veprimtari të ndryshme kulturore e artistike, është pjesëmarrës në takime me personalitete të shquara nga Shqipëria dhe diaspora,si me shkrimtarin Ismail Kadare Dritero Agolli ,ish Presidentin Bamir Topi,me ish kryeparlamentarin Zotin Pjeter Arbnori e persnalitete te ndryshme qe vizitjne diasporen Shqiptare ne shtetin e Michiganit,Perfaqesues e personalitete te shtetit te Ksoves etj.  

Symir Gorani, si një veprimtar shoqeror i spikatur, e vlerëson dhe është i përkushtuar midis shqiptarëve, për ndihmë të njeri tjetrit, në bashkimin dhe organizimin e shqiptarëve në Amerikë për arritje sa më të mëdha duke bërë një emer të mirë midis komuniteteve të tjera. “Si objektiv strategjik, kemi organizimin dhe funksionimin e Kongresit të Lidhjes te Intelektuaeve Shqiptaro Amerikane jo vetëm në Michigan por në gjithë Amerikën, në shërbim të shqiptarëve në Amerikë dhe Shqipëri” e përmbledh ligjërimin inxhinier Symiri për këtë temë. ,

Jeta dhe veprimtaria në Shqipëri, e inxhinier Symir Goranit është e njohur që në gjimnazin “Themistokli Germenji” Korcë, i veçuar si modeli më i mirë nga brezi i tij studentor në Fakultetin e Pyjeve. Ai ka mbaruar studimet universitare me rezultate mjaft të mira, i përfshirë në veprimtari të kërkimit shkencor dhe drejtues rrethit shkencor të studenteve, anatar i Katedrës përpunim drurit, si gazetar e veprimtar i rinisë, etj. Prej viteve në gjimnaz  dhe deri sot që jeton në, USA, ka shkruar më qindra artikuj me tema të ndryshme të botura në gazetat: Zeri i Rinisë, Studenti i Bujqësisë, Përpara, Zeri i Popullit, Korça demokrtaike, Rilindja demokratike, Shekulli, Koha jonë, tek gazetat që botohen në Michigan dhe më gjërë në Amerikë, si: Iliria, Kuvendi, Gazeta shqiptare, etj. Ai falë këtij pasioni për gazetarinë si një mënyrë e të komunikuarit dhe edukimit masiv vazhdon të shkruaj dhe të koleksionojë përsëri. 



Ai ndjek dhe lexon shkrimet nga Shqipëria që lidhën me pyjet dhe mjedisin në shqiptar, lexon rregullisht dhe gazetën Kurora e Gjelbër. Ndjehet i shqetësuar dhe reagon në rrjetet sociale, në komunikimet me ne kolgët për gjendjen e keqe të pyjeve dhe mungesën e organizimit të një industrie të përpunimit të drurit bashkohore. 

Puna e inxhinier Symirit, në Ndërmarrjen e perpunim drurit, Korçë ka zgjatur për 24 vite duke filluar si inxhinier prodhimi, ka vazhduar si inxhinier projektimi në byronë teknologjike, është bërë kryeinxhinier dhe në fund si drejtor i asaj ndermarrje. Në këto vite ai ka realizuar me shumë se 100 projekte të mobiljeve me vlera dhe cilësi të ndryshme estetitke dhe përdorimi. Mobiljet janë ekspozuar dhe vlerësuar në mjaft ekspozitat vendore, kombëtare dhe jashtë vendit. Emri i Symir Goranit, ka qënë i përfshirë për shumë vite, në grupet e larta studimore të Ministrisë Industrisë dhe Minierave, për të realizuar projekte të rëndësishme të industrisë drurit duke kontribuar përsedrejti në instalimin e linjave dhe teknologjive të reja si: në Kombinatin e përpunim drurit “Misto Mame” në Tiranë, Kombinatin e drurit “Nako Spiru” Elbasan, në Ndërmarrjen e përpunim drurit, Pogradec dhe disa ndërmarrje të tjera të mobiljeve në Shqipëri. 

Ketë përvojë profesionale, ai pati mundesi ta ndante dhe si mësimdhënës në shkollë profesionale të prdhimit të mobiljeve në peridhen 1999-2001, pra ai nuk la në atdhe’ vetem ato kontribute të spikatuar me punën e tij por dhe njerëz të mësuar prej tij, që sot janë bërë specialistë me emer në mobileri. Korça, nënvizon inxhinier Symiri- Është qyteti, ku gërshetohet në mënyrën më origjinale tradita e kulturës së lashtë të punimit, të drurit, gurit, hekurit nga periudhat e hershme dhe deri në traditën e sotme modern”. Për punimet në dru padyshim ka një meritë në pasurimin e traditës sotme dhe inxhinier Symir Gorani, me mobiljet e projektet dhe të realizuara prej tij në Korçë dhe jo vetem.

Për inxhinierin shqiptar- amerikan, Symir Gorani, u tha diçka shkurt, nga sa gjatë meriton dhe mund të shkruhet për të. Jeta e tij vazhdon, ai çdo ditë i shton librit të jetës nga një faqe të shkruar mirë, me punën dhe kontributin profesional dhe shoqëror që jep në USA por gjithnjë me mendje dhe veshtrim nga Shqipëria.  
Urimevet të mia  në këtë datëlindje, për një jetë të lumtur dhe të gjatë midis njerëzeve të dashur, gjithnjë i qeshur, me pasione që të mos shuhen kurrë dhe aktiv në komunitetin ku punon e jeton, u bashkohen të gjithë ata që të kanë njohur, studiuar, bashkëpunuar në vite me Ju Symir Gorani. Puna dhe kontributi yt na bën të ndjehemi krenar si kolegë specialistë që u formuam në Fakultetin e Pyjeve dhe ju qe tashme jeni nje qytetar i me dinjitet ne USA. 

Disa data të rëndesishme nga jeta dhe veprimtaria e Symir Gorani.
-       Ka lindur me 19 korrik 1952 në një familje qytetare korçare.
-       Në vitin 1970 ka kryer gjimnazin “Themistokli Germenji” në Korçë
-       Në vitin 1976, kryen studimet ne Fakultetin e Pyjeve Tiranë, diplomohet “Inxhinier përpunim druri” . Po atë vit fillon punë  në Ndërmarrjen e perpunim drurit, Korcë ; ku punon deri në vitin 2000.
-       Në qershor të vitit 1980 martohet me Lidën dhe  kanë dy vajza ; Yllka dhe Besa, tashmë dhe ato kanë krijuar familjet e tyre në USA.
-       Në janar 2001, fiton llotarinë amerikane dhe transferohet në Amerikë,  ku jeton dhe punon.


        Korrik, 2020