Saturday, 28 May 2022

BUJQЁSIA SHQIPTARE ME BAZЁ MATERIALE MODERNE, PЁRDORIMI I SAJ ENDE ME MENDЁSI TЁ VJETRA

Mendoj se nё kёtё moment tё zhvillimit tё bujqёsisё, nevojitet ky  studim i integruar pёr ta lehtёsuar udhёtimin e sigurtё drejtё njё bujqёsie me Ekonomi dhe Ekologji nё barazpeshё.

Lugina e Drinos, Gjirokastër (foto nga R. Kola) 

nga: Prof. As. Dr.  Enver ISUFI 

Agronom nё Mbrojtjen e Bimёve 

dhe Bujqёsinё Biologjike

Durrës

Enver ISUFI

1. Pikat e forta tё bujqёsisё tonё pёr momentin

Bujqёsia jonё dhjetё vitet e fundit ka bёrё progres tё shpejtё nё disa drejtime.

- Baza meteriale  si plehrat, produkte tё mbrojtjes sё bimёve, impjante ujitje, serra moderne, fabrika vaji dhe kantina vere, baxho dhe thertore  moderne, makineri tё reja, kultivarё tё rinj nё perime, fruta, ullishta dhe vreshta. Nё agroturizёm janё krijuar qendra agroturistike, pa asnjё dallim nga vendet e zhvilluara europiane. Supёrmarkatet tona tё tregut tё inputeve, nuk dallohen nga ato tё vendeve tё tjera tё zhvilluara;  si nga llojёshmёria e produkteve, ashtu dhe nga pamja fizike e tyre si mjedise shitjeje.

- Edhe vetё specialistёt dhe fermerёt, nuk lёvizin nё kёmbё e me gomarё, por me logjistikё tё kohёs. Deri dje ishte e pa imagjinueshme qё çdo fermerё tё ketё nё duar celular, me tё cilin komunikon me tё gjithё. Fermeri, tregtari, specialisti, japin  e marin informacion nё njё kohё kaq tё shpejtё.

- Pёrmirёsimi çdo vit i infrastrukturёs sё ujitjes dhe kullimit, po jep ndikimet e veta pozitive nё prodhimin dhe tregtimin e produkteve bujqёsorё.

- Qendrat e grumbullimit, standartizimit dhe etiketimit  tё produkteve bujqёsore kanё pёrmirёsuar infrastrukturёn e marketingut.

- Eksporti i   perimeve , bimёve mjeksore, vajit tё ullirit nё shumё vende tё rajonit  tё Ballkanit dhe tё Europёs , u kanё dhёnё  njё emёr tё mirё produkteve bujqёsore  «Made in Albania». Tё gjitha kёto na gёzojnё dhe na japin shpresa pёr zhvillime mё tё mira  nё tё ardhmen.

   

2. Pikat e dobёta pёr momentin

- Shqetёsimi  qё vazhdon tё ndihet ёshtё fakti se, ndёrsa baza materiale e bujqёsisё ka bёrё progres, pёrdoruesit e kёsaj baze materiale si fermerёt, blegtorёt dhe ekspertёt e tyre, punojnё me koncepte tё bujqёsisё sё vjetёr. Pra nёse  baza materiale nё bujqёsi  ja ngjanё celularit  dhe kompjutёrit, mendёsia e pёrdorimit tё saj ja ngjanё «telefonit fiks». Kjo ёshtё njё kontraditё e madhe, njё hapёsirё  qё  me kohё duhet ngushtuar. Kompliciteti i bujqёsisё tonё, ka rritur vёshtirёsitё e menaxhimit tё saj.

- Tё fillojmё   mё konkretisht me mangёsitё nё menaxhimin e kultivarёt e rinj  nё tё gjitha bimёt bujqёsore.

Ka shumё kultivarё prodhimi nё fushat e prodhimit bujqёsor, tё cilёt kanё  gjallёruar shumё alternativat e prodhimit. Mbillen kultivarё modernё nё perime, bimё arash, vreshta, ullishte, agrume, kultivarё  kёto, tё cilёt  sot  mbillen nё  bujqёsinё  e zhvilluar europiane. Janё pikёrsiht kёto kultivarё, ku secili ka  cilёsitё e vete, dhe se sjellja ndaj tyre kёrkon njohuri shumё profesionale si nё tё ushqyerit, nё mbrojtjen nga parazitёt, nё vjelje, e madje deri nё ruajtje nё mjediset ftohёse  dhe nё  pёrpunim. Ekspertiza bujqёsore sillet gati njёlloj, pa marё parasysh cilёsitё e tyre  biologjike dhe teknologjike.

- Sot nё tregun tonё tё bazёs materiale (inputeve) gjenё njё llojshmёri tё gjerё plehrash dhe mikroplehrash, por njohuritё nё pёrdorimin e tyre profesional, janё shumё sipёrfaqёsore. Njё gjeneratё e re plehёrimi, rregullatorё rritje, harmonizues tё  faktorёve jo organikё dhe organikё nё tokё, plehra  me shumё funksione mbi bimёn e tokёn dhe mikroorganizmat, por kjo gjeneratё nuk njihet  me tё gjitha cilёsitё e saj agronomike dhe mjedisore.

Demonstrimi mё i qartё pёr kёtё ёshtё fakti i pa dёshirueshёm, se   ndoshta vetёm 1 % e fermerёve kryejnё analizat e tokёs pёr strukturёn dhe rezervёn e saj ushqyese me elementёt bazё (NPK) dhe me elementёt e vegjёl  (mikroelementёt). Pak informacion ka mbi  vlerat e reaksionit tё tokёs (PH), aftёsitё ujёmbajtёse,  ngarkesёn  e tokёs me kripёra etj. Plehrat komplekse pёrdoren pa kriter. Psh. njё pleh mё raportёt NPK  17/17/17 pёrdoret qysh nё fillim tё periudhёs bimore nё mollё ose ullishte, kur   nevojat pёr Potas (K) kёto bimё i  kanё javё mё vonё.

Njeriu nuk mer asnjё Paracetamol pa matur temperaturёn e trupit, si hidhen me dhjetra ton inpute nё tokё dhe mbi bimё  pa bёrё analiza  as nё tokё e as nё gjethet ose nё  lёngun e bimёve !?

Njeriu nuk i hedh kripё gjellёs pa e provuar atё mё parё se sa nevojё ka gjella pёr shtesё kripe. Kaq e thjeshtё ёshtё.

- Trajtohen  me insekticide dhe fungicide, miliona hektare tokё nga parazitёt (sepse njё parcelё trajtohet disa herё brenda vitit ), pa vizituar tokёn dhe bimёt pёr ngarkesёn nga parazitёt.

Tre mjekё veprojnё nё botё: Mjeku  human i njerzёve, mjeku veterinar i kafshёve, mjeku i bimёve, agronomi i mbrojtjes sё bimёve. Dietalogu i kafshёve «zootenniku» dhe dietologu i tokёs dhe bimёve»eksperti i tё ushqyerit tё bimёve, pothuajne nuk janё tё  pranishёm nё bujqёsinё dhe blegtorinё shqiptare.

Kjo bёhet mirё vetёm nё komplekset e pularive pёr prodhim vezёsh.Kёtu ekspertёt janё ndёrgjegjёsuar se njё mikroelement tё mungojё nё recetёn e ushqimit tё pulave, ajo pasqyrohet direkt nё sasinё e vezёve tё prodhuara nga pulat. Kjo  metodё tё ushqyeri me receta, nuk zbatohet nё tё ushqyerit e lopёve, deleve, dhive.

- Mangёsi tjetёr e madhe ёshtё mospёrdorimi i ngjarjeve tё klimёs  nё drejtimin e praktikave bujqёsore.

Bujqёsia  ka veçoritё e saja. Fushat dhe plantacionet  nuk futet as nё stallё, as nё spital. Ndonёse vitet e fundit janё instaluar shumё stacione moderne elektronike moti, fare pak prej tyre janё nё gjendje pune. Ato qё janё nё gjendje pune nuk pёrdoren pёr tё drejtuar teknikat e prodhimit.Tё dhёnat e atyre  stacioneve  qё janё tё sakta qё shpёrndahen nёpёrmjet buletineve tё motit, nuk pёrdoren si tё dhёna tё dobishme.

Po sjellё shembuj nga mbrojtja e bimёve.

Vitet e fundit janё instaluar stacione elektronike moti, me qellimin e modernizimit tё sistemit tё prognozё-sinjalizimit nё mbrojtjen e bimёve. Shumica e kёtyre stacioneve ose nuk funksionojnё, ose nuk pёrdoren pёr qellimin  pёr tё cilat ata janё instaluar.

Asnjё  stacion  nuk funksionon, (pёrveç njёrit nё Korçё) i cili ka filluar tё pёrdorё stacionet e motit tё kombinuara me programet e prognozё-sinjalizimit tё sёmundjeve kryesore nё mollё (pёr kromёn dhe pёr krimbin). Nё Korçё po fillon  nё disa ferma, analiza e tokave dhe ato tё bimёs pёr tё realizuar njё plehёrim tё drejtuar tё bimёs sё mollёs. Nё zonёn e Korçёs, vёtёm mungesa e kalciumit  nё disa kultivarё molle, ka sjellё dёmtime tё mёdha nё frutave tё mollёs (sёmundja fiziologjike «Biter Pit»). Nga tё ushqyerit profesional tё bimёs sё mollёs, shpesh varet qёndrueshmёria e frutave nё  frigoriferёt  e ruajtjes.

Ёshtё e pa pranueshme qё tё gjitha strukturat, qё nga Universiteti, Ministria e Bujqёsisё me institucionet e saj si QTTB-tё, AREB, (Agjensitё Rajonale e Ekstensionit Bujqёsor),  SEB (Sektorёt e Ekstensionit Bujqёsor), Bashkitё e mёdha dhe Njesitё Administraitve,   nuk e kanё ende nё fokus «Dexhitalizimin e Praktikave Bujqёsore»

Kёto institucione  tё rrjetit tё bujqёsisё, nuk punojnё nё mёnyrё tё integruar me njёra tjetrёn. Nuk kanё tё pёrshkruara mirё punёt qё duhet tё kryejnё, ose nёse i kanё  pёrshkruar detyrat, nuk i pёrmbahen pёrshkrimit tё punёve qё u kёrkohet. Ka mungesa stafesh, mungesa  infrastrukture dhe logjistike.

- Stacione  e motit nuk ka pёrsonel qё ti menaxhojё ato. Drejtorёt e katёr agjensive  AREB nuk e dinё  se ku i kanё  stacionet elektronike tё motit  nё teritorin e tyre dhe cili i menaxhon ato, pa pёrmenduar  se sa i pёrdorin ato nё ndihmё tё njё bujqёsie moderne dhe mjedisore.

Shqipёria ёshtё ndёr vendet mё tё dexhitalizuara nё Europё, por  kjo ndodh nё studiot televizive  dhe nё disa shёrbime tё tjera, por ende  jo nё parcelat e prodhimit bujqёsor, ende jo nё stallat  dhe  stanet e bagёtive

Pa kёto teknologji tё reja, nuk do tё jemi nё gjendje tё prodhojmё produkte me cilёsi tё larta.

Sot me cilёsi tё lartё nuk nёnkoptohet vetёm pamja e produkteve, por mbi tё gjitha pёrmbajtja e tyre. Ngarkesa e produkteve me   mbetjeve kimike, duhet tё jetё nё ato kufij qё i pranon standardi i tregut vendas dhe ai  eksportit, ndryshe fermeri  do tё ndodhet para rreziqeve tё  mos shitjes sё produkteve. Pa njohuri tё thella nё pёrdorimin e kёsaj baze materiale gjithnjё e mё moderne, nuk do tё jemi nё gjendje tё mbrojmё mjedisin tonё nga mbetjet kimike. Jemi ende nё kohё tё parandalojmё rreziqet mё tё mёdha qё mund tё na vijnё nё tё ardhmen.

Bujqёsia jonё, vёrtetё ka rritur shumё investimet, por nё periudhё e tranzicionit shqiptarёt morёn njё mёsim tё madh. Ndonёse bёnё investime tё mёdha pёr rindёrtimin e Shqipёrisё, ky rindёrtim ёshtё realizuar me  kaq gabime, kaq spontan, me kaq agresivitet, saqё gjithё ato ndёrtime tё bukura nuk po i shijojmё, sepse janё ndёrtuar pa programe urbanistike. Praktikat ndёrto e prish kanё rritur koston e ndёrimit  nё kёto 30 vitet e fundit. Kjo mungesё profesionalizmi dёmtoi rёndё trupin fizik tё Shqipёrisё.

Unё nё kёtё shkrim dua tё theksoj  pikrisht kёtё, qё tё shmangim nё bujqёsi gabimet qё na ndodhёn  nё urbanizimin e vendit. Teknologjia e prodhimit bujqёsor nuk mund tё  zhvillohet si njё qytet pa vija tё bardha, pa semaforё, pa rregulla shpejtёsie  tё mjeteve, pa tabela e pa shigjeta.

Njё argument tjetёr: Bujqёsia e çertifikuar me standartet Bio dhe Global GAP (Praktika  tё Mira Bujqёsore) zё  vetёm rreth 1 %  tё sipёrfaqes sё   pёrgjithёshme sipёrfaqes. Kjo konsiderohet njё shifёr e vogёl. Bujqёsia e standartizuar ёshtё bujqёsia e çertifkuar. Njё produkt i pa analizuar, ёshtё si njё ndёrtesё e pa legalizuar.

3. Shancet e mёdha para bujqёsisё tonё

- Opinioni pozitiv i konsumatoreve vendas dhe tё huaj: Bujqёsia shqiptare e ka fituar  me kohё opinionin e mirё mbi cilёsitё e produkteve bujqёsore. Fatmirёsisht ky opinon vazhdon tё jetojё edhe nё bujqёsinё e re tё privatizuar. Bujqёsia jonё deri tani e ka kaluar stekёn e cilёsisё. Ky opinion ёshtё njё shanc i ri pёr zhvillimin e bujqёsisё shqiptare.

– Shumёfishimi i vizitorёve nga e gjithё bota, tё cilёt vijnё nё Shqipёri ёshtё dhe do jetё njё shanc nё rritje pёr bujqёsinё shqiptare. Nuk ka  shumё vende nё botё qё numri i vizitorёve si turistё, tё jetё mё shumё se sa  dyfishi e popullsisё vendase. Kjo ka ndodhur nё Shqipёri. Me shtimin e kapaciteteve tё aeroporteve shqiptare, shancet e bujqёsisё do tё shtohen. Shqipёria pritet tё kthehet njё destinacion akoma mё tёrheqёs sё sa sot. Ky ёshtё pra njё tjetёr shanc qё vjen jasht bujqёsisё.

– Eksporti do tё jetё njё shanc tjetёr pёr zhvillimin e bujqёsisё shqiptare.

Nёse bujqёsia jonё do tё ruaj parametrat e cilёsisё, eksporti jonё nuk do tё ketё kufi.

- Njё shanc tjetёr do tё jetё rritja e standarteve europiane. Sa mё shumё Shqipёria i afrohet integrimit real europian, aq mё shumё do tё rritet standarti cilёsisё, dhe kjo do jetё indirekt edhe  njё shanc mё tepёr pёr eksportin e produkteve bujqёsore.

– Njё shanc jo i vogёl do tё jetё ngritja e nivelit tё konsumatorit, i cili gjithnjё e mё tepёr do ti drejtohet produkteve tё standartizuara dhe me cilёsi. Kёrkesat ndaj mjedisit nga Shqipёra dhe Europa do tё reflektohen edhe nё pёrmirёsimin e cilёsisё edhe tё produkteve bujqёsore.

- Krizat botёrore tё tanishme dhe tё tjerat qё parashikohen nё tё ardhmen, janё njё sinjal qё bujqёsia  jonё do tё pёrballojё vetё krizat ushqimore, dhe pёr pasojё do tё rritet roli i prodhimit vendas, kjo do ti japё mё shumё shance bujqёsisё pёr zhvillim. Popullsia po e shikon se thёnia e pёrsёritur shpesh «I blemё nga jasht produktet, sepse prodhohen mё lirё», nuk ёshtё e saktё. Nё periudha krizash,  vёrtetё ka prodhime, por çmimet e larta  rёndojnё direkt mbi ekonominё familiare dhe atё kombёtare.

- Njё tjetёr shanc i ri  ёshtё integrimi mё i ngushtё ballkanik  nё fushёn e qarkullimit tё mallrave. Pjesa mesdhetare e Shqipёrisё ,vetёm tregun e Ballkanit kontinental e  ka boll, madje nuk e pёrballon  dot. Perimet tona dalin nё treg mё  heret se sa ato tё Ballkanit kontinental.

4. Cilat mund tё jenё rreziqet pёr dёshtim?

Konkurenca e pa ndershme, korupsioni, largimi i rinisё nga bujqёsia, ulja e cilёsisё  sё produkteve nga njё kimizim jo professional, vonesat nё rritjen pёrqindjes  sё investimeve tё bujqёsisё ndaj  e GDP-sё, vonesat  nё financimin e shkencёs bujqёsore, nё modernizimin e shёrbimit kёshillimor, mund tё   janё faktorё, tё cilёt  mund tё na  kёrcёnojnё perspektivёn e zhvillimit tё bujqёsisё shqipare nё dekadёn qё po vjen.

5. Si mund tё shmangen mangёsitё dhe  dёshtimet e mundёshme?

- Le ta fillohet me njё studim  i cili do tё na qartёsoi se ku jemi me kёto probleme qё ngritёm nё kёtё shkrim. Çfar ёshtё bёrё mirё nga ana strukturore dhe nga ana ligjore dhe çfar duhet tё ndreqet. Guximi pёr tё ndrequr gabimet, nuk ёshtё dobёsi, por kurajo pёr ndryshim. ”Nuk ёshtё qeveri e dobёt ajo qё gabon, qeverisje  e dobёt  dhe e keqe ёshtё ajo qё nuk korigjon”

- Studimi tё pёrcaktojё se  çfar pёrqindje zёnё sot  sistemet e bujqёsisё konvencionale, tё integruar dhe bujqёsia biologjike. Ku ёshtё niveli i zbatimit tё standarteve tё cilёsisё dhe sigurisё ushqimore.

- Cili ёshtё niveli dhe informacionet qё kanё fermerёt rreth teknikave tё prodhimit bujqёsor, dhe cilat janё burimet e kёtij informacioni.

- Studimi mbi gjendjen e institucione tona shkencore tё nivelit tё dytё, ato qё do quheshin Institute Shkencore tё Ministrisё sё Bujqёsisё. Çfar  produktesh  shkencore dhe kёshilluese  prodhojnё ato, çfar nevojash kanё, çfar problemesh zgjidhin, sa buxhet kanё ato, a ka njё  ligj pёr shkencёn, cilёsia  dhe mosha  profesionale e stafeve shkencore etj.

- Studimi mbi funksionimin e AREB-ve, SEB-ve, stafet e politikave bujqёsore pranё bashkive tё mёdha.Gjendja e pyjeve  dhe sjellja  ndaj tyre e  pushtetve  vendore etj.

- Cilat janё forumet e debatit shkencore dhe ekonomike nё fushёn e bujqёsisё.

- Si organizohen analizat e punёs  nё  nivelet e pushtetit vendorё, rajonale, kombёtare.

- A zhvillohen simpoziume, analiza vjetore pёr bimёt kryesore, konferenca kombёtare.

- Cilat janё organet botuese  (gazeta revista webseite), qё funksionojnё  nё mbёshtetje tё shkencёs bujqёsore dhe shёrbimit kёshillimor.

- Si lidhen veprimtaritё e institucioneve shtetёrore me organizat jo qeveritare, tё cilёt veprojnё nё fushёn e bujqёsisё, mjedisit, pyjeve, agroturizёm.

- Cila ёshtё  pesha e medjas nё prodhimin bujqёsorё dhe nё qytetёrimin e fshatit e tj.

Pra studime tё tilla e kompaktёsojnё situatёn dhe lehtёsojnё funksionimin e integruar tё institucioneve  tё tyre nё funksion tё bujqёsisё dhe mjedisit dhe qytetёrimit tё fshatit.

Mendoj se  nё kёtё moment tё zhvillimit tё bujqёsisё ,nevojitet ky  studim i integruar pёr ta lehtёsuar udhёtimin e sigurtё drejtё njё bujqёsie me Ekonomi dhe Ekologji  nё barazpeshё.

Kjo realizohet duke kaluar nga drejtimi i tipit “fast food”, ( diskutimet  ashtu nё kёmbё ,  shpejt e shpejt), nё  drejtimin  e tipit “Slow food”,  ( me diskutime  tё gjata dhe analiza tё thella. )

“Slow food” dhe” Fast food”, nuk ёshtё thjeshtё gastronomi.

Nё menaxhim  “Slow Food” dhe “Fast food”  koncept , janё  dy filozofi 

xxxxxxxxxxxxxxxxxxxxxxxxxxxxxxxxxxxxxxxxxxxxxxxxxxxxxxxxxxxxxxxxxxxxxxxxxxxxxxxxxxx

Friday, 27 May 2022

… SKËNDER XHIKU, NJË SHKENCËTAR I MADH I TOKËS DHE PRODHIMEVE TË SAJ…


Skënder XHIKU
(1928 - 2011)
Prof. Dr. Skënder Xhiku u lind më 16 janar 1928 në Gjirokastër në një familje patriotike dhe vdiq më 28 Mars 2011 në Tiranë. Shkollën e mesme e përfundoi në gjimnazin e Gjirokastrës, ndërsa studimet e larta i kryeu në fakultetin e agronomisë në Budapest, Hungari. 

 

Nga viti 1951-1957 punoi si kryeagronom në NB Kuçovë dhe NB Sukth. Në vitin 1957 deri në 1961 ishte pedagog dhe dekan i Fakultetit të Agronomisë në Institutin e Lartë Bujqësor (sot, Universiteti Bujqësor i Tiranës). Prej vitit 1961 deri më 1966 punon në Ambasadën shqiptare në Romë, Itali, i ngarkuar me problemet e bujqësisë. Në vitin 1966 kthehet në atdhe dhe punon si përgjegjes i Katedrës së Bujqësisë së Përgjithshme dhe si Dekan i Fakultetit të Agronomisë. 

 

Në maj 1981 u akuzua për mungesë vigjilence dhe pikpamje armiqësore në bujqësinë socialiste. Shkarkohet nga detyrat e sipërpërmendura dhe emërohet si agronom në kooperativën bujqësore të Zall-Bastarit, ku punoi deri në pension. Gjatë periudhës së punës se tij si dekan, Fakulteti i Agronomisë shënoi disa arritje. Kështu, u vijëzuan dhe strukturuan hap pas hapi elementet e drejtimit dhe të organizimit të punës mësimore-shkencore dhe u modeluan karakteristikat e specialistëve të ardhshëm. 

 

Në këtë kohë u hapën dhe u promovuan me sukses degë të reja specializimi, si p.sh. dega e Perimtarisë, Pemtarisë dhe e Mbrotjes së bimëve. Rëndësi të veçante merr edhe kualifikimi shkencor i pedagogëve. Përmirësimi i nivelit shkencor të tyre solli si rrjedhojë në mënyre të natyrshme edhe rritjen e cilësisë së punës mësimore. Si pedagog dhe themelues i Katedrës së Bujqësisë së Përgjithshme ai përgatiti breza të tërë agronomësh duke kontribuar në formimin e gjithanshëm të tyre. 

 

Hulumtimet, kërkimet dhe puna e tij si agronom u përqëndruan në lidhjen e përgjithësimin e njohurive për tokën me teknikat e kultivimit dhe rritjen e rendimenteve të kulturave bujqësore. Për rreth 10 vjet ai punoi intensivisht për qarkullimet bujqësore. Skema të ndryshme qarkullimi u rekomanduan dhe zbatuan në disa ekonomi bujqësore atë kohë dhe janë bazë edhe për kohën e sotme. 

 

Dr. Xhiku zotëronte gjuhët hungarisht, italisht, frëngjisht dhe rusisht. Veprën e tij e vijojnë me qindra agronomë shqiptarë që punojnë mbarë Shqipërisë si edhe në vende të ndryshme të botës. Skënder Xhiku mban titullin Profesor (1995), Doktor i shkencave agronomike (1992) dhe Docent (1970). 

 

Për veprimtari të shquar si pedagog, shkencëtar dhe drejtues në fushën e arsimit të lartë bujqësor është dekoruar me Urdhrin "Naim Frashëri" i Klasit të II (1971) dhe Urdhrin "Naim Frashëri" i Artë (2001). Prof. Xhiku ka udhehequr 68 diploma studentësh dhe disertacione për shkallën e parë të kualifikimit. Nën drejtimin dhe me pjesmarrjen e tij janë kryer disa studime të emërtesës së qeverisë, dikasterit etj..

 

Ai ka mbajtur disa referate e kumtesa shkencore në aktivitete kombëtare, e ndërkombëtare. Ka botuar 5 tekste mësimore për shkollat e larta, 4 monografi, 21 artikuj shkencore e 114 artikuj problematike.

 

 Disa prej tyre janë: 

      Tekste e monografi 1966 

      Bujqësia e përgjithshme. Tiranë, 320 faqe (S. Xhiku) 1979 

      Bujqësia e përgjithshme. Tiranë, 384 faqe (S. Xhiku, S. Hysi, A. Deljallisi) 1971 

      Ujitja e bimëve bujqësore. Tiranë, 45 faqe (S. Xhiku) 1971 

      Manual mbi përdorimin e herbicideve. Tiranë, 116 faqe (S. Xhiku, E. Konomi) 1972 

      Sistemi i tokave bujqësore. Tiranë, 110 faqe (S. Xhiku) 1973 

 

      Renditja e kulturave bujqësore: studime e konsiderata. Tiranë, 130 faqe (S. Xhiku, J. Thanati) 1973 

      Mbi disa probleme organizative dhe ekonomike të ekonomive bujqësore. Tiranë, 98 faqe (S. Xhiku, A. Kallapolli) 1975 

      Manual i bujqësisë së përgjithshme. Tiranë, 141 faqe (S. Xhiku) 1977 

      Praktikumi i Bujqësisë së përgjithshme. Tiranë, 187 faqe (S. Xhiku, A. Deljallisi) 1980 

      Problemet teorike dhe praktike të ndërtimit dhe përvetësimit të qarkullimeve bujqësore. Tiranë, 415 faqe (S. Xhiku)

 

 

Nga facebook, Kronika Gjirokastër. 

 





Monday, 23 May 2022

BUTRINTI I ENEAS DHE SEULI ME NGAZELLIM KLOROFILE


Meditim                       

                nga: Dr. Selman MËZIU

Firence, Itali  

               Kërkoi të hedh urat e dijes me thjeshtësinë e ëmbëlsinë e fjalës. Dua të lidh ura miqësie, dëshirash, kohërash, breznish. Kërkoi që protagonistët e këtij shkrimi t’i adhuroi jo vetem unë. Kërkoi që kohën t’a lidh me fije qelizash klorofiliane. Kërkoi që Butrinti i Eneas të përqafoi ideta e Kongresit të XV në Seul dhe të ngjitem deri në majë malet kreshnike të Thethit. Kërkoi dhe dua të zbuloi çfare shkruhet ne Librin e arkeologut Luigji M. Ugolini, ‘’Shqipëria Antike.,, Edhe çfarë shkruan hollandezi H. Heckman  në librin ‘’Bujtina me Patkua.,, Por edhe çfarë ka ‘’skalitur me ‘’daltën e shpirtit,, Pylltari Kristo Kauri te ‘’Magjia e natyrës.,,  Si buçiti zëri i djaloshit pylltar në foltoren e komgresit të  XV, të pyjeve, Petrit Imeraj. E po bluaj me vete të gjitha këto për të vënë në punë ‘’fotosintezën,, në trurin tim që edhe unë të mund të ngrej obelisket e gjelbërt, që rrezet si ylbera të dijes e pasionit të tyre të na shërbejn neve të ‘’pa gdhendurëve,, se si funksionojn ‘’turbinat,, e gjelbërta.

   Kërkon të shëroi kohën. Deshiron ti rrëmbejë asaj më të qënsishmen, më të dobishmen. Ndaj punon, shkruan, lexon, konkretizon. E dashuron shum njeriun e gjallë, vepruesin në çdo kohë. Mendimi i tij ka peshë se ai, Kristua i magjisë së gjelbërt është inxhinier pyjesh që kërkon, zbulon, krijon në hojet e diturisë së profesionit. Shkruajti për një projekt për Butrintin, ku natyra dhe antikiteti e Eneas janë ngjizur në kohë e hapsirë. Klorofila dhe muret e qytetërimeve, arti pellazg, ai romak, bizantin, venecian, jetojn sëbashku në qindra vjeçarët.  Kuvendojn, tregojn, por kërkojn edhe ndihmë dhe ja ajo arrin me trenin shigjeta e gjelbërt të arkitektit me shpirt pigment klorofilian:

    ‘’Me një material prej tetë faqesh, studimi mjedisor (përmbledhje S.M.), që m’u deshën mbi dy vjet që t’a realizoj, se duhet të komunikosh me mjedisin dhe natyrën.  Sigurisht unë si ekspert jap mendime konkrete, për përmirësimin e mjediseve të tjetërsuara nga veprimtaria shkatërruese e njeriut, rehabilitimin e 250 ha pyjeve, rehabilitimin e peisazheve të dëmtuara nga prerjet, nga djegjet, erozioni, jap mendime për rreziqet dhe kanosjet që sjellin ndertimet dhe fshatrat turistike, mendime dhe analiza për ndotjen serioze të detit, liqenit, zhdukjen e livadheve të Posedonës, (livadhe nën ujore 2-28 metra thellësi. K.K.) ndikimi shkatërrues nga presioni i njerëzve,  presioni i biznesit etj.,,  Ndërsa ai mediton.  Krijon vlera për sotë dhe për nesër. Përpiqet të mbrojë atë qa ka rrënjëzuar thellë në shpirtin e tij prej më se gjysëm shekulli. Me atë që Kristua ka kaluar jetën duke i dashuruar deri në amshim.

   Ansambli natyrë, ndërtime, afereske, skulptura, gëdhendje, kulla, kuvendojn,  dhe vetë janë ciceronët më të fuqishëm. Ato duan qetësinë, ato duan dijen e shpirtin nektar dijesh e të prakticienit të arkitekturës së gjelbert. 

  Mirë por dikush nga lart kërkon t’a përvetësoi, të kullufisë fitimet. Kërkon të ngrej krimin mbi arkitekturat e mureve të artit të gdhendjes dhe tërë gjallesave madhështore të së gjelbërtës. Sepse është paraja, ështe mendje madhësia e njëshit, janë fitimet kolosale në xhepat e oligarkëve të Tiranës. Kthetrat e gjakosura i duan t’i fusin thellë në mishin e gjakun e  Butrintit. Në limfën  e saj që ka mrekulluar shekujt. Trashgimisë kulturore më madhështore. Ndërsa arkeologu Luigji M. Ugolini  zbuloi qytetërimin e lashtë të ndërtuar nga Enea i ardhur nga Troja Pellazge. Mbolli edhe rrapet e tij si dëshmi e kultures së lart  në arkeologji e natyrë.  Befasisht sot duan t’a japin me qira. Atyre që nuk dinë se çfarë fshihet në historinë e tijë, mijëra vjeçare. Sepse ato nuk janë rrjedhje e limfës së jetës së Butrintit. Mundi me laps, penë, llogaritje e projekte, pa gjumësi, sakrefica të panumurta, duan me i shumëzue me zero. Krimi i pa përfytyrueshëm në kulturën e lasht, me natyrën e magjishme. Sjellje mafiozësh e kriminelësh më një pasuri mbarë shqiptare  në hullinë e mijëra vjeçarëve. Ku ta gjejë ilaçin e shërimit mrekullia e  kohërave?

   Kërkon të hedh hapat me ritmin e kohës. Kërkon të zbuloi e të dëgjoi tik taket e zanave në natyrën e alpeve.  Bashkë me ato udhëton për në kongresin e XV të pylltarisë në Seul të Koresë. Ato vetë e kanë merituar me gjerdanin e gjelbërt të historisë së pyllëzimeve  duke zbukuruar vendin e prodhuar oksigjen, dru dhe mjedise për turizëm. Ndërsa inxhinieri ynë e meriton, se ka shkathtësinë, diturinë, zgjuarsinë, mënyrën elegantë të komunikimit. Shteti ynë, ah ai nuk bëzan, ai ka mbjellur heshtjen e zezë, pylltarinë e ka futur në jetimore.  Kurse inxhinier Petrit Imeraj e sfidoi atë. E theu perden e hekurt të izolimit.

    Atje takoi delegatë nga Kameruni. I varfëri shtet. I mjeri shtet. Përshpërisim ne pylltarët shqiptar. Por e vërteta na qenka ndryshe. Ai vend është i mbuluar me pyje në 60 % të sipërfaqes. Mos u çuditni pylltar, dhe ju biolog, se delegatia, zonja Cacila Ndjebet, ky kuvend i të gjelbërtëve e shpalli "Kampionia e Pyjeve" të vitit 2022. Çuditërisht nuk na shpallen neve  shqiptarëve varrmihësit e pyjeve. Ah harrova fare se ne as nuk kishim delegat.

    Dhe i vetëm trim në luftë, për të bërë të njohur pylltarinë shqiptare ishte inxhinier i ri, djaloshi i Nikaj Merturit, i cili edhe ligjeroi në foltoren e kongresit: “Qelizat e menaxhimit (administrimit, qeverisjes S.M.) të fatkeqësive  në zonat e gjeo-izoluara të Shqipërisë së veriut”  E dëgjuan me shumë vëmendje delegatët e njëqind vendeve të botës. Edhe pse shumë prej tyre nuk dinin pikën, kordinatat gjeografike ku ndodhej Shqipëria. Ende në kamnimin e shekullit të njëzetë e një fatkeqësisht, marrëzisht, kemi mbetur ekuacion gjeografik me dhjetra të pa njohura. Megjithatë një pylltar shqiptar ju bashkua polifonisë së gjelbert të mbara botës.

   Ai është vetë pylltari i përkushtuar. Ai ështe vete dhimshuria e ekosistemit pyjor. Ai është dashuria për natyrën pyllin profesionin. E kërkon t’a kryej misionin e tij duke shfrytëzuar çdo minut. Me plotë kulturë e mirësjellje,  bisedon me Ministrin Anglez që mbulon  Pyjet dhe Ambasadorin e këtij vendi në Korenë e Jugut. Pastaj i vëmendshëm, qetësisht, shkëmben mendime me Ministrin e Gjermanisë që mbulon pyjet,  sëbashku me Ministrin e Ekonomisë së Koresë Jugut dhe më pas Ministrin e Gjermanisë  të pyjeve dhe Ministërin e Timorit Lindor. Duke u përqëndruar te ekosistemi pyll si burim energjie, oksigjeni, e rregullator universal i klimës. Sa kaq ju kërkoj ndjes dhe hynë në debat me koleg dhe miq nga Australia e largët. Fatmirësisht shumë të afërt në qëllimin se zgjidhja kyqe e krizës klimatike gjithnjë në përkeqësim duhet bazuar në pasurinë pyjore e në natyrë.

   Mjedisi festiv mpleksur me takime e diskutime frymëzuese e mbresëlënse të Maria Helena Semedo, z/v Drejtoresha e Pergjithme e FAO    dhe  mbretëresha e Jordanisë Basma Bint Ali, por edhe buqeta më e kandshme emocionale dhe ngazëlluese e kongresit.   

  Ende kërkojm dhe besojm, se do të buças e vërteta, se botën do ta shikojm ashtu siç është, me kuptimin e vërtet të saj. Kuptohet kudo. Zoti Herrie Heckman, hollandezi i befasuar nga udhëtimi Selanik Sarajev, jo pak, por 90 vjet të shkuara shkruajti një libër, të cilin ia dhuroi Inxhimier Petritit brenda tij; ‘’ishin grimca nga jeta ime dhe e maleve tona, mu shfaq gjyshja ime nga Thethi Pale Lishja.,, 

     Nga akropoli i butrintit  në verën e vitit 1928 Luigji M. Ugolini  do t’a mbuyllte parathënjen e librit të tij të parë me frazën  ‘’Ja dhe  mrekullia e kërkimve arkeologjike,, Ndërsa inxhinieri i pyjeve Kristua do të shkruaj: ‘’Në pyll ka një kod të pa shkruar që përcakton misionin dhe detyrat e çdo individi. Kush nuk e zbaton e ka vështirë të jetoi.,,  Shqiptarët duhet e mund të jetojn duke ditur historinë, duke i shembëllyer asaj. Natyra duhet e mund të jete mikesha më bujare e saj.  Këto vërtetohen çdo dite muaj vite shkeuj. 

Ing. Kristo KAURI

Firence 18.05.2022                                              Dr. Selman Meziu   

 

Saturday, 21 May 2022

BOTIME TE SHKRIMTARIT LUNXHIOT THANAS MEDI

 

Romanet e shkrimtarit Thanas Medi

nga: Thanas  MEDI 
Shkrimtar
ATHINË

Shkëputur nga romani për botim "Çmendina e Athinës"



Thanas MEDI

.......Të kujtohet dasma në Leshnicë, atje u pamë për herë të parë. Mua më mori im atë me vete, më tha, "Bëhu gati se do vish dhe ti!" Kështu prishi zinë e gjatë të nënës, që na la të vegjël, unë, më e madhja e fëmijëve, isha a nuk isha pesëmbëdhjetë. Por sesa për këtë, e bëri më shumë për mua. Donte të dilja njëherë jashtë shtëpisë, të trazohesha me njerëz, të vishesha bukur, të gëzohesha si vajzat e tjera të moshës sime, të qeshja, të më shihnin, se nuk dinin që bëja hije mbi tokë. 

 

Të më kërkonin për nuse, se po mbushja të njëzetat dhe askush s'na kish trokitur në derë. Dhe kur vinte ndonjë, kërkonte dorën e Dhorës, dy vjet më e vogël nga unë. "Nuk e dinim se ke vajzë tjetër", i thoshnin babait. Me të drejtë, qëkur vdiq nëna unë vesha të zezat, zura këmbën e saj. I'u gjenda tim eti në krahë, gjithë punët e shtëpisë ranë mbi mua. U bëra nënë për motrën dhe dy vëllezërit më të vegjël, më shihte babai dhe i therrte në zemër. Bënte dy norma në punë, dhe një për mua. Më qortonte sa herë, të shihja jetën time, të gjeja ndonjë djalë e të martohesha, se po më ikte mosha, fëmijët e tij i rriste vetë, po ku dëgjoja unë!? I'a preva me limon: Mos më fol më për martesa, nuk të lë vetëm, pa u rregulluar këta nuk ka dasëm për mua!

 

Sidoqoftë, për dasmën në Leshnicë u gënjeva. Sado që pyesja mendjen për çdo hap që hidhja, gjaku i moshës më ziente nën lëkurë. Ëndrra të fshehta ma turbullonin trurin, hija e atij, burrit tim të ardhshëm, përkulej netëve mbi mua, dëgjonte si merrja frymë, ndalonte mu pranë buzëve, pa guxuar të më puthë, më vështronte i mahnitur, sikundër ndesh një bukuri që s'e ke hasur më parë, më pëshpëriste ëmbël në vesh:

- Unë jam për ty, të pres!

Zgjohesha në mëngjes dhe kontrolloja shtrojat, "Ç'u bë ky?!" Vështroja nga dritarja dhe, mes rrezeve të para të diellit, shkrepte edhe buzëqeshja e tij. Tundëte perdet puhiza e malit, dhe më sillte nga largë zërin e tij, "Të pres!" Ndaj desha të jem në atë dasmë, s'ia prisha babait kur më tha "Do vish dhe ti", m'u duk se dikush më priste vërtetë. U ormisa për atë, për dikë që do më shihte për herë të parë, do t'i ngeleshin sytë mbi mua dhe s'do t'i shqiste më kurrë. 

 

Vesha një fustan kadifeje, me viza të holla, ngjyrë vishnje, e kish sjellë nëna në pajë. E mbante për raste të veçanta, për kur të më martonte mua, nuk arriti.. Më erdhi kupë, kisha trupin e saj, më pa babai dhe më puthi në ballë. E di ç'mendoi, "S'i ke lënë gjë.. sot dua të të shoh të qeshur, të gëzohet dhe ajo!" Dhe unë të mos doja, e qeshura më dilte vetë. Më gurgullonte përbrenda, si ujërat e nëndheshëm, që i dëgjon sapo ngjesh veshin në tokë. 

 

Gjatë gjithë rrugës për Leshnicë, gati dy orë me këmbë nga fshati ynë, trembesha mos e dëgjonte im atë. Dhe thoshte me mend, "Kaq e pati dhe kjo, mezi priste sa të dalë nga kuvlia!" Jo se nuk e kisha atë padurim, por s'doja që këtë ta mësonte ai dhe pikëllohej. Kujtonte se do ta braktisja, s'do ta ktheja më kokën nga pas, i thoshja "Gjej grua tjetër dhe lermë të shoh jetën time!" Gjë që s'do të ndodhte kurrë, pasi jeta ime me jetën e tij, të motrës e vëllezërve, ishin një. Asgjë s'do t'i ndante e askush s'do mundej të futej në mes. As ai, një nga dasmorët e shumtë, që as e njihja e as më njihte, por që afronte ora ta shohë.

 

Me këtë shpresë shkela në avllinë e shtëpisë ku bëhej dasma, një kushuriri të afërm të nënës, me të cilin vajtje-ardhjet qenë të rralla. Por s'qenë të huaj, ishin njerëzit e asaj që më bëri kokën dhe, dokudo, s'do kalonim pa u vënë re. Siç dhe nuk kaluam. Erdhën menjëherë të na takonin, na drejtuan për atje ku priteshin të ftuarit, në një dhomë të madhe me tavan druri e divane të rehatshëm përfund mureve. U ulëm, të bënim zakonet. Na sollën raki e karamele, një pije grash për mua, vetëm shijen i mbaj mend dhe që i thoshnin liker. Uruam. Të trashëgohen, jetë të gjatë e të lumtur! Unë më tepër i veja babait nga pas, sa lëvizja buzët. 

 

Ishim një çift i çuditshëm, të panjohurit përreth s'dinin ç'të mendonin më parë, vështirë ta gëlltisin se qemë burrë e grua, pyesnin ata që dinin më shumë, mësonin si qe puna dhe na riktheheshin me adhurim e respekt të shumëfishuar. Gjithë vështrimet do qëndronin mbi mua. Aq vëmendje s'më qe kushtuar ndonjëherë, aq lartësim e pjesëmarrje në dhimbje, sa çu zura ngushtë, aq dhe u mbyta në avuj krenarie. U ndjeva princeshë, në këmbët e së cilës qenë gati të përuleshin të gjithë. Dhe jo për bukurinë, kish të tjera aty rrotull shumë më të hijshme nga unë, për gjestin, sakrificën për të tjerët, të bërit nënë kur isha ende fëmijë. 

 

Brenda një kohe fare të shkurtër, u bëra personi më i njohur në atë dasmë. Do përmendesha më së shumti si "vajza e filankës", fatkeqes që iku shpejt nga kjo jetë, por që kish lënë mbrapa një diamant..

 

(Nga, "Çmendina e Athinës", në pritje..)

 

 

 

Thursday, 19 May 2022

ÇAJI I MALIT ( Sideritis raeseri Bolss & Heldr)


nga: Ing. Kristo KAURI

Sarandë 

Pirja e çajit të malit ështe një nga traditat më të mira në vendin tonë.  Ai nuk duhet të mungojë asnjë ditë nga shtëpia dhe jeta jonë. Serviret dhe në ditët e ftohta dhe në ditët e nxehta. Në përdorim nuk ka kufi, se nuk ka tanin. Para çajit jeshil që na vjen nga Azia( plot tanin), qëndron shumë më lart nga vlerat. Aroma dhe cilesitë e tij te përfshijnë në një magji të vërtetë plot emocione. Kush dëshiron të mësojë më shumë, kush ka durim le të vazhdoj leximin:

 

Përshkrimi:

Çaji i malit është bimë barishtore shumëvjeçare me gjelbërim të përjetshëm. Bën pjesë në familjen Lamiaceae, në gjininë Sideritis. Përhapet kryesisht në zonën malore të Shqipërisë jugore dhe Shqipërisë së mesme.

 

Deri tani njihen mbi 300 lloje, që rriten kryesisht në vendet e Mesdheut. 

Emri i tij shkencor është Sideritis raeseri. Sideritis, vjen nga fjala greke sidhiros( σιδηρο), që ka kuptimin hekur. Pra është një burim natyror që ka në përberje të tij shumë hekur. Këtë e dëshmojnë dhe analizat kimike që janë bërë. 

 

Sideritis raeseri është kultivari më i zakonshëm i sideritis në Shqipëri, Greqi dhe Republika e Maqedonisë. Hibride të avancuara të tij ekzistojnë dhe në vendin tonë.

Ka një system rrënjor të dobët, jo të futur thellë në tokë. Lartësia e bimës arrin 20- 50 cm.

 

Bima është e veshur me pushë të bardhë në të hirtë. Gjethet kanë përmasa 10-60 mm të gjata dhe 6-20 mm të gjera. Ato kanë formë gjatore deri në të ngushta, vezake, të përmbysura, të plota ose me dhëmbëza.Kanë ngjyrë jeshile të hapur në të bardhë. 


Lulesa është e përbërë nga 5-20 qerthuj të rënë, ku secili ka 6-10 lule të verdha deri në të verdhë të çelur. Lulet janë hermafrodite dhe pllenohen nga insektet dhe bletët. Lulëzon në muajt Qershor-Korrik, në varësi të kushteve klimatike dhe lartësisë nga niveli i detit. Lulezimi zgjat gati 20-30 ditë. Formimi i farës fillon nga fundi i Korrikut, vazhdon nga Gushti dhe rrallë shkon deri në 15 Shtator.

Lulet e tij të thata, të thara në hije, përdoren për prodhimin e çajrave të ndryshme. Lulet përmbajnë vaj esencial dhe lendë tonike.


 

Përhapja :

Çaji i malit rritet në shpatet shkëmbore dhe kullotat në lartësinë mbi 1000 metra mbi nivelin e detit. Parapëlqen shpatet e thata, por të rahura nga dielli.

Origjina e çajit të malit është Mesdheu Lindor. Gjëndet me shumicë në Mesdhe, në Europen qëndrore, Azi jugore, në Ballkan, etj.

Ai, konsiderohet si specie autoktone dhe endemike e Ballkanit. Shqipëria, Kosova, Greqia, Bullgaria dhe Maqedonia, e kanë përdorur prej shumë kohësh çajin e malit. Kjo është një bimë shumëvjeçare e këndshme, aromatike. Nuk ka shumë pretendime ndaj tokës. 

Preferon toka shkëmbore, haliqe, me shkëmb gelqëror, ku ai rritet në të çarat e shkëmbënjve. Duron thatësirën, kushtet ekstreme klimatike dhe temperaturat e ulta deri -10 Oc.

Uji ,dielli, por sidomos mjedisi i pastër, janë elementet kryesor për të patur një çaj cilësor dhe plot aromë.


Shumëzimi :

Të gjitha llojet shumëzohen me dy mënyra, me farë dhe me llastarë. 

Kur e kultivojmë, që të mos bien vlerat dhe cilësia e tij, duhet që mjedisi t’i përafrohet kushteve natyrore ku rritet, në lartësi, përbërja e tokës dhe e shkëmbit amnor.

 

Shumëzimi me farë :

Bimët nga të cilat marrim faren, duhet të jenë të shëndetshëm dhe fara të jetë e pjekur mirë. Lulësat mblidhen, thahen në hije dhe me një goditje të lehtë veçojmë faren . Ky proçes që të kemi rezultate të mira bëhet në drekë. Një gram farë ka rreth 600 fara. Shtatë gram janë të mjaftueshme për të mbjellur një dynim. Realisht duke llogaritur dhe humbjet që pëson fara nga zogjtë, gjallësat e tokës, milingonat, rekomandohen 15 gram/dynim.

Kjo sasi fare, mbillët në farishtore në pesë m2 në muajin gusht deri në fillim e tetorit. Fidanet transplatohen kur formojnë 4-6 gjethe.

 

Shumëzimi me ndarje : 

Një bimë çaji pas një përiudhe dy vjeçare jep shumë llastarë, me renjë në bazë. Me kujdes bejmë ndarjen e tyre dhe e mbjellim .

 

Mbjellja :

Në dhjetëvjeçarin e fundit janë shtuar shumë kërkesat për çaj mali, prandaj lindi nëvoja e kultivimit të tij për të plotësuar këto kërkesa. Kultivimi përmirësoi situaten duke prodhuar dhe kultivarë të rinj.

Me sukses është bërë kultivimi i çajit në fshatin Goranxi, në malin e Gjerë dhe në Pustec të Korçes.

 

Dy janë përiudhat me të favorshëm për mbjellje : Tetor- Nëntor dhe Shkurt- Mars. Për kushtet klimatike të vendit tonë, përiudha me e mirë është vjeshta. Mbjellja bëhet në rreshta, 50-60 cm rreshti nga rreshti dhe 40-50 cm bima nga bima. Pas mbjelljes i vadisim për të pasur rezultate të mira. Me vonë vaditja dhe plehërimët nuk bëhen, që të mos prishim cilësinë e çajit.

 

Mbas vitit të dytë të mbjelljes deri tek viti i pestë, prodhimi rritet dhe është i mire, pas vitit të pestë prodhimi bie. Pas vitit të shtatë dhe të tetë nuk rekomandohet të trajtohet, nuk ka leverdi ekonomike të menaxhohet çaji i kultivuar.

 

Grumbullimi:

Ka vite qe grumbullimi nuk disiplinohet, nuk kontrollohet. Kjo u është lënë në dorë individëve dhe subjektëve që nuk zbatojnë asnjë standart, për rrjedhojë e kanë dëmtuar dhe shkatërruar rendë. Çaji aktualisht është përfshirë në Librin e Kuq, si specie shumë e rrezikuar.

Grumbullimi bëhet në muajin korrik ku lulet kanë lulëzuar plotësisht. Me mjete të mprehta pritet gjithë lulësa dhe një pjesë deri 5cm poshtë saj. Nuk duhet të priten bimët që kanë lulëzuar me shumë seç duhet. Gjatë prerjes duhet të lihet 1/3 e bimës pa u korrur, që të sigurohet vazhdimësia. Grumbullimi ne të njejtin vend duhet lejuar vetëm pas dy vjetësh. Në vendet ku bima është e rrallë nuk duhet lëjuar grumbullimi.

 

Kjo masë vegjetative thahet në hije, në vende të ruajtura mirë , qe të ruajnë ngjyren jeshile në të verdhë. Mund t’i përgatisim dhe në tufa, duke lidhur 25- 30 kërcenj të vegjel. Këto varën në një mjedis të thatë me kokë poshtë. Tharrja në diell bën që çaji të mari një ngjyrë të shpëlarë dhe humbet vlerat e tij. 

 

Historia dhe traditat :

Në Greqi, në Egjypt, Perandorinë Romake..njihet që nga lashtësia. Ai citohet për vlerat e tij, për efektet kurative nga Theofrasti ( 372-287 p.k) , nga Dioskuridi ( 10 P.e.s ), nga Plinio Plaku, Galinu. ..etj.

P. Genadio shkruante, se emrin Sideritis ja dha Dioskurides, për vetitë që kishte bima e çajit për të sheruar plagët e shkaktuara nga hekuri(shpata, shigjeta). Nga studjuesit me të rinj, përiudha e Hipokratit, ky mit ra dhe emërtimi Sideritis lidhet me faktin qe bima është e pasur me hekur dhe bakër.

Sot, pas gati 3000 vite që u zbulua dhe u njohen vlerat, mbetet mbreti i bimëve mjekësore.

Pa kafeinë dhe taninë, ai historikisht ishte miku ynë me i mirë, për të gjitha brezat, për qetësi dhe relaks, për stabilizimin e ankthit në ritmet e jetës.

 

Përdorimet: 

Elementet aktivë përfshijnë diterpenoidin, flavonoidin dhe vajrat esenciale të tij. Hulumtime të rëndësishme të bëra për sideritisin konfirmojnë përdorimin e tij popullor për të parandaluar ftohjet, gripin, dhe alergjitë. Vlerat dhe efektet kurative të tij e bëjnë nga bimët me të rendësishme të Mësdheut. Shumica e këtyre hulumtimeve janë bërë në universitete në Holandë, në Shqipëri, Turqi, Maqedoni, Bullgari dhe Greqi, ku bima është autoktone.


Çaji i Malit ka efektet e favorshme në organët e sipërme të frymëmarrjes, që e bën këtë çaj gjërësisht të përdorueshëm nga shqiptarët, si një pije e përdorur veçanërisht në mot të ftohtë, për rritjen e imunitetit.

 

Çaji i malit ndihmon tretjen, forcimin e sistemit imunitar, trajton të ftohtin e zakonshëm, gripin dhe viruset e tjera, alergjitë dhe astmën, kongjestionet e sinozitit, si qetësues nervash, madje edhe dhimbjet dhe ankthet e lehta. 

Shoqërohet me biskota të llojëve të ndryshme, me kek, torta etj. Doza e ekstratëve ndihmon në zgjerimin e enëve të gjakut dhe uljen e presionit ndaj zëmres.


Provat moderne kanë treguar, se çaji ndihmon në parandalimin e osteoporozës, ndërsa vetitë e tij anti-oxidante ndihmojnë në parandalimin e kancerit. Çaji me elementet përbërëse që ka do të jetë baza e krijimit të ushqimëve kundër osteoporozës.


Pas mbi shtatë vitesh studime dhe eksprimentime, shkencëtari 38 vjeçar gjerman Jens Pahnt, zbuloi se çaji mbron trurin nga dëmtimët dhe lufton sëmundjen e Alzhamerit.


Sideritis është i njohur shkencërisht të jetë anti-mikrobial, anti-inflamator, dhe anti-oxidant.


Vetitë e çajit gjëjnë përdorim dhe në industrinë e bukurisë, në prodhimin e kremrave kundër plakjes se qelizave, në prodhimin e shampove etj.

Shumë popullore në Shqipëri, kjo bimë është përdorur si një barishte, ose për përgatitjen e çajit ,ose për vetitë e saj aromatike në kuzhinat lokale.


Disa nga dobitë e tij:

• Rrit sistemin imunitar dhe lufton infeksionët.

• Ndihmon në parandalimin e sëmundjeve kanceroze.

• Lufton alergjitë dhe ndihmon në lehtësimin e simptomave të astmës.

• Largon aciditetin e stomakut dhe parandalon ulçerat.

• Zbut fytin, largon gëlbazën, qetëson dhimbjen e fytit dhe kollen.

• Lufton viruset, mikrobet, kërpudhat, mykun e grupit candida albicon.

• Lufton radikalet e lira dhe plakjen e qëlizave.

• Ndihmon tretjen dhe largon diarenë.

• Ndihmon në luftimin e simtomave të sklerozës.

• Qetëson sistemin nervor dhe lufton stresin.

• Ndihmon gratë shtatzëna në largimin e të vjellave dhe përzierjes.

• Lufton aneminë(prezenca e Fe).

• Lufton krijimin e gurëve në veshka, krijimin e kataraktit ne sy.

 

Përgatitja e çajit :

Përgatitja e çajit bëhet në këtë mënyrë: Pasi pastrohet, hidhet në ujë të valuar. Mbulohet me kapak dhe si të marrë valë hiqet duke e lënë të mbuluar me kapak, që të mos i dalë aroma deri në momentin e servirjes. Kur serviret mund t’i hidhet mjaltë dhe limon dhe jo sheqer. 

Pirja e çajit është një nga traditat me të përhapura në vendin tonë. Ai përdorët si caj, si ilaç, por në çdo shtëpi është e pamundur që të mos shijosh bukën e thekur me djath dhe çaj mali të nxehtë.

 

Të huajt, në vendin e tyre nuk i njohin mirë vlerat, por kur vijnë në vendin tonë, ata mbetën të mahnitur nga kura qe i bëhet shpirtit dhe trupit me çaj të ngrohtë mali. Aroma dhe cilësitë e tij të përfshijnë në një magji të vërtetë, të ngjall nostalgji, ndjesi dhe emocione.

 

Çaji i malit nuk duhet të mungojë asnjë ditë nga shtëpia dhe jeta e jonë. Ai duhet të serviret dhe në ditet e nxehta dhe në ditet e ftohta. Në servirjen e tij nuk ka kufi, se nuk ka taninë. Para çajit jeshil që vjen nga Kina, Azia, India, çaji i malit qëndron shumë lart. Çaji jeshil është plot kafeinë, taninë, mund ta cilesojmë një bimë e vogël toksike.


Përgatitja e çajit të malit nga bima e freskët kërkon përdorimin e luleve, kërcenjve dhe gjetheve të plota të të gjithë bimës. Llogariten dy degëza mesatare për një gotë deri 100 ml.

 

Ju i hidhni ato në ujë të nxehtë , duke mundësuar zierjen e lëngut për 5 deri në 10 minuta. Ena mbahet e mbuluar me kapak që të mos largohet aroma. Shija e këtij çaji është e mirë, por nëse përdorni lulet, do të ndjeni edhe aromën e tyre. Këtij çaji mund t’i shtoni mjaltë, qumësht ose limon sipas dëshirës.

Peter Furth, një ekspert amerikan i bimëve mjekësore shpjegon, se çaji ynë është tipar dallues , tradicional i Shqipërisë. Kjo, falë mikro-klimës së vendit që i jep çajit, një cilësi unike , superiore në krahasim me vendet e tjera..

Peter Furth shkruan, se në Amerikën e Veriut, çaji shqiptar i malit është më i kërkuari nga të gjithë çajrat e bimëve të tjera të varietetit Sideritis.



 

Literatura që u konsultuam :

Mustafa Demiri “Flora ekskursioniste e Shqipërisë” botim 1983.

Kolë Paparisto “Flora e Shqipërisë” Botim i Akademisë se 

Shkencave viti 1988.(Grup autoresh)

“FLORA “ Enciklopedia Shqiptare, Greke, Italiane.