Thursday, 21 December 2017

Drurët frutorë në Luginën e Devollit

nga Pëllumb GORICA


Pëllumb GORICA
Panorama e Luginës së Devollit në Elbasan, veçoritë specifike të vendodhjes së saj, të shtojnë admirimin e thellë për bukuritë që të shpalosen para syve. Jo pak vendbanime të vjetra kanë mbetur në histori gojore, që dëshmojnë për lashtësinë e saj. Ajo karakterizohet nga klimë me ajër të pastër dhe të shëndetshëm e cila pasqyrohet në rrezatimin diellor, temperaturat e përshtatshme, reshjet e mjaftueshme. Kushte të favorshme për jetesë dhe kultivimin e bimëve bujqësore dhe drurëve frutorë, por edhe për mbashtrimin e blegtorisë, si një dhuratë e natyrës për banorët, të cilët kanë ditur t’i bashkojnë edhe punën e tyre të palodhur e këmbëngulëse. Lugina e Devollit ka një gjeografi të larmishme: Kalon rrjedha e poshtme e lumit Devoll. Shtrihet fusha, përrenj, kodra të valëzuara njëra pas tjetrës, që ndërthuren me brigje, qafa, shpate të pjerrta, ose siç njihen ndryshe, kodrat shkëmbore të Sulovës. Shekuj më parë, në pjesën më të madhe, Lugina e Devollit në Elbasan, territor i krahinës së Sulovës, ishte e veshur me pyje të shumta. Historitë gojore, dokumente historike, përshkrimet e udhëtarëve, flasin për pasazhe të këtij terreni të mbuluar me pyje. Poligloti Eqerem Bej Vlora, në botimin e tij “Nga Vlora në Tomorr”, viti 1906, faqe 154, shkruan: “Sulova me pyje të pafund e të dendur sa të hante syri”. Po ashtu edhe mikrotoponimia e arritur deri në ditët tona tregon për masivet pyjore, sepse edhe influenca e disa ligjeve të pashkruara respektonin pyjet, kullotat. Shumica e kodrave, në gjysmën e dytë të shekullit që lamë pas, u shpyllëzuan dhe në këto toka janë kultivuar e vazhdojnë të kultivohen drithëra buke, bimë industriale, pemë frutorë, ullinj e hardhi etj.
Vreshta të reja të krijuara vitet e fundit në Lumas
Historitë e shumta gojore, por dhe të dhëna të tjera si mikrotoponimet, drurë të moçëm, janë fakte që tregojnë se kultivimi i drurëve fturorë është i lashtë. Kjo bëhet më e kuptueshme kur dihet se kjo traditë është ruajtur e përcjellë brezave të sotëm me dashuri, për t’i shtuar me lloje e varetete të ndryshme. Sipas historive gojore, në shekujt e parë të pushtimit turk, si rezultat i lëvizjeve demografike, në Luginën e Devollit erdhën jo pak familje, kryesisht nga Jugu i Shqipërisë, që sollën edhe një zhvillim të drurëve frutorë në llojshmëri, jo vetëm të mbjella pranë banesave, por edhe kopshtet, ara e buzë përrenjve. “Mbillnin pemë në ndarjet e arave pa zënë tokën e bukës”, “Çdo rrip toke ia rrëmbenin natyrës, dhe krijonin tarraca e mbi të cilat u mbollën drurë frutorë, vreshta e ullinj”, vijnë historitë deri në ditët e sotme. Më të përhapura: ulliri, hardhia, arra, mani, fiku, kumbulla, shega, thana, dardha etj. Një pjesë i mbollën në luginë, larg trojeve të banuara, ku bujqit kalonin vapën e drekës pas punës. Tregohet “se një sulovar fjeti nën hijen e një mani të moçëm, një ditë e një natë të tërë, pa u ngritur nga gjumi”.

Një ndër drurët frutorë të vjetër, që ka gjetur kushte shumë të përshtatshme zhvillimi dhe prodhimi në Luginën e Devollit është arra. Në sheshe, buzë përrenjve, anës arave dikur (dikur themi edhe para 30 vjetësh) gjendeshim me shumicë drurë të shumtë arrash, që arrinin trashësi 2 m dhe 30-40 m lartësi. Arra njihet si pema më fisnike në këtë krahinë e sidomos fenomeni i arrave binjake. Tregohet se kanë qenë disa të tilla, por më të njohura ishin “Arrat Binjake” shekullore në vendbanimet Kamuna dhe Selvijas, që u kthyen në toponime të njohura. Ato i bënë ballë tallazeve të shekujve zjarrit, rrufesë, por në vitet e kolektivizimit të bujqësisë (1955-1990) nuk i shpëtuan dëmtimeve, prerjeve. Gjithashtu tregojnë se në fshatin Mollas ka pasur me dhjetra drurë arrash, të cilët në kohën e kolektivizimit të bujqësisë u prenë pa mëshirë si lëndë mobiljesh për Kombinatin e Drurit në Elbasan.

Një dru frutor tjetër i njohur është edhe shega. Këtë e tregojnë përhapja e saj në të gjithë fshatrat, por edhe vjetërsia në formën e trungjeve të zgabëruar. Thuajse në ç’do fshat kultivoheshin edhe drurë frutor të gorricës, që më shumë përdoreshin si mbajtëse të hardhive në formën herek të pjergullave. Po kështu mund të flasësh edhe për thanën e cila ka gjetur përhapje në zonën kodrinore. Në vendbanimin e Qafës ka qenë e njohur “Thana me shtatë trupa”, por dhe “Thana e Madhe” në Topojan, për të cilën tregohen histori gojore, por më intriguese është ajo që tregon se “ushtarët italianë në vitet 1917, kur erdhën në Luginën e Devollit kërkonin “Thanën e Madhe" se “nën rrënjët e së cilës thuhej se kishte pa hesap flori”.

Ulliri gjatë shekujve, pavarësisht nga ngjarjet historike dhe nga ndryshimet shoqërore, është shtuar. Më këtë tregohet për një traditë të vjetër, një rregulli të pashkruar, që nga koha e Skënderbeut, që për çdo çift kur martohej mbillte ullinj. Ullinjtë e vjetër të mbjellë nga të parët e banorëve autoktonë në truallin rreth shtëpive si trashëgimi e familje të kamura, gjenden sidomos në vendbanimet: Qyrkan, Mollas, Kamuna, Selitë, Topojan. Kështu janë në kodrat e Mollasit “Ullinjtë e Çelajve, Ulliri i Koçit në Topojan, Ullinjtë e Masatit në Selitë, Ullastra në Dasar, Ullishtja në Skunaj etj. Në Qyrkanin e Sipërm janë dhjetra drurë ulliri të vjetër e të trashë, të zgavëruar nga koha, që mosha e tyre mund të jetë mbi 500 vjeçare. Ka pasur edhe në fshatra të tjerë, por fatkeqësisht janë shkatërruar nga ashpërsia e kohëve, luftrat, lëvizjet demografike, duke i zhdukur si gjurmë. Të ruajtura gjejmë mikrotoponimet e vjetra. Në vitet e periudhës së regjimit komunist nga specialistët e bujqësisë të zonës dhe të rrethit Elbasan u bë e mundur që të shpyllëzohen hektarë të tërë. Lugina e Devollit me tradita të kultivimit të drurëve frutorë e me kushte shumë të favorshme për zhvillimin e tyre, duhet të krijonte edhe blloqe të mëdha ulliri. Fakt është krijimi i blloqeve me mbi 30.000 rrënjë të Skunajt, Sutajt, Bregu i Mretes, kodra kurrizore në lindje të fshatit Mollas. “Bregu i Mretes”, dikur para 40 vjetësh ishte një pyll i madh me drurë jo frutorë si ngasje, shkozë, cërëmdel, mrete dhe shkurre të tjera që zhvillohen në këtë brez pyjor. Në fillim të viteve ’70 të shekullit të kaluar, djersa e qindra të rinjve nga të gjithë fshatrat e Luginës së Devollit, nën parimin socialist:“T’u qepemi kodrave e maleve t’i bëjmë pjellore si fushat” e kthyen këtë kodër, si edhe kodra të tjera të saj, në një bllok të madh prej 20.000 rrënj, që formojnë kurorën e gjelbër të Mollasit. 
Historitë gojore flasin edhe për kulturën e vreshtarisë në formën e pjergullave, të veçuara në herek dhe mbi pemë në oborret e shtëpive, në fund të arave, kopshteve, në drurë të ndryshëm frutor arra, kumbulla, gorrica, dardha e jo frutor si lisa, shkoza, plepa, lejthata, ngasje me varietet të vjetër si: tajga e bardhë, hafuzali, pulsi. Hardhia është mbjellë në lloje e cilësi, duke iu përshtatur klimës së krahinës. Këtë e tregojnë edhe mikrotoponimet e ndryshme si “Vreshtas”, “Çorrush”, “Rrushtë”, “Vreshti i Ganiut”etj. Në vitet e kolektivizimit të bujqësisë, specialistët e pemtarisë konkretizuan idetë, edhe investuan për të krijuar plantacione me vreshta, por ndeshën në mentalitete kundërshtuese. Gjithsesi kjo nuk i pengoi ata të eksperimentojnë e më pas të krijojnë blloqe në Mollas, Kamuna, Floq etj. Janë të njohur “Vreshti i Shtodrit”, “Vreshti i Vilzës”, “Zhavuri”, “Graxhoi”. Dikur vite e shekuj më parë “Graxhoi”, ky toponim në Floq ishte një pyll i madh me drurë të ndryshëm e të dendur, të gërshetuara me ferra, driza, murriz etj, sa që tregonin se në mes të ditës, kur kalohej nuk shihej dielli. Po si rezultat i punës voluminoze me shpyllzimin që u krye, u zëvendësuan me drurë frutorë e hardhi me variete të mira në cilësi e rendimente. Para viteve ‘90 sipërfaqja e mbjellë me vreshta ishte 100 ha. Aktualisht është 200 ha. Në vitet ‘70-‘80 në Mollas, Selvias e Klos u mbollën edhe agrume deri në atë kohë të panjohura në krahinë, sot sipërfaqja e tyre po shkon në rritje me shtrirje në çdo vendbanim. Por, disa blloqe me pemë frutore me kumbulla, dardha, fiq, mollë, mushmulla, të krijuara me aksione u shkatërruan në vitet e para të tranzicionit (vitet ’90).

Banorët e fshatrave të Luginës së Devollit në Elbasan përpiqen t’u kthejnë blerimin e dikurshëm të luginës. Duke u orientuar më tepër në kultivimin e drurëve me sa më shumë efektivitet e të kërkuara për treg, mund të shkruajmë se shtimi i sipërfaqeve të mbjella është shtuar në krahasim me kulturat bujqësore: drithëra, bimë industriale, foragjere apo perimet. Janë krijuar blloqe të shumta frutore pjeshke, kumbulle, kajsie, qershie, etjer, të cilat kanë ndikuar jo vetëm në gjelbërimin e territorit të fshatrave, por janë edhe një tregues i zhvillimit ekonomik të banorëve. Mjaft banorë kanë sjellë nga emigracioni përvojën për t’i kultivuar, por dhe fidanë drurësh frutorë për ti mbjellë, duke konkuruar denjësisht në tregjet e Elbasanit, Lushnjë, Tiranës. Ndërkohë infrastruktura rrugore në disa fshatra e ka bërë  praktikisht të vështirë për t’i çuar sa më shpejt e të padëmtuara prodhimet që merren. Dhe sigurisht e bënë të largët ketë luginë, edhe pse është 80 kilometra larg Tiranës.


Lugina e Devollit në Elbasan ka fituar emër me kultivimin e drurëve frutorë dhe banorët e saj, duke jetuar me punën e jetën e tyre pranë natyrës, janë  shpërblyer me mundin dhe djersën e derdhur.

botoi "Zemra Shqiptare" posted by H. Kola

Sunday, 10 December 2017

Malet, burimi që po shteron

nga Ing. Haki KOLA
Tiranë

Organizata e Kombeve të Bashkuara ka vënë si një objektiv kryesor të shekullit te XXI,  zhvillimin e qëndrueshёm të pyjeve malore për të gjithë komunitetin ndërkombetar. Vendi ynë futet ndër njëzet vendet më malore të Botës.

Pyjet malore janë burim shprese dhe jete. Malet e çveshura nga pyjet janë burim ankthi, sikur bie, ashtu edhe kur nuk bie shi. Kur bie shi përmbytemi, kur nuk bie mbytemi në terr. Prurjet e Gjadrit dhe Kirit i kanë zenë grykën Liqenit të Shkodrës, kanë bërë të cekёt Bunёn dikur të lundrueshme dhe i kanë larguar mundësinë e lundrimit të anijeve, qё një shekull më parё e bёnin Shkodrën qytet me emёr nё  Ballkan.  Kjo ndodh pasi malet janë çveshur, toka është zbuluar nga prerja dhe kullotja spontane që ka vazhduar për shekuj të tёrё. Drurёt janё prerё, bari ёshtё ngrёnё, toka ёshtё zbuluar dhe e pambrojtur. Malet e çveshura gërryhen nga shirat dhe me baltën e gurёt qё u hiqet atyre mbushen rrugёt qё kalojnё poshtë tyre në gjithë vendin. Për çdo vit pёrrenjtё e lumenjtё transportojnё pёr nё detin Adriatik mbi 60 milion ton tokё, qё u pakёsohet shpateve tё maleve. Njё pjesё e madhe mbahet nga rezervuarёt, duke pakёsuar sasinё e ujit tё depozituar e shkurtuar jetёn e hidrocentraleve tё Drinit që përbëjnë burimin kryesor té energjisë për gjithe vendin. Pra malet pa pyje po na dëshmojnë  për koston e lartё tё gabimeve, apo tё harresёs sё trajtimit tё integruar tё ekosistemeve malore.


Brengat dhe vetmia e maleve nuk shprehen me protesta si ato të njerëzve kur mbeten pa drita, kur u legalizohen apo shtetёzohen pronat. Banorët e ditur të tyre, kanë zbritur shpejt nё fusha, tё  rinjtё kanё kaptuar detin e malet e punojnё nё dhe tё huaj. Tё mbeturit luftojnë për tё mbijetuar, herё duke prerё ndonje lis tё harruar lart nё male, pёr tu ngrohur nё errёsirёn e gjatё e tё ftohtё tё kullave apo pёr ta shitur si lёndё, dru zjarri, qymir apo ushqim nё furrat e gёlqeres poshtё nё fushё, e herё duke dёmtuar filizat me kafshёt shtёpiake.

Shkatёrrimi i vazhdueshёm i ekosistemeve malore, shoqёruar me krizat e errёsirёs apo pёrmbytjeve, na ka çuar nё njё moment tё domsdoshёm reflektimi, pёr tё marrё nё konsideratё shumëllojshmerinё e funksioneve tё  pyjeve malore e pёr t’i kthyer ato nё  njё pikë fokale te shqetësimeve tё gjithё shoqёrisё e reflektimi pёr zgjidhje. Realiteti ёshtё  i prekshёm jo vetëm për fshatrat e vendosura në zonat malore, që  nevojat bazë tё mbijetesёs i sigurojne nga mali, por edhe pёr fshatrat e vendosura në zonën fushore. U bёnё vite qё opinionit tonё  shoqëror i serviren nё media tё ndryshme  pamje të filmuara me  shpate të tëra malesh, që prerjet e zjarret i kanё  kthyer në gjysëm shkretira, apo pёrmbytjet nё fushat e Lezhёs e tё Shkodrёs. Procesi i degradimit të pyjeve malore të vendit tonë është shumë divers, dhe ekstremisht kompleks, shkaktuar jo vetёm nga natyra, por me teprice nga politika tё gabuara pёr njё kohё tё gjatё, qё lidhen me njohjen e mosnjohjen e tё drejtave tё pronёsisё, tё drejtat e pёrdorimit, edukimin, varfёrinё  etj.

Zvicra dhe Austria kane patur pothuajse vetёm male, jo fushё dhe jo det. Njerёzit e ditur dhe popujt e tyre u morёn vesh  qё nё mesin e viteve 1800, duke u njohur malёsorёve tё drejtat si pёr tokёn bujqёsore, kullosore e pyjore. Nё mё shumё se 150 vjet ata  i pёrmirёsuan nё rrugё e sipёr marrёdheniet e banorёve me malin pyllin e kullotёn, duke arritur t’i kthejnë aktualisht ndёr ekosistemet model tё botёs, burim lёnde drusore mirёqenie e  turizmi. Pёrsёri janё tё kujdeshёm e tё pakёnaqur me sa kanё bёrё. Shkolla tё tёra mёsojnё e thellohen nё pёrvojёn e arritur, shteti mbetet garant i zbatimit tё ligjit..

Shqipёria njё shans tё tillё e krijoi pas viteve 1990, por fatkeqёsisht demonstroi qё nuk e kishte arritur pjekurinё qё t’i thёrriste pёrvojёs sё saj tё lashtё, apo pёrvojёs sё fqinjёve Europianё. Pashpjegueshmёrisht e ndau tokёn bujqёsorё nga ajo pyjore e kullosore, duke nxjerrё njё ligj (7501) pёr tё privatizuar vetёm tokёn bujqёsore e duke lёnё nё njё harresё mё shumё se 60% tё territorit, duke e menaxhuar atё as si lindja e as si perёndimi. Kjo krijoi edhe diferencime tё qytetarёvё, duke privatizuar pёr shembull nё Fier 52 mijё hektar, dhe mbajtur shtetёrore 6100 hektar, ndёrsa nё Pukё privatizuar 1809 hektarё dhe 83 mijё hektare, apo 95% tё sipёrfaqes sё Pukёs e mban nё pronёsi shteti. Politikёn e gabuar tё ngjitjes sё kodrave e maleve e kthimit nё toka bujqёsore tё viteve tё diktaturёs, e thelluam mё tej duke i lёnё nё mёshirё tё fatit kёto toka tё dёmtuara e burim erozioni. Duke mos u njohur tё drejtat pёr pronat e tyre nё vendin e tyre, si dhe duke i trembur  me taksa nёse malёsoret bёhёn pronar, kanё mbetur tё braktisura mbi 120 mijё hektarë toka tё pjerrta qё janё shpyllёzuar e kadastruar si toka bujqёsore, qё me statusin aktual ligjor bёhen pothuaj tё pamundur investimet pёr ta.

Aleatёt e donatorёt ndёrkombёtarё, si Banka Botёrore, Qeveria Italiane, USAID, Qeveria Zviceriane,  Hollandeze e Suedeze bёnё pёrpjekje tё vazhdueshme duke na dhёnё pёrvojё, por edhe duke financuar projekte qё larg e larg tё na kujtonin atё qё kishim harruar. Nё dhjetё vitet e fundit kemi transferuar pyjet nё rreth 140 komuna, kemi bёrё edhe plane e marrёveshje, kemi arritur edhe rezultate tё mira qё i demonstrojnё pyjet e reja tё luginёs sё Matit, Bulqizes, Dibrёs, Hasit etj. Popullsia lokale ёshtё organizuar nё shoqata pёrdoruesish qё trenohen me ndihmёn e donatorёve tё huaj.  Janë  hartuar edhe akte ligjore, ku ёshtё bazuar procesi, por gjithnjё tё  imponuara, ligjevënёsit duket se nuk  kuptojnё e nuk  bёhen pjesё e procesit.

E them kёtё pasi e gjithё pёrvoja e grumbulluar nuk  ёshtё marrё nё konsidetarё kur janё miratuar nga Parlamenti ligjet baze tё decentralizimit me  nr 7843,8744 tё shkurtit 2001 si dhe vendimi i KM nr 500 i majit 2001 pёr transferimin  e pronave tё paluajtёshme nё pronёsi apo pёrdorim tё pushtetit lokal. Sipas ligjeve transferimi i kёtyre pasurive duhej tё pёrfundonte brenda vitit 2003, kur nё fakt jemi nё 2005 dhe ёshtё realizuar transferimi vetёm pёr Bashiknё Kuçove, qё nuk disponon pyje e kullota. Kjo pasi rregullat e adoptuara nga projektet dhe tё miratuara nё çdo rast nga Parlamenti, Ministrat apo titullarёt e shtetit, nuk janё bёrё pjesё e ligjit tё transferimit tё kёtyre pronave. Pёr mё tepёr nuk ekziston asnjё rregull apo vendim i shkruar pёr kriteret e pёrcaktimit tё kufijve tё pyjeve e kullotave qё u jepen fshatarёvё apo mёnyrёn se si pushteti lokal do ti administrojё kёto pasuri qё i jepen. Njё ligj qё nё 4 vjet ka realizuar asgjё, nuk shqetёson askёnd e nuk ёshtё nё axhendёn e politikёs sё ditёs. Partitё kryesore shqiptare megjithё pretendimet duket se nuk e kanё ekspertizёn pёr ti pёrfshirё nё programet e tyre kёta probleme.


Drejtorite e rrugeve, ato të energjitikës si dhe mirëmbajtësit e rezervuareve dhe të infrastrukturës së ujitjes bëjnë përpjekje serioze por té paintegruara për të mbrojtur objektet e tyre nga mbushjet, që vijnë si pasojë e gerryerjeve nga shpatet e çveshura tё maleve. Miliona harxhohen për pastrimin e kanaleve ujitës e kullues, me tepër harxhohen për të mbrojtur nga mbushjet rezervuarёt, sallat e maqinerive të hidrocentraleve, me shumicë harxhohen për të pastruar ujin e rezervuarit të Bovillës, apo pastrimin e rrugéve automobilistike e hekurudhave që kalojnë në shpatet malore. Investime bёn shteti edhe pёr malёsorёt e zbritur nё Bathore e gjetkё nё fushe. Investimet do tё vazhdojnё, dhe rezultati do tё jetё asgje pёrderisa tё vleresohet e kurohet  shkaku. Vetёm duke u njohur malёsorёve tё drejtat dhe pёrgjegjёsitё qё ato kanё pёr malet e pyjet malore, do tё krijohet mundёsia qё malet tё vishen me njerёz bimё e kafshe, si dhe do tё pёrgatiten  strategji pёr tё harmonizuar punёt pёr rrugёt, ujrat, enrgjinё, pasi vetёm nё kёtё mёnyrё pyjet do tё luajnё rolin e tyre e malet do tё  na bёhen aleatё, duke zbukuruar vendin e jetёn e duke kursyer shuma monetare marramendese per te gjithe sektorët e lartpërmendur qё u rёndojnё taksa paguesve shqiptar.
Lugina e Vjosës

Wednesday, 6 December 2017

Nëse ka vullnet, zgjidhjet per lehtësimin e ringjalljes se pyjeve ekzistojnë

nga Ing. Haki KOLA
Tiranë


          Kush ka sy e veshë, kush gjykon për mjedisin ku lind e jeton, lëviz e sheh nëpër Shqipërinë tonë të vogël, apo thjeshtë informohet sadopak nga media, e ka bindjen që mbulesa e gjelbër e tokës tonë  është dobësuar e pakësuar së tepërmi qoftë nga prerja, zjarret, kullotja, gërmimet e gërryerjet. Një shoqëri normale duhet të reagonte. Qeverisjes duhej ti kujtonte që pakësimi i bimësisë në male e kodra, është rrezik për tokën tonë, djepin që na ka lindur e na siguron jetesën. Nëse i bëhet krahasim gjëndjes dhe ecurise së mbulesës pyjore, nuk është e vështirë të konkludohet që në 25 vitet e fundit, dëmet kanë qenë më të mëdha se sa në disa nga shekujt, që kur disponohen materiale e dëshmi  të shkruara e trashëguara. Realiteti është i hidhur, po të mendosh që   shoqëria jonë pretendon se është në progress e aq me tepër por realizon kritere për tu bërë e pranueshme nga bashkësia europiane. Praktikisht duket sikur nuk dijmë të shohim mendojmë e tregojmë. Të trishton paaftësia jonë  pë të reaguar,  kur është  cënuar djepi i jetës dhe e ardhmja e saj, në një atdhe me male pa bimë e dalëngadalë pa tokë.  Jetojmë një kohë që e ka sfiduar tokën, që e thene me gjuhen e rilindasve reale, thirret atdhe, apo mëmëdhe,   duke e rrezikuar deri në ekstrem zhdukjen pa rikthim të saj në shumë pjesë të vendit, për shkak të budallallëkut tonë, si dhe mungesën e përgjegjësisë personale të cdo individi të shoqërisë, karshi jetës për të sotmen e të nesërmen e shqiptarëve. Nëse shkatërrimi i pyjeve e bimësisë së maleve do të vinte për faktorë që janë jashtë kontrollit tonë, së paku secili nga ne do të ishte  i qetë në ndërgjegjen e tij, por është fakt se  shkatërrimi vjen vetëm nga veprimet e gabuara e të verbër të pjesës sunduese  dhe  nga mosveprimi i pjesës së sunduar të shoqërisë tonë, e ky realitet monstruoz  e vendos gjeneratën e inteligjences aktuale të vendit tonë në një situatë të vështirë morale. Asnjëherë nuk është bërë publike, një plagë e shoqerisë dhe e vendit tonë. Kjo është pikërisht konsumi i madh I drurit për ngrohje. Është pjese e jetës, asnjëherë e cekur nga politike bërësit që bë vitet 1970, në një kohë që lidhet ngushtë me kualitetin e jetës dhe  do te duhej qe te ishte problem publik. Ne fakt është një tabu, qe se bashku me nevojen per kullotje, pothuaj asnjëherë nuk është bërë problem që të shtrohej për zgjidhje.

          Të luftosh me vehten tënde të jesh militant politik, e të verbohesh prej atij militantizmi përballë kësaj katastrofe, është realisht marrëzi. Ekspertë e dijetarë të mjedisit, natyrës, medias, librave që nuk u tregojnë taksa paguesve të tyre  se sa është nevoja vjetore për konsum të drurit për ngrohje, sa  pjesë e vendit digjet, përmbytet, gërmohet e betonizohet, se sa pyll e  tokë humbet, nga frika se i mbetet hatri qeverisë, duket se janë prodhuar e punësuar me bollëk. Imagjino një vend krejt të vogël si yni, ku inteligjenca arriti të japë një kontribut realisht rilindës, para nje shekulli, duke u organizuar në Ballkan, Europe e Amerikë, duke e vënë interesin e kombit, mbi shpërblimet që ju ofronte perandoria.  Inteligjenca e pas luftës dytë botërore e deri më sot, shpesh ka rënë në kurthin e politkës së ditës duke u shëndrruar edhe në një instrument partizan, duke i shërbyer manipulimeve duke lënë mënjanë sfidat e  dijes e zhvillimit. E gjithë bota që na rethon po bën përpjekje të jashtëzakonëshme për të gjetur burime sa me efektive të energjisë së ripërtëritëshme, por edhe për të përshtatur projektet e banesave që të mbahen në regjim sa më optimal për jetesë. Të gjitha këto ndryshime galopante kalojnë në heshtje në gjithë çerek shekullin e fundit dhe institucionet tona të dijes nuk kanë aritur ti imponojnë politikëbërësve reflektime e adoptime që banesat e reja, të marrin element nga banesat bashkëkohore që kontribuojnë në kursim të energjisë për secilën stinë të vitit. Është vështirë të hasësh përmirësime të ndjeshme në gjithë atë armatë të pafund ndërtimesh që u realizuan tek ne cerekshekullin e fundit.

          Tabuja për drurin për ngrohje ka lënë mënjanë edhe zgjidhjet e mundëshme. Ajo që nuk është e lehtë të pranohet në stadin ku është shoqëria jonë, është stanacioni dhe mos ndryshimi, ne mënyrën e ngrohjes, apo në mënyrën e ndërtimit të banesave, kur vendi është hapur dhe shkëmbimet me vendet e përparuara janë tashmë shumëfishuar. Si shteti, ashtu edhe institucionet e dijes, nuk ja kanë arritur që të paraqesin para shoqërissë Shqiptare, projekte me banesa që përshtaten me poliikat per ndrshimet klimatike, që e ruajnë dhe e kursejnë energjinë, si dhe të propozoheshin politika që e ndajnë koston e shtuar midis familjarëve e shtetit, çka do konsiderohej direkt kontribut i njëjtë më mbjellje të fidanave dhe  shtimin e bimësisë pyjore e veshjes së vendit.  Une mendoj, dhe jam i bindur që nëse do realizohej nje studim i detajuar që do ballafaqonte politikën e vendosur për moratorium të shfrytëzimit të pyllit, me një alternative të politikave për mbështetjen e investimeve për të grumbulluar energji diellore nga çdo familje, kjo e dyta do të rezultonte me avantazhe për uljen e presionit mbi pyjet.

          Si shteti, ashtu edhe institucionet e dijes, nuk ja kanë arritur që të paraqesin para shoqërisë Shqiptare, projekte me banesa, që e ruajnë dhe e kursejnë energjinë, si dhe të propozoheshin politika qe e ndajnë koston e shtuar midis familjarëve e shtetit, cka do konsiderohej  kontribut direkt në shtimin e bimësisë pyjore e veshjes së vendit. Si e kemi të organizuar jetën rurale, sa ngjan një shtëpi banimi tipike që ndërtohet sot, me një shtëpi banimi austriake, në kuptimin e termozolimit apo të  shfrytëzimit të energjisë diellore për ngrohje? Sa efikasitet kanë stufat që përdoren aktualisht për atë që e përdorin drurin si bazë për prodhim të energjisë për ngrohje? Sa pjesë e shtëpisë ku jetojnë bashkëatdhetarët tonë arrin të ngrohet në një ditë të ftohët të Janarit? Pas kësaj do ishte shume e arsyeshme të analizohej moratoriumi për ndalimin e prerjes së pyjeve në Shqipëri. Ky moratorium ndalon pikërisht prerjen e lëndës drusore që ka destinacion prodhimin e mobiljeve, dhe nga ana tjetër me të drejtë lejon prodhim të drurit për ngrohje. Është fakt që memorandumi e lejon drurin për ngrohje, por sa ka mundësi të prodhojë për këtë qëllim pylli që i ka mbetur Shqipërisë? Llogaritjet konkludojnë se nevojat vjetore për ngrohje janë rreth 5 herë më të mëdha se mundësia që ka pylli për rritje në një vit?


          Sido që të përpiqen politikëbërësit të gënjejnë vehten, një gjë është e sigurtë, derisa të jetë zhdukur edhe druri i fundit në Shqipëri, familjet do të bëjnë përpjekje ekstreme për të siguruar ngrohjen, dhe druri i fundit do pritet e do digjet, nëse nuk ka zgjidhje për ngrohjen e familjes. Nëse do tentonim seriozisht që të kalonim nga demagogjia në veprime reale, për të filluar kthesën, hapi i parë do të  ishte një strategji kombëtare për ndalimin e degradimit dhe ripërtëritjen e bimësisë në malet tona, urgjenca kryesore kombëtare do të ishte, vlerësimi i nevojave reale për ngrohje, rishikimi i politikave dhe kuadrit ligjor për ndërtimin e banesave, fillimi i  përshtatjes së banesave, edukimi i popullsisë për tharjen e drurit dhe përshtatja  si dhe sigurimi dhe instalimi i pajisjeve për të siguruar ngrohjen e shtëpive të banimit me energji diellore për shtëpitë në një afat sa më të shkurtër kohor. Shembulli i parë do të ishte  ndërrimi I destinacionit të fondeve të parashikuara për të mbjellë drurë me aksion, në modele shtepish të termoizoluara, apo  pajisje për ngrohjen e shtëpive rurale nga energjia diellore që grumbullohet gjatë kohës me diell dhe rezervohet e përdoret gjatë periudhës së dimrit. Kjo do ishte shumë pika e kthesës dhe e politkave të reja  për të ndaluar shkretimin e mëtejshëm të vendit, krahasuar me aksionet bombastike për të mbjellë 20 milion drurë në kuadrin e muajit të pyjeve, ku rezultati është gjithmonë i ditur paraprakisht, e u demostrua në pëprjekjet për të pyllëzuar Lurën siç ka qenë përherë zero, e investimi është bërë për të krijuar sensibilizim të gënjeshtërt që qeveria po kujdeset për pyllin.

Friday, 1 December 2017

PȄRSE PȄRMBYTET SHQIPȄRIA?

- Zhbirime në hapsirë e kohë.- 

nga dr.  Selman  MËZIU
Firence- Itali


dr. Selman MËZIU
Nuk ka shqipëtar, që nuk e torturon, e lodh mendërisht e fizikisht pyetja e mësiperme, sidomos në kohështrirjen një çerek shekullore. Kjo për arsye se vërshimet e frikshme, tmerruese të lumenjëve të mëdhenj e të vegjël, të përrenjëve, prroskave e rrëkeve, të cilat në kor, kan shkaktuar fatkeqësi të shumta, në njerëz, blektori, gjallesa të ndryshme, në bujqësi, në rrugë të reja e të vjetra, në mbytje dyqanesh, shembje shtëpishë, në përmbytje bulevardesh e autostradash etj. Shtrohet pyetja cilët janë faktorët që kanë ndikuar në kryerjen, ndodhjen e këtyre shkatërrimeve e fatkeqësive me përmasa të mëdha?

Më parë po paraqesim si e ka organizuar natyra relievin e vendit tonë në elipset e mijëra shekujve, dhe ja: ‘’Relievi i vendit paraqet variacione të theksuara, në shkallë të lartë të coptimit vertikal dhe horizontal, ku mbizotron dukshëm karakteri malor, me pjerrës të ndjeshme e shfaqje të dukurive të erozionit. Ndërtimi petrografik i territorit perfaqësohet kryesisht nga formacione magmatike e sendimentare mbi të cilat shtresohen formacione kryesore të tokave të tipit të hinjta, të kafenjta, të murrme pyjore etj.,, ( Pyjet e virgj. Te shqip. f.42 Tir. 1997)

Dhe me tej po japim mozaikun e bimësise: ‘’Larmia e formave të relievit e petrografisë, të tipit të tokave, në kushtet e klimës mesdhetare, kushtëzojne vegjetimin e një flore të pasur kryesisht mesdhetare, e cila arrin në rreth 3250 specie. Në këtë numër afro 330 specie e varietete janë drurë pyjor, 85% e të cilave rriten e zhvillohen spontanisht në natyrë, kurse 15% janë të introduktuara për qëllime ekonomike e dekorative.,, ( Po aty. f. 42) Kjo është përbërja e trupit fizik të tokës shqiptare, dhe më tej ajo është veshëmbathja e saj që e mban tokën të shëndetëshme, gjithmon të plleshme, mbrojtëse të njeriut me gjithe pasurinë e tije e burimet e jetesës.

Por çfarë ndodhi më tutje në trupin edhe të sakatuar të tokës shqiptare, në gjërsi e gjatësi gjeografike. Shkatërrimi i veprimtarisë prodhuese të fshatrave shqiptare, prerja e menjëhershme e burimeve të punës, bujqësia dhe blektoria pësuan një goditje vdekjeprurëse, popullsisë shqiptare iu boshatisën portofolet, të gjitha këto shkaktuan, tundimin e popullatës, pra çvendosjen e detyruar, në trajt turmash, familjesh, individësh, sipas mundësive, mjeteve, duke u shpërndarë nëpër, botë ose në ultësirën bregdetare shqipëtare.

Klasa e re politike që mori pushtetin, konkurenca e partive, ethet për pushtet e karrier politike, mungesa e përvojës drejtuese, organizuese e hartimit të prioritetve ekonomike, shpërbërja e pronës së përbashkët ishin faktor dëmprurës për shqipëtarët dhe burimet e jetesës. Kështu ato nuk qenë as të aftë dhe as të organizuar, të planizonin ngulmimet e reja me projekte fshatrash, lagjesh apo qytetesh etj. Si rrjedhoje u krijua një amulli e përmasa- ve të pakontrollueshme në arkitekturë e infrastrukturë të brendshme.
Filluan prerjet edhe të ullinjëve nga Shkodra, Berati e deri në Sarandë, të portokallave e limonave në bregdetin e detit Jon.

Motosharrat e sopata morën detyrën makabre të rrëzonin deri në drurin e fundit të kurorave të gjelbërta të qytetve dhe të fshtrateve të përrenjëve të mbjellura nga dora e njeriut. Por krimi u zmadhua, u egërsua iu lëshua freni ku këto sipërfaqe të gjelbërta, iu nënshtrua shpyllëzime me skavatora gjigande e makina të tonazheve të mëdha, për te hapur siperfaqe për ndërtime shtëpish, vilash, për prodhim gurësh, gëlqereje, çimentoje, ndërtime antenash etj.

Ky vrull banditesk përfshiu çdo metër katërore të pyjeve në majëmalet shqipëtare, të pemtarisë, në brezare, kodrina, lugina, të vreshtave që vazhdonin prodhimin, ullinjëve, fidanishteve, parqeve kombëtare e rezervateve faror, të gjuetisë apo monumenteve të natyrës. Promotori i tyre tanima u bë klasa politike shqipëtare për tu pasuruar me çdo kusht duke patur në njërën anë fuqine e pushtetit e në anën tjetër neglizhimi i qellimshëm në mos kryerjes se reformave te ndryshme e krijimi i bazave ligjore.

Sigurisht nuk mund të ndodhte ndryshe, vëçse, lumenjt të çakërdisun të ‘’gllabëronin,, me plot oreks brigjet e tyre, tokat dikur hambar të prodhimeve të drithrave, frutave, perimeve. Ato pak dru të mbetur në kam nga ‘’pakujdesia,, e kanibalëve të gjelbërt me kam e duar në pyjet e mbulesën e gjelbërt shqipëtare dhe me kokë në kryeministri e ministritë që pritnin llokmën e tyre të fitmit.

Korrupsioni, pra vjedhja mafioze me ryshfete, me dokumenta fallco, me tentakula helmuese, kafshuese që nga deputetët e deri tek servilët e kajmekanet e tyre në baze, e grabiti egërsisht shajakun mbrojtës të tokes, ia preu investimet që i vinin nga burime të ndryshme të venedve të ndryshme të botës, për ta shëruar, mjekuar, lidhur plagët. Fatkeqësisht vazhdoi e kundërta, po i hiqeshin ‘’lëkurët,, njëra pas tjetrës, duke e gjakosur, duke e plagosur, me lloje lloje plumbash e predhash, atëhere shiu i ramun me intensitete të ndryshme, vetëm me forcën e gravitetit thërmonte tokën e lakuriqësuar, dhe po me këte forcë e me rrëmbim e transportonte atë qindra kilometra duke zmadhuar grykëderdhjet e Vjosës, Bunës, Semanit, Drinit, Shkumbinit, Matit etj.

Dhe ja disa kronika të kohës, për të kuptuar tragjedinë që është luajtur marrëzisht, tinëzisht dhe me qëllime pasurimi të partiakeve për tu kthyer në borgjezi të re për shqiptarët e në kahje të kundërt u varfërua 95% të popullsisë në tokat shqipëtare.

‘’ Situata më e rënduar paraqitet në qarkun e Shkodrës ku nga reshjet e dendura si dhe hapja e portave të shkarkimit të hidrocentraleve të kaskadës së lumit Drin në veri, kane sjellë përmbytjen e 2000 ha tokë dhe 100 familje janë evakuar. Problematikë mbetet Vlora dhe Fieri të fryrjes së lumit Vjosa. Në Komunën Novoselë uji lumi Vjosa vërshon mbi Urën e Mifolit. Në Elbasan, aksi Elbasan- Gramsh është përmbytur nga dalja e lumit Devoll. (http://shqiptarja.com/…/permbytje-ne-shkoder-fier-vlore-dur… 15 mars2013)

Dhe ja kronika e tetëmbëdhjet vjetëve më parë:
‘’ Shtator 1995-Janar 1996, përbën një periudhë kohore, gjatë së cilës zona të ndryshme të vendit, u ndeshën me dëmtime të rënda materiale. Kjo erdhi për shkak të ngarkesës së intensifikuar të fenomeneve atmosferike. Përmbytjet e herëpashershme, shndërruan në gërmadha shumë shtëpi banimi, në raste të veçanta duke marrë edhe jetë njerëzish. (Caritas Itali)

Politika shqiptare tanima e pa aftë politikisht për të gjetur melhemin e vërtet të shërimit, hodhi tollumbacet e hidrocentraleve të Skavicës, të Ashtës, të hurdhave në të gjitha lumenjt e përrrenjt e të gjithë rrjetit hidrografik shqiptar. Pa çka se në ato egzistueset, gërryerjet në faqet apo shpatet e liqeneve, Vau të Dejes, Komanit, Fierzës etj xhvisheshin keqas nga pyjet, pa pikë përgjegjësie e kështuqë ujrat siperfaqësore të ardhura nga rreshjet, grryenin, sakatonin ekologjikisht deri edhe me rrëshqitje masive, duke mbushurpasqyrat e kaltra me materiale te ngurta. E njëjta gjë ndodhi fatkeqësisht me ujëmbledhësin e ri të Bovillës që furnizon qytetin e Tiranës me ujë të pijshëm.

Qeveritë e deritanishme me masakrën mjedisore, me bombën ekologjike që e kanë prodhuar nga organizimi institucional i gabuar, nga mos vlerësimi i kapaciteteve të specialistëve të fushave të ndryshme, të politikanëve largëpamës, të ndershëm e patriot, Nuk arritën të vlerësojn, të mbrojne e ti japin rëndësinë e duhur ekosistemit natyror në përgjithësi dhe bujqësor në veçanti. Këto janë arsyet që politikanët kokëbosha me kryetarët të etur për karrier, mendje fregista e egoista nuk kanë arritur të kuptojn shkakun dhe pasojën e ndodhjes të këtyre katastrofave të njëpasnjëshme.

Ndërtime shtëpishë etj. në brigjet e lumenjëve, liqeneve e rezervuarave, terreneve me pjerrësi të madhe, mungesa e kanalizimve me funksione të ndryshme, ka shkaktuar fatkeqësi të shumta e dëmtime ekonomike të familiareve, të blektorisë , të mbjellave në gjithë teritorin shqiptar. Hedhja e mbeturinave, kudo e ngado, që nga bulevardet, rruget e rrugicat e qyteteve, brigjeve të përrenjëve, lumenjeve, liqeneve, helmoi mjedisin, bllokoi kanalet e kullimit, shkaterroi te gjitha qeniet ujore në ujrat e tyre e në dete, dhe egërsoi ato duke shkaktuar fatkeqësi në njerëz, blektori e bujqesi, kopshtari etj.


Mosfunksionimi i hidrovuarve, mbyllja me ura, rrugë, e kanaleve kulluese me përmasa të mëdha, mos pastrimi i tyre shkaktoi mbytjen e qindra e mijëra shtëpive në gjithë ultësirën bregdetare. Akoma malet, parqet kombetare, vuajn masakrën me motorsharra sopata, zjarre, me skavatora gjigand duke shkatërruar tokën bilogjikisht të plleshme dhe sisitemi eshtëror, shkamin amnor, duke e grire, coptuar e kthyer në gropa gjigande, si Tomorri, Krasta e Krujës, Taraboshi, Mali pranë rrugës Vajgurore Berat dhe atë të Kakariqit në afërsi të qytetit të Lezhës etj, të cilat do të mbeten në shekuj plagë vdekjeprurëse për të gjitha gjallesat.

Dhe ja fatkeqësite në njerëz të shkaktuar nga vërshimet e tmerrshme përgjatë 20 vjeteve: ‘’Statistikat e 20 viteve të fundit tregojnë një mesatare prej 0.05 vdekjesh për ngjarje,me një maksimum prej 5 vdekjesh për ngjarje (përmbytje e shpejtë në komunën Kaçinar-rrethi Mirditë në 1995). Komunat më të prekura janë Bushtrice dhe Kacinar me 5 vdekje dhe Gramsh me 2.,, ( Mbledhja etë dhënave historike të humbjeve nga fatkeqësitë ne Shqiperi,, Grup autoresh Tirane 2011)

Dhe më tej po nga ky studim, shkruhet mbi humbjet ekonomike, të cilat janë katastrofa të mëdha financiare: ‘’ Humbjet mesatare që priten çdo vit janë llogaritur të jenë rreth 370 mln lek (3.2 mln $), me një maksimum prej 4 billion lek (35.2 mln $) në 2010. ….. Dajci ka regjistruar 1 miliard lek (8.8 mln $) humbjesh, ndërkohë Bërdica dhe Bushati kanë regjistruar rreth 0,5 miliard lek (4.4 mln $) humbje; të gjitha këto komuna gjenden në rrethin e Shkodrës. ,,( Po aty) Dhe më tej sasia e siperfaqeve të përmbytura me ose pa kultura të mbjellura, arrine në ‘’…. përmbytjet e shpejtakanë gjithashtu një impakt të madh ne sektorin e bujqësise duke shkaktuar një mesatare prej më tepër se 7,000 hektarë tokë të dëmtuar çdo vit me një maksimum prej më tepër së 40,000 hektarete dëmtuar në vitin 2010.,(po aty)

Kronikat e përmbytjeve janë të shumta dhe ja disa prej tyre.
Shtator 22-30 të vitit 2002, pra që nga ky vit natyra filloi të kërcënoi seriozisht dhe me dëmtime kolosale, natyrën dhe popullsinë shqipëtare. E më pas vazhdon me 23. XI. 2010. Dhjetor 2014, fillimi i shkurtit 2015, fillimi janarit dhe i nëndorit 2016 etj, të cilat tregojnë se sa herë që bien shirat ato pllakosin natyrën e popullsinë me fatkeqësi të mëdha. Arsyet e të cilave shpejgohet vetëm e vetëm me argumentat e mësipërme.

Ndokush mund të bejë pyetjen: Po ja edhe në vendet fqinj ka përmbytje? Ȅshtë e vërtet. Kjo është e mbarsur me ndryshimet klimatike mbarë botërore, të ardhura për dy arsye:

Së pari; shkatërrimi i pyjeve tropikale, e të amazonës, duke e shfrytëzuar për lëndë druri dhe krijimit të plantacione mijëra hektarëshe me banane, kafeje, kakaoje etj., pa kurrfare kriteresh teknike, dhe në masivitet.

E dyta; ndotjet e mjedisit me dioksidi karbonik, helme e pluhura të shumta, ka ndryshuar gjëndjen fisiko kimike të shtresave të atmosferës.

Si rrjedhojë edhe politika anti natyrë e qeverive shqipëtare për një çerek shekulli ka kontribuar shkëlqyer në shkatërrimin e mbulesës biologjike e fizike të tokës, pyjeve, tokave bujqësore dhe ndotjen e atmosferës etj

Cilat jane udhët e shpëtimit, rrugëzgjidhjet? Dhe ja disa prej tyre:
1- Grupimet politike, duhesh dhe duhet të hartojnë urgjentisht plane strategjike në drejtim të bujqësisë, pyjeve, tokës e nayrës si ekosisteme me rëndësi të madhe vazhdimësie jete e zhvillimi, për ta ruajtur, marrun masa mbrojëse të tokës e pyjeve, modernizuar punimet e shtuar në sipërfaqe pyjet.

2- Në ultësirën bregdetare të mbahen në gadishmëri të plote hidrovoret dhe të pastrohen e mirëmbahen kanalet kulluese, të të gjitha kategorive si dhe duke ndërtuar edhe të reja sipas nevojave dhenë bazë të projekteve të inxhinierave të tokave.

3- Nëpërmjet një legjislacioni, plotësimit të kushteve materiale e teknologjike dhe edukimit të popullit në qytete e fshatra, të mbahen mjediset ujore, tokësore e ajrore të pastra, gjithashtu edhe mbeturinat të grumbullohen, të riciklohen, pra të futen në funksion të njeriut e natyrës pa e kthyer ketë të fundit në varreza të tyre.

4- Pyjet e kullotat si potenciali më i madh ekonomik, turistik, shëndetësor, e mbrojtës të plleshmërisë së tokës dhe si frenuese efektive dhe reale, nga përmbytjet katastrofike të qendrave të banuara, infrastrukturës dhe bujqësisë, të mirëadminstrohen, të ruhen me ligje të forta, të shtohen me anë të projekteve inxhinierike, të përmirësohen e të kryhen pyllëzime me efektivitet e profesionalizëm.
5- Ndërsa të treqindë mijë hektar toka dikur të reja bujqësore, të hapura në epokën e socilaizmit, të vihen nën administrimin e rreptë të privatëve apo të bashkive, t’iu akordohen investime për tu mbjellur pemtore, drurë pyjor si dhe të merren masa të menjëhershme për tu mbrojtur nga grryerjet.

6- Në gjithë rrjetin hidrografik të shqipërisë, pra në përrenjt e vegjël e të mëdhenj, të ndërtohen prita me gardhe, me mure të thatat dhe prita malore të kategorisë vepra arti, duke u kryer edhe pyllëzime në ujëmbledhësit e për rreth tyre.

7- Studimi i plotë, mbi baza të metodikave dhe personelit të inxhinierëve hidroteknik dhe të mjedisit i gjëndjes së argjinaturave, pritave malore dhe më pas, riparimi i atyre të shkatërruara dhe fillimi i ndërtimit të argjinaturave në brigjet e lumenjve, ku ende nuk janë ndërtuar përshembull pjesërisht në Drin e Bunë, pjeserisht në Shkumbin, Seman e Vjosë etj.

8- Për të zvogëluar sa më shumë që të jetë e mundur prurjet e ngurta, të ndërtohet rezervuar në pjesët e sipërme të lumenjëve, Osum- Miçan, Vjosë- Badelonjë, Erzen, lumi i Tiranës- Skuterrë, Drino – Hormovë etj

Shqipëria do të vazhdohet të përmbytet nga përrenjt e lumenjt që kanë shtratin në relieve të thyeshme, përderisa politika shqiptare nuk do të pastrohet nga të korrupuarit e hajdutët që vjedhin investimet, që nuk mendojnë për zhvillim ekonomik e kulturor të popullit të varfëruar deri në palcë, që jeton në këto troje, përderisa nuk do të kryejnë reforma të thella në organizim administrativ, në ngritjen e funksionimin e instirucioneve proktues- zbatuese e kontrolluese dhe në pronësi të tokave, bujqësore, pyjore e livadhore.


Firence 16. 12. 2016 Dr. Selman Mëziu