Shtator dita e pesëmbdhjetë. I nxehti përvëlues i gushtit nuk kishte thyer qafën. Në dhimbje e vuajtje njeriu me gjallesat e tjera. Edhe gurët gëlqeror në faqet me shkëmbinj gëlqeror, në Ekonominë Pyjore Molunge, ngastra me numur gjashtëdhjetë janë nxehur sa të djegin lëkurën e duarve.
Tuesday, 29 September 2020
NËNA VALENTINA I GRISHI ATO NË LUFTËN KUNDËR ZJARRIT
Shtator dita e pesëmbdhjetë. I nxehti përvëlues i gushtit nuk kishte thyer qafën. Në dhimbje e vuajtje njeriu me gjallesat e tjera. Edhe gurët gëlqeror në faqet me shkëmbinj gëlqeror, në Ekonominë Pyjore Molunge, ngastra me numur gjashtëdhjetë janë nxehur sa të djegin lëkurën e duarve.
Thursday, 24 September 2020
SHËRBIMI VETERINAR, DUHET TË ZERË VENDIN QË I TAKON NË SHOQERINË SHQIPTARE.
Prof. dr. Kristaq BËRXHOLI |
Ne vitin 1881, Pasteri i madh, kreu nje eksperiment famoz gjate te cilit ai injektoi nje grup kafshësh me nje vaksine kundër plasjes qe ai kishte prodhuar dhe nuk vaksinoi grupin e dyte te kontrollit. Pas disa javësh, te dy grupet u injektuan me shkaktarin e gjalle te plasjes dhe ai vuri re se te gjitha kafshët i mbeten gjalle. Kjo ishte me dy fjale se si e përmend historia Pasterin dhe kontributin e tij ne mjekësinë veterinare. Me kete eksperiment dhe punën per valksinen e tërbimit Pasteri mbeti i famshëm deri ne ditët e sotme.
Sunday, 20 September 2020
NIKOLLA P. QAFOKU, SHKENCËTARI SHQIPTARO - AMERIKAN QË NA NDERON
nga: Frank SHKRELI
Ish Drejtor për Euro-Azinë në Zërin e Amerikës
NJU JORK
Frank SHKRELI |
E kam thënë shpesh se komuniteti shqiptaro-amerikan, sidomos këto 30-vjetët e fundit, është rritur dhe është pasuruar me njerëz të dijes në fusha të ndryshme, përfshirë bizneset e lloj-llojshme, teknologjinë informative, fushat akademike, mjekësinë dhe shkencën, vetëm për të përmendur disa fusha e profesione me rëndës, ku pjesëtarë të komunitetit shqiptaro-amerikan po e dallojnë veten, qoftë në nivel kombëtar, ashtu edhe ndërkombëtar, këtu në Shtetet e Bashkuara.
Një prej tyre është Dr. Nikolla “Niko” Qafoku, njëri prej pjesëtarëve më të dalluar të komunitetit shqiptaro-amerikan me arritje kulmore në fushën e shkencës, i njohur për veprimtarinë e tij shkencore në Shtetet e Bashkuara dhe më gjerë. Niko Qafoku, që prej vitit 2000 punon në firmën Pacific Northwest National Laboratory (PNNL), në Richland të shtetit Washington, në veri-perëndim të Amerikës.
Në një njoftim të Institutit Alb-Shkenca, një themeluesit e të cilit është edhe Niko Qafoku, bazuar në burime pranë firmës (PNNL), thuhet se ditët e fundit atij i janë akorduar dy tituj të lartë shkencorë në Amerikë dhe më gjerë. Njëri prej tyre është titulli prestigjoz “Laboratory Fellow” i kësaj firme të madhe e të njohur amerikane, e cila jep për shkencëtarët më të dalluar në fushën e veprimtarisë së tyre. Shkencëtari shqiptaro–amerikan Niko Qafoku, sipas Institutit Alb-Shkenca, një organizatë kjo me 250-300 anëtarë, studiues shqiptarë në Shtetet e Bashkuara dhe në vende të ndryshme të botës, e ka marrë këto ditë gradën më prestigjoze – studiues i PNNL (Pacific Northwest National Laboratory), një institucion ky i krijuar dhe I financuar nga Departamenti për Energjinë në SHBA”, thuhet më tej në njoftim.
Njoftimi thekson gjithashtu se kompania “PNNL ua jep titullin “Laboratory Fellow” ose “Battelle Fellow”, atyre shkencëtarëve kërkues që kanë arritur majat e fushës së tyre e që kanë fituar njohje ndërkombëtare nga kolegët, por edhe atyre që, njëkohësisht, demonstrojnë vazhdimisht krijimtari dhe prodhimtari të lartë në punën e tyre, në nivelet më të përsosura shkencore e profesionale. “Jemi krenarë që një nga kolegët tanë më të hershëm dhe i palodhur në Alb-Shkenca ka korrur suksese në fushën e tij kërkimore-shkencore. Është me të vërtetë frymëzuese” arritja e Niko Qafokut, bashkatdhetarit tonë me shumë vlerë – thuhet në njoftimin e botuar në portalin e Institutit Alb-Shkenca, me rastin e avancimit të Dr. Qafokut në pozicionin e “Laboratory Fellow”, në firmën Pacific Northwest National Laboratory (PNNL). Dr. Qafoku punon në këtë firmë prej më shumë se 20 vjetësh, ku këto ditë iu akordua grada më prestigjoze e studiuesit të PNNL. PNNL është një institucion që financohet nga Departamenti për Energjinë në SHBA, një ent me rëndësi gjeo-strategjike për sigurimin kombëtar të Shteteve të Bashkuara.
Disa ditë pas njoftimit të lartëpërmendur, Dr. Qafoku mori një tjetër lajm të mirë për karierën e tij, kur u njoftua se Shoqata Amerikane e Shkencës së Tokës (Soil Science Society of America) e zgjodhi atë si “Fellow” të kësaj shoqate, që është titulli më i lartë që e akordon kjo shoqatë amerikane me reputacion ndërkombëtar për shkencëtarët më të merituar. Në letrën përshëndetëse, me të cilën njoftohet Dr. Qofaku për nderimin e tij me këtë titull prestigjoz, i dyti brenda disa ditësh, Shoqata Amerikane e Shkencës së Tokës thotë se për titullin më të lartë që i është akorduar Dr. Qafokut kanë votuar antarët e Shoqatës, bazuar në arritjet profesionale dhe në shërbimin e merituar të tij, si shpërblim për kontributet dhe sukseset e arritura të Nikos. Dr Qafokut do t’i dotëzohet zyrtarisht titulli “Fellow” në mbledhjen vjetore të shoqatës, ndërkohë që emri, fotografia dhe një biografi e Dr. Qafokut do të vendoset në sallën “Awards Hall of Fame” të shoqatës, gjithashtu një nderim i veçantë dhe i dokumentuar përgjithmonë në atë sallë, dhënë fituesve të këtij titulli prestigjoz.
Dr. Niko Qafoku, Laboratory Fellow Chief Scientist and Team Lead,
Environmental Geochemistry, Pacific Northwest National Laboratory
Tituj të tillë në Amerikë nuk jepen lehtë dhe as nuk sigurohen me miqësi, por bazuar në merita dhe në punë të madhe dhe serioze. Mbi të gjitha, shpërblimet e tilla varen nga sukseset përfundimtare dhe nga rezultatet e punës, të mirëprovuara, të dokumenuara dhe të miratuara nga ekspertët e fushës. E kam thënë edhe herë të tjera se në Amerikë askush nuk të jep gjë falas, as nëpërmjet miqve. Personat që punojnë shumë dhe janë seriozë në profesionet e tyre nderohen me tituj e shpërblime të tjera vetëm në bazë të meritave nga dhe firmat për të cilat punojnë shumë shqiptaro-amerikanë të suksesshëm, siç është shkencëtari Dr. Niko Qafoku.
Curricullum Vitae (CV) e Dr. Qafokut është vetëm një prej treguesve se me sa seriozitet, me punë të madhe dhe me përkushtim total e ka marrë ai detyrën gjatë viteve. Megjithëse unë nuk marr vesh shumë nga shkenca, biografia e tij është një dokument i gjallë i performancës dhe provë e veprimtarisë së tij të shkëlqyer në fushën e tij. Punën dhe profesionin prej shkencëtari të dalluar në fushën e tij këtu, në Shtetet e Bashkuara, ku shpeshherë njeriu përballet me konkurencë të fortë të ekspertëve më të mirë e më të njohur në fushën e tyre, Dr Qafoku e ka zhvilluar, jo vetëm në ambientet dhe në hapësirat e disiplinuara të punës së tij në këtë vend, por edhe në konkurencë me ekspertët më të njohur të fushave të ndryshme shkencore nga mbarë bota.https://energyenvironment.pnnl.gov/staff/staff_info.asp?staff_num=2047
Amerika dhe kompanitë e mëdha amerikane, përfshirë ato shumëkombëshe, janë tepër unike në këtë pikëpamje. Pandaj, sukseset në punë dhe arrijtjet në fushën shkencore-akademike të Dr. Niko Qafokut, i cili për 20-vjet punon në hapësirë dhe ambient tepër konkurues, meritojnë të vihen në dukje si arritje të veçanta për një shqiptaro-amerikan që na nderon. Jo vetëm për meritat e tij, të cilat duhet t’i theksojmë si komunitet, pasi janë të rralla, por të nënvijohen edhe si shembull suksesi për rininë tonë shqiptaro-amerikane, për të treguar se me punë të madhe dhe me përkushtim të vazhdueshëm mund të arrihen majat e suksesit, e, pse jo, edhe të realizohet “ëndrra amerikane” për të cilën flitet aq shumë. Nënë Tereza ka thënë se “Zoti nuk kërkon nga ne që të kemi sukses, por kërkon që të përpiqemi” të arrijmë suksesin. Duket se Niko Qafoku ka bërë më shumë se vetëm të përpiqet.
Dr. Qafoku është me fat që bën pjesë në një grup shkencëtarësh, inixhinjerësh dhe profesionistësh të tjerë nga mbarë bota që punojnë për firmën PNNL, në misionin për të zgjidhur disa prej sfidave më të mëdha me të cilat përballet sot Amerika dhe bota, jo vetëm në fushën e energjisë. Shkencëtari shqiptaro-amerikan dhe kolegët e tij, sipas firmës ku punojnë, e kryejnë misionin e tyre me devotshmëri, nëpërmjet kërkimeve shkencore në fushën bazë të shkencave për energji por edhe në mbështetje të sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara, me objektivin e vetëm për të krijuar një botë që jeton në paqe, një botë më të pastër, më të begatë dhe më të sigurtë për të gjithë. Shikoni se çfarë ndodh kur mendjet më të zgjuara të botës punojnë së bashku për të zgjidhur sfidat dhe problemet e planetit tonë të përbashkët, thuhet në portalin e firmës Pacific Northwest National Laboratory, për të cilën punon shqiptaro-amerikani Dr. Niko Qafoku dhe e cila ia akordoi titullin e lartë “Fellow” për kontributin e tij shumë të çmuar gjatë viteve.
Dr. Qafokun e kam takuar pikërisht 5 vjet më pare, në Nju Jork, ku ishim të ftuar me rastin e 90-vjetorit të lindjes të një shqiptaro-amerikani tjetër të shquar, Prof Sami Repishtit, i cili për shumë dekada ka lënë gjurmë të pashlyeshme me punën e tij prej edukatori dhe me veprimtarinë e tij të vazhdueshme këtu, në •Shtetet e Bashkuara, si edhe me kontributin e tij në mbrojtje të çështjes kombëtare dhe të drejtave të njeriut, kryesisht për shqiptarët në trojet etniker, por edhe për njerëzit kudo, të drejtat e të cilëve janë shkelur nga diktaturat komuniste dhe nga despotë e diktatorë të të gjitha ngjyrimeve, anemban botës, përfshirë tokat shqiptare. Me atë rast, Dr. Qafoku më tha se për Profesor Sami Repishtin kishte dëgjuar për herë të parë në programet e Zërit të Amerikës, aty nga fillimi i viteve të 80-a. Kishte ardhur nga ana tjetër e Amerikës, një largësi mjaft e madhe, nga shteti i Washingtonit, për të falënderuar dhe për të nderuar profesor Sami Repishtin. Ishte i pranishëm, tha ai, për t’i shprehur Profesorit të nderuar shqiptaro-amerikan falënderimet e tij për gjithçka kishte bërë dhe po bën në mbrojtje të kauzave të drejta kombëtare dhe të të drejtave të njeriut. Kishte ardhur që, në emrin e tij personal dhe të kolegëve të tij shkencëtarë shqiptaro-amerikanë, të angazhuar pranë Institutit Alb-Shkenca, ta nderonte Profesor Repishtin, këtë kolos dhe përfaqësues të shquar tëi këtij komuniteti, këtu, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. dhe të mbijetuarit të burgjeve famëkeqe të regjimit komunist në Shqipëri, i cili ka lenë gjurmë të pashlyeshme në ndërgjegjen kolektive të shqiptarëve, ka thenë Dr. Qafoku për Prof Sami Repishtin.
Me gjithë angazhimet e tij të mëdha në firmën ku punon, ndonëse fizikisht larg Shqipërisë dhe Kosovës, Dr. Qafoku dhe kolegët e tij në Institutin Alb-Shkenca nuk e harrojnë vendlindjen e tyre. Nëpërmjet Forumit të Alb-Shkencës ata janë pranë Atdheut dhe në bashkëpunim të drejtpërdrejtë me kolegët e tyre në trojet shqiptare. Rreth 300 intelektualë të fushave të ndryshme të shkencës, nga diaspora dhe nga trojet shqiptare, të cilët janë anëtarë të Alb-Shkencës, komunikojnë dhe bashkëpunojnë me njëri-tjetrin për interesa të përbashkëta dhe për të parë se si, me mundësitë e tyre, mund të ndihmojnë vendlindjen në këto kohë të vështira. Në këtë përpjekje, Dr. Qafoku me kolegët e tij, gjatë viteve kanë organizuar takime me kolegët e tyre në Shqipëri, në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut, ku instituti Alb-Shkenca i ka degët e veta, me qëllim forcimin e bashkëpunimit me autoritetet vendore dhe akademike për të zhvilluar programe shkencore për të cilat kanë aq shumë nevojë, si Shqipëria ashtu edhe Kosova. Nuk jam i sigurt se si ka shkuar ky bashkpunim gjatë viteve të fundit dhe çfarë rezultatesh mund të jenë arritur, por për një gjë jam i sigurtë: në qoftë se këto lidhje nuk kanë arritur sukseset e pritshme, jam i bindur se kjo nuk ka ndodhur për arsye të mungesës së vullnetit të mirë dhe të gatishmërisë së Forumit Alb-Shkenca dhe intelektualëve dhe shkencëtarëve të dalluar të kësaj organizate, si Dr. Niko Qafoku, që me ekspertizën dhe përvojën e tyre shkencore, të ndkihmojnë Shqipërinë, Kosovën dhe shqiptarët në përgjithësi.
Me arritjet e tij, Dr. Niko Qafoku e nderon veten dhe e nderon firmën për të cilën punon, e cila ia ka dhënë mundësitë për të arritur majat e suksesit në profesionin e tij. Por, ai e nderon njëkohësisht komunitetin shqiptaro-amerikan dhe emrin shqiptar në përgjithësi, në qarqet shkencore e profesionale të këtij vendi të madh, dashamirës dhe mik i shqiptarëveve, Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Me këtë rast, mikun dhe bashkatdhetarin tonë Dr. Qafoku e përshëndesim sinqerisht dhe e urojmë për titujt e mkirënjohjetme të cilat u nderua. Njëkohësisht, urojmë që në të ardhmen të korrë edhe suksese të tjera në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, si edhe çmime e mirënjohje të shumta në qarqet më prestigjoze shkencore, amerikane dhe botërore.
Dr. Qafoku e nderon edhe emrin e shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara. Edhe për këtë ia shpreh edhe përgëzimet dhe urimet e mia më të përzemërta, si edhe admirimin tim të thellë për titujt prestigjozë dhe për veprimtarinë e tij shkencore këtu, në Shtetet e Bashkuara. Atij dhe kolegëve të tij duhet t’u jemi mirënjohës edhe për ndihmën dhe kontributin e tyre për vendlindjen, nëpërmjet Institutit Alb-Shkenca apo në forma të tjera.
Si shkencëtar me përmasa botërore, Dr. Qafoku është krenaria e komunitetit shqiptaro-amerikan. Arritjet e tij në Shtetet e Bashkuara, në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, janë frymëzuese për të gjithë ne dhe për t’u admiruar.
Marrë nga gazeta "ILLYRIA"
ZONA NËNSHKODRËS: NJË PROJEKT I SUKSESËSHËM NË BUJQËSINË BIOLOGJIKE
Përgatiti: Prof. Ass. Enver ISUFI
ibb, DURRËS
Nën drejtimin e shoqatës COSPE, Shkodër e cila prej 25 vitesh, zbaton projekte për zhvillimin rural të zonës së Nënshkodrës, në vitin 2018, u përfshi edhe komponenti i bujqësisë biologjike. Ishte inisiativa e shoqatës COSPE, e kordinatores së kësaj shoqate prej 25 viteve Rozeta Mihali, si dhe donatorët Italian që përfshinë bujqësinë biologjike në projektet e saj.
Kjo ide kishte tre synime bazë :
…Të krijoheshin përvojat e para në zbatimin e një bujqësie miqësore me mjedisin.
…Të krijonin për fermat e zonës alternativa të reja tregu, siҫ është tregu biologjik.
….Mbështetja e agroturizmit të zonës me produkte vendase të ҫërtifikuara.
Në fokus ishte krijimi i modelit se si mbështetet agroturizmi duke fokusuar mbështetjen e qendrës Agroturistike dhe përpunuese “Mrizi i Zanave“. Vetë “Mrizi Zanave” prodhon rrush dhe verë, ullinj dhe vaj ulliri, perime dhe erëza guzhine, si dhe një sërë produktesh bulmeti, lëngje nga frutat natyrale etj. Kjo pjesë bujqësore e Mrizit të Zanave është ҫertifikuar gjithashtu si fermë biologjike.
Kjo shoqatë në Shkollën e Mesme Bujqësore “Ndre Mjeda” në Bushat, në kopështin e kësaj shkolle, me sipërfaqe prej rreth 0,5 hektarë, filloi zbatimin e parimeve të bujqësisë biologjike. Në këtë Shkollë me ndihmën e këtij projekti është ngritur edhe baza laborotirike për ruajtjen e farërave të bimëve autoktone të zonës, duke krijuar poërvojat e para të Bankës Gjenetike Lokale. Projekti mbështeti edhe instalimin e një stacioni elektronik moti, me qellim të miqësimit të nxënësve në përdorimin e të dhënave të klimës në funksion të prodhimit bujqësor.
Po përshkruajmë hapat që u ndoqën në këtë shoqatë për të filluar praktikat e bujqësisë biologjike.
1. Prezantimi i prokekt idesë (viti, 2017)
2. Hartimi i draftit të projektit (fillimi vititi 2018)
3. Fillimi i zbatimit projektit (viti 2018)
4. Përzgjedhja e grupit të dytë (fillimi 2020)
Puna filloi me përzgjedhjen e fermerëve. Shoqata COSPE fillimisht ndërtoi një listë potenciale për fermerët.
Hapi tjetër ishin vizitat në ferma për të përzgjedhur ato ferma, të cilat i plotësonin kushtet për të kaluar në ferma bio. Për këtë është hartuar një listë kriterësh, që ndihmojnë në përzgjedhjen e fermave më të mundëshme për të kaluar nga prodhimi zakonshëm në prodhime biologjike.
Vitin e parë u përzgjdhën 11 ferma. Fermat u zgjodhën nga fshatrat Grash, Fishtë, Blinisht, Hajmel, Kaҫ, Naraҫ, Dajҫ, Krajan, Shelqet etj.
Si u fillua puna?
Puna filloi me programin e trajnimeve. Janë zhvilluar këto tema:
1. Sistemet e bujqësisësë që zbatohen sot në botë dhe Shqipëri, dhe ndryshimi mes tyre
2. Parimet e bujqësisë biologjike, dhe ndryshimet e objektivat e saj krahasuar me sistemet e tjera bujqësore.
3. Parimet e bujqësisë biologjike. (Menaxhimi tokës, plehërimit, mbrojtjes së bimëve, përzgjedhja farërave dhe fidanave, qarkullimet bujqësore etj element të teknologjisë së prodhimit)
4. Lista positive e inputeve që lejohen të përdoren në bujqësinë bioogjike.
5. Prodhimi biologjik në vreshtari, në perime, në bimët e arave, në ullishtari.
6. Riciklimi i mbetjeve organike në nivel ferme dhe përpunimi I tyre për prodhimin e kompostve organike
7. Përdorimi i metodave biolteknike me anën e fromoneve për mbrojtjen e vreshtit nga tenja dhe ullirit nga miza
8. Mjete moderne më monitorimin e tenjës së hardhisë, mizës ullirit dhe tenjës së perimeve (Tuta absoluta )në serra
9. Praktikat për prodhimin e ekstrakteve biomore për plehërim nga bimët Komfrej, Hithra, Këputja e fushave (tek fermeri Mirjan Toma)
10. Sistemi i çertifikimit të prodhimeve biologjike, dhe përgaditja e fermës për inspektimin nga trupat e certifikimit
11. Marketingu i produkteve biologjike.
12. Standarti i paketimit, ambalazhimit dhe etiketimit në bujqësinë biologjike.
13. Sistemet e krasitjes në vreshta, ullishte, pemtari.
14. Teknikat e krasitjes së gjelbër në vreshta, si praktika për menaxhimin e bimës në funksion të prodhimit dhe jetëgjatësisë së bimëve.
15. Përdorimi i bletës polenizuese Bombus, për polenizimin biologjik të perimeve në serra.
Për zbatimin e praktikave të bujqësisë biologjike, në nivel ferme, fermerët u ndihmuan gjatë gjithë sezonit nga specialistët e COSPE, dhe nga këshillatri kontraktuar nga COSPE, specialist i Institutit Bujqesise Biologjike, Durres, Prof,As.dr Enver Isufi)
Ky grup fermerësh në vitin 2019 u arrit që të ҫertifikohen nga trupa shqiptare “Albinspekt” Pas përvojës së vitit të parë, në fillim të vitit 2020 u përzgjodh një grup i dytë prej 9 fermerësh, për të filluar praktikat e bujqësisë. Ky grup vazhdojë zbatimin e standartit bio dhe tani është në proçes çërtifikimi.
Pra brenda këtyre tre vjetëve shoqata COSPE ngriti një grup fermerësh biologjik prej 19 fermash, dhe këtij grupi i ka dhenë formën e një shoqate me emrin “ Bio Zadrima“
Në këtë zonë kam parë një seriozitet të lartë të fermerëve të përzgjedhur. Fermerë serioz, me kopetencë profesionale, gjithmonë në kërkim të praktikave të reja, dhe me kurajo për të zbatuar të rejat që më parë nuk i kanë njohur. Shumë inpute të reja janë përdorur këto dy vite në këto ferma.
Në këtë projekt kam parë një seriozitet që e kam parë tek projekti Institutit tonë i cili pë 10 vite ( 2001-2011) bashkëpunoi me Institutin e Bujqësisë Biologjike në Zvicrës (FiBL). Stafi i COSPE me Drejtuese Rozeta Mihali dhe agronome Rita Çuni, shumë të përkushtuar dhe professional, po të kenë akoma mbështetje financiare, do ta rrisin akoma më tepër numrin e fermerëve bio në atë zonë. Tani pas këtyre hapave me donatorët, lind nevoja e mbështjetjes financiare të shtetit, me qëllim që kjo punë e bërë jo vetëm të mos humbasë, por të zgjerohet edhe në ferma të tjera. Shkodra dhe Lezha janë dhe do jenë gjithnjë e më tepër në të klientëve turistë, vendas dhe të huaj, për vetë burimet e mrekullushme natyrore, mes tyre detin dhe liqenin, trashigimin kulturore, arkeologjike, religjize , patriotike, letraro artistike etj.
I uroj suksese këtij grupi fermerësh dhe stafit të shoqatës COSPE. Ishte kënaqësi profesionale dhe shoqërore që Instituti jonë dhe unë bashkëpunuam në këtë projekt. Suksese të mëtejshme Grupit të Prodhimit Produkteve Biologjike “Zadrima -Bio”!!!
(Ky tekst shoqërohet me disa foto nga puna në nivel ferme )
Wednesday, 16 September 2020
SI TA KETË SHKRUAR ZOTI
Tregim
nga: Avdulla KËNAÇI
gazetar&shkrimtar
Toronto, Kanada
1.
– Si u erre, xha Agush, nga ia fytylose sot?
– Ujdise ndonjë gjë të hairit, apo me ato të vjetrat?
– Po të lënë fuqitë xha Agush, kot branisesh nëpër shullënjë. Rehatohu në shtëpi. Nuk ke moshë të ngasësh kopenë mbrapa!
– E si nuk e lave dot gjakun, a derëzi! – i thotë një tjetër me shpoti.
Këto fjalët e fundit sikur e qëlluan me plumb në zemër dhe ai tkurret e mblidhet sa një grusht. Është lab me sedër xha Agushi. Nga inati rënkon e turfullon. Sytë i gjallërohen e i lëshojnë xixa si urori kur shkrep mbi stërrall:
– Si ta ketë shkruar Zoti, mor bir! – përgjigjet i zëmëruar dhe bën tutje shtegut, pa kthyer kokën mbrapa. “Si ta ketë shkruar Zoti”! Ende ka shpresa ky njeri, ky plak i rrëgjuar ta verë në vend nderin?! Pyesin veten të habitur ata që e kanë dëgjuar edhe tjetër herë atë shprehjen me besimin tek Zoti. Ta themi troç; xha Agushit nuk i pëlqen fare kjo temë dhe as njerëzit që hiqen sikur i ha meraku për fatin e tij. Vallë çfarë ka bërë ndërmend? Është në një moshë që nuk i ka lezet të ndjekë fjalën si qeni gurin. Gjaku, është pika më e dobët e tij, filli më i hollë e delikat, pengu i gjithë jetës. Nuk është se ia pati me të keq ky karafili i fundit, ashtu mendon ai, ashtu mendojnë edhe shumë të tjerë në fshat. Gjakmarrje, kjo fjalë prej vitesh i rri plakut të gjorë si xhëng në mes të kraharorit. Ajo fjalë nuk e lë të gëzojë, por as të vdesë rehat. Jo, nuk vdes kaq lehtë, nuk e jep shpirtin kaq kollaj, është i thatë e i thantë xha Agushi dhe ka të drejtë të ëndërrojë. Janë miq, kushërinj e kushërira, të vjetër e të rinj që e përshëndesin me dashamirësi kudo që e takojnë rrugës apo në mal, por ndonjeri e çpon likësht, si ky djaloshi i fundit. Është burrë i mirë xha Agushi. Nuk i ka bërë keq njeriut, prandaj e njatjetojnë dhe e duan të gjthë, por ky ftujaku që i kujtoi gjakun, pa dashje e dongëdisi dhe e vrau rëndë në shpirt. Hergjele, i pa gdhendur, qëlloi fort e me sa fuqi që pati në plagë. Janë të çuditshëm këta bashkëfshatarët. Nuk u rrihet pa futur hundët në punët e atij tjetrit. Ju duket sikur janë pronarë të jetës së tij dhe ai ua ka borxh t’u japë llogari e t’i shkoqitë një nga një, kohë e pa kohë. Ç’është e vërteta janë pak të trashë.
Ky është një fshat i vogël në Labëri, i leksur e i pleksur me njëmijë fije me njëri-tjetrin. Po të gërmosh thellë, të gjithë bien kushërinj. Terreni vjen si një magje e madhe, rrahur nga dielli, vendosur në një pllajë të bukur, rrethuar me male dhe ka një grykë të ngushtë si një hinkë që derdhet për nga jugu, në drejtim të qytetit. Nuk mbahet mend se kur kanë nisur të banojnë njerëzia aty. Disa thonë se të parët e tyre kanë qenë jelimë. Gjurmët e jelimëvë janë ato muret e ngritur me gurë të mëdhenj sa një sënduq, sidomos në trojet e vjetra. Disa thonë se atje kanë gjetur eshtra njeriu, pesë pash cula e këmbës. Kanë qenë njerëz trupmëdhenj jelimasit. Këta të sotmit në përgjithësi janë me shtat mesatar, rrallë është ndonjeri më i gjatë se sa të tjerët. Nuk kanë bark apo mollaqe të trasha; terreni i ashpër i ruan nga tulet e tepërta. Fshati ka rreth njëqind shtëpi që nxjerrin tym dhe jeton vetëm me blegtori. Kur mungojnë burrat, gratë bëjnë punët e tyre, mbjellin arat apo ngarkojnë mushkat, mbledhin barin për dimër apo korrin e shijnë grurin. I flasin njëri-tjetrit në emër, nuk i njohin ato shkallë gjeraqike si zot apo zonjë, ose ndajshtime që i dallojnë nga të tjerët. Janë njerëz të lirë si era e të fortë si stërralli. Përgjithësisht vishen me rroba të leshta. Pranojnë në kuvende e gosti edhe gratë të cilat nuk mbahet mend ta kenë mbuluar ndonjëherë fytyrën apo t’u jetë prerë fjala në kuvend. Shumica e krushqive lidhen brenda fshatit, nga mëhalla në mëhallë. Mëhallë quhet fisi i cili besohet se ka rrjedhur vetëm nga një çift. Kështu, brenda fisit nuk ka krushqi e martesa sepse të gjithë konsiderohen vëllezër e motra. Në të mira e gëzime, vizitat në fis bëhen pa njoftime. Në çdo fatkeqësi e gosti fisin e ke të gjithin aty me peshqeshe, të gatshëm për çdo ndihmë apo punë. Edhe për të luftuar apo pët t’u hakmarrë ndaj të tjerëve. Në se ke ofenduar apo rrahur ndonjë të fisit, dije se ke hyrë në armiqësi me të gjithë. Kështu ndodhi edhe me xha Agushin kur i vranë djalin Muçomatajt. Vrasësit nuk janë nga ky fshat, por nga tjetri, ai nga fryn murrëri.
Gjëma në shtëpinë e xha Agushit ndodhi trembëdhjetë vjet të shkuar. Muçomatajt i qëlluan me thikë djalin e madh, 22 vjeç. Për tre muaj priste të bëhej dhëndër. I mbeti nusja beronjë në derë babe, derëziut. Kullotat e tij në Qafë Gomathi janë ngjitur me ato të Muçomatajve. I ndan vetëm një përrua i hollë, si një vetull që del papritur vetëm kur ka stuhi e tufan. Kopeja e fqinjëve kishte kapërcyer atë dreq përroi dhe kulloste për shtatë palë qejfe në lëndinat e xha Agushit. Djali i madh, Zeneli, i pa qysh sipër nga maja e një kokojke dhe u lëshua si skifter mbi kope duke i dëbuar me britma e sokëllima. Ato të bekuara nuk shkuleshin nga bari i njomë e i bollshëm dhe djaloshi si furtunë u detyrua t’i shtyjë me shkop e thirrje të thekshme. E dëgjuan Muçomatajt dhe iu dhimbs malli i tyre, kopeja me dhën pëlleja.
– Avash- avash, Zenel se i shove me shkop të uruarat, janë dhën në qumësht, a i vrarë!
– Hapni sytë zorzopë, i keni lëshuar si në limer të babait, edhe ne për dhëntë pëlleja e ruajmë atë kullotë!
– Na fal, o bir, u morëm me muhabete dhe nuk i vumë re, por ta çmojmë dëmin e ta shlyejmë me bulmet, – i tha më plaku.
I biri i tij, një azgan-djalë, i rrëmbeu kërrabën të atit nga dora dhe u nis drej Zenelit si shigjetë. Iu lëshua si një ujk i uritur dhe u përlesh me të duke e kapur nga qafa e shpatullat. Zeneli ishte më i fuqishëm se ai dhe e vuri poshtë duke ngritur sipër kokës një gur, gati për ta qëlluar. Por fqinji, i trembur për vdekje, që poshtë palltos së leshtë nxori thikën dhe e shpoi me sa forcë që pati, drejt e në zemër. Djali 22-vjeçar dha shpirt aty në kullotë, tek këmbët e tij. Pllaja u mbush me britma e blegërima delesh. Ndodhi gjëma. Plaku i Muçomatajve i ra kokës së tij me të dy grushtet dhe thirri me dëshpërim: “Ç’më bëre, o bir, më hodhe në hasmëri për jetë me Agushin, mikun më të mirë që kam. Ec e ngjalle tani të vdekurin!”. Muçomatajt në fillim u hutuan, por pastaj e mblodhën mendjen shpejt. E ndjenë rrezikun. Meshkujt braktisën kopetë e bagëtive dhe të frikësuar ikën e morën shpellat e skërkat për gjëmën që u bëri djali i tyre gjaknxehtë duke i armiqësuar për jetë me fqinjët shekullorë.
Zenelin e vrarë pabesisht, stanarët rrotull e sollën në fshat mbi një vig me dru bredhi të sajuar shpejt e shpejt. Kur e ulën në oborr, vigu ende kullonte gjak. Plakës dhe të shoqes i ra të fiktë, por xha Agushi i përmendi duke i qëlluar me pëllëmbë në faqe e duke u hedhur nga një strufe me ujë të ftohtë në fytyrë. Atij vetë iu pre gjuha dhe i iku zëri. Lugina si magje, u mbyt me ulërima që të këputnin shpirtin e të qara grash me oii. Graria çorën faqet dhe plakat drejtuan mallkime e nëmë drejt qiellit për farefisin e Muçomatajve: “U shofshin e u bëfshin koqe-koqe e gurë-gurë!”. Dukej sikur edhe qershitë, arrat e gështenjat nëpër koshtra, kullonin me pikëllim vaj e lotë. Kafshëve, në shenjë zije, u prenë jeletë dhe cullufet e bishtit. Në fshat kishte vite që nuk ishte parë e dëgjuar një gjëmë e tillë. Nëntëmbëdhjetë djem të fisit, me armë në dorë, sa të hapësh e të mbyllësh sytë, u mblodhën grusht në oborrin e shtëpisë së xha Agushit. Prisnin urdhër prej tij për t’u lëshuar si rrufe mbi Muçomatajt; do t’i bënin shkrumb e hi. Xha Agushit i dridhej mjekra dhe lotët i rrokulliseshin faqeve. Hapi gojën për herë të parë qyshkur mori mandatën:
– Djemtë e mij, gjithë ju lastarë të rinj, ferishte, u arça në të mira e gëzime! U faleminderit që m’u gjendët pranë! Kemi meitin brenda në qoshe të shtëpisë, të bëjmë zakonet. Ta nderojmë ashtu siç i takon. Këtu jemi, do flasim përsëri, u pastë xhaxhai sa malet! Jo sot. Gjaku do merret se nuk bën, sa të jem unë gjallë këtë sharkun e vjetër do t’ua var në derë Muçomatajve!
Djemuria u step nga këto fjalë, por edhe u çorientua. Urrejtja i kishte ndezur tym e flakë përbrenda, i kishte verbuar dhe zienin nga inati dhe zëmërimi. Nisën të pëshpërisin me njëri-tjetrin. Si ishte e mundur të shtyhej gjakmarrja?! Hekuri rrihet sa është i nxehtë. Muçomatajt nuk do të kishin ikur shumë larg. Ata mund t’i kapnin për zverku në vrimat e shpellat ku fshiheshin si minj. Më në fund, pas sherresh e shamatash, i dhanë dum të dëgjonin fjalët e plakut. Ai i di më mirë rregullat e gjakmarrjes. Kjo vrasje atij i kishte dhembur e therur në shpirt më shumë se kujtdo. Gjithsesi ata do të ishin të gatshëm e me dyfek në dorë në çdo çast. Nuk u trembeshin Muçomatajve. E thanë disa herë, prej tyre nuk ua bënte syri tërr.
Xha Agushit iu ndodh fshati pranë me kuç e me maç. Zenelit të vrarë pabesisht iu bënë të gjitha zakonet e Labërisë. Në shtëpinë e meitit, qebapi që piqte kafenë, gjithë ditën, nuk hiqej nga zjarri. Mulliri me dorezë argjendi të shkruar, sjellë që nga Stambolli, bluante papushim kafe të pjekur taze dhe filxhanët nuk kishin të sosur, ulu e ngreu nga sufranët. Në atë oda vakie pihej shumë duhan dhe bëheshin lloj-lloj bisedash, kujtoheshin luftrat, trimat, gjithë të vrarët e të vdekurit; merreshin nëpër gojë punët në fshat e ata që kishin ikur në kurbet. Vetëm hakmarrja nuk zihej në gojë. Xha Agushi ua kishte ndaluar të flisnin për të.
Pasi u mbushën të dyzetat, krushku, babai i të fejuarës së Zenelit, hapi bisedën i pari:
– Si do bëjmë me vajzën time, Agush?
– Të shohë punën e saj, Zeneli nuk më ngjallet më, – tha ai dhe një lot i nxehtë i rrëshqiti faqeve.
– Atë e di, por unë nuk kam qejf ta prish këtë miqësi. Kemi shkuar mirë së bashku.
– Të thashë, im bir nuk ngjallet më.
– Ti ke një djalë tjetër dhe unë kam një vajzë më të vogël se sa ai.
– Po, kam Lirimin që iu bëfsha kurban, po është i vogël, shtatë vjeç djali i babos.
– Nuk do rrijë gjithnjë i vogël, do të rritet.
– Më zure ngushtë, mor mik. As unë nuk dua të prishet miqësia, por e mira do të ishte të të kisha kujtuar unë, e kam humbur fare toruan.
– Të ranë halle të rënda, Agush vëllai e nuk të shkon mendja në gëzime, po i gjalli me të gjallin.
– Për hajër na qoftë!
Kështu miqësia midis dy familje nuk u këput nga vdekja, por vazhdoi më e fuqishme. U lidh me besa besë. Lirimi shtatë vjeç u fejua me Zerdelinë pesë vjeçe, por kjo u mbaj sekret edhe për shtatë vjet të tjera. Atë e dinin vetëm të dy pleqtë sedërqarë.
2.
Ditët, muajt e vitet rridhin si pa kuptuar dhe xha Agushi nuk kishte kohë të kujtonte as emrin e tij. E humbi mendjen pas punëve të stanit. I mbetën të gjitha hallet mbi kurriz. Tufën e deleve jo vetëm e ruajti në numur, por e shtoi edhe më shumë. Zoti i dha fuqi dhe ai i doli në krye mallit e banesës si në të ri të tij. U përpoq që njerzve të tij të shtëpisë të mos u mungonte asgjë. Lirimi po rritej me gjithë të mirat. Kur djali shkoi 14 vjeç, e shpallën fejesën në fshat e këmbyen nishanet, por këngë nuk u bë. Vajza çdo ditë e më shumë zbukurohej, rritej si një lastonjë me faqet si shegë, me flokët ngjyrë mjalti, sytë e zinj si ullinj dhe mesin e hollë si ngjalë. Hodhi shtat si një kumbull zerdeli dhe sa herë që shihte xha Agushin, i fshihej, por me Lirimin fliste si pa gjë të keq. Ishin rritur së bashku. Nuk i besohej se një ditë do të bëhej nusja e tij.
– Zerdelia m’u bë më e bukur nga vajzat e tjera se e kam rritur me xipë qumështi e kulaç të situr, është më e vogla, zemra e ligos, vajza e pleqërisë, – thoshte e ëma me fodullëk duke i dhënë pak përpara gjoksit kur fliste në krua.
– Eh, moj korbë, ia more vonë dorën bukurisë, tani të është tharë barku e nuk pjell më të tjera, se kushedi, mbase do të ishin burbuletur edhe djemtë tanë me to, – i përgjigjeshin shoqet me një fije zilie e shpotie së bashku.
Dukej sikur plaga e vjetër për humbjen e Zenelit ishte mbyllur, madje edhe gjakmarrja. Edhe nëse e kishte harruar xha Agushi, nuk e harronin ata, bashkëfshatarët e tij. Kur e shikonin që ai nuk e merrte dyfekun me vete pas kopesë, i thoshnin si me shaka:
– Ku shkon pa armë, Agush, ja të dolën përpara Muçomatajt, çfarë do të bësh? Me gurë do luftosh?
– E po kur mun, mun e kur s’mun, s’mun, – u përgjigjej ai pa të keq.
Domethënë kjo puna e gjakmarrjes qënkishte sipas mundësive, kur mund, mund e kur nuk mund, nuk mund… Xha Agushi po dilte kundër fshatit, po shkatërronte një zakon, një traditë të lashtë. Me sa duket, po vinte rrotull të hiqte dorë nga hakmarrja dhe disa nga bashkëfshatarët e shihnin atë si një vulëhumbur, mos mundash, të vjetër e të squllur. Ama ata nuk harronin që ditën e varrimit të të birit ai kishte thënë: “Gjaku do merret se nuk bën, sa të jem unë gjallë këtë sharkun e vjetër do t’ua var në derë Muçomatajve”! Dhe njeri prej bashkëfshatarëve, Ferriku, iu bë ferrë. i dilte përpara ngado. Në fillim ia sillte rrotull atë punën e gjakmarrjes, por më vonë i drejtohej me përqeshje dhe një ditë i tha si me të ngjeshur:
– Akoma e ke atë sharkun e vjetër se të shoh që mallin e gjënë e ke shtuar, edhe shtëpinë e bëre të re. Nuk besoj të kesh sëkëlldi për gjërat e vjetra.
– E di që të ha meraku për punët e mia, po shih më mirë quramidhet e tua. Ke një jetë të tërë që punon dhe mbulove vetëm një faqe shtëpie me quramidhe të kuqe, tri faqe të tjera i le me kashtë, ashtu siç i trashëgove nga babai yt. Marr apo nuk marr hak unë, atë ia kam lënë Zotit, si ta ketë shkruar ai, – i tha me sy të skuqur e leshrat ngritur përpjetë si xinë dhe i ktheu krahët këtij rremalli.
– Ti nuk di ta lexosh Zotin se nuk di shkrim e këndim, o plak i rrjedhur! – i tha Ferriku duke e ditur se ai ishte larguar shumë dhe nuk po e dëgjonte.
Por jo, tamam sikur ta kishte dëgjuar, një damar gjaku i vërshoi në ballë xha Agushit dhe i përshkoi nënlëkurën si gjarpër. Ama këtej e tutje Ferrikut në fshat ia ndërruan llagapin, i thërrisnin Ferrik Quramidhja. Malësorët e kësaj krahine janë krenarë e fodullë, nuk lënë qime t’u ngjitet në kadife, as Ferrik shpifaraku nuk është i paktë, i cili që nga ajo ditë, përhapi e mbolli në gjithë popullin idenë se xha Agushi duhej izoluar nga fshati me kuç e me maç se po u shkallmonte zakonet që të parët u kishin lënë amanet. Po bënte ligj të ri në fshat të vjetër, ashtu si i thoshte rradakja e tij. I dyti që e përkrahu dhe i erdhi pas midesë, ishte Kokodashi. Ky i fundit për çdo gjë, hynte në kuvend me mendjen e tij dhe dilte jashtë me mendjen e Ferrikut. Bëhej kështu edhe më i zellshëm e më i egër se vetë ai, por të paktën nuk e kishte shtëpinë të mbuluar treçerek me kashtë e një çerek me tjegulla. Fshati u përça dhe u nda në dy pjesë; ata që thoshnin se gjakmarrja është e drejta e personit që e ka në kurriz e brenda shtëpisë, pikërisht i zoti ishte fuqiplotë të vendoste si e qysh. Dhe të tjerët që ishin me zakonet e kohës së babaqemos, ata u shprehën pro mënjanimit të xha Agushit nga kuvendi e pleqësia. Me sa dukej Ferriku që bënte gjithë atë intrigë e gurgule, i kishte vënë synë kullotës së xha Agushit. Shejtan, qoftëlarg i veshur me lëkurë njeriu. Mos donte vallë që ai të shuhej me farë e fis nga lufta vëllavrasëse?! Po kush e hante atë kokërr ulliri! Realisht këtë qëllim djallëzor të Ferrikut e zbuloi pa dashje miku i tij më i ngushtë, Kokodashi. Kur njerëzia mësuan se çfarë lëvizte nënrogoz, shumica dërrmuese në kuvend vendosi në favor të xha Agushit. Ai jo vetëm nuk duhej të përgojohej, por duhej të mbetej përgjithmonë në fshat e në krye të qoshesë kudo nëpër sebepe e vakira. Ishte nga njerëzit më të mirë e më të ndershëm, rob Zoti, burrë i leshtë. Le ta linin të qetë në hallet e punët e tij.
Ndodhi edhe një rrethanë tjetër lehtësuese që i erdhi për hosh plakut me nder, namusli. Në dyqanin e Shoshe kishte ardhur nga Janina me kalë, shoqëruar me një tufë suvarinjsh, konsulli austriak. Ai mblidhte të dhëna për Kanunin e Labërisë. Mësoi se një gjakmarrje në fshat ishte shtyrë dhe kërkoi të flasë ballë për ballë me personin, domethënë me xha Agushin. U takuan, këmbyen duhan me njëri-tjetrin e nisën një bisedë të shtruar e të këndshme. Konsulli e dëgjoi me shumë vëmendje, mësoi si kishte ndodhur tragjedia dhe në fund i bëri pyetjen:
-Si ke ndërmënd të bësh, do ta falësh apo do ta marrësh gjakun?
– Si ta ketë shkruar ai lart, i madhi Zot, – u përgjigj xha Agushi.
– Realisht ka kaluar shumë kohë dhe po të kishte shtet mund të zgjidhej ndryshe, por ju nuk keni shtetin tuaj. Ne europianët, sidomos ne austriakët duam t’u bëjmë shtet!
– Ku ma ke të bëhet Shqipëria-shtet, atëherë qeveria mua më lehtëson e ma heq barrën që kam në kurriz, siç e sheh, kjo brengë nuk më lë ta ngre kokën lart, – tha plaku dhe sytë iu mbushën me dritë e gëzim. Konsulli vazhdoi:
– Kam edhe një pyetje tjetër; a s’më thua ku ndodhi krimi, në pronën tënde, apo në pronën e atij tjetrit?
– Në timen, – u përgjigj xha Agushi.
-Ekzakt, është haku yt, duhet drejtësi. Unë kam studjuar Kanunin e Lekë Dukagjinit, – tha më tej Konsulli – por nuk e kam ndeshur atë zakonin e sharkut apo të gunës që lihet në derën e hasmit.
– Atë e kam shpikur unë, – i tha xha Agushi – po të dija shkrim e këndim si zotërote, do t’i lija letër.
– Aha, lab i zgjuar, lab i mençur, -tha konsulli dhe tundi kryet e qeshi me të madhe duke u rënë me pëllëmbë shpatullave të rrëgjuara të xha Agushit.
Vizita e Kosullit austriak në dyqanin e Shoshe dhe biseda e përzemërt me xha Agushin, u përhap me shpejtësi në gjithë Labërinë. Era ia dërgoi bregut, bregu ia tha pyllit e pylli ia përcolli lumit. E mësuan edhe Muçomatajt.
– Ju çobanët e staneve, mbani dufeqet në zemberek. Jemi në gjak, xha Agushi nuk na ka harruar, – porositi më plaku.
3.
Nuk bëri dasëm të madhe xha Agushi. Zemra i qante përbrenda. As ai, as e shoqja e tij nuk kënduan, por të tjerët i lanë të lirë të gëzonin. Sa shkeli këmbën e vuri dorën e ngjyer me mjaltë nusja e re në shtëpi, u duk sikur hyri drita e diellit të mëngjezit. Ajo hija e rëndë dhe e zezë që kishte lënë mbrapa vrasja e djalit të madh, sikur po largohej dalngadalë. Hyri engjëlli dhe mbarësia në shtëpinë e zymtë të xha Agushit. Bagëtitë po shtoheshin e miqësia rritej e forcohej. Nusja e re kishte ardhur me këmbë të mbarë. Zuri fëmijë me një të shkrepur. Pas një viti Zerdelia u gjend nën përpëlitjet e lindjes. Desh humbi jetën, desh vdiq e bekuara. Djali që kishte në bark ishte mbipeshë. Vuajti një ditë e një natë të tërë për ta nxjerrë në dritë të diellit. Jeta e saj kaloi në fije të perit. Për pak e rrëmbeu dhe e bëri për vete vdekja. Dademadhja që bënte punën e mamisë në fshat i tha:
– Kam pritur një dyzinë fëmijë, por kurrë nuk kam pritur në duar si ky domodek, marshalla, kaq i bukur djalë. Çudi si shpëtoi, kordoni i qe mbështjellë dy herë rrotull qafës. Do të jetë me fat, do rritet kanakar, me babë e mëmë. Zoti është i madh!
Të sapolindurit i prenë kërthizën me gërshët që qethnin delet. E lanë, e sapunisën, e veshën me rroba të reja dhe Zerdelia e vuri në gjoks për të pirë nga kulloshtra e saj. E mbuloi dhe e rrethoi të gjithin me shikime të ëmbla, vështrime nëne.
– Vure re, mëmë, – i tha ajo e gëzuar së vjehrrës, – sa me uri e lakmi po ma merr gjirin djali, llupës i madh, – dhe qeshi e lumturuar. I harroi dhimbjet dhe vuajtjet e lindjes, sikur nuk kishte qenë ajo, por një nuse tjetër.
– Plaç të preftë, ze gjuhën se do ta hash me sy, – i tha e vjehrra dhe u ngrit të kërkontë një kokërr hudhër për të prerë syrin e lig.
Pastaj e mori fëmijën në duar dhe i këndoi këngën: “Rrush’ i zi e rrush i bardhë/ Nusja na bëri djalë/ Ashtu si trimat e parë/ Ku qe fshehu këjo pallë…”
Në mbrëmje, pa kapërcyer dielli majën e Gravës, xha Agushi mblodhi më herët se ditët e tjera kopenë e deleve në vathë. Kishte marrë sihariqin e lindjes së trashgimtarit dhe ishte bërë me krahë. Po varej poshtë zallit i lumtur sa më s’ka. Pallton e kishte veshur vetëm nga njera mëngë dhe tjetra i lëkundej sa majtas e djathtas si një lavjers. Dukej sikur po kërkonte ashtu t’u jepte lajmin e madh e të gëzuar kalimtarëve që takonte rrugës. Fshati iu duk më i vogël se herët e tjera dhe shtëpia e tij e madhe. Bëri kujdes të hynte në banesë me këmbën e djathtë. Pyeti se si u shqit nusja dhe kërkoi të shihte djalin. E mori, e ngriti lart në duar dhe tha se ky mysafir i ri, ky engjëll i ngjalli të birin e vrarë pabesisht. Do të quhej Zenel. Pastaj me hundë shtyu këmishën e trashgimtarit dhe i puthi bibilushin.
I pari, si gjithmonë, lajmin se në fshat kishte ardhur një mysafir i ri, djalë, e mori vesh Ferriku të cilit nuk i shpëtonte çdo njoftim e haber i ri, apo edhe thashethem. Kishte lënë mentë e kokës kur mësoi se xha Agushi kishte ngjallur emrin e Zenelit. Sipas tij kjo kishte një kuptim të madh. Kërkoi ngado nëpër shtëpi e kopshte Kokodashin për t’i shprehur edhe atij dyshimet e tij.
– Vate, kaq e pati kjo punë, tani do harrohet hakmarrja, e ngjalli djalin e vrarë Xha Agushi, i ka vënë emrin Zenel nipit të tij të sapolindur. E kupton apo jo domethënien e kësaj, o Kokodash vëllai?
-Njeriu duhet të matet kur të flasë e të mos bëjë betime si ajo puna e sharkut të vjetër, – tha ortaku i tij duke marrë pozat e një cjapi të tredhur që mediton mbi shkëmb. Ishte e para herë që fliste me mendjen e tij.
4.
Ende është një zakon i lashtë në Labëri; aty ku ka dalë një shpirt njeriu, sidomos kur është vrarë nga armët apo me thikë, në kujtim të tij, sa herë kalojnë udhëtarët pranë, hedhin nga një gur dhe thonë nëpër dhëmbë: “Ndjesë pastë”. Atij lloj lapidari, apo shenje, i thonë edhe qilivur. Kishin kaluar gjithë ato vjet dhe tek vendi ku kishte mbyllur sytë e dhënë frymën e fundit Zeneli, togu i gurëve qe bërë i madh, gati sa një bojë njeriu dhe haka e tij nuk ishte marrë ende. Më mirë se kushdo, këtë e dinte xha Agushi. Pavarësisht se çfarë dërdëlliste Ferriku sokakëve, ai kurrë nuk e kishte ndarë nga mendja të birin, Zenelin 22- vjeçar. Kishte ardhur koha që Muçomatajve t’u varej në stan sharku i tij i vjetër, ashtu siç kishte premtuar. Askush nuk e dinte që ai atë shark e kishte mbyllur në sepete që kur sollën të vrarin mbi vig. Dhe nuk e kishte hapur asnjëherë. E nxori kujtimin kur nipi i tij mbushi dy vjeç. E vari në një gozhdë në krye të odës. E shoqja e tij që u ndodh aty, kur e pa çfarë po bënte, u rrënqeth e tëra dhe iu drodh zemra e iu përpëlit si një zog në gjoks. “Plak i rrjedhur, çfarë po kurdis?!” tha dhe ia zuri vajit duke kujtuar djalin e vrarë. Xha Agushi thirri të birin, Lirimin, veç nga gjithë të tjerët dhe i bëri këtë bisedë:
– Dëgjo, djalë xhani, mua çdo ditë e më shumë po më lënë fuqitë e po më shkurtohet filli i jetës. Po më mblidhet lëmshi. Ti i ke dalë zot shtëpisë, je duarflori e nikoqir, po na ka mbetur vetëm një punë pa mbaruar e cila për dreq është majisur e nuk mban më.
– Çfarë, baba?! – pyeti i habitur Lirimi.
– Kam nxjerrë sharkun e vjetër nga sepetja. Ka ardhur vakti t’ua varim tek dera Muçomatajve. Besoj e ke atë dogranë që të fali ai komiti, Çerçiz Topulli kur i prite në stan vitin që shkoi së bashku me çetën e tij…
– Ti do që edhe mua të më sjellin mbi shufra si Zenelin, baba? Pse nuk i le djemtë e mëhallës të merrnin hak?
– Se do hapej luftë midis dy fshatrave, do ishim shuar të tërë, edhe ata, edhe ne. Tani ka ardhur koha, kur Muçomatajt nuk e presin. Ti nuk e pëson si yt vëlla, falëm o Zot, por ti je më i zgjuar e më i fuqishëm se ai. Ti vë një dem motak poshtazi. Zeneli ishte i rrëmbyer, ndërsa ti i bën hapat e matur. Duhet të na zbardhësh faqen, duhet t’i ngrësh kokën lart babos sa është gjallë, nuk do më lësh të më pështyjë Ferriku mbi varr. Zoti do të vijë në ndihmë se je në të drejtën tënde. Nuk ka për të të hyrë gjëmb në këmbë. Haka duhet marrë dhe ajo është në dorën tënde. Ia kemi hua këtë Zenelit atje poshtë ku bën gjumin e thellë e të përjetshëm. Thirri rradakes, bir, dëgjoje plakun.
-Jo, baba, nuk bëhem unë kokë turku. Ajo punë është mbyllur e harruar. Të gjallët me të gjallë dhe i vdekuri me të vdekurit.
Midis babait e birit, atë natë, u ngrit një gardh me driza. U ftohën e u bënë akull me njëri-tjetrin dhe nuk po kuptoheshin e nuk po mirreshin vesh për qamet. Lirimi e donte shumë të birin dhe nusen, Zerdelinë. Kishte dyshime se ajo mund të kishte mbetur përsëri shtatzënë. As i shkonte ndërmend t’i linte jetimë. Farmak e kishte gojën ky babai.
Pas asaj dite nisën tersllëqet. Kishte humbur qeni i kopesë, Beleci. Ferriku jo vetëm që e mori vesh i pari, por e hapi lajmin në gjithë fshatin e tha se Belecin e Agushit e kishin vrarë Muçomatajt. Gjatë mbrëmjeve ai fshihej tinëzisht pas murit të shtëpisë së xha Agushit dhe priste me veshët pipëz se mos flitej gjë për Muçomatajt. Përgjonte me durim gomari. Dhe kapi diçka:
-Besoj e di, o bir që kur dikush të prek qenin e kopesë është njësoj sikur të kanë çnderuar gruan, – i tha xha Agushi.
– Qeni është kafshë dhe njeriu njeri, nuk kanë fare lidhje, baba, – u përgjigj i biri pa e prishur terezinë.
Të nesërmen që pa gdhirë, Ferriku hyri i pari në dyqanin e Shoshe dhe zuri be për shpirt të babait të vdekur se familja e Agushit po shkatërronte zakonet e lashta të Labërisë; nuk donte të lante gjakun, kishte hequr dorë përfundimisht. Atij i doli fjala. Kokodashi e kishte mbështetur dhe tha që Ferriku ishte si Çoban Babai, i vërtetohej kurdoherë parashikimi. Nuk mbaroi me kaq kjo histori, pas Belecit u zhduk edhe dashi i madh i kopesë së Hilgjinajve. Ishte e qartë si drita e diellit se Muçomatajt, kush tjetër do ta vidhte dashin përçor dhe do të hidhte bypen e tij tek dera e shtrungës së Agushit.
– E sheh çfarë po bëhet, Lirim djali, na grabitën para syve edhe dashin përçor, vazhdojnë të na turpërojnë e ne bëjmë sehir, – i tha i ati, por i biri iu përgjigj me të qeshur:
– Pa merak, baba, unë u vjedh atyre dy desh të tjerë dhe këmborën ia var njërit prej tyre, atij më të madhit.
– Po ç’flet kështu more rrënjëdalë, ata duhen vrarë, duhen grirë, duan shkuar në satër një nga një, në hell! – bërtiti plaku duke turfulluar – Ti nuk paske gjak fare nga yni, mos je gjë dobiç? Të kisha moshën dhe fuqinë tënde, pa më shihje…
Ferriku nuk e la t’i shkonte huq kjo grindje. Kishte shkuar përsëri në dyqan të Shoshe. Ishte mbajtur pas banakut dhe kishte ligjëruar një çerek ore pa marrë frymë. Kishte thënë se xha Agushi e pat qëlluar me pëllëmbë të birin dhe sharkun e vjetër e kishte hedhur në zjarr nga inati. Pastaj i biri u zu ngushtë dhe kishte nxjerrë pisqollën që i kishte dhuruar ai komiti i maleve, por nuk e kishte shkrepur. Do ishin vrarë e therur sikur të mos kishte hyrë në mes ajo alamet nuse trime e namusqare, Zerdelia. Shpifja e fundit e Ferrikut nuk arriti të shpërndahej derë më derë se gjëmë tjetër edhe më e madhe ndodhi të nesërmen. Ishte grabitur Zerdelia me gjithë djalin dy-vjeçar. Këtë radhë Lirimi nuk priti t’i jepte urdhër i ati. Rrëmbeu dogranë, sharkun e vjetër dhe thikën më të gjatë e më të mprehur. Ishte hëna e plotë e muajit ajo që e ndihmoi të gjente rrugën për tek stanet e Muçomatajve. Një Zot e di si ia doli asaj përleshje dhe shpëtoi gjallë. U kthye shëndoshë e mirë. Trim si një luan. Të nesërmen, së bashku me diellin që lindi nga Maja e Mollës, ai zbriti në fshat. Jo vetëm kishte larë hesapet me dorën që i mori jetën të vëllait, por solli peng edhe një tjetër burrë nga Muçomatajt. E kishte lanisur e handakosur të gjorin çoban. E kishte lidhur me tërkuzë dhe e tërhiqte pas vetiut si mushkë. Xha Agushi e pa që larg, por nuk kuptonte në se haka ishte marrë apo jo. Mos vallë Lirimit nuk i bënte zemra të vriste njeri me dorën e tij dhe do t’ia linte atij?! U bë gati të qëllonte me sopatë mbi kokën e burrit të Muçomatajve:
– Jo, baba, – ia priti i biri – atë punë e kisha mbaruar unë vetë. Të vëllain ia dërgova të piqet me Zenelin. Kur po jepte shpirt i thashë ke të fala nga Agush Hilgjini. Këtë që kam sjellë këtu e ngordha në dru dhe meazallah se më tregon ku është Zerdelia me tim bir. U betua e u stërbetua se nuk dinte gjë.
– Lëshoje, zgjidhe të Muçomatajn, nuk të ka gënjyer. Nusen dhe nipin tim t’i tregoj unë se ku janë. I ke tek Shpella e Jelimëve, shëndoshë e mirë, si kokrra e mollës. Bashkë me Belecin e me dashin përçor. Një hak kishim për të marrë dhe ti atë e more dhe nuk të hyri gjëmb në këmbë. Zoti paska qënë me ty. Të lumtë, kapedan i babës! Hej, djalë për kokë të djalit që ka lindur e rritur ky gërxho! Trim më gjyshin ke ngjarë, por mezi t’u mbush mendja, a derëzi… Je i sigurtë që ai i Muçomatajve ishte dora që na kishte borxh?
– Ai ishte, – tha burri i lidhur i cili dëgjoi çdo fjalë – tani jemi larë me ju Hilgjinajt. Bravo të qoftë, Agush! Nuk na e merrte mëndja të na e punoje kështu. Nuk na e priste fiqiri të na varje sharkun e vjetër në stan pas kaq vjetësh!
– Kështu e kishte shkruar Zoti! Tani ik e trego në Muçomataj, o njeri, falëndero atë aty lart në qiell që ky evlati im zemërflori të la gjallë, – i tha xha Agushi serbes dhe i ktheu krahët burrit të turpëruar të Muçomatajve. Për të mos e parë kurrë më. Tani le të vdiste i qetë.
Disa tregojnë se nuk harroi ta porosiste t’u jepte këmbëve e të nxitohej për varrimin e të vëllait, atij që kishte therur Zenelin. Tani e tutje le flinte në paqe shpirti i birit të tij të vrarë në lulen e rinisë. Fluturonte nga gëzimi xha Agushi sikur t’i ishte ngjallur nga varri djali 22-vjeçar.
Xha Agushi kërkoi me sy midis bashkëfshatarëve se mos shihte gjëkundi Ferrik gojëhalenë, rremallin e fshatit, por nuk e pa. Nga çfarë fliste e nga çfarë kurdiste ai evlat, e dinte mirë se kërkonte jo të merrej haka, por të bëhej hataja, të shkonte gjaku deri në gju midis dy fshatrave. Kishte shejtanin në bark, ai e mësonte të shpifte e të ngatërronte, të mbështillte e të çmbështillte thashetheme. Ja, tani që duhej, e kishte pirë dheu, derëziun, telalin e fshatit. Iu afrua Kokodashit dhe e pyeti se ç’u bë vëllami i tij binjak, kur ai duhet të ishte aty, në trivas. Ai iu përgjigj si i zënë në faj, plot keqardhje, se Ferriku u sëmur nga një dhëmballë. I dogji e i theri për qamet kur priste të kthehej Lirimi nga stani. Kur pa që ai po vinte së bashku me çobanin e lidhur me tërkuzë të Muçomatajve, si i ndërkryer, mori me vrap rrugën e kasabasë.
– Nuk rri pa punë Ferriku, e ka në gjak spiunimin, – tha një tjetër – mbase ka detyrë të lajmërojë qeverinë e Stambollit.
– Kjo nuk më kishte shkuar në mendje, – tha Kokodashi duke zbardhur e rrotulluar kokërdhokët e syve nga të gjitha anët, ashtu siç bëjnë budallenjtë.
***
Dyqani i Shoshe, në çdo mbasdite, gjer natën vonë, gumzhinte si një zgjua bletësh nga hyrjet e daljet e njerëzisë. Madje aty ia ngritën edhe një këngë Lirimit për trimërinë që kishte treguar. Emri i xha Agushit gati përmendej në çdo pesë minuta. Në një nga ato here, dikush tha:
– Jemi të gjithë qorra me sy në ballë, konsulli austriak e tha hapur, açik se zoti Hilgjini është burri më i mençur i Labërisë.
E tha apo nuk e tha konsulli i Austrisë, ec e mere vesh. Atëhere nuk kishte magnetofon që të regjistrohej biseda.
Toronto, shtator 2020.
Shpjegime fjalësh në tekst, dialektizma:
1. Erre – ngryse, 2. Fytylose – mbathe, (ironi), kujt ia ke vënë fitilin, dinamitin, 3. Branisesh – zvarrisesh, 4. Rrëgjuar – mbledhur e zvogëluar, 5. Xhëng – xhumbë, 7. Poshtazi – poshtë, 8. Dongëdis – honeps, 9. Hergjele – kafshë pune që nuk u është hedhur samari, 10. Jelimë – njerëz parahistorikë, trupmëdhenj, disa e lidhin me ilirët, 11. Cula e këmbës – femuri, 12. Xipë – cipë qumështi, 13. Murrëri – era e ftohtë e veriut, murrlani, 14. Beronjë – grua shterpë, 15. Sokëllima – britma, 16. Zorzop – rrugaç 17. Strufe – enë e vogël uji, okare, 18. Ferishte – foshnjë e njomë, i pafajshëm, 19. Ligo – ligë, mëmë, 20. Meitin – trupi i të vdekurit, 21. Burbuletur – gjellë a fruta të provuara për herë të parë, sidomos pas kreshmëve, 22. Quramidhe – tjegulla, 23. Rremall – gënjeshtar, 24. Domodek – i shëndoshë, i trashë, 25. Limer – vend i fshehtë dhe i rehatshëm, strofull e kafshëve të egra, 26. Handakosur – dërrmuar, shkatërruar, 27. Qilivur – gurë varri, grumbull, mur në formë piramide, 28. Satër – hanxhar, thikë e shkurtër pa majë që përdoret për të grirë duhan, 29. Dogra – pushkë e shkurtër e me një fishek, 30. Bype – këmborë e madhe që u varet deshve që udhëheqin kopenë e bagëtive të imta, 31. Gërxho – plak matuf që nuk gjykon thellë, por i fortë, i qëndrueshëm, 32. Evlat – fëmija e dikujt, bir ose bijë, 33. Trivas – periudha e shumëzimit të peshqëve, kur lëshojnë vezët në ujë.