Sunday, 31 August 2014

Kroi i Madh


Brinjës i ka ngulur fort thundrat,
Sfidë me shekuj të egërsuar nga luftrat,
Kundron mendueshëm truallin Arbëror,
Si Ante i pamposhtur lugun gjallëron.
****
Zemërplasur stambollinjtë e “Përparimit”
Vëllazërisht e muarrën vendimin:
Vendlindjes t’ja ndërtonin të madh kruan
Me duarartët lunxhiotë jetëve shkolluar.
****
Rrënjët e ndërtimtarëve ngjizur në universitete,
Në akademitë ilire dhe të Pirros Mbret,
Ndaj e stolisën bizantë e osmanë,
Mbrothësi selitën Ballkanit anembanë. 
****
Punët filluan dy shekuj më parë,
Në kërthizë të malit, atje nën majë,
Ku tjetër gjë s'gjen, veç aromës së çajit
Dhe borën trazuar me re që pikojnë zallit.
******
Djersën e këtij dheu të ftohtë brisk,
Mjeshtrat mblodhën pikë e nga një pikë,
Mundimshëm me sylinarë evropaianë,
Malit i molën freski, fshatin këndelluan.
*****
Kroi, mortje të mos kish kurrë,
E derdhën fund e krye me llaç e gurë,
Nga tre fytakë bubulloi qelibar,
Lëngu i jetës për gjithë gjënë e gjallë.
 ****
Një aneks mënjanë papo, duhej ngrehur,
Vitat këngëtare të lanin pa u ndruajtur,
Në korritat më poshtë në rresht bagëtia,
Vrapthi njomënin buzët sa binte qindia.
******
Derdhej aq rrëmbyer ujët ditë e natë,
Me një bend të madh e vunë në zap,
Ëmbël të gurgullonte në bahçet përrallore,
Dengëza me lule, pemë e bostanore.
*****
Kroje jetdhënës që buruat dashuri:
Të brishta, të zjarrta por, dhe xhelozi.
Për dashuritë penën shtrydhi Lasgushi,
Në xhelozi gruan e tij, ah,… e therri Minushi!
*****
Zemër e lavosur aty ndrojtjen flakëriti,
Ndaj kënga doli me duf që nga shpirti:
“Do vete të rri në krua të më vijë ajo që dua,
nazemadhe gjer në thua,…”
*****
Ti, buronja jonë gurgullove vetëm mirësitë,
Në qytezën shekuj ngujuar nga gjarpërinjtë![1]
Faqebardhë mbete, si gurrë Dodone,
Sodisje ngazëlluar çfar bëhej asaj ane.
*****
Vashëzat lastonja që rrotullonin synë,
Djemtë levenda që zinin pusinë,
Apo ndonjë nusëroke si lulja në vesë,
Kur loste me trimin tek Vresht’ i Kallogresë.
******
Kroi Rrëzate që shfaqet gjithë nur,
Kroi i Madh do t’i  thuhet emri,
Kur të mos mbetet qoftë dhe asnjë gur.
Dëshmi e gjallë e dhimbjeve të përgjakura
Të fashitura në muzgjet thellë në kohra! 




[1] Fshati para viteve 1400 ka qenë i ndërtuar në një vend me ujë të bollshëm por,  me dydjet Osmane është shpërngulur në rëzë të malit se sipas një legjende gjarpërinjtë hanin fëmijët dhe vajzat.

Thursday, 28 August 2014

Caraci-Çerçemi (Celtis australis L.)

Një bimë që e meriton vëmendjen tonë

“Dikush sot është ulur në hije, sepse dikush
 tjetër shumë kohë më pare e mbolli atë pemë”.
(Warren Buffett)1

Çerçemi dhe fëmijët.
            Një nga “punët” tona të moshës fëminore, gjat muajve shtator-nëntor, ishte mbledhja e caracave. Në ditët e pushimit, por edhe gjat ditëve të javës, sa linim çantën me libra, shkonim vrapthi. Në shtëpi kishim një vend ku i grumbullonim për t’i ruajtur deri vonë në prag të vitit ri. Caracët kishin të zotët e tyre por, për të ngrëne e për të mbledhur nuk të ndalonte njeri, mjafton të ishin jashtë rrethimit të shtëpive. Kjo punë vazhdonte deri në mbarim të shkollës 8-vjeçare, ndërsa kur largoheshim nga fshati në shkollën e mesme e kishim të vështirë, pasi ndodhte një herë në dy vjet, caraci ka prodhim të theksuar periodik. I ngazëlloheshim pushimeve të Festave të Nëntorit, në se do të gjenim ende diçka. Ishte një frut që na pëlqente shumë. Më të rriturve kur u falnim  ndonjë grusht e përlanin menjëherë, e hanin me shije duke na thënë: “Nuk ngopet bualli me miza”. Frutat e çerçemit nuk kanë shumë tul “ha e pështy” bërthamat, por janë të ëmbëla dhe me një shije e aromë të veçantë. Me lëvoren e drurit, herët në praverë kur në bimë fillonte lëvizja e  lëngjeve, bënim një trumpetë që ne i thoshnim “zurna”.
            Shpesh frutat e caracëve i hanin  disa zogj që në fshat i quanin “galica”. Ato vërsuleshin në tufa të mëdha dhe kur uleshin, caraci nxinte sikur të qe hedhur një shark i zi përsipër, ishin grykëse dhe nuk linin asnjë frut tek bimët që “vizitonin”. Gjahtarët e fshatit na vinin shpesh në ndihmë, gjuanin drejt tyre për ti trembur. Në Itali e Francë caracin e përdorin si bimë grackë, për të mënjanuar nga disa zogj dëmtimet e prodhimit në bimët e tjera bujqësore.
            Në rrethin e Gjirokastrës kjo bimë njifet me emërin “çerçem”. Në atë kohë nuk na shkonte në mendje se këto bimë dikush i kishte mbjellë e qe kujdesur për to. Çdo familje pothuajse kishte çerçemat e saj të trashëguar.  Mbaj mend se 2-3 çerçeme ishin shumë të mëdhej, diametëri trungut 3-4 m dhe lartësia  25-30 m. Rrënjët që dukeshin ishin të ngulura në tokë si një noçkë  gjigande elefanti. Ishin në fundin e jetës tyre ndoshta 500 vjeçare, dhe u thanë gjat viteve 90 të shekullit kaluar.
Caracat që shërbenin për hije në lëminj.
            Në pyjet rreth fshatrave këtë bimë nuk e gjen me ritje natyrale apo spontanisht. Gjendet në rrugët e fshatit, ledhet e arave, afër lëminjeve, rreth shtëpive të banimit, në manastire, kisha, teqe, etj. Kjo tregon se caracët në fshatrat tona janë nga faktorë njerëzorë dhe nuk është një bimë vendase. Nga mënyra se si janë mbjellë, të krijohet përshtypja se kjo praktikë është shumë më e lashtë.  Të bie ne sy se këto bimë shpesh gjënden dy e nga dy(çift), natyrshëm mund të mendosh se çdo familje ose ndoshta dhe çiftet e rinj dikur u duhej të mbillnin e të kishin çerçemat e tyre. Kjo traditë nuk ka qenë e përhapur  vetëm në trevat e jugut. Në Shqipërinë e Mesme thuhet: Tiranasit  vendas dalloheshin nga të ardhurit se në kopshtet apo oborret e tyre  kishin të mbjellë e të trashëgur bimët e caracëve dhe një pus për ujë.
            Caracët shërbenin edhe si një sistem mbështetje për hardhitë. Ashtu si lisi apo vidhi caraci zakonisht ishte i bashkëshoqëruar me një pjergull, sepse kurora e tij lejon mirëritjen e hardhisë. Ndërsa në lisa dhe vidhë gjëndej lloi i rrushit “Debinë” ose “Pulez”, tek caracët më shumë gjëndeshin llojet e ndryshme të rrazakive.

 Në krijimtarinë gojore të fshatarëve.
            Çerçemi përshkruhet si një bimë fisnike dhe e dashur. Thuhet në një shprehje: “Po ke vapë, ik freskohu në hijen e çerçemit”, tregon se hija e çerçemit është jo vetëm një vend i freskët pushimi por, dhe të qetëson. Në kushte natyrale, pa krasitje, ka një trung të drejtë dhe u bën ballë edhe stuhive më të forta për shkak të sistemit shumë të zhvilluar rrënjor, i cili deperton mirë edhe nëper terrene shkëmbore.
            Një këngë shumë të vjetër, e kam harritur të kënduar nga Foto Sotiri, një pinjoll dhe ky nga familja patriote “Sotiri”, që gjithë fshati e thërriste “Basho”. Fshatarëve kur u zë në gojë Bashon e urtë e të mirë, menjëherë u shkon ndërmend “Kënga e Çerçemit” e cila ishte kënga e tij e preferuar në trapeze dhe ziafete, madje dhe mbrëmjeve rreth vatrës me gruan e tij Mica(Eftimi), duke imituar të dy personazhet e pasqyruara në këtë këngë. E këndonte bukur, me pasjon, me një melodi të vaçantë, sa që askush tjetër nuk guxonte ta këndonte, sepse e ndjente  që do të turpërohej. Kënga niste ngadalë-ngadalë, sikur dilte nga fundi dheut, transformohej  në një këngë të rëndë burrash dhe më pas shpërthente në ritëm vallesh lunxhiote. Nga fëmijëria mbaja mend dy-tre fjalë, falenderoj ata që më ndihmuan për ta risjellë sa më origjinale.
            Kjo këngë nga Bashua, ishte kthyer në një këngë lirike në të cilën këngëtari nëpërmjet stilit të kënduarit(melodisë), u përshtatet vargjeve. Origjinën duhet ta ketë nga këngët që quhen “hidh e prit”,  këto këngë janë thelbësore në dasmat lunxhiote. Këndohej në ceremonitë e dasmës ose të fejesës, kur krushqit, pala e dhëndrit, kish harritur tek porta e nuses dhe aty kishin dalë për t’i pritur njerëzit e saj.
            Këngëtari krushk, në vargun e parë të këngës i drejtohet çerçemit, që mendoj se nënkupton të Zotin e shtëpisë,  “O çerçem, çerçem, o Sulejmane”.  Ai e krahason çerçemin shekullor rrëzë shtëpisë me minarenë e Xhamisë famëshme Sulejmane në Stamboll ose, pse jo duke i bërë karshillëk asaj, për të shprehur nje revoltë të ndrydhur psikike. Nëpërmjet kësaj metafore, në shkallën sipërore, vë në dukje virtytet dhe fisnikërinë e fisit të nuses, krushkut. Krijuesi anonim i këtyre vargjeve është ndikuar dukshëm  nga ngjarjet e bujëshme të kohës, kur Turqia me ngulm kërkonte të islamizonte shqiptarët, tentativa të tilla ka pasur edhe në fshatin Selckë. Fshatarët e Selckës në atë periudhë ishin edhe selicjotë edhe stambollinj.([1]) Ndoshta dhe kënga është sjellë nga Stambolli, se dhe atje i bënin dasmat sipas traditave dhe zakoneve të tyre. Kur orkestrinat popullore ende nuk ishin çfaqur, kjo këngë mund të hidhej dhe valle para portës ose në oborrin e shtëpisë nuses, herë ngadalë e shtruar, dhe herë më shpejt, sipas ritmit të këngës. Kënga duhet të jetë kënduar aty rreth shekujve të XVII-XIX. Ja se çfar thuhet në vargjet e saj:
Kënga e çerçemit
 - O çerçem, çerçem,
   O Sulejmane!
[2]
  Foli moj nëne vashësë sate,
 Thuaj moj nëne të na bëj kafe,
 Kafe me sheqer.
    - Foli vetë  mor djalë ta bën me një fjalë,
     Thuaj vet’ mor bir ta bën më të mirë.
    …………………………….
            Kemi gjetur edhe një variant tjetër, që duhet të jetë vazhdimi i kësaj kënge, ku thuhet: “O çerçem, çerçem,/ fjalët si mel-hem”. Këngëtari krushk, me sa kuptohet, mbasi ka mare mesazhin nga pala e nuses vazhdon të replikojë duke shpalosur kulturën dhe civilizimin lunxhot, po me këngë duke thënë se fjalët qe u thanë janë si  “mel-hem”,  ilaç i rrallë për shërimin e plagëve të rënda, …. plagëve të beqarisë.
            Një varjant të përafërt të kësaj kënge e kemi gjetur tek libri “Këngë Lunxhote” të autorëve K. Dedi, M. Koçi (Argjiro, 2006), ku në një shënim sqaron se kënga është qëmtuar nga Doc. Irakli Leka në fshatin Selckë në vitin 1950.


1 W. Buffett: Investitor, multibilioner, filantropist dhe bizesmen i sukseshëm Amerikan.
[1] Albanologu Johann Georg von Hahn(1811-1869) në librin e tij “Studime Shqiptare” f. 42-43 , për lunxhotët
 shkruan:  Disa familje në tri fshatra të Lunxhërisë dhe dy fshatra të Rezës janë mjeshtër për ujësjellsat e kanë qenë në Stamboll prej kohësh që nuk mbahen mend, esnafët e tyre për ndërtimin e rrjeteve hidraulike, ndaj gëzojnë privilegje të ndryshme përmes fermanesh perandorake. Lunxheriotët e ushtrojnë zanatin e tyre thuajse pa përjashtim në Stamboll.” dhe vazhdon më poshtë:  “…. Epirioti është si rregull njeri mjaft i gjallë dhe i kursyer, ndaj fiton jashtë vendit të tij me lehtësi aq sa të jetojë në njëfarë mirëqenieje. Ndaj dhe në këto fshatra punëtore shikon shumë shtëpi qytetare, ndërsa banorët mbajnë rroba fabrike ngjyra-ngjyra. Tregtarët e këtyre krahinave kanë bërë ndërkohë pasuri të madhe”.  (Përktheu Adrian Klosi, Tiranë, 2006)
[2] Sulejmane - Vend i shenjtë në Stamboll  ku është ndërtuar Xhamia e famëshme Sulejmane në vitin 1558 nga arkitetkt Sinani me urdher te Sulltan Sulejmanit duke rikostruktuar Kishën e famëshme të Shën Sofisë ndërtuar nga Perandori bizantin Justiniani mbi një Tempull të lashtë të Solomonit.

Etimologji, onomastikë
            Caraci në gjuhën shqipe çfaqet me shumë forma dialektore, ndoshta tregon se kjo bimë është sjellë në Shqipëri nga shumë vende, dhe në krahina të ndryshme është sjellë në periudha të ndryshme. Forma më e përhapur dialektore është “carac” përdoret në Shqipërinë e Mesme dhe Veriore, e cila zë vend në gjuhen shqipe të njësuar ose zyrtare. Gjuhëtarët mendojne se kjo fjalë i ka rrënjët në gjuhën shqipe (Çabej, 1989). Ndërsa fjala “çerçem” me sa duket është deformim i fjalës turke “çitlembik”, siç i thonë në këtë gjuhë çerçemit. Në Shqipëri fjala  “Çerçem” gjëndet dhe si emëra njerëzish. Në shkrimet e mia përdoren të dy format.
            Emri “Celtis”në latinisht derivon nga emëri i një fisi të lashtë evropian në rajonin e Mesdheut dhe është përdorur nga Pliny (23 PK - 79 PK) për një nga bimët që dyshohet se mund të ketë qënë lotusi i lashtë, i përmendur nga Homeri tek “Odisea” , Heredoti ( 490-425 per), dhe Teofrasti( 370-285 per.). Ndërsa “australis” rrjedh nga gjuha latine që do të thote  "jugore", kështu mund të pëkthehet në gjuhën shqipe fjalë për fjalë "Keltia jugore”.

Histori, legjenda, mite
            Rreth bimës së caracit ka shumë mite e historira të shkruara dhe gojore. Në shumicën e tyre caraci përshkruhet si një bimë mistike. Shkrimet e para për caracin i ndeshim tek “Odisea” e Homerit( shek. IX-VIII PK) kur Odisea me luftëtarët e tij po kthehej nga Troja. Në ditën e dhjetë të udhëtimit nëpër dete era i drejtoi në një ishull që e quajti “Lotofagus” pasi banorët ushqeheshin me frutat e një bime që Homeri e quan “Lotus”. Lotus, kjo mua më kujton fjalën shqip “lot”(fruti çerçemit i ngjan lotit). Supozohet, sepse ka dhe shumë kundërshtime, lotus të jetë bima e  çerçemit.[1]  Odisea dërgoi disa ushtarë të mirrnin ujë dhe ushqime në ishull, por ata çuditërisht nuk u kthyen, harruan shtëpitë e tyre pasi vendasit i gostitën me frutat e lotusit. Odisea me dhimbje disa prej tyre i la atje. Më pas Heredoti (490-425 per)  jep të dhëna se Kepi “Gindanes” ndodhet në Libi, banohej nga lotofagusit të cilët jetonin me frutat e kësaj bime, madje prodhonin dhe një lloj vere. Mendoj se e besueshme do te ishte kjo histori në se luftëtarët e Odisesë do të ishin gostitur nga vendasit me këtë lloj vere. Si njohës i mirë  i bimës së çerçemit dhe frutave të tij, është e pa mundur dhe e pa besueshme që ngrënia e frutave të çerçemit të shkakëtonin tek ushtarët e Odiseas atë veprim që përshkruhet nga Homeri.
                  Theofrasti(370-285pes) në shkrimet e tij e përshkruan bimën e lotusit(çerçemin), dhe sqaron se gjëndet jo vetëm tek lotofagusit, por dhe në kontinet kjo bimë rritet me shumicë. Ushtria e Ophellas kur ishte në marshim drej Kartagjenës u ushqye për disa ditë me frutat e çerçemit. Theofrasti përmend gjithashtu se nga frutat e çerçemit banorët nxjerin dhe një lloj vere.
                  Çerçemi në fenë Islame është si një metaforë që simbolizon cakun e fundmë të njohurive njerëzore për Zotin ose gjithësinë.  Në udhëtimin e Muhamedit natën nga Meka në Jeruzalem, edhe nëpër qiell, aludohet se  u pa një bimë gjigande çerçemi, distanca në mes të një dege dhe një tjetëre ishte pesëqind vite-dritë, në çdo  fletë të tij u ul  një ëngjëll, mbi ballin e tyre ishte shkruar: "Ne jemi banorët e Çerçemit.", "Lavdi qoftë Perëndisë që nuk ka fund.”  
            Një gojdhënë tjetër Kristjane thote se Luciferi e solli çerçemin nga Parajsa në tokë duke e zvarritur. Shenjat e zvarritjes i tregojnë gjethet të cilat majat e tyre i kanë pak të përdredhura.
                  Ne vitin 1832 poeti Anglez  Alfred Tennyson(1809-1892), i frymëzuar nga një udhëtim në Spanjë në malet Pirinej, ku sigurisht hasi në bimët e çerçemave,  shkruajti poemën “The Lotos-Eaters “(Çerçem-Ngrënësit). Në poemë përshkruhet një grup marinarësh të izoluar nga bota në një shtet me banorë çerçem – ngrënës.
            Ne disa vende të Evropes si Itali, Francë, Spanjë, etj.  bimë çerçemi me  moshë qindara-vjeçare janë shpallur monumente historike ose natyrore, ku natyrisht përbëjnë dhe vlera turistike. Një i tillë është çerçemi në komunën Serrastretta, të provincës Catanzaro, Itali. Në vitin 1820, disa patriotë, në kujtim të Revolucionit Napolitan, mbuall në sheshin kryesor duke e quajtur "pema e lirisë." Sot, ështe bërë një pemë me diameter 4,2 m. dhe lartësi 16 m. Konsiderohet “me vlera të jashtëzakonshme historike”, e mbrohet nga ligji.
            Në Shqipëri kemi gjetur si bimë Monument Natyror të mbrojtur  Caraca e Vrithit në Malësisnë Madhe të Prefekturës Shkodrës.

Origjina dhe përhapja
            Caraci(Celtis australis L.), gjëndet rreth Detit Mesdhe, në brigjet jugore te Evropës dhe në veriun e Afrikës si bimë spontane dhe e kultivuar. Origjina e tij sot është shumë e diskutuar dhe e pa njohur ende mirë. Studjuesit, me që është kultivuar për një kohë të gjatë, e konsiderojnë vendas në: Ballkan, Itali, Spanjë, Francë, Turqi, Pakistan, Indi  dhe në veriun e Afrikës.

            Ka të dhëna se në Evropë mund të ketë ardhur nga Azia e Mesme gjat Perandorisë Bizantine. Në faqen perëndimore të Himalajeve gjëndet në pyje natyrale, por jo të përzier. Kohët e fundit studimet kanë hedhur dritë se në gadishullin Iberik mund të jetë edhe vendas. Në Shqipëri, ose ne Siujdhesën e Ballkanit,  nisur nga përhapja e bimëve të tjera duhet të ketë hyrë pak më parë
Në Kontinentin Amerikan gjëndet në Kaliforni dhe Argjentinë i sjellë nga evropianët.
            Gjinia Celtis përmban rreth 20 specie te shpërndara në gjithë botën. Në Shqipëri sipas Prof. M. Demirit gjëndet dhe një specie tjetër buzë Liqenit Prespës, i quajtur caraci kaukazian(C. caucasica L.), me gjethe në formë rombike dhe frutat  me ngjyrë të kuqëremtë në kafe. Kjo specje është e rrezikuar, Ministria e Mjedisit ka hartuar nje program për mbrojtjen e tij.


[1] Janë veçuar disa bimë për të përcaktuar atë çka Homeri ka qujtur “lotus” , duke u bazuar në greqishten e vjetër si dhe disa karakteristika të tjera. Janë 4-5 bimë të mundëshme: si çerçemi ( Celtis), hidja/xinxifja (Ziziphus sp.) , maria/koçimaria(Erika sp.) etj. Flitet më shumë për çerçemin pasi këtë bimë Heredoti, Dioscorides dhe Theophrastus e kanë përshkruar me frut të ëmbël, të shijshëm dhe të shëndetshëm.

Dobitë e Çerçemit.
            Çerçemi është një bimë që me gjelbërimin e tij të zgjatur i jep bukuri e freski mjediseve të banuara rurale malore dhe jo rrallë edhe në ato urbane. Rritet e i përshtatet mirë kushteve në toka të thata e shkëmbore, buzë rrugëve, anës gardheve, në ledhet e arave afër fshatit, etj.  Me hijen e tij krijon një freski ajrore dhe mjedis komod çlodhës. Pushimi gjat orëve të nxehta të ditës nën hijen e tij, të ripërtrijnë forcat për punë. Konsiderohet i efektshëm se ka një jetë shumë të gjatë, papo, ka dhe rritje të shpejtë në vitet e para të jetës së tij. Eshtë çfaqur durues ndaj të ftohtit dhe ngricave. Rrënjët e çerçemit kanë veti depërtuese e shkatëruese në mjedise shkëmbore. Nuk është i përshtatshëm në rrugët me tortuare e të asfaltuara. Rrënjët e tij frenojnë erozionin si dhe janë ujëmbajtëse e krijojnë një mjedis tokësor të lagët e të freskët. Në oborret e shtëpive caracët i bëjnë ballë çfardo stuhie dhe pakësojnë veprimin e tyre shkatërues në banesat.
            Tjetër, duhet që fshatarët të nxiten për mbjelljen e tyre në rrugët, arat dhe vendet publike të fshatit.  Për një fshat evropjan, të kulturuar, joshës e turistik duhet të krijohen mjedise çlodhëse duke mbjellë disa çerçeme diku, për t’i çfrytëzuar  për festa, kampingje e grumbullime të njerëzve gjat muajve të nxehtë të verës. Të parët tanë këto kampigje i bënin nëpër Manastire, Kisha, Vakëfe apo Teqe, ato u shkatëruan pothuajse totalisht gjat monizmit, duhet ti zëvendësojmë me forma të tilla. Kjo do të ndikojë sado pak edhe në krijimin e një mjedisi ajëror e tokësor të freskët, qetësues e të shëndetshëm. Kohët e fundit në fshatra për gjelbërim po mbillen akacie, mendoj se akaciet nuk kanë ndonjë përparësi në çdo drejtim ndaj çerçemit, e kundërta ndodh.
Gjithashtu çerçemi është një bimë që i duron ndotjet e ajrit dhe të tokës, mund të praktikohet mbjellja e tij edhe në parqet e zonave industriale të qyteteve ku ndotja e tokës apo e ajrit është e madhe. Të parët tanë nuk i kanë pasur këto probleme që kanë dalë sot në sipërfaqe për njerëzimin si: ndotjet ajërit e të tokës,  “efekti serë” , “vrima e ozonit”, etj., ata kanë menduar për krijimin në qytezat ku banonin një mjedis  komod jetësor e çlodhës, gjë e cila sot paraqitet e nevojëshme, e domosdoshme se kurrë më.
            Caraci shkon mirë dhe bashkëjeton me hardhinë. Ai, ashtu si dhe lisi, lejon mirë-rritjen dhe zhvillimin e saj në kurorën e tij. Zakonisht  çdo çerçem  e kishte një pjergull të cilat prodhonin 30-100 kg. rrush. Banorët e hershëm, arbërit, pjergullat në çerçema i mbillnin  kryesisht të lloit rrazaki që piqej von, fund shtatori-tetor( në vite të ngrohëta dhe nëntor), pasi ato ishin cipë trashë dhe nuk dëmtoheshin, si dhe për të zgjatur periudhen e prodhimit të rrushit për ngrënie, ndoshta edhe për të prodhuar së toku  verë ose raki.
Një carac së toku me hardhi
            Në lashtësi ka të dhëna se nga frutat e caracit prodhohej verë që konsumohej brenda 6-muajve sepse nuk mund të ruhej gjat. Në literaturën bashkëkohore nuk kemi gjetur një kombinim të tillë për prodhimin e verërave. Një verë me emërin e çerçemit(Celtis australis) është e sukseshëme në Francë por, prodhuesi  saj deklaron se këte emër ja ka vendosur vetëm se e admiron këtë bimë!!? Gjithashtu në Spanjë tregëtohet një lloj vere e sukseshëme “Almez” qe do të thotë “Carac”. Mos ndoshta frutat e caracëve në sasira të pakta i japin verës ose rakisë aromën e mahnitëshme të tyre? Të jetë vallë kjo një nga sekretet e prodhimit të verërave të mira?!
            Druri i çerçemit gjen përdorim të gjithanshëm, ndonjëherë bëhet i pa zëvendësueshëm me që ka veti të harkohet lehtësisht pa u thyer. Kështu ka gjetur përdorim në bërjen e rrethit për të vendosur zilkat, zilet dhe këmborët në bagëtitë e imta, për të bërë samarët e kafshëve të ngarkesës, tevliqet, cfurqe(tërkulë), lopata që përdoreshin në lëminj për të hedhur në erë grurin, në instrumentat muzikorë rrethet e dajreve, fërliçin që rrihet qumështi për të nxjerë gjalpët, etj. Një përdorim të gjerë druri i çerçemit gjen për  bërjen e kadeve, bucelave, vozave, plloskave, etj. Druri çerçemit mund të punohet lehtësisht ne torno. Çerçemi nuk shquhet si dru
zjarri i mirë, por mund të përdoret edhe për këtë qëllim. Në Itali  caracët i krasitin për të prodhuar thupra për prodhime të ndryshme artizanale. Kjo praktikë e munguar tek ne duhet vlerësuar. Lëvorja e tij ka gjetur përdorim për të ngjyer rrobet e leshta në ngjyrë të verdhë.
                 
Gjethet e çerçemit pëlqehen nga të gjitha kategoritë e bagëtive. Gjat verës ai është  ushqimi kryesor për kecret e shelegët, që nuk janë akoma të aftë për të dalë në kullotë, me një çfrytëzim racjonal  bëhet një burim i mirë ushqimi për to,  fitohet me lehtësi brenda fshatit. Gjethet e çerçemit nuk mund që të ruhen për bagëtinë si zaire, gjethe e thatë për dimërim. Lulet vizitohen edhe nga bletët.

            Frutat çerçemit në kushte natyrale janë shumë të shijshëm e me dobi mjekësore, me to në fshat bëhej dhe pekmez. Studimet e kohëve të fundit tregojnë se në frutin e çerçemit ndodhen përbërës etanolikë që kanë veprim të fuqishëm antimikrobik ku perfshihen dhe Pseudomonas auroginosa dhe Escherichia  coli që jane nga bakteriet më rezistente. Frutat e çerçemit mund të tregëtohen per t’u ngrënë të freskëta me ndonjë përpunim(amballazhim) të thjeshtë, e të bëhen burim i mirë fitimi për fëmijët, njerëzit e pa punë ose me aftësi të kufizuara në fshat. Frutat e caracëve mund të bëhen dhe atraktive për turistat nga veriu Evropës. Me frutat çerçemit në kushtet shtëpijake, por dhe nga industria ushqimore, mund të prodhohen pije të ndryshme aromatike, kokteje të ndryshme komercjalë, ose verë e raki.

Veçoritë botanike dhe biologjike
            Çerçemi është një bimë që jeton gjatë, 600-700 vjet, i zonës Sub-Tropikale. Diametri trungut harrin në 4m. e më shumë, lartësia e kurorës 25-30 m.  Gjëndet nga Ultësira Bregdetare deri në lartësitë 800-900 m. Rrënjët në fillim të jetës së tij zhvillohen në thellësi më pas zhvillohen në sipërfaqen e tokës dhe kanë aftësi depërtuese e shkatëruese në mjedise shkëmbore. Gjat 100-120 vjetëve të para të jetës së tij ka një rritje të shpejtë(61-76 cm në sezon), pas kësaj periudhe ka rritje të ngadaltë. Përshtatet mirë në toka të thata e shkëmbore dhe i rreziston mirë të ftohtave dhe ngricave të dimërit(-23oC), parapëlqen tokat me mbeturina organike
            Fletët rrëzohen në muajin dhjetor dhe çfaqen në muain mars-prill së bashku me lulet.  Gjethet kanë formë vezake me majë të mprehtë, të dhëmbëzuara dhe me qime. Lulja është e vogël hermafrodite(biseksuale), pjalmëzimi kryhet me anë të erës. Fruti i vogël në fillim jeshil pastaj ngjyrë të verdhë dhe kur piqet mer ngjyrë të zezë. Fruti piqet në muain tetor-nëntor. Ka prodhim të theksuar periodik, frutifikon një herë në dy vjet. Zogjtë dhe kafshët janë shpërndaresit e farës së tij në mbirjet natyrale.

Veçoritë agroteknike
                  Kërkon toka të kulluara, me ph. neutral anon nga baziku, nuk ritet në hije. Çerçemi shtohet me farë. Mbjellja në fidanishtet bëhet në pranverë dhe  për 2-3 vjet përgatitet fidani.  Mbjellja në vendin e përhershëm bëhet në muain dhjetor me gropa dhe plehera si të gjithë dru-frutorët e tjerë. Gjat viteve të parë të jetës tij bëhet kujdes për dëmtimet nga bagëtia dhe kafshët e egra.  Mirë është të bëhen vetullore rreth trungut, si tek ulliri, veçanërisht kur kemi së toku  dhe hardhi. Aty mund të behen dhe plehërimet me plehëra organike, etj. Çerçemit mund ti bëhen krasitje, ose prerje degësh për ta mbajtur kurorën e tij të mbledhur e të bukur.

Përgatiti:
K. Mosko
Tetor, 2011

Literatura:
1. “Flora eskursioniste e Shqipërisë” M. Demiri, Tiranë - 1981
2. “Bimët e Egra të Dobishme e të Dëmshme të Vendit Tonë” M. Demiri, Tiranë - 1979.
3. “The Odyssey”  Homer, translated by Robert Fitzgerald, New York - 1998

4.
USADA – Ntatural Resuerces Conservation Service - 2011
5.
Encyclopedia of Trees and Shrubs of the World” : An Essential Guide To Trees and Shrubs of the World (Mobi Reference)
6. World Agroforestry Center- International Center For Resarch in Agroforestry - 2011
7. “Wild Plants of Malta”  - MaltaWildPlants.com- 2011 - by Stephen Mifsud
8. Celtis Australis (bagolaro comune)” ARPAC – Laboratorio Biomonitoraggio Aria – Dipartimento Provinciale di Napoli
9.
Celtis australis - Wikipedia, the free encyclopedia- 2011
10. “ Lista e Monomenteve Natyrore të Shqipërisë”  – Vendim i KM  dat.  28/12/2002
11. “Plants of A Future” - 2011 ( Faqe në internet)
12. “ Lote Tree in Quran”  - 2011 (Wikipedia)
13. “Këngë Lunxhote” K. Dedi, M. Koçi – Gjirokaster, 2006
14.
Albanesische studien, von dr. Jur. Johann Georg von Hahn ... Nebst einer karte und andern artistischen beilagen. Hahn, J. G. von (Johann Georg), 1811-1869., Martin, J. E. August, 1822-1892. Jena: F. Mauko, 1854.
15. “Fatty Acid Composition and Antimicrobial Activity of Celtis australis L. Fruits” Jurnal of scientific Research, R. Badoni et al, Uttarakhand-India, 2010.