Lajthia
konsiderohet si një bimë vendase në Azi, Azinë e Vogël, ku dyshohet se mund të
jetë dhe origjina e saj, e deri në brigjet skandinave, në Angli dhe Irlandë.
Kjo bimë, sipas studimeve, ka populluar Evropën që pas periudhës së fundit të
akullnajave, 7500- 5500 PK(J. Olsen-2013, etj.), pra që në periudhat
Prehistorike. Në ato kohëra kokrat e saj padyshim kanë qenë një burim ushqimi për
njerëzit, si dhe druri të çfrytëzohej për të bërë objekte të nevojëshme të jetës
së perditëshme, veglat e punës, shtëpitë, si dru zjarri, ndërsa gjethet të
shërbenin si ushqim i mirë për bagëtinë, etj..
Duke qenë
një bimë kaq shumë dobishme për mijëra vjet, lajthia ka zënë vend edhe në
etnokulturën e popujve evropianë. Ajo ka qenë e vlerësuar si një bimë e
shenjtë. Në mitologjitë e këtyre popujve lajthia vleresohej si "Pema e
Jetës", simbolizonte: Mënçurinë, diturinë, harmoninë, ekuilibrin jetësor,
urtësinë mistike, njohuritë universale, besën, është cilësuar dhe si frut i
shkencës e i frymëzimit poetik.
Mitet për
lajthinë zenë fill tek popujt e lashtë Keltë, madje disa e quajnë dhe pemën e
kelteve. Fiset kelte shtriheshin në Evropën Qëndrore në kufi me Ilirinë, dhe u
shperndane në gjithë Evropen gjat periudhës romake gjat shekullit të VII PK,. Kjo,
deri sot, është një histori mjaft e
debatuar dhe e paqartësuar mirë nga historianët. Shume autorë, keltët i bëjnë
të afërt me ilirët. Profesor Çabej ka stjudjuar me kopetencë lidhjet gjuhësore
midis gjuhës kelte dhe shqipes së sotme. Popujt që ndodhen në Irlandë, Uells, Skoci,
dhe Bretanjë të Francës krenohen për origjinën e tyre kelte. Mitet dhe
legjendat kelte për lajthinë janë shpërndarë ose kanë dhënë ndikimin e tyre edhe
në mitet e legjendat e popujve të tjerë evropianë.
Në një
përrallë ose legjendë të lashtë kelte, thuhet se disa lajthi rriteshin rreth
një bujane me ujë të shenjtë. Kokrrat e tyre që binin mbi ujë i hanin peshqit
salmon të cilët konsideroheshin gjithashtu të shenjtë për Druidët[1].
Një mësues Druid për të fituar sa më shumë dije, kapi një nga keta peshq. Ai i
tha një studenti të tij që t’a gatuante por, jo për t’a ngrënë. Ndërsa peshku
po gatuehesh studenti gjat ftohjes futi gishtin tek një flluskë dhe e lëpiu. Në
këtë mënyrë ai mori gjithë mençurinë e peshkut që e kishte fituar nga ngrënia
kokrrave të lajthive. Ky student quhesh Fionn
Mac Cumhail dhe u bë një nga udhëheqësit më heroikë të mitollogjisë kelte. Njollat
e shdritëshme në trupin e peshkut salmon, sipas kësaj legjende, tregojnë se sa
kokra lajthi ka ngrënë.
Keltët dhe
popujt e tjerë evropianë besonin se degët e lajthisë kishin një fuqi magjike
dhe të mbronin nga gjarpërinjtë e zvaraniket e tjerë. Sipas kësaj, në se dikush
do t’i duhesh të kalonte natën jashtë, para se të flinte, bënte rreth vetes një
rreth me degë lajthie për t’u mbrojtur. Nga disa popuj evropianë ka qenë si
traditë vendosja e një kurore me degë lajthie rreth kokës, sepse besonin që kjo
do të bënte të realizoheshin dëshirat e tyre. Shkopinj me degë lajthie nga
mjeshtrat popullorë, janë përdorur për të kërkuar ujë. Kjo përdoret ende sot
nga disa njerez edhe në Shqiperi, për të përcaktuar se ku duhet të hapen puset
e ujit. Shpesh nga disa, këta shkopinj përdoren edhe për të kërkuar minerale të
ndryshme, thesare, madje deri për të përcaktuar e zbuluar edhe armiqtë e
kriminelët. Një kokër lajthi në xhep të mbronte nga magjitë dhe magjistarët.
Një qese lajthi e varur tek porta do të të mbronte nga të këqiat dhe tregonte
se ishte një familje në nevojë apo që kërkonte mbrojtje.
Lajthia nga
disa popuj evropianë vleresohej si një bimë që të mbronte nga rrufetë dhe breshëri.
Barinjtë kurorën e lajthisë apo lajthishtat i konsideronin si një strehë të
sigurtë gjat stuhive. Lajthia përmendet edhe si një simbol i besnikërisë
bashkëshortore. Një vajzë për ta patur besnik burrin e saj e godiste tre herë
në prapanicë me një degë lajthie, etj..
Edhe gjatë periudhës
së Antikitetit bima e lajthisë është konsideruar si një simbol i dijes dhe urtësisë,
kokrat e saj simbolizonin mençurinë. Në mitologjinë skandinave përshkruhet si “Pema
e Dijes” dhe ishte e shenjtë për Thor[2]; tek
grekët e lashtë Hermesi që konsiderohej si personifikim i inteligjences e
konsideronte këtë bime të shenjtë. Thuhet se dhe shkopi magjik i tij mund të
ishte bërë prej drurit të lajthisë. Për romakët kjo bimë mbahej si e shenjtë nga
Mërkuri, që i ngjante Hermesit grek.
Evropianët
kanë dhe një ditë e cila festohet në 20 gusht, quhet dita e Shën Filbertit(The
feast day of St. Philbert), është një Shenjt francez . Kjo ditë përkon me pikun
e vjeljes së lajthive dhe shpesh sot ka marrë kuptimin si “Shën Lajthia”. Edhe
gjat festimit të festës së Shën Gjergjit, degë lajthie vendosen në portat,
ahuret e bagëtisë, etj. për begati e mbarësi.
Shpesh në
gjuhën shqipe për një njeri me zhvillim jo normal mendor, ose të vuajë
menderisht për shkak të një ngjarje të rëndë që ka kaluar, ka një shprehje ku
thuhet: “Një kokërr lajthie është e shkreta, i ka shkajtur”, ose “ai njeri ka
lajthitur”, “është i lajthitur”, “kjo është lajthitje”, etj.Fjala “lajthitur” përdoret shpesh edhe kur
gjërat janë rrëmujë ose nuk janë në vendin e tyre sipas një regulli, si edhe
për një llogari të gabuar.
Në trevat e
Jugut të Shqipërisë edhe sot këndohet një këngë e çuditëshme, do të thoja, për fabulën
e saj. Në këtë këngë “lulja”, mendoj se simbolizon një vashëzë që i ka robëruar
zemrën një djali, përsëritja dy herë “lule
moj lule”, tregon njëherazi dhe besnikërinë e djalit ndaj saj. Ja si thuhet
në vargjet e saj:
O,
çoku do vete, lule moj lule.
Larg
e ne kurbete, lule moj lule!
Diç
do të të bie, lule moj lule!
Një
degë lajthie, lule moj lule!
Mbyllur
në kutie, lule moj lule!
Sa
herë që ta shikosh, lule moj lule
Mua
të më kujtosh, lule moj lule
Sa
herë që ta soditësh, lule moj lule
Mua
të më silloisësh, lule moj lule.
Thashë më
lart “një këngë e çuditeshme” deri mistike për fabulën e saj,sepse, Shqipëria është e mbushur fund e krye
me lajthi, ndërsa në këtë këngë thuhet se: kurbetlliu do t’i dhurojë lules “një
degë lajthi”, ose në variante të tjera të kësaj kënge thuhet, “një kokër lajthi”
!? Normalisht po t’ja thuash çdo shqiptari këtë do të qeshi. Lajthia si bimë
nga shqiptarët në asnjë rrast nuk është adhuruar,
përdorur ose mbjellë si lule apo si bimë zbukuruese, madje edhe nga asnjë
popull tjetër. Mirëpo me këngën nuk qesh njeri, kjo këngë të fut në mendime. Autori
popullor pëshkruan se “lules” së tij, me që do të largohet në kurbet, do ti dhurojë një degë apo një kokër lajthi brenda
në kuti! Lajthia pothuajse për të gjithë popujt, siç e përshkruajta më lart, ka
simbolizuar mënçurinë, diturinë, besën e besnikërinë bashkëshortore, shkencën.
Pra, dhe autori anonim, ndoshta është një djalë që shkon për studime larg
vendit, ose thjesht një kurbetlli për të fituar pikërisht këtë ka dashur të
tregojë.
Në periudhën
Otomane djali mund të ishte njëmërgimtar ushtarak(nizam), i martuar, i fejuar apo thjesht ka lidhur
besën me “lulen”, me dhimbje detyrohet të ndahet përkohësisht, ndoshta për një
kohë të gjatë, por i premton besnikëri prandaj i dhuron lajthinë, dhe sa herë “lulja”
ta shikojë, ta kujtojë e ta mendojë(silloisi), dhe ta presi e ti qëndrojë dhe
ajo besnike sikundër i premton. Në një variant të kësaj kënge thuhet:
“Në
e nxjerç tek dera, mos ta marrë era
Në
e nxjerç tek porta, mos ta marrë bota..”
Ndothte që djali të mos kthehesh nga nizami por besnikërinë
e tij ndaj “lules” e mbante përtej vdekjes.. Në tekstin e një kënge rrënqethëse
të një ushtari të vrarë diku “përtej Urës së Qabesë” amaneti i tij i fundit që
i jep shokut të vet ishte:
Të fala m’i bëj nënesë,
Të dy qet e zez ti shesë,
Ti japë nigja së resë!
Këto janë
disa fakte se edhe për shqiptarët apo paraardhesit e tyre, lajthia simbolizonte
mençurinë, besën, dijen, zhvillimin. Natyrisht që këto janë objekte edhe të
gjuhëtareve, gjuhësisë historike, folkloristave, etj. por, për historigrafinë
bimore janë argumenta të mjaftueshme, është shtrati që këto fjalë apo shprehje
tëgjuhës shqipe të kenë lidhje me
lajthinë.
Ka dhe disa
fjalë të urta tek shqiptarët si: “Ujku
dhe dhia nuk rrinë bashkë tek lajthia” ose “Namin si lajthia, dhunën sa shtëpia”. Këto thënie mendoj se nuk
kanë lidhje me mençurinë por, tregojnë lidhjen e ngushtë të shqiptarëve me këtë
bimë.
Etimologji,
onomastikë
Lajthia në
gjuhën shkencore ose latinisht quhet Coryllus
avellana. Ky emër i është vendosur nga K. Line(1707-1778). Coryllus vjen nga fjala greke korys(κράνος) që do të thotë përkrenare ose kukule, kaçule(mbrojtëse e kokës).
Ndërsa fjala avellana rrjedh nga
qyteti “Abellina”ndoshta Damasku i
sotëm i Sirisë. Ka mendime se mund të jete dhe qyteti Avellino në Itali sepse ne
shekullin e 17-te ka qenë një qendër e kultivimit të lajthisë.
Në
gjuhën shqipe fjala lajthi përmendet nga Buzuku(1555). Një pjesë e gjuhëtareve
të huaj mendojnë se kjo fjalë rjedh nga gjuhët sllave. Profesor E. Çabej duke u
mbështetur në të folmen e shqiptarëve të Borgo Èrizzonë Kroaci mendon se kjo fjalë rrjedh
nga fjala shqip lak(lakthi). Druri i lajthisë ka veti që të lakohet kollaj pa u
thyer. Ndoshta edhe për faktin se shpesh tek lajthishtat ngriheshin zakonisht
laqet(lak-laqe) për të zënë kafshët e egra të pyjeve. Lajthishtat janë
vendstrehim i lakmueshëm për shumë lloje kafshësh e shpendësh të egra.
Tek
shqiptarët gjëndet shpesh edhe si patronim(mbiemër), “Lajthia”. Gjëndet edhe në mikrotoponime të shumta si “Lajthitë”,
“Lajthia”, “Lajthiza”, etj. Janë tre
fshatra me emërin “Lajthizë”në
Shqipëri: në Korçë, Mirditë, Pukë.
[1]Druidët ishin një elitë intelektuale e kelteve të
lashtë që për simbol kishin lisin ose disa pemë të tjere, të ngjashme me
priftëreshat e Dodonës së lashtë, apo dhe Zanat e malit në mitologjinë
shqiptare.
[2]Në
mitologjinë skandinave madje dhe gjermane Parakristiane, Thor përfaqeson Zotin e bubullimës, vetëtimës,
stuhive, pemës së lisit, forcën dhe mbrojtjen e njerezve, si dhe të kish fuqi
shëruese, etj.