Saturday, 23 February 2019

D Ë SH M I T A R I

Kushtuar besimtareve bektashinj


Tregim


nga : Avdulla KËNAÇI
Shkrimtar dhe Gazetar
Toronto, Kanada

Avdulla KËNAÇI
Qysh në mëngjes, në fshatin malor K. kishte nisur bora e parë. Madje atë vit ishte vonuar shumë. Rënduar nga pesha e atij qyrku të bardhë, degët e holla të pemëve ishin përkulur gati gjer në tokë. Gjatë natës, strehët e shtëpive dhe të kasolleve, rreth e rrotull kishin varur gjerdanë akulli. Gjthçka ishte zbardhur. Rrugët e fshatit duhet t’i gjeje me hamendje, madje duhet të orientoheshe sipas hunjve të gjerdheve. Xhaxho Ziguri hyri brenda dhomës me tërsëllimë duke sjellë një vrushkull të ftohtë ajri. Me kurrizin e dorës shkundi borën që i ishte ngjitur pas opingave dhe mbi pallton e leshtë. Duke iu marrë fryma, tha:
- Pikë e zezë, është ngjallur Xhemali, e kanë caktuar këshilltar të kryetarit të kooperativës. E kanë dërguar ata lart, nga Tirana. Na mori lumi, gruaaa…
- Ç’është kështu, o burrë ziu, si nuk na u nda ky katil? Edhe këtu erdhi e na gjeti?! O Zot, ç’të kemi bërë që po na poftis këtë nepërkë, sikur kemi prishur kishë e xhami. Pse po na zë me gurë ngado që vemi e shkojmë? - i tha ajo më shumë duke iu ankuar atij lart në qiell se sa të shoqit, Zigurit që sapo ishte kthyer nga mulliri.
Çudi, Xhemali, ish oficeri, koçixoxisti, ishte kthyer në fshat pas nëntëmbëdhjetë vjetësh pikërisht në kohën kur moshatarët e tij gati e kishin harruar. Sikur mbiu nga dheu. Madje edhe vetë Ziguri e kishte nxjerrë nga kujtesa, megjithse kishte pasur burgun peshqesh prej tij. Xhemali kishte qenë kryetar i Degës së Punëve të Brendshme kur atë e arrestuan. 

Katër vjet pas Luftës, u bë një rivlerësim i ri për gradat në ushtri. Ziguri ishte adjutant i kapiten Mirte Hysit, heroit të Luftës së Dytë Botërore, njëkohësisht edhe bashkëfshatar i tij. Ishte habi e madhe se si ai, kapiteni, një luftëtar me nam, tri here I arratisur nga burgjet fashiste, u mënjanua nga rivlerësësimi. Jo vetëm kaq, por ai u arrestua me akuzën si spiun i agjenturës greke. Adjutant Ziguri gati sa nuk luajti menç. Çfarë po ndodhte me shefin e tij?! Këtu nisi edhe kalvari i vuajtjeve, ashtu, pa bërë asnjë faj. Rrufe në qiell të kthjellët. E arrestuan edhe atë, por nuk e akuzuan për spiun. E futën në një qeli me beton nga të tri anët dhe dyshemeja shtruar me çimento. Dy herë në ditë e pyesnin se çfarë bisedonte kapiteni me minoritar Janin, pronarin e kafenesë ku ata shkonin çdo mëngjes. E njëjta akuzë u bë edhe për mjekun e regjimentit, shokun e ngushtë të kapiten Mirtes. Ziguri konsiderohej personi më i afërt i të dy oficerëve. Ai duhet të ishte dëshmitari kyç në proces. Kështu kishte menduar kryetari i Degës. Çfarë flitej për jugosllavët, çfarë opinioni shprehnin ata për komandën dhe në mënyrë specifike çfarë flitej për Partinë? Këto ishin pyetjet që i bëheshin atij prej hetuesve. Gjithnjë ai pohonte të njëjtat gjëra; asnjëherë nuk kishte dëgjuar biseda të tilla. Dhe nuk gënjente. Hetuesit ndërrohshin, por Ziguri me secilin prej tyre jepte të njëjtat përgjigje. “Shkundeni, shkundeni mirë, e njoh që nga fëmijëria çfarë kokë mushke është ai!”, i porosiste sisteatikisht prokurorët kryetari i Degës, Xhemali. 

Fiks pas katër javësh, Xhemali erdhi vetë për vizitë në qeli. Kishte veshur një xhaketë të zezë kostumi të përdorur dhe pantallona ushtrake angleze që sipas tij shkonin me çizmet. Kokën e shogët e kishte mbuluar me një kapele si ato që mbante Lenini, udheheqësi i proletariait e cila e tregonte më të shkurtër nga ç’ishte në të vërtetë. Fytyrën e kishte si të gdhendur në gur shtufi. Shikonte me ca sy si të rrëqebullit dhe mbante në dorë një shufër të hollë thane me të cilën herë pas here fshikullonte çizmet ushtarake. Zigurit, kur e pa, iu ndez një shkëndijë shprese: do ta besonin më në fund. Gjaku nuk bëhet ujë, mendoi. Ata ishin rritur së bashku me Xhemalin. Ishte shok fëmijërie dhe bashkëfshatar i tij, pavarësisht që ai e njihte si mizor dhe të vrazhdë. Xhemali ishte një makineri e kurdisur në zinxhirin e urdhërave ushtarakë. Nuk linte rast pa manifestuar zellin e tij të përkorë në zbatim të porosive si ato që vinin nga lart me shkrim, por edhe ato që mbërrinin përmes një telefonate. Edhe pse nuk kishte arsim më shumë se sa të tjerët, të ardhur nga lufta, ai kishte kapur vend me përgjegjësi. Ishte emëruar kryetar i degës së punëve të brendshme, një post goxha i besuar dhe i lartë për atë kohë.
- Zigur, - i tha Xhemali gjoja duke i dhënë besim e koifidencë - të kam njeriun tim, po na rrëfeve, unë do të liroj menjëherë prej këtej. Do të shpëtoj nga vuajtjet. Ti di shumë gjëra për shefin tënd. Ne nuk duam të na i thuash të tëra, duam vetëm ato që kanë të bëjnë me ushtrinë. Po na dalin sekrete që pak njerëz i dijnë. Po t’i tregoj këto në mirëbesim dhe si njeriun tim që të kam. Ta dish vetem ti, ne kemi sytë dhe veshët tanë matanë kufirit, në Greqi. Njerëz që punojnë për ne. Ata na informojnë se të keqen e kemi brenda, tek oficerët e shtabit të regjimentit. Foleja e spiunazhit është Jani, ky usta i vjetër i asfalisë, aty ku ju pini kafe çdo mëngjes. Prej tij kemi marrë informata të rëndësishme. Ai u shërben sillogjeve të Vorio Epirit. Kam frikë se mos të ka hedhur edhe ty në thes, sepse dy oficerët po se po. Ruaju se mos të merr me vete. Ta them këtë nga që të dua të mirën.
- Turp të të vijë, si flet kështu për Mirten, por edhe për mua?! Atij edhe me flori t’ia shtrojë rrugën greku, kurrë nuk tradhëton. Këtë e di si buka që ha. E sa për mua, po të më doje të mirën nuk do më lije të vuaj në këtë qeli të qelbur që bie erë myk e lagështi, - iu përgjigj ai duke ngritur zërin i indinjuar. Ziente përbrenda nga inati, por ç’mund të bënte me duar të lidhura?!
- E ke veten në dorë, ti po mbron një oficer të shitur; je i verbër, je qorrollepsur pas famës së kapitenit. Mendohu, kujto familjen tënde, - i tha kryetari i Degës duke dalë i zemëruar nga qelia. Pastaj u dëgjuan disa fshikullima shufrash mbi lëkurën e çizmeve të cilat u tretën në fund të korridorit.

Të nesërmen, pas marrjes në hetuesi, Zigurin e xhveshën nga mesi e lart dhe i futën duart në dy unaza hekuri që vareshin në tavan. Këmbët nuk i preknin në tokë. Kjo ishte “e mira” që i bëri bashkëfshatari i tij, Xhemali. E lanë ashtu për 24 orë rresht gjersa i ra të fiktë. E përmendën duke i përplasur një tas me ujë të ftohtë në fytyrë. Nëpërmjet torturave ata donin që ai të dorëzohej, pastaj të shpifte, të gënjente, të dilte dëshmitar i rremë kundër kapitenit. Me një fjalë: të ishte lodër në duar të tyre. Por edhe pasi u përmend, realisht nuk kishte çfarë të tregonte. Por as nuk mund të gënjente. Toka po i shembej nën këmbë. Nuk i kishte bërë keq askujt në jetë Zigur Bellua. Këtë e dinin të gjithë. Si të bënte, si të vepronte? Iu kujtua Teqeja e Zallit dhe mësimet e Baba Selimit. Ai ishte muhib. Nuk i shqiteshin nga mendja porostë: “Rruga jonë është e hapur dhe e drejtë, është rruga e mirësisë dhe e drejtësisë…Ne ecim në rrugën që në njërën anë janë lulet e urtësisë dhe në anën tjetër lulet e së vërtetës”. U kap pas këtyre mësimeve bektashiane dhe i lindi në shpirt një forcë e habitshme. Mori guxim. I dukej se nuk i dhembnin më plagët e trupit. Jetonte vetëm me ujë dhe fare pak supë. Lutej, lutej papushim që edhe për atë të vinte ora e së vërtetës, ora e drejtësisë. Ai goxha djalë, gati dy metra i gjatë, flokëzi e fytyrëqeshur, u bë kockë e lëkurë, aq sa nuk mund të njihej më. Shikonte duart e tij dhe lëkura e tyre ishte holluar aq shumë sa dalloheshin rrjetat e damarëve blu. Tek ndihma e Xhemalit nuk shpresonte më. Shoku i fëmijërisë nuk kishte ndryshuar, kishte mbetur po i njëjti shpirtkazëm, cinik dhe i pabesë. Njeri me dy fytyra, ashtu siç kishte qenë gjithnjë, sarkastik, demoniak, shpirtlig… Lumturinë e tij e ngrinte mbi vuajtjet dhe fatkeqësitë e të tjerëve. Prej atij krimineli mund të priteshin vetëm vuajte. Thoshnin se ai festonte e bëhej shend e verë kur nga qelitë nën tokë vinin ulurima dhe zëra të lebetitur për shkak të torturave çnjerëzore, të papara.

Ziguri e mbante mend që kur ai ishte fëmijë në fshat dhe vraponte pas pulave klloçka. U rrëmbente zogjtë e vegjël duke i shtrydhur në grusht gjersa ata fikeshin. Ai nuk përmbahej nga gëzimi duke u treguar shokëve zogjtë e ngordhur, me kokë të varur sikur luteshin të mos vazhdonte më tej ajo kasaphanë. Kur u rrit edhe ca, në adoleshencë, shpiku një marifet tjetër. Mbështillej në një batanie të zezë dhe rrokullisej drejt qenve më të egër të fshatit të cilët ishin të lidhur në kolibe. Ata lehnin, skërmiteshin, kafshonin drurët dhe zinxhirin me të cilin ishin lidhur. Tërboheshin nga marazi që ishin të karfosur me zinxhirë të trashë, lidhur likësht pas trungjeve të pemëve. Të pamundur të mbroheshin nga ajo “kafshë” e panjohur. Me gjithë fuqinë dhe egërsinë e tyre, nuk mund t’i bënin gjë atij lëmshi të zi që u afrohej centimetër pas centimetri. Xhemali, brenda batanies së zezë, vazhdonte kështu deri sa qenit i ndodhte një gjë e pa dëgjuar deri atëherë; nga inati apo frika, plaste në vend, ngordhte. Qeni i kopesë për atë fshat blegtoral është kafsha shtëpijake më e dashur, më e rëndësishme, më e vlerësuar. T’i vrasësh qenin e stanit një labi është njëlloj sikur e ke prekur në nder. Nuk thoshin kot se qeni është stoli dhe krenari e kopesë së deleve, nafaka e shtëpisë. Xhemali i godiste kështu bashkëfshatarët e tij lebër në pikën e tyre më të dobët. Kur e kuptuan se pse po i gjenin qentë të ngordhur në zinxhir, disa burra u mblodhën tok dhe vendosën ta ndëshkonin fshaçe, shumë rëndë. Ai e mori vesh “komplotin” dhe ia mbathi herët në mëngjes. I la bashkëfshatarët e tij me hunj në duar. Iku për të mos u kthyer më. Kishte filluar lufta çlirimtare antifashiste dhe Xhemali vullnetarisht doli partizan. Vërtetë u largua fizikisht, por mbrapa la një valë të tmerrshme urrejtjeje. Kontakti i tij i parë me bashkëfshatarët ishte ky hetim, ky proces politik, akuzë për tradhëti ndaj kapitenit Mirte Hysi dhe shokut të tij të ngushtë, mjekut të regjimentit. Mendoi se Ziguri, ky besimtar i mirë, ky njeri i butë e i leshtë, ishte pika më e dobët, rruga më e mundëshme për të arritur tek kapiteni, lavdia e të cilit i bënte hije, aq më keq kur Mirtes i këndoheshin këngë dhe i thureshin legjenda, ndërsa Xhemalin e mbanin mend si vrasës qensh. Sa për luftë ai nuk ishte shquar në asnjë betejë. Bashkëfshatarët e tij as ia llogaritnin fare sakrificën sikundër bënim me të tjerë ish partizanë.
***  
Dyzetë ditë ditë nën tortura, por adjutant Ziguri përsëriste po të njëjtat fjalë, po të njëjtat përgjigje. E pyesnin në mesnatë, afër mëngjesit, në drekë, në darkë, kur t’u tekej. Ai shtrëngonte dhëmbët dhe vetëm lutej me durim e shpresë. Lutej dhe shpresonte gjersa brenda qelisë së tij u shfaq një roje tjetër. Për çudi ai e zbriti nga unazat. Dukej që ishte njeri i mirë dhe i dhembsur. I dha qumësht të ngrohtë me zor dhe e detyroi të hajë. “Edhe babai im është muhib i Teqesë së Zallit”, i tha ai me zë të ulët. “Unë të besoj se ti thua të vërtetën, veç unë do të bëj sikur të rrah me kopan dhe ti duhet të bërtasësh”. 
- As këtë nuk e bëj dot, - i tha Ziguri me pikëllim - zbato urdhërat që të kanë dhënë. Në më do të mirën, më thuaj çfarë bëhet me kapiten Mirten, kam dy muaj këtu dhe nuk di çfarë ndodh aty jashtë?
- Ai nuk është këtu, në këto qeli, është i izoluar në bodrumet e komandës. Nuk ka firmosur se është spiun, por doktori, miku i tij po. Ai nuk u rezistoi dot “marifeteve” tona. Sa për kapiten Mirten…Shef Xhemali i theu këmbët me kazmë nga frika se mos arratisej prej bodrumeve të komandës, - iu përgjigj duke pasur besim se nuk do ta denonconte për atë informacion që i dha.
- I poshtri, shpirtkatrani! O Zot, ti që i sheh të gjitha, si e duron këtë satrap, këtë qoftëlarg?! Si e ke lënë të gjallë?! Si nuk e mori lufta?! - tha nëpër dhëmbë dhe ngriti sytë lart për andej nga ku mund të ishte qielli, por dritë qielli nuk dukej gjëkundi. 
Lajmi se kapiteni ishte gjallë, e qetësoi, i dha kurajë. “Doktori nuk i ka duruar dot torturat, paska firmosur!”, mendoi “kjo nuk është gjë e mirë”. Ai ishte i bindur se asnjëri prej dy oficerëve nuk ishte spiun. I njihte mirë të dy dhe vinte duart në zjarr se ata kurrën e kurrës nuk mund të viheshin nën një shërbim të huaj, aq më keq të grekut. Kishin luftuar për atdhe dhe nuk mund të punonin në të njëjtën kohë kundër atdheut. Pas ca, po nga i njëjti roje mësoi se Jani, pronari i lokalit ku dy oficerët pinin kafe, kishte deklaruar se ishte një spiun i vjetër i asfalisë greke dhe hynte e dilte lirisht në tokën helene… 

Pas ca kohësh u bë gjyqi ushtarak i cili nuk zgjati shumë. U zhvillua me dyer të mbyllura dhe me procedura të shkurtuara. Të dy oficerët u pushkatuan, ndërsa për Zigurin vazhdonte hetuesia. Ishte e qartë që ai nuk kishte për të folë dhe as dëshironte të bashkëpunonte, por gjyqtarëve u duheshin prova për të justifikuar izolimin e padrejtë. Megjithatë prokuroria ia zgjati hetimet (lexo torturat), por ai vazhdimisht betohej për Teqenë e Zallit se thoshte gjithnjë të vërtetën. Rezistonte heroikisht dhe lutej dy herë në ditë si muhib i devotshëm. Besonte vetëm tek Zoti, tek askush tjetër. Shpresonte tek e vërteta. Dhe Zoti iu përgjigj; i solli një roje me babain bektashi. Ai e ndihmonte për të mbajtur shpirtin gjallë e kjo tregonte se Zoti nuk e kishte braktisur. Roja i binte dyshekut prej kashte me kopan dy herë në ditë duke rënkuar vetë me qëllim që ta dëgjonin në qelitë e tjera se “edhe ai ishte duke e kryer detyrën”. Pa kaluar shumë ditë nga pushkatimi i oficerëve, nëpër qelitë e të burgosuve mbërriti lajmi se kryetarin e degës së punëve të brendëshme, Xhemalin, e shkarkuan me ceremoni si koçixoxist të thekur, ekstremist dhe servil të Ministrit. Mirëpo ai u justifikua se çdo hap e kishte hedhur sipas urdhërave të Ministrit të Punëve të Brendshëm, Koci Xoxe, për të cilin ai e dinte se ishte besnik i Partisë e jo tradhëtar në shërbim të jugosllavëve. Bëri autokritikë se u tregua “sylesh” dhe nuk e diktoi dot se qëllimi i kupolës në atë Ministri ishte “të vërtetonin” se regjimenti i Delvinës kishte “tradhëtarë”, agjentë të grekut. Me këtë pretekst në Jug të Republikës duheshin dislokuar dy divizione me ushtarë jugosllavë për t’i bërë ballë ushtrisë greke që “po bëhej gati të pushtonte Shqipërinë”. Ishte një sajim. Edhe akuza ndaj dy oficerëve ishte po ashtu një sajim i sigurimit. Lufta çlirimtare dhe gjaku i dy oficerëve, shkoi kot, për dhjamë qeni. Partia nuk bënte kurrë “mia culpa” (autokritikë). Pas këtyre ngjarjeve adjutant Ziguri u lirua menjëherë nga qelia si i pafajshëm. Miqtë e përgëzuan për qëndrimin e tij burrëror. Bashkëfshatarët e tij, të indinjuar, e këshilluan ta hidhte në gjyq Xhemalin për torturat që kishte hequr në kurriz, por ai u tha:
- Dënimin e tij ia kam lënë Zotit në dorë. Vuftë dorë mbi të e shokët e tij Baba Aliu!
Një tjetër fakt interesant qarkulloi ato ditë për Xhemalin: para pushkatimit prokurori e pyeti kapiten Mirte Hysin për fjalët e fundit, për amanetin.
- Posi jo, - kishte thënë ai - këtu kam bashkëfshatarin tim, Xhemalin. Afrohu të ta them në vesh amanetin.
Xhemali u afrua dhe zgjati qafën në drejtim të të dënuarit.
- Qasu dhe më shiko në sy Xhemal, meriton ti të të lërë dikush amanet?! Kurrë! Asnjë! - i tha duke ngritur zërin si në një betejë - Në vendin tim duhet të ishte sot ky qelbësirë! Ky çpëlak është spiuni i vërtetë i Shqipërisë. Ky është tradhëtari! - dhe e pështyu brenda kokërdhokëve të syve me sa fuqi që pati.
***
E gjithë familja e xhaxho Zigurit i shmangej takimit me Xhemalin. Të katër fëmijët, herë bashkë e herë veç, jepinin të parët alarmin: “Mos shkoni nga Lera se bën shëtitje Xhemali, mos u ktheni nga shkolla se për aty është nisur Xhemali, mos dilni nga Zalli se aty do gjeni Xhemalin…”. Ishte njësoj sikur të thoshje ja ku është Djalli apo murtaja!
Një muaj pas ardhjes së tij në fshat, u bë goditja e parë. Familja e xhaxho Zigurit, sipas urdhërit të kryetarit të kooperativës, duhet të shkonte e gjitha e të banonte familjarisht në katin e dytë të mullirit sepse dhoma e kooperativës ku ishin strehuar, do të bëhej maternitet për të lindur atje gratë e fshatit. Asnjë prej tyre nuk duhet të shkonte në qytet. Ishte kjo një nga këshillat këmbëngulëse të Xhemalit, megjihëse fshati nuk kishte mami. Mulliri ishte një orë larg nga qendra dhe fshehur thellë në përrua. Tre fëmijët e Zigurit që ndiqnin shkollën, edhe në shi e në borë, duhet të bënin atë rrugë të mallkuar, dhuratë nga Xhemali. Pa llogaritur këtu stresin nga zhurma e mullirit, natë, ditë, pa pushim. 

Ziguri dhe familja e tij nuk kishin shumë kohë që ishin kthyer në fshat. Pas çmobilizimit vullnetar nga ushtria, ai u sistemua në një ofiçinë mekanike të qytetit të Përmetit. E zgjodhi vetë atë vend nga që përmetarët janë njerëz të butë e të mirë. I nderojnë jabanxhijtë dhe i trajtojnë si të barabartë. Nuk kishte gabuar: aty familja u shtua edhe me tre fëmijë të tjerë. E shoqja punonte si rrobaqepse në një ndërmarrje shtetërore. Këshilli i qytetit i kishte strehuar në një apartament të ri dhe ata vazhdonin jetën normale si gjithë të tjerët. Ziguri njihej si besimtar, por kjo nuk u prishte punë përmetarëve, përkundrazi, e nderonin më shumë kur merrnin vesh se ai ishte muhib. Dikush kishte hapur fjalë se ai shëronte epileptikët. Në të vërtetë nuk bënte gjë tjetër veçse i ftonte ata të luteshin së bashku. Disa prej tyre kishin përmirësim. Të sëmurët mbërrininin edhe nga krahinat e tjera. Dikush sillte edhe ndonjë peshqesh, por Ziguri askujt nuk i kishte vënë apo kërkuar ndonjë detyrim material. Atë shërbim e bënte falas, i bindur tek Zoti se po bënte sevap, po ndihmonte, lehtësonte shpirtërisht një njeri, gëzonte një familje, cilado qoftë ajo. Ishte e habitshme se pas atyre lutjeve, krizat e të sëmurëve epileptikë rralloheshin apo zhdukeshin fare. Në fund, në se epilepsia përsëritej, i porosiste të shkonin me një kurban në Teqenë e Baba Tomorrit. Kjo ra në sy të policisë lokale dhe kur filloi fushata kundër fesë dhe zakoneve prapanike, familjen e xhaxho Zigurit e zuri “kalemi” për qarkullim. Mirëpo ish shtëpia e tyre në fshat, pas kaq vjetësh e braktisur, ishte rrëzuar për tokë. Kështu ata u strehuan në aneksin e ambulancës së fshatit N. dhe pikërisht në dhomën që ishte projektuar për maternitet. Nuk protestuan, as u ankuan, por iu nënshtruan fatit. Lajmi i mbërritjes së Xhemalit pas tyre, ishte bomba e vërtetë që i tronditi të gjithë. Të rriturit e familjes, e shoqja dhe djali i madh, kujtuan muajt e tmerrshëm të hetuesisë dhe kthimin e “trarit të shtëpisë” pas tre muaj torturash kur ai mezi mbahej më këmbë. Aq shumë ishte tretur e dobësuar pas atyre “marifeteve” çnjerëzore të Xhemalit me kompani. Mos o Zot, njësoj si në kampet naziste që torturonin hebrejtë e pafajshëm. Dhe ja tani ku xhelati erdhi e i gjeti edhe këtu në mes të maleve. Po si u ngjall kështu ky njeri!? A nuk u godit me rrënjë e degë komploti i ish ministrit të brendshëm? Ç’deshi këtu pas nëntëmbëdhjetë vjetësh? Disa thonin se ai erdhi të hetojë se kush ia vuri zjarrin stallës së lopëve të kooperativës. Të shkretat kafshë, u poqën të gjalla, asnjë nuk shpëtoi. “Ne njësoj jemi, si me lopë, si pa lopë, qumështi i tyre përfundonte në qytet. Asnjë pikë për fshatin!”, thoshnin gratë kooperativiste. Me mbërritjen e Xhemalit, askush nuk i zuri më në gojë lopët, sikur nuk kishin ekzistuar kurrë. Madje kooperativistët nën zë porositnin njëri-tjetrin:
- Kujdes me qentë, nuk e shihni si lehin kur kalon Xhemali?
- Çudi, moj korbë, këta janë brez i ri qensh, si e diktojnë që Xhemali i urren kaq shumë?! Tërbohen sa e nuhatin që afrohet! Ment këpusin zinxhirin. Apo e kanë trashëgim nga të parët e tyre?!
- Lëri shakatë, motër, nuk e sheh që ai mban revole pas bythës? Do na farojë qentë e do na hyjë ujku në fshat! Do na shqyejë ujku të gjallë. Nuk e sheh si nxin si fund kusie?!
- E çfarë të keqe i kemi bërë ne atij?
- Nuk ka nevojë t’i bësh keq, ai vetë nuk duron dot pa u bërë keq të tjerëve.
Po afronte pranvera dhe xhaxho Ziguri, xhaxho e thërriste tërë fshati nga që ishte zbardhur para kohe, nuk i kishte punët aq keq. Kishte blerë një dhi race dhe fëmijët sa ktheheshin nga shkolla, herë njëri e herë tjetri, kullosnin atë bagëti ferishte dhe ajo nuk ua kursente qumështin. Mulliri nisi të bluajë më shpejt kur xhaxhua vetë i ndërroi dy gurët prej stërralli të bluarjes dhe i zëvëndësoi me të rinj. Pastaj shtoi fuqinë e lopatave rrotulluese duke mbledhur disa rrjedhje uji përgjatë kanalit që priste tërthorazi faqes së kodrinës. Mirëpo ishte e thënë të mos gëzonte djersën e tij. Me propozim të Xhemalit, afër mullirit, do të ngrihej një kotec i madh pulash për të cilat do të kujdesej vetë familja e millonait.
- Po çfarë lidhje ka mulliri me pulat, ku është parë e dëgjuar që millonai i fshatit të ruajë pulat e kooperativës?! - u ankua Ziguri në kryesi.
- Dakord, - iu përgjigj kryetari - as unë isha i kësaj ideje, por ishte propozimi i Xhemalit. Duhet t’ia marrim parasysh këshillat e tij. Ai për këtë punë paguhet.
- Po pse more, shoku kryetar, hazreti Lenin është Xhemali që nxjerr xhevahire nga goja dhe çdo marrëzi që thotë ai t’i merret parasysh?!
- Atë e di Partia, - e mbyllte gjithnjë bisedën kryetari.
Më në fund, pas ca lëkundjesh, kryetari u bind. Kishte edhe ai ca dyshime ndaj këshillëtarit të dërguar pako-postale nga Tirana. U la që ky problem të hidhej edhe njëherë për shqyrtim në kryesi të kooperativës ku të merrte pjesë edhe vetë Ziguri. Pas disa ditësh u mblodhën të gjithë anëtarët e kryesisë, si rrallëherë. Fjalën e mori i pari Xhemali duke qëlluar drejtpërdrejtë:
- Ti, shoku millona kundërshton një urdhër të kryesisë se ke hallin e dhisë tënde mallteze.
- Ç’lidhje ka dhija ime me pulat, o shoku Xhemal?!
- Se ato kokrrat e misrit, apo grurit që bien përdhe nuk do t’i hajë më dhija jote mallteze, por pulat e kooperativës, - u përgjigj ai me sarkazëm e ligësi.
- Gjithë jetën për djallëzira të ka punuar fiqiri, o shoku Xhemal. Dhija ka aq shumë gjethe rrotull sa nuk i shkon mendja për misër. Më thoni kush e ka parë dhinë time brenda mullirit? - pyeti ai i indinjuar. U bë heshtje, asnjë nuk foli, pastaj ai vazhdoi:
- Ti vjen nga radhët e ushtrisë e as ke haber nga punët e blegtorisë e të bujqësisë. Tani na jep këshilla. Më gjej një shembull nga kooperativat e tjera ku millonai merret edhe me pulat, edhe me miellin, bukën e fshatarëve?! Nuk mjafton që unë rri njëzetë e katër orë në mulli?! - foli i indinjuar dhe i prekur në sedër. Xhemalin e sëmboi në pikën e tij më të dobët, mungesën e përvojës me punët e fshatit, madje i kujtoi edhe ushtrinë ku atë e kishin shkarkuar e xhveshur me ceremoni. E gjithë kryesia e mbështeti millonain, por kryetari propozoi një rrugë të mesme: Koteci të ishte ca larg mullirit dhe nga haku i drithit që mbahej për bluarje, një pjesë të përdorej për ushqimin e pulave. Për ato të kujdesej e shoqja e Zigurit dhe për shërbimin të paguhej me ditë-pune. “Dobiç ky kryetari, edhe mua, edhe Xhemalit na e bëri qejfin”, medoi xhaxhua duke dalë i pikëlluar nga zyrat e kryesisë. Nuk i pëlqeu fare ajo ideja që pulat të afroheshin afër mullirit. Mirëpo e shoqja e priti me gëzim lajmin që edhe ajo do të ishte e dobishme me këtë ndërmarrje të re, do merrte plot 30 ditë-pune në muaj. Helbete, edhe ndonjë vezë për fëmijët do të mbetej. Se mos Xhemali do të ruante e përgjonte se ç’ bëhej me pulat!
- Po çfarë thua, moj grua, është mall i botës, është punë me telash. Është pyll, ka kunadhe, ka dhelpra rrotull. Vështirë t’i ruash.
- E mor burrë, po dhelpra hyn edhe në fshat, ka racionin e vet edhe ajo e uruar, po pse të mos i mbajmë rrethuar me tel, ne do t’i ushqejmë me drithëra nga të mullirit, nuk do t’i lëmë të marrin brigjet e shushallat.
- Grua xhani, nuk ke propkopi nga propozimi i Xhemalit, ai i ka bërë mirë llogaritë. Do të na futë në telash. I vrasim sytë, do të na shohë keq. As ujë mos shko të pish në burimin ku ka shkuar ai! Atë e njoh më mirë se sa këtë pallton që kam dy vjet që e mbaj mbi supe, - i tha së shoqes duke trazuar i menduar prushin në vatër.
***
Xhaxho Zigurit nuk i pëlqeu fare koteci i madh i pulave që ndërtoi marangozi i kooperativës, ishte i pasigurtë. E shkatërroi atë ngrehinë dhe e nisi nga e para. E çvendosi nga bregorja ku e rrihnin erërat e veriut dhe e mbështeti pas kodrës, mbi mulli. Dërrasat i lidhi më dendur dhe trarët i ngriti si nja dy pëllëmbë nga toka. Gjithë hangarin e vogël e mbuloi me llamarinë dhe pastaj e rrethoi me rrjetë teli të cilën e futi njëzet centrimetra në tokë. Kolonia e pulave nisi me një dyzinë zogjsh të vegjël të cilët ishin të kënaqur me ushqimin, misër apo grurë të bluar trashë. Dhelprat i vinin rrotull kotecit gjithë natën, por nuk gjenin dot asnjë të çarë. “Sidoqoftë, na duhet një qen, është ndryshe kur këtu dëgjohet një e lehur!”, tha xhaxho Ziguri. Dhe kishte të drejtë, dhelprat pozicionoheshin diku më lart e nuk guxonin t’i afroheshin kotecit. Dhija mallteze që thuhej se kjo racë e kishte origjinën nga ishulli i Maltës, polli dy kecër; mashkull dhe femër. U bë edhe më e dashur për fëmijët të cilët ia sillnin ushqimet gjer afër turirit, mjafton që ajo të prodhonte qumësht për ata dhe dy kecat e saj. Në një prej ditëve, fëmijëve u erdhi keq që dhia rrinte gjithë ditën e lidhur dhe pa pyetur prindërit, e lëshuan në liri të plotë për të kullotur rrëzë kodrës. Pasi kulloti, nuk kaloi ca dhe dhija nisi të fryhet e të shkumbëzojë nga goja. Lajmëruan xhaxhon, por ishte vonë. Bagëtia kishte ndeshur në kilikazë. Është një bar që rritet në hije, pas shkrirjes së borës del nga toka si një kalem i verdhë, i bukur, tërheqës. Kafshët e uritura joshen pas saj, por kilikaza e bukur është një bar i helmur. Fëmijët e përcollën Barxhën, kështu e thërrisnin, me lotë e pikëllim sikur të ishte njeri. Ziguri deshi ta therë për të mos i shkuar mishi dëm, por fëmijët, u lebetitën, e ndaluan të verë thikë mbi të dhe ai nuk ua prishi. Ata i thanë se nuk mund ta hanin mishin e saj, u vinte keq. Xhaxho Zigurit iu desh që ta varrosë dhinë sikur të ishte njeri. Dy kecat që Barxha la mbrapa ishin ngushëllim për gjithë familjen. Pas një dite fëmijët kishin parë se dikush e kishte zbuluar varrin e Barxhës. Ziguri u habit. Si ishte e mundur?! Ai e kishte varrosur kufomën sa më thellë. Shkoi për ta parë. Balta ishte hedhur vetëm nga njëra anë. Barku i dhisë ishte çarë dhe jashtë i kishte dalë stomaku. Dukeshin kilikazat akoma të patretura dhe një tufë gjethe përralli. Stomaku ishte çarë në dy vende. Ishin të çara thike, kurrësesi dhëmbë kafshe të egër. Kush mund ta kishte bërë? Ai njeri që ka marrë mundimin të çvarrosë një dhi, ka dashur të mësojë shkakun ngase ajo ka ngordhur. Kush ishte i interesuar? Askush në fshat, përveç Xhemalit. O Zot, ai vazhdon ta ndjekë Zigurin si një hije! Ja deri ku ka arritur. Ka dyshuar mos dhija mallteze ka ngodhur nga ushqimi tej mase me drithërat e kooperativës. I duhej të kapte një fakt, një argument më shumë kundër armikut të tij të vjetër. Iu kujtua proverbi i lashtë: “Ujku qimen e ndërron, por zakonin nuk e harron”. Këtë dyshim vendosi të mos ia tregojë as gruas dhe as fëmijëve.

Erdhi vjeshta dhe zogjtë e vegjël ishin rritur, ishin kthyer në pula; vinin të plotë e të shëndetshëm. Kryetari ishte i kënaqur dhe kishte thënë se nga pranvera kotecin mund ta zmadhonin, madje mund të bënin edhe një seminar në mulli ku punën dhe përkushtimin e familjes së xhaxho Zigurit mund ta përgjithësonin si shembull pozitiv në gjithë krahinën.
Ra bora e parë dhe të nesërmen u panë shumë gjurmë dhelpërash rrotull kotecit. Duhej bërë ndonjë përforcim. Kjo kafshë dinake me siguri do të gjente ndonjë mënyrë se si mund të hynte në kotec. Pas çdo natë, rrotull, gjurmët e kafshëve vinin duke u shtuar. Mund të ishin bashkuar edhe kunadhet. Njësoj, edhe ato ishin të uritura. Aty nga mesnata pulat kakaritnin të alarmuara. Një dhelpër kishte hapur me thonj një tunel poshtë rrjetës së telit dhe kishte depërtuar brenda kotecit duke shqyer derën. Katër pula ishin zhdukur dhe një e pestë përpëlitej në dhëmbët e saj. “Uria bën të pamundurën!”, mendoi xhaxho Ziguri duke e mbyllur me një gur të madh tunelin që dhelprat e kishin çarë me thonj…Duhej lajmëruar kryetari i koperativës, mendoi ai. Dhe ashtu bëri.
- Të shtojmë edhe ndonjë qen? - i propozoi kryetari i shqetësuar. Nuk i vinte keq për pulat, por që po i digjej shansi për seminarin shembullor në rang rrethi.
- Ashtu do të bëjmë, ma dërgo! Do t’i lidh me zinxhir të gjatë që t’i vijnë rrotull kotecit, - i tha Ziguri kryetarit.
Kjo mesele nuk kaloi aq lehtë në kryesi. Xhemali kishte hedhur idenë se pulat i hante vetë Ziguri. Ishte kjo një akuzë. Kur koteci u sulmua edhe nën vigjilencën e dy qenve, dy anëtarë kryesie mendonin njësoj si Xhemali. U vendos që millonai të jepte llogari në kryesi. Aty të jepte shpjegime se si edhe me dy qen-roje, përsëri pulat e kooperativës pakësoheshin. U bë debat i nxehtë që vazhdoi me orë. Kishte pro dhe kundër.
- Na sill një dëshmitar ku të vërtetojë se pulat i ha dhelpra dhe jo ti Zigur me fëmijët e tu? - i tha Xhemali duke i numuruar rrokje për rrokje fjalët sikur të ishin kokrra plumbi. Pa iu dridhur as zëri e as qerpiku.
- Po, do ta gjej, do t’ua sjell dëshmitarin, - tha i vendosur xhaxho Ziguri duke nxjerrë shkëndija nga sytë - megjithëse u paralajmërova qysh në fillim se vendosja e pulave afër mullirit ishte një ide e keqe, në mos djallëzore.
Xhemali bëri sikur nuk i dëgjoi këto fjalët e fundit, por vështrimet e tërë anëtarëve të kryesisë e detyruan këshillëtarin të flasë.
- Na kërkove qen shtesë dhe qentë t’i dhamë, shoku Zigur, atëherë si shpjegohet që koteci pakësohet?! - pyeti ai gjoja me habi duke pritur ta përkrahin edhe të tjerët.
- - Ah, unë jam bari i vjetër dhe i njoh mirë zakonet e qenve. Të mos i biem shumë në qafë këtij hallexhiu. Edhe qentë flenë, i zë gjumi. Pikërisht dhelpra këtë moment gjuan. Ajo është më dinake se sa ata. Është fakt se qentë, kur kanë kakaritur pulat, janë zgjuar dhe dhelprat janë larguar duar bosh, por ndonjera nga pulat ka avulluar, është grabitur. Kështu e shpjegoj unë, - foli njëri prej anëtarëve të kryesisë, përgjegjësi i ndërzimit artificial.
- E pse ta zgjatim, ne i kërkuam dëshmitar, - tha kryetari - dhe ai premtoi ta sjellë dëshmitarin. E mbyllim me kaq. Jemi në pritje të dëshmitarit.
Pas disa ditësh, besimtari bektashi dhe mullixhiu i mirë Zigur, lajmëroi kryetarin e kooperativës të mblidhte kryesinë se do të sillte jo një dëshmitar, por dy. U habit kryetari; çfarë lloj dëshmitarësh ishin ata që do ta mbronin dhe do ta shpëtonin nga Xhemali?! Megjithatë e mblodhi kryesinë pas një dite. Kishin ardhur të gjithë dhe prisnin dëshmitarët. Ja ku u duk xhaxho Ziguri me dy arka-çarqe druri në duar. Në secilën arkë ishte nga një dhelpër.
- Ja dëshmitarët, shihni, pyetni, këto m’i kanë ngënë pulat e jo fëmijët e mi, -tha ai duke vështruar secilin anëtar kryesie me radhë. Xhemali uli sytë përdhe dhe bënte gjasme sikur shihte çizmet e tij të bëra gjithë baltë. Të tjerët ia dhanë të qeshurit.
- Shih si janë majmur me pulat tona. Nuk ka dëshmitarë më të besueshëm, apo jo Xhemal?! - tha anëtari i kryesisë që në mbledhjen e parë kishte mbrojtur qentë.
- Mendoj se je i çliruar nga akuza, xhaxho Zigur, - tha kryetari - bëj si të bësh deri në prill kur të bëhet seminari, ndoshta i përdor përsëri këto marifete, këto lloj çarqesh që zenë dhelprat, pastaj shohim e bëjmë, Edhe mund t’i heqim andej pulat.
“Është e dyta herë që më shpëton ky qerrata, po sa të jem gallë nuk i ndahem, do ta kap se nuk bën…Mos vallë jam plakur?!”, mendoi për vete Xhemali duke kafshuar thonjtë me dhëmbë. Një valë vreri iu ngjit lart, deri në grykë.
***
Historia e dëshmitarit u përhap si rrufe anëmbanë fshatit, por edhe më tej, në gjithë krahinën. Kudo flitej për mbledhjen e krysisë së kooperativës dhe dëshmitarët, dhelprat e xhaxho Zigurit në çark. Kjo histori zbriti gjer në qytet duke iu bashkuar shumë ngjarjeve qesharake të atij fshati. Shpesh, kur nuk i jepej zgjidhje ndonjë problemi, një i tretë shtonte: “Prisni, nuk ka ardhur dëshmitari…”. Një nga bejtexhijtë që nuk deshi të indentifikohej thuri vargjet: “Nashti që erdhi Xhemali/ Na u shtua kapitali/ Po na mungon dëshimtari…”. Disa herë Xhemali kishte dëgjuar emrin e tij nëpër biseda si në klub, dasma e davete, por asnjë nuk i afrohej ta informonte se çfarë flitej konkretisht rreth tij. Në përgjithësi ky fshat vuante për informatorë, një nga arësyet që Ziguri nuk binte në çark. “Kush i kishte djegur lopët? Ishte një dosje e hapur. Asnjë nuk tregonte dhe as kishte për të treguar. Bëra gabim që dola vullnetar për të ardhur këtu”, mendoi Xhemali duke e parë veten të tepërt në atë mjedis malor. Kishin rrjedhur shumë ujra dhe disa djem të fshatit, specialistë bujqësie, kishin mbaruar shkollën e lartë. Po, po, ishte i tepërt. Dhe vendosi të nisej qysh atë natë, pa njoftuar, pa i dhënë lamtumirën askujt. Në përgjithësi ai qarkullonte më shumë natën, në errësirë se sa ditën për diell. Mbushi revolverin, e futi në xhepin e brendshëm dhe u nis për rrugë. Bora që kishte rënë para pak ditësh kishte ngrirë e llamburiste nën dritën e hënës. Mbi të mund të ecej lirisht. Në qiell kishte pak re që rrëshqisnin në qiell me ngut. Hëna përgjysmë, herë dukej e herë zhdukej përmes reve. Asnjë nga qentë nuk lehu kur ai përshkoi fshatin mes përmes. Interesant, ishte e para herë që ata nuk lehnin, sikur ta dinin se ai do të largohej përgjithmonë. Së largu dëgjohej oshtima e mullirit që ende bluante drithëra. 

Këshilltari doli nga fshati dhe mori rrugën që çan përmes fushave. Poshtë çizmeve të tij ushtarake dukej sikur bora përtypej, më saktë sikur çizmet kafshonin borën. Ja tek u duk një dhelpër bishtgjatë nën dritë e hënës e cila ndali në vend dhe po e shihte me habi. Ai deshi të nxirrte revolen e ta qëllonte, por kafsha sikur ta kishte kuptuar, u zhduk pas një shkëmbi të mbuluar me borë të ngrirë dhe ai vazhdoi rrugën më tej. Drita nga qielli gjithnjë e më shumë po zvogëlohej dhe atij i duhej ta gjente rrugën me hamendje. Pastaj qielli u nxi krejt dhe në ajër, para hundës së tij, nisën të lodronin fluruza bore. Po afrohej furtunë, por atij edhe pak i duhej që të futej në grykën e ngushtë midis dy maleve ku nuk frynte erë. Ja dhe ca e po arrinte. Fluruzat e borës u bënë të padurueshme. Të kthehej?! Do tallej i gjithë fshati me të. Kushedi çfarë kënge tjetër do të sajonin. Atyre mendja u punonte vetëm për bejte. Gjeti kurajë dhe eci përpara. Pastaj ngeci. Nuk bënte dot përpara me asnjë hap. Iu mor fryma. Fluruzat vërshonin nga të gjitha anët, me shpejtësi dhe pa mëshirë. Në një moment iu kthyen të gjitha sikundër të ishin grerëza të bardha. E kafshonin ngado, pa mëshirë. Po i merrnin frymën. Nuk kishte as dru e as gur ku mund të mbështetej. U ul galiç. Priti pak, por ndjeu të ftohtë. Më mirë të lëvzte, të ecte përpara. Ngritur më këmbë nuk mund të çante përpara. U zvarrit, por nuk bëri dot asnjë metër rrugë. Iu ftohën gjunjët. Shyqyr që kishte marrë çizmet ushtarake. Ja edhe pak dhe do të futej në grykën e ngushtë ku nuk do ta rrihte tufani. Nga cila anë binte Gryka? E ngatërroi. Bora nuk pushonte për asnjë çast. Vendasit e dinë se në këto raste duhet të mbështetesh pas një peme, apo rrëzë një guri dhe duhet të lëvizësh në vend që të mos ftohesh, të qarkullojë gjaku, por ai nuk e dinte, ose më mirë të themi e kishte harruar. I dha kurajo vetes dhe bëri edhe një hap. I shkoi ndërmend të zbulonte shtresën e re të borës me duar dhe ashtu bëri. Pa dy gjurmë. Vuri re drejtimin e tyre. Ishte në të kundërt. I pa me kujdes. Ishin gjurmët e çizmeve të tij. I njohu. Ndërroi drejtimin. Ecte dhe zbulonte me duar gjurmët e tij. Më në fund arriti aty ku ishte kthyer. Vendosi të mos ndërronte drejtim. Eci edhe pak. Fluruzat vazhdonin sulmin dhe gati po e verbonin. Gishtërinjtë e këmbëve nuk po i ndjente. Kishte ftohtë, shumë ftohtë. Dalëngadalë po e pushtonte gjumi. Po humbte vetëdijen. Ndjehej si nën narkozë. Ishte momenti kur xhaxho Ziguri falej në mulli dhe thoshte: “E gjeç nga Perëndia, ndihmomë, o Baba Ali!”.
***
Të nesërmen mbasdite, kur qielli ishte qelq, dy bashkëfshatarë që ktheheshin nga qyteti, sa dolën nga Gryka, panë diçka të zezë në anë të rrugës. Ishte një dorashkë e zezë leshi. Njeri prej tyre zgjati dorën për ta marrë, po ajo nuk shkulej, nuk shqepej. Ishte vazhdim i një krah-njeriu. Ata zbuluan borën me majën e një shkopi dhe njohën fytyrën e zbehtë e të ngrirë të Xhemal këshillëtarit. Në dorën tjetër kishte revolverin. Karikatorja ishte plot me fishekë.
- Mos është përleshur me dikë?! - dyshoi njëri prej tyre.
- Jo, ka dashur të japë alarm, ka dashur ndihmë, por nuk ka mundur ta shkrepë, i shkreti… - tha i dyti.
- Mos ka dashur të vrasë veten? - hamendësoi i pari.
- Jo, ç’ne, ai e ka kuptuar që ka qenë i vdekur, pa shpresë. Ka dashur t’i kërkojë ndihmë fshatit, - tha i dyti.
- Ka qenë vetëm pesë hapa larg Grykës, ditëziu…Ne nuk mund ta kthejmë në fshat, duhet të lajmërojmë degën e punëve të brendëshme në qytet. Për ata ka punuar. Ky nuk është yni, është i atyre. Ata e dijnë çfarë ishte ky njeri dhe përse e kanë dërguar këtu, në këto male, - arsyetoi i pari.
- Ke të drejtë, - i tha i dyti.
***
Erdhi pranvera dhe bora shkriu. Askush nuk e kujtoi më Xhemalin. Sikur nuk kishte qenë kurrë në fshatin N. Mirëpo pikërisht tek vendi ku kishte dhënë shpirt këshillëtari i deleguar nga Tirana, u gjet një bllok shënimesh. Në shumë faqe shquhej përgjysmë emri i xhaxho Zigurit, por shkronjat ishin shuar dhe nuk merrej vesh çfarë ishte zogafsur aty. Me sa duket atë bllok, i zoti vetë, e ka zhytur thellë në borë për ta zhdukur. Nuk ka dashur ta lexojë askush.
Fund

Toronto, 15 shkurt 2019
(Publikuar ne Portalin Albspirit)

Monday, 18 February 2019

KRONIKA E NJË DITE

Tregim

nga:  Resmi OSMANI
shkrimtar dhe publicist
Tiranë

Prof. dr. Resmi OSMANI
 Gjatë një dite, në jetën e njeriut, mund të mos ndodhë asgjë për t’u shënuar, por mund të ndodhin edhe shumë gjëra. Këtu do të bëhet fjalë për një nga ditët e jetës së Marës. 
                                                             *      *     *      
        Kënga e ditës së re, u çel me borien e këndezit, kakarisjen e pulave dhe basin uluritësë të lopës Larë. Përjashta nata po zvarriste përtueshëm perden e zbehtë të muzgut dhe dita që kishte çelur në lindje  e ndiqte prapa, duke e shigjetuar me tufën e ndritshme të rrezeve, që paralajmëronin ardhjen e diellit, që ende  s’kishte lindur. 
     Ishte gdhirë dhe kjo ditë. Mara zgjohej para lindjes së diellit, e priste atë dhe në punë e sipër, ai i dërgonte në ditët e kthiellta një vrundull të artë rrezeshn, në ditë të vrenjtura bardhësinë e dritës dhe i uronte ditën e re: “Mirmëngjes”! Kështu për ditë. Ditë si njera-tjetra. 

    Ndënji ulur buzë shtratit, sa trupi të mësohej me zgjimin, t’i kthjellohej shikimi e që të mos i merreshin mendtë kur të ngrihej. Rrjedha e pandalshme e ditës për të, kishte kodet e saj dhe ishte si një mësim i mësuar përmendsh. Punët kishin radhën e tyre, ishin të shumta aq sa dita s’mjaftonte për t’i kryer të gjitha. Ajo duhet t’u bënte ballë e vetme. I shoqi, Marku, punonte me buldozer në një kantier të largët që hapte rrugë të reja. Vinte në shtëpi për fundjavë. Ditët e tjera i merrte ne celular. 

      U vesh me përtesë, ende ishte si përgjumësh dhe kapakët e syve i rëndonin. Te sqolli  u hodhi një grusht ujë syve. I dha dritë koridorit që ishte në gjysmë errësirë. Sytë i shkuan te korniza me fotografinë e madhe. Kishin dalë pas martesës. Dukeshin të lumtur: e kush u martua e s’u gëzua! Ajo rrëzëllente nga bukuria. Kishin kaluar shumë vite. U pa në pasqyrë. Aty u shfaq ajo Mara tjetër, e ndryshme, e tanishme. Fytyrë e rreshkur, e pjekur nga dielli, e rrahur nga erërat dhe cikna që kishin lënë gjurmët e tyre: ato rrudhëzat te cepat e buzëve e të syve, në ballë, në faqe. Edhe ajo drita e syve si ngazëllim e gëzim që buronte së brendshmi, tashmë ishte zbehur e trishtuar, në tëmtha ishin çfaqur fijet e argjendta të thinjave. Barra e rëndë e jetës i peshonte mbi shpatulla dhe i mblidhej në bel si një dhimbje prore. U kthye sërish nga fotografia, si t’i vinte keq për veten. E ku kishte shkuar ajo bukuri?Tinëzisht, koha, e  kishte fshirë e tjetërsuar, por nuk kishte mundur t’ia hiqte fisnikërinë e mirësinë, që i buronte nga gjithë pamja dhe çiltërsia e buzëqeshjes.

       Veshi çismet e llastikta, hodhi në tas ushqimin e pulave, doli në oborr dhe hapi derën e qymezit. Pulat duke kakarisur u sulën përjashta dhe e qarkuan, prisnin ushqimin. Ua shpërdau. Në furriqe, zbardhnin vezët, i mblodhi në prehrin e përparses, ishin ende të vakëta. Pula bardhoke rrinte në furrik.”Po ti,ç’ne që s’del me shoqet?”E kapi nga krahët, por ajo desh ta çukiste me sqep, dhe iu përgjigj me një “Klluk-klluk”.Kur e ngriti pa që ndën vete kishte vezën që po e ngrohte.”Jo moj bardhoke, u kujtove von për të klloçitur e nxjerrë zogj, po vjen vjeshta dhe dimri i gjen të pa rritur. “Hajd, shko ”- dhe e flaku përjashta. Doli dhe vetë. Mori kovën dhe hyri në kasollen e lopës. Dukej që Lara me gjirin e rënduar nga qumshti po e priste. i ledhatoj vithet, ndjeu me mollzat e gishtave një dridhje të lehte kënaqësie nën lëkurë e ngrohtë. I pëlqente kur e ledhatonin. Pastaj ia lau gjirin e bëshëm me ujë të vakët. Vuri koven ndën të dhe nisi ta milte.Lara këtë priste që ti lehtësohej gjiri. Lara i dha edhe pikën e fundit të qumshtit të saj dhe e shikoi si me  të lutur  me ata sytë e mëdhenj e të butë si kadife. Ato ishin më shumë se shoqe. Ajo e kishte rritur që mëshqerrë, po me atë kujdes si t’a kishte fëmijë. Lara ishte si pjestar i shtëpisë. Qeni Murro, edhe pse me zinxhir, kishte dale nga kolibja, luante bishtin miqësisht dhe e shihte të zonjën si me të lutur. Priste ti jepte mëngjesin. Të gjithë kerkonin të hanin nga duart e saj!

     Hoqi pak qumësht dhe e vuri në zjarr që ta valonte për mengjesin e fëmijëve. Tjetri ishte për në treg, i pajtuar nga familjet qytetare të një pallati. Mbushi shishet, i kishte larë e bërë dritë që në mbrëmje.
     Dielli hala s’kishte lindur, megjithatë duhej ngutur. Fëmijët ende bënin gjumë, zgjimin do t’ua bënte më pas, pasi të kryente edhe disa punë të ngutshme.
     Mori shportën dhe kosën e zbriti në kopshtin e perimeve. Ky kopsht ishte krijesë e duarve te saj. I mbrujtur nga puna,në çdo fryt ishte një pikë nga djersa e saj, por edhe nga dashuria. Se tokën  dhe bimët duhet ti duash. Asgjë nuk bëhet pa dashuri. Ishte si një qëndismë: domatet kuqëlonin, specat jeshilonin, patllixhanat ndrinin me reflekse blu, lakrat po hidhnin shtat, pjeprat kundermonin…tufat e borzilokut ermironin ajrin.Piklat e vesës mbi gjethe dhe fryte ua shtonin hijeshinë. Nuk mungonin as lulet: lulekadifet, bufkat e verdha, luleshëmitri që çelnin në vjeshtë,se lulet zbukurojnë jetën. Kishte dëgjuar të thoshin se të duash lulet është fisnikëri dhe se kush do lulet do edhe njerëzit. Vllaja e erzave : kopra, majdanozi selinoja, maraj, sherebela që u japin shijen gjellëve, se shija e gjellëve është pjesë e kënaqësive të jetës. Ishte një kopsht familjar, por diçka tepronte edhe për treg.

     “Mirmëngjes”, i përshëndeti Mara, ishte mësuar t’a njihte gjuhën e tyre të heshtur e të fshehtë, por që fliste shumë, ngaqë i kishte parë e kujdesuar që kur kishin mbirë nga fara, si fidane te vegjël e të brishtë, sesi rriteshin nga dita në ditë, si lulëzonin e lidhnin frytet. Selitja e tyre nuk donte vetëm punë, por edhe kujdes e dituri! Edhe pse ishte ende freskët e s’kish nisur të nxehtit, në gjethe kishte shënja vyshkje.Bimët kërkonin ujë. Por ujë s’kishte. ”Durim, miket e mia, u tha, jemi në dorë të resë. Të presim e të shpresojmë se shiu do të vijë”. Hodhi sytë në qiell, ishte qelq i kthiellët!Voli dhe mbushi  shportën me perime.
        Në ngastrën e jonxhës kositi nje ovrat. Kishte mësuar kaherë për ta përdorur kosën, njësoj si burrat. Jonxha e kositur, kishte atë aromën idhcake, të amsht e të këndshme të barit të luadheve, që ajo e pëlqente.  Këputi edhe një krah me degë të njoma misri. Të gjitha i futi në thes. Lara kishte ç’të hante tërë ditën. Thesin me zor e hodhi në shpinë, ishte i rëndë. Me dorën e majtë mbajti shportën e perimeve dhe u nis për në shtëpi. Nga pesha e rëndë i merreshin këmbët!”Mbahu moj marë”, i dha zemër vetes. 

     Syri i artë i diellit u ngrit mbi majëmalet. Ajo zgjoi fëmijët, i detyroi të laheshin e të kriheshin. U uli sillën: qumësht, vezë të ziera dhe djathë të njomë, pa kripë, të sapo nxjerë nga napa. Ndërkohë u ndrrua, veshi ndrresa të lara , një shami të bardhë dhe përparse me qëndizma.U veshën dhe fëmijët, rroba të reja, të pastra, këpucë atlete, çorape të bardha, që shokët e tyre qytetarë të mos i gërgisnin dhe ti quanin katundarë.
     Shpejt, shpejt, se koha nuk pret!
     Shkolla e fshatit kishte kohë që qe mbyllur, ndaj shkonin në atë të qytetit. Po të ecnin mirë, u duhej gjysme ore. Rruga ishte e vjetër, e pa shtruar, gropa – gropa, në verë të mbyste pluhuri në dimër balta. U bë kohë që makinat nuk kalonin më në ‘të. Kjo rrugë, që rrugë i thënçin, ua nxiu jetën, ishte pjesë e mundimeve të përditshme, dimër-verë, si të mos mjaftonin e tepronin të tjerat.
       U bënë gati për të dale ”Shiko dhe ruaj shtëpinë, se ne ikëm”, i tha Murros, pastaj i bëri një zë Diellzës, nuses së nipit, që i ndante vetëm  pahia me petavra dërrase, që të hidhte një sy nga shtëpia, sa të kthehej. “Ikë pa merak e mendje mbledhur” , i tha nusja e nipit.  
   
       E ndau ngarkesën. Albanit, djalit të madh, që kishte hyrë në të katërmbëdhjetat, i dha trastën me shishet e qumshtit, Sokolit, djalit të dytë, vezët dhe qeskën me erëzat, për vete mbajti dy shportat me perimet, Luçies, vajzës, që ishte në klasë të dytë, nuk i dha gjë, i mjaftonte çanta e librave që ishte bajagi e rëndë. Ishin të detyruar të  ecnin me hapin e Luçies. Dielli po ngrihej dhe vapa po shtrëngonte. Në çdo hap që hidhnin, ngrihej pluhuri, që ua veshi atletet dhe kërcinjtë. Duhet t’i lanin te çesma që ishte në qendër të qytetit, para se të shkonin në shkollë.

      Kur mbrritën te sheshi i qytetit u ndanë, fëmijët shkuan në shkollë, Mara vajti te këmbësorja e rrugës, rrëzë pallateve të reja, ku ishte vendi i saj i përditshëm, i shpresës dhe zhgënjimit. Ata të policisë bashkiake e njihnin dhe s’i binin qafës. Kishin mbrritur para saj edhe bashkfshatare të tjera: Kristina e Ndreut, Dila e Zefit dhe Margjela e Pjetrit. Shoqe të halleve. Ja la Kristinës nën kujdes ato që kishte sjellë dhe vetë shkoi të shpërndante qumshtin: derë më derë, i binte ziles ose trokiste. Ata e prisnin. I jepnin një shishe bosh dhe merrnin atë plot. Të shumtit e paguanin në dorë ,por kishte edhe që i luteshin t’i priste për nesër ose pasnesër, se nuk u ndodheshin lekë! I mirëkuptonte, ishin hallexhinj si ajo.

       Ishin të shumtë ata që kishin dalë në treg për të blerë harxhet e ditës, amvisa, burra, të shumtit në mesmoshë por edhe pensionistë. Kalonin, ndaleshin, shihnin, pyesnin për çmimin dhe të pavendosur ngisnin më tej për të shkuar te tezgat e tregut. Leku, që s’fitohej kollaj, duhej harxhuar me ekonomi. Edhe kur blenin,sasia ishte e pakët; tre-katër kokrra domate, po aq patllixhane, do copë speca. Mara u jepte falas një tufë erza, si tu pëlqente, majdanoz, kopër, apo selino e mente. Sido që perimet dhe vezët ishin të freskëta, vezë fshati, shitja ecte ngadalë. “Bëj durim moj Marë”, i tha vetes dhe hodhi sytë nga qëndra e qytetit. Makinat gumzhinin, njerëzia mizëri, me punë e pa punë, të ngeshëm e të ngutur, me gajle e pagajle, lumi njerëzor rridhte papra. “Të gjithë këta, mendoj ajo, e pakta tri herë në ditë ulen në tryezë,  kush më mirë, në tryezë të pasur, e kush në më të varfër, sipas gjendjes, mire a keq, hanë vaktet. Kësisoj në gjithë qytetet ku gjallon jeta. Ushqehen me ato që seliten nga duart e saj, të gjithë atyre mijëra grave e ca më pak burrave, anë e kënd fshatrave të Shqipërisë, që u ka rënë mbi shpinë barra e jetës... Po a e mendojnë apo kujtojnë vallë se gjithëçka kanë mbi tryezë vjen nga fshati e nuk bie nga qielli, që eshtë fryt i punës dhe djersës së tyre? E ç’do të ishte qyteti pa fshatin? Një gërmadhë e uritur. Shumë - kush këtë e di, veç jo politikanët. Kështu e mendonte Mara. Por atyre as u shkonte ndër mend për ‘të. Kur donin të fyenin kënd i thoshin përbuzshëm“fshatar” dhe kjo ishte e rëndë dhe aq fyese. Mos durofsh o Zot!

    Xhanëm, edhe qyteti kishte hallet e veta, mendoj ajo: të papunë, hallexhinj, varfanjakë, të pastrehë, po të paktën ata kishin ujë, rrugë të shtruara, shkolla, farmaci, ambulanca e spitale.
        Ajo që mbjti këmbët para saj, ishte një zonjë e re, që mbante nga rripi i gjatë një qenush vocrrak gjithë lesh të bardhë. E përshëndeti dhe nisi të shihte perimet. Mara e njihte në të parë, ishte zonja e deputetit, folëse në televizionin lokal, jepte lajmet mbrëmjeve. E bukur? S’ke ç’i thua,si kukull. Prej saj perhapej  aroma ngacmuese e parfumit të lehtë.
   - I ke bio?
   - Janë të freskëta të sapo vjela në kopsht -i tha Mara që nuk e kuptoi pyetjen.
    - E shoh. Desha të them nëse janë pa kimikate, si u thonë, pa pesticide, pa hormone.
    - Ashtu janë, nuk përdorim na asi soj gjanash.
    - Të besoj. Po i marr atëhere -dhe filloi t’i zgjidhte kokërr më kokërr.
    Mara i pa duart: të vogëla, të buta, gishtërinjtë të gjatë, zbukuruar me unaza të arta me gurë të kuq e të gjelbër, në kyçet e duarve byzylykë, thonjtë të gjatë si bajame, të lyer me manykur, dukej se mbi ta kishin çelur ca lule të kuqe. Pa të sajat: duar të ashpra, lëkura e rreshkur, nga ngricat dimërore dhe dielli përvëlues, me kallo e të çara nga punët e shumta, përditë. Në gishtin e unazës vetëm rrethi i martesës. Thonjtë të prerë thellë, që të mos mbusheshin me dhe dhe bajga. Ja që kështu ishin ndarë fatet! “A bënte punë kjo grua, - pyeti veten Mara-të paktën brënda shtëpisë. A lante enët, lëveret, pastronte  shtëpinë, merrte pluhurat, gatuante gjellët? Me siguri që jo. Ajo vetëm mbillte e korrte llafe para ekranit. Jo vetëm kjo, po gjithë zonjat e pasunarëve të rinj. Ato pajtojnë ndonjë nevojtare, që tani nuk u thonë më shërbyese, por  punëtore shërbimi. Jo ush po gomar! Ua mbante  xhepi moj xhane.”

     -Po i marr të gjitha vezët. Sot im shoq vjen nga Tirana për fundjavë dhe dua t’i bëj një surprizë.Tortën dhe majonezën dua t’i përgatis vetë. Sa për sonte, se nesër për uikend, do shkojmë në Shkodër. Buzë liqenit, në restaurantin”Mbreti Gent” gatuajnë një tavë peshku të hatashme që të lëpish gishtat. E shoqërojnë me verë të bardhë  “Shardone” që është si eliksir, mandej do të ngjitemi në Theth……
           Mara e kishte parë të shoqin e zonjës, deputetin. Dy herë radhazi gjatë fushatës elektorale, tok me Markun, Margjelën, Ndrecën dhe Diellën. Ai kishte ardhur në qendrën e komunës si era me shi e bubullima, kishte zbrazur rrufetë verbuese të  premtimeve: shtrimin dhe asfaltimin e rrugës, riparimin dhe rihapjen e shkollës, ujë nga bjeshka, për çdo shtëpi që do të rridhte mga rubinetat ditë-natë dhe ujë për ujitjen e bimëve, për t’i dhënë fund thatësirës zhuritëse, qendër shëndetësore, shëndetësi falas…..Nga goja e tij rridhte mjaltë, dilnin mrekullira. Burrit të  kësaj zonje Mara dhe Marku i kishin zënë më shumë besë se ishte i një partie të madhe që ngjallte shpresë dhe votuan për ‘të. Që prej asaj dite ai s’ishte kujtuar më për ‘ta ishin gjallë a vdekur! Fjalë, fjalë e vetëm fjalë. Asgjë nga ato që u thane. Premtimet u tretën si kripa në ujë! Kishte hedhur lumin e kishte pështyrë kalin! Ja që të tillë ishin këta politikanë.

     Zonja po mbushte qeskat dhe s’pushonte së foluri, po Mara se kishte aty mendjen. Aty pari kaloj një qen rrugësh. Qenushi i zonjës u trimërua e egërsua dhe iu gërduf me të lehura inatçore dhe iu turr. E lehura e qenit, ia preu ligjeraten së zonjës, ajo i  tërhoqi rripin.”Urt Xhixhi, ç’të gjeti? E mori Xhixhin në duar. Xhixhi u qetësua. Thoshin se zonja ishte beronjë dhe dashurinë për fëmijët që s’i kishte, e kishte hedhur mbi qenushin. Mara i peshoi perimet me kandarin e dorës, i numëroj vezët dhe i tha sa duhet të paguante. Kur nxori dhe hapi portofolin, Marës i zuri syri që ai ishte plot me kartmonedha. Prandaj ajo nuk e rrudhte dorën dhe s’bënte pazar për çëmimin. Kur Mara po kërkonte të vogla për t’i kthyer kusurin, i tha ta mbante. Bujare në qindarka!
       Po kapërcente mesdita. Kur durimi dhe blerësit po soseshin, ato që kishin mbetur i shiti toptan dhe me çëmim të ulur.

      Fëmijët dolën nga shkolla. Mësimet për atë ditë ishin mbyllur. Bashkë me ta, shkoi në shitore: sheqer, oriz, vaj gatimi, makarona, miell, sapun,  larësdore rrobash e gjithë ç’i duheshin shtëpisë. Thuajse ç’kishte fituar i la po aty. Ikën siç kishin ardhur, sikush peshën e tij, ecnin me çapin e Luçies.  
    Gjellën e kishte gatuar të mbrëmshmen, në tenxheren me presion. Nga një pjatë fasule dhe sallatë. Hëngrën në heshtje,por punët e ditës nuk kishin Mbaruar. Duheshin larë enët, por i vuri në sqoll dhe i la për në darkë. Bashkë me Albanin, morën kazanin, govatën e llamarintë, kanistrën me lëveret për t’u larë, që ishin bajagi dhe zbritën në lumë. Kur u kthyen në shtëpi, ishte e lodhur dhe i dhimbte beli. U shplodh një cope herë, pastaj hapi të larat në tel. 
      -Hajd, u tha fëmijëve, - shpejt në banjë, se do të flini në çarçaf të pastër.  Mësoni mësimet dhe bëni detyrat.
       Ata nuk bënë llafe, Albani me sokolin laheshin vetë, ajo lau Luçien.
       O punë ju mos u sosçi, u bëfshi sa mos u njohçi! Duhej mjelë Lara, nxjerë plehu nga kasollja e saj, e më pas hedhur ushqimi. Më pas duheshin mbyllur pulat. Uf! Edhe hekur të ishte do t’ishte perkulur, po ja që njeriu qenka më i forte se hekuri!
    Kur do të shtrihej për gjumë, ndjeu atë shtrëngimin e fortë në anën e majtë të gjoksit dhe ndjesinë e një peshe në kraharor, e mbuluan djersët e ftohta dhe iu vështirësua frymëmarrja, pati këputje dhe gati sa s’po i binte të fikët. Vështrimi ju mjegullua. Duke u mbajtur pas murit, hapi komodinën e shtratit dhe mori tabletin dhe e vuri nën gjuhë. U shtri. I kishte ndodhur dhe herë të tjera, por kjo qe më e fortë. Rrahjet e zemrës po qetësoheshin, por ishte e këputur e pafuqi. Mbase po kalonte. “Mbahu moj zemër, i tha ajo, lermë të jetoj e t’i rris fëmijët, se mbase për ‘ta do të ketë ditë të bardha.”       
                                                            *    *    *       
  Kishte kaluar mesnata, iku edhe një ditë dhe kishte hyrë dita e re. Do të ishte një ditë si gjithë ditët. Marën s’po e merrte gjumi. E ndjente shumë mungesën e të shoqit, se shtëpia pa burrë, është si kulla pa çati. Ai, atje në kantierin e largët, nuk mund ta dinte se çpo i ndodhte asaj, se po ta dinte, do te behej zog me krahe e do te fluturonte per tek ajo dhe fëmijët. “Fli”, i tha vetes. Duhet te flesh, të mbledhësh fuqitë,  se do të gdhihet përsëri. Dhe shiko: nesër të shkosh te doktori, nëse do që fëmijët të mos i lesh rrugëve” 
      E nesërmja, një ditë si gjithë të tjerat, ditë e re, pa asgjë të re,  e prapseprapë,  e prisnin gjith’ ato punë, e kështu pa mbarim.
       Tiranë, tetor 2017.     
    
________________________________________________________________________________

Resmi Osmani u lind në Mazrek të Çamërisë më 5 maj 1940. Kreu studimet e larta për Agronomi në Institutin e Lartë Bujqësor në Tiranë, studime të cilat i përfundoi në vitin 1963. Ka kryer detyra të rëndësishme drejtuese në prodhimin bujqësor dhe administratën e lartë shtetërore.
Krahas detyrave të tjera ka qenë i angazhuar në veprimtari dhe kërkime shkencore. Ai ka botuar 19 tituj librash të profilit tekniko – shkencor, ka shkruar dhe botuar në revista tekniko – shkencore dhe shtypin periodik, brenda e jashtë vendit, mbi 150 tituj artikujsh që përfshijnë mbi tre mijë faqe. Për kontributin dhe kualifikimin shkencor mban gradën "Doktor i Shkencave" dhe titullin "Profesor".
 Në gjysmën e dytë të viteve 2000, i është përkushtuar letërsise, kritikës së artit dhe publicistikës. Fryt i kësaj pune janë një sërë botimesh si: biografitë e letrarizuara "Jeta e Bedri Lumanit", "Lule në gur" kushtuar jetes së specialistit të shquar të vreshtarisë Todo Gjermani. Ka lëvruar kryesisht temat historike në romanet: "Mbretërimi i Pirros së Eoirit", "Mbretëresh Olimpia", Esseja historike "Aleksandri i Madh i Maqedonisë-Miti dhe njeriu". Essene studimore "Bilal Xhaferri Poet i Zemrave Njerëzore" Essenë "Endrrat e ngrira të Enver Kushit, vellimin me tregime ", Edhe yjet vdesin" etj. në publiçistikën e vet ka trajtuar probleme të çështjes çame, të zhvillimit të letërsisë dhe problemet aktuale. Në shtypin e shkruar dhe atë elektronik ka publikuar mbi tridhjetë tregime dhe novela. Krijimtaria e tij është pritur mirë nga lexuesit dhe kritika letrare.(bb, marrë nga Wikipedia)

Sunday, 17 February 2019

S A Z A N I

Vështrim fiziko gjeografik -

nga: Zija BASHA
Historian dhe Publicist
Çikago-SHBA


Pozicjoni gjeografik
Sazani është ishulli i vetëm i madh shqiptar. Ndodhet 6 km. në veri të gadishullit të Karaborunit, 18 km. në veri-perëndim të Vlorës, 9 km. në perëndim të Treportit. U nda nga Karaburuni në kohën gjeologjike të Kuaternarit. Mezokanali që i ndan është dhe kufiri midis detit Adriatik e atij Jonian. Ka sipërfaqe 5,7 km2ose 2721,87 hektarë. Gjatësia veri-jug është 4,7 km. Gjerësia perëndim lindje është 2 km. Vija bregdetare është 15 km.

Pak histori
Ka qenë i banuar që në lashtësinë pellazgo-ilire. Gjetjet arkeologjike si stama një e dy vegjëshe, tulla, tjegulla, maja shigjetash guri, fragmente muri prej gurësh të palatuar e të latuar e vërtetojnë këtë. Grekët e vjetër e quanin Sason ndërsa latinët e quanin Saso. Polibi, historiani grek që shoqeronte ushtritë romake në pushtimin e Epirit e permend këtë ishull. Pas ndarjes së Perandorisë Romake bëhet pjesë e Perandorisë Bizantine. Më 1279 pushtohet nga Karli parë i anzhuinëve. Më 1418 pushtohet nga turqit. Me 1696 ra nën zotërimin e Venetikut. Më 1815 zotërohet nga Anglezët që ja falën Greqisë mé 1864. 
Turqit nuk e lëshuan deri më 1912 që Greqia e pushtoi. Greqia e lëshoi ishullin më 1913 nën presionin Italian e Austro-Hungarez. Traktati fshehtë i Londrës ja jepte Italisë që e pushtoi. Pas luftës së Vlorës traktati i paqes ja kthente Shqipërisë, por italianët e mbajtën me forcë deri në shtator të vitit 1943, kur ishullin e pushtuan gjermanët. 
U çlirua nga një komando partizane më 22 tetor 1944. Shqipëria komuniste e ktheu gjat "luftës së ftohtë" në një bazë të fuqishme ushtarake me ushtri elitare e armatim të sofistikuar për kohën.

Struktura gjeologjike
Ndahet qartësisht në dy pjese:1)Pjesa perëndimore shkëmbore. 2)Pjesa lindore magmatike.
Pjesa perëndimore përbëhet nga shkëmbenj sedimentarë të vendosur në një platform me dy kreshta veriorja e jugorja. Kanë formën e dy vezëve që kanë majat një në drejtim verior e tjetra jugor dhe fundet takohen ne Grykën e Xhehnemit. Pjesa veriore ka lartësi absolute 342m. nga deti e pjesa jugore 331m nga niveli i detit. Kjo është pamja e jashtme fizike. Përbërja e tyre është nga shtresëzime të llumit detar krijuar nga organizma detare, teraminifera, koralore, moluske, kripera kalcite aragone, të ndryshme nga karbonati kalciumit e pa praninë e silicit(stërrallit). 
Janë formuar në kohën gjeologjike të Kretakut. Janë shkëmbinj të bardhë e të rezistueshëm ndaj agjentëve atmosferike, por çarjet që vihen re vijnë nga lëvizjet tektonike vertikale e horizontale të bazamentit të tyre në levizje të përherëshme. Ngritjet duken qartë në zonën lindore të kreshtës veriore nga plazhi Shënkollit. Dallohen nga thellimet në shkëmbinj në disa radhë mbi njera tjetrën veprimet e valëve që quhet irigacion detar. Dukuri të tilla vrehen edhe në Grykë të Xhehnemit në kreshtën jugore. Kreshta jugore ulet butë drejt kepit të jugut nga është shkëputur nga Karaburuni. Sazani vazhdon ngritjen tektonike e levizjen drejt veriut. Kësisoj rafshi kontinental në perëndim është i thellë, i papërshtatshëm për plazh.
Pjesa lindore magmatike përbëhet nga shtresa vullkanike të kohërave më të vona e është e ngjitur me kreshtat në afërsi të takimit të tyre në Grykën e Xhehnemit. Nga perëndimi në lindje është afërisht 2 km. e nga veriu në proin e Shenkollit deri tek shkëmbi Japrakut 1300 m. Janë shtresa te paqëndrueshme të magmës me kodra të rumbullakosur me lartësi absolute nga deti 228 m.
Ndarja nga Karaburuni ka krijuar për Sazanin edhe klimë me karakteristka të veçanta. Aty dominojnë dy erera kryesore: ajo e ftohtë e Adriatikut që zbutet deri sa vjen në Sazan dhe ajo e ngrohtë meshetare.

Klima
Në klimën ndikojnë edhe rymat detare të ngrohta që vijnë nëpërmjet Detit Jon. Këta faktorë kanë ndikuar në florën, faunë dhe tokat e ishullit. Klima është subtropikale mesdhetare. Janari ka temperaturat 16,3 grade me e larta dhe 10,2 grade me e ulëta. Korriku 28,40C më e larta dhe 23,70C më e ulëta. Puhiza detare që fillon në orën 12 e ndalon natën vonë në verë e freskon klimën, nuk vrehen temperatura ekstreme. Reshjet bien në formë shiu gjat vjeshtës dhe pranverës. Gjat dimrit bie borë në kreshtat, por shkrin menjeherë.

Toka
Tokat në Sazan dominojnë ato të hirtat në zonën magmatike. Janë të pasura shumë me humus se nuk janë punuar qysh nga pushtimi romak. Kësisoj shtresa e humusit është e trashë. Në vendet ku takohen kreshtat shkëmbore me ato vullkanike ka prani të argjilës. Kjo tokë ka rrjedhur gjat shirave prej shkrepave shkëmbore. Është me sipërfaqe të vogla si rrypa të ngushtë që dallohen lehtë. Sipërfaqe më të gjera gjejmë pranë Grykës së Xhehnemit. Toka argjilore aluvionale të përziera me zhavore të sjellura nga ujrat nga lartesitë shkëmbore gjejmë në pjesën perëndimore të kreshtës jugore. Ka vetëm një burim uji në ishull që ndodhet pranë gjiut të kallamave në lindje 1,5 m. mbi nivelin e detit.

Flora
Në Sazan rriten 435 specie bimore ku 419 janë indigjene, që përbëjnë 8,2 % té bimëve shqiptare. Perveç gramoreve e tërfilëve ndodhen edhe këto bimë të vecanta: 1)Limonium infraktum, kercell hollë e lule blu. 2)Skutellaria rupestris, lule si gojë ujku. 3)Centaurea Pawllowski me lule blu ose trendafili. Të tria rriten nëpër shkëmbenj magmatikë. Aty rritet edhe Badhra me rrënjë zhardhok si patatja me fletë si presh e me lule blu që lulezon në prill-maj.
Sazani bën pjese ne zonën e makjeve që nuk i lëshojnë fletët në dimer si Xina, Xana, Cfaka(bexga), ferra, mungon driza, ka xhixhibanoz, shqop, dafinë. Rrushkulli kaçube 2-3 m i lartë me kurorë të rrumbullaktë, fiq deti. Të dy këto bimë rriten në afërsi te grykës së Xhehnemit në vende të mbrojtura nga erërat. Aty afër ka fiq të egër, në pllajat shkëmbore ritet rigoni i malit, degë shtrirë. 
Në pjesën perëndimore të dy kreshtat kanë ullinj të egër. Në pjesën lindore të gërxheve shkëmbore është prezenca e frashërit të bardhë, mëllëza, mretja, prralli. Në zonën magmatike ka vidh, ilqe, qipariz, qipariz degë gjerë si abanoz, pema frutore e vardhezës. Mungon lisi, trendafili egër, tërfili egër dru. Me 1956 është formuar blloku i fiqve te ardhur nga Uznova e Beratit e janë mbjellë në një tokë të shëndoshë ku japin rendimente të lartë në prodhim. Ferma ushtarake mbillte perime që merrte rendimente të larta nga prania e tokave humusore. Mbillej qepa, hudhra, fasulja, preshi, pjepri shalqiu, misri tremuajor kokër vogël e patatja që në vitin 1967 arriti 240 kv/ha.

Fauna
Fauna e Sazanit ka veçoritë e veta. Ka 122 lloje in vertebrore si: 40 lloje insekte fluturues, 16 lloje fluturash, 22 lloje myshkonjash, 20 lloje karkalecash, 5 lloje myshkonjash të gjata, 10 lloje mizash dheu fluturuese, 2 lloj gjinkallash.
Nga amfibët është bretkosa e zakonshme jeshile, pranë burimit të ujit të ëmbël në gjiun e kallamave, në moçalet e Akustikës. Nga reptilët(zvaranikët) janë zhapiu vogël mesdhetar, zhapiu mureve, zhapiu gjatë pa kembë si gjarpër, zhapiu gushë blu. Aty ndodhen dy lloj gjarprinj helmues si nepërka shigjetë ngjyrë kafe që lëshon zë si pula klloçkë, nepërka kafe mesdhetare e afërt me atë. Ndodhet breshka e zakonshme ballkanike e tokës si dhe breshka e vogël e ujrave moçalore, pranë gjiut të kallamave. Ka 39 lloje zogjsh prej te cilëve 23 këngetarë gushëverdhë, 3 lloj pëllumba të kaltër, 3 lloj dallandyshe të mëdha, 1 dallandyshe e zakonshme, zogu bishtgjatë gushë zi e ai gushë verdhë që afrohen në plazhe. Nga zogjtë grabitqarë janë: Shqipja, sqifteri, bufi, pulebardha, heroni blu si lejlek i plazheve që nuk shtegëton.
Nga gjitarët e tokës është miu i zi i ishujve, lepuri vogël që bën fole në tokë, 2 lloje lakuriqësh nate. Pranë Pule bardhes në pjesën perëndimore të kreshtës veriore kemi praninë e dhisë së egër. Ekonomia e fermës së vogël të ishullit ka pasur 460 krerë dhi race kaukaziane e 400 krerë dhën merinoz të ardhura nga Bashkimi Sovjetik. Dhitë bënin nga 3 keca secila.
Fauna ujore
Fauna ujore përbëhet nga peshqit e zakonshëm mesdhetarë ku veçojmë
 sardelen, që gjuhet në pranver”- verë e vjeshtë kur deti është i qetë, peshku madh me buzë që arrin mbi 5 kg., ka habitat shkëmbenjtë e nënujshëm, cironka jeshile e rërës së plazheve, peshku fluturues (dallandyshe), gjarpri i detit, kandili detit e molusqe të tjerë që jetojnë në habitatin e tyre në shkëmbenjtë e nënujshëm të pjesës perëndimore. Gjat verës në Gjirin e Japrakut vjen breshka gjigande detare që arrin 2-3 kuintal e është e pangacmueshme për rëndesinë ekologjike që ka si specje e rallë. E sjell ryma e ngrohtë e Jonit. Ajo rymë sjell edhe peshkaqenin e zakonshëm si dhe peshkaqenin e rrezikshëm bisht drapër që është rezik për plazhistët. Nga gjitarët e detit është foka mesdhetare e murme që në verë jeton nëpër shkëmbinjtë e kepit verior të Sazanit e në dimër shkon në grykderdhjen e Vjosës e Pisheporo. Në Sazan është edhe prezenca e kashalotit, një balenë e vogël turigjatë 6-9 m e gjate si dhe delfini që shoqëron anijet Sazan-Vlorë e anasjelltas.

****
Sazani është xhevahir shqiptar që duhet ta njohim, ta vizitojmë, ta dashurojmë e ta mbrojmë ne të zotët e tij. Ja ka falur zoti Shqipërisë e të kujdesemi për të. Të mos e lëshojmë nga dora se kohërat ndryshojnë e peshkaqenet venë e vinë. Është qendisur me dorë, si për formën e bukur edhe për pamjen madhështore. Ka 2,5 km plazhe që nuk ka në Shqipëri, por nuk e di në Mesdhe. Ka klimë që edhe né dimër mund të bësh plazh. Nga ana turistike ke ç'të shikosh se ç'do gje të josh. Bimët me gjelbërim të përhershëm dhe simfonia e zogjve gushëverdhë të kenaq shpirtin. Bota nënujore e peisazhet natyrore kudo që të hedhesh sytë të gjallerojnë, të lenë mbresa të paharruara, të japin krenari që edhe ne kemi një ishull të argjendë.

Sazani island Vlore, Albania. Fation Plaku photography