Thursday, 24 April 2025

DOKTORESHA IVA HOXHA, VRAPOI 42,195 KM NË MARATONËN E BOSTONIT

“E vetmja mënyrë për të bërë punë të mëdha, është ta doni atë që bëni.” 

Steve Jobs




nga: Fuat MEMELLI

Boston, SHBA

 

Iva HOXHA
Që kur kam ardhur në Amerikë në vitin 2011, i kam ndjekur vazhdimisht maratonat e Bostonit që bëhen çdo vit në prill me rastin e Ditës së Patriotëve. E ndoqa edhe sivjet maratonën e cila u zhvillua më 21 prill. Merrnin pjesë 32.000 vrapues nga 50 shtete të Amerikës dhe 118 vende të botës. Desha të di , ka marrë pjesë sivjet ndonjë shqiptar/e? Nga kërkimiet që bëra, mësova se mjekja e re 30 vjeçare, Iva Hoxha, ishte një ndër 32.000 vrapuesit. Të nesërmen e maratonës kontaktova me të dhe mësova shumë për rrugëtimin e saj në Amerikë si dhe për pjesëmarrjen në maratonën e 129 të Bostonit.

 

CILA ËSHTË IVA?

Në vitin 2010 familja vjen në Amerikë me llotari dhe vendosen në qytetin e Worchesterit, një orë larg Bostonit. Iva ishte 16 vjet kur mbritën në Atdheun e dytë. Vështirësia e parë ishte mësimi i gjuhës angleze, prandaj nuk e ndante fjalorin nga vetja. Për këtë shoqet dhe shokët e klasës e thërrisnin “ vajzë fjalori”. Pasioni për dijen, ishte “arma “ e saj për t’u ngjitur në shkallët e jetës. Pas mbarimit të shkollës së mesme , vazhdoi për 4 vjet Universitetin “Clark” ku u diplomua për biologji dhe studime para mjekësore. Më pas vazhdoi Universitetin “New England College” në degën “Optometri” ( për sytë.) Bëri edhe një vit specializim për sytë te spitali i veteranëve në Boston, gjithësej 9 vjet studime. I mungonte Shqipëria, pasi siç ka thënë Horaci ”qiellin por jo shpirtin, ndryshon ai që shkon përtej detit.” Por, Iva gjente mënyra për ta ndjerë pranë Shqipërinë. Pasqyronte tradita shqiptare si në shkollën e mesme edhe në universitet. Në Ditën Ndërkombëtare paraqiste veshje, këngë, valle shqiptare, fotografi, etj. Bënte skenarë për veprimtari të ndryshme dhe shpesh herë i drejtonte vetë. Çdo vit shkon në Shqipëri ku takon njerëzit e afërt, shoqe e miq. Çmallet me ta dhe kthehet me energji të reja, pasi Atdheu është vendi ku robërohet shpirti

 

Tani punon mjeke në spitalin e syve dhe veshëve në Boston. 

-Trej janë pasionet e mia, thotë Iva: “Kujdesi ndaj pacientit, ritja e aftësive profesionale dhe mbledhja e fondeve për një të ardhme më të mirë për kujdesin e syve.”Majlinda, nëna e saj thotë:

”Iva është shumë e vendosur dhe e çon deri në fund atë që do.Nuk mburet dhe është krenare për vendin tonë.”


PËRGATITJA PËR MARATONËN

Vrapin e filloi para dy vjetësh, pasi është një mënyrë efikase për shëndetin “pasi është një lloj joge” thotë Iva, si dhe për të përmbushur tre synimet që theksuam më lart. Për të marrë pjesë në maratonën e Bostonit të vitit 2025, duhej një përgatitje e veçantë. Për këtë filloi të punojë qysh në tetorin e kaluar dhe vazhdoi gjashtë muaj. Në fillim pati trajner që udhëzoi githë grupin ku merte pjesë ajo, por punoi shumë vetë, në palesër, duke u kujdesur për ushqimin, duke përballuar të ftohtin e Bostonit gjatë dimrit, etj. Bënte vrap para se të shkonte në punë, duke e filluar qysh në orën 4 e gysmë , ose pas pune nga ora gjashtë e gjysëm deri në tetë të darkës. Pas testeve që ju bënë, u miratua për të marrë pjesë në maratonë.”Bostoni ka një zemër të madhe dhe të jep zemër” thotë Iva. Në maratonë kanë marrë pjesë njerëz që kanë kaluar kancerin, njerëz të gjymtuar në krahë ose në këmbë, si të mos merja pjesë unë?!”

 

ORËT E MARATONËS

Iva mori pjesë në grupin që kishte si moto :” Vizion për të gjithë”. Distanca që duhet të përshkonin gjithë vrapuesit ishte 26, 2 mile ose 42, 195 km. Një distancë shumë e madhe! Unë mendoja se vrapimi bëhëj në rrugë të sheshtë, por nuk ishte kështu. Iva më shpjegoi se në fillim nis me zbritje, pastaj ka ngjitje . “Ngjitja ishte e vështirë, ndjeja lodhje por do ta përballoj” i thosha vetes tregon Iva. Gjithë itinerarin e bëri për 4 orë e 14 minuta, që bën pjesë në rezultatet e vrapuesve mesatarë. Mbritja në finale është një moment lodhje por edhe gëzimi të veçantë, sikurse tregohet edhe në foto ku i dhanë edhe një medalje. Kishin dalë ta prisnin nëna e saj, Majlinda me profesion mësuese, babai Shklqëim Hoxha i cili ka punuar mjek në Shqipëri, vëllai Deni që ka mbaruar Universitetin e Harvardit si dhe të afërm të tjerë.Pyetjes sime se a do të marrësh pjesë përsëri në maratonë, ajo u përgjigj:”Do të marr pa tjetër!”

Ky vrapim i Ivës ishte një krenari jo vetëm për atë dhe familjen e saj, por edhe për shqiptarët. Me aritjjet në shkollë, në punë e së fundi edhe në maratonën e Bostonit, Iva i shtohet listës së emigrantëve të shquar shqiptarë



.

 

 

Monday, 21 April 2025

SHËN GJERGJI DHE PËRBINDËSHI



Përgatiti: Andre LLUKANI

Tiranë


Sipas traditës së lashtë dikur në Libohovë dhe nëpër fushën e Dropullit kalonte një gjarpër i madh me dy krerë. Përbindëshi rrinte pranë burimeve dhe përpinte njerëz të gjallë. 

 

Vendi i preferuar i përbindëshit ishte burimi i Zërës më malin e Muzinës, ku dilte Uji i Shenjtë. Heroi i legjendës, Petriti, i cili jetonte larg vendlindjes, kur mësoi këtë gjë u nis menjëherë për në Libohovë. 

 

Sapo mbëriti, morri heshtën, ngjeshi shpatën dhe i hypur në një kalë të fuqishën, vajti në shpellën e përbindëshit. Qeni, që e shoqëronte sapo pa përbindëshin që dremiste iu hodh për ta kafshuar, por u gëlltit si një kafshatë buke. Atëherë Petriti e qëlloi përbindëshin me heshtë dhe në vijim ia preu të dy kokat me shpatë. Këtë rrëfenjë e thonë vargjet e këngës:

 

Libohova një qitet,

të zezënë se çe gjet,

hata e madhe, kiamet,

një lubi, një ezhdërha,

çdo ditë një njeri ha,

si në djem dhe vashëza.

Gjith’ qiteti në zi ra’,

dasëm do, e nuse s’ka.

mëmatë i zuri gjëma,

s’qe mëmë, po gjeraqinë,

që bëri djalë Petritnë,

vrau ezhdërha lubinë

dhe shpëtoi njerëzinë!

 

Gjatë udhës së kthimit, kali sapo mbërriti në lagjen Loçan, plasi, ndërsa Petriti vdiq pas gjashtë muajsh. Kjo këngë popullore ka marrë motive nga jeta e Shën Gjergjit, i cili u ndesh me përbindëshin dhe doli fitimtar. 

 

Shën Gjergji ka lindur rreth vitit 275 pas Krishtit, prej prindërish të krishterë. Kur u bë 18-vjeç u mobilizua ushtar dhe e shpunë në Nikomendi. Në luftën e Dioklecianit kundra persëve, Shën Gjergji u shqua për trimëri. Kisha jonë ka thurur himne shumë të bukura për jetën dhe veprën e tij. Ja se ç’na thotë përleshorja e shenjtit:

 

Si çlirimtar i robërve 

dhe mbrojtës i të vobektëve, 

mjeku i të sëmurëve 

dhe përluftar i mbretërve, 

Dëshmor i Madh 

Shën Gjergj Tropeprurës, 

ndërmjeto përpara 

Krishtit Perëndi, 

të shpëtohen shpirtet tona.

 

Në ikonë, Shën Gjergji paraqitet i hipur mbi kalë duke luftuar me përbindëshin dhe duke e mundur atë. Për të realizuar këtë skenë, ikonografi është frymëzuar nga një mrekulli e Shën Gjergjit. 

 

Sinaksari përmend se pranë një liqeni të Atalisë në Azinë e Vogël, kishte folenë një dragua, të cilin banorët idhujtarë të zonës e adhuronin si Perëndi. Banorët për të qetësuar përbindëshin i ofronin për t’u ushqyer fëmijët e tyre. Kjo realizohej me anën e një shorti. Në kohën kur shorti ra që të flijohej e bija e mbretit, në skenë u shfaq Shën Gjergji i hipur mbi një kalë të bardhë. Shenjti e shpoi tejpërtej përbindëshin me shtizën e tij. Dragoi ngordhi duke u përdredhur nëpër këmbët e kalit. Kjo është mrekullia e Shën Gjergjit. 

 

Shën Gjergji është një nga heronjtë që nderohet me respekt nga popuj të ndryshëm. Arbëreshët e kanë shenjtin e etnosit të tyre, Shën Gjergjin e festojnë romët, që janë të një besimi tjetër, në Angli është shpallur shenjtor kombëtar, madje lëvizja Skautiste si simbol të saj ka Shën Gjergjin. Në Suedi Shën Gjergjit i thonë Sankt Goran, i cili ka popullaritet të veçantë. Në kishën e madhe të Stokholmit gjendet një skulpturë e madhe, e cila paraqet Sankt Goranin, princeshën dhe dragoin. 

 

Piktori gjerman Bernt Notke, i cili e ka realizuar me shumë mjeshtëri këtë skulpturë, ka marrë motive nga ikona e Shën Gjergjit. Skulptura është krijuar midis viteve 1484-1488 dhe ka një simbolikë mjaft kuptimplotë: Princesha është Suedia, e cila ka shpëtuar nga kthetrat e dragoit (Danimarka) në sajë të trimërisë së kalorësit Sankt Goran. Realizimi i kësaj skulpture u bë nga fakti që suedezët kishin fituar pavarësinë nga danezët me anën e një beteje të përgjakshme.


 

 

 

Saturday, 19 April 2025

200- VJETORI I VDEKJES SË LORD BAJRONIT (1788-1824)

 


Përgatiti: Ing. Bexhet ÇOBANI

Gjirokastër

 

Në letrën që Lord Bajroni i dërgon nënës së tij më 12 Nëntor 1809, nga Preveza, ai përshkruan udhëtimin e tij nga Janina në Tepelenë, për tu takuar me “Pashain e Janinës”, Ali Pashë Tepelenën.

 

Rruga e asaj periudhe kalonte nga Janina në Zicë, Delvinaq, Peshkëpi, Nepravishtë, Libohovë, vazhdonte nëpër Urën e Zonjës, e me tej në Qestorat, Erind, Dhoksat, Labovë e Zhapës, Hormovë, Lekël, Ura e Beçishtit dhe arrinte në Tepelenë. Udhëtimi zgjati 9 ditë me kuaj 

 

Gojëdhënat thonë se në Libohovë ka qëndruar një natë në sarajet e Shanishasë, motrës së Ali Pashës, dhe për këtë ka shkruar se “Në Libohovë kam ngrënë gjellët më të shijshme se në tavernat e Spanjës dhe Portugalisë, dhe kam parë vashat me të bukura.”

Ndër të tjera, Bajroni në letrën e tij shkruan: “Veziri më priti në këmbë, – veçori e madhe nga ana e një myslimani – dhe më uli në krahun e tij të djathtë. Kisha marrë me vete një terxhuman për raste të veçanta, por këtë herë, një mjek i Aliut, i quajtur Femlario, i cili e kuptonte latinishten, përmbushi funksionin e duhur.

 

Kërkesa e parë e Pashait ishte se përse unë kaq i ri, isha larguar nga vendi im. Shtoi pasandaj se ministri anglez, kapiteni Leake, i kishte thënë se unë vija nga një familje e madhe; dhe m’u lut të përcillja nderimet e tij për time më, dhe unë po ua paraqes ato në emër të Ali Pashait.

 

Më tha se ishte i bindur që unë isha njeri nga sërë e lartë, ngaqë i kisha veshët e vegjël, leshrat me bukle dhe duart të holla e të bardha; nuk e fshehu që sjellja dhe kostumi im i kishin pëlqyer. M’u lut ta konsideroja si një baba, për aq kohë sa do të isha në Shqipëri, duke më siguruar se më shihte si birin e tij. Në fakt, më trajtoi si një fëmijë, duke më dërguar njëzet herë në ditë bajame, sherbete, fruta dhe gliko.

 

Udhës kaluam afer dy qyteteve, Argjirokastrës dhe Libohovës, të cilat nga sa dukej, nuk qenë shumë më të vegjël se Janina dhe ska penë a penel që të mund ti bëjë drejtësi skenës piktoreske në afërsi të Zicës e të Delvinaqit.

 

Më datën 17 Tetor u nisëm për në Libohovë dhe arritëm më pas në Qestorat e në Erind. Prej Erindit u nisëm më 19 tetor ne orën 3.30 mbasdite. Pas tri ditëve si mysafirë të Ali Pashës u kthyem po në ate udhë. Shqiptarët, ose Albanezët, më ranë në sy më fort përmes shëmbëllimit që kanë me malësorët e Skocisë; në veshje, në fytyrë dhe në mënyrën e jetesës. Dhe vetë malet e tyre me duken si të Kaledonisë, veçse me klimën më të butë.

 

Fustanella e tyre e bardhë, trupi i tyre i hollë dhe i gjatë, dialekti i tyre, keltik në tingullin e tij, zakonet e tyre të rrepta, të gjitha këto më shpunë në Morven.

 

Shqiptarët, me petkun e tyre, më të bukurin në botë; me fustanellë të gjatë të bardhë, tallagane të qëndisura me ar, me anteri e jelekë kadife të kuqe, të qëndisura me fije ari, me jataganë e pisqollë të sermët, me feste të gjata.

Shqiptarët në përgjithësi kanë tipare të hijshëm. Gratë më të bukura që më kanë rënë në sy, në trup dhe në fytyrë, i pamë duke qëruar udhën e mbushur prej rrëkeve midis Delvinaqit dhe Libohovës.

 

Mënyra se si ecin Shqiptarët është vërtet teatrale; por ecja e tyre krenare ndoshta vjen nga bruca ose guna që mbajnë në një krah. Flokët e tyre të gjatë më kujtuan Spartanët dhe guximi i tyre në lugtë të shpejtë dhe të papritur s’mund të vihet në dyshim.”

Bajroni lindi në Londër, më 22 janar 1788, në një familje aristokrate të varfëruar. Kur ishte dhjetë vjeç, me vdekjen e xhaxhait, Bajroni trashëgoi titullin Lord dhe pallatin e çifligun Newstead Abbey.

 

Në Harrow studioi gjuhët greke e latine, historinë dhe letërsinë angleze. Në moshën 18 vjeçare, Bajroni hyri në Universitetin Kembrixhit (Trinity College). Më 1809 zuri vendin e tij në Dhomën e Lordëve, ku u shqua për idetë përparimtare. Po atë vit ndërmori një udhëtim nëpër Evropë. Gjatë vizitës së tij në Shqipërinë Jugore, e veçanërisht në Janinë, Libohovë dhe Tepelenë, Lord Bajroni mori si kujtim nga ato vise një kostum tradicional shqiptar. Do të ishte pikërisht bukuria dhe e veçanta e këtij kostumi, që në verën e vitit 1813 do ta shtynin piktorin Thomas Philips që të realizonte portretin e famshëm të Lord Bajronit veshur me kostumin shqiptar, me titull “Portrait of a Nobleman in the dress of an Albanian” (Portret i një fisniku me veshje shqiptare).

 

Portreti u vendos në Royal Academy dhe tani është i vendosur në ambasadën britanike në Athinë. Midis veprave letrare të tij, një vend të rëndësishëm zë poema “Shtegtimi i Çajld Haroldit” (Childe Harold’s Pilgrimage, 1812-1817), shkruar në bazë të përshtypjeve nga udhëtimet të poetit në Spanjë, Greqi, Shqipëri, Zvicër, Itali etj. Poemën e përshkron patosi i luftës për liri të popujve të shtypur e të robëruar. Në të, Xhorxh Bajroni u këndoi traditave dhe zakoneve burrërrore të shqiptarëve, trimërisë dhe dashurisë së flaktë të tyre për lirinë.

 

Muzeu Historik Kombëtar sjell një pjesë nga letra dërguar nënës së tij në datën 12 nëntor 1809, ku midis të tjerash Bajroni shkruan: “…I dua shqiptarët shumë. Në udhëtimin që bëra, kam rojtur një herë dy ditë, dhe një herë tjetër tri ditë, në një kazermë shqiptarësh, dhe s’kam gjetur kurrë ushtarë aq të pëlqyer sa shqiptarët, ndonëse kam qenë në garnizonet e Gibraltarit e të Maltës, dhe kam parë shumica ushtarësh spanjollë, frengj, siçilianë dhe anglezë. Nuk më vodhën gjësendë, dhe më ftuan me gëzim të marr nga zahireja dhe nga qumështi i tyre…”

 

Në vitin 1823 Bajroni u nis për në Greqi ku u bë frymëzues i luftës për pavarësi kombëtare të Greqisë kundër turqve. Nuk arriti të shihte çlirimin e saj, sepse u sëmur nga ethet dhe vdiq në Mesolongj, më 19 prill 1824, në moshën 36-vjeçare.

SOT NË LIBOHOVË DUHET VENDOSUR NJË SHËNJË PËRKUJTIMORE PËR LORDIN QË KA FOLUR PËR LIBOHOVËN !!!!!!

 

Përgatiti Ing. Bexhet Çobani

 

Friday, 18 April 2025

SI E KAM NJOHUR PETRO MARKON?

 

 nga: Avdulla KËNAÇI 
Toronto, Kanada
 

 
Poshtë pallatit ku po banoj prej tre vjetësh, këtu në Mississauga të Kanadasë, kalon një rrugë kryesore. Në çdo një çerek ore, midis miliona automjeteve, autostradën e përshkon edhe një autobus i gjatë urban që mban në ballë numrin 17. Është një numur domethënës për mua. Ai më kujton numrin e të bugosurit Petro Marko, shkrimtarit dhe mikut tim bregas. Ashtu siç më ka treguar ai vetë në Klubin e Gazetarëve në Tiranë, nazistët gjermanë e morën për ta pushkatuar në qershor të vitit 1944. Disa ditë më parë, për 32 gjermanë të vrarë nga komanda e tyre, ata pushkatuan 330 robër të cilët i kishin sjellë nga kampi i ishullit Ustika dhe rajone të tjera të Italisë.
– Përsëri ishin vrarë gjermanë dhe përsëri zgjodhën robër për t’i pushkatuar, midis tyre isha edhe unë, i burgosuri me numrin 17, – më ka rrëfyer këtë pjesë të jetës Petro Marko, në gjallje të tij, – dëgjomë, djalë, je gazetar i ri, vur re me kujdes çfarë dua të të them. Kur më thirrën me emër për të më pushkatuar, nuk ndieja asgjë, sikur ecja në ajër, sikur rruzulli vërtitej me shpejtësi të jashtëzakonshme dhe gjithë planeti sikur më shtypte dhe më merrte me vete në hapësirën e një vorbulle rrënqethëse. Isha si në delir…Numri 17 nuk më është shkulur nga truri për asnjë çast.
– Po si shpëtove?
– Ditëgjati nuk bëhet ditëshkurtër, thoshnin plakat tona. Më pyetën për emrin e mbiemrin dhe nga isha me origjinë. U tregova se isha Albanesi. Komandanti gjerman ngriti zërin dhe urdhëroi: “Jo shqiptarë, vetëm robër italianë!”. Nuk u besoja syve dhe veshëve. Sollën një tjetër në vendin tim. Ende i kam në kokë britmat e tij: “Non voglio morire!” Nuk dua të vdes, nuk dua të vdes… I shkreti djalë, thërriste me lebeti e lutje. Për mua shpëtimi ishte një mrekulli nga qielli, por m’u dhimbs ai bir nëne. Më ka ndjekur gjithë jetën ai zë lebetitës, megjithse unë nuk kisha asnjë faj.
Ishte viti 1980, me Petron banonim në të njëjtin bllok në Tiranë. Me shtëpinë e tij na ndante një rrugë. Shumicën e kohës së punës unë e kisha mbasdite, deri në orët e vona të mbrëmjes. Dhe kafen e mëngjesit e pinim së bashku. Ai nuk kishte dëshirë që para emrit të tij të vija titullin shok ose zotni, thjesht donte ta thërrisja Petro, ashtu si në fshat. Kisha kënaqësi të dëgjoja historitë e jashtëzakonshme të shkrimtarit të shumëvuajtur, legjendës Petro Marko, veprat e të cilit sa më binin në dorë, i përpija. Ai kishte qenë kryeredaktori i parë i gazetës “Bashkimi”. Me përvojë të gjatë në shkrime gazetareske dhe letërsi. Ishte një burrë i urtë, i dashur, i thjeshtë, me kaçurela gjysmë të zbardhura, pak i përkulur nga vuajtjet dhe pesha e viteve, por me mendje të kthjellët dhe kujtesë fenomenale. Banakierja e klubit ishte e njohur për të dy, Antigoni nga Shën Vasili i Sarandës. Kur kthehesha nga shërbimet, gjithmonë i sillja mikut tim ndonjë shishe raki të zgjedhur dhe ia lija Gonit në banak për t’ia dorëzuar në rastin më të parë. E pyeta një ditë Petron:
– Po si ndodhi që u internove në të njëjtin ishull ku kishte vuajtur dënimin edhe babai yt?!
– Babai im, aty, në Ustikë u sëmur me tuberkoloz dhe kur panë se nuk kishte jetë të gjatë e kthyen në Himarë, kockë e lëkurë. Vdiq pas një viti.
– Gjete ndonjë gjurmë të tij në Ustikë?
– Gjeta mjekun që e kishte kuruar. I tregova emrin e mbiemrin dhe ai hapi regjistrin. E gjeti të shkruar. Më premtoi se mua nuk do më linte të vdisja. Dhe e mbajti fjalën. Më hoqi nga kampi dhe më mbajti afër familjes së tij.
– Vuanin shumë të burgosurit në Ustikë?
– Ishull pa ujë të ëmbël, vapë, gur i thatë dhe pluhur. Kishte të dënuar antifashistë nga të gjitha anët. Na e sillnin ujët me cisterna, me anije, një litër ujë në ditë personi. Teshat i lanim me ujë të kripur. Bënte aq vapë sa ditën mbanim mbi kokë lecka të lagura me ujë të kripur.
– Po për të ngrënë?
– Të mos ishte kujdesi dhe premtimi i doktorit italian, mund të mos isha kthyer edhe unë i gjallë, si shumë të tjerë. Ishull pa qen e mace. I thernin dhe i piqnin të burgosurit. Hahet çdo gjë që ecën dhe flututuron, thoshnin.
– Po si shpëtove prej andej?
– Ra Musolini dhe na mori ushtria gjermane në dorëzim.
– Sa burgje ke ndërruar, Petro?
– Burgun e Dhërmiut, të Vlorës, të Fierit, të Tiranës, të Bindisit, të Barit, të Palermos dhe burgun “Rexhina Çeli” në Romë ku desh lashë kokën. Aty kam shpëtuar për qime, për fije të flokut. Ende më buçasin në vesh britmat e atij italianit “No voglio morire!” i cili u bë kurban për albanesin.
– Pra, i bie që të kesh vuajtur burg në tetë kampe. I bie të kesh qenë i burgosur “profesionist”. Si është e mundur të kesh kaluar një kalvar të tillë kaq të gjatë?!
Vinte buzën në gaz, sikur nuk kishte qenë ai, por pastaj bëhej serioz dhe thoshte:
– Burgun nuk ia uroj as hasmit….
***
Një nga shkrimtarët botërorë, më në zë, të përkthyer në shqip prej Vedat Kokonës dhe dhe Ismail Kadare ishin romanet “Lamtumirë armë” si dhe kryevepra botërore “Plaku dhe deti” me të cilin Ernest Heminguej mori çmimin Nobël. Në një nga bisedat, e pyeta Petron nëse ishte takuar me Heminguejn në Luftën e Spanjës.
– Po, – më tha – para se të mbaronim kursin 3-mujor për gazetari, në Pozio Rubio, natën e fundit, erdhën shumë personalitete dhe mbajtën fjalime. Midis tyre ishin edhe dy shkrimtarë, Ernest Heminguej dhe Ehrenburgu. Unë isha kureshtar t’i njihja dhe u shkoja pas. I pari foli për luftën në SHBA dhe i dyti për luftën e Napoleonit në Rusi. Ata na dhanë cigare se e dinin që ato na mungonin më së shumti. Mbaj mend si i tha Ehrenburgu Heminguejt: “Shumë i rënduar je me këto hekura në sup e në kurriz”. Se Heminguej ishte i ngarkuar me aparate fotografike e kinematografike, me bomba, armë e me dylbi. Ai xhironte filma nga fronti i luftës dhe i shiste për llogari të Republikës. Heminguej ishte trupmadh dhe i fuqishëm. Për vrejtjen që i bëri Ehrenburgu, mbaj mend që iu përgjigj kështu; “Më shumë më rëndojnë mendimet se hekurat”. Këta dy shkrimtarë unë i kisha parë edhe në Konferencën e Shkrimtarëve Antifashistë që u mbajt në Valencia. Kisha shumë dëshirë të mësoja dhe të dëgjoja zërin e kulturës botërore. Pas diskutimeve, secili autor deklamonte nga krijimtaria e vet. Deklamova edhe unë një pjesë të poemës “Vetëm gjashtë”. “Ne presim ndonjë gjë nga Shqipëria, këto mund t’i shkruajë edhe ndonjë neozelandez e norvegjez…” m’u përgjigjën. Në çast unë përktheva vjershën popullore “Tatëpjetë bregut vije”.
– Këtë këngë të Labërisë unë e njoh mirë se e kam kënduar sa e sa herë edhe vetë, – i thashë duke qeshur.
– Ja, kjo është e bukur, kështu të shkruash, – më thanë nga salla pasi e dëgjuan.
– Po me Heminguejn u takuat më?
– Jo, ne ramë në luftime të ashpra në brigjet e lumit Ebro. Nuk e harroj sa të vdes shkurtin e vitit 1938. Aty kam parë lemerinë. Batare të dendura nga të tri anët. U vranë dhjetra, qindra vullnetarë. Pa ndërprerë dëgjoheshin thirrje, klithma. Marokenët kishin hipur mbi pemë dhe na qëllonin pa ndërprerë. U bëmë rrafsh me tokën. Komisar Ramirezi, një i r inga Katalonja, qëndronte më këmbë duke dhënë urdhëra. E qëlluan komisarin, e plagosën keq në ije. Ishim të rrethuar. Ashtu, të maskuar në mes të shkurreve, ndenjëm gjersa u err. Qëllova edhe unë mbi ata që na ndiqnin këmba këmbës. Pas krismës dëgjova që nga fronti armik dikush bërtiti deri në kupë të qiellit. Vrava njeriun e parë. Duke parë shokët e mi pa frymë, të shtrirë, syshuar, përtokë, u ndeza, u turbullova. Nga radhët tona ishin më shumë se 400 të vrarë. Për çudi asnjë nga shqiptarët nuk ishte vrarë. Isha zëvendës komisar i kompanisë, por u vra komisri dhe mua më caktuan në vend të tij.
 
Kishim dalë nga rrethimi. Pinim verë dhe qeshnim për lajmet e mira që merrnim. Papritur, pa bërë gëk, komisari u rrëzua përtokë. Kujtova se bënte kot. Një plumb qorr e kishte marrë mbi syrin e majtë dhe i kishte dalë prapa kokës. Kishte vdekur në vend. Unë e mora beretën e tij të shpuar dhe e mbajta në kokë gjer në fund, si kujtim. Pastaj e lashë në Lion të Francës.
– U vra ndonjë shqiptar?
– Jo nga ata të brigadës sime, por kishim njerin, një disfatist që përsëriste vazhdimisht: “Kot luftojmë, ne do të vritemi të gjithë”. Dridhej si purteka në ujë dhe nuk dilte nga transheja, madje as sytë nuk i hapte. Raportet vinin njeri pas tjetrit: “Faiku vazhdon të helmojë atmosferën me disfatizmin e tij”. Mora urdhër ta mbaja afër, ta aktivizoja në veprime të parrezikshme, si shqiptarë nuk duhet të linim njollë të zezë në Spanjë. Faiku, kur mori vesh se e kisha unë në dorë jetën e tij, m’u lut e m’u përgjërua: “Të puthsha këmbën, Petro, më ka nëneja të vetëm, nuk dua që të vritem. Mendo për nënën time të shkretë”. I dhashë urdhër të merrte mataranë, të zbriste në lumë dhe të na sillte ujë. Për habi eci me aq kujdes dhe bëri aq shumë dredha sa zbuluesit marokenë nga majat e ullinjve nuk e diktuan dot. Kur erdhi tek unë, ishte i lumtur dhe mbaj mend që më tha: “Më hëngrën munë fashistët, nuk më vranë dot”. Qesha dhe e përgëzova për detyrën që e kreu me sukses. Kjo tregon se nuk je aq frikacak sa hiqesh, i thashë me buzë në gaz.
– Po ç’ishin këta marokenë që luftonin kundër jush? – e pyeta i habitur.
– Atëherë Maroku ishte koloni e Spanjës dhe fashistët i kishin mobilizuar marokenët kundër nesh. Duhet të them që ishin shumë luftëtarë trima, këmbëngulës dhe kokëfortë që nuk i trembeshin rrezikut.
– Me sa kuptoj ju keni qenë të rrethuar, si shpëtuat gjallë? Sa shqiptarë ishin në atë brigadë?
– Ishim vetëm pesë, shpëtuam të gjithë, edhe Faiku nga Leskoviku. Lajmet që na vinin nga brigadat e tjera ishin jo të mira. Edhe ato kishin pësuar të njëjtin fat me tonin. E kam quajtur “Katastrofa e përgjakur”.
Ndërsa po agonte, ne zbritëm në rrugë në formacion luftimi. Nga të katër anët na gjuanin me batare mitralozi. Shumë shokë u korrën. Gjullurdi, potere vdekjeprurëse, sikur shembej qielli dhe toka. Mitraloza, bomba, ulërima, thirrje. Pritëm sa u err dhe u nisëm përsëri. Ecnim mbi kufoma., mbi shokë të plagosur, mbi armët e hedhura. Heshtje varri… Hymë në ullishtat e Grandozës kur na diktuan dhe na qëlluan nga mbrapa shpinës. Ishim një skuadër, pesë apo shtatë vetë. Ecnim të përkulur, njeri pas tjetrit, me pushkë pa fishekë, bajonetëzbërthyer dhe me nga një bombë në brez. Ecëm pa fjalë. Arritëm buzë një gremine, xëc, pus, nuk dukej gjë. Me tahmin ecëm andej nga rridhte lumi Ebro. Pushuam. Ishim aq të lodhur e të rraskapitur, thuajse si të vdekur. Na zinte gjumi më këmbë. Poshtë nesh ishte greminë ku nuk kalonte as dhia e as djalli. Ra agimi. Ca njerëz që lëviznin poshtë dukeshin si miza. Zvarriteshim me thonj e dhëmbë nëpër greminë. Njeri rrëshqiti. U dëgjua vetëm klithma e tij lebetitëse. Besoj nuk kishte shpëtuar gjallë. Mbetëm vetëm gjashtë vetë. Ca zbrisnin nga jugu, ca nga veriu, ishin të gjithë tanët. U bëmë nja pesëdhjetë vetë. Përpara takuam një bari me dele. Ishim të uritur. Bariu thoshte më mirë merrni ju delet se sa t’i marrin fashistët. Ca prej nesh, të uritur sa nuk ka më, pinin qumësht direkt nga gjijtë e deleve. Bariu na tha se për të shpëtuar kokën duhet të hidheshim matanë lumit Ebro. Nga kjo anë nuk ishim të sigurt. Na ndihmuan ca fshatarë të kalonim lumin me barkat e tyre. Rrëmujë e panik, ca na thoshnin heronj, ca na quanin tradhëtarë, ca të tjerë na thoshin se na morën në qafë komandantët.
Synimi ynë, pas Katalonjës, ishin Pirinejtë. Duhet të hidheshin në Francë. Në Spanjë nuk ishim të sigurt. Nga çasti në çast mund të binim në duar të fashistëve.
Petro Marko ishte një rrëfimtar magjepsës, i lindur për të qenë shkrimtar. Ai të rrëmbënte me fjalët e tij të zgjedhura, me emrat, ngjarjet, portret që vizatonte dhe tregimin realist. Më ka habitur me saktësinë e emrave, vendeve, datave, ngjarjeve. Petro Marko ishte një enciklopedi lëvizëse. Shkrimtar i lindur.
***
Shpesh, sidomos aty nga ora dhjetë e paradites, ne mbeteshim fare vetëm në sallën e Klubit të Gazetarëve. Nuk kishte të tjerë njerëz veç nesh. E ngrinim zërin dhe flisnim lirisht. Banakiere Goni na dukej si e shtëpisë dhe prej saj nuk mbanim asnjë sekret. Në veprat letrare të Petros ka plot skena të bukura dashurie dhe unë në një nga takimet tona tetë a tetë, guxova dhe e pyeta.
– Nga fotografitë që kam parë kur ishe i ri ke qenë një djalë i pashëm, simpatik. Ike nga Shqipëria e vogël dhe shkove në Perëndimin e përparuar, në kulmin e djalërisë, si i ke pasur marrëdhëniet me femrat?
Ai thithi me duf cigaren, lëshoi një shtëllungë të madhe midis fytyrave tona, psherëtiu thellë dhe tha:
– Kurrë nuk kam abuzuar me femrën, i kam respektuar dhe më kanë respektuar, i kam dashur dhe më kanë dashur. Vajzat e huaja shoqëroheshin me një djalë po të ishe shumë korrekt.
– Mund të di ndonjë rast konkret?
– Kur ne kaluam Pirinejtë dhe zbritëm në Francë odiseja e luftës së Spanjës vazhdonte. Luftohej në Madrid dhe Barcelonë. Ne që shpëtuam ndjeheshim sikur kishim dalë nga një varr i stërmadh. Vinin fshatarë francezë që na sillnin bukë fshehurazi. Na dhanë 48 orë leje dhe nga 6000 franga. Më ftuan në një shtëpi fshati ku më shtruan një darkë me gjithë të mirat. Kishin vetëm një vajzë me sy të mëdhenj. Si quhej? Isha i mbushur me morra dhe nuk pranova të flija aty me gjithë këmbënguljen e të zotit të shtëpisë. I falënderova dhe u largova përmes errësirës. Fjeta në një karro aty afër. Kur hapa sytë në mëngjes, shoh mbi fytyrën time portretin e vajzës së mbrëmshme dhe një batanie përsipër.
– Mua më qujnë Piedro, – i thashë.
– Jo, juve ju quajnë Vullnetari i Lirisë, – më tha ajo – dhe mua Denezë. Këtu kam ndenjur pranë qyshkur ike nga shtëpia jonë dhe kam kënduar këngë të bukura për ty që të shikoje ëndërra të këndshme. Pedro, mon cheri!
Më zgjati një zarf të vogël dhe më tha ta hapja kur të isha vetëm. Dhe të mos e harroja Denezën. Më shoqëroi deri tek treni. Me ato para bleva një palë tesha të reja dhe rrobat e betejave, të mbushura gjithë morra, i flaka në lumin Ron.
Femrat, nga natyra, janë më të ndjeshme e më të dhimbsura se ne meshkujt. Vajzat e Spanjës dhe të Francës shihnin si para syve të tyre lufta korrte gjithë ata njerëz, sidomos djem të rinj, në lulen e rinisë. Sot mund të bëje dashuri me një djalë, të nesërmen ai zhdukej dhe ti nuk e shikoje kurrë më. Ishte kohë e ashpër lufte ku vlera e njeriut, e dashurisë, zerohej brenda një sekonde. Ligjet e luftës janë të ashpra, çnjerëzore, kudo e për këdo.
– Në Grenobël, – vazhdonte tregimin Petrua – kisha njohur një vajzë shumë të dashur, Jola. Ajo studionte për letërsi franceze. Nuk më harroi asnjëherë. Kur isha në Ustikë, i internuar, familja e saj çdo javë më dërgonte një pako me ushqime dhe veshmbathje që unë ua shpërndaja edhe të tjerëve bashkëvuajtës.
Pas luftës në Spanjë njoha dy motra amerikane, Meri dhe Seli. Kjo e fundit m’u afrua tepër, ishte pjaniste, ato ngjanin aq shumë me njera tjetrën, sa unë shpesh i ngatërroja. Një ditë, në vend të zhytja Selin në pishinë, ngrita hopa Merin dhe e hodha në ujë. Kur e lëshova në valët e pishinës, ajo më tha se unë jam Meri, nuk jam Seli. Qeshëm të dy me të madhe. Nuk e ke idenë se sa shumë më është lutur Seli të ktheheshim së bashku në Amerikë dhe aty të jetonim për gjithnjë të martuar. Kurrë nuk pranova. Amerikanet ishin vajza të lira, të sinqerta dhe shumë praktike.
– Cila vajzë të ka goditur më shumë në ndërgjegjen djaloshare? – e pyeta unë në një nga bisedat tona.
– Një nga kujtimet më të ëmbla të jetës sime, – tregoi ai duke psherëtirë – ishte njohja me anglezen Uendi Fleçër. Ndeshja më e fortë e ndjenjave të mia. Së bashku me një shoqen e saj i njoha duke u larë në pishinë gjatë drekës. Ato ishin në një shkollë vajzash në Lozanë të Zvicrës dhe kishin ardhur aty për pushime. Uendi ishte më e bukura, më e ëmbla. Ishte 18 vjeçe. Asaj i pëlqente shumë letërsia, Shelli, Shekspiri… Mësoi se unë shkruaja poezi. Ishte nga Londra dhe vinte nga një familje shumë e pasur. Pas banjave në pishinë, ato të dyja m’u lutën të hanim drekë së bashku. I takova edhe ditë të tjera. Uendi më tregoi se gjyshja e saj ishte nga më të pasurat e Londrës dhe gjithë trashëgiminë e saj do t’ia linte asaj, me të vetmin kusht që ajo të jetonte në shtëpinë e vet. Ne i kishim shprehur dashurinë njeri-tjetrit, por unë i kisha treguar se jetoja në një kasolle së bashku me dhitë dhe nuk mund të martohesha me të. Ajo më tha se shtëpia e gjyshes ishte si kështjellë dhe kishte shumë hapësirë, mund të mbanim edhe dy dhi. Qesha. E kishte shumë seriozisht se lajmëroi vëllain e saj dhe ai mori aeroplan privat dhe erdhi të më takonte. Biseduam gjatë së bashku. Ia spjegova se e kisha të pamundur, do të kthehesha në Shqipëri. Në ato muaj mua më është dukur sikur po jetoja një roman kalorsiak. E vërteta është se Uendi ishte shumë e pastërt, nga të gjitha anët. Gjëja më e guximshme që bënte ishte që të më kapte nga dora. Asgjë tjetër. Më shikonte në dritë të syrit dhe më thoshte se ishte më e lumtura në botë që ishte pranë meje.
– E kuptoj, dashuri e pafat. Brengë e përjetshme, por dua të të pyes edhe diçka tjetër. Kam dëgjuar se gjatë luftës së dytë botërore në Europë janë kryqëzuar lloj-lloj agjenturash ku merrin pjesë si zbuluese edhe vajza të bukura, është e vërtetë?
– Më se e vërtetë, i kam parë me sytë e mi. Kam ndeshur në to. Kurrë nuk do ma priste mendja se në Ustikë një prostitutë çifute me origjinë nga Austria, e internuar aty që nga viti 1939, do të ishte agjente e sprovuar gjermane, por ja që e pashë me sytë e mi. Erdhën zbuluesit hitlerianë dhe ajo menjëhrë u bashkua me ta. U vesh me uniformën ushtarake të Gestapos me gradën togere. Parisi, Grenobla, etj. Ishin të mbytur me bukuroshe spiune. Spiunazhi është jeta e nëndheshme dhe Europa investon shumë të dijë çdo gjë, të jetë e përgatitur, ndaj i ushqen këto rryma të nëndheshme, të padukshme. Kështu mbahen shtetet, me spiunllëqe. Janë pjesë e jetës edhe ato.
***
Mendoja se askush tjetër nuk ishte i interesuar për miqësinë tonë. Petrua i kishte bashkëbiseduesit të rrallë, por mua më lidhte me të miku im gazetar dhe poet, Xhevahir Spahiu të cilin ai e konsideronte si shok dhe si djalë. Ata i lidhte së bashku edhe poezia edhe atdhedashuria. “Kemi ngjashmëri në portrete, por edhe në ndjeshmëri për luftën për të vërtetën”, thoshte ai. Xhevahiri zakonisht e vizitonte gjatë mbrëmjeve në shtëpinë e tij. Miku im ishte garancia që Petrua kishte aq shumë besim për të më rrëfyer gjithë ato detaje nga jeta e tij intime. Duhet të shtoj këtu se ai tregonte histori të jetës së tij vetëm kur mbeteshim vetëm dhe në klub nuk kishte të tjerë rrotull. Banakiere Goni merrej me punët e saj dhe asnjëherë nuk ndërhynte në bashkëbisedimin tonë edhe pse të dy e kishim bashkëpatriote.
 
Një mbrëmje, gjatë shëtitjeve të zakonshme përpara hotel “Dajtit”, më ndali Sofo Lazri. E njihja herët këtë njeri të rëndësishëm, kuadro të lartë, sepse ai ishte me origjinë nga Vunoi dhe vinte shpesh në Sarandë kur unë isha gazetar i gjithë Jugut. Në atë kohë ai ishte nga njerëzit më të rëndësishwm të Komitetit Qendror të Partisë. Veç pedagogut të degës së gazetarisë, punë kryesore dhe më të rëndësishmen kishte detyrat në Komitetin Qendror të Partisë. Ishte këshillëtar politik i Presidentit Ramiz Alia. Nga më të besuarit.
– Bëjmë një copë rrugë së bashku, – më propozoi. Sigurisht që iu përgjigja po. Pas disa bisedave për punën në gazetari, më bëri pyetjen tjetër:
– E takon shpesh Petro Markon?
– Kafen e mëngjesit e pimë së bashku tek Klubi i Gazetarëve. Petrua është histori e gjallë, enciklopedi më vete dhe ka kujtesë fenomenale sikur të jetë njëzet vjeç djalë, – iu përgjigja duke pasur kujdes të bëja një lloj arsyetimi të takimeve tona.
– E njoh herët, ti e di, ja Vunoi, ja Dhërmiu. Çfarë mendimi ke ti, pse ai nuk shkon në Lidhjen e Shkrimtarëve, të takohet me kolegë, të shkëmbejë përvojë me shkrimtarët e rinj?
– Të them të drejtën, mua nuk më ka shkuar ndërmend kjo pyetje dhe nuk e di arsyen, por ndoshta vjen tek Klubi i Gazetarëve nga që e ka afër shtëpisë, – iu përgjigja i lëkundur dhe ai e kaloi bisedën përsëri tek gazetaria duke treguar cilat tematika ishin më aktuale për t’u pasqyruar në shtyp.
Pasi u ndava me Sofokli Lazrin, pyeta veten: Kush e ka çuar informacionin në Komitetin Qendror që Sofua e dinte mirë ku e me kë e pinte kafen Petro Marko?! Vazhdonin ende ta ndiqnin e survejonin, ende e kishte sigurimi në shënjestër?! Mund ta mbaja për vete atë bisedë, por gjithsesi duhet ta njoftoja Petron. Gjeta një mënyrë më të butë. Ia tregova të nesërmen bisedën fije për pe mikut tim, poetit Xhevahir Spahiu, i cili pasi më dëgjoi deri në fund me vëmendje, këputi një të sharë vënçe për Lidhjen e Shkrimtarëve.
Pas ca kohësh unë u transferova skenarist për filma dokumentarë në Kinostudjon “Shqipëria e Re” dhe kafet i kisha rralluar me Petron, por në çdo takim ai më porosiste të kisha kujdes për të birin e tij, Jamarbërin, i cili ishte caktuar skenarist në filmin artistik. Kishte një rreth shokësh e miq të tij. Ndonjeri prej tyre mund të ishte informator i sigurimit. Nga thashethemet, por edhe nga përvoja, unë e dija mirë se ai sektor ishte në vëzhgim të plotë, por si t’ia thoshja këtë Jamarbërit?!
 
Pas vdekjes së Enver Hoxhës diktatura dalngadal filloi të zbutej. U shtuan udhëtimet jashtë Shqipërisë. U gëzova që Petrua me të shoqen, Safon, morën vizë dhe u nisën për Greqi për ca prona. Pas ca ditësh e takova Petron afër Pesëmbëdhjetëkatshit. Kishte veshur rroba të reja, sigurisht të dhuruara nga bashkëatdhetarët. Më pyeti se çfarë bëhet këtej. Nuk iu përgjigja, por i zgjata mëngën e ngrënë të një xhakete të vjetër. Ai, aty, në mes të trotuarit hoqi xhaketën e tij tw re dhe ma zgjati mua.
– Merre, – më tha – kam edhe një tjetër në shtëpi.
Këmbënguli aq shumë sa më bëri me turp, por nuk ia mora. Ky ishte Petro Marko, i stërprovuar që për mikun, shokun jepte jo vetëm një xhaketë, por edhe jetën.
 
Jetoi një ditë të madhe kur punëtorë, të rinj e të reja, madje edhe fëmijë shkollash nw Tiranw thirrën deri në kupë të qiellit “Petro Markoo, Petro Markoo…”. Ai u ngrit nga shtrati ku lëngonte dhe vuri ballin në xhamin e dritares. E panë të gjithë. Thirrjet tundën Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, populli i bëri nderin dhe i dha meritën e mohuar për 47 vjet. Dhe unë numrin e tij 17 dhe emrin Petro Marko Albanesi, i kam të shenjta duke i sjellë kujtimet për të edhe këtu në Kanada ku jetoj prej 17 vjetësh. Ah, ja ku po vjen autobusi 17 me numurin të shkruar me drita në ballë.
17 prill 2025.

Thursday, 10 April 2025

ME AGRONOMIN Prof. Dr PETRAQ SOTIRI

 


nga: Prof.  Sokrat JANI

Tiranë  


Sokrat Jani majtas, Petraq Sotiri djathtas 
Sot pata një mëngjes kafeje me Prof. Dr. Petraq Sotiri. Me Petraqin kam shumë kujtime, sepse ka qenë një nga miqtë dhe kolegët e mi më të mirë gjatë gjithë karrierës time si specialist dhe kërkues shkencor në Tiranë. 


Në ato vite të vështira, Prof Petraqi ishte modeli i një specialisti jo vetëm të ditur, por edhe stoik, që nuk ju nënshtrua kurrë sloganeve dhe dogmave të kohës. Ai ishte modeli i një specialisti aktiv dhe shkencëtari të thelluar, që hynte pa frikë në diskutime akademike, por edhe diskutime për probleme të praktikës së prodhimit, për të përballuar kërkesat e kohës. 

 

Ishte i kudondodhur, jo vetëm në auditorë me studentë dhe në ngastrat eksperimentale, por edhe në masivet e vreshtave, në takimet trajnuese me specialistë të rretheve, në ekonomi dhe fshatra të ndryshme të vendit, ku kryhej një aktivitet intensiv bujqësor. 

 

Nuk iu nda asnjëherë motoçikletës së tij “Jawa”, në dimër e verë. Prof Petraqi ishte një përfaqësues i denjë i intelektualit dhe specialistit të shquar të bujqësisë. Bënte një punë të mirë e të thelluar shkencore, jo vetëm si i pavarur por dhe në grupe pune ku shquhej për bashkëpunimin dhe idetë e tij racionale e shkencore.

 

Për herë të parë Prof Petraqin e kam njohur kur isha student i Fakultetit të Agronomisë në ILB Kamëz, sot Universiteti Bujqësor i Tiranës. Leksionet e Prof Petraqit edhe sot pas 50 vjet na kanë ngelur të ngulitur thellë në mendjen tonë. 

 

E kujtojmë shpesh me shokët e mi ish-studentë. Na bënte shumë përshtypje, stili dhe metoda e mësimdhënies, komunikimi miqësor e i veçantë i tij me studentët dhe respekti i thellë që kishin ata për pedagogun e tyre. 

 

Më vonë me Prof Petraqin u bëmë kolegë dhe miq të mirë.

Prof. Petraqi ka vite që ka dal pension, por kurrë nuk e ka ndalur aktivitetin shkencor dhe kontributin në dobi të vreshtarisë dhe verëtarisë shqiptare. 

 

I uroj Prof. Petraqit jetë të gjatë


marre nga fb 10 maj, 2025 


**************









Saturday, 5 April 2025

KUJTOJMË ME RESPEKT DHE MIRËNJOHJE PROFESOR ALEKO XOXEN.

ILB Kamëz sot Universiteti Bujqësor i Tiranës
 

nga: Profesor Dr. Llukan TASE
Tiranë 

 

Llukan TASE
Megjithëse kanë kaluar vite që Aleko Xoxe është larguar nga kjo botë, jeta e tij mbetet e gjallë në memorjen time dhe të qindra kolegëve e mijra studentëve, që kaluan nëpër auditorët e Institutit të Lartë Bujqësor, sot Universiteti Bujqësor i  Tiranës.

 Profesor Aleko kishte një jetë të gjatë në shërbim të Institutit Universitar, që u krijua në vitet e pasluftës në Kodër- Kamëz, pranë Tiranës. Jeta e tij është e lidhur ngushtësisht me hapat e parë që u bënë për Arsimin e Lartë Bujqësor Shqiptar. Ai ishte dhe pedagogu më jetëgjatë i I.L.B.-së.
U njoha me Alekon në vitet gjashtëdhjetë, kur më emëruan në Katedrën e Perimekulturës. Ai ishte një ndër figurat që dallohej dukshëm nga neve më të rinjtë, sepse kishte përvojë shumë më të gjatë nga ne të tjerët në mësim-dhënie.

E kujtoj me mall këtë njeri të mirë dhe pedagog të mrekullushëm. Figura e tij dallohej menjëherë, sepse kishte karakteristika të veçanta nga neve ish kolegët e tij. Ai kishte pamjen që binte në sy, sepse mbante një palë mustaqe, që e dallonin nga pedagogët e tjerë të I.L.B,( me përjashtim të Skënder Rusit që mbante mjekër).

Alekua me pamjen e tij sportive nuk i mungonte për asnjë ditë mjediseve të bukura të Universitetit tonë. Çdo ditë vinte në mësim me çantën e librave në dorë dhe me paraqitjen sportive te një njeriu të qytetëruar, shembull edhe për ne më të rinjtë.

Por ajo që e dallonte Alekon ishte puna e tij pedagogjike, e cila ishte e një niveli shumë të lartë. Shkruante bukur si shkrimtar dhe shprehej rrjedhshëm si gojtar. Leksionet e tij ishin tepër cilësore e tërheqëse për studentat. Nuk besoj se gabohem po të them që Aleko Xoxe ishte nga pedagogët më të mirë të I.L.B.-së.

Përveç shembullit të lartë të mësim-dhënies, Alekua dallohej edhe për ligjëratën tij brënda dhe jashtë procesit mësimor. Ai me thëniet e tij në marrëdhënie me neve dhe me studentët ishte gazmor dhe kurdoherë i këndshëm e i ëmbël në bisedime.

Çdo ditë në kohën e pushimit pinim kafenë së bashku dhe ngaherë gazmor na tërhiqte në botën e tij të bukur. Kur mbaronte procesi mësimor, atë kohë ishte problem kthimi me autobuzat ' viberti' për në Tiranë. Shpesh, ai vinte me vonesë dhe me seriozitetin e tij karakteristik lëshonte batutën:

 - "Mos u shtyni djema, ka vend për të gjithë, me rradhë, në fillim e kanë rradhën dhe do të hyjnë ata me mustaqe ( e kishte fjalën për vehte), pastaj ata që skanë qime në faqe(e kish për femrat) dhe pastaj juve, djema."

Alekua gjatë kohës së provimeve lodhej, si të gjithë pedagoget gjatë fundvitit, kur bëhej provimi i studentëve.. Tregonin, se në një provim, njëri nga studentët, që kishte mbetur në fund, si zakonisht kërkoi të merrte tezën e pyetjeve. Aleku që ishte i lodhur i propozoi të përgjigjej pa tezë, vetëm për një pyetje. I drejtohet studentit duke i thënë:

 - " Mu përgjigj kimikisht, përse e kam këtë vrragën në mustaqe.? dhe do ta marrësh provimin pa pasur nevojë të tërheqësh tezën. Mendohu, po të duash del edhe jashtë ne korridor".

Kur doli nga salla, studentët e tjerë e rrethuan dhe deshën ta uronin, por ai u tha se profesori i kishte bërë një pyetje të vështirë. Rastësisht aty pari kaloi pedagogu tjetër simpatik i Institutit - Lefter Veshi që pasi e dëgjoi ja pëshpëriti përgjigjen:

- "Thuaj Profesor Alekos se kur ishte i vogël aty i vareshin qurkat".

Studenti tërë frikë hyri dhe me shumë vetëpërmbajtje i tha fjalët e pedagog Lefterit. Alekua i vuri notën kaluese dhe i ktheu librezën, duke e përcjellë dhe me një sharje -'vënçe'.

Aleko Xoxe ishte dhe një bashkëshort e familjar shumë i dashur, E shoqja - Henrieta, edhe ajo arsimtare ishte tepër e dhënë pas kafesë.

Një ditë e thirrën Alekon në redaksinë e gazetës " Zëri i Popullit" dhe i thanë të shkruante urgjent një artikull për të këqijat që sillte kafeja në organizëm, duke e trajtuar problemin kimikisht. Alekua që shkruante shumë bukur, i veçantë edhe në botimin e librit "Dimë të hamë, por a dimë të ushqehemi" kishte spikatur (ishte dhe vëllai i shkrimtarit të shquar - Jakov Xoxes), bëri dy kolona me pasojat negative të pirjes së kafesë dhe në fund shtoi edhe një rrjesht domethënës :

" KAFEJA i kushton buxhetit shumë para" . (faktikisht kafja importohej dhe ky ishte edhe qëllimi pse e kërkonte publikisht dhe e botoi redaksija).

Artikulli doli, Alekos i dhanë shpërblimin dhe u kthye në shtëpi, ku e priste e shoqja me potere dhe hundë e buzë.

-       " Çfar bëre mor burrë me atë shkrim në gazetë. Na le pa kafe". Ai qetësisht ju përgjigj:

-       "Mos u mërzit grua, se 600 lekët që mora nga artikulli i bleva kafe për ty" dhe paskëtaj merret me mënd, midis tyre pati vetëm përqafime. Ky ishte kurdoherë në çdo situatë Alekua ynë.

Alekua tashti nga qielli po na dëgjon në përjetësinë e tij, ndoshta gëzohet dhe duket sikur na thotë: mos u vononi, se në të gjallë, apo në të vdekur, Ju jeni kurdoherë miqtë e shokët mij.

Aleko Xoxen do ta kujtojmë të gjithë me dashuri e mirënjohje për atë kontribut të vlefshëm që i dha arsimit universitar bujqësor dhe për dashurinë e respektin që gëzonte nga të gjithë miqtë e tij .

 

Me shumë respekt.

Prof.Dr.  Llukan Tase