- Me rastin e 98 vjetorit të Shërbimit Pyjor Shqiptar! -
nga: Kristo KAURI
SARANDË
Kristo KAURI |
Këto ditë të ftohta dimri, dhe në tërësi të një klime të ftohtë politike, ekonomike, vizitova disa herë pyllin e bukur të Parkut të Butrintit për të gjetur pak ngrohtësi. Kur viziton këtë Park, nuk të befasojnë vetëm monumentet e kulturës, por dhe pylli i virgjër që qëndron në këmbë për qindra vjet. Të befason kjo larmi dhe harmoni mijëravjeçare, që gjatë shekujve nuk ka patur shumë ndryshime.
Gjithë mjedisi paraqet interes, ofron shumë gjëra befasuese për t’i eksploruar dhe nuk ngopesh sa herë që e viziton. Të duket sikur shkon për herë të parë, dhe gjithmonë përballesh me gjëra të reja. Kur kalon pranë monumenteve të kulturës, befasohesh dhe kërshëria zgjidhet shumë shpejt nga ciceroni apo nga tabelat dygjuhëshe që i shoqërojnë. Shpejt mëson se kur datohen, çfarë periudhe i përkasin, cilës perandori, për çfarë shërbenin…. ,dhe përulesh me respekt dhe admirim për çdo qytetërim.
Krejt ndryshe ndodh kur viziton pyllin këtë monument të gjallë natyror, një sipërfaqe prej rreth 17 ha, që rrethon dhe hijëzon monumentet kulturore dhe krejt mjedisin, nuk e ke këtë privilegj, dhe kërshëria, magjia dhe e fshehta të shoqërojnë në çdo hap. Do të përballesh me misteret e pyllit, me të fshehtat e tij dhe jetën mistike të drurëve.
Duhet të komunikosh, dhe të rrish për shumë vite bashkë me Natyrën, të dëgjosh të rrahurat e zemrës së saj, zërin dhe klithmat e saj ..,që ajo të fillojë gradualisht pa u nxituar, të të besojë dhe të tregojë të fshehtat e saj.
Duke ecur në shtigjet dhe rrugicat e këtij pylli, prezantohesh me madhështinë e tij, me forcën dhe vitalitetin e tij. Shumëllojshmëria e habitateve të dafinës, prrallit, ilqes, vidhit, rrënjës, frashërit, lofatës, bungës, qarrit, mretes, koçimares, të shoqërojnë kudo. Një pyll i dendur plot jetë, drurë të mpleksur dhe të përqafuar me njëri –tjetrin, shumica me gjethe gjithmonë të blerta, disa me gjethe të rrëzuara, duket sikur të thonë:
- “O njeri i mirë, kujdes, kjo është shtëpia jonë, këtej mos kalo, mos na prish qetësin, ky është universi ynë që e krijuam me shumë mundim dhe sakrifica.”
Pylltarët e vërtetë dhe njerëzit që e duan Natyrën, e njohin këtë gjuhë, dhe e respektojnë këtë univers, dhe në majë të gishtave të këmbës, pa e shqetësuar dhe pa u pënguar prej tij, vazhdojmë dhe futemi në brendësi.
Këtu çdo qenie e gjallë drunore dhe jo, ka gjetur mjedisin qoshen që i takon.
Lufta e ashpër për ekzistencë, ka detyruar prrallin, dafinën, koçimarën, ullastrën .. që të përballën me rrënjën, frashërin, vidhin, qarrin, ilqen.. dhe t’ja dalin me sukses. Përballesh dhe me urrthin, morenzën dhe shumë bimë kacavjerrëse, që duke u mbështetur të drurët e tjerë, duke ngulur mirë venduzat për të thithur limfën, kanë arritur deri në majë mbi 25 metra lartësi.
Poshtë këtyre të befason filizëria e pasur, e shumëllojshme, me lartësi të ndryshme, që rriten nën kujdesin e drurëve prindër. Këtu drita futet vetëm 3-5%, se e pengon çatia e drurëve mëmë. Në këto kushte, realizojnë proçesin e fotosintezes, vetëm sa për të jetuar. Nuk harxhojnë energji, forcë dhe rezerva ushqimore. Vetëm zhvillimi i ngadalshëm, i qëndrushëm, është e vetmja garanci, që një pjesë e tyre të shijojë pleqërinë e thellë 200- 300 vjeçare.
Drurët funksionojnë tamam si njerëzit, kanë kujtesë, shkëmbejnë informacion, ndjejnë dhimbje, digjen nga rrezatimi diellor, pësojnë paraliza nga ngricat, krijojnë si njerëzit rrudha të thella në lëkurë. Edhe ato si njerëzit kanë kundërshtarët dhe armiqtë e tyre. Kur sulmohen, lëshojnë aromat e tyre paralajmëruese, duke u dhënë informacione dhe drurëve të tjerë që të marrin masat e duhura.
Në pyll ka një kod të pashkruar që përcakton misionin dhe detyrat e çdo individi. Kush nuk e zbaton e ka vështirë të jetojë.
Të bien në sy disa drurë dinakë, që përdredhin trupin dhe kurorën e tyre, që të arrijnë më shpejt në dritë. Bigëzojnë trungun dhe përpiqen të kalojnë gjitonin për të arritur në majë. U pëlqen si shumë njerëzve, që të jenë vetëm në majë. Ato nuk do të mbrrijnë kurrë në majë, se nuk do t’i rezistojnë forcës së erës dhe egërsisë së saj, ato do të thyhen. Vetëm drurët e drejtë, të lëmuar, elastik, të qëndrueshëm, që nuk nxitojnë, do të mbeten në lojën e jetës.
Pak me tutje përballemi me një dru mëmë të rrëzuar,e të shtrirë për së gjati në tokë, pa jetë.. Ai qëndroi në kembë mbi 300 vjet, duke ofruar shërbimet e tij të çmuara, mjedisit, bashkësisë, krijesave… Por edhe tani i vdekur, pjesërisht i kalbur, do të vazhdojë të japë shërbime të çmuara ekosistemit për shumë vite akoma.
Në trungun dhe degët e tij, një jetë tjetër po aq e gjallë dhe e larmishme ka filluar. Mijëra kërpudha, bakterie, mikroorganizma, insekte, e kanë pushtuar, dhe secili specialist i mirëfilltë në punën e tij, po luftojnë që t’ja rikthejnë tokës të përpunuar. Një pyll mund të funksionojë pa derrin, kaprollin, ujkun, dhelprën..,por është e pamundur të jetojë pa këtë ushtri, pa këtë bashkëpunim, pa këtë zinxhir ushqimor midis vdekjes dhe jetës. Kjo ushtri është fillimi i zinxhirit ushqimor në këtë ekosistem, ajo gjëndet kudo në çdo mjedis dhe dru të pyllit, e gatshme për të sulmuar pikat e dobëta.
Vazhdoj ecjen nën drurët e mëdhenj të ilqes, prrallit, rrënjës,frashërit, që gjatë gjithë jetës së tyre kanë arritur diametër mbi 80 cm. Në trung, në degë dhe në rrënjë, gjatë 200 viteve e kusur, në sajë të fotosintezës kanë fiksuar me mijëra ton CO2. Që të realizohet ky sherbim duhet të egzistojë pylli, duhet të funksionojë kjo makinë gjigante natyrore, siç funksionon këtu.
Sa e rëndësishme është që pyllin ta lemë të qetë, ta ruajmë, ta lemë në mbretërinë e tij. Ai do t’i formojë vetë kushtet dhe do të japë shërbime të çmuara, pa qenë nëvoja të investojmë. Ja këtu, nuk është bërë asnjë investim, por lumturohesh dhe befasohesh që shikon një mjedis plot jetë.
Të befasojnë drurët dhe shkurrët e gjalla në këmbë, sipas kateve. Të impresionojnë drurët e thatë, të rrëzuarat, të kalburat, të befason legusha e trashë, ky dyshek i madh natyror, plot jetë, ku në një grusht me këtë humus gjenden më shumë mikroorganizma, se sa njerëz mbi planet.
Hasim drurë mbi 100 vjeçarë, dhe duken sikur kanë kaluar rininë e parë, shikon rrudhat e lëvores të drurëve 200 vjeçarë, dhe ne pylltarët jemi në gjendje të dallojmë moshën, vuajtjet ,apo lumturinë e tyre. Shikon drurë mbi 300 vjeçarë, që u është reduktuar kurora, fuqitë e tyre me kalimin e moshës janë zvogëluar ,dhe nuk janë në gjendje të furnizojnë degët dhe majat, që gjenden atje lart mbi 20 metër.
Pak më tej një dru tjetër qëndron ende në këmbë, dhe ka vetëm trungun dhe degët e trasha, pa asnjë degëzim, pa jetë, dhe do të qëndrojë kështu për shumë vite akoma. Poshtë tij, filizat, krijesat e tij, janë më të gjalla, me të rritura, dhe të gatshme që me ardhjen e pranverës të nisin garën për mbulimin e hapësirës që krijoi vdekja e prindit të tyre.
Ato nuk nxitohen, akoma kanë nevojë për shërbimet e nënës së tyre. Nëna i ka mësuar të mos nxitojnë, të jenë të mençur, të rriten avash, duke forcuar qelizat e trungut, rrënjët t’i fusin thellë dhe të grumbullojnë sa më shumë dritë, ujë dhe rezerva ushqimore.
Duke ecur, lumturohesh me këtë larmi drurësh, qeniesh, mikroorganizmash në një sipërfaqe kaq të vogël. Tek kjo larmi qëndron sekreti dhe jeta mistike e drurëve, magjia e pyllit dhe ekosistemit, këtu qëndron vazhdimësia dhe qëndrushmeria e tij. Sa më shumë lloje të gjenden, aq më vështirë përhapet dhe sundon një individ në kurriz të tjetrit. Ai gjithmonë do të ndeshet më praninë dhe luftën e kundërshtarit.
Natyra është e bukur, është mistike, është magjike, është madhështore, por është dhe mësuese e ashpër. Kush nuk tregohet i kujdesshëm dhe nuk përshtatet me mjedisin, me ligjësitë dhe kodet e saj, kush nuk zbaton mësimet e saj e ka vështirë t’i mbijetojë hakmarrjes së saj.
Këto ndjesi, këto emocione, këto mendime e meditime, përjetoj sa herë vizitoj dhe bashkëbisedoj me pyllin magjik të Butrintit.