ÇORROSTEN, PËRROI-KANION
KU PIKOHET MJALTË...
nga Simon VRUSHO, Berat
Simon VRUSHO |
-Po,
-thonë, - në korrik, kur nxehet vapa, nga muri i madh dhe tepër, tepërsisht i
lartë, hojet bymehen dhe nga zgjojet natyrorë, shkëmborë pikohet mjaltë, drejt
e në përrua, një përrua nazik, disi diskret në zbritjen e tij në fushë, ku
takohet me lumin e Molishtit, pak më poshtë Mullirit të Pashait, për t'u kthyer
më tej, të dy bashkë, në lumin e Velabishtit.
Ky
përrua mbart kanione të njëanshme, nga krahu i veriut, hapur plotësisht ndaj
diellit dhe jugut, mur masiv shkëmbinjsh bojë okrre, bojë mjalti, në gjatësi
qindra metërshe dhe lartësi dhjetra metërshe, me breza guri ciklopikë të
shndërruar në faqe muri nga nëna natyrë...
Lart, në lartësinë marramendëse, të
frikshme, gjendet brezi i zgjojeve të bletëve, brenda shkëmbinjve... Bletët
zukasin, roitin e roiten, zbresin si re të ulëta për të pirë ujë në përrua, ujë
që vjen direkt nga Uji i Ftohtë i Malit të Bardhë...
Thonë
se disa guximtepruar guxuan nga lart të vareshin me litarë mbi atë masiv
shkëmbor-muror, me qëllim që me disa thika të gjata, si tip hanxharësh, të
prisnin hojet në thellësi e të vilnin mjaltin... Por...
Prishen mendsh dhe...
në vend që të prisnin hojet, presin litarët...
Thonë
se këtë mur shkëmbor bojëmjalti guxuan ta shkelnin edhe bullgarët 1000 vjet më
parë... Po në vend të murit të mjaltit gjetën aty murin e zi, prandaj edhe kanë
lënë emërtimin e tyre , si dëshmi: Muri i zi... Çorrosten... Çjornoje
stena...
Prenë litarët, jo hojet...
Mos
vallë, mesazhi është i thjeshtë, i qartë: Nuk mjafojnë mjetet e zakonshme për
të arritur caqe të jashtëzakonshme?!...
................................................................................................
Nuk disponohen foto të
Çorrostenit-mur-shkëmbor, sepse është edhe larg, edhe vend pa rrugë, por vetëm
mund të soditet nga larg, nga ana e Veleshnjes, nga e Gurgozhdës...Dy fotot
modeste , të pjeshme i përkasin shkrepjeve të Tiku Senkos.
(Nga triptiku "Rrëfej, rrëfenja,
rrëfime.")