Thursday, 18 January 2024

HISTORIA E SHKOLLËS SHQIPTARE TË KORÇËS


 Konica për Rilindasit Martirë Pandeli &  Koço Sotiri

 

( Botohet  me shkurtime. Shkruar në vitin 1897 në revistën "Albania",, numurin 8, suplimenti në gjuhën frëgjisht,  që botohej nga Konica në Bruksel . Kjo revistë dilte në gjuhët: Shqip, Fërgjisht dhe Turqisht) 

 



nga: Faik KONICA

        Qyteti më fanatik i Shqipërisë së Jugut, Korça, Meka e sotme dhe Roma e Mesjetës, të ndërtuara përballë njëra-tjetrës. Në këtë qytet, një lumë ndan lagjen muhamedane nga lagjja e krishterë, dhe kur një i krishterë i jep me qira shtëpinë e tij një muhamedani, ose anasjelltas, ai konsiderohet renegat. Bashkëfetarët e tij nuk i flasin më, ai përbuzet dhe izolohet si Le – tek heronjtë e qytetit të Aostës.
 

        Aty ka kafene të destinuara vetëm për të krishterët, dhe ka kafene ku mund të shkojnë vetëm muhamedanët. Një urrejtje shtazarake dhe mashtruese ngjall dhe ushqen kundër njëri-tjetrit këta fëmijë të rritur që flasin të njëjtën gjuhë, që ndjekin të njëjtat zakone, që kanë të njëjtin gjak në damarë. Janë urrejtje të ndezura nga priftërinjtë, injoranca e të cilëve është e barabartë me tradhtinë. 

 

        Pasi tregova të gjitha këto, besoj se tani e keni një ide të Korçës, një qytet shqiptar me 20,000 shpirtra, i vendosur në vilajetin e Manastirit, në jug të liqenit të Ohrit. Krijimi i një shkolle shqipe në këtë zjarrmi pasionesh fetare do të thoshte të ktheje mendjet drejt preokupimeve të një natyre tjetër, t'u hapte atyre horizonte më pak të ngushta; ishte për t'u dhënë këtyre burrave të egër vetëdijen e kombësisë së tyre, për rrjedhojë për t'i afruar ata dhe për t'u dhënë fund mosmarrëveshjeve të tyre të pahijshme për përfitimin më të madh të qeverisë së Madhërisë së Tij Sulltanit. Por përpjekja për të krijuar një shkollë të tillë shqipe në një mjedis të tillë, dukej e kotë dhe marrëzi e madhe.

 

        Megjithatë, dy burra guximtarë e të devotshëm, dy shqiptarë të vërtetë, atdhetarë zemërzjarr, dymbëdhjetë vjet më parë, tentuan të çajnë këtë acar e akull dhe ia dolën deri në një farë pike. 

 

        Kur dy vëllezër, Pandeli dhe Koço Sotiri, vendas nga Gjinokastra, hapën shkollën e parë shqipe në Korçë, midis paraardhësve ortodoksë u bë një shtangim i indinjuar: Shqipja, ajo gjuhë e ulët dhe sakrilegjike, guxoi të mësohej! Dhe menjëherë filluan intrigat. Patriarkana lëvizi me shpejtësi, bëri hapa urgjent që të urdhërohej mbyllja e shkollës shqipe menjëherë; por Madhëria e Tij Sulltani, u përgjigj se kleri grek nuk kishte punë të ndërhynte në një çështje që nuk ishte as fetare e as antifetare dhe që kishte të bënte vetëm me Ministrinë dhe Udhëzimet Publike.

 

        Vendosmëria e kësaj përgjigje perandorake, i habiti armiqtë tanë: ata duhej të kërkonin të tjera rrugë dhe mjete të reja persekutimi.

 

        Një ditë, ndërsa besimtarët ortodoksë po luteshin, ipeshkvi hyri befas në kishë me një mënyrë sjelljeje aktoriale, i tërbuar, si fanatik i betuar që ishte.  Nisi shkishërimin kundër të gjithë atyre që dërgonin fëmijët e tyre në shkollën kombëtare shqipe; dhe gratë e tmerruara qanin nga dëshpërimi...

Peshkopi u ndihmua në funksionet e tij dramatike nga një ekzark “i talentuar”.

 

        Që kur ka ekzistuar krishterimi në Shqipëri, ka qenë gjithmonë zakon që në shërbesa të përkthenin ungjijtë në shqip për ata që nuk njihnin gjuhë tjetër.

1. Tek ortodoksët, ekzarku ka pothuajse të njëjtat atribute si famullitari i përgjithshëm ndër katolikët.  

2. Peshkopi deklaroi se tani e tutje Ungjijtë do të lexohen vetëm në greqisht. 

 

        Zhurmë e zallahi, protestat e besimtarëve, zemërimi i peshkopit; telashe, grindje. Një epope e tërë tragjikomike që korçarët e kujtojnë fijë e për pe dhe që do të ishte e kotë të rrëfehej këtu.  

        Por ne lodhemi nga gjithçka në planin afatgjatë dhe priftërinjtë tanë të mirë u lodhën duke luftuar pa nisur ende lufta. Ata përfunduan duke u kënaqur me disa intriga të vogla, duke shfryrë shpifje dhe duke nxitur thashetheme për të diskredituar shkollën kombëtare shqipe. Aq më keq për ta, populli patriot nuk ua vuri veshin. 

 

        Numri i nxënësve në shkollën shqipe erdhi gjithnjë duke u rritur. Në një kohë fare të shkurtër, numuri i nxënësve që mësonin shqip, shkoi gati në dyqind. 

 

        Fatkeqësisht, as fanatizmi i muhamedanëve shqiptarë nuk mbeti pasiv, disa zyrtarë të vegjël filluan të intrigojnë, duke lënë të kuptohet se ishte në kundërshtim me porositë e Kuranit për të dërguar fëmijët në një shkollë shqipe. Ata njerëz fatkeqë, duke predikuar kështu, besonin se se do të fitonin simpatinë e Sulltanit. 

 

        Shumë shqiptarë e kuptojnë gjuhën frënge kur e lexojnë dhe nëse ndonjë nga këta zyrtarë të vegjël në fjalë e lexon rastësisht këtë njoftim, le të mësojë se Sulltani kërkon vetëm një gjë prej tyre, të bëjnë detyrën e tyre, të përmbahen nga vjedhjet dhe të mos përzihen në kryerjen e teologjisë dhe kasnisit. Shkolla shqipe e Korçës ka një ekzistencë të ligjshme, të sanksionuar me miratimin e lartë të Madhërisë së Tij dhe kushdo ka të drejtë të dërgojë fëmijët e tij atje. 

 

        Po rezultati i këtyre intrigave ishte katastrofik për shkollën shqipe të Korçës; pas disa kohësh, ndodhi që kishin mbetur vetëm dhjetë nxënës. Por kjo rrudhje e dekadencë ishte, për fat të mirë, jetëshkurtër. 


        Sot nëntëdhjetë nxënës ndjekin mësimin rregullisht në shkollën shqip.  Peshkopi ortodoks u topit: marrja e Larisës nga turqit e zbriti nga e gjithë lartësia e ëndrrave të tij në realitetin banal, por të dobishëm për momentin. Ai, dora vetë, mori pjesë, (O çfarë mrekulli!) në shpërndarjen e fundit të çmimeve të shkollës shqipe. Bëhet fjalë për krijimin e kurseve të frëngjishtes dhe gjermanishtes për vitin e ardhshëm, për të përfunduar

mësimin e nxënësve që janë të destinuar për tregti. Me pak fjalë, sot shkolla shqip është në veprim e prosperitet të plotë.

 

Botohet për herë të  parë 

*Copyrighted by bota-bujqesore.blogspot.com

 

No comments:

Post a Comment