Tuesday, 6 February 2024

GJIMNAZISTI GJIROKASTRIT NË UDHËT E PYLLTARIT DHE TË SHKENCËS

     "Mora penën dhe bëra piknik të këndshëm me Profesor Mihallaq Kotron. E ndoqa atë që kur lindi në qytetin e gurt të Gjirokastës më 27 gusht 1943, pastaj kur ndoqi shkollën fillore e shtatëvjeçar te “Koto Hoxhi”, e përsëri në rini në gjimnazin “Asim Zeneli,, si student në fakultetin e Pyjeve (1962-1976). Sa i hodha një fllad bjeshke mali të Gjërë gjatë pyjve magji kureshtëndjellëse te Pukës, sa ceka petalet e luleve të veprimtarisë së tij si pedagog e Profesor në Fakultetin e Pyjve"


Përgatiti: "Doktor Selman MËZIU 
Firence, Itali


        Dy duart me gishtrinjt me kallo lapsi, mbështetur në lëvoren hollë të trungjeve shtatë gjatë të aheve. Vështron përpara mendueshëm në kollonat e shumta, kombinat prodhuese të biomasave biologjike. Duket sikur po i mban ahet të mos kacafyten njëri me tjetrin. Ndërsa mendon për bujarine e tokës dhe klimës që këtu në Qarrisht të Librazhdit kanë krijuar mrekullira peisazhesh.  Pasuri e gjelbërt që të ngazëllon shpirtin të pastron shikimin, zmadhon mushkëritë nga oksigjeni i pastër, të rinon. 

    Udhëve si pylltar, si pedagog, si Dekan i Fakultetit të Pyjeve kërkon që në puhizën e flladit të pyllit të zbuloj vetë veten. Dhe jo vetëm. Ashtu i qeshur, kujton kalimin nga Fakulteti i Agronomisë në atë të Pyjeve. Ndoshta madhështia e rrapeve të gjirokastrës i mbolli dashurinë për madhështinë dhe lartësitë e tyre. Kurorat e tyre me degët e shumta mbushur me gjethet pëllambore i jepnin kënaqësi që  fëmijë Mijallaqit, për të parë përmes tyre yjet, hënën e rrezet e diellit mëngjezeve të gjelbërta.

    Fund Marsi e gjeti udhëve inxhinierin e sapo diplomuar

    Pritje që mbartnin ankth. Emërimi i ngjante një tabele shahu. Veçse gurët nuk i luanin studentët e sapo diplomuar. Prandaj atyre u rrihnin zemrat e njoma si atij zogut që dridhet nga të ftohti i acartë i dimrit. Më së fundi i riu nga gjirokastra do të kapërcente kryeqytetin. Shoqëria studentore kaq e ëmbël dhe e dlirtë do të thermohej.  Fatmirësisht jo e gjitha. Do të kishte pranë Pavllo Konomin. Ndërsa në Ndërmarrjen e Pyjeve emërohen bashkë studentët  të tjerë të tij si Muharrem Loka dhe Daniel Sollomoni.

        Valixhia ishte po ajo. E pregatitur me dashuri e dhembshuri nëne me veshëmbathje etj.  Prindërit e përcollën me pikla lotësh faqeve.  Ato i thanë: Udhë të mbar bir, kujdes atyre malve, ato janë shkollë tjetër, por…

        Pasi priti disa orë te parku i makinave. Inxhinieri i ri mori skodën e pare që sillte trupa të sharruar etj. në Shkodër. Ato ktheheshin në mobilje e letër. Skoda u nis me mjaft zhurmë. Peisazhet ju hapën si fletët e librave mësimor të Fakultetit. Kodrat e Rencit të lakuriqësuar i lanë shije jo të mirë inxhinier Kotros.  Zhavorrishtja e bardhë e shtratit të lumit Kirit ju kalonte rrëzë tyre. Pastaj shpatet e gjelbërta të Jubanit me perrenjët i shumtë shtrat gërryrës. Fusha e fshatra të shumta deri atje ku shikimi ju ndal te Kalaja Ilire mbi një kodër pothoajse të xhveshur.

   Befasuese ishte dalja e ujrave të shkumbëzuara të lumit Drini nga një ngushticë shkëmbore. Ai dukej i pa ndalshëm e kryeneç. Kaltërsia e thellë të ngjallte kënaqësi. Ndërsa Drinoja i Gjirokastrës udhëtonte i qetë përbri qytetit të tij të lindjes dhe fushës së Dropullit. Në një kodër shkëmbore gurësh gëlqeror me ca sy të gjelbërt, ngrihesh një kishë me kryqin përball, në kulmin e çatisë. Pastaj fshati i Vaut të Dejës me shtëpia të bardha ‘’mbytur,, në gjelbërim. Ngjitjet me kthesa, ku makina  herë pas here  nxirrte tym nga prapa. Retë, herë pas here mbulonin diellin. Ndonjë pik shiu dukesh ne xhamin e makinës. Ishte 22 Mars 1966.

  Filloi ulja me kthesa gjarpëruse shpateve të Gomsiqes. Natyrë disi e eger, ngjyra kafe dhe e zeze e shkembinjëve, shoqëruar me njolla bushi, dëllinjash dhe shkurresh të tjera ngjyrë gjelbërt.  Sa kaq tabani i një ure, poshtë tij një hark i madh betoni si një ylber. Mbi atë ngrihesh një ‘’pyll,, kollonash mbajtëse vertikale. Duke përshkuar gjatësinë prej 36 metra e gjërsinë tre metra,  po e brente përbrenda kureshtja, të riun gjirokastrit. Në udhëtimin në ngjitje me plotë lakore mendoi: Po unë a do të arrij te bëj projekte të tilla si inxhinier pyjesh? Ndërsa udha hyri në mes pyjesh pishe shtatë larta. Kurorat e tyre hijezonin atë duke krijuar freski kënaqësi ndjellëse. Natyrisht peisazhet në relievet e përthyera e joshën të sapo diplomuarin. Më pas diku në një libër lexoi: Ura u ideue, u projektua e zbatua nga inxhinier, Xhovalin Gjadri (1898-1974). Përurimi i bë me 29 Gusht 1935.

   Atëhere Puka ngjante me një fshat që po rilindte. Dhe sa hap e mbyll sytë përsëri pishnaja. Sa kaq filloi zbritja. Ju shpalosën para syve  disa baraka me pak ndërtesa me mure guri dhe përkundruall tyre, pyje e male peisazh mahnitëse.  Ishte Fushë Arrëzi.  Edhe ai po rilindte me ngadalë. E  veçanta ishte se gumëzhinte si zgjua bletësh.

 

       Ngrohtësia e kolegëve, tuneli prej bore dhe pylli eksperimental    

    Vështronte kureshtar këto pamje të natyrës dhe papritmas ‘’ iku,, te kalldrëmet e gjirokastrës dhe, shtëpiat me çardak anash rrugicave, poshtë kalasë shqiponjë. Mirëpor këtu kala qenkan malet, mendoi ai me vete duke parë tavanin prej dërrase.  Pyjet gjerdan i gjelbërt, ku ai duhet të miqësohesh e shkëmbente energji. Pamje të tillla inxhinieri, shkarazi i kishte parë në vitin 1962. Sigurisht i kishte bërë materje të kujtesës studentore. Mirëpor tanima, po shikonte njerëz të moshave, shkollimeve e profesioneve te ndryshme që çapaliteshin në udhët e ngushta me baltë të barakopolit.  Njohjet e para i bëri i ndrojtur e qetësisht me shefin e kuadrit, pastaj inxhinierin e stabilimentit Tonin Kraja, inxhinierin që mbulonte teleferikët Llambi Kajana dhe ato në  ndërmarrjen e pyjeve  Çaush Elezin dhe Gegë Sokolin.  Kuptohet me fytyrën njomzake, kokë ulur, i veshur thjesht, takoi Drejtorin e Ndërmarrjes Pali Miska, nën drejtorin Pal Gjoni dhe Kryeinxhinierin e Ndërmarrjes të Sharrave, Milazim Mustafa. Atë ditë  i caktuan barakën ku do të flinte bashkë me inxhinier Muharremin. Të nesërmen i komunikuan detyrën si inxhinier shfrytëzimi në degën teknike. Pastaj i dhanë xhupa dimëror dhe çizme. Malet kishin ende kësulat e bardha të borës.  Hera herës në kujtimet e vegjëlisë i kishte mbetur në mendje edhe bardhësia e borës  të malit të Gjerë e të tjera male qelesh bardhë.

   Inxhinier Kotro shkon i shoqëruar të njihet me sektorin e shfrytëzimit të Krrabës.  Emocionohet nga ahet shtatëlart, degët e të cilëve mbanin peshën e borës. Vërtet dukeshin si pulëbardha. Edhe trupi i tyre, vend vende, mbi të gjitha ku bashkoheshin degët, kishte mjaft borë. Arritën te  vendi që thirresh, Puset e Zeza. Punëtorët sa kishin hapur udhën nga bora, ku djaloshi gjirokastrit u habit, u mahnit, kur hyri si në një tunel, në udhën me lartësi skrapatash edhe dy metra.  Peisazhet bardhësonin nga rrezet e dillit. Bukuria ishte mahnitëse. Ndërsa i ftohti po i ngrinte duart. Bora filloi t’i kërciste nën çizmet. Majat e veshëve i ishin skuqur. Edhe pse i ri e gjaku i vlonte ne deje ai hera herës dridhesh.  Ecte qetësisht pa folur, disi i menduar që i dukesh nga balli.

    Ditët, muajt, vitet rrokulliseshin pa u ndjer. Puna intensive në shfrytëzimin e pyjeve madhështor të pishnajave të zeza në ekonomitë pyjore Tuç dhe Kaçinar dhe atyre të aheve në Krrabe e Kunor Dardhë e gërshëtuar me projektet në zyra, po i sillnin kënaqësi. Mësonte nga auditoret e gjelbërta, te shoferët, punëtorët që, punonin me një mijë sakrefica, me këpuc thesi mbathur e rroba aty këtu edhe të grisura. Gjithmonë gojë ëmbël, me plotë takt e urtësi, ai arriti të miqësohet e të  njihet shumë mirë me ato. Ato i takonte kudo, në hapje udhë makinash në pyje, në transportet me teleferik, me lugje, me kafshë, tërheqje me traktor etj. 

          Ne projektime për hapje fronte punësh të reja ai mendonte pë shkurtimin e kohës të kryerjes për çdo lloje pune, rendimentin në punime të ndryshme. Nuk nguronte, por këmbengulte të mësonte nga motosharristët, trupëzimin në asortimente, trupa sharre, shtylla gjithfarësh, degë voze, dru zjarri, shumëllojshmëri lënde ndërtimi, stivimin e tyre, ngarkimin në makina etj. Kuptohet dhe i kontrollonte për standartet, cilësinë dhe sasinë e punës së kryer.  Edhe prodhimi i qymyrit nga mjeshtrit  korçar me mbeturinat e pyjeve të shfrytëzuara, vendosura në kamina ishte një auditor tjetër të mesuari.  Përvoja që do të shkruheshin në libra nga ai dhe do t’ua mësonte studentëve në të ardhmen. 

      Më shumë kujdes, vëmendje, rrahje mendimesh kishte me silvikultorët e ndërmarrjes se pyjeve, inxhinierat Anesti Postoli, Kastriot Selimi, Nebi Koka, Kristofor Rexho, Myslim Baburi, etj. Inxhinierët projektues e ndjekës të  punimeve, bashkëpunonin ngushtësisht që nga damkimet e deri në dorzimin e ngastrave të shfrytëzuara. Të gjitha me akt marrveshje, kontrolli e dorëzimi.

            Silvikultorët punimet e tyre i kryenin bazuar në planet e mbarështrimit, ndërsa inxhininer Kotro si teknolog me pergjegjësi profesionale, ekonomike dhe projektuese skiconte skemat e mundëshme të rrjetit rrugor. Dhe më tej, ato të linjave të  traseve të teleferikëve, traktorave, lugjeve, skelat e depozitim-ngarkimit, pikave të tranzitimit të materialit drunor etj. Mbi të gjitha  këto inxhinieri hartonte projektin teknologjik të shfrytëzimit ose dokumentit teknik: “Planet tekniko-ekonomik të Shfrytëzimit.,, Këto projekte, me këto të dhëna u zbatuan më vonë në gjithë shqipërinë. Kjo ishte një arritje tekniko shkencore. Ku më pas inxhineri nga Shtatori i vitit 1972, pedagog në Fakultetin e Pyjeve e pergjithësoi në lëndën teknologjisë të shfrytëzimit (shkruar prej tij) që jua shpjegoi studentëve për afro 40 vjetë.

   Ndërsa shoqëria rinohesh, kolegët vinin e shkonin, duke lanun sejcili te inxhinier Mihallaqi  përshtypjet e një shoqërie të sinçertë, burrërore, korrekte. Ndërsa karakteri u kalit, dhe u ushqye profesionalisht me praktikën e universitetit të dytë në ‘’kryeqytetin e pyjeve,, me kolegët Myzafer Mandia; Vito Koçin kryenxhinieri i ndërmarrjes dhe një kohesisht shkrimtar; Fredi Marjanin i cili ecte në përvojën e inxhinierit Ylli Gusho; Fenelon Hoxha e Zef Çunin etj

    Inxhinieri i ri Kotro sëbashku me silvikultorin Gege Sokolin që para viteve 1970 menduan për pyje eksperimentale, faror, monument natyre etj. Duke takuar në Qafë-Bari, Tuç një ngastër me pisha të zeza trup drejta me lartësi edhe 25-30 m. Ato nuk i damkosën, por 2,5 ha e lanë ashtu siç ishte për të vazhduar eksperimentimet në fushën e silvobiologjisë, tipologjisë, botanikës etj.  Mirëpor siç shkruan Prof. Kotro në kujtimet e tija: ‘’…por që, ndërhyrjet e viteve të mëvonshme … e “kafshuan” pak e nga pak, dhe në vitin 1982, …nuk gjetëm asnjë lloj gjurme të kësaj risie eksperimentale…,,    

 

               Nga tajfunet shkatërrimtare, te minat e Miliskaut, në Fakultetin e Pyjeve si pedagog 

   Perofesioni i pylltarit ishte i tillë që natyra edhe e gëzonte me krijesat e saja, por edhe e hidhëronte. Ajo nuk pyet askënd, kur i hypin kapriçot. Vjeshtë e vitit 1969. Një tajfun përbindësh shkuli me gjithe rrënjë mijëra ahe ne pyjet e Krrabit dhe pisha qiri të gjata në ekonominë pyjore Tuçi. Ai shkaktoi një katastrof të vërtet ekologjike në këto pyje. Kundër përgjigjia e inxhinierëve të shfrytëzimit ishte e menjëhershme. Filizëria, këto bebëza bleroshe lindur nën kurorat e këtyre drurëve pyjor, duhesh ruajtur. Tani ato ishin braktisur nga drurët nënë. 

               Silvikultura nuk ishte më mishi e gjaku vetëm i pylltarëve të Ndërmarrjes së Pyjeve.  Jo, kurrë jo, inxhinier Kotro sëbashku me kolegët, ndiçnin çdo veprim:  prerjen e trasportin që, nga mëngjezi e deri kur yjet buisnin në qiellin mbuluar me re ose blu. U përdorën qetë (buajt) për të tërhequr trupa të gjatë edhe katër e pesë metra. Duke zgjedhur me shumë kujdes, përgjegjësi profesionale, udhetimet në vende me sa më pak filizëri.  Kjo menyrë u praktikua në Fushë Zezë e Kaçinar si vende me pjerrësi. Ditët të mbushura me vrulle pune ndërsa natën në zyra deri vonë, në mbledhje dhe duke skicuar variantet e trasportit etj.  Në ngastrat që mbaronte shfrytëzimi hidhesh fara pishe e zeze ku mungonte filizëria, dhe po kështu në ahishte, biles u praktikua edhe mbjellja me fidana.  Inxhinier Kotro nuk ndjente kënaqësi vetëm në prerjen, grumbullimin e transportin e mijëra metro kub landë drunore, por edhe kur  mbillesh fara e fidanat. Ai si projektues e zbatues përfytyronte pyllin e ri, pas 80 e 100 vjetësh si do të ishte. Sepse shpirti e zemra e këtyre pylltarëve kishte mbi të gjitha pasionin si të tillë,  njëkohesisht edhe si projektues të së ardhmes të pasurisë së gjelbërt.

   Mirëpor puna e inxhinierit ishte e lidhur me organizimin e zhdërvjellt e produktiv.  Jo vetëm natyra i detyronte inxhinier Kotron e kolegët të bënin sakrefica, të djersiteshin, të zgjoheshin herët, apo të flinin gjumë pas mesnate vonë, por edhe urdherat nga lart. Zaten këto ishin me të egëra, më të frikshme, më me përgjegjësi profesionale, por edhe politike.

    Ishte urdhëri i verës, po të këtij viti pra, 1969. Pjesmarrja urgjente e Ndërmarrjes së Shfrytëzimit të Fushe Arrëzit në zgjerimin e udhës së makinave Qafë-Mali Fierzë.  Inxhinieri i shfrytëzimit  Kotro me 200 punëtor, ndër këto 10 minator nisin shpejt, punën e vrullshme. Në sektorin shkëmbor të Miliskaut filluan hapja e vrimave me tokmak e biramina për të shkatërruar shkëmbin me dinamit.  Ishin punëra me rreziqe, kërkesa e llogarisë duhesh e fortë, kërkohesh një sjellje e kulturshme  me punëtorët. Ndërsa angazhimet për të mbaruar sa më shpejt kërkonin vërtet vëmendje e mbi të gjitha përkushtim dhe energji mendore e fizike. Kjo punë ishte një përvojë  shumë e çmuar në fushën e organizimit e produktivitetit  kulmor në punime.  Vërtet kjo  udhë makinash e zgjeruar, shërbeu për të çuar te diga e hidrocentralit të Fierzës turbinat e tij. Punimet për ndërtimin e të cilit filluan në vitin 1971.

  Ishte gëzim i pa përshkruar, kur një dritë shprese vetëtoi në jetën e inxhnierit gjirokastrit. Tanima letrat, prindërve nuk do t’ua dërgonte me adresëne Fushë Arrëzit, por me atë të Fakultetit të Pyjeve,  Instituti i Lartë  Buqësor Kamëz Tiranë. Një fushë beteje e re për t’u aftësuar në fushën e mësimdhënies, pedagogjisë. Nuk duheshin standartet e asortimenteve që nxirreshin nga shfrytëzimi i arit të gjelberet, jo. Kjo ishte shumë më e vështirë. Pregatitja e inxhiniereve të rinj silvikultor e shfrytëzues të pyjeve, me kapacitet intelektual, profesional e kultural siç i kërkonet koha.

                         Shtigje te reja dijesh dhe shkence

     Inxhinieri i dorzoi xhupin dhe çizmet. Ai la shtëpinë, gjurmët e punës së tij të kualifikuar, përvojën shumë planëshe në shfrytëzimin e pyjeve. Inxhinier Kotro mori me vete bujarinë, mikëpritjen, gjakëftohtësinë, vullnetin e pasionin, këmbënguljen për të kryer punën, durimin e dëshirën për punëra që rrezatojn veç dritë suksesi e ardhmëri të sigurt të pyjeve të reja.

     Gjeti në trupën mësimore të Fakultetit, ish pedagogët e tij. Tanima asistent i njërit prej tyre. Pedagogu Kotro do të ishte pasqyra reflektuese e tyre. Në dëshirën për të studuar e përçuar me art shpjegimi te studentët, disiplina të ndryshme shkencore të Fakultetit të Pyjeve.  Sjelljet e tija, komunikimi, shijet në veshje, deri te gjestet, do të ishin brenda auditorëve. Ato do të shikoheshin e përthitheshin  nga dhjetra e dhjetra inxhinier të ardhshëm. Prandaj çdo fjalë, mendim i shprehur duhesh të përmbante, thelbin e teorive, praktikave dhe projekteve të ardhshme.

              Vitet kalonin, pedagogu Kotro kualifikohesh, mësonte vetë me këmbëngulje, pregatiste leksionet, dhe çdo vit dhjetra studentë diplomoheshin. Ai ndjente thell në shpirt edhe materialisht, frutet e rezultatit të punës së tij si pedagog. Profesor Kotro, dëgjonte përshtypjet e mira nga ato, për veten e tij, si njeri i vyrtytshëm dhe artin e kënaqshem të të shpjeguarit.  Nga pedagog i thjeshte në Shef Katedre i Shfrytëzimit në Fakultetin e Pyjeve (1975-1985).  Referuesi i dhjetra temave shkncore në harkun e viteve. Si Dekan i Fakultetit të Pyjeve prej dhjetë vjetësh, duke e kryer atë me urtesi, maturi, gjykim, organizim, veprimtari shkencore me përfshirjen të studentëve dhe pedagogëve. Sigurisht edhe duke ruajtur shoqërinë e ëmbël me të gjithë. Këmbëngulja në punime të thelluara në shkencën e teknologjisë të shfrytëzimt, të dendësise optimale te rrjetit rrugor në pyjet për shfrytëzim, pedagogu Kotro  mbrojti disertacionin për ‘’Kanidat shkencash,, (1984), më pas i jepet titulli Docent (1986), në vazhdim Doktori i Shkencave( 1994) dhe së fundi Profesor(1995).

    Pjesmarrës në simpoziume ndërkombetare e shkëmbime përvoje pedagogjike dhe përsosje programesh mësimore në shumë univesitete e institute në europën prendimore etj. Pas viteve ’90 profesor Kotro shkruajti disa artikuj në shtypin shqiptar, duke ju tërhequr vëmendjen qeverive të një mbas njëshme, mbi keqpërdorimin, administrimin, qeverisjen e pyjeve si ekosisteme natyrale që kanë ligjet e tyre biologjike etj. Sigurisht ato duhen ndjekur me rigorozitet, edhe nga vetë pylltarët, inxhinierët e pyjeve, të shkolluar nga ai vetë. Po japim   disa prej tyre:

‘’Rreth  memoratoriumt “Mbi shfrytëzimnin e pyjeve …..” (Mendime, thjesht si Pylltar, …, nëse vlejne). Mendime “Mbi dokumentin e politikave, per pyjet ne shqiperi – 2030.,, (Me ndjenje qytetarie dhe profesionalisht modeste). ‘’Për një sektor, i mbetur “jetim”.,, (Në gjurmët e një shkrimi të para shumë viteve). ‘’Disa mendime modeste mbi “projekt-ligjin e pyjeve dhe kullotave.,,

Profesori ynë i nderuar, si shumë të tjerë profesor e inxhiniera të thjeshtë e parashikuan herët, germisjen e pasurisë pyjore njëra nga më të çmueshme kombëtare. Dhe ja si do të më shkruaj me 10 Shkurt 2009: ‘’Me gjendjen që po kalon ky sektor, asgjë s'më tërheq (po lulëzon këndvështrimi politik dhe qëllimi i fitimit maksimal, nëpërmjet dëmtimeve dhe abuzimeve, ndërsa për silvikulturë as që mund të flitet). Tashti po e kuptoj se sa idealist kemi qenë ne dikur.!!!!   Profesori në këto fraza analizon më shumë kujdes e thellësisht shkencore, gjëndjen katastrofike që po pregatitej mbi pyjet, duke shprehur njëkohesisht dëshprimin e tij kulmor. Dhe ja realiteti i statistikor i vitit 2022, Puka si rreth apo Bashki kishte 90 000 hektar pyje, jane prerë dhe  shkrumbëzuar plotësisht 60 000 hektar deri më tani.

*                     *

         *

     Mora penën dhe bëra piknik të këndshëm me Profesor Mihallaq Kotron. E ndoqa atë që kur lindi në qytetin e gurt të Gjirokastës më 27 gusht 1943, pastaj kur ndoqi shkollën fillore e shtatëvjeçar te “Koto Hoxhi”, e përsëri në rini në gjimnazin “Asim Zeneli,, si student në fakultetin e Pyjeve (1962-1976). Sa i hodha një fllad bjeshke mali të Gjërë gjatë pyjve magji kureshtëndjellëse te Pukës, sa ceka petalet e luleve të veprimtarisë së tij si pedagog e Profesor në Fakultetin e Pyjve.  Mendova të hedh paksa pjalm mjalt prodhues pune e veprimtarish në disa fotografi, por jo në Universitetin ‘’Aristoteli,, të Selanikut, por në pyllnajat madhështore, frymëzuese, që të buzëqeshin duke i vështruar nga poshtë në Qarrisht të Librazhdit. Kjo ndodhi në vitin 2005 me inxhinierat Trifon Cfaku, Enver Koçi,  Janaq Malen, doktorin e shkencave Vasillaq Mine e së fundi  me profesor Baldinin nga Univesiteti i Viterbos, Itali.  Dhe një pritje bujare e Silvikultorit Pius nga Univesiteti i Firences, te Fidanishtia e Pjetër Trashës në afësi të qytetit të Lezhës e përsëri në ahishtet madhështore të ekonomisë pyjore Bizë të Martaneshit. Edhe në pension profesori ju buzëqesh jetës plotë vrull,  familjes, shoqërisë, kolegëve.

 

 22.01. 2023                         Ish Studeni i Profesorit S.  Mëziu 

Korçë, 1989 Kotro, Balla, Stefanllari


Me prof.  Piusin........

Qarrishtë me prof. Baldinin, 2005

Shërbimi Pyjor Shqiptar, 2008

No comments:

Post a Comment