Monday, 6 February 2023

“UDHËTIM NË SHPIRTIN LUNXHIOT”

Mbresa nga leximi i librit të agronom Koço Mosko në Boston


nga : Avdulla KËNAÇI

Mississauga, Kanada 

Botimi i librit historik dhe etnografik “Udhëtim në shpirtin lunxhiot” i autorit Koço Mosko më ka gëzuar pa masë. E kam pritur si një sihariq, jo vetëm se të dy jetojmë në emigracion në Amerikën e Veriut dhe komunikojmë vazhdimisht, por sepse ai është miku dhe patrioti im nga Gjirokastra, koleg në shkrime dhe i dashuruar pas letërsisë artistike. Koçua, edhe pse me profesion agronom, i specializuar në mbrojtjen e bimëve, është një publicist i suksesshëm dhe me përvojë të gjatë. Vazhdimisht ka botuar në Shqipëri dhe në emigracion shumë shkrime në ndihmë të kolegëve të tij dhe punonjësve të bujqësisë, duke u përpjekur të rrënjosë të reja shkencore në kultivimin dhe mbrojtjen e bimëve bujqësore. Është këmbëngulës, pasionant për çdo punë e ndërmarrje; shkurt ai është një punëtor i palodhur në shërbim të dijes, me vullnet të pamposhtur.

Koço Mosko ka lindur në fshatin Selckë të Lunxhërisë më 19 shtator 1950. Shkollën e mesme e kreu në Vlorë dhe Gjirokastër në gjimnazet “Halim Xhelo” dhe “Asim Zeneli”. Në vitin 1976 përfundoi Institutin e Lartë Bujqësor, sot Universitet Bujqësor. Punoi në ish kooperativën bujqësore “Asim Zeneli” dhe prej vitit 1985 e deri në në vitin 2002 ishte inspektor i mbrojtjes së bimëve në rrethin e Gjirokastrës. Pas vitit 2002 u shpërngul familjarisht në Boston, SHBA. Aty punoi për dhjetë vjet me radhë në punë të ndryshme, sidomos në fermat bujqësore duke u marrë me kujdesin dhe kultivimin e bimëve. Tani gëzon pensionin, si gjithë moshatarët. Cilësia e tij e veçantë është se ai për asnjë çast nuk iu nda publikimit të artikujve të ndryshëm bujqësorë në shtypin lokal dhe atë qendror, si në Shqipëri ashtu edhe në diasporë, duke ngritur probleme të ndryshme jetike për bujqësinë. Me iniciativë krijoi në Boston blogun e vet në shqip “Bota Bujqësore” i cili vazhdon të jetë mjaft popullor prej dhjetë vjetësh.

Selcka është një fshat malor në cep të Lunxhërisë. Sa bukur e thotë kënga popullore “U thafsh, moj dega dafinë/ S’më le të shoh Lunxhërinë”, pra, një pemë dafine e mbjellë përpara dritares, e pengonte nusen e re të çmallej që nga Selcka ku ishte martuar me fshatin e saj në Lunxhëri prej ku kishte lindur. Banorët e Selckës në shekuj bukën dhe zarzavatet i kanë nxjerrë nga guri për shkak të tokave të tyre skeletike e zallishte, shumica pa ujitje. Blegtoria në tipin e bravareve ka qenë një tjetër mjeshtëri e këtij fshati malor me të cilën kanë mbajtur frymën gjallë duke siguruar bulmetin, djathin e gjizën për dimër. Ndër vite, kurbeti i burrave ka qenë mbështetja më e madhe për sigurimin e jetës. Mjeshtrat selciotë njihen në histori si ndërtues të ujësjellësit të Stambollit. Midis të mërguarve nga ky fshat janë edhe vëllezërit Pandeli e Koto Sotiri të tërhequr nga ungji i tyre, i rrënjosur mirë ekonomikisht në një nga lagjet më të pasura të Stambollit. Ata bënin pjesë në elitën e intelektualëve shqiptarë në emigrim, pjesmarrës dhe themelues në Shoqata Shqiptare, miq të vëllezërve Frashëri dhe aktivistë të palodhur të çështjeve tona kombëtare. Shkollat e larta, universitetet, të dy vëllezërit Sotiri i kishin mbaruar në Vjenë të Austrisë. Koçua, autor i këtij libri, u rrit me kujtimin, dashurinë dhe krenarinë për veprën patriotike të familjes Sotiri, shtëpinë e të cilëve e kishte pranë shtëpisë së tij të lindjes. Ja s i kujton ai: “Në fshatin tonë, ishin dy shtëpi me mbiemrin Sotiraj. Këto shtëpi me arkitekturën dhe ndërtimin, tregonin se pronarët e tyre kanë qenë familje të pasura, aristokrate dhe me kulturë…Shtëpinë e lindjes së vëllezërve Sotiri unë e kam arritur. Mbaj mend se ishte dykatëshe, e ndarë në dy vëllezër. Shtëpitë përbrenda dukeshin shumë të mbajtura. Kishin dy porta të jashtme me qemer guri të skalitur, me pezule. Një portë ishte nga veriu e tjetra nga jugu. Qemeri i portës së veriut qe gdhendur monobllok, vetëm me dy gurë të skalitur bukur.”, shkruan ai në librin që cituam më lart.

Koçua nuk u mjaftua me ato çfarë lexoi nga shtypi dhe librat për vëllezërit Sotiri, por vit pas viti mblodhi të dhëna, fakte dhe dokumente. Vuri re pasaktësi historike në trajtimin e biografisë së tyre, pasaktësi që ishin bërë tashmë pjesë e “Enciklopedisë kombëtare”. Kjo është zanafilla e studimit “Historia dhe veprimtaria patriotike e vëllezërve rilindës Sotiri”. Aty çpalosen fakte të panjohura, dëshmi, dokumente dhe të dhëna të reja që ngrenë lart emrin dhe figurën e patriotit të madh, Rilindasit të shquar, Pandeli Sotiri dhe vëllait të tij, Koto Sotiri, ky i dyti thuajse i panjohur për lexuesin. Personalisht, unë kam mbaruar shkollën e mesme pedagogjike “Pandeli Sotiri”. Mësuesit na thonin vazhdimisht: “Pandeli Sotiri ka mbaruar shkollën e Qestoratit të Lunxhërisë me mësues Koto Hoxhin”. Ky fakt pasqyrohet edhe në në “Fjalorin Enciklopedik Shqiptar”, botim i vitit 1985 dhe në gjithë librat për historinë e arsimit shqip. Sipas Koço Moskos, ky fakt nuk qëndron, sepse shkolla e mesme në Qestorat u hap më 1874, kur vëllezërit Sotiri kishin mbaruar shkollën e mesme në Gallat Saraj të Stambollit dhe të lartën, universitetin, në Vjenë të Austrisë, me shpenzimet e xhaxhait të tyre të pasur, Thimjo Sotiri. Pandeliu studjoi për mjekësi, ndërsa Kotua për drejtësi. Jo vetëm kaq, por Koto Hoxhi nuk ka qenë mësues, por kujdestar konvikti në një kohë të mëvonshme. E vërtetuar kjo prej fakteve dhe dokumenteve që ka grumbulluar me skurpulozitet autori i këtij libri. Ky është një shërbim i madh dhe me vlerë që i bëhet kulturës dhe historisë së arsimit shqip sepse Pandeli Sotiri, figurë e rëndësishme, është organizatori dhe drejtori i të parës shkollë shqipe “Mësonjëtorja e Korçës” që tashmë ëshët publikuar si datë 7 mars 1887. Edhe për këtë datë autori ka rezervat e tij, (sipas kujtimeev të Lasgush Poradecit është viti 1886). Koçua e vë në diskutim kohën dhe jep argumentet e tij se shkolla shqip në Korçë është çelur në fillim të vitit 1886, mbasi data e mësipërme u vendos me vendim të Presidiumit të Kuvendit Popullor në vitin 1961 kur u shpall edhe si “Dita e Mësuesit”. Koço Mosko, duke iu referuar dokumenteve na thotë se Pandeliu, pasi mbylli gazetën “Drita” në fund të vitit 1885 shkoi në Korçë ku në shkurt të vitit 1886 hapi shkollën shqip. “Fshehja e vitit shkollor 1866-1877 është qëllimkeqe”, shkruan ai. Pandeli Sotiri dhe dhe vëllai i tij patriot, Kotua, kanë një vlerë shumë të madhe në historinë tonë kombëtare dhe atë të arsimit shqip. Është qesharake ta ngarkosh me të pavërteta një intelektual që është shkolluar në një nga universitet më prestigjioze të Europës, Vjenë, Austri duke shkruar se kishte mbaruar një shkollë greke. Në kët libër merr përgjigje shteruese jeta e Pandeli e Koto Sotirit.

Lejen për hapjen e shkollave shqip, për atë periudhë e jepte me ferman sulltani Abdyl Hamiti i II-të dhe ajo iu dorëzua Koto Sotirit i cili ishte së bashku me Pandeliun në Korçë, jo vetëm kaq, por ai çeli shkolla shqip edhe në Pogradec, më 14 mars 1887 e ca më pas në Maqedoni, sidomos në Manastir. Janë të dhëna këto që dalin për herë të parë në dritë, madje Kotua për veprimtarinë e tij patriotike u burgos dhe kur u lërua nga burgu, vdiq në varfëri të plotë në Manastir ku edhe u varros. Pse e morën ata fermanin për hapjen e shkollës shqipe? Sepse ata ishin të besimit orthodoks, ndërsa muslimanëve shqiptarë nuk mund t’u jepej fermani duke i quajtur me tendencë turq. Dhe kjo ndodhte kur në Shqipëri po hapeshin shkolla me shumicë në gjuhën greke. Në vitin 1877 në Shqipëri ishin 1200 shkolla private greke, po kaq turke, 300 bullgare, serbe dhe vllahe: “Pra, gati çdo gjuhë lejohej të mësohej në Perandorinë “tolerante”, përveç njërës, gjuhës shqip”, shkruan shkrimtari i madh Ismail Kadare duke iu referuar historianit francez Serge Metais, autor i librit “Historia e Shqipërisë”, 450 faqe, botim i vitit 2006.

“Pandeliu ishte i lidhur shumë ngushtë me vëllezërit Frashëri, si ideologë të Rilindjes sonë Kombëtare e veçanërisht me Naimin e Samiun. Vëllezërit Frashëri shikonin tek Pandeliu një intelektual të kompletuar që komunikonte lehtë në shumë gjuhë të huaja si greqisht, gjermanisht, frëngjisht e turqisht…Cilësitë e veçanta, sidomos të Pandeliut si mjek, si ushtarak, si intelektual dhe si atdhetar i flaktë e trim, e vinin atë në krye të intelektualëve më të shquar të kohës”, lexojmë në faqen 26 të këtij libri.

Po kështu në lidhje me vdekjen, me fakte, dëshmi dhe rrëfime hidhet poshtë “legjenda” se Pandeli Sotirin e gremisi me dashje bashkëshortja e tij duke e hedhur nga kati i tretë i shtëpisë në Stamboll.

Vetvetiu na lind pyetja; a ka ndonjë muze të këtyre dy vëllezërve, a ka një stendë në Muzeun historik, a është më këmbë shtëpia e tyre në vendlindjen e tyre në Selckë? Fatkeqësisht duhet të përgjigjemi jo. Me keqardhje mund të themi se është diskutuar të mbyllet shkolla e parë shqipe, muze në Korçë, shtëpia në Selckë është rrënuar, madje edhe një tabelë që ishte në themelet e saj, ku shënohej se aty kishte lindur Pandeli Sotiri, vendosur më 1999, u hoq më 2021 me pretendimin absurd të Bashkisë së Dropullit për të bërë unazën e fshatit?! Unazë nuk ka as sot që shkruajmë këto radhë. Është justifikim qesharak dhe mendojmë se ky është një veprim i qëllimshëm antikombëtar. Ky fshat jo vetëm duhe të bëjë pjesë në Bashkinë e Lunxhërisë, ose të Libohovës që ka bërë pjesë dikur, por jo në komunat minoritare. Selcka në shekuj ka folur e shkruar shqip dhe jo më kot prej aty kanë lindur dy korifejtë e arsimit shqip.

Shumë interesante janë përshkruar në këtë libër vlerat turistike të Lunxhërisë, traditat dhe zakonet, dasmat, ritet, përrallat dhe besimet. Të ndalemi tek kapitulli “Në mulli” me nëntitull “Kako Dhoqina rrëfen”, ka një fjalor karakteristik të Lunxhërisë, zakone të lashta dhe rrëfime nga jeta e përditëshme fshatareske. Vetëm në njëzetë e pesë rreshta, unë qëmtova 25 fjalë të vjetra dialektore si: ormisesha, katoi, muslluku, hajati, damblla, bishkorra, palldëm, vaisej, kallamboq, mëngjër, fllacka, thollo, xhuxhulla, sakavica, çallën, kalistir, sergjen, pezul, magjiro, etj. Libri ka edhe shkrime për pemët që rriten në Lunxhëri si fiku i i zi, i shkruar, manat, dardhët, thanat, lajthitë, cercemët, caracat dhe një lule tipike që thuret kurorë për dasma, trëndelina erëmirë e malit. Ka etimologji, histori të këtyre pemëve dhe këngë për to, mbasi ato nuk ishin vetëm ushqim, por edhe “pjesmarrëse” në dasma, gosti e festa familjare, që e shoqëronin njeriun nga lindja e gjer në vdekje.

Këtu janë botuar edhe kujtime nga takimet në Amerikë të patriotëve lunxhiotë të cilët Koçua i ka kërkuar kudo dhe ka biseduar me ta duke mbajtur shënime, pjesën më të madhe të cilave i ka botuar në blogun e vet “Bota bujqësore”.

Me këtë vepër, Koço Mosko ka zbrazur “sënduqin lunxhiot” duke paraqitur bukur historinë, traditat, zakonet, kulturën lunxhiote me një mall e dashuri të madhe mërgimtari, duke evidentuar sakrificat që kanë bërë bijtë e pavdekshëm të kësaj krahine për kombin, gjuhën dhe Shqipërinë.


Avdulla Kënaçi

Mississauga, Kanada

16 comments:

  1. Koço Mosko
    Te falenderoj perzemersisht miku im Avdulla, respektet dhe konsideratat e mia me te mira. Ju ne kete shkrim keni vleresuar jo vetem mua fshatin tim, Lunxherine por me kryesorja dy vellezerit Sotiri, korifej te shqiptarizmës, pioniere te alfabetit dhe shkollave shqip, rilindasit e shquar martire qe deri ne gerahamat e fundit te jetes se tyre menduan e punuan per shkollat shqipe, iluminizmin e shqiptareve, Shqipërine. Lavdi te perjeteshme!

    ReplyDelete
  2. Vangjel Xhani
    Falenderime dhe mirenjohje Avdulla Kenaci qe na njohe dhe prezantove lunxhotin Konstandin Mosko;tashme me hollesite,ndjenjat personazhet atdhetare ,sidoms vellezerit Sotiri na percolle nje realitet me te qarte duke larguar njolla qe pengonin driten shqiptare ,atdhetare te Selckes.Koco i ben nje sherbim historise ,pasuron hipoteken shpirterore atdhetare te fshatit.Nje botim qe vjen nga Bostoni,qe duket se ka edhe bekimin e Nolit,Falenderime.

    ReplyDelete
  3. Irena Shehu
    Urime dhe mirënjohje për punën voluminoze dhe me përkushtim të Koçit, për të hedhur dritë mbi disa fakte dhe pse jo edhe të korrigjohen gabimet, që mund të jenë bërë në biografitë e tyre,mendoj nga mungesa e informacionit. Më vjen vërtet keq për heqjen e pllakës në vendin ku qe shtëpia e vëllezërve (e kish vënë babi im Th. Margariti),por më keq më vjen me arsyen e heqjes.
    Gjithë të mirat Koçit dhe ju Z. Kënaçi për publikimin..

    ReplyDelete
  4. Selam Shkurti
    E lexova manjehere sa e pashe ne fb.
    Nje pershrim kuptimplote dhe shumeplanesh i librit te Koço Moskos.
    Urime AVDULLA per këto risi te reja qe na sjell.
    Urime Koço Moskos dhe suksese.

    ReplyDelete
  5. Luan Shehu
    Ju pershendes Avdulla per pershkrimin dhe vleresimin qe i beni punes serioze e dinjitoze te shokut e kolegut tone. Une e lexova pothuaj pa nderprere sidomos pjesen e kontributit dhe jetes te patrioteve , Pandeli e Koto Sotiri,( te tjerat i kisha lexuar ne blogun qe Koci boton ritmikisht), prandaj ju pergezoj dhe urojme qe ai te vazhdoje te shkruaj e botoje te libra te tjera.

    ReplyDelete
  6. Thanas Medi
    Urimet më të mira!

    ReplyDelete
  7. Kastriot Lame
    Eshte kenaqesi e madhe kur gjenden njerz e intelektual kaq ardhetar si Koço Mosko.
    Urime per punen e tij te palodhur.

    ReplyDelete
  8. Ksenofon Kokolis
    Te pergezoj per nismen dhe vepren tende.Dhe pse ndodhemi larg,te ndjek me vemendje si shok e mik.Do te doja ta lexoja.

    ReplyDelete
  9. Vasil Muka
    Urime Koços, për kontributin e shquar për Lunxhërinë. Nuk di sa vend zënë, e si, Zografajt e Qestoratit. Bukur analiza e z. Abdulla, shpresojmë në korrigjimet e duhura në historinë, fjalorët, enciklopeditë etj.

    ReplyDelete
  10. Genci Çoni
    Z. Avdulla të përgëzoj për këtë shkrim të bukur, për patriotin tim lunxhot, ai nga Stegipuli e unë nip nga Suha. Dy fshatra më poshtë.
    Koçi e meriton vërtet respektin tonë për një punë të suksesshme në karierën e tij si agronom, por në radhë të parë si një njeri serioz, i ndershëm dhe patriot. Dhe pse larg oqeanit zemra i rreh për vendlindjen. Për atë fshatin e vogël Selckë që ka nxjerrë nga gjiri i tij intelektualë me emër. Një ndër ta është dhe Koçi. I uroj shëndet dhe suksese në krijimtarinë e tij shkencore sidomos atë të frutikulturës që pa frikë do të thoshja një shkenctar i mirëfilltë. Respekt për Koçin. Respekt dhe për ju Z. Avdulla Kënaçi për kontributin gjysëm shekullor në gazetari. Ju uroj shëndet përtej oqeanit.

    ReplyDelete
  11. Kristo Kauri
    Urime i nderuar Koço Mosko per kete botim plot vlera! Me statusin e te nderuarit Avdulla Kënaçi krijuam nje ide per permbajtjen e librit.
    Me te drejte ndjeheni krenar qe jeni djal i kesaj krahine plot histori dhe tradita, por edhe krahina eshte krenare me djalin e saj Artist, plot vlera, miresi dhe fisnikeri.
    Edhe ne miqte tuaj, ndjehemi krenar me keto botime qe hipotekojne nje pjese te rrugetimit te kesaj krahine qe ka rrezatuar drite dhe kulture ne vendin tone.

    ReplyDelete
  12. ILLO FOTO

    U kenaqa pa mase nga leximi i persiatjes se Avdulla Kenaci per librin tend "Udhetim ne shpirtin lunxhiot" me vlera te shumaneshme historike dhe kulturore. Ai e njeh me dhembe e dhemballe rrethin e Gjirokastres sepse ka qene gazetar dhe korrespondent i rrethit per shume vite. Nje gje pozitive eshte edhe fakti qe ka mbaruar shkollen e mesme pedagogjike "Pandeli Sotiri". Fillimish kjo shkolle ka qene ne te njejten godine me gjimnazin "Asim Zeneli".

    Me Avdullain me ka prezantuar miku yne i perbashket, i ndjeri Rustem Dobi i pavdekshem. Ne ato kohera nuk kam lene asnje shkrim pa lexuar te ketij gazetari. Me pelqen shume argumenti historik qe ka bere per librin tend, i dashur Koco. Vecoj nga ky argumentim problemin e Bashkise se Dropullit qe ka ne administrim Selcken. I kemi miq minoritaret, kemi shkuar si vellezer me ta, por kemi edhe kontradita historike. Perfundimisht pajtohem me vrejtjen e Avdullait.

    I kam ndjekur shkrime e Avdullait edhe gjate kohes qe ai eshte ne emigrim ne Kanada. Kam disa miq ne Kanada, por me aktivi eshte ish Zv. Rektori i ILB, Naim Mehmeti me origjine nga Cakrani.

    Ne jemi te tere kurbetllinj dhe i duhemi njeri-tjetrit. Me jepet rasti ta uroj per jeten aktive qe zhvillon ne kurbet si dhe per persiatjen (te menduarit gjate e thelle) me permbajtje shkencore qe ka bere per librin tend. Paste jete dhe shendet.
    Sinqerisht, Illo Foto, New York, SHBA.

    ReplyDelete
  13. Lefter Spiro
    Përshëndetje z.Avdulla.
    E lexova me vemendje shkrimin tuaj ku publikoni librin E z.Koco V.Mosko "Udhëtim në shpirtin lunxhiot".
    Ju përgëzoj për punën tuaj studimore mbi aty libër ku na njihni me hollësi me "sunduqin lunxhiot" dhe na kujtoni vitet E shkollës.1962-66 në Gjirokastër."P.Sotiri" E gjithë ato vite të bukura. Gjithashtu na shtohet interesi.pse jo .edhe t'a lexojmë atë liber.nese do t'a gjejmë.
    Respekt.

    ReplyDelete
  14. Koco Luzi

    Te pershendes e te pergezoj Avdulla per shkrimin, parathenie, do ta quaja une, per librin e mikut tone...

    ReplyDelete
  15. Niko Mihali

    Nje shkrim shumë i kompletuar që evidenton vlerat e Lunxherise dhe punen elitare te studiuesit Koco Mosko, punë e cila vec informacionit dhe të inspiron. Flmnderit i dashur Avdulla!

    ReplyDelete