Saturday, 30 March 2024

PLEHËRIMI PRANVEROR I BIMËVE NË KOPSHT

përgatiti:  Bajram ASLLANI

Prishtinë, Kosovë

        


Në pranverë natyra zgjohet nga gjumi dimëror, bimët fillojnë të vegjetojne, të rriten dhe të lulëzojnë  Plehërimi pranveror i bimëve nuk është vetëm një detyrë praktike, por edhe një mënyrë për të treguar kujdes me natyrën, të kontribojmë në mirëmbajtjen e mjedisit që na rrethon. Duke u kujdesur për bimët  ne kemi bërë kështu një hap të rëndësishëm drejt një mjedisi më të mire e më të gjelbër dhe rrjedhimisht dhe më të shëndetshëm për të gjithë. 

        Duhet të hedhim hapat e duhura për të kryer plehërimin  pranveror të bimëve që të  gëzojmë frytet e zbukurimit të natyrës që na rrethon në vazhdimësi.

        Një plehërim i mirë i bimëve është  jetik për ruajtjen e shëndetit të tyre dhe nxitjen e rritjes së fuqishme.

        Gabimet që zakonisht bëhen në pranverë nga kopshtarët, është aplikimi i gabuar i plehrave, i cili jo vetëm mund të dëmtojë bimët, por potencialisht mund të dëmtojë edhe rëndë mjedisin në tëresi.

        Ky udhëzues gjithëpërfshirës përshkruan mënyrën e duhur për të plehëruar  bimët në kopshtin tuaj, për t’u siguruar që ato të marrin lëndët ushqyese që u nevojiten duke mënjanuar rreziqet përkatëse. 

        Para së gjithash është thelbësore të kuptoni mirë ndërtimin funksjonimin  dhe shtrirjen  e  sistemit rrënjor të bimëve. Pjesa më e madhe e rrënjëve të bimëve, duke përfshirë edhe qimet thithëse të rrënjës që marrin ushqimin,  nuk janë të vendosura në bazën e trungut, por më tepër shtrihen nga jashtë nën mbulesën e bimës, pra në projeksjonin e kurorës  se bimes në tokë.   Këto rrënjëza janë kryesisht përgjegjëse për marrjen e lëndëve ushqyese.       Kemi disa hapa që duhet ndjekur kur të vendosim të bëjmë plehërimin e bimëve në kopsht.

1.  Vlerësimi i nevojës për plehërim,  testimi i tokës:

        Kryen analizat e tokës për të përcaktuar përmbajtjen ose nivelin  e lëndëve ushqyese specifike që nevojiten  ose mund t'i mungojnë bimëve për rritjen normale  të tyre. Kjo do t'ju ndihmoj të zgjidhni llojin e duhur të plehut. Gjithashtu,  mund të shikoni për shenjat e mungesës së lëndëve ushqyese në bimët si: gjethet e zbardhura,   rritja e ngadaltë e bimës  ose rënia e hershme e gjetheve.


2.  Zgjedhja e plehut të duhur:

        Ka disa lloje plehrash që mund të përdoren për këtë qëllim, duke filluar nga plehrat organike deri tek plehrat kimike të përgatitura.

        Plehrat organike, siç janë  plehrat blegtorale ose kompostimet, janë opsione të shkëlqyera për t’i plehëruar bimët në mënyrë natyrale. Këto lloje plehrash ofrojnë një gamë të gjerë lendesh ushqyese dhe sigurojnë një mjedis të shëndetshëm për zhvillimin normal të  bimëve.

        Në anën tjetë, plehrat organike  janë të pasura me makro dhe mikro elemente  bazike për bimët tuaja.      Është e rëndësishme të zgjidhni një pleh me çlirim të ngadaltë që përputhet me nevojat për lëndë ushqyese të identifikuara nga analizat e  tokës. 

        Në përgjithësi në pranverë rekomandohet një plehërim me raport të balancuar N-P-K (Azot, Fosfor, Kalium), përveç nëse analiza e tokës sugjeron ndryshe.

Plehërimi i  bimeve me pleh organik te stalles. 

3.  Plehrimi i bimëve me plehra kimike N.P.K

        Përveç zgjedhjes së plehrave të duhura, është gjithashtu e rëndësishme të aplikohen ato në mënyrë të saktë në tokë. Një dozim i gabuar i plehrave mund të shkaktojë dëme serjoze në bimët dhe të ndikojë në tharjen e tyre.    Është e rekomandueshme të ndiqni udhëzimet e prodhuesit për dozën dhe përdorimin e plehrave në mënyrë të drejtë.

Plehrat kimike (N,P,K,)

        Aplikojeni plehun në zonën ku qimet e rrënjës janë më aktive,  ndodhen  nën kuroren e bimës dhe shtrihet pak përtej trungut të bimës. 

        Shmangni plehërimin direkt në trungun e bimës. Shpërndani në mënyrë të barabartë kokrrat e plehut mbi sipërfaqen e tokës brenda zonës së rrënjës.  

        Për depërtim më të thellë të lëndëve ushqyese, merrni parasysh  prashitjen e bimëve  dhe largimin e barojave para aplikimit te plehut. 

        Pas aplikimit të plehut, ujisni zonën tërësisht për të ndihmuar në lëvizjen e lëndëve ushqyese në tokë ku rrënjët mund t'i thithin ato lehtësisht. 

        Sigurohuni që uji të mos grumbullohet rreth trungut të bimës, mbihidratimi dhe kullimi i dobët i tokës mund të çojnë në kalbjen e rrënjëve. Sigurohuni që toka rreth bimëve tuaja të thahet mirë. 

        Plehërimi i drejtë i bimëve ka të bëjë më shumë sesa thjesht sigurimin e lëndëve ushqyese; ka të bëjë me sigurimin që ato lëndë ushqyese të shpërndahen në  mënyrë që të ndikojnë në shëndetin dhe mirërritjen e bimëve. 

        Duke njohur sistemin rrënjor të bimëve, duke përdorur plehrat e duhura dhe duke e aplikuar atë në mënyrën e duhur, kopshtarët mund të rrisin vitalitetin e bimëve të tyre.          Mos harroni, qëllimi është të mbështesim proceset natyrore të bimëve, duke krijuar një mjedis të qëndrueshëm për zhvillimin e tyre.

 

 

 

Wednesday, 13 March 2024

SHI NË VARREZA

nga:  Sami MILLOSHI 

Boston, SHBA


Sami MILLOSHI
       Kur vajta unë në varrezat e Jamajca Plains të shihja varrin e Fan Nolit, kisha mësuar se atë e kishin lënë katër vjet pa varrosur. Isha trishtuar shumë dhe doja të mësoja se, si kishte qenë e mundur që një burrë me kaq famë kishte mbetur pa varr për katër vjet.        
pyeta zonjën e zyrës së varrezave:
- A mund të ma thuash ti të vërtetën ?
- Dëgjo zotëri - edhe sikur ta dij,unë nuk mund të ta them ty.
- E kuptoj - i thashë - Por ti po ma shton mua trishtimin sot.
- Po pse?- tha zonja.
-Sepse unë të dukem ty një hiçkurrkushi. 
-Jo zotëri - ti je dikushi përderisa vjen me një tufë lule te një varr në këto varreza.
- Ai varr është varr shqiptari- thashë unë.- Dhe unë dua të mësoj një të vërtetë... Kaq asgjë më shumë.
-Nuk mundem, të të ndihmoj- tha zonja.
Ika nga varrezat edhe më i trishtuar. Me një mijë pyetje që ma turbulluan kokën.

        Pse ky shqiptar i madh fle në këto varreza amerikane dhe jo në tokë shqiptare ? Pse ia shkatërruan me dinamit varrin e Nanës Mbretëreshë? Pse e varën në mes të qyetit një poet? Dhe pse i pushkatuan dy te tjerë ne lulen e rinisë ? Pse ia hodhën eshtrat ne lumë Atij që na la trashëgim shkronjat? 
Pse erdha unë këtu ? Dhe a do të më lënë edhe mua katër vjet pa varrosur? Pse duan të ma mbyllin gojën mua dhe pse të thonë ty se qenkam i lirë ? 

        Pse atij të marrit ia ruajnë kokën me bodyguardë dhe atij kriminelit i thurin këngë? Pse, pse , pse,....
Shiu i pse-ve filloi të binte stuhishëm mbi varrezat e Jamajca Plains dhe më kujtoi se duhej të kthehesha në shtëpi. Ika pa e marrë një përgjigje për Nolin dhe këtë do t'ia tregoj edhe atij kur të vijë koha ta takoj në varreza...

Saturday, 9 March 2024

NËMERÇKA DHE FËMINIA JONË


"(Një bejte e një veterineri sarandjot,  toponimi sllav i malit, mbresa të përjetuara në shpatet dhe baxhot e Nëmërçkës, tuneli në mal, arkat me municion, ardhja në pushtet në Greqi e Juntës së kolonelëve,  furtuna që rezikoi jetën e ushtarëve, stuhia që desh mbyti kopetë dhe barinjtë, një mal me disa emra( në Pogonin grek i thonë dhe mali i Meropit, në librat grekë të Gjeografisë e kam gjetur me emrin Dhuskos. e tj .) "

 


nga:  Petro Mejdi

Athinë, Greqi


Sa herë në vitet që kam qënë larg saj, dhe këta janë më të shumtët e jetës sime, kur sillja ndërmënd Nëmerçkën, më kujtohej , si pa dashje, bile e përsëritja me vete , gati e recitoja me zë dhe më e keqja e shoqëroja dhe me një buzëqeshje të lehtë , e mjaftë kjo që një kalimtar të të kalonte për një të marrë, një si poezi, të cilën e kisha dëgjuar dikur në klubin e vjetër të Poliçanit. Kjo bejte, thonë se është e vërtetë, e krijuar nga një veteriner, ndoshta dhe nga ndonjë bari i pa mësuar me viciot e Nëmërçkës, të dy këta,  më shumë mundësi ka që ta këtë thurur veterineri, shprehin enigmat e atij mali, të papriturat e tij. Ja vargjet: 

Kur dola në majë Shtërbinë 

Pashë malin Saraqinë

A të keqen , o moj Vrinë!

Njeriu i kësaj bejteje të mënçur, kur u nis nga Poliçani, ku e kishte lënë zisi i Sarandës, kishte diell dhe kur po i ngjitej Nëmërçkës, sa pa arritur tek " ta qefalia" , qielli u mbush me re, dhe pas pak filluan bubullimat, vetëtimat dhe rrufetë, të cilat në atë pafundësi pllajash, honesh dhe majash të trëmbnin. Dhe thonë se ai , njeriu i bejtes nuk u kthye më në Nëmërçkë. 

 

Nëmërçka, kam menduar shpesh, pas njuhurive gjuhësore për etimologjinë e fjalës,  për këtë toponim. Dhe kam dalë në përfundimin se është një sllavizëm, i cili , në rrënjën e tij ka fjalën slave "njemashe" domethënë "asgjë".  Dhe vërtet ky mal i lartë, 2489 m, i treti në hartën e Shqipërisë për nga lartësia, i pari në Jugun e saj, nuk ka asnjë metal. Nga ana përendimore,  nga ana e Pogonit dhe Zagorisë, ka vetëm kullota dhe çaj mali, ndonjë oaz të vogël me pemë, disa të shpërndara larg e larg, nga ana lindore, nga ana e Çarshovës ka pyje, dikur më të shumtë,  ka më shumë burime. 

 

Duke udhëtuar nga Leskoviku për në Korçë , Nëmërçka të shfaq bukurinë e saj të rrallë, të ashpër dhe emocionuese. Ajo maja e saj të shoqëron deri në Qafën e Qarit, deri pak metra sa të fillojë e tatëpjeta e Fushës së Korçës.

 

Pamje të tillë, si ai masiv i bukur i majës së Nëmërçkës, kur e kundron nga Leskoviku, nuk kam parë kurrë. Ndoshta më pëlqen, më duket e bukur se është e Nëmërçkës, e malit,  i cili e ka pasuruar dhe zbukuruar aq shumë fëmijërinë dhe jetën tonë. 

 

Për herë të parë i jam ngjitur Nëmërçkës për çaj , për dufa dhe mallathria, dy lloje bari që rriten vëtëm në pllajat e saj. Disa shkonin tek nometë e vjetra në të cilat rritet nanaja, një lloj barishteje që disa familje e hanin, e gatuanin si puna e spinaqit, e përdornin në byrekë dhe një pjesë e thanin për dimer. Dhe që herën e parë që vura dorën për të këputur një tufë të madhe çaji gjithë lule, ( thashë ta këpus, se kështu na mësonin më të mëdhenjtë, jo si sot që e shkulin dhe ai, çaji i malit, rrallohet nga viti në vit.),  jam trëmbur aq shumë, kur mbi kokën time u dëgjua një potere e madhe,  që më bëri që të shoh nga qielli, se zhurma më dha përshtypjen se mbi pllajën ku mblidhja çaj, kaloi një skuadrilje aeroplanësh. 

 

Çaj Mali                                                                             Thellëza  

Ishin një tufë thëllëzash, ndoshta dhe dy, të cilat zbritën poshtë në luginën e thellë dhe të thyer.  Ato shkonin për të pirë ujë në përroin e Kukuratos. Por frikën më të madhe e provova kur një herë vura drapërin për të prerë mallathria, njera dorë preku diçka rë ftohtë e të butë. E hoqa menjëherë. Ishte një gjarpër i zi, i vogël, gjarpëri më helmues i Nëmerçkës .

 

Nëmërçka ne që na rri pas shpine, bile Sopikut e Poliçanit u rri si një hije e rëndë, si një kërcënim, kur ajo ngarkohet tejmase me bardhësinë e borës , masë gjigante kjo që sjell dhe orteqet. Poliçani e ka pësuar prej tyre,  njera lagje, e sipërmja, një pjesë e saj,  është e mbuluar nga zhavori. 

 

Skoreja ime nuk rezikon as nga orteqet,  as nga ujërat e shkrirjes së dëborës.  Pas pjerësisë së shpateve të malit, vijnë kodra të veshura me dëllinja, arra dhe shkozë, vjen një gropë që i thotë ndal çdo reziku. Tereni ka një konfiguracion të tillë që për Skorenë të këqiat natyrore të malit i disiplinojnë dy përrenj,  dy luginëza, të cilat mblidhnin ujërat e tëpërta dhe orteqet,  të cilët nuk ndodhën kurrë. 

 

Vite ngjitesha deri tek " ta qefalia , shpatet e malit. I kalova qefalat kur me babain ngjiteshim me mushkat e ngarkuara me dru për në baxho. Që nga mesi i natës do të niseshim për në mal, e kuptoja nga që babai vinte në shtëpi me trasta të mbushura me qepë të njoma, patate të reja, marule, tranguj dhe domate e speca. I çonte tek baxhoxhinjtë dhe ata i jipnin djathë kaçkavall, një gjysëm rrote , gjizë dhe gjalp. E mbaj mënd, kur dy baxhoxhinjtë, të dy nga Çatista, çato, siç u thoshnim çatistiotëve për t' i ngacmuar, ia jipnin trastat si me frikë.

-       Sqepaseta kalla buxovllahe, tha mas kapsis an su ta dhune.( Mbuloi mirë buxovllahe, do na djegësh po t' i panë) 

Bënin shaka me babain, ishte dhëndër në fshatit e tyre, nga gruaja e dytë.

 E donin plakun se ishte i vetmi kafshar që duke ngarkuar Mulen, mushkën legjendare të brigadës së Skoresë, e vetmja që nuk trembej kur e ngarkonin me dy kazanë të mëdhenj deri në baxho. E dhe sot më jehojnë në vesh thirjet inkurajuese të babait ndaj Mules,  i thëriste thua se ishte njeri. Mulja nuk trembej, por të plasariste buzët me atë të ecurën e tij të ngadaltë. Pasi u plak dhe iku nga kjo botë, si të gjitha qëniet me shpirt, në fshat u mërzitën shumë njerëz ,( bile disa, duke ditur lidhjen e plakut me Mulen duke ia kujtuar gjithmonë " Pu ine o Mules),  natyrisht, ne të baba Rakos, që ishim lidhur që fëmijë në samarin e tij, u mërzitem dhe më shumë. Mulja me punën e tij na kishte rritur. Babai, shumë i mërzitur dhe në shënjë mirënjohje për të, nuk ua bëri pre qenve , por e groposi.

 

Baxhoja ishte gati në të kapërcyell të faqes së malit që bie nga Pogoni, kështu që nga ajo lartësi shikoje mrekullira. Një qiell blu, i cili varej tutje Makrikambos, nga ana e Greqisë, në Bureto, pas tij është Libohova dhe më tej Dropulli,  nga Bisei e Dhëmbeli tej në Zagori. Vetëm nga ajo lartësi mund të shikosh të fshehtat e Pogonit , deri tej në Drimadhes dhe Stavroshqadh, dy fshatra të Pogonit grek.

 

Në një nga herët që u ngjitëm në baxho mora guxim "dhe bëra tutje" .U mahnita me malet e përballë, me pyjet dhe sidomos me disa shkallina të mëdha që vinin njera pas tjetrës,  dhe në hapësirën midis tyre shfaqeshin disa fusha të gjëlbërta,  si ato të futbollit. Të gjitha fshatra të Përmetit, 

 


Pranë baxhos pashë një lerë për herë të parë dhe më bëri përshtypje uji gjithë krimba dhe një masiv dëbore që shkrinte ngadalë dhe nga ku merrnin ujët baxhoxhinjtë për punët e tyre. 

 

Mali pasi kalonte kufirin shtetëror hynte një pjesë më e vogël në Greqi. Njeri krah shkonte deri në Sheper, aty takohej në këmbët e tij me Dhëmbelin dhe ai , Dhëmbeli,  i vidhte lavdinë e fundit , emrin e grykës.  Aty shpatet vinin më të buta, dhe nuk kishte kodrina si në Skore , por ato gati binin në ujërat e rezervuarit .

 

Ne të Skoresë para shumë vjetësh,  aty nga 67- 68, nxënës shkolle akoma, mblidheshim tek ballkoni i kafenios , ishim thuajse të gjithë fëmijët aty, shtyheshim se kush do të zinte vënd më të mirë, sikur ajo që do shikonin nuk ishte lart në majën e Nemërçkës,  por diku përpara nesh, e dinim kohën e shpërthimit të minave, me të cilat ushtria hapte një tunel. Në Greqi kishte ardhur në pushtet Junta Ushtarake e Kolonelëve dhe po fortifikohej vendi. Më të mëdhenjtë na thoshnin se nga Nemerçka dhe Bureto( sto Karfi) ushtria shqiptare mund ta hidhte gjylen me top m'u në mes të Athinës. Ne çuditeshim, se si qe e mundur kjo!

 

Dhe në atë pranverë të një mobilizimi ushtarak, pas parullave nëpër muret e Skoresë kundër Juntës, erdhën ushtarët dhe zboristët. Në këtë lojë u thirën dhe mushkat. Me babain , më mori dhe mua se në mbrojtje të Atdheut "u thir" dhe Roidha,  mushka e shtëpisë, emri dhe matrikulli i së cilës ishin në defterët e ushtrisë shqiptare. 

 

Sa u futëm në repart, atëhere ishte mbi varrezat e Poliçanit,  ndihej klima e mobilizimit. Ishin shtuar rojet, armë të rrënda, topa,  mitrolozë ishin shpërndarë në atë pllajë ku ndodhej reparti.  Aty pashë makina ushtarake me goma më të larta, të mbuluara dhe që nuk kishin gjurmë balte të vjetër. Kur oficeri na tha se do të ngarkoni arka me municion, vura re një ngrysje të plakut në fytyrë. Këtë e kuptoi dhe oficeri.

- Mos kini frikë, e dhe sikur në tokë të bien, fishekët dhe predhat nuk plasin.

Të dy me plakun çelëm në fytyrë. Do të ngjiteshim lart në Nëmërçkë me kasonat e mbyllur dhe që binin një erë vaji armës.

 

Ndryshimet politike në Greqi sollën dhe ushtrinë shqiptare më afër Nëmërçkës. Në vitin e grushtit të shtetit në Greqi,  ushtarët nuk ikën me ardhjen e dimrit si gjithmonë, por qëndruan aty në istikame.

 

Një dimër stuhia bllokoi disa ushtarë. Ata kishin njoftuar këtë gjëndje të re dhe u nisën drejt Nëmërçkës forcat e ushtrisë. Ky alarm dhe shqetësim kaloi dhe midis skorjadhitëve, ata ishin bllokuar në pjesën e malit përballë Skoresë. Ushtarët shpëtuan. Unë mbaj mënd se si në fshat pas 2- 3 ditësh lexohej një reportazh për këtë aksion humanitar i botuar në gazetën e re lokale "Pararoja." Ndoshta i shkruar nga Abdulla Kënaçi dhe Luan Fino, ndoshta.

 

Nëmërçka,  ashtu si çdo mal i lartë ka të papriturat dhe kapriçot e veta me kohën.

Nuk kishte faj sarandioti që iku i trëmbur nga stuhia. Kështu e pësuan dhe kopetë e kooperativës së Pogonit kur stuhia i zuri në mal. U shkul i gjithë fshati për të shpëtuar pronën e përbashkët. Midis barinjve ishte dhe xhaxha Vasili. Ai rezikoi shumë,  desh ngriu. Kur më vonë ra në burg  babai, mes dhimbjes tha:

-       Më mirë të ishte mbytur atëhere në mal, nuk do ta hiqnim këtë që po heqim. Më mirë vdekja, se sa burgu, nga i cili e pësonin dhe të tjerë.

 

EPILOG

 

Dikur mali dhe në verë zbarthte oaze - oaze, jo vetëm nga dëbora që shkrinte vonë, por dhe nga kopetë e dhënve. Vinin nga fundi i pranverës që nga Saranda dhe ne nxënësit e shkollës shonim për t' i parë. E dhe kur ktheheshin i shoqëronim për pak udhë. 

 

Na tërhiqte melodia dhe kënga e zileve dhe blegërimave. Nuk më harohet, kanë kaluar mbi 50 vjet, një qingj, të cilin e mbante varur nga këmbët e përparme një bari, ai më shumë i ngjante një qeni a majmuni, se sa një qingji. Atë që kishte ndodhur me qingjin e mësuam më vonë në librat e biologjisë.

 

Kishte behare që mishi në Poliçan shitej gati falas. Mbushej qëndra e tij me dele të therura për shkak të helmimit nga bari.

 

Po sot Nëmërçkë pa m'thuj si je? - për të perifrazuar vargun e poetit. Gjithë ato pllaja kanë sot shumë pak bagëti, çaji po shkulet, gjahu bëhet pa kritere. Dhe njerëzit kthejnë vështrimin nga mali dhe sikur thonë:

-- Po ti or mik vetëm gurrë dhe bar ke?!

Dhe njerëzit shpresojnë se atë që nuk e ka bërë mali, f litet se do ta bëjë lumi me dy hidrocentralet e tij. Por optimizmi është i përmbajtur. Kështu u gëzuan dhe për rrugën Drimadhes( Greqi) - Sopik, por u zhgënjyen.

A thua Nëmërçka do të derdhë më shumë ujë tek lumi dhe centralet do të ndërtohen. Ndoshta !