FERMA “AGRO BEQARI” NË NEPRAVISHTË,

KONKURENTE E DENJË NË EKONOMINË E SOTME BUJQËSORE SHQIPTARE


....... është një prej fermave më konkuruese në rang kombëtar...

 

Lugina e Drinos   (Foto nga: Rajmond Kola)

nga : Besnik ISMAILATI

agronom në pension 

Libohovë


Ferma “Agro Beqari” është një fermë familjare e krijuar në vitin 1990, e cila aktivitetin e vet e kryen në Bashkinë Libohovë dhe në Bashkinë Dropull. Fillimisht ajo u krijua mbi bazën e tokës private familjare të menaxhuar nga Kadri Beqari, banor i fshatit Nepravishtë. Në vitet e para ajo kultivonte kryesisht drithrat e bukës, grurë e misër, por merrej edhe me perime e pemtari ku kultivonte dhe vazhdon të kultivojë dardhë, kumbulla, fiq, hardhi, ullinj, etj. 

 

Gradualisht me fuqizimin e saj ekonomiko – finaciar dhe me sigurimin e bazës së plotë mekanike bujqësore për kryerjen e të gjitha shërbimeve në kulturat bujqësore, synimi i fermës ishte zgjerimi i aktivitetit të saj prodhues nëpërmjet shtimit të sipërfaqes së tokës bujqësore, përmirësimit të agroteknikës dhe teknologjisë bashkëkohore së kultivimit të drithrave të bukës, tërshërës, jonxhës, etj. Tashmë ajo është një prej fermave më konkuruese në rang kombëtar duke kultivuar një sipërfaqe të konsiderueshme prej më shumë se 450 ha tokë arë të marë me qera në Bashkinë Libohovë dhe Dropull. 

Fermeri Kadri Beqari(djathtas) me dy djemtë e tij Eminin dhe Klintonin


Fillimisht zhvillimi i fermës ka ecur në shinat e një ekonomie bujqësore private tradicionale dhe spontane, e pambështetur financiarisht nga programet qeverisëse kombëtare, por gradualisht me punë e këmbëngulje ajo krijoi bindjen dhe besimin e plotë për të kaluar në një vendimmarrje të mirëorganizuar dhe të mirëmenduar në nivel biznesi. 

 

Aktualisht familja Beqari kultivon duke përdorur farëra cilësore dhe një agroteknikë të lartë bashkëkohore bujqësore mbi 100 ha misër për kokërr me rendiment mesatar mbi 130 kv/ha, mbi 150 ha me grurë me rendiment mesatar mbi 60 kv/ha, mbi 150 ha tërshërë për kokërr me rendiment mesatar 20 kv/ha dhe 50 ha me jonxhë për prodhim bazë ushqimore me rendiment mesatar mbi 400 kv/ha njomishte. 

 

Përveç destinacionit kryesor të prodhimit të drithrave të bukës, kjo fermë kultivon në tokat e saj në fshatin Nepravishtë një pemtore me mbi 280 rrënjë ullinj, si dhe është në fazën e investimit privat për krijimin e një plantacioni të ri me arrë vendi dhe “Kalifornia”.

 

Sot ferma “AgroBeqari”, e organizuar dhe e konsoliduar plotësisht me të gjithë elementët e nevojshëm ekonomikë, materialo – teknikë dhe organizativë, si e vetmja fermë bujqësore në rajonin e Gjirokastrës e më gjerë, falë edhe bashkëpunimit frytdhënës me mjaft kompani bujqësore vendase e të huaja, është fokusuar në zhvillimin e përqëndruar të bujqësisë që nënkupton organizmin dhe menaxhimin e prodhimit bujqësor sipas ligjeve dhe parimeve të funksionimit normal të biznesit, pra organizimit në mënyrë të përqëndruar dhe të koordinuar të prodhimit bujqësor në shkallë të gjerë, në të gjitha hallkat dhe proceset në të cilin ai kalon. Kjo mundësohet duke luajtur rol specifik në prodhimin, grumbullimin, mangazinimin, amballazhimin dhe ruajtjen e produkteve bujqësore.

 

Bujqësia në përgjithësi është një sektor mjaft delikat, por për shkak të mungesës së politikave mbështetëse e orientuese, rrisku është shumë i lartë, prandaj kjo ekonomi familjare është munduar ta diversifikojë rriskun duke u përqëndruar në disa kultura bujqësore, duke i kryer investimet në periudha të ndryshme kohore.

 

Në një sipërfaqe relativisht të madhe kultivohen hibridet e farës së misrit “Pioner”, “Golden West”, “Dekalb”, “Korduna”, si dhe farat hibride vendase “Rozafa”, farat e grurit italiane “Vitorio”, ato të jonxhës “Gea”, etj. Për të eleminuar infeksionet e ndryshme të tokës , bëhet rotacioni i kulturave bujqësore vit pas viti, duke eleminuar përdorimin e një sërë pesticideve për luftimin e insekteve të ndryshëm të tokës. Në bazë edhe të kushteve klimatike, hibridet e misrit të përdorura janëe vegjetacion 120-130 ditë dhe ato të grurit 9-mujore.

 

Aktualish ferma “Agro Beqari” disponon të gjithe mjetet e nevojshme të mekanikës bujqësore dhe industriale për të kryer të gjitha punimet që duhen për prodhimin, grumbullimin, amballazhimin dhe ruajtjen e prodhimeve bujqësore. Aktualisht kjo fermë është në fazë investimi për ndërtimin e një fabrike mielli për të prodhuar miellin e grurit bio, i cili do të tregëtohet nën logon “Agro Beqari”. 

 

Sot në Shqipëri ekzistojnë shumë ferma familjare, të cilat për shkak të copëzimit të tokës bujqesore, e kanë shumë të vështirë zhvillimin në nivel biznesi, por ferma “Agro Beqari” duke qenë se operon në zona ku emigrimi i popullsisë është në nivele të larta pas viteve 90’, falë edhe përkushtimit familjar dhe punës disavjeçare , ka arritur ta zhvillojë ekonomine familjare në një nivel tjetër , duke krijuar një model të suksesshëm të zhvillimit të bujqësisë.



 

1 comment:

  1. Illo Foto
    Duke lexuar , kete informacion te rendesishem bujqesor , u entusiazmova , pa mase . Kjo ferme eshte dallandashja e pare , ne kushtet e Lunxherise , per zhvillimin e bujqesise te gjere , por edhe per freninimin e cpopullimit te krahines . Si mund te rrine batall , tokat e mbekullushme te lugines se Nimices . Te perkrahet nje sipermarres i guximshem dhe ne ato toka , mund te lulezoi nje bujqesi e pa pare , sepse sot ka farna te zgjedhura , ka programe per ndihme dhe ka mekanizim , qe shmang , sado pak fuqine puntore te kufizuar . Tokat , ne Greqi , nuk u afrohen tokave te lugines Drinos . Eshte koha te beni ndryshimin e madh Illo Foto

    ReplyDelete