Thursday, 29 August 2024

SHARTIM apo MBOLASIE!?

-   A janë shqiptarët të parët që aplikuan shartimet !? –




përgatiti: Koço MOSKO

Boston, MA - SHBA

Nëqoftëse do t'i referohemi historisë botërore të shartimeve, mendohet se aplikimet e para janë kryer që në Persinë e Lashtë por, nuk ka të dhëna të mjaftueshme që të na e vërtetojnë. Shumë autorë të tjerë mendojnë se shartimi i pemëve  ka lindur në Mesdhe, para dhe gjjat periudhës së antikitetit greko-romak. Për këtë ka shumë dëshmi e shkrime dhe thuhet se është shumë më i  lashtë se kaq. 

 

Proçesi i shartimit në dialektin lokal, trevat e Gjirokastrës, por jo vetëm, quhet: “mbolas" ose "mbolasie”. Pema që rrjedh nga ky proçes, quhet "mbolë". Mendoj se fjala “mbolë”apo “mbolas”, mjaft e përshtatëshme për këtë process, rjedh nga gjuha shqipe e vjetër ose pellazgjishtia . 

 

Në fjalorin e gjuhës shqipe nuk është e pasqyruar kjo fjalë, e kanë zëvëbdësuar me fjalën “shartim”.  Unë e gjej si të  përshtatëshme edhe këtë fjlë, sepse  para se të mbolaset shartohet nënshartesa, por proçesin e shartimit e përcakton më mirë fjala “mbolas” dhe “mbolë”, sepse tani jo të gjitha bimët që mbolasen nëshartesa sharohet. 

 

Nndoshta fjalën mbolas gjuhëtarët e kanë përcaktuar si  fjalë që rjedh nga gjuha greke, dhe e kanë hequr.  Unë nuk e di se si mund të  etimologohet greqisht kjo fjalë, por  për mendimin tim fjala  “mbolas” ose “mbolë” është shqipe e pastër. 

 

Detarët në lashtësi në anijet e tyre vendosënin  një pjesëz të vogël tek kufiri ku anija duhet të mbulohej nga uji, e quhej në shqipen e vjetër ose pellasgjisht “embolo”,  pra e mbulon.  Edhe tek shartimet jo të gjitha pemët shartohen me njera tjetren. Siç kemi dardhë me gorië, kumbull me qershi e pjeshke  shumë të tjera.  Pra gorica e pranon dardhën “embulon” kanë thënë të parët tanë. 

 

Etimologjia e fjalës “mbolë”, hidh pak dritë edhe për historinë e shartimeve në Lashtësi. Tradita e kultivimit të pemëve nëpërmjet shartimeve, duhet të jetë një praktikë shumë e vjetër në gjithë trojet shqiptare dhe “Dardhanelet” , Dardanelet. Mendoj se është një traditë e trashëguar brez pas brezi  dhe përbën një eksperience të rrallë, unike dhe të vyer në historinë e kultivimit dhe përmirësimit të bimëve.

 

Gjatë periudhës bizantine e osmane, ka të dhëna se kjo metodë ishte e zhvilluar nëpër  kopshtet e manastireve dhe pashallarëve osmanë. Historinët  tegojnë  se kopshtarët më të zotë në atë periudhë, kanë qenë shqiptarët, të cilët sigurisht duhet ta kishin ushtruar këtë zanat shumë kohë më parë. Këto të dhëna  na çojnë në mendimin  se paraardhësit e shqiptarëve, duhet të kenë qenë ndër të parët në Mesdhe  dhe Evropë në këtë drejtim. Mirpo shkrime apo fakte që të na e vërtetojnë, mungojnë. Për t’i zbardhur këto çështje mund të përbëjë obkekt studimi për studjuesit bimorë  ndoshta  dhe për gjuhetarët.. Ndërsa fjala “mbolë”, “mbolasje” për mendimin tim duhet  të jetë në fjalorin e shqipes së bashku me fjalët: “shartim” e “shartesë”, tregon se sa e pasur dhe e thellë është gjuha jonë. 

 

Sot shartimet kanë evoluar shumë, kryhen jo vetëm për shtimin dhe përmirësimin e pemëve, por kryhen edhe në te gjitha bimët barishtore e më gjerë. 

 

 

Wednesday, 28 August 2024

NJIH VETVETEN


- Letër e babait me këshilla për djalin -  

nga: Fiqri SHAHINLLARI

Alexandra. VA - SHBA


Ylli, biri im i shtrenjtë! Kësaj letre i vura emrin "Njih vetveten" sepse të kam ty parasysh. Që ditën kur u largove nga shtëpia dhe Atdheu mendja dhe zemra ime ka qënë dhe është te ty. 

 

Sot u mbushën plot shtatë muaj nga dita kur ti u largove nga gjiri prindëror. Po e ndjej çdo ditë e më shumë se shprehja :" Larg syve, larg zemrës" nuk pi ujë kur është fjala në marëdhëniet prind-fëmijë..

 

Kjo e vërtetë mua si baba më detyron që të jap ca këshilla prindërore që m'i ka mësuar mosha, jeta në daç po them edhe dija e deritanishme.

 

Jemi grrindur ndonjëherë edhe për hiçmosgjë. Të kam falur. Mendoja se nga ana jote kanë qënë shpërthime emocionale gjaknxehta të rinisë. Inatin që të gurgullonte në gjoksin tënd unë e shqyrtoja brenda vetes si ndjenjë e justifikuar e cila kalon bashkë me kohën, se çdo gjë në jetë është kalimtare. Në gjaknxehtësi ti nuk arrije të "përtrypje" mirë atë që kishe në kokë pataj ta nxirje mbi gjuhë e cila vërtet kocka s'ka por kocka thyen. 

 

Edhe ti ma falje ndonjë veprim të nxituar që bëja ndaj teje. E justifikoje me të drejtën e prindit që cdo gjë e bën për të mirën e fëmijëve të vet. Se halli i fëmijës është edhe halli i prindit. E kuptoje ligjin hyjnor se prindi, sido që të vijë puna në jetë, flijohet për fëmijët e vet. Ikën prindi nga jeta por le fëmijët pasardhës për të cilët dëshiron vetëm të mirën. Falja është virtyt, është forcë jo dobësi. 

 

Zënkat e tilla për hiçmosgjë janë kontradikta brezash edhe brenda familjes. Mbaj mend që njëherë t'u betova kështu:" Për hallet e mia që është siç të them unë"! Ti u habite." Ç'është ky lloj betimi?"-pyete. 

 

Është betim për hallet që kam e që më fërkohen me nervat e mia dhe lëshojnë xixa- t'u përgjigja. Nuk ke dëgjuar shprehjen që u mblodhën ata apo ato dhe po qajnë hallet? Tani që të kam larg, në emigracion, them: ku t'i gjej ato zënka, xhan o halle ato të dikurëshmet para hallit të madh që më shkaktove mua dhe satëme. Kjo dambllamadhja kur e mori vesh largimin tënd dhe sidomos shkakun e ikjes u bë mehit në fytyrë, u fishk sakaq si oshafe e cingaridhe. Nuk vinte gjumë në sy. 

 

Debatin e fundit, ti e di, e patëm për lëndën narkotike që fillove të pije. Për atë të flamosur drogë debatuam ashpër.. Këtu më ra pika. Nuk mbante më pilafi ujë. Oh, nën' e zezë! Rrinim me gjak të ngrirë. Dilje nga shtëpia po a do të ktheheshe? Se cfarë nuk na dëgjonin veshët në atë kohë po edhe tani kur vriten djem të rinj këtu në Shqipëri dhe andej nga je ti për shkak të prishjes së pazarevve të asaj të flamosure lëndë narkotike. 

 

Vras mendjen dhe i bëj pyetjen vetes: Pse bre katran  me bojë nuk e pikase më parë vesin e tët biri e ta ndaloje që në hapat e parë drejt rrugës së gabuar, pse nuk e edukove? Ec e piji lëngun punës së ngatërruar tani. Të shkau djali nga duart. Para këtij halli të madh mua më mer malli për hallet që kisha më parë. Ikën një hall vjen tjetri më i madh . Ndhodh kështu me njeriun. 

 

Një mik imi që është në Amerikë shkruan se atë e mer malli edhe për ata shokë e miq që ka patur e ka në Shqipëri me të cilët ka rrastisur të jetë grrindur dikur. Më duket sikur u mësova me halle, edhe pse ishin pika që më dhembnin më shumë, ato u bënë pjes e jetës, s'rri dot pa to, më mer malli. Eshtë paradoks, e di por ja kështu më duket mua bre Ylli, xhan i babit. A e di ti se inati jot ndaj meje atëhere sot më duket si gëzim?. Sepse të kisha pranë, të dëgjoja zërin. Jetoje. Edhe tani kam dëshirë të flasësh me ne që të na qetësosh. Na mjafton zëri jot në telefon. Të kuptojmë se jemi ende të vlefshëm për ty, se jetojmë edhe për ty. Heshtja jote na fut në "perandorinë" e frikës. 

Po tani ku të mbytemi? Në telefon na mer shumë rrallë, një herë në hënëzë si i thonë fjalës. Ku nuk na shkon mendja? Mos vallë djali është në burg për shkak të drogës që pi vetë apo që shpërndan tek të tjerët? Largoju nga ajo dreq rruge që u bë shkak që ne të debatonim keq dhe ti u largove hop këtu e hop atje nëpër shtete të tjerë të Europës. Vere në vesh këshillën e babit tënd. 

 

Ti nuk e njeh veten se je akoma i ri. Edhe unë, paçka se jam i vjetër nuk them se e njoh mirë veten.. Kemi nevojë për opinionet e të tjerëve, qofshin këta njerëz të mirë apo ziliqarë. Çdo njeri ka nevojë për këshilla deri në fund të jetës. Mos vepro sikur të kesh tiroide e të duket cdo këshillë bëhet me qëllim të keq. Jo, jo. Ty edhe kur të thonë fjalën shendet të tingëllon sikur të thonë plaç. U fute në botën e madhe. Kjo botë nuk mund të njihet pa njohur së pari vetveten. Të meresh me drogë nuk është gabim njerëzor por është faj, faj i rëndë. Lënda narkotike të con në vrasje, vret të tjerë , vret edhe veten, në njërën mënyrë apo në tjetrën. Kur e pi të duket sikur fluturon në qiellin e lumturisë pa e kuptuar se droga të duket se të "ëmbëlson" shpirtin kur në të vërtetë është e hidhur shafran e pelin që të mer jetën. 

 

Çfarë nuk na dëgjojnë veshët more bir. Nga pazaret e prishura për lenden narkotike vijë urdhëra nga jashtë shtetit duke filluar nga kartelat e drogës të Amerikës Latine e vënde të tjera të Europës për vrasjeje dhe marje pengjesh këtu në Shqipëri. Tmerr. 

 

Nëse heq dorë nga lënda narkotike do bësh gjënë më të mirë për veten tënde e për ne si prindër që na ke. Por kjo nuk mjafton. Po u ktheve në gjirin familjar mirë do bësh. Një pjatë supë njeriu e gjen kudo. Por ama ajo supë shijon më shumë se mishi i pjekur, bakllavaja a revanija e siguruar me para të pista. Nëse nuk kthehesh mos e lerë jetën të rrëshqasë nga duart. Do të kesh të bësh me njerëz që u ka duk puna, që çdo gjë u shkon grurë, që plotësimin e nevojave të jetës e bëjnë me punë të nderëshme. Në mundësh me njerëz të tillë u lidh. Zgjidhi shokët më të mirë se vetja. Por mos u ngatërro me njerëz të hurit e litarit, që shkojnë hu më hu e gardh më gardh, që të yshtin të pasurohesh me punë të pista. 

Ka bota plot njerëz të zgjuar vërtet por ruaju nga ata persona që zgjuarësinë e përpunojnë për punë të poshtra. Në fillim të lajnë e të lyejnë, të premtojnë që po të punosh me ta do të marësh kaq e aq të holla ose të mira të tjera materiale. Dhe kur vjen fundi ti mer opingën e Sheros. Këta lloj njerëzish cdo skutë të shpirtit e mbushin me para e me pasuri të patundëshme, nuk lenë një cep bosh ku të futet gëzimi i papërlyer i jetës. Poshtërsinë e tyre e shfaqin lakuriq me forcën shkatërruese të parasë që carvalit dhe dërrmon personalitetin e njeriut. 

 

Largoju prej tyre sepse mendja u punon vetem si të pasurohen përmes të tjerëve e rrugëve të rrezikëshme e të pista. Në shpirtin e tyre nuk gjen vënd për gëzime e lumturia njerëzore. Ata janë të pasur në xhep, të varfër në shpirt, janë varfanjakë të pasur. Më thercin mua në mos qofshin të tillë. Mos u ngatërro me njerëz të tillë. Interesat e larta shpirtërore janë kundër lakmive të pangopura të zuzarëve apo ziliqarëve, katranë me bojë. 

 

Atje ku je tani I dashur bir janë edhe disa njerëz të njohur nga ty. I njohim edhe ne..Mund të takosh edhe ndonjë kushëri. Mos u nxito të bashkëpunosh me të pa studiuar qëllimin e veprimtarisë së tij. Mundohu të shikosh ato që nuk duken.. Se vërtet të lidh gjaku por të ndan pasuria, lakmia për para. Ku e di ti se ai nuk është kthyer në hajdut me çizme? 

 

Ki kujdes kur mer apo jep borxhe. Nuk janë të rralla rrastet kur njeriu humbet edhe mikun edhe paratë, shkruan diku Shekspiri. Gjen njerëz të afërt njeriu por nuk gjen gjëkundi prindër. Nëse kërkon ndihmë nga dikush që ti e njeh dhe ai të përgjigjet me heshtje, kupto se midis jush ka qejfmbetje. Mos kërko të gjesh gabimin te ai sepse ai e kerkon atë te ty. Ka heshtje e heshtje. Ka të tilla që flasin por ka edhe nga ato që ulërasin. 

 

Për zgjidhjen e mosmarëveshjeve përdor llogjikën jo zemërimin dhe inatin që janë kurthe për njeriun që i ka. Prandaj mundohu të tokëzosh elektricitetin negativ të zemërimit. Mos dëgjo ata që thonë se për të qënë i suksesëshëm në jetë duhet të përdorësh shtatë hile e një trimëri. Janë gënjeshtra me bisht, janë profka. Unë dëshiroj që këtë shprehje ta deshifrosh kështu: Që të jesh i suksesëshëm e i dobishëm për vete e për shoqërinë në jetë duhet të futesh si gjyle topi me forcën e talentit e të vetmohimit në punëra të pastra, por jo si sëmundje e butë e tinzarisht se kështu të del shpejt kallai. Nuk thotë kot populli: Urt' e butë e tagani plot. Kjo do të thotë të sillesh mirë në shoqëri e të punosh ndershmërisht, por gjella me kripë e kripa me karar, jo për cdo gjë lepe peqe, jo si qen i rrahur e të ikësh me bisht ndër shalë kur je në të drejtën tënde e kërcënohesh nga ndonjë lapangjos. 

 

Siç e shikon Ylli, biri im i shtrenjtë, nuk po lodhem që edhe përmes kësaj letre të jap këshilla. Nëse nuk më jep të drejtë tani do më japësh më vonë, paçka në jam gjallë apo jo. Por kur të bëhesh me fëmijë do ta kuptosh se çdo të thotë të jesh prind, se ç'është dashuria prindërore. Mirësia si ndjenjë lind që në fëmijëri, mësoji fëmijët e tu me mirësi. 

 

Përvoja e jetës tregon se lumturinë njeriu e ka brenda vetes, në shpirt, ajo nuk ndodhet as te paraja as te pasuritë e patundëshme. 

 

Ç'është paraja në fund të fundit? Një mjet shkëmbimi, simbol i shëndetit ekonomik të familjes dhe të shtetit e cila duhet të qarkullojë. Por lumturinë nuk e siguron dot. Sipas mitologjisë greke, një mbret i quajtur Midas ishte shumë i dhënë pas floririt, kënaqej me qypat me florinj, u gëzohej atyre. Iu lut dikuj, mbase zotit apo të dërguarit të tij për t'i plotësuar dëshirën që cdo qjë që të kapte me dorë të shndrrohej në flori. Dëshira iu plotësua. Po ç'ndodhi? Ndodhi ajo që mbretit Midas i kushtoi humbjen e jetës. Sepse sa fillonte të hante, ushqimi I kthehej në flori, gota me gjith uje në flori. Iu grremis jeta. Dhe vdiq nga mungesa e ujit dhe e ushqimit. I rrofshin florinjë mbretit Midas. Ç'fitoi ai nga jeta? Içgjë. Ç'mori ai me vete nga të mirat e botës? Opingat e Sheros. Kështu është për çdo njeri që kërkon lumturinë te pasuria. 

 

Mendimi pozitiv, vetëdija jote është miniera e arit brënda shpirtit tënd. Mos kërko gjetkë. M'u kujtua tani një fshatar disi i pasur qëmoti në krahasim me të tjerët. Ishte pojak që kujdesej për radhën e ujitjes së arave të fshatarëve. Mbahet mend në fshat si njeri praktik. Kur në fushë e shqetësonin mizat ai shkonte e gjente shpëtim te arat e mbjella me kungull sepse mizat nuk afrohen te gjethet e kësaj bime. Pojakut i lotonin shpesh sytë. Dhe ç'bëntë ai? Shkonte dhe krasiste një degë hardhije e cila në vëndin e prerë lëshonte një lloj lëngu. Këtë lëng pojaku e vendoste në sytë e tij dhe gjente shërim për një farë kohe. Por pojaku kujtohet në fshat edhe si një nga kursimtarët më të mëdhenj, një manjak mund të them. Ai kishte një kostum të bukur dhe një palë këpucë llustrafina që për kohën ishin lluks i madh. Këto mbetën fringo të reja, të papërdorura sepse pojaku i kishte veshur vetëm një herë kur u bë dhëndërr. KIshte rraste kur ai vinte nga fusha me opinga të grisura dhe për ibret të zotit, ndonjëherë, edhe zbathur! Pse? Ec e jepu shpjegim këtyre manirave. 

 

Të kursesh po jo kështu de'. Sepse ndodh që qëllimi i mirë përfundon keq pasi shndrohet në sëmundje psiqike. Mbreti Midas u dashurua pas floririt, pojaku i fshatit u bë mitoman pas kursimit të plackave . E çë pastaj? U pinë lëngun florinjve, kostumit e këpucëve. Të kujtohet more bir kënga e korçarëve që thotë: " Se dashuria është e ëmbëlë dhe do na hidhërojë"? Kemi të bëjmë me ndjenjën e dualitetit. Kur ke qënë këtu ti e di se kemi biseduar disa herë për këtë ndjenjë dualiteti që ekziston te njeriu. 

 

E nisa me këshilla këtë letër o Ylli, xhan i babit dhe me këshilla do ta përfundoj. Këshillat e prindit për fëmijën e vet nuk paskan fund. Nuk di nëse të sygjerova për t'u ruajtur nga ziliqarët me maçokun në bark. Beso në fat e në zot por mos u bëj rob i bestytnive. Se edhe zoti thotë: Ruaj veten të të ruaj edhe unë, se fati shkon me guximtarët. Prandaj bëj gjënë e duhur në kohën e duhur. Kështu fatin e ke me vete. Dhe kujdes: Mos u bëj as sadist e as narcist. Ji ambicioz por ambicja jote të jetë sfidë për gjënë e duhur në jetë për vete e për të dashurit e tu. 

 

Në zgjedhjen e shokëve ki kujdes se jo të gjithë njerëzit janë ashtu si duken. Ti shikon një njeri që të buzëqesh po a je i sigurtë që në atë buzëqeshje nuk ka ironi, tallje, keqardhje? Gjithsesi biri im kujdesu për sjelljen tënde. Më mirë të dëgjosh shumë se sa të flasësh si llazoret, pa hesap. 

 

Mos bëj asnjë hap në jetë si fodull duke mbajtur hundën përpjetë, shënjë kjo mëndjemadhësie e kënaqësie që të fundos. Filozofi Sokrat ka thënë: "Jeto pa u dukur!" Edhe veshjen zgjidhje të tillë që te jetë e pranueshme në komunitet, as të shkëlqyeshme por as edhe zhele. Mos bëj për çdo gjë,  pa e menduar, lepe kur të kërkojnë të bësh ndonjë veprim. Jo dhi e zgjebosur e bishtin përpjetë. Mos u bëj qelepirxhi me njërën dorë në revani e me tjetrën dorë në bakllava. Mos kujto se bota nuk të shikon. Si të matësh ashtu do të matin. Kurrë mos u ndje i huaj brenda vetes

Ylli, mos u inatos me këto këshilla. Verë në punë llogjikën e cila do të mësojë se si duhet parë brenda vetes, që të njohësh veten tënde. Dhe kur ta njohësh atë, betoju para vetes që do heqësh dorë nga lëndët narkotike e veset e tjerë. Është shumë e rëndësishme t'i mbash besën vetes. Të duhet të bëhesh , si ta them, diktator, njeri i rreptë i vetes. Ka rraste kur njeriu duhet shtyrë drejt së mirës edhe me forcë. Binde veten, shtroja ekuacionin e dualizmit dhe jam I sigurte se do fitojë pozitivja . Atëhere shijo melodinë e këngës: Nuk pi verën as rakinë, me një tra e mbaj shtëpinë… 

Me shumë mall e dashuri., 

babai jot 

Skënderi 

 

FIQRI SHAHINLLARI

 

 

Saturday, 17 August 2024

STËRRALLI I GOLËMIT

-  Ta duam vendlindjen tonë siç e do Diftir Hysi -

 

nga:  Avdulla KËNAÇI
Toronto, Kanada


Diftir HYSI
Kam një jetë të tërë që shkruaj gazetari e letërsi, përmbi gjysmë shekulli dora ime fluturon përmbi letër të bardhë e tastjerë kompjuteri, por këtë radhë e kam shumë vështirë të portretizoj një mik, një shok, një vëlla, një bashkëfshatarin tim të cilin e duan edhe gurët e Golëmit, vendlindjes sonë të përbashkët. Më ngjan se pikërisht ata gurë do të ngrihen e shkulen nga vendi e do të më thonë: “Nuk i ke thënë të tëra për Diftirin, për kur i ruan fjalët e mira, ato që zgjedh si bleta lulet, ato që rrjedhin si ujët e kulluar të Kalbaqit që zbret nga kullotat e malit të Leskës?!”. Dhe mua fjala më ngec në fut dhe dora ime ngrin mbi tastjerën e kompjuterit kur mendoj se gjatë këtyre viteve është rrokullisur Guri i Stamos, është tharë Pënja në Kalbaq, janë shkulur mollët në Rrëzë Serës dhe është zbrazur nga njerëzit gjithë ai fshat i bukur në gji të maleve të Kurveleshit. (Dikur, në rininë time, kam botuar një reportazh të gjatë me titullin “Ballkoni i Labërisë”).

 

Diftiri është më i madh se unë në moshë, por unë e kam njohur kur ai shquhej përmbi gjithë bashkëmoshatarët e tij për sjelljen e ëmbël, zgjuarsinë dhe dashurinë pa kushte për gjithë Golëmin. Dikur ne e kemi pasur shtëpinë përmbi Lekërbosh, dy hapa larg me Hysajt dhe siç më kanë thënë të parët tanë, me këtë fis shkonim si vëllezër, nuk kishim asgjë të ndarë me ta, portat dhe dyert e shtëpive i linim hapur dhe çelësat e sënduqeve tek njëri-tjetri.

 

Sot duket sikur Golëmi është zgjuar nga gjumi shumëvjeçar dhe bujtina e doktor Gjergj Bizhgës, i pari agroturizëm në Kurvelesh, gjëmon nga këngët, vallet dhe që atje tej të mbyt era e mishit të pjekur në hell, përzier me erën e trëndelinës. Gjergji e ka promovuar me kurajo të madhe këtë resort të përsosur, para dy muajsh. Po unë e Diftiri, për arsye të ndryshme, mungojmë, jemi aty vetëm me mendje dhe zemër. Nuk mundëm këtë radhë, unë për arësye të largësisë, siç dihet jam në anën tjetër të Polit të Veriut dhe Diftiri për shkaqe shëndetësore.

 

Kanë ardhur emigrantët në Golëm nga ana e anës. Gëzojnë e festojnë. Me mendje e zemër jemi aty edhe unë e Diftir Hysaj. Këtë datë, të dielën e tretë të muajit gusht e caktoi pikërisht Diftiri, themeluesi i shoqatës “Bilal Golëmi” më 28 janar 2001, së bashku me mua dhe doktor Selam Shkurtin në Tiranë. Takimin e parë me gjithë bashkëfshatarët e organizuam gjashtë muaj më vonë, më 21 korrik 2001. Kishin ardhur më shumë se njëmijë vetë. Një entusiazëm i paparë. As e kishim ëndërruar një pjesmarrje të tillë. Nderimi i parë u takonte varrezave ku preheshin të parët e fshatit. Kishte nisur një kohë tjetër, tjetër portokoll u ndoq. Festimi u bë i lirë, vëllazëror, pa asnjë dallim politik, gjinor e farefisnor. Shumica propozoi që herën tjetër festa të bëhej çdo vit në të dielën e tretë të muajit gusht, për arsye të punëve dhe se gushti ishte pushim për të gjithë. Kryesia e Shoqatës, me në krye Diftirin e aprovo njëzëri. Aty vura re nga afër aftësitë organizative të Diftirit, kujdesin deri në detaje, shpërndarjen e detyrave, aktivizimin e njerëzve të duhur dhe programimin e çdo aktiviteti. Dinte të lexonte mëndjen e secilit, por edhe aftësitë, humorin dhe djallëzitë të cilat i shuante me një sjellje e lehtësi të jashtëzakonshme. Ai dëshëronte të nderohej e të respektohej secili jo duke u nisur nga pozitat partiake, por në raportet me njeri-tjetrin dhe si mund t’i bëhej mw mirë fshatit.

 

Në Golëm më vonë u ndërtua lapidari i të persekutuarve, për të cilin u bënë diskutime të forta. Diftiri i vuri gjoksin debatit dhe u hapi rrugë atyre që ishin poshtëruar e goditur për 40 vjet me radhë duke qetësuar njerën palë e duke inkurajuar palën tjetër që të vazhdonin punën. Vetëm ai mund ta bënte një pajtim të tillë. Ka një histori interesante në kohën kur ishte në kulmin e karrierës ushtarake. Kishte ardhur në Golëm tek e e ëma dhe për vizitë tek motër Vovua. Aliko Kërra, gjiton me motrën, Vovon, kishte dalë nga burgu pas 10-15 vjetësh, tregon ai. E ftoi për drekë, fiillimisht hezitoi për shkak të luftës së klasave, pyeti nënë Bajamen. “Po shko, mor djalë, pse e burgosën? Për ca bono lëkurësh. I kemi gjitonë, me ta kemi hequr të mira e të këqia, kemi shkuar si vëllezër, këta golëmas më kanë ndihmuar kur ju ishit të vegjël. Dhe unë shkova. Nuk më gjeti gjë.

 

Dy lapidarët gjenden sot ballë përballë në mes të fshatit, aty tek rrapi. Të mos harrojmë se tek lapidari i Dëshmorëve Diftiri ka emrin e vëllait të vet, Sulo Hysi, dëshmor 15-vjeçar, vrarë në përpërpjekje me fashistët gjermanë në Fterrë. Kujt më shumë se atij i takonte të gjykonte e të fliste?! Dhe ai foli me atë fjalën e ëmbël, argumentuese, vëllazërore e të mençur, duke mbjellë dashuri e respekt për njeri-tjetrin, jo urrejtje e mëri që shkatërron traditat, lidhjet dhe miqësitë shekullore. Prandaj Diftin e duan të majtë e të djathtë.

Kur ulem e pi kafe me Diftirin e pyes për fëmijërinë në Golëm. E di se ka ikur nga fshati që 8 vjeç, me shollë me rrypa. Dhe ai më tregon se kishin mbetur fëmijë jetimë. I ati i tyre, Hysua, vdiq kur ai ishte një vjeç dhe nuk e mban mend, la mbrapa familjen me pesë fëmijë dhe ajo u mbështet nga burri fisnik e zëmërgjerë, Lilo Stroka, burri i hallës së Diftirit, por i tërë fshati e ndihmoi Bajamen, gruan e ve kapedane, 32-vjeçare. Dhe nënë Bajamja ua nguliti në mëndje fëmijëve të saj se të gjithë golëmtë janë të mirë, nuk ka golëm të keq. Ai mban mend se në ditë zie u pritej bishti kafshëve të ngarkesës dhe nëse duhej këngë në një shtëpi, duhet të merrnin lejë tek shtëpia që mbante zi, le të ishte ajo edhe një kilometr larg, në cepin tjetër të fshatit. Gjyqi më i rëndë për një hajdut ishte ta hipnin mbi gomar dhe t’i varnin në qafë gjënë e vjedhur. Atëherë kishte një vëllazëri e dashuri për njëri-tjetrin që nuk e gjeje në asnjë fshat tjetër. “Këto mua më janë ngulitur thellë në mëndje dhe më kanë udhëhequr gjatë gjithë jetës sime. Golëmi më ka ndjekur në jetimoren e Shkodrës e të Tiranës, në shkollat ushatarake dhe kur komandoja mijëra oficerë e ushtarë gjatë karrierës sime”, më thotë ai duke kthyer kokën mënjnë ngase një pikë loti i rrëshket pa dashur nën qepallë. Pastaj unë e kaloj bisedën gjetkë, i kujtoj veprimet dhe sjelljen djallëzore të dikujt. Ai bëhet serioz dhe një hije zëmërimi i zbret nga sytë. Pres që ta anatemojë, por ai hesht dhe unë përsëri e shikoj me ngulm në sy.

-       Po lere dreqin, - më thotë me keqardhje, - i mori me vete të gjitha, mos ma bëj zeher kafenë…

 

Nëse do të dish se çfarë karakteri ka një njeri, pyete për gruan dhe fëmijët. Dëgjoje çfarë do të thotë dhe cilat raporte ka me ata. Unë kam një jetë me Diftirin dhe ia njoh të shoqen, kuçiote Luten, ish ndihmës mjeke në spitalin ushatarak dhe dy fëmijët, Tanin dhe Rozën. Atij i shkëlqejnë sytë:

- Tanin e kam këtu, punon në Ambasadën Amerikane, do t’i bëj një telefon, për dy minuta e ke këtu. Nashti nuk i jap më makinës, megjithëse nuk kam lënë lloj motori e makinë pa ngarë, tanke, agregat e deri “Tadano” suedeze që ngrinim qëndrat e zjarrit dikur. E mbollëm Shqipërinë me kupola betoni, kushedi sa pallate falas do kishim ndërtuar me ato hekura e çimento për popullin. Më kujtohet, i kemi bërë një lojë ish Jugosllavisë, nisëm natën për në Kukës gjithë agregatët e kamionët, u ndezën flakë kthesat e Kalimashit. Erdhën axhanset nga Jugosllavia, po bëhet gati për luftë Shqipëria dhe nuk mbarojnë kamionët, gjithë natën ka lëvizje ushtarake në kufi. Ne po ata kamionë i kthenim ditën dhe i nisnim përsëri natën drejt kufirit. Donim t’u jepnim kurajo e t’u ngrinim supet vëllezërve kosovarë

- Të kthehemi tek vajza jote, Roza…

- E di atë këngën “Kush ka vajza, botën ka?” Rozën e kam në Francë, çdo ditë pyet për shëndetin në telefon. Kam qënë edhe unë aty, në Francë për vizitë.

- Të ka pëlqyer?

- Janë shtete që vetëm ndërtojnë, ne ndërtojmë e shkatërrojmë. Nuk qëndrova gjatë, këtu e kam shpirtin dhe këtu dua të prehem, po ti shkruaj, more për Golëmin. Shkruaj, nuk ka si Golëmi ynë! Tani unë nuk di se kush e ka vulën e Shoqatës që ngritëm. Pse nuk bëjnë zgjedhje të reja? Më ftoi në inaugurim e resortit të tij doktor Gjergj Bizhga, ma kishte ënda të shkoja, po nuk më lë rehat ky diabeti… Ja të shohim si do shkojë kjo festa e sotme.

- Dale, sikur nuk më fole për Luten, bashkëshorten.

- Ëmbëlsira lihet për në fund. Pa Luten nuk do isha sot këtu para ty. Kam një të metë, nuk ia them për punët e shtëpisë, por jam me fat me Luten. Ajo më njeh çdo ingranazh e vidë, siç njoh unë motorët dhe agregatët e ushtrisë. Ku ka të dytë si bashkëshortja ime e jetës?! T’i biesh rreth e rreth Shqipërisë si këta turistët e huaj, të dytë si Lute, nuk gjen.

- Po me partitë?

- Partia ime është Golëmi, pse më xungurris kot së koti?! Zëmra ime, shpirti im, është në Droshtë, Korregje, Dukëzi. Vreshta, Hilgjin, Lekërbosh …

Fillon Diftir Hysaj me Golëmin e nuk ka të mbaruar. Ta duam e ta kujtojmë vendlindjen tonë siç e përjeton dhe dashuron Ai. Diftiri është dora vetë një stërrall i rrallë Golëmi.

 

Avdulla Kënaçi

Mississauga, e diel, 18 gusht 2024

 

 


Thursday, 8 August 2024

Agronom DHIMITËR MUÇO

Personalitete të shquara të shkencës shqiptare nga rradhët e minoritetit grek të Shqipërisë.

Përgatiti: Petro MEJDI

Athinë, Greqi

 - Lindi në fshatin Skore të Pogonit në vitin 1918. Ndërroi jetë në Tiranë 1992.


 - Çmimi i Republikës i Shkallës së Parë , 1969.  Me këte motivacion. 

“Për pune të talentuar krijuese shumevjeçare në studimin dhe ngritjen në terrene të vështira  e joprodhuese të një sere pemtoresh, vreshtash ullishtesh dhe agrumishtesh  të mëdha industrial, qé i kanë sjellë dobi të madhe  ekonomisë popullore”


 - Ish nxënësve të shkollave të mesme bujqësore, ky emër do t'ju kujtojë tekstet mësimore: Pemë frutore dhe Frutikultura, ndërsa studentëve dispencat dhe botimet për ullirin.

 - (Të dhënat për jetën , veprimtarinë shkencore dhe drejtuese të Dhimitër Muços i kemi marrë nga libri" Për bashkëfshatarët e mi skorjadhitë" të inxhinierit të njohur të Tiranës, skorjadhitit Kristofor Beduli. Libri është në bibliotekën e re dhe të pasur të 

Skoresë, e ngritur me nismën e Thoma Nakës.)


Prolog 


Dhimiter  MUÇO
( 1918 - 1992)
Që Dhimitër Muço, autori i librave shkollorë për lëndën Pemë Frutore, libra me të cilët kemi mësuar, ishte nga Skorea e mësova fare rastësisht. Nuk i mbaj mënd mirë rrethanat se si, por kjo ndodhi në Skore, aty tek shkallët e klubit. Ndoshta ishte basho Thoma Lloli, mësuesi i greqishtes, që na e rrëfeu këtë. Ai e njihte mirë historikun e fshatit. La të kuptohet se shkencëtari i ardhëshëm iku herët nga fshati, 13 vjeç fëmijë, për në shkollën e Kavajës. Fisi Muço ishte i vogël ndaj dhe pak nga pak brezat nuk dinin shumë gjëra për këtë familje. Nga kjo familje në fshat kishin mbetur disa toponime.  Kujtoj, "I ovira tu Muçu" Gjoli i Muços "në lumin e Skoresë dhe "Stu Muçu", Në arat e Muços. Nuk mbaj mënd që profesori të ketë ardhur në Skore.


*** 


Nxënës i Shkollës Bujqësore të Kavajës, studime për ullirin i kryejti në Itali, dhënie të përvojës shkencore për kultivimin e ullirit në Kinë dhe Vjetnam, punonjës i Ministrisë së Bujqësisë, autor tekstesh shkollore për nxënësit dhe dispenca për studentët në fushën e fritikulturës.


Dhimitër Muço ka kryer studimin për Ullishten e Petrelës së bashku me Resmi Osmanin. Për këtë flitet në  një shkrim të gazetarit të njohur Fuat Memel. Ka botuar dhjetra studime shkencore dhe shkrime për frutikulturën në shtypin e kohës. Ka qënë pjesë ose drejtues i shumë projekteve të Ministrisë së Bujqësisë në fushën e frutikulturës. Në vitet e para të punës si agronom punoi në Elbasan.  Ishte përgjegjës për çështjet e pemëtarisë dhe në veçanti për ullirin. Ka dhënë një ndihmesë të madhe në krijimin e kurorës me ullishte në Elbasan. Ishte shef i sektorit të ullirit në Ndërmarrjen Bujqësore “Syrja Dylgjeri". Më vonë thiret në Tiranë pranë Ministrisë së Bujqësisë. Krijoi plantacione të reja me ullinj, agrume, vreshta.


Në vitin 1950 martohet me Sotirën, bijë e familjes së njohur Beratase, Kolici. La 3 fëmijë: Nikollën, Emilinë dhe Dianën.








Tuesday, 6 August 2024

KISHA E "SHPËRFYTYRIMIT TË SHPËTIMTARIT" GJIROKASTËR, VITI 1784


 nga Andre LLUKANI

Tiramë


Kisha e “Shpërfytyrimit të Shpëtimtarit” ose e “Shën Sotirit” është në lagjen “Pazar i Vjetër” të Gjirokastrës. Ajo është ndërtuar në vitin 1784. Kisha është e tipit bazilikë trinefëshe. Ka përmasa të brendshme 15.75x12.10 metra.

 

Kisha përbëhet nga naosi, altari dhe narteksi. Brendësia e kishës, nëpërmjet dy arkadave dhe dy pilastrave ndahet në tri nefe. Pilastrat katrore janë aty ku ndahet narteksi me naosin. 

 

Narteksi mbulohet me qemerë cilindrikë. Një arkadë e kishës kalon nga muri verior nëpër pilastrat e murit jugor. Kisha ka tri apsida, të cilat janë zbukuruar me nike dhe përfundojnë me korniza guri të vendosura në formë dhëmbësh sharre, të alternuara me radhë të drejta. Apsidat janë me shtatë nike, të mbuluara me harqe gurësh. Çatia e kishës është me rrasa guri. Muratura është me gurë shtresorë me detaje të shumta gurësh të gdhendur.

 


Mbi një pllakë bronzi të vendosur mbi faqen e murit perëndimor në brendësi të kishës është mbishkrimi: + Ω θεατα, αί δύο έκκλησίαι τού Παντοκρά / τορος κ(αί) τών Ταξιαρχών Θεού εύδοκούν / τος άνηγέρθησαν έκ βάθρων καί μεγα / λοπρεπώς ώς όράς διά κοινών έξόδων / τών Χριστιανών τής πολητείας ταύ / της Αργυποκάστρου, άρχιερατεύοντος / του θεοφιλεστάτου, κ(αί) λογιωτάτου έπισκό / που Κ(υρί)ου Δοσιθέου – έτει σ(ωτη)ρίω Α Ψ Ο ΣΤ / -1776 –έν μηνί ίουνίοω Α. “O vështrues, këto dy kisha, të Pandokratorit dhe e Taksiarkëve u ndërtuan me mirëdashjen e perëndisë që nga themeli dhe në mënyrë madhështore sikurse i shikon, me shpenzimet e përbashkëta të krishterëve të këtij qyteti, Gjirokastër, në kohën e shumë perëndidashësit peshkopit, zotit Dositheut. Viti shpëtimtar-1776, në muajin qershor 1”. 

 

Në narteks hyhet prej portës jugore dhe prej asaj perëndimore. Në gjysmën e lartësisë së narteksit është shtuar një kat i dytë, ku mund të hipësh nëpërmjet një shkalle të jashtme në anën veriore. Kati është shtuar në një kohë më të vonë se ndërtimi i kishës. Naosi është trenefësh dhe mbulohet me qemerë cilindrikë. Ai ndriçohet prej dritareve që janë në anën jugore, ndërsa mjedisi i altarit ndriçohet prej tri dritareve që janë tek apsidat. Altari përbëhet nga bema, protezisi dhe diakonikoni. Bema ka apsidën rrethore, me fronin peshkopal. Protezisi mbulohet me qemer cilindrik. Edhe diakonikoni mbulohet me qemer cilindrik. Ai ka apsidën në anën lindore dhe një nike rrethore. Altari ndahet me anën e një ikonostasi prej druri të gdhendur.

 

Ikonostasi i kishës është hijerëndë, i zbukuruar me motive të florës dhe të faunës. Në parapet dhe në tambure ruhen piktura, si Ungjillëzimi, Darka e fundit, Kryqëzimi etj. 

 


Në fondet e Muzeut Historik Kombëtar, Tiranë ruhet pjesa kulmore e ikonostasit. Në ikonostasin e kishës mbi tri ikonat e mëdha Krishtit, Shën Mëria dhe Kryeengjëjvet është mbishkrimi: Χείρ Ιω(άννου) Αθανασίου Καπεσοβήτου. “Dora e Jan Athanas Kapesovitit”. Aktualisht ikonat e kishës gjenden në fondet e Muzeut Historik Kombëtar, Tiranë. 

 

Mbi ikonën e Shën Gjergjit të Janinës është shkruar: Διά χηρός Ματθαίου Δ. έκ Σαμαρίνης 1864 μαρτίου. “Me dorën e Mattheut Dh. nga Samarina 1864, mars 12”. Në fondet e Muzeut Historik Kombëtar gjendet edhe një ikonë, e cila në krye ka Krishtin Pandokrator dhe poshtë nën tri nike, emrat që meshtari duhet të kujtonte gjatë celebrimit të liturgjisë hyjnore. Ikona të tilla vendosen zakonisht pranë blatës së hyjëshme.

 

Kisha e Shën Sotirit është në lagjen “Pazar i Vjetër” të Gjirokastrës në vitin 1963 është shpallur monument kulture. Si pasojë e braktisjes së plotë, kisha pati pësuar dëmtime serioze. Prandaj gjatë viteve 1993-1995 ajo është rikonstruktuar. Punimet u përqendruan në konsolidimin e konstruksionit dhe rehabilitimin e brendshëm të kishës. U rindërtu gjithashtu kambaneria e kishës.