Tuesday, 20 June 2023

KUVENDI LUNXHIOT


Pjesë e shkëputur nga libri për botim  “ Mrekullia e Jugut….Lunxhëria - Rrëza”


nga Spiro XHAVARA

Athinë, Greqi



Spiro XHAVARA
Nga fundi i shekullit të 19 –të, thekson Aravantinoi, Rrëza dhe Lunxhëria kanë bashkëpunuar ngushtë. Ato mblidheshin dy herë në vit në Kuvende të përbashkëta dhe diskutonin çështje e interesa të tyre të rëndësishme, që kishin të bënin me gjakmarrjet, grindjet, vjedhjet, qetësinë, klimën e dashurisë dhe të paqes në zonë. Në prill mblidheshin në Manastirin e Tërbuqit dhe në gusht në Manastirin e Saraqinishtës. (Vëll II, fq 178)

 

Kuvendi merrej me probleme të rëndësishme dhe të veçanta që kishin të bënin me konfliktet midis fshatrave, si përdorim e shfrytëzim kullotash, burime uji, pyje, etj, pra për probleme me interes të përbashkët. Çdo fshat përfaqësohej në Kuvend nga dy vetë të zgjedhur nga banorët.

 

(Sa mirë do të ishte që ky Kuvend Lunxhiot të funksiononte edhe sot! Sot, më tepër se atëhere, do të gjenin zgjidhje mjaft probleme në fshatrat e Lunxhërisë, të infrastrukturës, të pronave, të shfrytëzimit të burimeve të ujit, të shkollave, pastërtisë e tërheqjes së plehrave, të turizmit dhe në tërësi gjallërimit të një treve lënë jashtë vëmëndjes e kujdesit të qeverisë

 

Probleme të tjera, si mosmarrëveshje, grindje, etj, zgjidheshin edhe brenda për brenda fshatrave, por edhe nga gjykatësit popullore, për grup fshatrash apo krahine, rolin e të cilëve zakonisht e luanin burra të matur në gjykim, të pjekur, të ditur, dhe të nderuar e respektuar nga të gjithë. Le të përmendim disa nga ata: Lipe Bogai Saraqinishtë, Siko Qurku Tranoshishtë, Koço Papai Qestorat, Tase Liti Këllëz, Tolo Kalluci Nokovë, Dh. Haxhijani Dhoksat, etj.

 

Çdo fshat në Lunxhëri drejtohej nga kryeplaku i fshatit, pleqësia dhe deuderxhiu, gjatë luftës së dytë botërore nga këshillat antifashiste N-ÇL dhe, pas çlirimit të vendit, nga këshillat popullore. Pas vitit 1990, ata drejtohen përsëri nga kryeplaku dhe pleqësia. 

 

Duke parë dhe njohur nga afër, jo vetëm afrimitetin, por ngjashmërinë e plotë (me dallime jo esenciale) të krahinave të Lunxhërisë dhe Rrëzës, në vijim nuk do t’i paraqesim ato të ndara, ose si shtesë e njera tjetrës. Do të themi vetëm Lunxhëria, kjo edhe për efekt ortografik, për të mos përmëndur në njëmijë herë që do përmënden, Lunxhëria dhe Rrëza, ose Rrëza dhe Lunxhëria. Duke thënë Lunxhëria, kemi nënkuptuar dhe Rrëzën, nga Labova e Kryqit në Kodër, ashtu si po të thoshim Rrëza, do të nënkuptonim Lunxhërinë, nga Kodra e Lekli deri në Labovën e Kryqit. Duke patur besimin e plotë tek mirëkuptimi i lexuesit, le të vazhdojmë me trevën – krahinën tonë të madhe Lunxhëria

 

Manastiri i “Lindjes së Hyjlindëses” Spile, Saraqinishtë

Manastiri Shën Nikollës, Tërbuq. 


Thursday, 15 June 2023

KUJDESI PËR LULET DHE BIMËT E TJERA GJATË STINËS SË VERËS


Agronom Bajram Asllani

nga: Bajram  ASLLANI
Prishtinë, Kosovë


Jemi në periudhën e vitit kur ditët zgjaten dhe temperaturat rriten. Vera mund të bëhet një periudhë e vështirë dhe stresuese për bimët tuaja, nëse ato nuk e marrin kujdesin e duhur.  Ky shkrim do t'ju ndihmojë me disa këshilla se si të kujdeseni për bimet tuaja gjat verës që ato të jenë të shëndetshme.

 

 1. Ujitni bimët në orët e duhura. 

 Uji është thelbësor për bimët, por ajo që është e rëndësishme në verë, është koha e ujitjes. Në verë bimët duhet ujitur herët në mëngjes ose në mbrëmje, pasi uji është më i freskët  dhe temperaturat janë më të ulta. Në këtë mënyrë bimën nuk e stresojmë. Sigurohuni që të ujisni bimën thellë dhe  tërsisht. 

 

Metodë e mirë dhe e preferuar është ujitja  e dixhitalizua me anë të spërkatësit(sprucatorëve)  dhe gypit(tubit)  të vrimzuar.  

Me spërkatës: Ujitja me spërkatës  është një metodë shumë e përshtatshme pasi mbulon shumicën e zonave të bimëve në mënyrë të barabartë dhe efektive. 

Me gypa të vrimzuar: Me këtë  metodë uji del nga vrimat e tubave direkt në tokë. Gypat e vrimzuar futen nën tokë ose në mulç. Një mënyrë efektive për të kursyer ujin, sepse e shmang avullimin. Për më tepër, gypat e vrimzuara  funksionojnë më mirë në tokë,  pasi uji përhapet në vendin e duhur, një metodë e saktë për të ujitur bazën e bimëve poshtë gjetheve dhe për të lënë të thatë pjesën përreth. Kjo parandalon edhe rritjen e barërave të këqija dhe siguron që uji të përthithet aty ku nevojitet. 

Gjithashtu duhet të shmangni ujitjen e tepërt të bimës. Pra, përpara se të aktivizoni spërkatësin tuaj të ujitjes, kontrolloni nëse toka është e lagësht nën sipërfaqe. Nëse është me lagështi, prisni që toka të thahet, sepse  ujitja e tepërt  është  burim i sëmundjeve  dhe  mushkonjave


2. Rrezet e diellit  dhe hijezimi 

 Rrezet e diellit janë një nga faktorët e rëndësishëm për rritjen e bimës, por rrezetimi i  fortë i diellit mund të shkaktojë më shumë dëm sesa dobi për bimën tuaj. Pra, merrni masa për zhvendosjen e bimëve  me  vazo, në një zonë me dritë dhe hije të balancuar ose përdorni  opsionin për bllokimin e dritës së drejtpërdrejtë dhe të tepërt të diellit me anë të rjetave.

Rrjetat për hijezim: janë bërë prej poliestëri të dendur  ose të lirshëm. Janë të disponueshme në densitete ose shkallë të ndryshme hije që variojnë nga 5% deri në 85%. 

Tani, ju mund të pyesni  se cila pelhurë e hijes dhe llojin e ngjyrës është më e mira? 

Një nga keqkuptimet e zakonshme në lidhje me pëlhurën e hijes është se vetëm pëlhura jeshile duhet të përdoret për bimët.  Pëlhura me ngjyrë jeshile përdoret gjerësisht, pasi reflekton të njëjtën dritë si bimët. 


3. Kompostimi 

Komposti  ndihmon për të mbajtur bimët, veçanërisht ato me fruta dhe lule, të hidratuara dhe të shëndetshme. Gjithashtu, mund të bëni lehtësisht kompost në shtëpi ose të blihet kompost organik, ose torfe që ndihmon  në thithjen e ujit dhe ruan lagështinë.  Kompostimi mund të përdoret gjatë ditëve të nxehta dhe të thata. Përveç kësaj, kompostimi  përmirëson strukturën e tokës dhe duke rritur ajrosjen për  shëndetin e përgjithshëm të bimës. 


4. Mulçërimi 

 Mulçërimi është një material i përhapur në sipërfaqen e tokës për ta mbajtur bimën të freskët. Për më tepër, mulçërimi parandalon  shfaqjen e barërave të këqija dhe ndihmon në hidratimin e bimëve. Mulçërimi përfshin kompost, lëvore pemësh, copza druri,  bari, tallash dhe gjethe të copëtuara. Gjithashtu, kthejeni mulçin çdo disa ditë dhe mos harroni ta zëvendësoni kur të dekompozohet 


5. Barërat e këqija 

Hiqni barërat e këqija nga kopshti i juaj sepse  shumë lloje të barërave të këqija konkurrojnë për lëndët  ushqyse  bimët  e kultivuara. Përveç kësaj, ato gjithashtu mund të strehojnë dëmtues dhe sëmundje. Nëse po rritni bimë në një kopsht të vogël ose në vazo, mund t'i kontrolloni barërat e këqija vetëm duke i shkulur ato me dorë. Për  kopshtije  të mëdha, përdorni mjetet e kopshtit si: shatin, lopatën etj, dhe si alternativ të fundit  mund të  kryeni trajtime me herbicide. 


6. Plehërimi  

Plehërimi i bimëve në kopsht është një punë shumë e rëndësishme, që nuk duhet të anashkalohet.  Zhvillimi dhe lulëzimi  i bimëve kërkon shumë energji. Bimët shpesh nuk mund të marrin ushqimin e nevojshëm që u nevojitet vetëm nga toka,  dhe është e nevojshme  të bëhen  plehrime. 

Në përgjithësi, ekzistojnë dy lloje plehrash për lulet: me lëshim të ngadaltë dhe plehrat e lëngshëme. Ato janë të ndryshme si në aplikimin e tyre, ashtu edhe në mënyrën se si funksionojnë. 


Plehrat bimore me çlirim të ngadaltë nuk kanë nevojë të aplikohen shumë shpesh dhe zgjasin më shumë, ato mund të vijnë në formën e pluhurave, kokrrizave, peletave apo edhe thumbave që  aplikohen në tokë. Ato zgjasin për disa javë, megjithatë nuk janë menjëherë të disponueshme për lulet tuaja. Duhet pak kohë që ato të shpërbëhen aq sa të mund të përthithen nga bima. Por, duke qenë se ato zgjasin më shumë, duhet të aplikohen vetëm disa herë gjatë  verës.

  

Një gjë tjetër që është e rëndësishme: zgjedhjen e plehut të përshtatshem për lulet dhe bimët tjera. 

N-P-K. Këto janë shkronjat  që shihni zakonisht në pjesën e përparme të paketimit të plehrave. N-P-K do të thotë: Azot, fosfor dhe kalium. 

 

Azoti (N) ndikon në rritjen vegjetative të bimëve,  

Fosfori (P) nxit zhvillimin e rrënjëve dhe qëndrueshmërinë e bimve. 

Kaliumi(K)  Ndihmon trëndafilat dhe bimët e tjera që lulëzojn, duke inkurajuar kërcell të fortë dhe lule të zhvilluara mirë.  

 

Plehu i tretshëm në ujë, është ushqimi i lëngshëm bimor funksionon më shpejt se sa granula dhe është i disponueshëm për përthithje menjëherë nga  bimët. Përdoret shumë më shpejt, dhe për këtë arsye duhet të aplikohet më shpesh. 

Me plehra të lëngshëm, lulet duhet të ushqehen në fillim të pranverës, dhe pastaj përsëri çdo 2-4 javë gjatë muajve të verës. Për ta bërë më të lehtë, mund t'u jepni atyre një sasi të holluar sa herë që i ujisni. 


Megjithatë, gjithmonë sigurohuni që toka të jetë e lagësht përpara se të aplikoni çdo lloj pleh në të. Asnjëherë mos i plehroni lulet nëse ato janë të dehidratuara, të varura ose të stresuara, pasi kjo mund t'i dëmtojë rëndë ose madje t'i thajë ato. Bimët që janë shumë të thata do të thithin plehrat shumë më shpejt se ato që janë të hidratuara mirë, që do të thotë se rreziku i djegies së tyre është shumë më i lartë. Pra, nëse bimët tuaja janë të etura, sigurohuni që t'u jepni një sasi të mirë me ujë dhe lërini ta thithin para se t'i plehroni.

  

Për rezultatet më të mira, është e nevojshme testimi(analizat) i tokës që  do t'ju ndihmojë të identifikoni saktësisht se cilët plehra duhet të përdorni. 




Saturday, 10 June 2023

PEISAZHET E BRAKTISURA TE KOHES SE JENIÇERËVE

                                                                          Meditim

nga Dr. Selman MËZIU

Firence, Itali

Dielli silllte pranë nesh një ngrohtësi të bezdisshme. Pas atij rrebeshi e furtune që sapo kaloi këtu në Toskanë e Firence. Ndërsa po  shikoja disa   fotografi, papritmas me vijnë  të tilla nga peisazhet shkelqim bukurish të vendit ku u rrita e mora mësimet e para. Vështroja gjithëçka me mallëngjim miklues. Dhuratë befasuese e shpërthim emocionesh nga Lulëzim Ismail Hoxha.  Arkitekturë peisazhesh që fillojn atje ku prekin qiellin e zbresin ambëlsisht mbi kaltërsinë joshëse të shtratit të lumit Murra.

      Fjollat e reve cekin paksa majën trung koni të malit të Runjës.  Ato duken të kapardisura, të çardallosura në hapsirën blu të qiellit.  Duken si të zemruara. Por unë nuk jam poshtë tyre. Ndërsa ngrihet shpatull gjërë ciklopi  mali i Shmrajs (Emërtim marrë nga  kisha e Shejtores Mari sot gërmadha) e cila  ‘’pritet,, tërthorazi nga dy udhë, e Pellës dhe e Deve.  Dhe një tjetër për së gjati në ngjitje, nga livadhet e Veshe, Kodra e Kualve, shpella e Shejtores Mari dhe përfundon te kisha me të njëjtin emër. Gjelbërim i thellë dushkajash me njëtrajtshmëri  të përsosur  ku duken paksa shenja udhësh. Nga një gungë e këtij shpati, kodra e Kualve, zbres në kullën pothuajse shekullore të Ramadan Lekës. Ngritur hijerandë mbi shkamin buzë brigjeve të një përroi të thelle, emërtimi i të cilet është fshati Shqath, tanima i pa banor. Aty mungon vrulli rinor, shtatet e njoma, energjitë e reja. Koha e jeniçerëve i ka dëbuar nga trojet shumë shekullore. Fatkeqësisht kudo vajtojn shtëpi e troje në këto anë. Këndej diçka po shuhet si flaka e qiriut, qetësisht, sigurisht me shumë dhimbje.

    Flutroi i pezmatuar mbi pamjen e peisazhit të sapo fotografuar  duke u ndaluar te Kodra e Krashe. Plepi i butë, qënia e gjallë, përmendore piramidale që shpon qiellin.         Përqark e poshtë tij pemët e harlisura keqas, që përpiqen të mbulojn gërmadhat trishtuese të shtëpive te djemëve, nipava, mbesave të Adem Krashit. Përqark kanë mbetur vetëm toponimet e arave, livadheve, poreneve, me mbiemrin e tyre. Dëshmi e banorëve të dikurshëm, ndësa sot lotuese, tronditëse shpirtërore, brengosëse. Sigurisht kujtimet e fëminisë më verdallisen me dallgëzime tajfunesh, ato më lodhin e torturojn. Sigurisht i pafuqishëm t’i ndaloi.

      E sakaq ndalem te një plep i tharë i cili më gërvisht egërsueshëm kujtesën. I mbjellur nga i ndjeri babai im Tahiri, këtu e më shumë se gjysëm shekulli. Plepi truplart, ngjyrë dheu, degë e trup të mekura e shpurpurisura nga vdekja, për arsye moshe apo sëmundje. Nuk e di. I vdekur në kam thërret njeriun. Por korr vetëm heshtje. Pranë tij natyra ka mbjellur një lis që edhe po e rrit plotë shëndet. Kurora e tij bukuri rrallë, sikur i jep jetë peisazhit të mejes (ledhit) mbi vijën e ujit të lagjes Hoxhe. Natyra nuk e braktis jetën, ajo është vetë rregulluese, bujare e mjeshtre ndërtuese e arkitekturave të gjelbërta. E zhytur pothuajse në gjelbërim, çatia muret, dritaret të çngyrosura nga mëllefi i jeniçerëve politik. Heshtje. Mplakje nga trishtimi, braktisja, syrgjinosja. Heshtjen e thyejn vetëm cicërimat e zogjëve të shumtë. Dallëndyshet krahë lehta fluturojn përqark shtëpisë. Ato kërkojn  vend për të ndërtuar folenë e tyre, diku nën çati e muret e shtëpisë braktisur nga njeriu. Ndoshta ato ndjen aromën e tyre. Por edhe mund të mendojn kthimin e banorëve ndonje ditë, muaj apo stinë siç bëjnë ato vetë.   Prandaj ato të gëzuara e me plotë cicërima melodioze, fillojn të ndërtojn folenë me pështymën e tyre duke lagur baltën, barin copëra krandesh etj. Unë veç ndjej drithërima në trup e shpirti më helmohet. Edhe pse  jetojm në ditët e fundit te qërshorit, por…   

     Vështroi i përmallueshëm fotografinë e shtëpisë tonë lulet e kujtimeve hapin petlat e tyre si ato të mëngjezit nga rrezet e diellit.

Ishte mëngjez edhe ky i vitit 1968. Ora shënonte 04 e mëngjezit të muajit Korrik. Skoda u shkarkuar me çeremidet e frengut në kodrën e Bushenit. Ardhur udhës malore të makinave nga Burreli në Fushë Muhur duke udhëtuar gjithë natën. Shoferit i ishin skuqur sytë. Megjithatë ai duhesh të kthehesh sa ma shpejt nga kishte ardhur. Ato shkëlqnin, kuqëlonin, të pjekura në furrën e fabrikës së tjegullave në Vorë të Tiranës. Edhe pse po këtu, jo shumë larg në kohë, kishte furrë pjekje tjegullash, por të lugëta. Kishim mjeshtrin Avdi Mëziu, drutë e argjilën. Sot duken vetëm gropat e tjegulla të coptuara, aty këtu. Tani ato kur i shikoi nga fotografia janë të plakura, me myshqe e ndonjë e plasaritun apo e thyer qoshet. Në mëngjez babai  fanell grisur filloi t’i transportonte pranë shtëpisë pa çati, me mushkën tanima heroinë. Ato e mbrojtën familjen tonë nga të ftohti, pikat e shiut, flokët e borës e vapa përvëluese e gushtit. Tani ato mbrojn muret, tavanet me dhomat e suvatuara, mbushur me merimanga e pulla  të kuqe në tavane. Ndërsa minj nuk ka, se nuk ka drithëra në shtëpi, as fruta e perime të thara.  Gjithëçka e shpëfytyruar, mbështjellur me qënje të botës së egër. Fatkeqesisht.

      Muret veshur me llaç gëlqereje ku dallojm kokrizat e ranës marrë në shtratin e Murrës. Me njolla pothuajse të zeza si sy gadi të mbyllura nga lodhja, vuajtjet, koha e pa mëshirshme. Ajo gëlqere u prodhua nga gurët gëlqeror të shtratit të përrroit të Shqathit. Aty u thyen, u ngarkuan në samarin e mushkës paisur me dy dërrasa  lidhur me litar ne dy anët e tij. Me ato u ndërtua furra e gëlqeres. Drutë prodhuar e  marrë nga lisat e vjetër, zemër kalbur në shpatin verior të malit të Shmrajs. Diku posht e sipër udhës së Sekatorit ku shikoheshin sy kaltërta burimet në shkam të gjurrës së Dedë Laçit. Ujin e ftohtë e pinte mushka me endje kurse babai freskonte sytë e lante djesën. Pastaj udhëtonin sëbashku deri në Kodër të Mëzeze.  Tanima gjithë ajo pasuri, ngjizur me mundin, djersën e sakreficat e pa fundme, mban në kam kullën të lidhur gurët me qoshet. Mjerisht pa zëra vogëlushësh e muhabete dhomash pranë zjarrit bubulak. Kuptohet edhe këtu produkt e pasoj i vrerit helmues të kohës së jeniçerëve.  Ato i shtërnguan në fyt lakun e litarit të vuejtjeve e mjerimit. E ato ikën, e ikën diku për t’u shpëtuar këtyre.

    Peisazhit të kullës i dhuron bukuri joshëse, qoshet e shqemat e dyerve e të dritareve. Ato u zbuluan dhe u nxorën diku mbi udhën kambësore Kodra e Krashit - Shqath në Shpatin e Sukës së Leke. Ngjyra pothuajse e kuqe me damaret jeshil e blu  ende ruajn  pamje mrekulluese. U trasportuan në krahë me argjet (Shumë burra vullnetar që e ndihmonin njërin apo tjetrin në punë të vështira S.M). Ato ishin viganë nga trupi, me fuqi divash, me forcë e vullnet të hekurt, bujar e zemër gjan si pasuritë natyrore muhurake. Guri ‘’hante,, daltën kunje dhe të hollë, çekiçin me dhambëza. Përdoresh në ndërtimin e mjaft shpiave muhurake. Mjeshtri gurë skalitës, mixhë  Ganiu ishte mikelamxheloja i këtyre anëve. Ulur në një shtëllung fieri të njomë, punonte  ditë të tana me çekiç e daltat që i tokte (mprefte  vetë) ne farkën e shpikur nga ai. Punonte i përqëndruar e duar artë duke nxjerrun qindra qoshe e shqema dyersh e dritaresh si kallëpe sapuni. Shqiponja, pëllumbi në fluturim, viti 1968 dhe emri i shkrojtur i Ramadan Meziu, babai i tyre  mbështetur në dy degë ulliri, vepër që flet pë kohën e shkuar e të përlot sot.  Edhe pse  në heshtje, janë dëshmitë e kohës dhe e mjeshtrisë së gurë skalitësit. Nën shqemën e derës me themelet e shtëpisë me gjërsi një metër u fut vorba brenda me pasqyrën krahnin dhe kokën e qingjit. Tradite e lashte e muhurakëve. Ato mbajn shumë peshë të dobishme. Edhe pse koha e jeniçerëve i varros e përçmon idiotësisht.

        Banorët që ndërtonin, punonin tokën, prodhonin gjithëçka që u nevoiteshin nu duken. Një ditë apo mëngjez heret u ‘’arratisën,, duke lanun pas gjurmë peisazhesh të pa përsëritshme.  Gjithë çka ka ngrirë. Shkretim nga njeriu ka pushtuar dejet e jetës në fshatra. Ndersa natyra kjo arkitekte peisazhi natyror vazhdon punën e vetë pa u ndaluar. Ndërsa unë me fisin tim me bashkemoshatarët e mijë të fshatit pothuajse nuk jemi. Nuk i japim ngjyra, forma, gjallëri  njerëzore peisazheve. Ndërsa shpata e hidrocentralit Skavica ose Reçi  kërcënon gjithëçka mbi dhe, në këto anë. Janë jeniçerët politik të kohës që duan të varrosin pasuritë tona, trojet tona, djepin e jetës, aty ku u derdh çurg djersa, gjaku e energjia e pa matshme.

 

31.05.2023                                              Muhuraku S. Meziu