Saturday, 29 February 2020

GJITHË UDHËT MË KTHEJNË NË SHTËPI, UDHËPËRSHKRIM

GJERMANI, FRANKFURT – MBI MAIN, TETOR 2003 
     
by David Barnes Photography

 nga: Resmi OSMANI
Agronom, Shkrimtar & Publicist
TIRANË 

    
Prof. dr. Resmi OSMANI
 Me ndihmesën e një fondacioni gjerman, në verë-vjeshtë të vitit 2003, ishim  duke përgatitur strategjinë afatgjatë të zhvillimit të vreshtarisë dhe verëtarisë së Shqipërisë. Pas studimeve paraprake dhe mesimeve(leksioneve) nga specialistet e fondacinit perkatës, u vendos që një grup përgjegjës për hartimin e dokumentit të strategjisë, të bënte një vizitë pune në Gjermani,në  landin Hessen-Pfalc në Gjermaninë Renane,rajoni më përfaqësues për kultivimin e vreshtave dhe prodhimin e verës.    
            Grupi ynë, prej njëmbëdhjetë vetash, i kryesuar nga Seit Shalari, sekretari i përgjitshëm i Ministrise së Bujqësisë dhe Ushqimit, mori aeroplanin e Lufthansës dhe fluturoi për në Frankfurt. Disa prej nesh, përfshi dhe mua, shkonim për herë të parë në Gjermani dhe ishim përgatitur të përjetonim emocione, mbresa dhe mësime nga kjo  vizitë. Gjithmonë kam qenë i mendimit se vizita në një vend të huaj, është  zbulim i një pjesëze të panjohur të botës, mundësi jo vetëm njohjeje nga ana personale, por edhe përfitimi dhe pasurimi të dijeve të shumanshme, jo vetëm të karakterit tekniko-profesional, por në të gjitha rrafshet, që përbëjnë tërësinë e mardhënieve dhe organizimit shoqëror pa përjashtim, të vlerave, traditave, gjithçkaje pozitive, mjafton të dish si të shohësh, çfar të shohësh dhe ta përqëndrosh vëmëndjen në ato dukuri, të cilat duhet të bëhen pjesë e zhvillimit tonë, për përafrimin dhe për t’u bërë pjesë e Komunitetit Europian(ta bëjmë Shqipërinësi gjithë Europa), si një detyrim qytetar, për të dhënë ndihmesën personale.
            Zbritëm në aeroportine Frankfurtit, një nga më të mëdhenjtë e më të rëndësishmit, jo vetëm të Gjermanisë por edhe të Europës. Thuajse çdo dy minuta ngrihet apo ulet një avion! Mikpritsit na mbartën në qytet me një mikrobus dhe na vendosën në hotel pranë qendrës së qytetit.
            Frankfurti, qytet i vjetër dhe i madh, ngrihet në të dy anët e lumit Main, ujëshumë, i gjerë dhe i lundrueshëm, nëpër të lundrojnë maune transporti lumor. Përgjithësisht qyteti ruan pamjen  e lulzimit të tij të hershëm, me shtëpi të stilit gotik, çatipjerrëta, kisha dhe katedrale me kambanare të larta, por nuk i ka shpëtuar sëmundjes së kohës: qiellgërvishesve, janë disa të tilla që lartohen në qëndër të qytetit. Këtë qendër kanë filluar ta quajnë Manhatani i Frankfurtit. Ngjitemi në njerën syresh dhe sodisim qytetin në tërë shtrirjen e tij. Frankfurti është qëndër e bankave të mëdha, por edhe qëndër kulturore. Është vendlindja e Gëtes, universiteti i qytetit mban emrin e tij.  Janë të shumtë parqet dhe statujat e përmendoret. Në lindje të qytetit është “Pylli i popujve”, i krijuar me mbjelljen e pemë pyjore nga vendet e Europës. Aty gjejmë edhe pemë drunore që i takojnë pyjeve tona mesdhetare: lisa, plepa, rrapa, bredha e pisha, dhe të tjera të pyjeve të vendeve të ftohta, mështekna, vadhëza, bredha, disa prej të cilave i shohim për herë të parë. Është një pyll-park, me rrugina dhe stola për të pushuar.
            I  nënshtrohemi disiplinës së rreptë gjermane: çdo veprimtari e programur dhe në kohë të caktuar. Në klasën e mësimdhënies, vijnë lektorë që janë specialistë, profesorë të njohur të fushave të tyre: të vreshtarisë, verëtarisë(Enologjisë) legjislacionit, kadastrës së vreshtave dhe të tregut. Me metoda të mësimdhënies bashkëkohore, projeksione të pamjeve, filma të shkurtër, diagrama me tregues, diapozitivë, përpiqen që ne të jemi sa më shumë përfitues dhe për tu bindur, zhvillojnë  me ne bashkbisedime konmtrolli. Ditët janë të zëna paradite e pasdite. Dalim në qytet mbrëmjeve, shohim aq sa mundim dhe shijojmë nëpër birraritë birrën gjermane që është me emër, suxhukë të skarës dhe sallatë patatesh.
            Ne jemi këtu për vreshtat dhe verën. Na thonë se hardhia në Gjermani nuk është bimë e florës  vendëse. Atë e prunë romakët kur pushtuan vendin dhe mbollën vreshta për nevojat e legjioneve të tyre. U themi se vreshtaria ndër ne është e lashtë. Kur romakët pushtuan Ilirinë, vreshtarinë e gjetën degë të zhvilluar të ekonomisë. Dijetari romak Plini, shkruante: “ Ingrohtë e frytdhënës është ky vend, i mbushur plot me vreshta dhe ullishta.” Por nëse në viset e Gjermanisë Renane, vreshtaria u bë degë kryesore e ekonomisë bujqësore, Iliria(Arbëria) ra nën zgjedhën osmsne, islamizmi e ka pije të ndaluar verën dhe vreshtat e rrushit për verë u shkulën, u përhapën pjergullat me rrush tryeze për nevoja familjare. Më pas është dashur të fillohet nga e para.
            Gjermania ka 104 mijë hektar me vreshta, në 12 rajone, por gati gjysma e sipërfaqes ndodhet në Rhein Hessen, Pfalc dhe Baden, në luginën e lumit Rin(Rhein) dhe degës së tij Mosel. Kufizimi i shtrirjes së sipërfaqeve kushtëzohet nga klima, e cila edhe në rajonet vreshtare, është thuajse nën parametrat e kërkesave biologjike të hardhisë. Mikpritsit na dhanë mundësinë të njiheshim me rajonet vreshtare. Takimi i parë me vreshtat u bë në Rheigau, zonë kodrinore në  rrethinat e qytetit Mainz. Ato u shfaqën si një befasi. Paraqisnin pamjen më të mirë që specialist mund të dëshirojë: blloqe të shtrira në sipërfaqe të gjera sa të sheh syri, simetri dhe njëformësi ne ngritje dhe formën e mbajtjes. Na organizuan një ekskursion në luginën e Mozelës, për të vizituar Bernkastelin, një qytet piktoresk, ku ndodhesh Instituti i Kërkimeve të vreshtarisë”Myler Turgau”. Për ne nuk ishte një udhëtim pune por edhe turistik, për të soditur e njohur atë vend. Rruga shkon në anën e majtë të lumit të gjerë. Lumi është I lundrueshëm, eshtë degë e Rinit. Në të dy anët e luginës, qyteza të vogla, dhe kodra të buta, majë tyre spikatin kështjellat e vjetra feudale.  Bernkasteli, shtrihet në të dy anët e lumit dhe lidhen me ura. Qytet i admirueshëm për nga bukuria e ndërtimeve të vjetra, me fasada të zbukuruara, dhe çati gotike të pjerrta. Ngjan si një kartolinë.
            Drejtori I Instituti kërkimor na mirpret dhe na njeh me veprimtarinë e   shumanëshme, të institucionit që drejton: përzgjedhja klonale e kultivarit “Risling” për të veçuar forma me cilsi sipërore prodhuese, cilsore, agrobiologjike dhe teknologjike janë në studim 72 klone; shëndetësimin dhe çertifikimin nga viruset të kloneve standard, Prodhimin e fidanave të zgjedhur(elit) si material për krijimin e vreshtave mëmë; krijimin e hibrideve të qëndrueshme ndaj sëmundjeve më të përhapura të hardhisë etj dhe vinifikimin e rrushit të seicilit klon, vlerësimin dhe depozitimin në bankën e verës(vinotekë). Morëm pjesë në një seancë shijimi dhe vlerësimi të disa kampioneve. Teknologu i verërave nisi ligjëratën me vlerësimin e kësaj pije që e quajti të shenjtë e hyjnore, foli për Bakusin(Dionisin) dhe për Jezusin, që në darkën e fundit u tha dishepujve duke u zgjatur kupën e verës: ”Pini është gjaku i trupit tim”; por ne ishim amatorë në këtë fushë, sido që kishim marrë mësimet përkatëse për “somelie”(ekspert shijues i verërave). Ai kallzoi një anekdotë:         Gjysh Hansi ishte me nam për të shijuar e vlerësuar verërat, e thirrën kur do të hapnin një nga butet. Gjyshi Hans e ngjëroi, e nuhati, e solli rrotull nëpër qiellzë dhe tha:” E mirë, por mban pak era lëkurë dhe  hekur.” Të tjerët pasi e shijuan, thanë se s’bëhej më e mire dhe se gjyshi kishte lajthitur. Por kur Butin e boshatisën, në fund të tij gjetën një çelës të vogël, të ndryshkur, lidhur me një rrip lëkure!Të tillë ishin shijuesit e verërave qëmoti. Në mbrëmje, tërë shend e në humor, të ardhur në formë nga vera e pirë, u kthyem në Frankfurt.
        Ky kurs dhe kjo vizitë afatshkurtër në Gjermaninë vreshtare, veç kënaqësisë së njohjes së një vendi tjetër për ne, shërbeu që  të nxirnim disa mësime, ndër to më kryesoret:
            Së pari. Konsiderimi i klimës si një pasuri e çmuar natyrore duke e përdorur atë në maksimumin e mundshëm për zhvillimin e degëve të caktuara të bujqësisë. Në rajon, temperatura  vjetore arrin 10.6 gradë Celsius, ndërsa gjatë periudhës bimore 15.4 gradë, rreshjet vjetore 619 mm. orët me ndriçim diellor, mesatare vjetore 1600 dhe në periudhën bimore 1270 orë. Janë në kufirin fundor të kërkesave biologjike të hardhisë. Po ti krahasojmë këta tregues me të dhënat klimatike të zonës verilindore e juglindore të vendit tonë, për temperaturat e ajrit dhe ndriçimin diellor janë më të mira. Por ndërsa gjermanët në atë klimë kultivojnë 100 mijë hektarë, në zonat tona të sipërpermendura, vreshtat janë të kufizuara. Në perspektivë edhe këto zona duhen konsideruar troje vreshtarie.
            Së dyti. Gjetja dhe përshtatja  e kultivarëve të përshtatshme që arrijnë treguesit teknologjikë, dhe traditën e përgatitjes dhe tipizimit të verës sipas shijes së konsumatorit dhe eksportit. Tre janë kultivarët bazë, dy për verë të bardhë, Rislingu, që e kemi edhe ne, dhe Myler Turgau, kurse për verë të kuqe Pinot nuar.
            Së treti. Prodhimi dhe tregtimi i verës. Disa shifra kurioze: Gjermania, midis vendeve konsumatore të verës ze vendin e katërt, me20 milion hektolitra, ndërsa për konsumin e verës për frymë vjen e pesta, me 23.7 litra/frymë në vit. Gjermania nuk i plotson kërkesat me prodhimin e vet, një pjesë importohet, por prodhuesit gjermanë punojnë fort për eksportin. Verërat gjermane me cilsi të njohur, të konsoliduara e tipizuar, eksportohen(për kohën kur bën fjalë ky shkrim) në 10 vende, por kryesisht në Angli dhe Holandë. Në vitin 2002, eksporti arriti në2.2 milion hektolitra, me çmim 164 euro/litri. Në Gjermani, nuk ka prodhues të mëdhenj vere. Prodhuesit e rrushit janë edhe prodhuesit e verës, dalin në treg me etiketën e tyre. Vera kontrollohet dhe dokumentohet nga autoritetet lokale dhe vlerësohet sipas cilsive të mostrave mesatare në katër kategori: për konsum vetiak dhe kulinari, e treegtueshme në tregun lokal, në tregun e gjithë vendit dhe për eksport.
            Së katërti. Kooperimi dhe rregullimi ligjor. Kur sheh madhësinë dhe shtrirjen e sipërfaqeve të vreshtave krijohet ideja e ekonomive me pronarë të mëdhenj, por nuk është ashtu. Të 104 mijë hektarët, u përkasin afro 70 mijë pronarëve, madhësia mesatare e pronës 1.5 ha., më e vogla 0.2 ha. Dhe më e madhja mbi 5 ha. Mbizotëron prona e vogël, megjithatë si rezultat i bashkmarrveshjes kooperuese komunitare, vreshtat janë ngritur në blloqe tërësore, të pandërprera. Kufijtë e secilës pronë, shënohen në hartën e kadastrës së vreshtave, por edhe me gurë sinori. Krijimi i të tilla masiveve, lehtëson edhe shërbimet dhe tipizimin e teknologjisë së kultivimit. Sa mirë do të ishte ta bënim edhe ne.
            Së pesti. Regullimi I gjithë veprimtarisë vreshtare me legjislacion. Asgjë nuk i lihet spontaneitetit dhe dëshirave vetiake. Sipërfaqia gjithësej e vreshtave është përcaktuar nga normat e KE. Çdo vresht i ri, ngrihet me projekt teknik, ku përfshihen gjithë parametrat, perfshi edhe materialin mbjellës dhe kultivarët që do të mbillen, duhet të jenë nga ata të miratuar për rajonin. Vreshtat e mbjella pa leje dhe jashtë normave teknike, shkulen dhe çbëhen. Edhe prodhimi dhe tregtimi i verës i nënshtrohet legjislacionit dhe inspektimeve. Gjithçka i nënshtrohet rregullit dhe disiplinës ligjore e teknike. Kjo e bën vreshtarinë një veprimtari të frytshme dhe fitimprurëse.
       Afati I qëndrimit Përfundoi. Po ndjeja sindromin e mallit të shtëpisë.
      Plotësuam formalitetet në sallën e pasagjerëve dhe më pas zum vend në aeroplan. “Boeing”-u merr turrin në pistë dhe fluturon në lartësi. Ç’do minutë që kalon në këtë fluturim qiellor, më afron drejt atdheut. Më shpie në shtëpi. Mirëmbetsh Gjermani. Teksa aeroplani del mbi re, në një qiell të përndritur nga dielli dhe vijon fluturimin, nga altoparlantet përhapet melodia e bukur e valseve të Shtrausit dhe stjuardesat simpatike e të sjellshme na ofrojnë vaktin dhe pijet sipas dëshirës. Kam kohë të mendoj dhe sistemoj e të bëj një përmbledhje të gjith asaj sa përjetova nga përvoja gjermane.
            Në Tiranë bëm një raport të hollësishëm për arritjet e asaj vizite dhe çfarë prej tyre duheshin përfshirë në strategjinë e zhvillimit të vreshtarisë dhe verëtarisë që po hartonim. 
            Më pas, ndryshimi i ministrave, qeverive dhe i specialistëve e drejtuesve në dikaster, që siç është bërë zakon ndër ne, me një papërgjegjshmëri fodulle nuk e konsiderojnë punën dhe projektet e parardhësve, e arkivoi studimin dhe e la ta mbulonte pluhuri i harresës.
            Për të ardhur keq. Ajo përvojë, si edhe shumë të tjera, mbeti thjesht si një dituri vetiake, pa arritur që të përfshihej në politikat zhvillimore e të  kthehej  në vlerë të ekonomisë sonë.
      E si do ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa?
        
Tiranë,29.02.2020.
----------------------------------------------------------------------------------------------------------------------                                                     
 Prof. dr. RESMI OSMANI
    U  lind më 05.05.1940 në Mazrek të Çamërisë. Pas masakrave zerviste të viteve 1944-45 dhe vrasjes së të atit, u shpërngulën në Shqipëri. Arsimin fillor, shtatvjeçar dhe atë të mesëm e kreu në qytetin e Fierit. Në vitin 1958, hyri në Institutin e Lartë Shtetëror të Bujqësisë, sot Universiteti Bujqësor, dhe u diplomua agronom në degën e pemëtarisë. Pas diplomimit, më 1963, u emërua në Berat, fillimisht agronom sektori në Ndërmarrjen Bujqësore  Berat, më pas drejtor i Stacionit Bujqësor dhe kryeagronom I NB Beratit. Në vitin 1976, u transferua në Ministrinë e Bujqësisë në Tiranë, me detyrë kryespecialist dhe më pas drejtor drejtorie. Në vitin 1991, sekretar shteti në Qeverinë e Stabilitetit, më pas drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Bujqësisë në po atë Ministi dhe së fundi këshilltar i ministrit të bujqësisë. Në vitin 2006 doli në pension.
     Përveç detyrave administrative, është angazhuar që heret në veprimtarinë kërkimore shkencore, kryesisht në fushën e pemëtarisë, mësimdhënies në kurset pasuniversitare në Universitetin Bujqësor dhe udhheqje shkencore të aspirantëve për doktoraturë. Anëtar i këshillave shkencore dhe bordeve të disa institucioneve kërkimore shkencore dhe arsimore. Për kërkimet shkencore, mësimdhënëse, dhe botimet e shumta, ka mbrojtur dhe është atestuar me këto grada dhe tituj shkencorë.
                   Doktor I shkencave, 1985
                   Docent, 1992
                   Profesor i asociuar, 1995
                   Profesor, 1999
Vetë dhe me bashkautorë, ka këto botime shkencore e profesionale në fushën e bujqësisë dhe kryesisht ato të specialitetit të pemëtarisë:
                   -Krasitja e pemëve,1973
                   -Krasitja e ullirit, 1983
                   - Pjeshka, 1986
                    -Njohuri për Ullirin, 1988
                    -Pemtaria, tekst për fakultetin e agronomisë, 1989
                    -Pemët drufrutore, tekst për shkollat e mesme bujq.,  1991
                    -Manuali I ullishtarit, 2002
                     -Luleshtrydhja, 1994
                    -Shërbimet gjithvjetore të ullirit,1988
                     -Kultivimi modern i mollës, 2004
                     -Pemët subtropikale gjetherënëse,2006
                     -Agrumet në ultësirën bregdetare perndimore,2005
                     -Pemëtaria dhe vreshtaria në Shqipëri dhe në Kosovë,  
                      Bashkautor, 2016.   
Antar i redaksisë së bujqësisë për “Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, autor i 34 zërave.  Ka qënë I angazhuar ne referime shkencore në simpoziume dhe konferenca shkencore, në vlerësime dhe oponenca disertacionesh,biseda në radio-televizine etj. Ka shkruar mbi 300 artikuj problemorë e shkencorë në organet e specializuara brenda dhe jashtë vendit, pjesëmarrës në disa konferenca nderkombëtare për ullirin dhe pemtarinë në Turqi, Itali, Francë, Bullgari, Greqi, Hungari, Bruksel etj. Është antar i Shoqatës Ndërkombëtare të Hortikulturistëve me qendër në Bruksel.
Pas daljes në pension, Prof.Resmi Osmani iu përkushtua krijimtarisë letrare,  që ka qenë një nga dëshirat e tij të hershme. Ka lëvruar prozën e gjatë, romanet historikë tregimin, esetë, kritikën dhe estetikën. Ndër botimet duhet përmendur kolana romanore “Libri i mbretërve”
                   Botimet në fushën e letërsisë, për periudhën 2004-2019 përfshijnë;
                   -Jeta e Bedri Lumanit, biografi e letrarizuar,2004
                   -Lule në gur, roman biografik për Todo Gjermanin,2008
                   -Bisedë me shokët, 2009
                   -Mbretërimi i Pirros së Epirit, roman,2010
                   -Edhe yjet vdesin. Tregime, 2011
                   -Bilal Xhaferi poet i shpirtrave njerzorë esse, 2010
                   -Aleksandri i madh i Maqedonisë-miti dhe njeriu, 2011
                   -Ëndrrat e ngrira të Enver Kushit, esse,2012  
                  - Mbretëresha Olimpia , roman, 2012
                   - Koha e çudirave, roman ,2013
                   - Fajin e kishte hëna,tregime, 2014
                   -Teuta e Ilirisë, roman, 2014
                   - Letër Mbretit, tregime, 2014
                   - Ditët e sprasme të mbretit Gent, novelë, 2014
                   - Andrea Topia dhe princesha Helena, roman,2019
                   - Pas Trojës, roman, 2019
                   - Tri novela, novela, 2019   
Krijimtaria e tij është pritur mirë dhe është vlerësuar nga kritika letrare.
Po përgatit për botim një vëllim me 50 tregime dhe një libër tjetër me ese dhe publicistikë.       
                                                  ---0---             

Wednesday, 19 February 2020

UDHËTIM NË TRI KONTINENTE

(të gjitha udhët më kthejnë në shtëpi)

HOLLANDË, PRILL 2002.

nga: Resmi OSMANI
Agronom, Shkrimtar & Publicist
TIRANË

Prof. dr. Resmi OSMANI
Ishte dëshirë e kahershme një udhëtim në Hollandë. Rasti u paraqit për tu njohur dhe marrë mësime për organizimin e shërbimit të mbrojtjes së bimeve ne Komunitetin Europian. Dërgesa jonë, përbëhej prej meje, me cilsinë e drejtorit të përgjithshëm të bujqësisë në ministrinë e Bujqësisë (që kisha në varësi drejtorinë e mbrojtjes së bimëve), dhe tre ekspertë dhe drejtues të këtij shërbimi. Aleksandër Kolacin, Skënder Varakun dhe Shpresa Çalin. Paraprakisht, veç ç’kisha dëgjuar: kishim blerë prej andej lopët e racës “Laramane” dhe modelet e serave me xham për perimet, njihnim futbollin, Ajaksin e famshëm dhe tulipanët.  

Mora dijeni sa munda për vendin ku po shkonim dhe krijova një ide për këtë shtet të Evropës Veriperndimore, në brigjet e Detit të Veriut, që kishte 41.545 kilometra katrore dhe afro 18 milion banorë, me dëndësi mbi 500 banorë/për kilometër katror, e që pjesën më të madhe të territorit e kishte nën nivelin e detit. Më bëri përshtypje zhvillimi ekonomik. Ky shtet, me më pak se dy herë madhësinë e vendit tonë,  zinte vendin e trembëdhjetë në botë për të ardhurat për frymë(mbi 15 mijë dollar) dhe të dhjetin për të Ardhurën e përgjithshme Bruto. Kishim ç'të shihnim e ç’të mësonim.
Fluturimi nga Rinasi për në Amsterdam u bë me tranzit nga Vjena. Pritëm në aeroportin e Vjenës disa orë, në sallën e madhe të pasagjerëvë. Megjithëse mes prilli, atë ditë në Vjenë binte borë. Nga dritaret shihnim një pjesë të periferisë së qytetit. Për në Amsterdam u nisëm ndaj të ngrysur dhe arritëm kur kish rënë nata. Nga aeroporti për në Amsterdam udhëtuam me trenin urban.

Në stacion na priste një mikrobuz i Institutit të Kërkimeve dhe Mbrojtjes së Bimëve që na çoi në Vageningen, qytezë periferike e Amsterdamit. U vendosëm në internatin për kursistët e huaj, ndërsa vaktet e ushqimit në mencën e përbashkët. Kursi për legjislacionin europian të mbrojtjes së bimëve, luftën e integruar kundër sëmundjeve dhe dëmtuesve, çertifikimin dhe kriteret  e zbatimit të bujqësisë organike, ishte intensiv, me orë të ngjeshura, paradite e pasdite të zëna me leksione, punë në laborator, njohje të legjiskacionit dhe demonstrime praktike. Profesorët, të kujdesshëm korrekt dhe dashamirë, disi të përmbajtur e të ftohtë. Vura re se përgjithësisht ata nuk ishin emocionalë, ose dinë t’i mbajnë të ndrydhura dhe të mos i shfaqin ndjenjat. Por këto s’kanë interes për lexuesin, prandaj do të shkruaj ato përshtypje vetjake që më lanë mbresa në këtë vend.

Të dielën morëm trenin dhe për më pak se një orë shkuam për ti hedhur një sy Amsterdamit. Frynte erë e ftohtë, port ë ftohtit nuk ndjehej. Kudo që hym ajri i kondicionuar me ngrohje qëndrore. Në marketet, shitset dhe personeli me veshje të holla. Amsterdami përshkohet nga një rrjet kanalesh të lundrueshëm. Tre kryesorë që përshkojnë qytetin nga lindja në perëndim, dhe të tjerë, pingul mbi ta që ndajnë blloqet e lagjeve të shumta. Me qindra ura,(na thanë 1500) lidhin të dy brigjet e kanaleve.  Arkitekturë e stilit gotik. Bëm një shëtitje me maune në lumin Amstel, pam sa mundëm, por ç’mund të shohësh për disa orë në një qytet të bukur si Amsterdami? Gjithandej turistë, të shumtët aziatikë. Ajo që ne na bën përshtypje është shtatlartësia e hollandezëve. Në trotuare ku kalojnë këmbësorët, në çdo tre-katër vetë, njeri është dy metra i gjatë dhe shumë me syze optike!
Foto cred: by Alex Keown
Atë javë që qëndruam, diellin se pam asnjëherë. Kupa e qiellit si kambanë e përhinjtë, pa re, por një mjegull e tymtë. E veçanta ishte se nëpër të depërtonte drita e shpërndarë e diellit që bënte një ndriçim të veçantë, dritë që u lejonte bimëve blerim të pastër, ndryshe nga ne që jemi vend mesdhetar  me dritë verbuese dhe rrezet e diellit djegin.

Hollandezët i duan lulet dhe kujdesen për mjedisin. Janë me famë tulipanët e lloj-lloj ngjyrshëm. Në Vageningen, zgjohesha heret dhe delja nëpër qytezë. E para gjë që më binte në sy ishin tregjet e luleve. Nëpër galeritë, luleshitësit hapnin tezgat dhe ishte pamje e bukur që s’të vinte ti shkëpusje sytë. Lule, gjithandej lule. Edhe në oborret e banesave, sado të vegjël, ishte kompozuar një lëndinë me bar, një hauz i vogël ku notonte ndonjë rosë, një bredh dhe shkurre zbukurimi. Më ra në sy se shtëpitë i kishin dritaret pa perde dhe oborret pa thurje me gardh apo parmakë. Arsyeja? Për ndriçim më të mirë, por në kulturën e atij populli nuk është që të hyje në pronën e tjetrit dhe të shohë nga dritaret. Kur udhëtuam në autostradë për të vizituar digat e detit, më ra në sy që anës autostradës, ku fillonte rripi i tokës, ishte livadh, dhe në hapsirën gjatësore, nën shtresën e barit të gjelbër kishin dalë kaptinëzat shumwngjyrëshe të  grumbullit të tulipanëve që bënin kontrast me të përhinjtën e atmosferës dhe herë pas here, shfaqeshin bimë drunore(kumbulla), të vetmuara që kishin çelur kurorën e luleve të bardha dhe stolisnin hapsirën dhe gëzonin syrin e udhëtarit. Ngrohtësia e pranverës kishte ngjallur bukuritë që flinin nën tokë Kudo dora e njeriut, që kujdeset për mjedisin ku jeton, i jep bukuri dhe e bën të këndshëm për jetesë.

Lulet janë mall eksporti. Veç luleve të prera, eksportohen miliona bulba(qepë) tulipanësh. Një pasdite vizituam qëndrën e eksport-importit të luleve dhe bimëve zbukuruese në Aalsmir. Galeria me ajër të freskët të kondicionuar, e mbushur me lule, kishte madhësinë e një stadiumi. Atmosfera ermironte nga aroma e luleve. Në një amfiteatër ishte bursa e luleve. Ç’do blerës kishte në tryezë kompjuterin. Në ekranin e madh delnin çmimet. Kur çëmimi mesatarizohej, blerësit bënin porosinë me shumicë. Pas kësaj, agjensia bënte ngarkesën në aeroplan dhe e niste në vendet e porositësve. Më bëri përshtypje që në lulet e importuara kishte lulegjineshtra, degë ulliri, degë dafine, shqopë të lulzuara, që u bashkoheshin tufave të luleve të prera. Vinin nga Spanja. Bimë të tilla i kemi dhe ne me shumicë në florën e vetvetishme, por ato lulëzojnë kodrave dhe ne s’ua dimë vlerën…..Aty pam sesi specialistët e karantinës dhe mbrojtjes së bimëve, ushtronin kontrollin mbi ngarkesat që vinin nga vendet e tjera dhe çertifikonin ato që niseshin për eksport. Gjithçka nën kontroll. Bëm fotografi.

Vizituam një serrë xhami, ku kultivohej trangull dhe pronari zbatonte luftën e integruar kundër dëmtuesve dhe sëmundjeve të bimëve dhe protokollet e bujqësisë organike . Na çuditi rendimenti që sipas deklarimit të pronarit, arrinte në 100 ton për heltar. Zbatohej mekanizimi në shkallë të lartë. Gjith asaj serre i shërbenin vetëm tre  persona. Kuriozitet: pronari i serrës në këmbë kishte veshur këpucë druri, që ata i quanin “sabo”. Ishin të gdhendura në dru, si një e tërë, me majë pak të ngritur. Të tilla këpucë shiteshin edhe në treg, edhe në miniaturë, si suvenirë për turistët.

Miqtë hollandezë na mundësuan një udhëtim për të parë digat e Detit të Veriut, diga që ishin bërë për të përfituar tokë nga deti por edhe për tu mbrojtur nga dallgët e fuqishme që mund të përmbytnin fushën e ulët. Rrugës, pam që fusha përshkohej nga kanale. Ndryshe nga vendi ynë, kanalet ishin pa mezhda dhe pothuajse nuk i pastronin, pasi në fushëtirën e sheshtë, ujërat rridhnin qetësisht dhe nuk mbartnin lëndë inerte. Gjithandej, anës kanaleve, kallamishte dhe mullinj me erë. Mullinjtë ishin funksionalë, forca e erës vinte në lëvizje fletët e mëdhaja, vinin në lëvizje pompat thithëse për kullimin e ujërave. Edhe këtu bëm fotografi.

Deti i Veriut. Makina hyri në digë. Ato nuk janë thjesht diga, por vepra arti. Përfitohet tokë nga deti dhe mbrohet ajo nga përmbytjet. Mbi digë linja paralele të autostradës që përshkonin gjithë gjatësinë e saj. Mbi muret e veshura të digës përplasen dallgët e detit. Deti i Veriut, det i ftohtë, i dallgëzuar e i paqetë. Uji me ngjyrë si më të gjelbër-të përhinjtë.Fryn erë që ngre dallgë të larta. E krahasoj me Jonin dhe Adriatikun tonë. S’kanë të krahasuar: të ngrohtë, të qetë, ujëkulluar, të kaltër me plazhe ranore, me diell të bollshëm, ku mund të notosh e rrezitesh në diell. Janë këto arsye të mjaftueshme që nordikët i pëlqejnë aq shumë plazhet tona bregdetare. Pasuri që ne e kemi, por ato vite nuk dinim ta përdornim.

Me kuzhinën holandeze nuk u mesuam dot. Ul e ngri patate, patate, lakra, mish derri, të ziera, proshuta dhe sallame, që përcilleshin me birrë… ndryshe nga gatesat e kuzhinës sonë  mesdhetare.
Java e qëndrimit mbaroj.Të mbushur me mbresa, i tham mirupafshim vendit mikpritës. Tranziti ishte nga Budapesti. Nuk na u desh të prisnim shumë. Aeroplani i linjës së Malevit mori fluturimin për në Tiranë. Po ktheheshim në shtëpi. Hymë në kufijtë tanë nga veriu. Posht na uruan mirseardhjen alpet madhështorë me majat e zbardhura nga bora.

Rrotat e aeroplanit, takojnë në pistë. Duartrolitje për ekuipazhin. Ndjehem i emocionuar. Kjo më ndodh pas çdo kthimi.

Botoi "Fjala e lire"

Tuesday, 18 February 2020

PASUES I DENJË I NJË FAMILJEJE AGRONOMËSH

ENDRIT  SKËNDER KULLAJ

NIP NGA LIBOHOVA



Përgatiti:  Besnik ISMAILATI
Agronom , Publicist
Libohovë, Gjirokastër. 
  
Endrit KULLAJ
Endrit Kullaj ka lindur më 29.06.1976 në Tiranë. Ai është nipi i Abedin Çiçit. Por cila është biografia e tij e shkollimit dhe e punës?

Arsimimi: pasi përfundon arsimin 8 vjeçar dhe atë të mesëm në gjimnazin “Qemal Stafa” në Tiranë në vitin 1993, në vitet 1995 – 2000 Endrit Kullaj vazhdon studimet e larta në degën e Agronomisë pranë Universitetit Bujqësor të Tiranës, ku diplomohet me rezultate të larta si “Inxhinier Agrar, dega Agronomi”. Vazhdon studimet pasuniversitare (Master), dega “Hortikulturë dhe Mbrojtje Bimësh” (diplomë e UBT, viti 2003).

Pas disa vitesh përvojë pune në sektorin bujqësor privat dhe publik, si Menaxher i Import – Eksportit për Agroblend shpk (Shkurt – Korrik 2000), më pas si anëtar i një ekipi kërkimor në Ministrinë e Bujqësisë dhe Ushqimit (2000 – 2001) dhe më vonë, për 4 vjet, si konsulent me një projekt zhvillimor (2001 – 2004), në mars 2005 vendos të ndërmarrë karrierën akademike si pedagog pranë Departamentit të Hortikulturës dhe Mbrojtjes së Bimëve në UBT. Pranë këtij Departamenti është edhe kontributi dhe veprimtaria e tij më e pasur mësimore dhe shkencore në fushën e përgatitjes së specialistëve të rinj të bujqësisë, por edhe në sfera të tjera të shkencës së bujqësisë brenda e jashtë vendit.

Endrit Kullaj spikat si një specialist bujqësie me vlera të larta në fusha kërkimi multidisiplinare dhe eksperimentimi shkencor. Kërkimet e tij gjatë studimeve universitare dhe pasuniversitare në UBT e deri në 2010 janë fokusuar kryesisht në kontrollin biologjik (bujqësia organike) të dëmtuesve dhe sëmundjeve të pemëve frutore dhe hardhisë. Në këto studime, Endrit Kullaj ka përfituar nga aftësitë e fituara gjatë stadeve kërkimore pranë Qendrës Ndërkombëtare për Studime të Thelluara Agronomike Mesdhetare (CIHEAM), Bari, Itali  për metodat e diagnostikimit sierologjik dhe molekular, shumimin in vitro dhe in vivo, shëndetësimin dhe çertifikimin e drufrutorëve, si dhe pjesmarrjen në Acarology Summer Program pranë Universitetit Shtetëror të Ohio-s, SHBA me profesorët më të njohur të akarologjisë si Sabelis, Amrine, De Moraes, Welbourn, Ochoa, James dhe O’Connor. Një pjesë e mirë e punimeve shkencore i përkasin kësaj fushe kërkimore. Më 29.03.2006, Endrit Kullaj merr gradën shkencore “Doktor i Shkencave Bujqësore” nga UBT.

Veç kërkimit shkencor të ngushtë, Endrit Kullaj ka qenë vazhdimisht i interesuar për zhvillimin e bujqësisë së qëndrueshme dhe në mënyrë të veçantë bujqësisë organike. Ndikim të fortë në këtë drejtim ka patur çertifikimi ndërkombëtar për projektim në permakulturë nga Instituti i Permakulturës, Australi (2001) me trajner Rosemary Morrow dhe kursi i specializimit tri–vjeçar (2002 – 2003 – 2004) në Zhvillimin e Qëndrueshëm të Sistemeve Bujqësore, Mjedisore dhe Rurale, i organizuar nga UniAdrion (Universiteti Virtual i Bazenit Adriatik – Jonian) dhe Universiteti i Bolonjës, ku e vlerësua shkëlqyeshëm (cum laude). Kjo e motivoi për të marrë një diplomë të dytë si “Ekonomist Agrar”, dega Ekonomi dhe Politikat Agrare (pa shkëputje nga puna) në vitin 2005. Si vazhdim i këtyre studimeve në ekonomi agrare, ai merr doktoratën e parë ndërkombëtare në “Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Politikat e Zhvillimit të Qëndrueshëm” të Universitetit të Bolonjës në fushën kërkimore “Ekonomi, Bujqësi dhe Mjedis”, duke mbrojtur një dizertacion për zhvillimin e bujqësisë organike në Shqipëri nën udhëheqjen e Prof. Andrea Segrè. Në kuadër të kësaj doktorature Endrit Kullaj ka kryer stazhe kërkimore nën udhëheqjen e Prof. Nicolas Lampkin në Qendrën Organike të Uellsit dhe Institutin e Studimeve Rurale të Universitetit Aberystwyth në Uells të Britanisë. Shumë prej rekomandimeve të hulumtimeve u përfshinë në Planin e Veprimit për Bujqësinë Organike në Shqipëri (2006) dhe Strategjinë e Bujqësisë dhe Strategjinë e Zhvillimit Rural të Ministrisë së Bujqësisë.

Angazhimi me Universitetin e Bolonjës pas doktoraturës ka vazhduar me mësimdhënie në masterat e nivelit të parë dhe të dytë në Zhvillimin e Qëndrueshëm të Bujqësisë dhe Zonave Rurale, kurseve të specializimit dhe shkollave verore të organizuara nga Universiteti i Bolonjës gjatë viteve 2007 – 2009. Ai ka udhëhequr shumë studentë masteri nga Ballkani të cilët sot kanë pozicione shumë të larta në administratën publike dhe universitete. Edhe në këtë fushë kërkimore Endrit Kullaj është autor i disa botimeve kryesisht në lidhje me politikat e bujqësisë organike, ndikimin mjedisor të praktikave bujqësore, përdorimin e mbetjeve bujqësore për prodhim energjetik, etj., përfshi dy monografi shkencore me shtëpitë botuese AV Akademikerverlag GmbH & Co. KG dhe Nova Science Publishers. Në këto vite ai ka qenë titullar i lëndëve “Pemëtaria Organike” dhe “Permakulturë”.

Pas studimeve të doktoraturës dhe i angazhuar gjithashtu si titullar i modulit “Përmirësimi Gjenetik i Pemëve Frutore”, Dr. Endrit Kullaj zhvillon një interes të veçantë në vlerësimin e germoplazmës së pemëve frurore, veçanërisht për rezistencë ndaj dëmtuesve, duke ruajtur të njëjtin objektiv, bujqësinë e qëndrueshme dhe organike. Me këmbëngulje dhe në traditën e familjes (puna me koleksionimin e resurseve gjenetike të Agr. Abedin Çiçi dhe Prof.Asoc. Ilir Çiçi), ai synon vlerësimin e germoplazmës autoktone të drurëve frutorë dhe të afërmve të egër të tyre, veçanërisht testimin për rezistencë ndaj sëmundjeve dhe dëmtuesve. Për këtë ai përdor metodologji të fenotipizimit dhe gjenotipizimit, duke përdorur përvojën e fituar gjatë stadeve kërkimore pranë Laboratorit të Biologjisë Molekulare, INRA Orleans (Francë) në periudhën kohore mars – tetor 2008 (analiza gjenetike, ekstraktim ADN, PCR, sekuencim, përdorimin e GeneMapper, barkodim gjenetik, etj.), pranë Departamentit të Pemëve Frutore në Universitetin e Bolonjës, dhjetor 2008 – prill 2009 (testim për rezistencë ndaj kromës në serrë, procedurat e hibridizimit të kontrolluar, analizë e pjalmit, protokolle fingerprinting për karakterizimin gjenetik – molekular; QTL në përmirësimin gjenetik molekular) me Prof. Sansavini dhe Prof. dhe pranë Qendrës për Kërkim dhe Eksperimentim në Bujqësi ‘Basile Caramia’, Itali (karakterizim gjenetik i hardhisë, eksperimente me përmirësimin gjenetik të hardhisë dhe përdorimin e programeve ampelometrik/karpometrik). Ka qenë anëtar i Grupit të Punës Malus/Pyrus, Kryetar i Grupit të Punës për Frutat & Hardhinë për Evropën Juglindore (SEEDNet), koordinator kombëtar dhe rajonal (Evropa Juglindore), Anëtar i EUCARPIA (Shoqata Evropiane për Kërkim në Përmirësimin Gjenetik të Bimëve), etj.

Pjesa më e madhe e 30 punimeve shkencore në këtë fushë janë realizuar në kuadër të projekteve kërkimore në të cilat ka qenë koordinator ose drejtues i grupit kërkimor si “Ngritja e një Banke Gjenetike Kombëtare të Pemëve Frutore, me Arkiva Klonale Satelite dhe Ferma Burimore të Resurseve në Shqipëri”, “Vrojtim i popullatave autoktone të mollëve (Malus domestica) në zonën e Evropës Juglindore”, “Identifikimi, kampionimi, koleksionimi dhe karakterizimi i kultivarëve autoktonë kryesorë të kumbullës (Prunus domestica) në Shqipëri”, “Identifikimi i rezistencës ndaj patogjenëve në gjenotipet shqiptare të mollës dhe dardhës dhe karakterizimi gjenetiko-molekular i tyre”, “Identifikimi dhe karakterizimi i popullatave të hardhisë së egër (Vitis vinifera ssp. sylvestris) në rajonin e Evropën Juglindore”; “Studimi dhe vlerësimi i germoplazmës vendase të hardhisë”, “Përmirësimi, shëndetësimi dhe prodhimi i vreshtave dhe verërave lokale”; “Bashkëpunimi Lindje – Perëndim për Eksplorimin e Diversitetit të Hardhisë dhe Mobilizimin e Trajtave Përshtatëse për Përmirësim Gjenetik; “Analizimi i gjendjes së shëndetit viral të germoplazmës vendase të Kosovës dhe Shqipërisë”, etj. Në kuadrin e Projektit “Zgjerimi i koleksionit dhe dokumentimi i llojeve vendase të frutave dhe arrorëve në Universitetin Bujqësor të Tiranës” të financuar nga Departamenti i Bujqësisë i SHBA, së bashku me Prof. John Preece dhe Dr. Joseph Postman, ka mbledhur qindra gjenotipeve të llojeve të egra të afërme me pemët frutore në gjithë territorin shqiptar. Ai është pjesë e ekipeve kërkimore që merren me studimin e tyre në dy repozitorë të germpolazmës drufrutore, të Universitetit të Davis (Kaliforni) dhe në Oregon. Falë këtij aktiviteti kërkimor dhe pedagogjik të pasur, në vitin 2011 i jepet titulli Profesor i Asociuar.

Duke parë që ndryshimet klimatike ishin kërcënimi kryesor për qëndrueshmërinë e bujqësisë dhe veçanërisht hortikulturës, me ndikime katastrofike mbi prodhimtarinë bujqësore dhe resurset gjenetike, Prof.Asoc. Endrit Kullaj themelon në Departamentin e Hortikulturës dhe Arkitekturës së Peizazhit, fushën e kërkimit në fiziologjinë e streseve abiotike të bimëve hortikulturore. Interesi i tij kërkimor lidhet veçanërisht në kuptimin e sjelljes fiziologjike të pemëve frutore ndaj stresit të thatësirës, identifikimit të treguesve dhe instrumenteve më të mirë për të monitoruar gjendjen ujore në kohë reale dhe përdorimit të modelimeve përkatëse.Në këtë fushë ai ka udhëhequr 3 studentë të doktoraturës dhe shumë studentë të masterit shkencor. Midis shumë teknikave, ai përdor aftësitë mbi dixhitalizimin e arkitekturës së pemëve frutore dhe modelimin e fituar gjatë stadit kërkimor pranë Ekipit të Arkitekturës dhe Mikroklimës së Pemëve Frutore në INRA, Clermont-Ferrand, me Dr. Marc Saudreau dhe Dr. Pierre-Eric Laurie në korrik 2009 si dhe sensorët për matjen e fluksit të ksilemës, dendrometrat dhe radiometrat pranë EMS, Brno, Çeki me Dr. Jiri Kucera. Më rishtazi, edhe në funksion të kërkimit shkencor në fushën e fiziologjisë së streseve abiotike, është kualifikuar mbi teknikat mjedisore fushore për shkallëzimin e fiziologjisë molekulare në nivelin e gjethes dhe kurorës në Lisbonë (Portugali) me autoritetet më të mira në këtë fushë nga universitetet e Oxford, Cambridge, Essex, Sheffield, Illinois dhe Manchester. Ai njeh teknikat kryesore fushore dhe laboratorike për proceset në nivelin e gjethes (shkëmbimin fotosintetik të gazeve, fluoreshencën e klorofilit, gjendjen ujore dhe përçueshmërinë hidraulike); procese të kurorës (teknikat e izotopeve të qëndrueshme, monitorimi i zhvillimit të  kurorës/LAI, termografia IR dhe gjendja e ujit/ushqyesve); teorinë dhe praktikën e monitorimit afatgjatë në kushte fushore (mikrometeorologjinë, kovarianca e shtjellave, ndjesimi në largësi).

Pas marrjes së titullit Prof.Asoc. dhe deri më sot,ai ka shkruarmonografi shkencore jashtë vendit, shumë artikuj original, të indeksuar në Scopus dhe me faktor impakti (Thomson & Reuters). Ka mbajturmjaft referime/kumtesa në simpoziume shkencore të Shoqatës Ndërkombëtare për Shkencën e Hortikulturës (ISHS), në SHBA, Gjermani, Greqi, Kroaci, Itali, Kinë dhe Turqi. Disa tregues të tjerë të aktivitetit kërkimor (deri në 2019) janë edhe indeksi H (8) dhe g (9), numri i citimeve (213), indeksi RG (ResearchGate) 21.72 që është më i lartë se 75% e mbi 15 milion kërkuesve të regjistruar në ResearchGate përfshi edhe 26’660 lexime të 173 punimeve të regjistruara. Këtyre i shtohen edhe mbi 8102 lexime në Academia. Mbështetur në aktivitetin e tij botues, sikurse edhe anëtarësinë në shoqata ndërkombëtare të specializuara, pjesmarrjen në borde editoriale dhe projekte e konsorciume kërkimore, Endrit Kullaj është ftuar të jetë bashkëautor në disa libra ndërkombëtar: sikurse mund të përmenden dy libra të Academic Press (Elsevier), dy libra të ISHS, një libër të Nova Science Publishers, etj. 

Një vëmendje të veçantë Prof. Kullaj i ka kushtuar mësimdhënies dhe pajisjes së studentëve me literaturë bashkëkohohore, në të gjithë modulet dhe nivelet ku ka dhënë dhe jep mësim, veçanërisht në lëndët ‘Biologji e Bimëve Hortikulturore’, ‘Fiziologjia Mjedisore (Ekofiziologjia) e Pemëve Frutore’ dhe ‘Përmirësimi Gjenetik i Bimëve Hortikulturore’. Disa prej botimeve kryesore për studentë janë:

ÇAKALLI, D. dhe E. KULLAJ (2007) Biologjia e Bimëve Hortikulturore. 510 fq.
KULLAJ, E. dhe D. ÇAKALLI (2007) Praktikum i Biologjisë së Bimeve Hortikulturore. 250 fq. 
KULLAJ, E. (2008). Ekofiziologjia e Drufrutorëve. 540 fq. 
KULLAJ, E. (2008). Biologjia e Thelluar e Pemëve Frutore
KULLAJ, E. (2009). Pemëtaria Organike. UBT 200 fq.
KULLAJ, E. (2009) Permiresimi Gjenetik i Pemeve Frutore (Pjesa Speciale). 789 fq.
KULLAJ, E. (2012) Metodat Molekulare te Permiresimit Gjenetik te Pemeve Frutore. 450 fq.
KULLAJ, E. (2016). Përmirësimi Gjenetik i Pemëve – Metodat Konvencionale dhe Molekulare. 310 fq. 
KULLAJ, E. (2017). Fiziologjia Mjedisore e Pemëve Frutore. 330 fq 

Po në dobi të studentëve në përgjithësi, ka përkthyer tekstet ndërkombëtare shumë të njohura si: 
‘Biology of Plants’, 7th Ed. Raven, Evert & Eichorn, për UFOPress, 900 fq
‘Laboratory Topics in Botany’, 7th Evert & Eichorn, UFOPress, 250 fq
‘Plant Science: Growth, Development and Use of Cultivated Plants’, 5th Ed. McMahon, Kofranek & Rubatzky, për Sh.B. DITURIA(kap. 12 – 22)
‘Earth User’s Guide to Permaculture’, R. Morrow, për World Vision
‘Introduction to Permaculture’, B. Mollison, për World Vision

Përvojës didaktike dhe kërkimore të Prof. Endrit Kullaj i shtohet edhe përvoja administrative dhe kontributi institucional për UBT kur në Qershor 2018 zgjidhet Përgjegjës i Departamentit të Hortikulturës dhe Arkitekturës së Peizazhit në Fakultetin e Bujqësisë dhe Mjedisit. Gjatë drejtimit të Departamentit, ai është angazhuar si drejtues i grupit të punës për hapjen e programit të ri të studimit në Bachelor në Arkitekturë Peizazhi dhe Programit Profesional 2-vjeçar në Kopshtari. Gjatë kësaj periudhe akreditohet me sukses programi Bachelor në Hortikulturë dhe Masteri Profesional në Arkitekturë Peizazhi.

Që prej fillimit të viteve 2000, Endrit Kullaj është angazhuar intensivisht si ekspert dhe konsulent në shumë projekte zhvillimore me donatorë si GIZ, PNUD, ADA, SIDA, SNV, BB, USAID, etj. për transferimin e njohurive dhe trajnimin e trajnerëve, duke publikuar edhe mjaft manuale, udhëzues dhe broshura teknike për prodhuesit e bimëve aromatike e mjekësore, protokolle për pasvjeljen e mollës, etj. 

Gjithashtu, me inisiativë personale e pa financim por në traditën e broshurave teknike të gjyshit të tij, Agr. Abedin Çiçi, Prof. Kullaj ka botuar në Scribd faqen POM AL mbi 80 botime teknike në fushën pemëtarisë dhe pomologjisë, që sot kanë arritur në 100’000 lexime. Që prej vitit 2013 këto botime shpërndahen nëpërmjet faqes zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural (www.agro.al). Disa prej këtyre librave elektronikë janë:
KULLAJ, E. (2013) Teknologji kultivimi në pemëtari. 360 fq
KULLAJ, E. (2013) Shumimi Vegjetativ i Drufrutorëve. 97 fq
KULLAJ, E. (2013) Origjina dhe përhapja e drufrutorëve. 55 fq
KULLAJ, E. (2013) Tiparet pomologjike të drufrutorëve. 137 fq
KULLAJ, E. (2012) Prodhimi i frutave. 231 fq
KULLAJ, E. (2012) Fenologjia e drufrutorëve. 403 fq
KULLAJ, E. (2012) Kultivarët e drufrutorëve. 155 fq
KULLAJ, E. (2012) Nënshartesat e drufrutorëve. 67 fq

Krahas angazhimit akademik dhe si ekspert, Endrit Kullaj ka punuar si Inspektor Ndërkombëtar për Çertifikimin e Produkteve Organike me kompanitë BCS  OKO Garantie dhe CERES Cert. (2003 – 2007)ndërsa në vitin 2008, bashkë me Johannes Gutmann themeloi kompaninë SONNENTOR shpk e cila eksporton bimë aromatike e mjekësore bio në Austri dhe tregton produkte organike në tregun shqiptar. Si administrator i kësaj kompanie, Endrit Kullaj ka krijuar një rrjet furnitorësh në disa rajone të Shqipërisë dhe kontrakton mbi 100 ha produkte organike të kultivuara.

Është njohës shumë i mirë i disa gjuhëve të huaja si anglisht, italisht dhe frëngjisht.

Përgatiti Agr. Besnik Ismailati








Friday, 14 February 2020

LISI DHE SHQIPTARËT


          Për vet rëndësinë e veçantë jetike që kishin drurët në jetën e përditëshme për banorët e lashtë në siujdhesën e Ballkanit, ato u bënë subjekt i legjendave, miteve, folklorit, fesë ose simbole të urtësisë, drejtësisë, prosperitetit, paqes, besës dhe besueshmërisë, trimërisë, etj. Shqiptarët si një popull nga më të lashtët në Ballkan, dhe me një shtrirje të gjerë, kanë mitet, folkun, legjendat, baladat e tyre shumë të pasura rreth drurëve pyjorë e frutorë, mbi mardhëniet e përditëshme me to. Këto tregojnë se kanë jetuar në shekuj në një simbjozë paqësore shëmbullore. Nga drurët vendas mund të përmendim thanën dhe dafinën të cilat shqiptarët i kanë shpallur Hyjnesha. Dafina i shpëtoi nga epidemitë shfarosëse, me gjethet e saj bënin finjosjen, një lloj dezinfektimi i rrobave dhe enëve të kuzhinës. Ndërsa thana ishte simbol i qëndresës, rezistencës, fortësisë, sepse me drurin e saj bënin armët që ishin tmerr për armiqtë. Gjithashtu lajthinë e kishin symbol të besës e besueshmërisë, shegën symbol të bukurisë femërore, shpresës e paqes, etj. 
  
          Një nga drurët mjaft të rëndësishëm që ka hyrë në mardhënie të ngushta që në Prehistori me shqiptarët ishte dhe lisi. Ky dru sipas miteve, nëpërmjet fëshfërimës së gjetheve priftëreshat parashikonin të ardhmen, mundësonte lidhjen e tyre me Zotin dhe njerëzve të vdekur. Kjo realizohej në Dodonën e lashtë Pellazge. Lisi (Quercus) , ose dushku siç quhet në disa treva, ka qenë një dru pyjor shumë i përhapur që formonte formacione të mëdhej pyjorë, ashtu si dhe sot. 

          Sipas J. Diamond(2002) lëndet e lisit në Prehistori kanë qenë një nga ushqimet më të lashta bimore e të rëndësishme për njerëzit në shumë pjesë të Euro-Azisë dhe Amerikën e Veriut. Nuk dihet pse njerëzimi ka hequr dorë nga zbutia e mëtejëshme e tij. Ndërsa Virgjili(vitet 70 e.r) ka shkruar se Iliro-Epiriotët kishin domestikuar dhe e kultivonin lisin. Kishin veçuar një lloj, lëndet e të cilit përmbanin më pak taninë  i bluanin për t’a përzier me drithin për të gatuar bukën e tyre si dhe të siguronin ushqimin e bagëtive. Një lloj lisi të tillë e kam hasur në rrethin e Gjirokastrës për të cilin mendoj se është me interes ekonomik e ekologjik edhe sot për mbarështrimin e blegtorisë.

          Sipas Strabonit(viti 63 p.k.) me lisin njerëzit e lashtë bënin zjarrin që ishte shumë i rëndëshim për ta, ishte ushqimi i tyre dhe i bagëtive që mbarështronin, gjethja dhe lëdia e tij përdorej si ushqim bazë për blegtorinë, ku dhe sot paraqesin vëmendje e shfrytëzohen me leverdi në zona të caktuara, si dhe të ishte edhe ushqimi i kafshëve të egëra që gjuanin si: derrat e egër, sorkadhet, dhitë e egra, etj. Zgavrat e lisave të mëdhej përbënin shpesh dhe banesat e tyre. Me drurin e lisit ata ndërtonin shtëpitë, bënin vegla e punës dhe mjetet e tjera të jetesës që nga djepi e deri tek arkivoli. Për njerëzit e asaj periudhe lisi ishte bërë një dru i jetesës së tyre, prandaj u bë simbol edhe i Tempullit të Dodonës Pellasge në kulturën botërore të lashtësisë. 

          Historiani Prof. Kristo Frashëri ka kumtuar se:  “Hesiodi thotë se Dodona dhe Lisi ishin qendra e pellazgëve”. Ndërsa duke ju referuar Strabonit ka thenë: “Në fillim, kur faltorja e Dodonës, kryente vetëm funksionin e orakullit, selia e saj ishte shumë e thjeshtë, pa konstruksion monumental. Faltorja ndodhej në trungun e një lisi të shenjtë” 

          Më pas nga lashtësia e gjat mesjetës prijësit e shqiptarëve si Aleksandri i Madh, Pirro i Epirit, Mbreti Gent dhe Skënderbeu e kanë përdorur gjethen apo lënden e lisit si element në emblemat ose veshjen e tyre. Në kasketën mbrojtese të Pirros së Epirit dhe Mbretit Gent ishin gdhëndur gjethe lisi, Skënderbeu kopsat e jalekut të tij i kishte në formën e një lënde të lisit. 

          Gjat mesjetës nga shqiptarët gjethia e lisit është përdorur si simbolikë edhe në heraldikat e princërve të arbërve. Publicisti dhe studjuesi Ndue Dedaj kumton se flamuri i familjes “Qafa” në Mirditë me fushën e bardhë kishte si simbolikë një degë lisi. Gjithashtu ai thotë se një degë lisi është përdorur kudo në zonën e Kanunit nga shtegëtarët si shenjë mbrojtje nga ndonjë sulm i mundshëm. Një degë lisi rreth qafës të udhëtarit do të thoshte se “jam në besën tënde”. 

          Shumë zbukurime në dru ose në metale në Kisha, si ikonostaset paraqiten me gdhëndje të gjetheve të lisit, po kështu edhe në banesa si tavenet dhe në shumë orendi të tjera. Në trevat shqiptare Lisi, Lisimak, Lisandër, Dushku janë përdorur si emëra e mbiemra njerëzish. Në folkun popullor apo krijimtarinë e poeteve e shkrimtarëve shpesh një njeri i fortë e trim, që ju bën ballë çdo situate, sado të vështira të paraqiteshin rrethanat, krahasohet me një lis. Ndërsa poeti i madh i Rilindjes Naim Frashëri, i drejtohet tokës mëmë me vargjet: “O malet e Shqipërisë dhe ju o lisat e gjatë,… “, etj,.. 
           
           Në Shqipëri ka shume mikrotoponime nëpër fshatra si: “Lisi”, “Lisat”, Lisnajë, Dushkajë, etj. Janë   mbi 15 emra fshatrash si: “Dushk”- në Gramsh, Elbasan, Lushnjë; “Dushk-Çam” – Lushnjë; “Sharr-Dushk” – Kavajë; “Has-Dushk” – Kavajë; “Dushkarak” – Vlorë; “Ndërlisaj” – Shkodër; “Baldushk” – Tiranë; “Lis” – Mat; “Lisaj” – Elbasan; “Lisnaj” – Peqin; “Kalis” – Kukës, etj.
Ndoshta edhe toponimet “Toskë” rjedh nga fjala dushk, si dhe emri qytetit Lisus(Lezhë) nga fjala Lis.

           Shqiptarët jo vetëm e kanë shfrytëzuar lisin e pyjeve por dhe e kanë mbjellë atë. E kanë domestikuar për nevojat e tyre ushqimore dhe të bagëtisë. E kane mbjellë si bimë zbukurimi të fshatrave e qyteteve të tyre në rrugët, qendrat e fshatrave, vendet e kultit, etj.  duke u shërbyer si hije, vend çlodhje, mblidheshin në kuvende e festa, mërzime të bagëtive, etj. Më kujtohet se në Laboven e Kryqit, Gjirokaster ishte nje lis shekullor ku nën hijen e tij mblidheshin perimet dhe prodhimet e tjera bujqësore, shërbente si një hangar përpunimi natyral. Lisi ështe një dru që jeton gjatë, deri një mijë vjet. Askush nuk i prekte lisat e mbjellë, konsiderohej si dru i shenjtë, kjo traditë ka ardhur deri në ditët tona.

          Lisin shqpitarët tradicionalisht e kanë përdorur edhe në mjekësinë popullore. Me rrënjët, gjethet apo lëvoret  përgatiten droga kundra dhimbjeve të stomakut e të zorrëve, heqjes së barkut,  kundra helmimeve nga kripërat e metaleve të rënda, Kundra djersitjes së këmbëve, ngrirjes së gjymturëve, etj.  Është përdorur gjithashtu për përgatitjen e ngjyrave për të ngjyrosur stofrat në të kuqe të hapur, bojë kafe për të ngjyrosur të leshtat. Disa lloje lisash përmbajnë sasira të larta taninë ndaj gjen përdorim në industrinë e lëkurëve( M. Demiri, 1979; P. Kokalari,1980) 

          Në botë ka rreth 600 lloje ose specie lisash. Në Shqipëri njifen ose janë përshkruar mbi 11 lloje si: Prralli( Q. coccifera L.); Ilqja(Q. ilex L.); Qarrziu, Bulgri(Q. trojana Webb.); Valanidhi (Q. aegilops L.); Qarri, lisi i bardhe ( Q. cerris); Bunga(Q. petraea Matt.); Lisi i butë, bungbuta(Q. pubescens Wild.), Shparthi (Q. confrater Kit.), Rrënja (Q. robur L.),  etj. 

          Druri i lisit ka gjetur sot në botë një përdorim të gjerë në parqet, rrugët, lulishtet si breza, pyllëzimet, etj. Shqiptarët kanë një përvojë të gjatë e të lashtë me lisin. Druri i lisit është shumë më i dobishëm se drurët e tjerë. Ka përparësi se u reziston zjarreve që këto vitet e fundit janë bërë shumë shqetësuese e shkatëruese për pyjet. Janë vendstrehimi ideal për shumë shpendë dhe kafshë të egra, etj.
Një pyll i pastër vetëm me lisa ku zanafilla e tij mund të jetë nga faktorë njerëzorë


Pergatiti:

Koço MOSKO
Boston, MA, SHBA


"Lisi dhe shqiptarët" is Copyright © 2020 by Bota Bujqësore