Nga Illo FOTO
Astoria, New York
Shkencëtar
i fushave eksperimentale, drejtues dhe organizator i suksesshëm i prodhimit të
gjerë, analist i arritjeve shkencore, pedagog, prognozist i prodhimit dhe
perspektivës së shkencës bujqësore – mjedisore. I tillë ishte Profesor Mentor
Përmeti, i cili ndërroi jetë në Nju Jork, më 6 mars 2015. Aktiv dhe korrekt, në
të tëra detyrat që iu ngarkuan në jetën profesionale dhe shoqërore, akademik
Përmeti mbetet shembull për të gjithë brezat e fermerëve, specialistëve dhe shkencëtarëve
të bujqësisë dhe mjedisit shqiptar, sot e në të ardhmen.
Gjatë luftës për çlirim, ai u
aktivizua me armë në dorë kundër pushtuesit dhe, fill pas lufte, iu përkushtua
arsimimit, duke u diplomuar agronom i lartë në Bullgari. Në punë e sipër, u
vetëspecializua në disa degë të shkencës bujqësore, të drejtimit dhe të
prodhimit të gjerë. Ia kushtoi jetën zhvillimit të bujqësisë dhe mjedisit.
Në Shqipëri funksionuan 18 institute
kërkimore – shkencore, me personelin e nevojshëm dhe me bazën e duhur laboratorike
– teknike. Në të gjitha rrethet funksionuan teknikume të arsimit të mesëm
profesional, ku përgatitej i gjithë kontigjenti i mjeshtrave të prodhimit, për
bujqësi, blegtori, mekanikë bujqësore, frutikulturë, peshkim e pylltari. Në
tërë këtë proces të gjerë transformues, ka gjurmë të pashlyera dora e akademik
Përmetit me kolegët e tij të punës dhe idealit. Ai shquhej për pasion,
inteligjencë, erudicion të rrallë dhe, mbi të gjitha, për modesti e punë me
ekipe të mëdha, me detyra gjithpërfshirëse. I konsideronte shokë dhe të
barabartë vartësit, por kur ata e tepronin në rrugën e vesit, tregohej i
pamëshirshëm me gabimet, që vinin nga dembelizmi, egoizmi, hipokrizia dhe
përvetësimi i punës së tjetrit.
Nuk kam takuar një specialist,
mjeshtër prodhimi, shkencëtar apo punëtor, që të ankohet për Mentorin, për
arrogancë, fodullëk ose të dënimit pa të drejtë. Ai e peshonte punën dhe
djersën e vartësve, me kandar floriri. Ishte shpirt demokrati, i pavarur.
Respektonte me fanatizëm ligjet e shtetit dhe rregullat komunitare, duke u bërë
avokat i denjë për njerëzit që dikush u mohonte të drejtat, i merrte nëpër
këmbë ose i dënonte padrejtësisht. Kishte besim tek shteti i fortë dhe i
reformuar rrënjësisht. Kush ka pasur rast të bisedojë me Mentor Përmetin, për
tema të mëdha apo edhe të dorës së dytë, ka vënë re se ai e ilustronte bisedën
me shembuj të ngjashëm nga historia, gjeografia, luftërat, letërsia, arti,
shkencat ekzakte, ato humanitare, me ngjarje nga kuvendet dhe logu i burrave,
nga folklori, politika botërore, etj.
Unë jam në moshë të shtyrë dhe një
të dytë nuk kam hasur dhe as kam dëgjuar nga të tjerë, se në Shqipëri gjendet
një burrë i këtij niveli të shpenguar në çdo lloj bisede, me burra, gra, të
rinj dhe fëmijë të çdo niveli kulture, edukate dhe moshe. Kam pasur fatin ta
njoh Mentor Përmetin dhe ndjehem i plotësuar, që jam student dhe nxënës i
përjetshëm i tij. Shteti komunist shqiptar, më saktë drejtuesit kryesorë të
tij, ia njihnin meritat dhe zotësinë intelektuale, akademikut të madh, por nuk
donin që ai të vlerësohej me të tërë bagazhin intelektual dhe kryesisht donin
të errësohej figura e tij njerëzore. E krijuan shkakun për ta dënuar. Disa
studentë dhe tre pedagogë, i vendosën fletërrufe. Nga kjo e emëruan
kryespecialist në fermën e Lushnjës. Pozicioni i punës ishte i tillë, që nuk
mund të përballohej nga një specialist, që ishte ndarë nga praktika e prodhimit
të gjerë. Ferma ishte nga më të mëdhatë në Evropë. Menaxhonte 14 mijë ha tokë,
ose 14 ferma të nivelit mesatar. Përveç prodhimit bujqësor, ferma kishte detyrë
parësore të furnizimit të Tiranës me prodhime blegtore e perime, artikuj, që
lidheshin me furnizimin ditor të popullatës, që mund të bëheshin shkak
diskreditimi të politikës së partisë në pushtet. Në Lushnjë u miqësua shumë me
njerëzit dhe u bë më lushnjar se vendasit. Unë, si specialist, kisha më shumë
nevojë për ndihmën e kryespecialistit, prandaj i ndenja shumë afër. U miqësuam
me një besim të ndërsjellë të pazakontë. Jeta vërtetoi se dhe ai kishte nevojë
për punën time si kryezooteknik. E justifikuam me punë e besnikëri miqësinë që
lindi në ato kohë të trazuara. Këtë miqësi tonën, pa interes material, e ndau
vetëm data e kobshme e vdekjes së Mentorit.
Vitin e dytë pas ardhjes së Mentorit
në fermë dhe në vijim, prodhimi bujqësor, blegtoral, perimor, vreshti,
investimet, patën një rritje të pa parë. Të njëjtin përmirësim patën dhe
treguesit financiarë. U ulën të tëra kostot e prodhimit. Bilanci vjetor
rezultoi me fitim, mbi planifikimin. Ky bum ekonomiko- financiar, nuk ishte
spontan dhe as i veçuar. Në tërë vitet që pasuan, deri në ndryshimin e
sistemeve, ferma e Lushnjës ishte një ekonomi e madhe prodhimi, ku zbatoheshin
tërë rekomandimet shkencore të kohës. Toka, bimët dhe kafshët zhvilloheshin me
një harmoni të pandërprerë, që garantonin rritje prodhimi progresivisht.
Shkenca e kryeagronom Mentorit, ishte bërë metodë e përditshmërisë së punëve në
terren. Jo vetëm kaq. Shkenca e Mentorit, kishte dhënë atë që pritej, në gjithë
ekonomitë bujqësore të Shqipërisë. Farat e zgjedhura dhe të prodhuara në vend,
bënë revolucionin e plotë të prodhimit, në drithëra, pambuk, luledielli, fasule
e foragjere.
Mentori u transferua në Institutin e
Kërkimeve Bujqësore të Lushnjës dhe me vonë në Tiranë, në Komitetin e Shkencës.
Kur do ikja në Amerikë, u takova me Mentorin, më 15 qershor 1995. Ndenjëm 4
orë, në një lokal afër Librit Universitar. Ishte shpallur akademik dhe punonte
ne Akademinë e Shkencave. Ishte shumë i mërzitur, nga fakti se specialistët po
largoheshin nga vendi, por më vonë, u detyrua të largohej dhe ai vetë.
Brengosej me disa zhvillime te Qeverisë Demokratike, që krijoi konfuzion të
paparë, në investimet bujqësore, në pronën, në ndarjen e tokës së fermave për
frymë, si dhe në zhvillimin spontan e shumë konfuz të bujqësisë kapitaliste. E
takova edhe në Amerikë, në shtëpinë e vajzës së tij, Mira, e cila i shërbeu me
devocion të lartë, për mëse një dekadë, që ai ndenji i mbërthyer në karrocën e
invalidit. Kur e takova në Amerikë, me kujtoi jetën në fermën, që ne i dhamë
gjithçka kishim nga vetja. “Kemi bërë punë të mëdha në Lushnjë. Kur i kujtoj,
me lehtësohen plagët e sëmundjes”, u tha atyre që ishin në atë bisedë. Ishte
shumë i brengosur, që të gjitha qeveritë e tranzicionit, gjetën mënyrën, për
t’iu shmangur përgjegjësive, lidhur me shkatërrimin e rrjetit inxhinierik të
kullim- ujitjes. “Si ka mundësi, thoshte me zë të lartë, që për dy dekada, nuk
rregulluan gjë nga katastrofa që krijuan me ndërgjegje të plotë. Me sa duket
këta lloj qeveritarësh, nuk kanë ndërtuar asgjë vetë, në jetën e tyre. T’i shmangesh
kësaj përgjegjësie, është tradhti”, shprehej ai.
Në jehonë të shqetësimeve të
Profesorit dhe të gjithë opinionit të shëndoshë shoqëror, shkrova librin
problemor “Bujqësia dhe mjedisi në tranzicion”, ku, veç të tjerave, kam
nënvizuar mësimet e mëdha të Profesor Mentorit.
Bujqësia e sotme shqiptare, është
shumë larg porosive dhe mësimeve të akademik Mentor Përmetit. Fusha më e
rëndësishme e vendit kërcënohet nga përmbytjet dhe thatësia. Aktualisht më
shumë se 200 mijë ha tokë kanë 25 vjet që nuk janë në qarkullim ekonomik.
Recetat për të ndryshuar gjendjen aktuale të bujqësisë, na i ka lënë të gatshme
Mentor Përmeti. Heshtja e organeve shtetërore ndaj tokave të pashfrytëzuara
është e pafalshme. I qoftë i lehtë dheu i vendlindjes Profesor Mentorit, që e
deshi me tërë fuqinë e shpirtit! Siç thotë populli ynë: “Iu bëftë varri dritë”!
–
Botoi
Gazeta “Dielli”