Monday, 29 June 2015

Malli për Vendlindjen


ËNDËR
“U thafsh moj dega dafinë,
S'më le të shoh Lunxhërinë"!
                             Popullore
Ku bien malet në gjunjë
Në prehër mbajnë një lumë;
Aty  do shkoj të tret mallë,
Si njëher’ kur isha djalë.
Të rri pak në Shën e Premte,
Atje të ndez një qiri,
Ku far’ e fisin  kam lënë,
Mëmë, babë dhe gjiri.
Do marr rrugën tatëpjetë,
Në ato bahçe përbi gur,
Do ndaloj te Lëmi Bitaj,
Të zë vallet si dikur... 
Me djem të përplas fort këmbët,
Me vashëza plot hijeshi,
Zemrën ç’ja plcasin gurit,
Me kësulat përmbi sy!
Për Koçon dhe Pandelinë,
Këngët të na venë gjym,
U tretën për Shqipërinë,
Sup më sup me frashërllinj.
Do të flë një natë tek Brinja
Zhurma e lumit mërmërit,
E plotë të ndriçojë hëna,
Era nga Panjat të flladit…
Të ma bëj zgjimin thëllëza
Qukur-qukur me birbilë,
Fshati zë gumzhin si bleta
Gjithsekush me punët e tij.

Kur fillojnë e dalin bagëtia 

Blegërima, zile, këmborë dëgjohen.

Çobejtë  kopetë i vënë prëpara 

Dhe shtegut të malit zën e treten!

Si sorkadh do ngjitem malit,
Të mbledh çaj e trëndelin,
Te pi ujë nga të spitharit,
Në Marota të marr frymë.
Aty, do ulem të prehem,
Ashtu siç Shpirti ma di,
Të më ngopet kraharori,
Me freski e Lunxhëri!
(E ripunuar)

KROI I MADH1)
*
Ky krua nisi dy shekuj më parë2),
Në kërthizë të malit, atje nën majë,
Gjë tjetër s'gjen, veç aromës së çajit,
Borën me re trazuar që pikon zallit.
*
Bulëzat e këtij dheu të ftohtë brisk,
Mjeshtrat lunxhiot i mblodhën pikë-pikë,
Shkrepave, luadheve shtruan sylinarë,
Të gurgullonte në fshat, ne Kruan e Madh.
*
Kroi i ri mortje të mos kish kurrë,
E derdhën fund e krye me llaç e gurë,
Gdhendën në brinjë një bukuri të rrallë
Në të tria krahinat ish krua i parë.
*
Një aneks mënjanë me merak latuar,
Vitat këngëtare të lanin shpenguar,
Në koritat më poshtë, me tufa bagëtia,
Vrapthi shuanin etjen sa binte qindia.
*
Derdhej aq rrëmbyshëm ujët ditë e natë,
Me një bend të madh e vunë në zap,
Ëmbël të gurgullonte në bahçet përrallore,
Dengëza me lule, pemë e bostanore.
*
Kroi i Madh, i burove gjithe mirësitë
Në qytezën4) shekuj ngujuar nga gjarpërinjt3)
Me gjyma e me bucela, i prisje përditë
Të mirrënin ujë, e të shkoqitënin dashuritë.
*
Vashëzat lastonja që rrotullonin synë,
Djemtë levenda që zinin pusinë,
Apo ndonjë nusëroke si lulja në vesë,
Lozte me trimin tek Vresht’ i Kallogresë.
*
Zemër e lavosur aty ndrojtjen flakëriti,
Ndaj kënga doli me duf që nga shpirti:
“Do vete të rri në krua të më vijë ajo që dua,
nazemadhe gjer në thua,…”
*
Kroi i Rrëzate më shfaqet gjithë nur,
Vetem dashuri i skalitën në çdo gur
Kroi i Madh do t’i thoshin të gjithë,
Atje mblidheshin, gëzonin Perënditë…
***********************************************

1. Kroi i Madh eshte shpallur Monument Kulture I Kat. I ne fshatin Selcke, Gjirokastër por deri tani nuk e ka kujdesin e duhur nga organizmat përkatëse dhe po rrezikohet të shëmbet.
2. Emigrantët selicjote ne Stamboll, ne mesin e viteve 1800 te organizuar ne Shoqatën “Përparimi” me kontributet e tyre midis te tjerave, muar inisjativen qe t’i ndertonin ujsjellsin fshatit, pasi vuante për uje. Përpjekje për një gjë të tille ishin bërë edhe më parë.
3. Fshati para viteve 1400 ka qenë i ndërtuar në një vend me ujë të bollshëm por, me dydjet e para Osmane është shpërngulur në rrëzë të malit, sepse sipas një legjende thuhet se gjarpërinjtë hanin fëmijët, djemtë dhe vajzat. 
4. Të gjitha fshatrat e Lunxherisë ishin konceptuar e ndërtuar si qytete të vogla.




Thursday, 18 June 2015

SINICA-MODEL I BASHKËJETESËS FETARE

-Mbresa nga kremtimi i ditës së Shën Kollit dhe 165 vjetorit të kishës së këtij fshati-
Nga Fuat Memelli
            Qysh në fillimet e demokraciasë , fshatarët e Sinicës në rrethin e Devollit, çdo vit më 20 Maj, festojnë së bashku ditën e Shën Kollit.( Këtë emër e mban edhe kisha e fshatit.) Kështu ndodhi edhe sivjet por festa ishte më e madhe dhe më e bukur. Dhe kjo kishte arsyen e vet.Tok me ditën e Shën Kollit, u festua edhe 165 vjetori i kishës së fshatit. Veç sinicarëve të krishterë, ashtu si çdo vit, pjesëmarrës ishin edhe bashkëfshatarët e tyre muslimanë. Sinicarët kishin ardhur në vendlindje nga Korça, Elbasani, Tirana, Durrësi, etj, por edhe përtej Atdheut. Josif Kotemelua,  vinte nga Çikagua, Kajsjani e Koço Tahiri, Stavri Panua e Albert Hysolli nga Greqia, etj. Për të festuar tok me sinicarët, kishin ardhur edhe nga fshatrat fqinjë si Dardha, Arza e Qyteza. Mysafirë në këtë festë  ishin edhe nën prefekti i Devollit, Artan Keco, kryetari i Shoqatës “Devolli” Guri Seferi, drejtori i Drejtorisë së Shëndetit Publik të Devollit, Valter Nallbati, etj.
       Atmosferën festive  e zbukuronte flamuri shqiptar si dhe parulla “1850-2015, 165 vjetori i kishës së Sinicës”. Një flamur shqiptar si dhe parulla: “Ta shpëtojmë këtë vatër të dijeve tona dhe ta kthejmë atë në muze”, ishte vendosur në oborin e shkollës. Me rastin e kësaj dite të shënuar, ishte përgatitur edhe një fletëpalosje me ngjyra, titulluar: “Sinica- e bukura e Devollit”, e cila ishte financuar nga sinicarët, Jovan e Jorgo Themeli. Çdo pjesëmarrësi që shkonte në kishë, i vendosej një stemë nga vajzat sinicare, Dajana Hysolli e Megi Memelli. Stema e përgatitur me rastin e 165 vjetorit të kishës, ishte dhuratë nga Jorgo Braholli, me origjinë nga Arëza, fshat fqinj me Sinicën. Gjatë meshës së drejtuar nga priftërinjtë Viktor Konomi e Pabvli Dimashi, besimtarët u lutën për paqe, mbarësi e harmoni.
*   *  *
            Pas meshës, festa “zbriti” në qilimin e blertë të  ish shkollës 8 vjeçare. Sinicari F. Sinica, i ardhur nga Bostoni, pasi i uroi mirëseardhjen të pranishmëve, theksoi se në këto ditë të ngarkuara me politikë, ne sinicarët duam të japim një mesazh bashkëjetese dhe harmonie fetare. At Viktor Konomi , i cili shërben në kishën e Sinicës dhe disa kisha të tjera të Devollit, uroi pjesëmarrësit për këtë ditë të shënuar, në emër të Mitropolitit të Korçës, Imzot Johanit. Kryetari i Shoqatës “Devolli” Guri Seferi, i kudondodhur në vepriaritë e devollinjve, nuk mungoi edhe në këtë festë të sinicarëve. Në fjalën e tij, ndër të tjera ai theksoi: “Sinica është një model i bashkëjetesës fetare, jo vetëm në zonën e Devollit por edhe në qarkun e Korçës e në gjithë Shqipërinë. Harmonia fetare e sinicarëve, është shfaqur edhe në martesat që janë bërë mes të krishterëve e muslimanëve. Një nga këto martesa është edhe ajo e një vajze nga fshati im, Arëza, me një djalë të krishter nga Sinica. Harmonia e çiftit si dhe e famileve të tyre, është një tregues tjetër i bashkëjetesës fetare të këtij fshati”.

            Fjalët pëshëndetëse, gërshetohen me këngë e valle. Orkestra e ardhur nga Bilishti, e ndez atmosferën. Ajo bëhet edhe më e bukur, kur në qilimin e blertë të oborit të shkollës , dalin vallëtarët e Asamblit të Fëmijëve të Shoqatës “Devolli”, drejtuar nga koreografi, Agron Kordalli. Vallja “Devolliçe” mer zjarr nga kërcimi i tyre. Me vallëtarët e vegjël, bashkohen edhe shumë pjesëmarrës dhe lozin së bashku vallet ”Pogonishte”  “Isuf Arapi”, etj.

            Mikrofonit i afrohet mësuesi veteran, Pëllumb Agolli, i ardhur për këtë festë nga Bilishti.-Kjo është një ditë e veçantë, jo vetëm për sinicarët por për gjithë pjesëmarrësit. Këtu takova dhe u shmalla me shumë kolegë dhe ish nxënës të mi. Për herë të parë në këtë festë, merte pjesë edhe një përfaqësuesi i pushtetit vendor në rrethin e Devollit. Ishte nën prefekti, Artan Keco. –Sinica, ky fshat i bukur i Devollit të Sipërm, meriton më shumë vëmendje. Bashkia e re e Bilishtit, ku Sinica do të jetë pjesë, besoj se do t’i hedhë sytë më shumë te ky fshat i lashtë, me histori e traditë të pasur.
            Nga Amerika e largët, u lexuan dy përshëndetje , drejtuar sinicarëve me rastin e ditës së Shën Kollit dhe 165 vjetorit të kishës së këtij fshati. Njërën e dërgonte Peshkop Ilia Ketri, me origjinë nga Sinica ndërsa tjetrën, miqtë e Sinicës: dardharët Sotir Pani e Kiço Çeku si dhe korçari, Jani Plasa. Edhe një risi tjetër pati në festën e këtij viti .Në emër të komisionit oganizator të festës, i riu Marijon Pano, shpërndau dëshmi “Mirënjohje” për priftërinj që kanë shërbyer ndër vite në këtë  kishë si dhe për besimtarë të përkushtuar.
            Por, në këtë ditë të shënuar, sinicarët nuk harruan të ngrenë edhe disa shqetësime. Engjëll Memelli si dhe disa sinicarë të tjerë, si problem të parë ngritën shtrimin e rrrugës Miras –Sinicë –Dardhë( sidomos pjesën Shkallzë-Sinicë –Dardhë) e cila është lënë në harresë dhe nuk dihet kur do t’i vijë rradha, ndërkohë që janë shtruar me asfalt pothuajse gjithë rrugët e Devollit. Emigracioni si dhe kjo rrugë e shkatëruar, ka bërë që Sinica të tkuret.Vitin e kaluar, komuna e Mirasit ku përfshihej deri tani Sinica, ka bërë një projekt vetëm për segmentin Miras-Arzë, duke anashkaluar Sinicën. Projekti në fjalë, është dërguar në Fondin e Zhvillimit të Zonave Malore. Është e dyta herë që anashkalohet rruga e Sinicës. ( Theksoj se kjo është  rruga e vjetër e ndërtuar para afro 85 vjetësh dhe që mbyll unazën: Miras-Sinicë-Dardhë-Korçë.) Sinicarët thonë: -le të bëhet edhe segmenti i Arzës, pasi edhe aty jetojne njerez, por jo të shmanget rruga e Sinicës.
            Frenimi i prerjes së pyjeve si dhe i pemëve të Sinicës nga disa fshatra të Devollit, ishte një shqetësim tjetër që ngritën atë ditë sinicarët. Shpëtimi nga rrënimi i ish shkollës 8 vjeçare të fshatit dhe kthimi saj në muze,ishte problemi që ngriti sinicari Albert Hysolli, tok me disa sinicare të tjerë. ( Është vendi të theksojmë se Alberti si individ ka financuar ndërtimin e ujësjellësit të Sinicës, duke bërë atë që nuk bëri shteti për këtë fshat.) Sinicarët kanë filluar të mbledhin vetë lëkë për rikostruksionin e kësaj shkolle, por kërkojnë edhe mbështetjen e shtetit, për të arritur këtë qëllim. Për problemin e shkollës,ku kanë mësuar nxënës nga Sinica, Dardha, Qyteza, Arza e Mirasi, foli me shqetësim edhe mësuesi veteran nga Dardha, Koli Skënde. Studjuesi Ibrahim Memelli, informoi të pranishmit se është në përfundim të librit për Sinicën dhe do ta promovojë brënda këtij viti, ndërsa Niko Balli, kryetar i Shoqërisë Dardhare “Shpresa”, solli përshëndetjet e bashkëfshatarëve të tij për sinicarët dhe gjithë të pranishmit.   
                                                           *   *   *
            Përsëri këngë e valle, takime shokësh e miqsh, fotografi e filmime. Sinica përjetoi një ditë nga më të bukurat e saj. Mesazhet që u përcollën në këtë ditë të shënuar, le të shërbejnë si një apel për gjithë sinicarët, në Shqipëri dhe emigracion, për të kontribuar më shumë për vendlindjen e tyre. Le të jenë këto mesazhe, edhe një thirrje për pushtetin e ri vendor në Bilisht,për qarkun e Korçës e deri lart në strukturat shtetërore, për të hedhur më shumë sytë nga ky vendbaim i lashtë, që i përket shekullit të 7-6 të Para Erës së Re, te ky fshat me bukuri të rralla për zhvillimin e turizmit.


Maj, 2015