Monday, 29 June 2015

Malli për Vendlindjen


ËNDËR
“U thafsh moj dega dafinë,
S'më le të shoh Lunxhërinë"!
                             Popullore
Ku bien malet në gjunjë
Në prehër mbajnë një lumë;
Aty  do shkoj të tret mallë,
Si njëher’ kur isha djalë.
Të rri pak në Shën e Premte,
Atje të ndez një qiri,
Ku far’ e fisin  kam lënë,
Mëmë, babë dhe gjiri.
Do marr rrugën tatëpjetë,
Në ato bahçe përbi gur,
Do ndaloj te Lëmi Bitaj,
Të zë vallet si dikur... 
Me djem të përplas fort këmbët,
Me vashëza plot hijeshi,
Zemrën ç’ja plcasin gurit,
Me kësulat përmbi sy!
Për Koçon dhe Pandelinë,
Këngët të na venë gjym,
U tretën për Shqipërinë,
Sup më sup me frashërllinj.
Do të flë një natë tek Brinja
Zhurma e lumit mërmërit,
E plotë të ndriçojë hëna,
Era nga Panjat të flladit…
Të ma bëj zgjimin thëllëza
Qukur-qukur me birbilë,
Fshati zë gumzhin si bleta
Gjithsekush me punët e tij.

Kur fillojnë e dalin bagëtia 

Blegërima, zile, këmborë dëgjohen.

Çobejtë  kopetë i vënë prëpara 

Dhe shtegut të malit zën e treten!

Si sorkadh do ngjitem malit,
Të mbledh çaj e trëndelin,
Te pi ujë nga të spitharit,
Në Marota të marr frymë.
Aty, do ulem të prehem,
Ashtu siç Shpirti ma di,
Të më ngopet kraharori,
Me freski e Lunxhëri!
(E ripunuar)

KROI I MADH1)
*
Ky krua nisi dy shekuj më parë2),
Në kërthizë të malit, atje nën majë,
Gjë tjetër s'gjen, veç aromës së çajit,
Borën me re trazuar që pikon zallit.
*
Bulëzat e këtij dheu të ftohtë brisk,
Mjeshtrat lunxhiot i mblodhën pikë-pikë,
Shkrepave, luadheve shtruan sylinarë,
Të gurgullonte në fshat, ne Kruan e Madh.
*
Kroi i ri mortje të mos kish kurrë,
E derdhën fund e krye me llaç e gurë,
Gdhendën në brinjë një bukuri të rrallë
Në të tria krahinat ish krua i parë.
*
Një aneks mënjanë me merak latuar,
Vitat këngëtare të lanin shpenguar,
Në koritat më poshtë, me tufa bagëtia,
Vrapthi shuanin etjen sa binte qindia.
*
Derdhej aq rrëmbyshëm ujët ditë e natë,
Me një bend të madh e vunë në zap,
Ëmbël të gurgullonte në bahçet përrallore,
Dengëza me lule, pemë e bostanore.
*
Kroi i Madh, i burove gjithe mirësitë
Në qytezën4) shekuj ngujuar nga gjarpërinjt3)
Me gjyma e me bucela, i prisje përditë
Të mirrënin ujë, e të shkoqitënin dashuritë.
*
Vashëzat lastonja që rrotullonin synë,
Djemtë levenda që zinin pusinë,
Apo ndonjë nusëroke si lulja në vesë,
Lozte me trimin tek Vresht’ i Kallogresë.
*
Zemër e lavosur aty ndrojtjen flakëriti,
Ndaj kënga doli me duf që nga shpirti:
“Do vete të rri në krua të më vijë ajo që dua,
nazemadhe gjer në thua,…”
*
Kroi i Rrëzate më shfaqet gjithë nur,
Vetem dashuri i skalitën në çdo gur
Kroi i Madh do t’i thoshin të gjithë,
Atje mblidheshin, gëzonin Perënditë…
***********************************************

1. Kroi i Madh eshte shpallur Monument Kulture I Kat. I ne fshatin Selcke, Gjirokastër por deri tani nuk e ka kujdesin e duhur nga organizmat përkatëse dhe po rrezikohet të shëmbet.
2. Emigrantët selicjote ne Stamboll, ne mesin e viteve 1800 te organizuar ne Shoqatën “Përparimi” me kontributet e tyre midis te tjerave, muar inisjativen qe t’i ndertonin ujsjellsin fshatit, pasi vuante për uje. Përpjekje për një gjë të tille ishin bërë edhe më parë.
3. Fshati para viteve 1400 ka qenë i ndërtuar në një vend me ujë të bollshëm por, me dydjet e para Osmane është shpërngulur në rrëzë të malit, sepse sipas një legjende thuhet se gjarpërinjtë hanin fëmijët, djemtë dhe vajzat. 
4. Të gjitha fshatrat e Lunxherisë ishin konceptuar e ndërtuar si qytete të vogla.




No comments:

Post a Comment