Rrushkulli

Për Librin: "UDHËTIM NË SHPIRTIN LUNXHIOT"

MBROJTJE BIMESH nga Prof. Ass. Enver Isufi

TREGIME - NOVELA - RRËFENJA

Friday, 22 January 2021

M A G J I A E P Y L L I T T Ë B U T R I N T I T

 -  Me rastin e 98 vjetorit të Shërbimit Pyjor Shqiptar! - 


nga: Kristo KAURI

SARANDË

 

Kristo KAURI

Këto ditë të ftohta dimri, dhe në tërësi të një klime të ftohtë politike, ekonomike, vizitova disa herë pyllin e bukur të Parkut të Butrintit për të gjetur pak ngrohtësi. Kur viziton këtë Park, nuk të befasojnë vetëm monumentet e kulturës, por dhe pylli i virgjër që qëndron në këmbë për qindra vjet. Të befason kjo larmi dhe harmoni mijëravjeçare, që gjatë shekujve nuk ka patur shumë ndryshime.

 

Gjithë mjedisi paraqet interes, ofron shumë gjëra befasuese për t’i eksploruar dhe nuk ngopesh sa herë që e viziton. Të duket sikur shkon për herë të parë, dhe gjithmonë përballesh me gjëra të reja. Kur kalon pranë monumenteve të kulturës, befasohesh dhe kërshëria zgjidhet shumë shpejt nga ciceroni apo nga tabelat dygjuhëshe që i shoqërojnë. Shpejt mëson se kur datohen, çfarë periudhe i përkasin, cilës perandori, për çfarë shërbenin…. ,dhe përulesh me respekt dhe admirim për çdo qytetërim.

Krejt ndryshe ndodh kur viziton pyllin këtë monument të gjallë natyror, një sipërfaqe prej rreth 17 ha, që rrethon dhe hijëzon monumentet kulturore dhe krejt mjedisin, nuk e ke këtë privilegj, dhe kërshëria, magjia dhe e fshehta të shoqërojnë në çdo hap. Do të përballesh me misteret e pyllit, me të fshehtat e tij dhe jetën mistike të drurëve.

 

Duhet të komunikosh, dhe të rrish për shumë vite bashkë me Natyrën, të dëgjosh të rrahurat e zemrës së saj, zërin dhe klithmat e saj ..,që ajo të fillojë gradualisht pa u nxituar, të të besojë dhe të tregojë të fshehtat e saj.

Duke ecur në shtigjet dhe rrugicat e këtij pylli, prezantohesh me madhështinë e tij, me forcën dhe vitalitetin e tij. Shumëllojshmëria e habitateve të dafinës, prrallit, ilqes, vidhit, rrënjës, frashërit, lofatës, bungës, qarrit, mretes, koçimares, të shoqërojnë kudo. Një pyll i dendur plot jetë, drurë të mpleksur dhe të përqafuar me njëri –tjetrin, shumica me gjethe gjithmonë të blerta, disa me gjethe të rrëzuara, duket sikur të thonë:

 

-       “O njeri i mirë, kujdes, kjo është shtëpia jonë, këtej mos kalo, mos na prish qetësin, ky është universi ynë që e krijuam me shumë mundim dhe sakrifica.”


Pylltarët e vërtetë dhe njerëzit që e duan Natyrën, e njohin këtë gjuhë, dhe e respektojnë këtë univers, dhe në majë të gishtave të këmbës, pa e shqetësuar dhe pa u pënguar prej tij, vazhdojmë dhe futemi në brendësi.

 

Këtu çdo qenie e gjallë drunore dhe jo, ka gjetur mjedisin qoshen që i takon.

Lufta e ashpër për ekzistencë, ka detyruar prrallin, dafinën, koçimarën, ullastrën .. që të përballën me rrënjën, frashërin, vidhin, qarrin, ilqen.. dhe t’ja dalin me sukses. Përballesh dhe me urrthin, morenzën dhe shumë bimë kacavjerrëse, që duke u mbështetur të drurët e tjerë, duke ngulur mirë venduzat për të thithur limfën, kanë arritur deri në majë mbi 25 metra lartësi.

 

Poshtë këtyre të befason filizëria e pasur, e shumëllojshme, me lartësi të ndryshme, që rriten nën kujdesin e drurëve prindër. Këtu drita futet vetëm 3-5%, se e pengon çatia e drurëve mëmë. Në këto kushte, realizojnë proçesin e fotosintezes, vetëm sa për të jetuar. Nuk harxhojnë energji, forcë dhe rezerva ushqimore. Vetëm zhvillimi i ngadalshëm, i qëndrushëm, është e vetmja garanci, që një pjesë e tyre të shijojë pleqërinë e thellë 200- 300 vjeçare.


Drurët funksionojnë tamam si njerëzit, kanë kujtesë, shkëmbejnë informacion, ndjejnë dhimbje, digjen nga rrezatimi diellor, pësojnë paraliza nga ngricat, krijojnë si njerëzit rrudha të thella në lëkurë. Edhe ato si njerëzit kanë kundërshtarët dhe armiqtë e tyre. Kur sulmohen, lëshojnë aromat e tyre paralajmëruese, duke u dhënë informacione dhe drurëve të tjerë që të marrin masat e duhura.

 

Në pyll ka një kod të pashkruar që përcakton misionin dhe detyrat e çdo individi. Kush nuk e zbaton e ka vështirë të jetojë.

 

Të bien në sy disa drurë dinakë, që përdredhin trupin dhe kurorën e tyre, që të arrijnë më shpejt në dritë. Bigëzojnë trungun dhe përpiqen të kalojnë gjitonin për të arritur në majë. U pëlqen si shumë njerëzve, që të jenë vetëm në majë. Ato nuk do të mbrrijnë kurrë në majë, se nuk do t’i rezistojnë forcës së erës dhe egërsisë së saj, ato do të thyhen. Vetëm drurët e drejtë, të lëmuar, elastik, të qëndrueshëm, që nuk nxitojnë, do të mbeten në lojën e jetës.

 

Pak me tutje përballemi me një dru mëmë të rrëzuar,e të shtrirë për së gjati në tokë, pa jetë.. Ai qëndroi në kembë mbi 300 vjet, duke ofruar shërbimet e tij të çmuara, mjedisit, bashkësisë, krijesave… Por edhe tani i vdekur, pjesërisht i kalbur, do të vazhdojë të japë shërbime të çmuara ekosistemit për shumë vite akoma.

 

Në trungun dhe degët e tij, një jetë tjetër po aq e gjallë dhe e larmishme ka filluar. Mijëra kërpudha, bakterie, mikroorganizma, insekte, e kanë pushtuar, dhe secili specialist i mirëfilltë në punën e tij, po luftojnë që t’ja rikthejnë tokës të përpunuar. Një pyll mund të funksionojë pa derrin, kaprollin, ujkun, dhelprën..,por është e pamundur të jetojë pa këtë ushtri, pa këtë bashkëpunim, pa këtë zinxhir ushqimor midis vdekjes dhe jetës. Kjo ushtri është fillimi i zinxhirit ushqimor në këtë ekosistem, ajo gjëndet kudo në çdo mjedis dhe dru të pyllit, e gatshme për të sulmuar pikat e dobëta.

 


Vazhdoj ecjen nën drurët e mëdhenj të ilqes, prrallit, rrënjës,frashërit, që gjatë gjithë jetës së tyre kanë arritur diametër mbi 80 cm. Në trung, në degë dhe në rrënjë, gjatë 200 viteve e kusur, në sajë të fotosintezës kanë fiksuar me mijëra ton CO2. Që të realizohet ky sherbim duhet të egzistojë pylli, duhet të funksionojë kjo makinë gjigante natyrore, siç funksionon këtu.

 

Sa e rëndësishme është që pyllin ta lemë të qetë, ta ruajmë, ta lemë në mbretërinë e tij. Ai do t’i formojë vetë kushtet dhe do të japë shërbime të çmuara, pa qenë nëvoja të investojmë. Ja këtu, nuk është bërë asnjë investim, por lumturohesh dhe befasohesh që shikon një mjedis plot jetë.

 

Të befasojnë drurët dhe shkurrët e gjalla në këmbë, sipas kateve. Të impresionojnë drurët e thatë, të rrëzuarat, të kalburat, të befason legusha e trashë, ky dyshek i madh natyror, plot jetë, ku në një grusht me këtë humus gjenden më shumë mikroorganizma, se sa njerëz mbi planet.

 

Hasim drurë mbi 100 vjeçarë, dhe duken sikur kanë kaluar rininë e parë, shikon rrudhat e lëvores të drurëve 200 vjeçarë, dhe ne pylltarët jemi në gjendje të dallojmë moshën, vuajtjet ,apo lumturinë e tyre. Shikon drurë mbi 300 vjeçarë, që u është reduktuar kurora, fuqitë e tyre me kalimin e moshës janë zvogëluar ,dhe nuk janë në gjendje të furnizojnë degët dhe majat, që gjenden atje lart mbi 20 metër.

 

Pak më tej një dru tjetër qëndron ende në këmbë, dhe ka vetëm trungun dhe degët e trasha, pa asnjë degëzim, pa jetë, dhe do të qëndrojë kështu për shumë vite akoma. Poshtë tij, filizat, krijesat e tij, janë më të gjalla, me të rritura, dhe të gatshme që me ardhjen e pranverës të nisin garën për mbulimin e hapësirës që krijoi vdekja e prindit të tyre.

 

Ato nuk nxitohen, akoma kanë nevojë për shërbimet e nënës së tyre. Nëna i ka mësuar të mos nxitojnë, të jenë të mençur, të rriten avash, duke forcuar qelizat e trungut, rrënjët t’i fusin thellë dhe të grumbullojnë sa më shumë dritë, ujë dhe rezerva ushqimore.

 

Duke ecur, lumturohesh me këtë larmi drurësh, qeniesh, mikroorganizmash në një sipërfaqe kaq të vogël. Tek kjo larmi qëndron sekreti dhe jeta mistike e drurëve, magjia e pyllit dhe ekosistemit, këtu qëndron vazhdimësia dhe qëndrushmeria e tij. Sa më shumë lloje të gjenden, aq më vështirë përhapet dhe sundon një individ në kurriz të tjetrit. Ai gjithmonë do të ndeshet më praninë dhe luftën e kundërshtarit.

 

Natyra është e bukur, është mistike, është magjike, është madhështore, por është dhe mësuese e ashpër. Kush nuk tregohet i kujdesshëm dhe nuk përshtatet me mjedisin, me ligjësitë dhe kodet e saj, kush nuk zbaton mësimet e saj e ka vështirë t’i mbijetojë hakmarrjes së saj.

 

Këto ndjesi, këto emocione, këto mendime e meditime, përjetoj sa herë vizitoj dhe bashkëbisedoj me pyllin magjik të Butrintit.




Monday, 18 January 2021

NDAHET NGA JETA SOTIR PANI, NJERIU QE DESHI MEGJITHË SHPIRT DARDHËN DHE SHQIPËRINË

“Jeta është e gjatë kur është e plotë. Le ta masim jetën me veprat dhe jo me kohën” Seneka

                                                                 nga: Fuat MEMELLI

Boston, MA

Sotir PANI
(1934 - 2021) 

Covidi na mori edhe një shqiptar tjetër. Në kthetrat e tij ra edhe dardhari, Sotir Pani. Kishte rreth 12 ditë që luftonte me virusin në një nga spitalet e Bostonit. Megjithë shërbimin e veçantë që iu bë, nuk ja doli dot. Në prill do festonte 86 vjetorin e lindjes. Megjithë vitet mbi supe, ai ishte plot energji. lëvizte, takonte shokë e miq, përjashto periudhën e virusit. Punonte kopështin te shtëpia e Andreas, djalit të tij. Kujdesej për perimet që mbillte vetë. Kujdesej që të rritej shpejt  një filiz kumbulle i sjellë nga Dardha prej Andreas. Ajo kumbull i dukej si një “copëz” Dardhe.  

Lexonte e shkruante. Mbante ditar që nga viti 1954 dhe kishte shkruar 1000 faqe. Shkonte në kishat shqiptare të Bostonit. Fliste në veprimtari të ndryshme të shqiptarëve që zhvilloheshin këtu. Mosha nuk e pengonte për të qënë aktiv. Na merte në telefon ne shokët e tij. Edhe ndonjëherë kur ne “binim në gjumë”, ai na “zgjonte” Nuk ndihej i plotësuar po mos komunikonte me njerzit, po mos dëgjonte zërin e tyre, po mos bënte shaka me ta. Na kujtonte jo vetëm neve këtu në Boston, por edhe miq të tjerë në Amerikë, në Shqipëri e vende të tjera ku jetonin miqtë e tij. 

Komunikonte në Amerikë me shkrimtaren dardhare, Rozi Theohari, fizikantin e shquar dardhar, Petrit Skënde, që të dy kanë ndruar jetë, me veprimtarët  dardharë në Uster, Vaskë Bruko, Klodi Melka, etj. Nuk harronte të merte në telefon miqtë e tij Teodor Laço,  Niko Balli e dardharë të tjerë që jetonin në Shqipëri. Dardha ishte pjesë e shpirtit të tij. Dashuria e malli për të nuk kishin kufi. Kontribuoi edhe për kishën dhe muzeun e ri të Dardhës. Fliste shpesh edhe me kolegët e tij zooteknikë në Shqipëri, si Nevrus Shtylla, Viktor Puka, Sotir Pasko, etj me të cilët kishte punuar një jetë.

Me shkrimtaren dardhare Rozi Theohari
Në rrugëtimin e gjatë të jetës së tij ka plot “stacione” ku ai ka lënë gjurmët e veta. Vështirë t’i përmendësh të gjitha. Po ndalem vetëm në disa prej tyre. Pasi mbaroi Institutin e Lartë Bujqësor, punoi 8 vjet zoteknik dhe dy vjet shef bujqësie për rrethin e Korçës. Këto 10 vjet punë në këtë rreth ishin një shkollë e dytë për të, pasi njohu e punoi me shumë specialistë e fshatarë. Siç thotë vetë në kujtimet e tij shkoi e takoi njerëz në 200 fshatra të rrethit të Korçës.

 “Stacion” tjetër i punës së tij ishte Devolli. U caktua kryetar i kooperativës së fshatrave Vranisht - Pilur - Bickë, ku qëndroi afro katër vjet. Edhe pas largimit që andej, ai e mbajti miqësinë me fshtarët jo vetëm sa ishte në Shqipëri, por edhe pasi ardhi në Amerikë. Kjo ndodhte pasi Sotiri ishte njeri i “tabanit, i rogozit” siç thotë populli. 

Teknikumi Bujqësor “Irakli Terova” ku u caktua drejtor, ishte “stacioni” i fundit i tij i punëve në rrethin e Korçës. Do largohej nga Korça për në Tiranë ku ishte emëruar. Po largohej nga qyteti që e deshte aq shumë, nga qyteti ku kishte kryer shkollën 7 vjeçare e të mesme, nga Korça ku punoi aq vjet, nga qyteti ku njohu dhe u martua me bashkëudhatren e jetës, Ritkën e tij të dashur, siç e thëriste shkurt ai. Puna dhe jeta e tij më pas vazhdon në Tiranë. Ministria e Bujqësisë e emëron zv. drejtor në Institutin e Kërkimeve Zooteknike në Tiranë. Më pas vazhdon përgjegjës i sektorit racor e më pas kryespecialist i Stacionit të Gjedhit e Shpendëve. Gjatë viteve të punës shkroi e botoi plot artikuj për blegtorinë. Me skenar të tij unë realizovarë dy dokumentarë me temë nga blegtoria. Në Stacionin e Gjedhit e Shpendëve, punoi 10 vjet deri sa doli në pension. Kur filluan grabitjet e shkatërimet edhe në këtë stacion në fillim të viteve ’90, nuk nuk i duronte dot , doli para kohe në pension dhe shkoi me gruan e fëmijët në Dardhë. Më vonë u rikthye përsëri në Tiranë.

Pas viteve ’90, emigrimi u rizgjua edhe në familjen e tij. Kjo ndodhi për arsye se ai kishte patur në Amerikë, gjyshin e tij Josif Pani, patriot i shquar, mik i Nolit dhe Konicës. Kishte patur edhe babanë e tij, Vasil Pani, figurë e shuqar edhe ky i shqiptarëve të Amerikës. Babai i tij shok i ngushtë gjithashtu i Konicës dhe Nolit. Vasili ishte kryetar i “Vatrës “ për 11 vjet. 

Në fillim në vitin 1995 ardhën në Boston dy djemtë e tij, Andrea dhe Vasili. Ardhi për vizitë edhe Sotiri. E që nuk ariti ta marë nga Dardha në Amerikë familjen e tij .Takoi shumë dardharë e shqiptarë të tjerë. Vizitoi varrin e të jatit, ndarë nga jeta në vitin 1947, vizitoi varrin e  Nolit e Konicës. Qëlloi që atë vit do ktheheshin në Shqipëri eshtrat e Faik Konicës nga një delegacion i kryesuar nga ministri i Kulturës së atyre viteve, Teodor Lço. Konica duke qënë shok i ngushtë i të jatit, nuk mund të rinte pa pa folur aty edhe Sotiri.. Si u shmall me njerzit e tij në Amerikë, Sotiri u kthye në Shqipëri për të jetuar në Dardhë e në Tiranë. Por, malli për djemtë, për motrën, për njerzit e tjerë që ardhën në Amerikë pas viteve ’90, filloi ta brejë.

Me djemtë e tij:  Andrea dhe Vasili 
Në vitin 1996, le Shqipërinë dhe vjen bashkë me gruan të jetojnë në Boston pranë djemve të tyre. Kalonin vitet dhe malli për Dardhën e Shqipërinë ndizej më shumë. Krahas bisedave në telefon, brenda 10 viteve të para në Amerikë dërgon në Shqipëri 400 letra dhe mer prej andej 350 .Është ky një rast i rrallë i njerëzve që të kenë dërguar kaq letra në atdheun e tyre. Siç ka thënë Horaci ”qiellin po jo shpirtin ndryshon ai që shkon përtej detit”. Në Boston takon shokë e miq të tij si dardharin Kiço Çeku, korçarin Jani Plasa, gjirokstritin Kostandin Mosko, mua sinicarin e plot të tjerë. Ne miqtë e tij këtu e quanim  kryetar i grupit ”Na bashkoi Bostoni”.

Me te shoqen, Margaritën

 Shkon në biblioteknën e Bostonit dhe lexon gazetat “Dielli” “Kombi” e “Sazani”. Mbledh të dhëna për gjyshin, të jatin, për Sotir Pecin e dardharë  të tjerë. Shkoin në kishat shqiptare “Shën Gjergji” e “Shën Trinia” ku meshojnë At Artur Liolini dhe Peshkop Ilia Ketri. Kënaqej kur meshonte  në shqip Peshkop Ilia dhe thoshte:” Gjuha shqipe na ngjit në zemër”. Me një grup shqiptarësh si At Artur Liolini, Polikron Trebicka, Sotiri dhe djali i tij Andrea, u bënë nismëtarë për hapjen e shkollës shqipe në mjediset e kishës së Shën Gjergjit. Pas dy vjetësh me shkollën u mor shoqata “Mass.Besa”.  Ndër nxënësit e shkollës ishin edhe katër nipërit e tij. 

Me dardharët e Usterit insiston për ringritjen e shoqatës “Bleta” ku zgjidhet zv. kryetar i saj. Rrallë ka veprimtari të shqiptarëve të Bostonit ku të mos ketë folur Sotiri si ajo për 28 Nëntorin, në veprimtarinë kushtuar 100 vjetorit të kishës së Shën Gjergjit, në takimin e organizuar nga kisha Shën Trinia për jetën dhe veprën e mikut të tij, Dritëro Agolli, në takimet e organizuara nga shoqataa “Bleta” , etj. Çdo 28 Nëntor në shtëpinë e tij në Boston, ngrinte flamurin shqiptar, siç kishte vepruar prej shumë vitesh edhe në Dardhë. Në shtëpinë e tij në Dardhë si dhe në Boston, kishte përgatiur dy fotoekspozita, kushtuar gjyshit e babait të tij si dhe patriotëve të tjerë dardharë 

Ndër punët e veçanta në Boston, ishte edhe botimi i  librit për jetën dhe kontributin e gjyshit dhe babait të tij, Josif e Vasil Pani. Porosinë për të shkruar këtë libër, ia kishte dhënë Skënder Luarasi kur kishte qënë në Dardhë. Edhe titullin” At e bir për mëmëdhenë”, Skënderi ia kishte thënë. Punoi shumë për këtë libër dhe me ndihmën e mikut të tij, redakktorit Kolec Traboiini, libri u botua dhe u promovua në Muzeun Historik në Tiranë. Sotiri kishte në plan të botonte edhe një libër tjetër për emigrantët dardharë në Amerikë. Kishte mbledhur shumë të dhëna e dokumenta por… virusi i rezikshëm nuk e la ta kryejë këtë punë. Megjithatë puna e tij siç thotë Seneka”, matet me veprat e jo me kohën”.

Në promovimin e librit "At e Bir për Mëmëdhenë" në Muzeun Kombëtar, Tiranë
Sotiri u nda nga jeta më 4 janar të këtij viti, duke shkaktuar një plagë të thellë te fëmijët e tij , te miqtë e shokët e shumtë. Ai iku të prehet pranë Ritkës, shoqes së tij të jetës e cila ndrroi jetë disa vjet më parë. Ai iku por la pas emrin e tij të nderuar,  “mbolli” shpirtin e tij patriotik , dashurinë për Dardhën dhe Shqipërinë te djemtë, Andrea dhe Vasili, te katër nipërit e mbesa, etj. Situate e virusit do t’i pengojë shumë shokë e miq të tij për t’i bërë nderimet e fundit, ashtu si e meritonte. Por, ata do mblidhen një ditë , do flasin me dashuri e mall për të dhe ai do t’i dëgjojë aty lart ku prehet.

 Lamtumirë miku ynë Sotir Pani! U prehsh në paqe!


Lamtunirë SOTIR PANI!


Të dashur Andrea dhe Vaskë, 

djem të Sotir Panit, babait tuaj të nderuar dhe mikut tonë të pa harruar

Nipa të tij që ju deshte dhe e deshit aq shumë, të afërm, miq e shokë të Sotirit 

Nuk desha t’i shkruaj këto fjalë lamtumire për Sotir  Panin, pasi nuk e mendoja se do na ikte kaq shpejt. Por jeta kështu qënka. Zot i mer njerzit e mirë për t’i patur pranë vetes. 

Për Sotirin mund të shkruhen faqe të tëra, mund të shkruhet libër, e përsëri është pak, pasi me jetën dhe veprën e tij, me dashurinë për Dardhën dhe Shqipërinë, me dashurnë që kishte për njerzit, me zemrën e tij bujare, ai la pas një emër të nderuar, që jo të gjithë e lenë në këtë botë. Ja gatuan këto cilësi nëna e tij, gjyshja dhe njerzit e tjerë dardharë. Ai eci në gjurmët e gjyshit dhe babait të tij, Josif dhe Vasil Pani, patriotë të mëdhenj , shokë të Nolit dhe Konicës. 

Janë të shumtë “stacionet” e jetës ku punoi dhe jetoi ai. Po ndalem vetëm në disa prej tyre, pasi nuk është vendi këtu për t’u zgjatur. Pas mbarimit të Univeritetit Bujqësor në Tiranë, ai punoi zooteknik , shef bujqëise e drejtor shkolle në Korçë, si dhe kryetar kooperative në Devoll  Më pas emërohet në Tiranë zv. drejtor në Institutin e Kërkimeve Zooteknike  e pastaj  përgjegjës  sektori në një nga stacionet e këtij instituti.

Në filliim të viteve ’90, kur në Shqipëri filluan shkatërrimet, Sotiri nuk i duronte dot dhe doli para kohe në pension. Në vitin 1996 vjen në Amerikë, në vendin ku kishte qënë gjyshi dhe babai i tij, ku kishin ardhur edhe dy djemtë e vet. Amerika u bë për të atdheu i dytë, por shpirti kishte mbetur në Shqipëri, në Dardhë e në Tiranë,  te shokët dhe miqtë e tij me të cilët punoi një jetë. 

Edhe këtu , tashmë pensionist, ai nuk ndenji duarkryq, por punoi duke lënë plot gjurmë në komunitetin shqiptar të Bostonit. Kontribuoi për kishën, për hapjen e shkollës shqipe për fëmijët shqiptarë, shkroi ibrin “ At e bir për mëmëdhenë’ që i kushtohej dy figuravve të shquara, Josif e Vasil Panit. Në plan kishte edhe një libër tjetër për emigracionin e dardharëve në Amerikë, por nuk e la virusi ta realizonte këtë ëndërr. Megjithatë, mos të mbetet merak miku ynë. Ti dhe aq shumë sa e ke shkruar me gërma kapitale jetën tënde. 

I shtrenjti Sotir Ti kishe këtu në Boston një grup të madh shokësh. Unë po përmend vetëm disa prej tyre si Hirësi Ilia Ketrin, At Artur Liolinin, Kiço Çekun, Jani Plasën, Kostandin Moskon, mua, e plot e plot të tjerë. Kishe miq besimtarë të shumtë në dy kishat shqiptare në Boston; kishe miq gjithë dardharët në Uster. Kishe gjithë ata shokë në Shqipëri, të cilët ikja jote i trishtoi shumë. Veç Dardhës, ti kishe dashuri e mall edhe për Sinicën e sinicarët. Kur vinje në Dardhë, zbrisje edhe në Sinicë, takoje miqtë e tu, fotografoje e filmoje fshatin tonë. Ti ke qënë edhe te shtëpia e prindërve të mi dhe unë kam qënë te shtëpia jote në Dardhë.Kemi bërë  filma së bashku. 

Oh sa shumë kujtime që kam për ty! Për arsye shëndetësore , nuk munda dot të vij në përcjelljen tënde, siç nuk ardhën dot edhe shokët e tu si Kiçua, Jani, Kosta, etj..Por, ne shokët e miqtë e tu, që na le një plagë në zemër, do mblidhemi përsëri, do të kujtojmë e flsim për ty, pasi ti ke lënë mes nesh një mal me dashuri. 

Lamtumirë  miku ynë i shtrenjtë, Sotir Pani! U prehsh në paqe!   

Me dhimbje, Fuat Memelli, Boston, 9 janar, 2021