Shkencëtari, misionari dhe vizionari i bujqësisë shqiptare
(Disa radhë me rastin e 80 vjetorit të lindjes)
nga: Prof. Ass. Enver ISUFI
Insituti i Bujqësisë Biollogjike, Durrës
Enver ISUFI |
Pesëdhjetë vitet e fundit, kur shërbeu si agronom Prof. Ahmeti, bujqësia shqiptare kaloi nga peizazhi mesjetar në atë evropian.
Sistemimi dhe bonifikimi i tokës, mbjellja e një numri të madh bimësh për prodhim të freskët dhe përpunim, për tregun e vendit dhe për eksport, teknikat e përparuara të prodhimit bujqësor, niveli i mirë shkencor dhe prodhimet për njësi sipërfaqeje, ishin të krahasueshme me vendet e tjera evropiane. Bujqësia i arriti këto maja, pavarësisht dy vështirësi të mëdha, së pari sistemi i detyruar i kolektivizimit masiv dhe, së dyti, veprimtaria e saj u zhvillua nën peshën e embargos së politikave globale.
Nëse do të flisnim me kategoritë e lojës së futbollit, bujqësia shqiptare kaloi nga parakategoria në kategorinë e tretë, në kategorinë e dytë dhe u ngjit në kategorinë e parë. Popullsia e Shqipërisë u trefishua pas luftës së dytë botërore, falë edhe ushqimit që prodhoi bujqësia vendase. Këto beteja të madha të prodhimit bujqësor, blegtoral e pyjor, u realizuan nga qindra mijëra punonjësit që shërbyen në bujqësi dhe nga mijëra specialistë, agronomë, veterinerë, zooteknikë e inxhinierë pyjesh, inxhinierë bonifikimesh, shkencëtarë dhe akademikë të bujqësisë. Duke folur me gjuhën e ushtrisë, në ushtrinë e madhe të bujqësisë shërbyen edhe ushtarë edhe oficerë edhe gjeneralë. Një ndër gjeneralët me më shumë dekorata ishte dhe është agronomi i nderuar Profesor Ahmet Osja. Nëse shkruhet një monografi për prof. Ahmetin, kjo do të ishte edhe monografia e bujqësisë shqiptare, sepse ai ka përjetuar çdo rrahje të zemrës së saj për 50 vjet. Ky personalitet i bujqësisë shqiptare ka disa karakteristika të veçanta që nuk i hasim tek cilido profesor i këtij niveli dhe i kësaj periudhe. Bujqësia shqiptare ka një listë shumë të gjatë të ekspertëve të nderuar e të spikatur, por te Ahmeti spikasin disa cilësi të mira shtesë, që tek të tjerët nuk i gjejmë me atë sasi kaq madhe dhe aq të integruara.
Ahmet Osja, si shkencëtar
Si shkencëtarë i shkencave bujqësore Ahmeti ka spikatur në ish-Institutin e Misrit dhe Orizit, Shkodër. Ai ka qenë autor dhe bashkautor në seleksionimin dhe prodhimin e misrave hibridë. Këto hibride patën një rol të madh në rritjen e prodhimit të misrit në vendin tonë. Edhe sot e kësaj dite, këto hibride kërkohen nga fermerët privatë. Puna e tij shkencore prej shumë vitesh është e fiksuar jo vetëm te hibridet e prodhuara, por edhe në artikuj shkencorë, në libra shkencorë e aplikativë, në revista e broshura të botuara, në filma informativë e shkencorë profesionalë. Ahmeti punoi në këtë institute kur ai ishte në lulëzimin e tij, kur në të punonte e drejtonte një tjetër ikonë e bujqësisë shqiptare, siç ishte profesor Hysen Laçej. Ky institut ishte i njohur jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë.
Ahmet Osja, si misionar
Ahmeti u dallua gjatë gjithë jetës si transferues i teknologjive nga Instituti deri në nivel ferme, që atëherë quheshin kooperativa dhe ferma bujqësore e blegtorale shtetërore. Pasioni i tij për të parë parcelat e kooperativave me të njëjtën nivel si ato që kishte në Institut, e bëri Ahmetin maratonistin e fushave të Shqipërisë. Aftësia e tij për të mobilizuar njerëzit në zbatimin e shkencës në praktikë, ishte gati e paarritshme nga kolegët e tij kudo në Shqipëri. Aftësia e tij për kaluar shkencën në duart e njerëzve, aftësia e tij për të përkthyer shkencën te njerëzit e thjeshtë është vetia që ia njeh e gjithë Shqipëria dhe, si ai, në artin e transferimit të dijeve, ishte vështirë të gjeje një të dytë. Profesor Ahmeti ishte shkencëtar që një këmbë e kishte në laborator e në fushat eksperimentale dhe një këmbë në fushat e prodhimit masiv, atje, në kooperativat e fermat bujqësore. Ky kontakt intensiv me njerëzit e bëri Ahmetin shumë popullor kudo në Shqipëri.
Ahmet Osja, si vizionar
Ahmeti ishte dhe është akoma si një institut lëvizës prognozimi për zhvillimet social - ekonomike. Çfarë ai thoshte para 10-15 viteve, vinte një kohë që ne i përjetonim ose i përjetojmë ende sot.
· Ai në sistemin kooperativist këshillonte: Misri në bujqësi është si derri në blegtori. Jepi ujë e ushqim dhe misri të jep edhe bukë edhe mish edhe vezë. Të shtojmë plehërimin dhe sipërfaqen e ujitur. Kur kjo ndodhte ne bindeshim për potencialin e madh që kishte bima e misrit. Kur kjo mungonte prodhimi binte menjëherë.
· Ai thoshte që misri duhet të përdoret për blegtorinë dhe industrinë përpunuesee jo të jetë bazë ushqimi për njerëzit. Sipas tij: Misri për blegtorinë dhe gruri për njerëzit. Kur ra sasia e plehrave dhe ajo e ujit, ra edhe prodhimi i misrit.
· Në fillimet e sistemit demokratik dhe ekonomisë së privatizuar, ai thoshte: Paraprirja e shkatërrimeve të rrjetit kullues dhe ujitës, prishja e strukturave që prodhonin farëra e fidanë vendas, nënvleftësimi i kultivarë ve autoktonë, braktisja e zonave fshatare, do të shoqërohen me erozionin gjenetik të kultivarëve e racave vendase, nënvleftësimi i ekspertëve të bujqësisë do ta çojnë bujqësinë në kolaps. Dhe, kështu ndodhi.
· Kur filluan të mbyllen shkollat e mesme bujqësore dhe u dobësua shumë Instituti Bujqësor (sot Universiteti Bujqësor) ai paralajmëroi se brenda pak viteve do mbetemi pa agronomë. Dhe, largpamësia e tij u vërtetua. Agronomë ka, por ata sot nuk marrin dot përgjegjësi përsipër.
· Ai theksonte e thekson akoma se bujqësia është një degë ekonomike, që na integron më shpejt me vendet fqinje ballkanike. Pjesa mesdhetare e bujqësisë duhet të bëhet furnizuese e madhe e vendeve të Ballkanit kontinental. Ai thoshte dhe vazhdon të thotë se në se kjo ndodh, ne jo vetëm që kemi treg shitje, por nuk i përballojmë dot kërkesat e Ballkanit, sepse prodhimet bujqësore shqiptare dalin në treg nga dy javë deri në një muaj më herët se në vendet e Ballkanit. Kjo do të ndodhë nëse do rriten investimet e bujqësinë dhe nuk do mbeten fushat pa mbjellë.
· Pika e dobët e tij ishte se si të afronte specialistët tanë më ata të Kosovës. Ka qenë ndër të parët që në fillimet e demokracisë shkeli bujqësinë e Kosovës. Ai dhe profesor Andrea Shundi e të tjerë u bënë misionarët e parë të bujqësisë së Shqipërisë në Kosovë. Sot ai ka miq kudo në zonat kosovare dhe bashkëpunon me specialistët e Kosovës në shumë fusha, sidomos në këmbimin e literaturës bujqësore dhe përvojës bujqësore.
· Fill pas viteve 1990 ai theksonte se ekonomia e një vendi duhet të eci në dy shina: Arsimi dhe Bujqësia. Arsimi i shëndoshë rrit njerëz me mendje të shëndoshë. Një vend me bujqësi të shëndoshë rrit një komb me njerëz fizikisht të shëndoshë. Atëherë, thoshte ai, do të zbatohet thënia e njohur e francezëve “mendja e shëndoshë në trup të shëndoshë”. Ne sot jemi dëshmitarë se të dyja këto shina i kemi të dobëta, prandaj treni ynë drejt Evropës po vonohet.
· Vite më parë, Ahmeti thoshte se rritja e kuriozitetit të botës për Shqipërinë, përmirësimi gradual i infrastrukturës, largimi i frikës se Shqipëria është vend i pasigurt, do të shoqërohen me rritje të fuqishme të turizmit. Ne tani po e përjetojmë atë bum turistik, që Ahmeti parashikonte, por për ta përballuar atë, ai gjithmonë në biseda, takime e botime theksonte se na duhet të parapërgatitim infrastrukturën, kualifikimin, edukimin e personeleve të të gjitha niveleve me kulturën e turizmit dhe të agroturizmit.
· Ahmeti thoshte se rreziku i Shqipërisë do të jetë pakësimi i numrit të banorëve. Kjo do të vijë nga dy shkaqe, që do veprojnë paralel, së pari nga papunësia dhe së dyti nga dëshira e njerëzve për një jetë më të mirë jashtë vendit. Sot ne po i përjetojmë të dyja këto dukuri, që i parashikoi Ahmeti vizionar.
· Gazetaria bujqësore dhe media elektronike thoshte Ahmeti 25 vite më parë, është aleatja më e madhe e bujqësisë sonë, prandaj nuk duhet të prishet Qendra e Informacionit Bujqësor. Por, sot që u prish, jo vetëm që nuk ka botime librash, broshurash, video e filma profesionalë, siç kishte më parë, po as revista 95 vjeçare, me emrin “Bujqësia Shqiptare” ka vite që nuk bohet. Paradoks. Kurrë nuk kemi pasur më shume forcë botuese, si shtypshkronja e letër se sa sot, kurrë nuk kemi qenë më të lirë për të shkruar se sa sot, por kurrë nuk kemi pasur më pak literaturë bujqësore në duart e fermerëve se sa sot. Me facebook, thotë Ahmeti, nuk prodhohet e shpërndahet shkenca bujqësore. Miqtë më të afërt për Ahmet Osjen ishin gazetarët e bujqësisë, si Veli Hoxha, Fuat Memeli, Jani Gusha, Pasho Baku, Xhevdet Bashllari, Enver Shehu, Ago Nezha, Fatos Loli, Skënder Sina e shumë të tjerë, pa harruar veteranët Faik Labinoti, Lefter Peço, Fatos Cekodhima, Ibrahim Baçi, Bashkim Koçi, apo profesorin e gazetarisë Hamit Boriçi, e të tjerë e të tjerë. Ai ishte miku më i madh i organeve botuese të shtypit bujqësor.
· Mbyllja e institucioneve shkencore dhe ulja e statusit të tyre, do ta varfërojë shkencën në bujqësi, thoshte Ahmeti. Dhe kjo ndodhi. Buxheti minimal për shkencën dhe stafet e plakura shkencore kanë zbehur shumë drejtimin shkencor të bujqësisë sonë, një fakt negativ, që po e vuajnë fermat bujqësore e blegtorale.
Shumë e shumë dukuri të tilla paralajmëroi ky vizionar, por politika e këtyre tri dekadave dëgjoi vetëm veten.
Ahmet Osja, me zemër Nënë Tereze
Zemra e Ahmet Osjes ka shpërndarë kaq shumë dashuri në çdo cep të vendit, saqë aroma e kësaj dashurie ndihet siç ndihet aroma e një parfumi që shpërndajmë në dhomë. Nuk di njeri tjetër, që ta njohë Shqipërinë cep më cep, siç e njeh Ahmet Osja. Është nga ata specialistë të rrallë, që e njohin njerëzit kudo në Shqipëri. Ai flet me dashuri e respekt, si me fëmijët edhe me të moshuarit, me të rinjtë dhe me kolegët, me punëtorët e me fshatarët. Kjo ndodh sepse në zemrën e tij Tereziane ka vend për të gjithë. Zemra e tij ndjen dhimbje kur atë që ai di nuk e dinë edhe të tjerët. Kur ua shpjegon të tjerëve me letër e laps në dorë e ata e ndjekin me vëmendje, ai ndjehet i lehtësuar. Për të shkurtuar kohën e komunikimit me bashkëbiseduesit, ai u jep përparësi skicave, figurave, grafikëve, simboleve dhe fjalëve kyç, që mbahen mend. Ahmet Osja është si një kantautor, që kompozon bukur dhe këndon bukur.
Ahmet Osja, si një enciklopedi
Në fushën e bujqësisë, janë të rrallë specialistët që njohin edhe bimët e arave, edhe pemëtarinë e vreshtarinë, edhe pylltarinë e bimët mjekësore dhe biodiversitetin në përgjithësi, si Ahmet Osja. Nuk gjen specialist tjetër që të ketë në kokë aq shumë statistika. Mendja e tij ruan në memorie të dhëna sa një hard disk me shumë Giga.
Ahmet Osja, si historian
Keni dëshirë të njihni historinë e bujqësisë shqiptare? “Klikoni” në memorien e Ahmetit. Keni dëshirë të njihni historinë e Shqipërisë, arkeologjinë, artin, zakonet e traditat apo kostumet popullore sipas krahinave, “klikoni” në mendjen me shumë Giga të profesor Ahmet Osjes.
Ahmet Osja si patriot
Kur bisedon për vlerat e Shqipërisë sot dhe në shekuj, për gjuhën shqipe, se çfarë kanë thënë personalitetet shkencore, albanologët për Shqipërinë, mos ki frikë se bibliotekat nuk i kanë këto libra ose nëse ato janë mbyllur, por pyesni Ahmetin dhe ai u përgjigjet.
Ahmeti Osja, sa pa parti, po aq është edhe politikan; sa demokrat, aq është edhe socialist, sa mysliman po aq është edhe katolik, sa kosovar aq është edhe çam, sa është shkodran aq është edhe qytetar i çdo qyteti apo fshatar i çdo fshati në Shqipëri. Gen shqiptari prej vërteti, kanë shqiptarët si Ahmeti.
Të gjithëve sot na vjen keq që Ahmet Osja e shikon bujqësinë tonë që ka rënë në kategorinë e dytë (po t’i referohemi sportit). Atij i dhimbset bujqësia, siç u dhimbset artistëve të popullit gjendja e Teatrit, siç u dhimbsej energjetika Farudin Hoxhës e Petrit Radovickës, siç i dhimbset arkeologjia Moikom Zeqos, Vangjel Toçit e Hysen Cekës, siç u dhimbset sot regjisorëve dhe aktorëve tanë të nivelit hollivudian gjendja e filmit shqiptar.
Në kohën e demokracisë anarkike, Ahmeti u emërua edhe Ministër Bujqësie. Kjo ndodhi në trazirat e vitit 1997. Kaq e vështirë ishte ajo situatë ato muaj, saqë ministrave qeveria u dha armë që t’i mbanin në makinë dhe në zyrë. Por ministër Ahmeti nuk pranoi. Nuk kam vra njeri dhe askush nuk ka ndërmend të më vrasë mua, shprehej. Ai mori krevatin, e solli në zyrën e tij në Ministri dhe flinte aty; rrallë shkonte në Shkodër, ku jetonte e jeton edhe sot familja e tij.
Kur e pyet sot Ahmetin për atë periudhë, nuk ka dëshirë ta komentojë, por thotë se kënaqet që fatmirësisht ato vite i kemi lënë pas dhe bujqësia ka hyrë përsëri në hullinë e normalitetit. Kjo thotë Ahmeti me kënaq dhe më bën optimist. Më bëhet zemra mal kur shikoj që eksportet bujqësore po rriten. Po rifitojmë imazhin e mirë në botë me prodhime si perimet, vaji i ullirit, bimët mjekësore, me peshkun, etj. Kënaqem, thotë Ai kur dëgjoj intervistat e turistëve, që pohojnë se pëlqejnë shumë shijen e prodhimeve bujqësore e blegtorale të tokës tonë. Kënaqem që kultura e kuzhinës dhe e gatimeve po rritet me shpejtësi.
Jam i sigurt që në sistemin e ekonomisë së tregut të lirë dhe demokracisë sociale, bujqësia do ta marrë vendin që i takon dhe brenda pak viteve ne do të jemi shumë krenarë me bujqësinë, fermerët dhe përpunuesit tanë. Kjo është bindja e profesor Ahmet Osjes.
Gjithmonë optimist ka qenë dhe është profesor Ahmeti, që në këtë 80 vjetor të lindjes, unë që po shkruaj këto radhë, në emrin tuaj të dashur lexues, i uroj jetë të gjatë, shumë të gjatë, për të na frymëzuar akoma, sidomos brezin e ri të shkencëtarëve e prodhuesve. Njerëzit e mirë si Ahmet Osja, janë si hidrocentralet që japin dritë akoma, ndonëse kanë dekada që janë ndërtuar. Në një nga vjershat që kam shkruar për Ahmetin, gati dhjetë vite më parë, zënë vend edhe vargjet me të cilët po e mbyll këtë shkrim:
Ahmet Osja dhe Enver Isufi |
“Ahmet Osjen e njohin dhe e duan në katër anët e Shqipërisë,
Agronomë si Ahmet Osja, Kadri Roshët e bujqësisë”.
Agronomë si Ahmet Osja, Kadri Roshët e bujqësisë”.
Nje shkrimi me shume vler a, tamam Kadri Roshi bujqesise.
ReplyDelete